• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrënjët historike të shqiptarëve

August 12, 2020 by dgreca

Rrënjët historike të shqiptarëve, në vështrimin e studiuesit Kujtim Mateli –
-Pak fjalë rreth librit të tij: “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë”-C:\Users\CTS\Downloads\Albanologjia natyrale.jpg

Nga Gëzim Voda–

  Po e them që në krye se, çka shkruhet në vijim nuk janë të një specialisti, por vlerësime të një lexuesi të vëmendshëm i disa botimeve të këtij autori, për rrënjët tona nga lashtësia. Për brendinë e tij, mendoj se do të ishte me interes të flisnin institucione dhe studiues të kësaj fushe. Duke thënë këtë, gjykoj se historianët me ato që paraqesin, nuk shkruajnë thjesht për vete e as për njeri-tjetrin, po në radhë të parë për shtresat e gjera të shoqërisë, se në fund të fundit, ata kushdo qofshin nuk bëjnë histori, por shkruajnë historinë. Shkruajnë e dokumentojnë ato ngjarje e bëma të kategorive të ndryshme njerëzore në kohë të caktuara, që brezave pasardhës t’u jepet jo vetëm mundësia për njohje, respektim, dhe nxjerrje mësime prej saj, po dhe e drejta të thonë sa munden mendimet përkatëse për çka u sërviret.
Si një ndër ta, do të thosha se për ato çfarë Kujtim Mateli ka parqitur në botimin e lartpërmendur, apo dhe në botime të tjera në dekadën e fundit për rrënjët tona nga lashtësia, meriton të merret në konsideratë pa paragjykim. E them këtë, jo vetëm për produktin dobiprurës që ky libër bart për lexuesin, bazuar tek autorë të shquar të lashtësisë, po dhe për shërbimin e tij me sens kombëtar; kritikën konstruktive rreth disa qëndrimeve të mangëta të institucioneve tona akademike e studiues të caktuar të tyre ndër vite për këtë çështje. Ata, sipas analizës që bën autori, kanë lënë boshllëqe ose moskonsekuencë në disa përfundime jo aq të qarta për prejardhjen tonë të lashtë, të cilat i kanë kushtuar dhe po i kushtojnë çështjes shqiptare dhe kufijve tanë historikë.
Kujtim Mateli, i lindur në trevën e Përmetit dhe banues në Tiranë, ka kryer studimet e larta për gjuhë- letërsi 30 vite më parë dhe është zotëruesi i tri gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht e greqisht), si dhe autor i disa botimeve poetike dhe historike. Ai nuk është ndër ata shkrues që shpesh preferojmë t’i quajmë “historian i mirëfilltë”, “specialist i fushës”, ose “emërmadh”, as pjesë e ndonjë institucioni shkencor shqiptar. Kujtimi është një intelektual punëmadh e i pavarur, i prirur në kërkimet historike siç mund të bëjë çdo qytetar me ndjeshmëri i këtij vendi, me bindjen se nuk është vetëm arsimimi specifik që i jep vlerë dikujt, por dhe puna me përkushtim për një çështje të caktuar. Këtij njeriu, pikërisht ky motiv nuk i mungon
Falë pasionit të tij për historinë e antikitetit dhe rrënjët e hershme të shqiptarizmit, ai në këtë dhjetëvjeçar ka realizuar studime të thelluara për prejardhjen tonë si komb duke botuar dy vëllime për Dodonën, tempullin e lashtë pellazg (2011 dhe 2016), përmes të cilëve  jep një paraqitje të plotë historike për të, duke e vënë në diskutim vendodhjen e sotme të saj afër Janinës dhe konsiderimin e saj padrejtësisht helene (siç bëjnë qarqe të caktuara greke), dhe e sjell atë brenda territorit shqiptar, sikurse është  dhe përkatësia e saj nga hershmëria. Një studimi tillë, siç del, i ka munguar institucionalisht historiografisë shqiptare dhe çuditërisht, për xhelozi apo mosdashje të qëllimshme, vazhdon të mos merret në konsideratë nga institucionet përkatëse të vendit tonë. A thua se, autori në fjalë nuk i shërben kombit të vet me këtë studim, por dikujt tjetër. Ndërkohë, ai është autor i mjaft artikujve në shtypin e shkruar dhe i disa intervistave në median vizive, kryesisht për këtë fushë. Në marsin e këtij viti, ai i dha publikut edhe botimin e sipërcituar: “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë”, një libër analitik i kompletuar me referenca nga autorë të antikitetit dhe të kohëve të reja, të huaj e vendas. Botimi në fjalë, me mënyrën si është shkruar dhe se si janë thënë gjërat prej tij, në gjykimin tim përbën interes për cilindo shqiptar që kërkon t’i thellojë njohuritë e tij në këtë aspekt. Sigurisht edhe për institucionet tona shkencore. Libri është tërheqës dhe i këndshëm në lexim, por edhe bindës për argumentet që gjenden aty, të cilat nuk janë të stisura subjektivisht nga egoizmi individual, etja për famë, interesi material, apo tendenca “shqiptaromadhe” (siç na akuzojnë disa), por të bazuara në të vërteta historike. Ai, përshkohet nga disa esè historike dhe analiza poetike në funksion të lashtësisë, duke e bërë librin sa historik aq edhe artistik, prej të cilit merr diçka që mund ta kesh të turbullt ose të ka munguar më parë. Si i tillë, ky punim ia shton vlerat historiografisë objektive të këtij vendi. Cilido që e shfleton atë, kam bindjen se bëhet sa krenar për prejardhjen e tij iliro- pellazge, aq dhe i trishtuar, kur mëson si i janë “kafshuar” trojet e veta padrejtësisht nga të tjerët dhe si kanë heshtur e heshtin, me ose pa dashje, mjaft historianë, arkeologë, etnografë, gjuhëtarë e  gjeografë shqiptarë, deri dhe institucione  të këtij vendi për t’u ballafaquar me disa të vërteta që gjenden në dokumente dhe përcaktime historianësh e studiuesish nga antikiteti, si dhe për t’i mbrojtur me dinjitet ato, që kufijtë historikë të shqiptarëve të kenë emrin e vërtetë, e që në gjuhën e thjeshtë,“haka të mbetej tek i zoti”.
Ajo çka e dominon përmbajtjen e këtij botimi dhe shqetësimin kryesor të autorit, është shtrëmbërimi dhe mohimi i prejardhjes reale të shqiptarëve në shekuj dhe tjetërsimi arbitrarisht i kufijve të tyre historikë prej fqinjëve veriorë e jugorë, si dhe inferioriteti dhe pazotësia e insititucioneve tona shkencore për t`i mbrojtur të vërtetat në favor të kombit të tyre.Sa më sipër, autori mes të tjerëve i referohet Strabonit (autor i viteve para dhe pas lindjes së Krishtit), sipas të cilit: “Në jug të Danubit janë vendosur Ilirët dhe Thrakët dhe përzier me ta janë dhe disa fise kelte, deri në kufijt e Greqisë”. Siç shihet, paraardhësit tanë arrinin deri në Danub dhe nuk flitet për fise sllave në atë periudhë. “Sllavët,- siç ka shkruar në një botim të tij të vitit 1990 studiuesi i mirënjohur kroat Aleksandër Stipçeviç ( i referuar në këtë libër),- kanë ardhur në viset perëndimore të Ballkanit në shekullin e 6-të e të 7-të dhe gjetën një popullsi mjaft të madhe të vjetër vendase të paromanizuar dhe gjysmë të romanizuar, e cila ishte tërhequr sëpari para romakëve, e madje edhe para popujve barbarë në viset të cilat vështirë se shkriheshin”.Më tej ai tregon se,“Sllavët gjatë shekujve u asimiluan me ta dhe në entitetin e tyre popullor ruajtën gjurmë të ilirëve të vjetër. Këto gjurmë-vazhdon ai,- janë të shumta veçanërisht në disa vise të largëta të Bosnjës, Hercegovinës,Zagorës Dalmatine,Malit të Zi dhe të tjera dhe na duket se nuk është larg së vërtetës se elementi i vjetër vendas ilir kishte rol shumë të rëdësishëm në formimin e veçorive kolturore, trupore dhe psikike, të popullatës sllave që joton sot në ato vise”.
Për rrënjët e hershme shqiptare në këtë pjesë të Ballkanit, autori sjell edhe një fakt tjetër interesant, ndonëse ka të bëjë me një bisedë mes dy burra shteti. Në një vizitë që Kardeli (numri dy i ish Jugosllavisë së Titos), po bënte në Moskë në prill të vitit 1947, pyetjes së Stalinit rreth origjinës së shqiptarëve, i është përgjigjur shprehimisht: “Ata janë pasardhës të Ilirëve”. Ndërsa ish ministri i jashtëm jugosllav S. Simiç, prezent në atë bisedë, shton:“Ka të dhëna se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala e tyre “Afrodita”është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke kjo nuk ka kuptim”. Madje në këtë bisedë është pranuar nga të dy bashkëfolësit (Stalini e Kardeli), “se ata (d.m.th shqiptarët, G.V.), janë si puna e baskëve”, që do të thoshte se pranohej prej tyre si dy popujt më të vjetër të Europës. Pohimi në fjalë, sikurse thotë autori, mbështetej në dëshmi të kohëve parahomerike që vërteton se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve. Dhe kur këtë e thonë dy autoritete jo dokudo të shtetit jugosllav të asaj kohe, nuk ka se si të mos besohet. Çdokush, në të njëjtat pozita si ata, nuk do të pranonte kurrë të ulte vlerat e kombit të vet para një kombi tjetër, aq më shumë në një pohim që nuk imponohej nga askush.

Ca më tepër shtrembërime të trashëgimisë sonë iliro-pellazge dokumentohen në trojet jugore, në atë që është quajtur “Shqipëria e Poshtme” ose “Epiri Antik”. Kujtim Mateli, siç del në këtë botim, nuk ka patur nevojë të hamendësojë rreth të vërtetave historike, kur ato i thonë qartazi mjaft prej historianëve dhe gjeografëve të antikitetit si: Efori, Eskili, Polibi, Straboni, Herodoti, Skylakis, Apiani, Stefan Bizatini, Zoto Mollosi, etj, të cilët pohojnë se teritori që quhej “Epir” (i cili mbas pushtimt romak u quajt “Iliri”), ishte i banuar nga fise të vjetra “të lindur nga dheu” duke i quajtur, “pellazgë”. Sipas tyre, kjo popullsi kish entitetin e vet, gjuhën e vet, territorin e vet, si dhe adhurimin e vet për Hyjnitë, ndryshe nga helenët. 

Autori na e bën të qartë se ata kishin qytetërim të lashtë me kryeqendër Dodonën, faltoren e shenjtëruar prej tyre, e cila edhe pse ishte pellazge dhe në teritore që u përkiste epirotëve, adhurohej si faltore edhe prej helenëve, sidomos kur ata ende nuk e kishin krijuar faltoren e tyre në Delf. Popullsia në fjalë ndryshe nga helenët, kish të shenjtëruar dheun, lisin dhe gurin, dukuri që janë trashëguar nga shekujt deri në ditët tona, ku ende në zona të ndryshme, shqiptarët edhe sot betohen “për këtë dhè” e “për atë gur”, ose kur thonë, “burrë dheu”, “i dalë nga dheu”, “ka dalë nga guri”,etj. Ndërkohë, që shumë lisa, sidomos në zonat jugore të Shqipërisë si: Përmeti, Skrapari, Berati, Tepelena, Gjirokastra etj, ashtu siç quheshin “të shenjtë” në kohën e Dodonës, janë konsideruar të tillë deri në ditët e sotme, duke i ruajtur dhe respektuar nga njerëzit, pa vënë dorë mbi ta. Ndër më të vjëtrit e më të mëdhejt prej tyre ka qënë e është “Lisi i Brahos” në Çorrogunj të Dëshnicës (Përmet), në krye të kodrës më domionuese mes 7 fshatrave që janë rrëzë malit të Trebeshinës, i cili po venitet pa u trazuar nga askush. Një trashëgimi e riteve pellazge që nuk gjendet gjetkë. Edhe shenjtërimi i Malit të Tomorit, me këto rite ka lidhje.
Në libër rrëfehet se epirotët pellazgë, ndryshe nga helenët që kishin si perëndi Zeusin dhe Herën, kishin perënditë e tyre, Di (Dia) dhe Dionën, emra që u shkojnë saktësisht fjalëve të sotme të gjuhës shqipe: “di, dije, dijetar, dituri, dijeni”. Janë po këta njerëz të shquar të lashtësisë që tregojnë se helenët (grekët e sotëm), në atë periudhë kohore shtriheshin në jug të Ambrakisë dhe teritoret më veriore të tyre në kufi me jugun e epirotëve, ishin ato që banoheshin nga akarnanët, etolët, lokridasit dhe ozolët. Deri aty jepet nga lashtësia edhe kufiri i sipërm helenik. Në libër citohet Eskili, icili në tragjedinë e shkruar prej tij, “Lutëset”, perifrazon thënien e Pellazgut, mbret i Argolindës (në Peloponezin e sotëm, G.V), kur ai i thotë Danaut dhe 50 vajzave të tij të ardhur nga Egjypti, të cilat kundërshtonin martesat me kushërinjtë e tyre të afërt: “Merak mos ki e fol pa  ndrojtje. Përpara teje ndodhet Pellazgu zot i vendit, i biri i Palektonit, të lindurit nga dheu. Prej meje, sundimtarit e mori atë emër dhe fisi i pellazgëve që rron në këtë truall. E tërë kjo krahinë, ku rrjedh Strimoni i shenjtë (lumë që derdhet në lindje të gjirit të Selanikut, G.V.), gjer tej ku perëndon (d.m.th në detin Jon, G.V.), veç mua më përket. Pushteti im arrin te trojet e perrebëve, tej viseve të Pindit gjer pranë Peonisë, mbi malet e Dodonës…Ja vendi ku sundoj”. Dhe kur përmënden perrebët dhe malet e Dodonës, mëndja të shkon pikërisht gjer në luginën e lumit Vjosa dhe malin e Trebeshinës, sepse gjer aty shtrihen kufijt veriorë të Epirit antik. Më qartë zor se e gjen kush ishin pellazgët dhe deri ku shtriheshin trojet e tyre. Dhe të mos harrojmë se Eskili ishte helen.
Tërësia e referimeve të Kujtim Matelit ndaj autorëve të lashtësisë apo dhe ndaj të tjerëve më pas, të cilët flasin për hershmërinë e paraardhësve tanë dhe njëherazi trashëguesit e kësaj historie që vjen deri në ditën tona, është jo vetëm e mjaftueshme në numër për t’u besuar, por edhe e pakundërshtueshme. Ata që i kanë kundërshtuar dhe shtrëmbëruar qëllimisht e me ligësi, janë akademitë respektive në Beograd e Athinë, të cilat jo se nuk e dinë realitetin, por të shtyrë nga megallomania për t’i atribuar vetes të qënurit “komb dominues” dhe nënçmuar banorët iliro-pellazgë që nuk kishin asnjë lidhje me ta në hershmëri, kanë braktisur të vërtetat, sigurisht të ndikuara edhe politikisht.

 Kësisoj, Akademia e Athinës në vitin 1977 i paraqiti opinionit vendas e të huaj botimin  me titull, ”Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek”, përmes të cilit, sikurse thotë autori,”…në kundërshtim me të gjitha burimet historike kërkon ta paraqesë Shqipërinë e Poshtme në emërtimin e saj antik si “Epir”, ku sipas saj ka patur një qytetërim helen 4 mijë vjeçar…”. Në vazhdim ai thotë se, “Epiri Antik (ose Shqipëria e Poshtme), nuk kanë qenë kurrë helene e që helenët nuk kanë patur kurrë të përbashkët me epirotet dhe ilirët, as etninë e as faltoren e Dodonës”. Autori na kujton se qëllimi i Akademisë greke ka qënë e është të shkurtojë kohën e prejardhjes së shqiptarëve, të zhbëjë identitetin e  tyre të lashtë, vetëm duke mos i përfillur e shtrëmbëruar burimet e shumta historike nga antikiteti që vërtetojnë të kundërtën e pohimit grek. Ky shtrëmbërim është i dukshëm edhe për identitetin e faltores së Dodonës, e cila edhe pse ishte në territorin e epirotëve dhe u përkiste atyre, ajo padrejtësisht konsidrerohet helene. Mirëpo autori të bind kur thotë: “Nëse heleneët e kanë adhuruar Dodonën, nuk do të thotë se helenët janë zotëruesit e saj”. Dhe bje si shëmbull Jeruzalemin, i cili ndonse respektohet dhe adhurohet nga gjithë bota Krishtere, ai nuk zotërohet prej tyre, por prej banorëve që e kanë në teritorin e vet. Me një fjalë, është tjetër gjë adhurimi dhe tjetër gjë zotërimi. Në rastin konkret, Dodona, nuk del të ketë qënë kurrë nën zotërimin helen. Dhe për këtë Mateli bje një fakt mjaft domethënës që daton vitin 333 para erës së re. Flitet për tentativën e athinasve për ta përvetësuar orakullin dhe tempullin e Dodonës, duke përfituar nga vrasja në luftë e Aleksandrit, mbretit të Epirit që ishte vëllai i Olimbisë nga mollosët epirotë (nëna e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë), e cila në mungesë të vëllait konsiderohej Mbretëreshë e Epirit, e që nëpërmjet delegatëve të saj u kujton athinasve se: “…nuk mund të bënin asnjë veprim, pasi tempulli i Dodonës ishte në zotërimin e saj dhe askush nuk mund të vinte dorë mbi të”. Siç shihet, as Olimbia, e as tempulli i Dodonës, nuk ishin me etni helene, por me etni pellazge. E ndërsa ka ndodhur kështu, autori ngre me të drejtë shqetësimin për institucionet tona shkencore (Akademinë e Shkencave dhe Akademia e Studimeve  Albanologjike), të cilët nuk kanë marrë guximin t’i kundërshtojnë me fakte dhe konsekuencë perfundimet djallëzore të Akademisë së Athinës, duke lënë hapësirë të lirë që shtrëmbërime të tilla të merren si të vërteta historike edhe ndërkombëtarisht. Autori, e konsideron “gabim fatal” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë faktin që i quan pellazgët si “popullsi parailire”, që u shkon përshtat edhe grekëve, të cilët i quajnë pellazgët “popullsi parahelene”, duke paragjykuar kështu autorët e antikitetit, të cilët i quanin pellazgët “të lindur prej vetë dheut”. Po ashtu, del se është pranuar prej këtyre institucioneve shqiptare se ardhja e shqiptarëve në këto troje, daton 1000 vjet më pas nga ajo helene, duke pranuar arbitrarisht tezën greke! Kujtim Mateli, mban qëndrim kritik ndaj akademikëve shqiptarë edhe për një fakt tjetër. Ata, ndonëse e pranojnë Epirin Antik si truall i mbajtur nga shqiptarët, për Dodonën nuk shkruajnë asnjë rresht, nuk merren fare me përkatësinë e saj shqiptare. Në një farë mënyre i mohojnë etninë. Dhe duke e lënë në heshtje këtë fakt, lënë shteg që Dodona të jetë e tjetërkujt, në rastin konkret e grekëve, ndërkohë që autori na kujton se përkatësia etnike e Dodonës përcakton edhe përkatësinë etnike të Epirit. Kësisoj, e vërteta e trashëgimisë sonë historike, mund të thuhet se mbetet peng i paaftësisë së tyre shkencore, në mos i një flirti të mundshëm të tyre me palën greke. “Bota shkencore,- thotë Kujtimi,-nuk mund të pranojë që Epiri Antik të ketë qënë shqiptar, kurse Dodona antike të ketë qenë helene. Ato shkojnë bashkë me njëra-tjetrën, sepse njeriu i antikitetit nderonte perënditë e veta dhe Dodona  që çmohej si kryeqendra e Hyjnive pellazge, ishte flamuri që bashkonte fiset  pellazgo-ilire”.Që këtej del se, përderisa bota shkencore e ndikuar nga studiuesit grekë e njeh Epirin si truall të zënë nga helenët, vetiu pretendohet helene si faltorja e Dodonës edhe etnia e saj. Mirëpo ky fakt, nuk i bën përshtypje Akademisë sonë të Shkencave, përderisa një nga njerëzit kryesorë të saj që mban titullin “Profesor”, pak vite më parë ka thënë tekstualisht: “ Dodona është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikpamje etnike.” (Gazeta Shqiptaria.com, datë 19 prill 2012). Sipas kësaj deklarate, akademiku në fjalë ua bën peshqesh me dëshirë Dodonën grekëve. Shërbim më të qartë për qarqet greke, zor se gjen, të cilët pikërisht duke përvetësuar etninë e Dodonës, atë çështje që nuk i qederos shumë “Profesorët” tanë, bëjnë të tyre edhe Epirin. Nga lajthitje të tilla allashqiptare, s’ka se si të mos u jepet krah qarqeve të caktuara greke të mbajnë ndezur “megalidenë” e tyre, e lindur më 1844, për t’u bërë “zotërues”të pa padrejtë jo vetëm të tempullit të Dodonës, por edhe të Shqipërisë së Poshtme, Epirit Antik. Madje të pretendojnë deri pjesë të Shqipërisë së sotme jugore. Masakrat greke në jugun e këtij vendi më 1913-1914, apo mos heqia e Ligjit të Luftës për shkak të përplasjes italo-greke më 1940-1941 në teritorin shqiptar dhe provokacionete gushtit 1949 etj, nga idetë megallomane të tyre janë nxitur, nga Hellada e pretenduar “E madhe”. Nga që nuk kemi mundur t’i bindim dot të tjerët me të vërtetën e prejardhjes sonë të lashtë, ndaj kemi edhe këta kufij të 1913-ës, ndaj shqiptarët në Ballkan ndodhen të ndarë në 6 shtete! A nuk duhet thënë kjo e vërtetë?!
Autori hedh dritë edhe rreth manshtrimit të madh grek për caktimin artificialisht të vendndodhjes së deritanishme të Dodonës,e cila nuk përmbush mjaft nga përcaktimet që i kanë bërë asaj autorë të antikitetit, të cilat ia vlen të shihen me vëmëndje në këtë botim. Aty gjenden jo vetëm shtrëmbërimet e qëllimshme të pseudoarkeologut grek Konstandin Karapanos, i cili me mënyrën e vet bëri “bekimin shkencor” të saj, përmes dy francezëve filogrekë në Akademinë e Francës në vitin 1878, por gjendet edhe “argumenti” i habitshëm (madje edhe qesharak), i po të njëjtit “Profesori” të cituar më lart. Ai, subjektivisht, madje pa pranuar ta lexojë botimin studimor të Kujtim Matelit në vitin 2011, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, kundërshton këtë autor që hedh poshtë pretendimet e Karapanos që e ka vendosur Dodonën në Carakovistë të Janinës, duke thënë fjalë për fjalë: “Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismalil Qemali….”, çka shkruhet po në gazetën e asaj date që përmëndet më lart. Sa thuhet, është një spekullim foshnjarak, sepse Ismail Qemali, si ish shok klase me Karapanos në Zozime të Janinës vite të shkuara, vetëm sa i kish sygjeruar atij për gërmime atje, por jo se e dinte apo e kish parë vërtetë Dodonën në atë vend. Vetëm kaq. Edhe sikur të ishte e saktë vendndodhja e Dodonës atje, po etnia e vërtetë e saj kush është? Profesori i lartthënë, e di dhe nuk dëshiron ta thotë, apo nuk e di fare?! Pikërisht, kësaj çështje i shkohet anash, deri me heshtje të dyshimtë.  Gjykimet sipërfaqësore të këtij lloji, jo vetëm përgojojnë padrejtësisht një burrë shteti si Ismail Qemali, por u kanë dhënë shkas grekëve ta pretendojnë  helene si Epirin, edhe tempullin e Dodonës. Ndaj, do të qe më mirë heshtja, se sa një justifikim i stisur.
Ndërkohë, autori flet për një tjetër të vërtetë të hidhur, që asnjëherë akademikët shqiptarë nuk kanë organizuar një tryezë mbarëshqiptare me studiues të fushave më kompetente për përkatësinë etnike dhe kufijtë historikë të shqiptarëve nga lashtësia, nuk kanë organizuar asnjë simpozium apo konferencë shkencore të nivelit të lartë për këtë çështje ku duhej përfshirë edhe diskutimi për të vërtetën rreth Dodonës. Kujtim Mateli, përmes analizës që bën, sugjeron se një gjë e tillë duhet bërë sa nuk është vonë, që Europa të na vlerësojë jo me histori gjysmake, por ashtu sikurse e meritojmë, siç e dëshmon historia e lashtësisë. Autori e mbyll librin jo me mllef, por duke qënë i matur, luajal dhe i vërtetë. Ai, ndër të tjera shtron çështjen se shqiptarët duhet të marin atë që u takon nga historia, pa ua mohuar të tjerëve çfarë u takon prej saj.
Tiranë, korrik 2020

Filed Under: Histori Tagged With: Albanologjia, Ceshtja e Kufijeve, Gëzim Voda, Kujtim Mateli

Përkatësia etnike e Dodonës dhe kryeakademiku i Shqipërisë prof. Muzafer Korkuti

March 29, 2017 by dgreca

Si e argumenton kryeakademiku i Shqipërisë prof. Muzafer Korkuti përkatësinë etnike të Dodonës/Kopertina Dodona 2

Nga Kujtim Mateli/Para gjashtë vitesh, u botua libri studimor “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit 1” Tiranë 2011. Reagimet kanë qenë të shumta: pro, kundër, por edhe të ndërmjetme. Në atë studim vërtetohej se Dodona nuk ndodhej në jugperëndim të Janinës. Ndërmjet atyre zërave që u prononcuan kundër ka qenë dhe akademik Muzafer Korkuti.
Dy janë çështjet më të rëndësishme që janë shtruar dhe vazhdojnë të shtrohen edhe sot në lidhje me Dodonën: vendndodhja e saj dhe përkatësia etnike. Për të dyja këto çështje akademik Korkuti ka shprehur qëndrimin e tij dhe të institucionit që ai përfaqëson. Le ta shohim këtë qëndrimi në lidhje me përkatësinë etnike të Dodonës:
Akademik  Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante
“Unë ju thashë një shembull që nuk mund të lëvizë tempulli i Dodonës pellazgjike. Është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikëpamje etnike”  (Gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012)
Po kujt i ka përkitur Dodona në pikëpamje etnike? Përse për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk ka rëndësi etnia e Dodonës? Në mungesë të interesimit të institucioneve tona shkencore, ka ndodhur deformimi i përkatësisë së saj etnike, nga pellazge e dëshmuar gjerësisht nga autorët e antikitetetit, në helene sipas Akademisë së Athinës dhe mbështetësve të saj. Pikërisht për këtë identitetit fallco të krijuar në këta dy shekujt e fundit, i janë kushtuar kapituj të veçantë në studimin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit 2”, Tiranë 2016.
Po cilat janë ato argumente që Karapanos solli në vitin 1878, në librin e tij “Dodonë et ses ruins” për t`ia paraqitur Dodonën, opinionit shkencor dhe atij publik, si një faltore helene? Ato janë katër dhe mbi bazën e tyre Dodona pranohet si një faltore helene.
Prova e parë e Karapanos.

Kostantin Karapanos, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878, fq. 141.

