-Kryeministri Mustafa priti pjesëmarrësit e Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës/Prishtinë, 27 korrik 2017-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim pjesëmarrësit nga Kosova në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (ONM), e mbajtur në Brazil.Me këtë rast, kryeministri ka theksuar se rezultati i arritur në këtë garë, Medalja e Bronztë e fituar nga nxënësi Shend Zhjeqi, është pranim i angazhimit dhe ngritjes së cilësisë në shkollat e Kosovës.“Për ne kjo është edhe një pranim i angazhimit të profesorëve dhe nxënësve të shkollës së Kosovës dhe ngritjes së cilësisë, është një tregues i sakrificës, i punës, i angazhimit, i durimit por edhe i zotimit për rezultate, sidomos për këta të rinj”, tha kryeministri.Kryeministri Mustafa ka potencuar rëndësinë e stimulimit të nxënësve për t’u marrë me shkenca, por edhe të profesorëve që punojnë me këta nxënës.“Për ne kjo është e rëndësisë së veçantë, sepse ne ardhmërinë e këtij vendi e kemi tek të rinjtë, e kemi në rezultatet në shkenca fundamentale, të cilat duhet të kenë përparësi, dhe për të cilat ne duhet të bëjmë ndryshime në sistemin arsimor që ato të veçohen, të përkrahen shumë më tepër nxënës që merren me matematikë, fizikë, kimi, biologji, me fusha që ne duhet të bëjmë konkurrencë me vendet tjera, jo vetëm në regjion, në Bashkimin Evropian, por edhe në glob në përgjithësi. Po ashtu, duhet të ndërtojmë sisteme të nxitjes, të stimulimit por edhe të përkrahjes së nxënësve dhe njerëzve që punojnë me nxënës, sepse jemi të interesuar që këto rezultate të jenë më të mëdha, dhe po ashtu njerëzit të marrin meritat e tyre për punën që e bëjnë”, tha kryeministri Mustafa.Shend Zhjeqi nxënës i Gjimnazit Matematikor të Prishtinës, fitues i Medaljes së Bronztë në këtë Olimpiadë, ka thënë se pjesëmarrja në garë i ka inkurajuar këta të rinj që të merren edhe më tutje me shkencë.“Sa i përket garës ndërkombëtare ku kemi qenë pjesëmarrës ne dhe e kemi paraqitur Kosovën sivjet, na ka mbetur kujtim dhe na ka inkurajuar që të vazhdojmë të studiojmë matematikë, jo vetëm në fakultet, por edhe në shtëpitë tona, dhe nuk është e domosdoshme që të studiojmë vetëm matematikë, por edhe shkenca tjera”, tha Zhjeqi.Profesori Ramadan Limani, koordinator i ekipit të Kosovës ka përgëzuar nxënësit për suksesin e jashtëzakonshëm.“Ky sukses është në radhë të parë i matematikës në Kosovë por edhe i vetë arsimit. Është gara më e suksesshme e ekipit tonë, prej kur ka filluar të marrë pjesë ekipi jonë në këtë garë të rëndësishme”, tha Limani.
Lordi Robertson vlerëson dhe përkrah progresin në Kosovë
-Kryeministri Mustafa falënderoi ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson për mbështetjen e dhënë për Kosovën/
PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim, në Prishtinë, ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson.
Njoftimi i dërguar thekson se, kryeministri Mustafa gjatë takimit, shprehu mirënjohjen e popullit dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe dhe kontributin që Lordi Robertson ka dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe në proceset e mëtejshme në Kosovë.
Kryeministri Mustafa theksoi se ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë ngjarje të jashtëzakonshme historike, të cilat u finalizuan falë vendosmërisë së burrështetasve të mëdhenj në SHBA dhe Britani të Madhe dhe drejtuesve të NATO-s, ku rol të posaçëm pati edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Lordi Xhorxh Robertson.
“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli jonë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike nga vendet lidere të botës demokratike, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera evropiane pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga Lordi Xhorxh Robertson”, theksoi kryeministri.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar Lordin Robertson për progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, për integrime evropiane si dhe për forcimin e gjithanshëm të shtetit.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera të BE-së, si dhe për vendosmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke çmuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për zhvillimin e vendit dhe për stabilitetin rajonal.
Lordi Robertson theksoi rëndësinë që ka për Kosovën zhvillimi i përgjithshëm i demokracisë, duke veçuar nevojën për stabilitet dhe debat politik përmes mjeteve demokratike.
Lordi Xhorxh Robertson, po ashtu, shprehu përkrahje të mëtejshme për progresin në Kosovë./b.j/
NJERËZIT TANË NË VENDET PERËNDIMORE, NJË POTENCIAL SHUMË I RËNDËSISHËM
-Deklaron kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në Forumin në Prishtinë për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, ku mori pjesë edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Gusht 2015/-Njerëzit tanë në vendet perëndimore, të rinjët që jetojnë jashtë, janë një potencial shumë i rëndësishëm për ne, tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai me përfaqësues të tjerë të qeverisë kosovare dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, sot në Prishtinë, morën pjesë në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, të organizuar nga Ministria e Diasporës.
“Mendoj se është një prezencë shumë e rëndësishme për ne, sepse janë njerëzit tanë që jetojnë në vendet perëndimore, dhe për të cilët kemi shumë nevojë që të kujdesemi, të punojmë bashkërisht dhe që pastaj të arrijmë rezultate të përbashkëta. Mua më vjen shumë mirë poashtu, që së bashku me ne është ministri Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Mustafa.
Në këtë forum me të rinjtë dhe studentët e diasporës ishin edhe ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, zëvendësministrja kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj, dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
“Përshëndes këtë iniciativë të themelimit të rrjetit të rinisë, sepse kjo është një formë e organizimit e cila krijon ndërlidhje të të rinjve që jetojnë jashtë. Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne, edhe një potencial i njohurive të reja, i teknologjive të reja, i diturive të reja, i shkollimit të të rinjve për të cilën ne kemi nevojë ose ta tërheqim ose të punojmë me juve bashkë, sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm në kufijtë e Kosovës”, u shpreh Mustafa.
As dija jonë, vijoi ai, nuk është dije e mbyllur, është dije e cila kalon kufijtë edhe të Kosovës, kufijtë edhe rajonalë, kufijtë edhe evropianë dhe ne dëshirojmë që së bashku me ju t’i kapërcejmë këta kufij dhe do ta kuptojmë se më nuk jemi gjithmonë të vetëmjaftueshëm por gjithmonë kemi nevojë të bashkëpunojmë me të tjerët dhe të tërheqim dije dhe dituri të re.
“Ne tani po punojmë në shumë fusha si Qeveri. Fushë themelore në të cilën ne jemi përcaktuar tani është zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve të huaja. Ne konsiderojmë se njerëzit tanë që jetojnë në shtetet perëndimore kanë mundësi që të japin kontributin e tyre dhe në këtë aspekt, jo vetëm që ata vetë të vijnë dhe të investojnë, por që të investojnë edhe me njohuritë dhe dituritë e tyre këtu dhe të jenë në ndërlidhje me investitorët e jashtëm në Kosovë”, theksoi kryeministri Mustafa.
Po punojmë poashtu, tha ai, në forcimin e shtetit ligjor, sepse jemi të interesuar që ky shtet në pikëpamje të drejtësisë dhe në pikëpamje të aplikimit të kritereve evropiane dhe kritereve botërore të jetë në nivelin e vendeve demokratike dhe vendeve të zhvilluara.
“Jemi poashtu të interesuar që të bëjmë reforma thelbësore në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë si dy fusha shumë të rëndësishme sociale tek ne. Kemi arritur që të bëjmë një progres sa i përket përfshirjes së të rinjve në arsimin e lartë, por konsiderojmë që duhet ta rrisim cilësinë e arsimit të lartë dhe cilësinë e mësimit në përgjithësi në mënyrë që të jemi konkurrentë me të rinjtë e vendeve tjera dhe poashtu kemi nevojë që sistemin e shëndetësisë ta reformojmë në mënyrë që të ofrojmë shërbime për qytetarët tanë, shërbime të cilat sot qytetarët tanë kërkojnë më shumë t’i marrin në vendet e jashtme”, tha kryeministri kosovar.
Natyrisht, vijoi Mustafa, të rinjtë tanë edhe jashtë edhe brenda po e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të shkëlqyer në shumë fusha të sportit, të kulturës, edhe fusha të tjera të cilat janë tepër të rëndësishme për ne.
“Prandaj, edhe juve si pjesë të kësaj gjenerate ju përgëzoj, ju uroj shumë suksese në këto forume që i kemi sot këtu së bashku dhe poashtu ju premtoj që ajo që varet prej nesh, qoftë nga Ministria e Diasporës, qoftë nga qeveria e Republikës së Kosovës, qoftë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga ministritë e tjera do të bëjmë përpjekje maksimale që të bashkëpunojmë me ju dhe të japim përkrahjen tonë dhe ndihmesën tone”, përfundoi Mustafa.
Ministria kosovare e Diasporës thekson se fuqizimi i të rinjve dhe studentëve të diasporës, në veçanti studentëve, është prioritet i qeverisë së Kosovës. “Bashkëpunimi me profesionistë të fushave të ndryshme, shkëmbimi i përvojave dhe transferimi i dijes është identifikuar si mëse i nevojshëm në ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve politike, ekonomike, sociale dhe shkencore në Kosovë”, thekson Ministria e Diasporës.
Deri tani Ministria e Diasporës ka iniciuar themelimin e rrjeteve/asociacioneve të studentëve dhe të rinjve në diasporë. “Qëllimi i tyre është që të arrihet bashkëpunim më i ngushtë mes organizatave studentore dhe rinore në diasporë me institucionet dhe organizatat e tjera në Kosovë, e po ashtu edhe rritja e prezencës institucionale në mesin e të rinjve në diasporë, duke nxitur angazhimin e kësaj shtresë të shoqërisë në të gjitha çështjet nacionale”, bën të ditur ministria.
Kosova, harmoni ndërfetare vlerash të krijuara ndër shekuj nga populli
-Kryeministri Mustafa shtroi darë iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës/
PRISHTINË, 11 Korrik-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, shtroi të premten iftar për drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, të udhëhequr nga Myftiu Naim Tërnava.
Kryeministri Mustafa, i uroi mirëseardhje mysafirëve, dhe shprehu respektin e kujdesin e institucioneve të Kosovës për komunitetin mysliman dhe të gjitha komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.
Duke folur për vlerat që përfaqëson muaji i shenjtë i Ramazanit dhe agjërimi gjatë këtij muaji, kryeministri Mustafa theksoi se kjo është periudhë e reflektimit dhe e përkushtimit për vlerat e humanizmit, solidaritetit, paqes e tolerancës.
Kryeministri Mustafa veçoi harmoninë ndërfetare në Republikën e Kosovës, si një prej karakteristikave të shoqërisë kosovare dhe vlerave të krijuara ndër shekuj nga populli i Kosovës./B.J/