• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar”, novelë për dashurinë njerëzore

August 7, 2015 by dgreca

Nga Laureta PETOSHATI/
E lexova me një frymë novelën “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar” të shkrimtarit dhe poetit vlonjat Xhemil Lato. Që në fillim të godet me përshkrimin goxha të pasur dhe të zhdërvjellët në formë dhe në përmbajtje edhe pse kemi imazhe të ngrysura dhe tronditëse. Ja se me çfarë intensiteti tronditës e nis novelën autori: “Era pas dëborës qe tmerri i tij. Një gërshërë vrasëse po i qethte mishtë. Sytë i kishte të mbuluar nga lotët, sikur ti shfaqej në çdo hap përpara fytyra e një njeriu të dhembshur që e kishte mbuluar në varrezë….” Megjithatë, në këtë përshkim e mjegullim lotësh, për të kuptuar se kemi një rikthim në kohën e ushtrisë, autori fut elementë të tillë artistikë që të arrijnë kuptime simbolike dhe pikërisht që në nisje kur thotë se “përmes asaj mjegullnaje shihte vetëm malin e Ganës, që ngrihej lart, si një gjeneral që nxjerr gjoksin përpara që ti varin dekorata.” Pra simbolikisht kemi ushtrinë, por dhe një emër mali, “Mali i Ganës”. Autori këtu luan me fjalën Ganë, si për të treguar një vend në shkretëtirë dhe me shërbimin ushtarak si te romani “Shkretëtira e Tartarëve” e autorit italian Dino Buzzati, i cili e përdor këtë emër që gjithashtu nuk ka fare lidhje me shkretëtirën në realitet, por me shkretëtirën si koncept dhe simbol i shkretimit. Kjo gjë është aq e vërtetë sa përshkrimi gjithë vrull, herë si erë fshikulluese e herë si dallgë mbytëse na jep një tablo realiste të një realiteti të përditshëm, të zhveshur nga shumë gjëra, të errët, të varfër, të vrazhdë, por dhe tronditës. Shkrimtari Xhemil Lato na jep me mjeshtëri elementet përshkuese të jetës së përditshme të një ushtari në kufi mes borës dhe ujqërve, aq sa këta të fundit na jepen dhe në fillim dhe në fund të novelës si pjesë e qenësishme e atij ambienti. Madje duhet theksuar fakti se ka një mënyrë përshkrimi të habitshëm për këto bisha të dëborës. Nëse ato ishin tepër të rrezikshme për njerëzit, kishin një dashuri brenda llojit dhe familjes si dhe njerëzit, aq sa autori shkruan për ujkonjën se “qante kafsha e egër si një nënë e pikëlluar”. Ndërsa në fund të novelës kjo dhimbje nga nëna për pjellën e vet, kthehet te pjella për nënën ku autori shkruan “ pa kulishin të zbulonte dëborën që kishte mbuluar ujkonjën dhe u anua:” Aq e vështirë është jeta në këto vite ushtrie saqë ka çaste të jetës së ushtarit me një emër simbolik lotësh Lotal, ku shprehet dorëzimi përpara asaj jete, përpara sistemit dhe të pranohej kufiri që ai kishte vendosur jo me botën, por me mënyrën e të jetuarit. Kjo shprehet në mënyrë simbolike në çastin ku ushtari pranon që të qethet me detyrim sikur të jetë dele. Në ato imazhe të errëta dhe të vështira ka dhe një solidaritet njerëzor, ndërsa bukuria e këtij realiteti është dashuria e fortë midis Lotalit dhe Lenës. Madje gjithë novela dhe subjekti i saj vërtiten rreth kësaj dashurie dhe rrëfimi nis si rikthim në kohën e dashurisë, rikthim te njeriu i dashur, te vendi dhe burimi i dashurisë mbas çerek shekulli. Personazhi kryesor Lotali ka një reflektim të kthjellët, mallëngjyes, pendues për atë dashuri të fortë dhe të thellë. Nisi me ndjenjë, u bë fizike dhe mbeti shpirtërore, mbeti brenda zemrës së të dyve dhe asnjë e askush nuk ua shkuli dot prej andej. . Dashurinë, Lena e konsideron më të madhe se qyteti, pra në sytë dhe zemrën e saj dashuria është e madhërishme. Ajo ngeli ashtu si shprehet autori “monument pritjeje” kur thotë se “Sa e çuditshme dashuria: monument pritjeje, sidomos për një femër… për një femër atje mbi gurë… E donte ndezur si gjaku i saj. ” Rreth këtyre dy personazhe tablonë e rrëfimit e plotësojnë dhe personazhe të tjerë e një prej tyre është dhe poeti Namik Mesapi, i cili që nga mbiemri duket që vjen nga zona e Labërisë dhe që autori e ka skalitur me dashuri për humanizmin që tregon ndaj Lotalit kur i jep trikon e leshtë që edhe pse mbante erën e trupit të tij nuk e kishte problem, sepse ishte era e një njeriu të dashur.