“Gjatë epokës historike, influenca fetare e Zeus Naios dhe Dionës ka qenë e ndarë me orakuj të tjerë dhe pikërisht me atë të Delfit. Orakulli i Apollonit, vendosur pranë krahinave helene të cilat i kapërcyen të tjerat në qytetërim dhe fuqi, ka pasur gjatë kësaj epoke një shkëlqim të lartë mbi çdo orakull tjetër. Megjithatë, ai i Zeusit të Dodonës, duke qenë orakulli i babait, kishte gjithmonë një vend më të nderuar mbi të gjithë orakujt e tjerë, edhe mbi atë të djalit të tij, Apollon”. Vetë deklarata e Karapanos se Apolloni ishte i vendosur pranë krahinave helene, vërteton se Dodona ishte jashtë territoreve helene. Po me çfarë argumenti e vërteton ai se Dodona ishte helene? Meqë faltorja e Apollonit në Delf ishte një faltore helene, rrjedhimisht edhe faltorja e babait të tij, Zeusit në Dodonë, ishte një faltore helene. Po vazhdimësia e gjakut: at-bir, ka vlerë vetëm tek njerëzit.  Perënditë janë zbulime që lidhin qëniet njerëzore me universin dhe nuk janë pronë e asnjë etnie. Perëndia i përket cilitdo banor të kësaj toke. Në këtë kuptim helenët mund të pretendojnë si të tyren faltoren e Delfit të cilën e kanë ndërtuar vetë, por jo faltoret që kanë ndërtuar të tjerët në truallin e tyre. Me këtë logjikë Karapanos ka sjellë dhe tri provat e tjera, prova që nuk mund t`i pranojë asnjë mendje e shëndoshë si prova që mund ta vërtetojnë Dodonën si një faltore helene.
Çuditërisht, edhe pse argumente të tilla janë jashtë arsyes, i pranojnë institucione që pretendohen si shkencore. Ekzistencën e Dodonës jashtë territoreve helene e pranojnë të gjithë autorët e antikitet, para dhe pas lindjes së Krishtit. Ata e kanë vendosur Helladën në jug të Gjirit të Ambraqisë, ndërsa pjesën në veri të Ambraqisë disa e kanë quajtur territorr pellazg e disa të tjerë territorr ilir. Midis atyre dhjetëra autorëve le të përmendim njërin prej tyre:

Skylakis Kariandensis, Lundrimi, 33. (gjeograf dhe historian, shek VI-V para erës sonë)

“Pas Molosisë vjen Ambraqia, qytet helen, tetëdhjetë stade larg detit. Anës detit ka një mur dhe një liman shumë të bukur. Prej këtej fillon Hellada pa ndërprerje, gjer në lumin Pene dhe gjer në Homoli, qytet i Magnetisë që ndodhet anës lumit”.
Në libër vërtetohet që Dodona pellazge ka qenë një faltore që ka ndikuar mbi botën helene, por në asnjë rast nuk ka qenë një faltore helene. Që helenet e kanë tentuar ta bënin faltore të tyren, kjo vërtetohet me kërcënimin që Olimbia e Epirit u bëri athinjotëve.

Në vitin 333 para erës sonë mbreti i Epirit, Aleksandër Molosi, u vra në një nga betejat e tij që zhvilloi në Itali. Deri në zgjedhjen e mbretit të ri, Epiri ishte nën kujdestarinë e Olimbisë, mbretëreshës së Maqedonisë që ishte nëna e Aleksandrit të Madh, dhe njëkohësisht motra e Aleksandrit të Epirit. Ajo kishte të gjithë fuqinë si motra e mbretit, të qeveriste Epirin deri në zgjedhjen e mbretit të ri. Kjo ka qenë koha më e përshtatshme, nëse dikush do të ndërhynte në Epir. Këtë mundësi e shfrytëzuan athinjotët të cilët donin të shtinin në dorë orakullin dhe tempullin e Dodonës, duke ndërhyrë mbi statujën e Dionës. Por ata u ndalën rreptësisht nga Olimbia, e cila u kujtoi athinjotëve nëpërmjet delegatëve të saj se “nuk mund të bënin asnjë veprim, pasi tempulli i Dodonës ishte në zotërimin e saj dhe askush nuk mund të vinte dorë mbi të”.

Në këtë mënyrë shpëtoi kulti fetar i Dodonës nga ndërhyrjet athinase. Pas kësaj Epiri u fuqizua nga mbretër të fuqishëm, ndërmjet tyre dhe mbreti Pirro. Dodona duke pasur për tempull dhe orakull Atin e Hyjnive, kishte epërsinë mbi të gjithë tempujt e tjerë. Epërsi e orakullit të Dodonës, ishte njëkohësisht dhe epërsi ekonomike, sidomos mbi krahinat që e kufizonin Epirin, sepse lutësit drejtoheshin me dhurata të çmuara. Këtë epërsi e ka ndjerë dhe Etolia, banorët e së cilës më shumë mund t`i jenë drejtuar Dodonës se sa orakullit të Delfit. Polibi tregon se në vitin 219 para Krishtit, prijësi i Etolisë, Dorimahu, hyri në pjesën e Sipërme të Epirit dhe shkatëroi Dodonën.  Po çfarë tregojnë të dy këto veprime të helenëve? Si në rastin e parë : athinjotët, si në rastin e dytë: etolët, tregon se Dodona nuk ka qenë faltore e helenëve. Pas vitit 168 para Krishtit, gadishulli ynë u pushtua prej romakëve, ku secili popull ushtronte veprimtarinë e vet pa u shqetësuar nga popujt fqinj. Pas përfundimit të pushtimit romak, Dodona u kthye në qendër peshkopale. Mundësia që Dodona të jetë sunduar ndonjëherë prej helenëve mbetet zero. Ajo ka qenë dhe mbetet produkt i shoqërisë pellazgo-ilire, e cila lindi në kohët parahistorike dhe u shua në fund të periudhës romake, gjurmët e së cilës populli shqiptar i ruan dhe sot e kësaj dite: tek shenjtëria e malit të Tomorit dhe kulti për lisin e shenjtë që është ruajtur në të gjitha fshatrat dhe krahinat e Shqipërisë, veçanërisht në Jug.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kujtim Mateli, Përkatësia etnike të Dodonës dhe kryeakademiku i Shqipërisë, prof. Muzafer Korkuti

Një libër i vyer për arsimin

February 28, 2015 by dgreca

Nga Kujtim Mateli/
Libri studimor “Arsimi në Përmet” 1912-1944, është një nga librat më të spikatur që trajton arsimin në rrethin e Përmetit, autor i të cilit është Dr. Nuri Dragoj, i shquar dhe i vlerësuar për kontributin e tij si historian për hapësirën kohore të dy shekujve të fundit, kohë kur Shqipëria hyri në rrjedhat europiane pas një errësire shekullore të pushtimit otoman.
Një nga elementët e rëndësishëm që shpuri në ndarjen përfundimtare të Shqipërisë nga perandoria otomane, ishte përpjekja e njerëzve të shquar të kombit tonë, që nëpërmjet shkollave shqipe zgjuan ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Sado të pakta të ishin ato shkolla, ato ishin si një dritë në errësirën e detit mesjetar, ishin piketat të cilat tregonin rrugën se nga duhej të kalonte Shqipëria për të mbrritur në kulturën dhe qytetërimin europian, pjesë e së cilës kishte qenë dhe do të ishte edhe vendi ynë, në shekujt që vinin. Pikërisht, këtë periudhë zgjimi dhe konsolidimi të ndërgjegjies sonë kombëtare, ka pasqyruar dhe autori i këtij studimi në kapitullin me të cilin çelet ky libër .
Po aq i rëndësishëm sa është periudha të cilën ai e ka pasqyruar në vitet 1912-1944, një rëndësi po aq të veçantë merr dhe kapitulli hyrës që na njeh me përpjekjet e banorëve të zonës së Përmetit deri në Shpalljen e Pavarësisë. Përpjekjet e përmetarëve për të mësuar janë të hershme, pavarësisht se ata nuk e kishin një alfabet për të shkruar gjuhën e tyre.
Interesi i z. Dragoj për të gjetur dëshmi dhe dokumenta sa më të hershme, përbën një nga vlerat e këtij studimi dhe tregon për seriozitetin e tij për të gjurmuar deri në detaje. Kështu na vjen dëshmia e Elvia Çelebiut se në vitin 1671, në Përmet numëroheshin dy shkolla islamike, të cilat zhvillonin mësim me përmbajtje fetare. Puna e kujdesshme për t`na dhënë dëshmi, që nuk ishin njohur më parë, e bën këtë libër me interes për lexuesit, mësuesit dhe nxënësit, për institucionet tona arsimore e ato shkencore.
Para vitit 1912, rrethi i Përmetit paraqitet me disa vatra që kishin në epiqendër arsimin dhe dijen. Të tilla ishin shkollat në Frashër e Postenan, në Hotovë e Përmet, në Fratar e Kajcë. Mësimi zhvillohej në gjuhën osmane dhe greke, shqipja përdorej fare pak në shkollë, nga ata mësues atdhetarë që u tregonin shqip atë çfarë ata dinin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Banorët e rrethit të Përmetit, ashtu si të gjitha trevat shqiptare, kërkonin vazhdimisht që arsimi të bëhej në gjuhën shqipe, por perandoria otomane burgoste e internonte vazhdimisht të gjithë ata që e ndërrmernin një hap të tillë. Cilido popull, në këto kushte, do të ishte zhdukur, ashtu siç janë zhdukur shumë kombe të tjerë në historinë e njerëzimit, por vitaliteti i kombit tonë kishte rrënjë të thella në tokën e vet. Z. Dragoj na ka dhënë ecurinë e zhvillimit të arsimit në këto shkolla nga viti në vit dhe nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçarë.
Frashëri u bë një vatër e rëndësishme e arsimimit të fëmijëve ku numëroheshin disa shkolla, për vajza e për djem, madje dhe komuniteti vllah kishte shkollën e tij. Po krahas këtyre shkollave, disa mendje të ndritura, siç qenë bektashinjtë e Teqesë së Frashërit: Nasibi Babai e Tahir Skënderasi, Jusuf Skënderasi dhe Baba Alush Kasollari, duke përfunduar me Baba Abedin Ibro rreth vitit 1913, e bënë institucionin e tyre, Teqenë e Frashërit, vatrën e shqiptarizmës. Janë këta Baballarë që u dhanë mësim bijve të Frashërit, ku më pas dolën figurat më të shquara të kombit që njihen me emrin përmbledhës, vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu.
Një tjetër vatër e rëndësishme e arsimit ka qenë qyteti i Përmetit. Aty kanë investuar pasurinë e tyre disa figura përmetare që fëmijët të shkolloheshin dhe mund të përmendet financuesi i parë Zoto Pano Duro qysh në vitet 1770. Në qytetin e Përmetit ka patur vazhdimisht disa shkolla, ku mësimi jepej në gjuhën zyrtare të perandorisë dhe në atë greke. Libri i z. Nuri Dragoj jep një tablo të plotë të arsimit në rrethin e Përmetit në vitet para dhe pas Shpalljes së Pavarësië. Trashëguam nga periusha para Shpalljes së Pavarësisë shkolla greke dhe turke, qëllimi i të cilave nuk ishte që të përparonte Shqipëria në arsim dhe kulturë, por që secila të realizonte synimet e veta. Turqia kërkonte që t`i mbante shqiptarët në errësirë që ta kishte sa më të gjatë sundimin e saj, Greqia nëpërmjet shkollave greke kërkonte të verbonte shqiptarët me teorinë e saj të helenizimit të Shqipërisë së jugut.
Konkluzioni se këto shkolla ndikuan negativisht tek shqiptarët mund të duket si i paarsyetuar mirë, madje dhe i pabaza, parë në vështrimin e kohës së sotme ku gjuha e huaj është vlerë për individin që e zotëron. Një hap drejt dijes ku të çon shkolla, e çfarëdoshme që të jetë ajo, është një hap drejt qytetërimit. Një njeri që dinte të shkruante, qoftë dhe në një gjuhë të huaj, ishte një hap para atij që nuk njihte asnjë lloj alfabeti.
Po këto shkolla, ne shqiptarëve na gjetën në një proces delikat. Ishim në procesin e Rilindjes Kombëtare. Drita që hodhën Rilindasit e mëdhenj, ende nuk ishte bërë pronë shpirtërore e të gjithë shqiptarëve. Duke qënë në procesin e formimit kombëtar, çdo lëndë e huaj që hidhnin në këtë proces shkollat turke e greke, kishte si qëllim ta ndalnin këtë proces ose ta shkatërronin atë. E gjithë përmbajtja e shkollave turke, duke lënë mënjanë anën shkencore, ishte që të të bindëte cilindo se ishte pjesë e perandorisë dhe identiteti i tij nuk është shqiptar, por ai turk.
E gjithë përmbajtja e shkollave greke ishte që të të bindëte se nuk je turk, por si i krishterë je grek. Pra identiteti i shqiptarit ishte, sipas mësimit në këto shkolla, midis grekut dhe turkut. Për shqiptarët, çështja kombëtare ishte shumë herë më e rëndësishme, nga ajo që përfitonin fëmijët e tyre në këto shkolla. Ndërgjegjia kombëtare fitohej me shkolla shqipe dhe me njohjen e historisë së kombit shqiptar. Ndaj perandoria otomane u trembej shkollave shqipe dhe e ndalonte me ligj hapjen e tyre. Greqia nëpërmjet Patriarkanës mallkonte gjuhën shqipe dhe vriste e helmonte cilindo që kërkonte të ndriçonte mendjen e shqiptarëve. Historia e arsimit shqip është e mbushur plot, me ngjarje të tilla makabre, si ajo e vrasjes së Papa Kristo Negovanit apo helmimi i Petro Nini Luarasit. Përballë presionit që ushtronin të dy pushtuesit nëpërmjet këtyre shkollave, Përmeti ka nxjerrë atdhetarë të shquar që u vunë në shërbim të kombit dhe iu kundërvunë si perandorisë otomane ashtu dhe propogandës greke. Përmeti iu kundërvu këtyre shovinistëve duke nxjerrë disa figura emblematike që sakrifikuan dhe jetën e tyre, siç është figura hyjnore e At Stath Melanit.
Për të dhënë një ide më të qartë se si shkollat greke e turke ndikonin negativisht në formimin e ndërgjegjies kombëtare të shqiptarëve, po e ilustroj me një letër që Naum Veqilharxhi ia kishte dërguar nipit të tij më 7 Prill të vitit 1846.
“Ti, siç thua, paske lëçitur shumë vepra historike dhe nuk gjete asnjë dëshmi mbi shqiptarët. Po ti të gjitha mësimet i bëre nëpër shkollat e grekëve, të cilat janë organizuar për të ndriçuar brezin e ri grek dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar. Po ti si burrë i mësuar, qysh s`u mendove, duke studiuar (barbaritur) gjithë kombet e tjerë, se një komb si kombi shqiptar, i krijuar së bashku me të tjerët, i vendosur në një vend të caktuar të tokës, me karakter të veçantë gjuhe e me zakone të veçanta, si është e mundur të mos ketë edhe ai kohët e mitologjisë së vet, shekujt e vet heroikë, politikë, fetarë, shekujt e imigracioneve dhe të rilindjevet?
Më e keqja këshillë është ajo që e shtyn njeriun të harrojë kombin e vet, d.m.th. prindërit, fisin, miqtë, bashkëkombasit e tij, vatrën prindërore, varret e stërgjyshërve të tij dhe të vejë t`i kërkojë të gjitha këto gjetiu, ku mjerisht s`mund t`i gjejë kurrë”. Gazeta “Drita” 29 dhjetor 1938.
Kjo letër e Naum Veqilharxhit është dëshmi e qartë se çfarë tip njeriu kishin formuar këto shkolla. Të gjitha ata indvidë që u shkolluan në ato shkolla që u shërbenin grekëve dhe turqve, nuk patën shumë ndryshim nga nipi i Naum Veqilharxhit. Dija e fituar në ato shkolla, u shërbeu më shumë gjithë atyre individëve që jetën e kaluan jashtë Atdheut, në emigrim, nga ku e nxorën jashtë qënies së tyre helmin që u kishin dhënë këto shkolla, të ndihmuar nga realiteti i ri perëndimor ku ata shkuan për të studiuar apo për të punuar. Ata i zgjeruan dijet e tyre dhe i shërbyen me devotshmëri çështjes shqiptare, duke krijuar një plejadë të shquar dijetarësh.
Dëshnica nuk mundi dot t`i arsimonte fëmijët e saj. Këtë rol nuk mundi dot ta luante as Këlcyra si qendra e krahinës së Dëshnicës, as Suka me qendrën e saj fetare. Kjo e keqe pati anën tjetër të mirë. Dëshnica nuk u verbua as nga propoganda turke, as nga ajo helene. Beteja e Këlcyrës kundër garnizonit turk ku morën pjesë çetat e Mehmet Pavarit, Riza Xhungës, Zaim Bubësit, Nexhip Bënjës e të tjera çeta dëshnicare, në datat 30 dhe 31 korrik të vitit 1911, tregon se Dëshnica e kishte të qartë vizionin e saj: Luftë me armë kundër pushtuesit. Ja se si shkruante njëra prej gazetave më të rëndësishme të asaj periudhe, “Liri e Shqipërisë”, 21 gusht 1911. “ Në mes të Përmetit dhe Këlcyrës u bë një luftë midis ushtarëve dhe kryengritësve. Nga ushtarët u vranë 16 veta dhe nga kryengritësit asnjë. Këto lajme vërtetohen dhe me telegramin zyrtar të qeverisë”. Nëqoftëse çdo krahinë e Shqipërisë, do të ishte ngritur me armë ashtu si Dëshnica, nuk do të kishim sot një Shqipëri të copëtuar, por do t`i kishim bashkë trojet e katër vilajeteve shqiptare.
Shtetit të ri shqiptar që doli pas Shpalljes së Pavarësisë, i dilte për detyrë që mësimi në shkolla të bëhej në gjuhën shqipe. Administrata e re kërkonte që shqipja të ishte gjuha zyrtare me të cilën ajo do të komunikonte me shtetet e tjera. Ndaj shkolla shqipe duhej të ndryshonte rrënjësisht nga shkollat e mëparshme që përgatitnin zyrtarë për në perandorinë otomane.
Nuri Dragoj, në librin e tij, jep një panoramë të plotë, jo vetëm të përhapjes së shkollave pas Shpalljes së Pavarësisë deri në vitin 1920, por edhe përpjekjet e disa prej figurave të njohura për të mos u gjunjëzuar as para presionit të kishës ortodokse, as para pushtuesit italianë, nën sundimin e të cilit ishte Përmeti gjatë viteve 1916-1920.
Pas pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga grekët 1913 dhe deri në vitin 1916, Përmeti ka qenë nën presionin e vazhdueshëm për të hapur kudo shkolla greke, nëpërmjet të cilave predikohej Shqipëria e jugut dhe bashkë me të dhe Përmeti, si territore të Greqisë.
Me pushtimin italianë të Përmetit, në vjeshtën e vitit 1916, pushtuesit italianë i dhanë përparësi mësimit të gjuhës italiane nëpër shkolla. Struktura e re e shkollave në territorin e Shqipërisë së Jugut dhe në veçanti në prefekturën e Gjirokastrës sipas autorit të këtij libri: “ në zonat e banuara prej popullsisë shqiptare, do të ishte i detyrueshëm mësimi i gjuhës shqipe dhe italiane, ndërsa në fshatrat grekofone do të mësohej greqisht dhe italisht. Mësimi fetar do të zhvillohej në gjuhën arabe për myslymanët dhe në greqisht për ortodoksit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja 98.
Autori i këtij studimi evidenton përpjekjet e përmetarëve që ndihmuan me përvojën e tyre në hartimin e teksteve mësimore siç ishte tekti i gjuhës shqipe me titull “Fillime të gramatikës shqipe për shkollat përmetare” me autor Ilias Jahja me banim në Massachuset, në qytetin e Bostonit në ShBA. Në ato vite ishte e vështirë të gjeje mësues të gjuhës shqipe sepse “ mësuesit përmetarë, në përgjithësi, kishin kryer shkolla turke ose greke në Janinë e Selanik dhe vetëm pak prej tyre qenë arsimuar në liceun e Korçës apo në Normalen e Elbasanit”. Nuri Dragoj, Arsimi në Përmet 1912-1944, faqja 104.
Duke lexuar me vëmendje këtë libër të Dr. Dragojt, do të shikosh përkushtimin e tij për të dhënë një pasqyrë të plotë për zhvillimin e arsimit në trevat përmetare deri në vitin 1944. Aty do të gjeni zanafillën e çdo shkolle dhe ecurinë e saj, mësuesit e parë dhe ata në vijim, përkushtimin e tyre për të mos u tërhequr përballë vështirësive. Është historia e arsimit përmetar, e ndërthurur dhe e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit në trojet shqiptare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Kujtim Mateli, Një libër i vyer, për arsimin

Deri në Vjenë, miq te Hana Këlcyra

November 11, 2014 by dgreca

Nga Kujtim Mateli/
Një grup dëshnicarësh dhe konkretisht zotërinjtë: GëzimVoda, Luan Nikollari, NuriDragoj dhe unë, të ftuar nga zonja Hana Këlcyra,nga data 3-6 tetor, bëmë një vizitë në Vjenë dhe rrethinat e saj. Hana kishte ditë që komunikonte me ne përkohën e mbrritjes, mënyrën e udhëtimit e të tjera hollësi. Në mbrëmjen e datës 3 tetor 2014 mbrritëm nëVjenë. Ndiesinë që të jep ky qytet është ai i madhështisë, madhështi që e krijoi në disa nga figurat që lindi apo dhe të ardhur që gjetën në këtë qytet të gjitha kushtet për të zhvilluar talentin e tyre dhe për të fituar famë botërore. Në këtë qytet mori mësimet për teatrin dhe gjeniu ynë, Aleksandër Moisiu. Po le tëkujtojmë kompozitorët e mëdhenj që nga kyqytet mbetën të përjetshëm. Vjena është vendlindja e kompozitorit të madh Johann Strauss, por edhe vendi ku studiuan dhe punuan kompozitorët e mëdhenj gjerman, midis të cilëve Mozarti, që veprat e tij më të rëndësishme i krijoi në Vjenë apo Bethoveni, i cili filloi studimet në Vjenë në vitin 1792 dhe që aty kaloi gjithë jetën e tij, në këtë qytet të vjetër 2500 vjeçar, që është një nga thesarët më të çmuar te kulturës europiane. Vjena kaqenë e dashur dhe për miken tonë Hana Këlcyra. Në këtë qytet ajo kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj. Aty zhvilloi aftësitë e saj si përkthyese pranë ambasadës amerikane. Si njohëse e thellë e gjuhës angleze, franceze, gjermane dhe italiane, ajo mundi të përthithë kulturën e këtyre vendeve dhe ta vërë në shërbim të qëllimit të saj: të bëjë sa më të njohura vlerat e Shqipërisë. Hana është një personalitet i spikatur. Është kënaqësi të qëndrosh nën shoqërinë e saj.
Personi i dytë që do të takonim, në ditën e tretë të qëndrimit tonë në Vjenë, ishte Muçi Fezga. Ai ka disa vite që është larguar nga Shqipëria dhe banon në Austri. Është një personalitet i shquar i shkencave natyrore, pedagog i Universitetit të Tiranës dhe hartues i disa teksteve universitare. Organizator dhe drejtues i talentuar, autori i romanit “Financieri rebel i Përmetit” dhe i një sërë tregimesh e novelash që ende janë të pabotuara. Është pa dyshim personaliteti më në zë i Dëshnicës, me rrezatim në të gjithë Shqipërinë, si dhe jashtë saj në botën e shkencave ekzakte. Ndiheshim të privilegjuar se z. Muçi do t’i dorëzonim titullin “Qytetar Nderi i Përmetit’’, akorduar nga Këshilli Bashkiak i atij qyteti në janarin e këtij viti, me propozimin e shoqatës “Dëshnica”, titull të cilin drejtuesit e Bashkisë së Përmetit ia kishin besuar drejtuesve të shoqatës“Dëshnica”, për t’ia dorëzuar në Austri.
Në dalje të aeroportit na priste znj. Hana. U gëzuam që po takoheshim përsëri, pas disa takimeve që kishim patur me të në Tiranë. Me makinën e zonjës Hana u njohëm me disa nga rrugët kryesore të qytetit dhe disa nga veprat më të rëndësishme të artit dhe kulturës vjeneze. Kaluam degën e lumit Danub që përshkonte qytetin e Vjenës, ku varka dhe anija të vogla lundronin përgjatë rrjedhës së tij.
Midis objekteve të shumta, ja dhe Kisha e Shën Stefanit, që është kisha më e bukur e Austrisë dhe simbol i Vjenës, e ndërtuar në stilin gotik. Kalojmë pranë bukurive që të ofronin rrugët dhe parqet e shumta, ku ndodheshin Parlamenti, Bashkia, Universiteti, Teatri Kombëtar, rezidenca e familjes perandorake të Habsburgëve dhe e Princeshës Sisi e shumë të tjera. Po midis këtyre ndërtesave që ishin qendra të jetës politike e kulturore të Vjenës, Hana na veçoi dhe një hotel. Ishte hoteli ku kishte qëndruar Ismail Qemali. Për Hanën dhe për ne, kjo ishte një ndërtesë e shenjtëruar. Në njërën nga dhomat e tij, Ismail Qemali kishte pritur miqtë e tij të shumtë për çështjen tonë kombëtare, për Pavarësinë e Shqipërisë. Ishte vërtet i shenjtë.
******
Tre thesarët e Hana Këlcyrës.
Pasi pimë kafen e mëngjesit të datës 4 tetor në shtëpinë e Hana Këlcyrës, i hodha një sy bibliotekës së saj. Gjithë faqja e murit, në njërën prej tri dhomave, ishte vendosur biblioteka. Libra në gjermanisht, frëngjisht, italisht, anglisht dhe shqip. Libra, të cilët kishin qenë objekt studimi jo vetëm i saj, por edhe i disa prej figurave tepër të njohura që kishin jetuar bashkë me Hanën, siç ishte babai i saj Ali Këlcyra dhe Eqerem Vlora. Po Hana e kishte pasuruar atë vazhdimisht. Aty ishin dhe librat në shqip, që Hana i ruante si gjënë më të çmuar. Po përveç librave, do të gjeje harta të vjetra që paraqesnin Evropën apo dhe vetëm Ballkanin, të cilat i përkisnin mijëvjeçarit të kaluar. Më e vjetra ishte një hartë e shekullit XIII, e cila nuk gjendet në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe ku paraqiteshin shumë saktë trojet shqiptare. Ishte vërtet një hartë e çmuar. Ky koleksion i pasur me libra dhe harta përbën thesarin e parë të znj. Hana Këlcyra.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Vjenë.

Aty nga ora 9.00 e mëngjesit, u nisëm nga Vjena në drejtim të veriut. Pasi kemi udhëtuar vetëm disa kilometra, u shfaq Danubi me madhështinë e tij, si një nga lumenjtë më të rëndësishëm në botë. Straboni, në botimin anglisht, Londër 1903 fq. 443, thotë: “ Në jug të Danubit e deri në Greqi, janë vendosur popujt e Ilirisë dhe Thrakisë dhe se me ta janë përzier dhe disa fise kelte e raca të tjera”. Deri këtu shtrihej Iliria e kohës së Strabonit, pra shekulli i parë i Krishtit. Deri këtu ishin trojet ilire. Sa dyndje ka patur kjo hapësirë deri sa më në fund pasardhësit e ilirëve u ngushtuan deri në trojet që mbajnë sot shqiptarët?
Vazhdojmë udhëtimin përtej Danubit. Në këtë hapësirë shtrihej ultësira më e rëndësishme e Austrisë. Kudo fusha të gjelbëruara dhe parcela të kultivuara me kujdes. Para se të arrinim në një nga qytetet veriore të Austrisë, në Rec (Retz) shtriheshin platacione me vreshta. Ky qytet ishte rreth 80 km larg Vjenës. Para se të arrinim në qytet, ndanë rrugës, kantinat e verës, të gjitha nën tokë, arrinin një gjatësi 40 km. Aty ruhej vera e disa viteve. Aty ajo vjetërohej derisa bëhej për t`u tregtuar. Në Rec, në qendër të qytet, banorët ishin të mbledhur në grupe. Festonin mbarimin e vjeljes së rrushit. Qendra e qytetit ishte e mbushur me banorët vendas të cilët shijonin verën që kishin prodhuar me duart e tyre.
Sheshi kryesor ishte i rrethuar nga ndërtesa të stilit të vjetër. Një obelisk rreth 10 metra i lartë ishte i mbushur me figura ëngjëllore që simbolizonin besim pagan të banorëve të kësaj pjese të Austrisë. Qyteti kishte dy porta që e mbyllnin në kohët e vjetra. Në njërën prej tyre shënohej viti 1300.
Në Hofren ku ndodhet thesari i dytë i Hana Këlcyrës
Pasi pimë kafen e mëngjesit në Rec, nisemi drejt veriut. Ndalojmë në kilometrin e gjashtë, në Hofren. Aty Hana Këlcyra kishte shtëpinë e dytë, duke e konsideruar të parë atë të Vjenës. Ishte një shtëpi me shumë dhoma (5+1). Kishte gjithashtu një hangar ku ishin vendosur disa mjete punimi dhe pas shtëpisë kishte një kopësht.
Porta kryesore e kësaj shtëpie, e lyer me kujdes, ishte më shumë se 100-vjeçare. Pasi kapërcen portën, objekti i parë është një shqiponjë, shqiponja jonë kombëtare, shqiponja jonë e flamurit. Do të gjeje aty dhe fotot e sarajeve të Këlcyrës dhe ato me pamje nga Shqipëria të cilat ishin të ekspozuara dukshëm dhe ruheshin me kujdes.
Mbi tavolinë dhe faqet e mureve, në korniza të praruara ishin fotot e babait të saj Ali Këlcyrës, të dala me miqtë dhe pjesëtarët e familjes së tij.
Në oborr të shtëpisë një pjergull zbukuronte mjedisin, karakteristikë e familjeve shqiptare që, kudo që ndodhen, hardhinë, simbolin prej nga rrjedh dashuria, duan ta kenë pranë.
Në oborrin e shtëpisë ishte dhe një hangar, i tëri nën tokë, mjaft i përshtatshëm për ruajtjen e verës dhe të prodhimeve të tjera. Në dhomat e këtyre shtëpive, do të gjeje enë porcelani të të gjitha llojeve. Ato ishin enë të periudhave të ndryshme. Hana ishte e apasionuar pas koleksionit të enëve. Pjata të të gjitha llojeve, gota, ibrik, gjithçka që i duhet një shtëpie, përbënin atë koleksion. Hana për secilin objekt kishte kartelën e tij: vendin ku ishte prodhuar, kohën e prodhimit dhe vitin e blerjes.
Një damixhan i madh ishte sjellë nga Kaukazi për karakteristikat e veçanta e vlerat që ruante. Enë porcelani nga të gjitha vendet e Europës, por koleksionin më të rëndësishim e përbënin ato franceze. Nga Parisi kishte ardhur dhe një ngrohëse me prush, një model shumë i vjetër që shërbente dikur në Francë si mjet për ngrohje. Po nga Parisi ruhej dhe një hekur rrobash, model i viteve `30 të shekullit të kaluar.
Ky koleksion i enëve prej porcelani që ishte më shumë se dy mijë, por edhe objektet në bakër e metale të tjera, përbëjnë thesarin e dytë të Hana Këlcyrës,
Për të dy këta thesarë, mbase duhet të vihet në lëvizje dhe Ministria e Kulturës. Janë vlera që ne shqiptarëve na duhen, sepse nuk i kemi të shumta. Derisa i kemi, nuk duhet t`i humbasim nga pakujdesia. Mendoj se edhe Hana, nëse do t`i kërkohen, do të jetë plotësisht dakord që këto vlera t`i kthehen Shqipërisë.
Thesari i tretë i Hana Këlcyrës.
Publiku shqiptar e njeh Hanën dhe nga disa intervista që ajo u ka dhënë disa televizioneve në Shqipëri. Ka qenë gjithashtu e pranishme në gazetat kryesore të vendit tonë. Ajo i ka paraqitur publikut shqiptar një material të panjohur deri tani, por dhe një këndvështrim origjinal që ajo ka mbi historinë tonë të shekullit të kaluar dhe politikën shqiptare. Këto intervista të botuara dhe ato që ajo mund të realizojë në vitet e ardhshme, përbëjnë thesarin e tretë të Hana Këlcyrës. Nëse për dy thesarët e parë duhet të interesohemi ne, për thesarin e tretë duhet të kujdeset vetë Hana.
****
Disa orë në territorin çek.
Lamë pas Hofrenin dhe vazhdojmë rrugën drejt veriut. Qielli ishte i mbuluar nga retë. Nuk ra shi, por qielli nuk e ndryshoi pamjen e tij. Kapërcyem kufirin dhe hymë në tokën çeke aty nga pasditja. Pasi bëmë dy-tre kilometra, qëndruam në një lokal dhe hëngrëm drekë. Më pas vazhduam rrugën në brendësi të Çekosllovakisë. Jo larg kufirit, rreth 8 km larg tij, ishte qyteti i bukur, Znajm (sipas shqiptimit gjermanisht të austriakëve). Çekët e shqiptonin Znajmo dhe kështu shënohej dhe në hartë. Ishte një qytet ku përplaseshin dy kultura të dy popujve të ndryshëm. Kjo dukej në arkitekturën e qytetit. Para Luftës së Dytë Botërore qyteti kishte qenë pjesë e territorit të Austrisë. Dallohej mirë stili i ndërtesave me zbukurime. Ndërtesat e periudhës të pas Luftës së Dytë Botërore ishin në stilin e ndërtesave të realizmit socialist. Pallate pesëkatëshe pa asnjë lloj zbukurimi. Të dukej sikur ishe në një lagje të Tiranës, ndërtuar në vitet e socializmit.
Siç na tregoi Hana, pas Luftës së Dytë Botërore, kur u bënë zgjedhjet për herë të parë në vitin 1945, qyteti ishte me shumicë popullsi austrike, por futën dhe rrethinat që popullsia të kapërcente në favor të çekëve, të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik, i cili në këtë kohë mbante të pushtuar Vjenën, ashtu siç mbante të pushtuar dhe gjysmën e Berlinit dhe krejt Gjermaninë Lindore. Pastaj, një pjesë e austriakëve u larguan. Deri në vitin 1955, kur u nënshkrua marrëveshja midis qeverisë austriake dhe ushtrive fitimtare, edhe Austria, sikurse Gjermania, ishte e ndarë në 4 zona të ushtrive fituese. Por në këto vitet e fundit, kur në Europë u përbys sistemi socialist, interesimi i austriakëve ishte rritur për objektet e stilit perëndimor. Kisha në mes të qytetit, e ndërtuar shumë kohë para Luftës së Dytë Botërore, po rikonstruktohej nën kujdesin e austriakëve për ta sjellë në origjinën e vet.
******
Një memorial si urë miqësie

Aty nga ora pesë e pasdites, lamë pas qytetin e Znajmo dhe drejtohemi drejt jugut, për në Vjenë. Hana na tregon në një segment të rrugës, në të dy anët e saj, ku shtriheshin fusha sa të sheh syri, se aty ishin zhvilluar beteja të ashpra midis Napoleon Bonapartit, austriakëve dhe rusëve që kërkonin të thyenin fuqinë e perandorit francez. Pastaj ndalemi ndanë rrugës ku ndodheshin tre blinj të mëdhenj. Midis tyre ishte një memorial që u kushtohej këtyre betejave në gjuhën franceze, gjermane dhe ruse.
Këto luftime ishin përsëritur në këto vende deri në thyerjen përfundimtare të perandorit. Memoriali jepte të dhëna në të tre gjuhët e ushtrive pjesëmarrëse. Në gjuhën frënge midis të tjerash lexojmë: kushtuar ushtarëve austriakë, rusë dhe francezë të rënë me lavdi në luftimet e Schongrabern (1805-1809) dhe të Ober Hollabrun 1809.
Të dy këto vende, Shën Grabi (fshat) ndodhej në veri të këtij lapidari, ndërsa Hollabruni (qytet) ndodhej në jug të tij. Tre blinjtë e mëdhenj, krahët e të cilëve binin mbi memorialin që u kushtohej të rënëve, simbolizonin tre popujt të cilët ishin përfshirë në këto luftime dhe tani, pas dy shekujsh, i kujtonin këto ngjarje që historia të mos përsëritej më duke i shtrirë njëri-tjetrit dorën e miqësisë dhe të pajtimit. Arrijmë në Vjenë, në mbrëmje, kur qyteti sapo kishte ndezur dritat dhe errësira e mbrëmjes akoma nuk e kishte pushtuar qytetin.
Këtu fillon dhe një nga pjesët më të rëndësishme të vizitës sonë.
*****
Në kërkim të Vjenës së vjetër

Kisha lexuar në librin e poetit përmetar Bardhyl Londo “Jeta që na dhanë” se të gjitha qytet europiane ishin ndërtuar, në fillesat e tyre, rreth një vendi kulti të krishterë. Ky rregull nuk duhej të bënte përjashtim as për Vjenën. Ndaj e kisha pyetur disa herë Hanën se cila ishte kisha më e vjetër vjeneze. Këtij interesimi Hana iu përgjigj duke e filluar vizitën e parë tek një kishë, e cila ndodhet sot në qendër të Vjenës. Ishte kisha e Shën Stefanit. Ishte kjo kisha më e vjetër? E kundruam nga jashtë këtë kishë madhështore që vizitohej nga vizitorë të panumërt. Pranë kishës, ishte dhe një shesh në formë drejtkëndëshi, ku në mes të tij, një obelisk përjetësonte disa figura ëngjëllore me fytyrë drejt qiellit. Hana na thotë se ky monument i kushtohej besimit të vjetër të vjenezëve, pra atij pagan. Vizituam dhe dy kisha të tjera, të cilat të mrekullonin me arkitekturën e tyre dhe që Hana na shpjegonte në lidhje me to. Hymë dhe tek e treta. Hana në vend që të jepte një shpjegim për këtë kishë, mori një guidë të vogël që kjo kishë shpërndante për vizitorët dhe ma dha mua. Ishte kisha e Shën Pierrit. Në të lexohej: Ju hyni në një kishë të shquar që numërohet midis më të bukurave të Vjenës. Ju vini për të admiruar një kryevepër arti dhe ne gëzohemi duke ju uruar mirëseardhjen. Por kisha e Shën Pierrit është para së gjithash një vend kulti, e ndërtuar në vendin e kishës së parë të krishterë të Vjenës që ishte atëhere fushë e betejave romane. Ajo u zëvendësua më vonë nga një konstruksion roman me tre kupola. Kryevepra e Lukas von Hilderbrandt që ju po vizitoni sot, është e shekullit të 18-të. Ky është një vend ku kryhet çdo ditë shërbesa hyjnore që prej 1600 vjetësh”. Ishim saktësisht në qendër të Vjenës së vjetër.
****
Në Bibliotekën Kombëtare dhe muzetë vjeneze.
Vizitën e parë e bëmë në panairin e librit në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Në katin e sipërm të bibliotekës ishin ekspozuar librat më të rëndësishëm. Vizitorët ishin të shumtë. Kati në të cilën ndodhej ekspozita ishte në formë drejtkëndëshe. Në të dy krahët, në muret e ndërtesës që ishte rreth 4-5 lartësi, ishin vendosur librat që kjo Bibliotekë ekspozonte vazhdimisht për vizitorët. Sa libra ndodheshin aty nga botimet shqiptare? Në ekspozenë e asaj dite nuk pamë ndonjë libër nga Shqipëria, me gjithë kureshtjen tonë për të gjetur gjurmë shqiptare dhe në Vjenë.
Vizitën e dytë e bëmë tek muzeu “Albertina” Në hyrje ishte vendosur monumenti që i kushtohej Princit të Austrisë Albert Duka, emrin e të cilit kishte marrë dhe muzeu. Disa nga pavionet më të rëndësishme dhe që na bënë më tepër përshtypje ishte dhe ai i sklupturave që u kushtohej perëndive të antikitetit. Një realizim i përsosur i Perëndisë Apollon dhe të perëndive apo heronjve që muarën statusin e perëndive.
Një vend të rëndësishëm zinte piktura europiane dhe ajo franceze. Pablo Pikaso (1881-1973) përfaqësohej me 11 piktura. Tërhiqnin vëmendjen e vizitorëve pikturat e Klaud Monet (1840-1926), Alfred Sisli (1839- 1899), Henri Lebask (1865- 1937) dhe shumë të tjera që mbushnin pavionet e pikturës e cila përfundonte me ato të autorëve rusë.
Vizitën e tretë e bëmë në pallatin Belvedere. Sa dëgjuam emrin, na u kujtuan vargjet e Naimit:
Lum ti moj Shqiperi thashë,
Armët e tij kur i pashë,
Në Belvedere, në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Menduam se do të gjenim armët e Skënderbeut, të cilave u kishte kënduar Naim Frashëri. Po muzeu e kishte ndërruar destinacionin e dikurshëm. Në hyrje të muzeut shkruhej:
“Akademia e Vjenës e shekullit XVIII, e artistëve të rrugës”. Ishin pikturat më të mira që dora njerëzore kishte mundur të krijonte natyrën dhe njeriun, në një realitet sa mistik aq dhe real. Ngjyrat e ndezura, përmasat e mëdha të tablove, të krijonin përshtypjen e njeriut real që banonte në stendat e këtij muzeu. Po togfjalëshi “artistët e rrugës”, më futi në mendime. Ashtu si në letërsi, ku kolosët botërorë nuk kishin dalë nga oborret mbretërore, por nga njerëz që mezi siguronin bukën e gojës, edhe në pikturë kishte ndodhur e njënjta gjë. Këto kryevepra ishin krijuar nga njerëz pa ndonjë mbështetje financiare. Siç duket ky qenka ligj universal. Kështu ndodh dhe në ditët tona në Shqipëri. Krijuesit e vërtetë të artit dhe letërsisë janë pa mbështetje qeveritare. Ai krijohet në rrugë, si këto piktura të mrekullueshme që nuk kam për t`i harruar kurrë.
Vizitën e katërt dhe të fundit e bëmë tek Muzeu i Luftës. Ishte ora 11.45. Brenda në ndërtesë, një paradë ushtarake ushtronte lëvizjet e saj për nder të vizitorëve. Ishin ushtarë italianë që kishin veshur kostumet ushtarake të vendeve të BE. Një herë në vit, të gjitha muzeumet e Vjenës vizitoheshin me një biletë, ndaj numri i vizitorëve ishte shumë i madh. Mbase një herë në vit, ushtarët e çdo vendi të BE, vinin aty e perfomonin me të gjitha veshjet e këtyre vendeve.
Do të gjeje aty të gjitha llojet e armëve. Duke filluar me ushtat, ndoshta arma e parë që ka përdorur një ushtri e rregullt e deri tek armatimi i rëndë që u përdor në Luftën e Dytë Botërore. Veshje me prazmore çeliku për kalorësin, shalat e kuajve, boritë, daullet e luftës etj. Do të gjeje aty veshjen e ushtrisë austriake duke filluar nga hershmëria deri në Luftën e dytë Botërore.
Një vend të veçantë zinin fotografitë e oficerëve dhe komandantëve që kishin udhëhequr ushtrinë austriake. Po ashtu dhe pikturat më të mira që autorët austriakë dhe të vendeve të tjera europiane kishin përjetësuar betejat dhe fitoret e kësaj ushtrie.
Shumë vizitorë kishte tërhequr stenda ku ndodhej Franz Ferdinandi, i cili ishte princ i Bosnjë-Herzegovinës. Vrasja e tij në Sarajevë më 28 qershor 1914, ishte dhe shkaku i Luftës së Parë Botërore.
Në një kënd të muzeumit zinte vend dhe pavioni kushtuar shqiptarëve. Gjetëm aty një copëz Shqipërie që për ne ishte dhe qëllimi kryesor i vizitës që i bëmë Muzeut të Luftës në këto orë të para (deri në orën 1.30), të datës 5 tetor 2014.
Ishte aty kostumi tradicional shqiptar, qeleshja, opingat karakteristike shqiptare, daullja e luftës etj. Një video e realizuar me disa fotografi të shqiptarëve në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku shquanin ato të realizuara në Durrës dhe Shkodër, e bënin stendën e Shqipërisë mjaft tërheqëse për vizitorët.
*****
Drejt qytetit Reichenau ku na priste Muçi Fezga
Dita e tretë e vizitës sonë në Austri ishte e veçantë. Do të takoheshim me njërin prej dëshnicarëve më të shquar që i dha emër krahinës sonë, Mustafa Fezga apo Muçi siç e thërrasin këto vitet e fundit. Do të udhëtonim drejt Jugut të Austrisë. Në këtë drejtim, Hana kishte shtëpinë e saj të tretë. Dita e tretë, ndryshe nga dy ditët e tjera, ishte me diell. Pas një udhëtimi rreth një orë në drejtim të jugut, në rrugën kryesore, kthehemi djathtas. Nga larg shquan vargu i maleve, rrëzë të cilit ndodhej shtëpia e Hanës, të cilën e frekueton shpesh gjatë fundjavës. Pasi bëjmë disa kilometra udhëtim, na shfaqet qyteti i parë. Ishte Glognic (Gloggnitz).
Gloggnitz është një qytet malor që ndodhet në pjesën jug-perëndimore të pellgut të Vjenës. Ai është i rrethuar nga malet më të larta në Ultësirën e Austrisë, malin Raks (Rax) 2007m dhe malin Shniberg (Schneeberg) 2076m. Vazhdojmë udhëtimin dhe para nesh shfaqet një rrugë hekurudhore. Kjo,- na tregon Hana,- është vija hekurudhore e Semeringut që mban emrin e inxhinierit të madh shqiptar, Karl Gega, e cila lidhi Vjenën me Triesten 150 vite më parë.
Vazhdojmë udhëtimin në këtë luginë të bukur ku rrjedhin si kristali ujrat e lumit Shvarca. Para nesh shfaqet qyteti i vogel Reichenau, i bukur si vetë bukuria e këtyre hapësirave ku kombinoheshin fushat e gjera me malet e lartë. Ishte qytet me histori të vjetër. Kalaja e qytetit Reichenau, është përmendur për herë të parë në një vepër të vitit 1256. Popullsia e tij, sipas rregjistrimit të vitit 2014, është rreth 2500 banorë. Në rajonin e Rajhenaurit (Reichenau), ishte shtëpia e tretë e Hanës, ndërtuar rrëzë maleve që përmendëm më lart. Aty na priste Muçi, i cili kishte arritur aty para nesh dhe që prej disa vitesh banon bashkë me djalin e tij në Baden të Austrisë. Hyjmë në oborrin e shtëpisë së znj. Hana dhe pastaj vizitojmë të gjitha dhomat e kësaj shtëpie. Një mrekulli që krijon dora dhe mendja njerëzore, aq më tepër e një dëshnicareje. Shtëpia ishte e ndërtuar aty ku mbaronte pjerrësia e malit. Një faqe mali, e mbuluar nga pemët. Një pozicion i tillë ishte përzgjedhur nga Hana, që kjo shtëpi ta lidhte me sarajet e saj në Këlcyrë. Po territori i shtëpisë, sidomos në pjesën e sipërme, kishte një kopësht të vogël me mollë. U ulëm në verandën e shtëpisë dhe nën shoqërinë e një gote rakie, arrave e bajameve të thata me të cilat na gostiti znj. Hana, u bë një bisedë e këndëshme dhe e ngrohtë me mikun tonë Muçi Fezga dhe familjen e tij. Ishte një njohje për udhëtimin tonë, gjendjen në Shqipëri, por edhe interesimi ynë për familjen e z