Novela është e mbushur me përshkrime të jashtëzakonshme që kanë sfonde metaforike në funksion të asaj që kërkon të shprehë autori. Edhe pse shumë prej këtyre janë të dhimbshme, ato të mahnitin me rrjedhshmërinë, leksikun, gjetjen e krahasimeve dhe epiteteve mjaft të goditura në funksion të situatës. Një prej tyre është dhe vdekja tragjike nga goditja e vetëtimës e ushtar Halimit, ku autori shkruan se: “ Paskësaj… bubullima dhe kuje, që në ajër kapeshin si flokë grash të çmendura, ndërsa Halimi flinte i qetë… pa Janullën…”
Novela është e ngopur nga figuracioni, nga intensiteti dhe ritmi i përshkrimit edhe pse në thelb flet për urinë. Ka shumë uri në realitetin për të cilin flet autori. Por ajo që e bën të trishtë është mungesa e bukës, që edhe pse është shprehur me shumë figuracion nga autori, përsëri është një dhimbje më vete, e pashoqe. Ja si shprehet autori në këtë libër për urinë: “Uria është si sëpata që vret pemët, ndërsa liria e stomakut ia ngre burrit kokën lart.” Ndërsa po për urinë, për bukën e misrit të munguar ka dhe ëndërrime të tilla si: “M’u bë ajo hëna e madhe atje lart, si një bukë misri e verdhë që nxirrte avull nga furra… E di: vetëm pak të dhashë se ti nuk ha shumë. Më fal që e ndava keq.”
Në këtë novelë nuk ka shumë mite dhe iluzione edhe pse kemi vetëm futjen e elementëve të mitit të Hënës dhe të Diellit si motër e vëlla sipas etnosit shqiptar. I vetmi mit është dashuria, e cila vazhdon të mbahet gjallë edhe mbas 100 stinësh siç e përshkruan autori Xhemil Lato. Edhe pse nuk kemi përfundim të kësaj dashurie me kurorë, përsëri, ashtu siç shprehet autori “Burrëria dhe e vërteta janë male.” Rruga që merr personazhi Lotal pas 25 vjetësh, rrëfimi më shtëpinë e braktisur janë mjaft emocionues dhe domethënës, sepse njeriu në radhë të parë duhet të jetë i sinqertë me veten. Disa gënjeshtra të vogla, por dhe kushtet e vështira e larguan nga dashuria. Po të mos kishin qenë këto, a nuk do të kishte qenë ndryshe? Padyshim që po.
Novela jep mesazhe të qarta për dashurinë në të gjitha dimensionet e saj, sidomos për dashurinë njerëzore. Është dashuria njerëzore ajo që ka mundësuar tejkalimin e gjendjeve të vështira dhe që është derdhur mjeshtërisht në novelën “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar” të shkrimtarit Xhemil Lato.
Unë do tua rekomandoja të gjithëve leximin e këtij libri, i cili është shkruar me shumë dashuri dhe vërtetësi. Çdo njeri do të kishte se çfarë të mësonte prej tij, sidomos shkrimtarët mund të mësojnë se si duhen përdorur metaforat radikale dhe sfondet metaforikë që të japin dridhje shpirti ashtu si dridhet era buzë lumit e ashtu si pikon loti i ngrohtë mbi botën e ftohtë. Ky libër e mëson njeriun se sido që të jenë kushtet e jetës, njeriu duhet të mbetet njeri. Jeta mes ujqërve nuk duhet ta kthejë atë në ujk për njeriun aq sa njeriu për njeriun të bëhet ujk, por duhet që mes të gjitha urive të mungojë uria për dashurinë njerëzore. Njeriu duhet të jetë i ngopur me dashuri njerëzore pavarësisht gjithçkaje. Ky është mesazhi kryesor i librit, i cili është mesazh universal.

Filed Under: LETERSI Tagged With: kufitarja gjumetrazuar, Laureta Petoshati, Xhemil Lato

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT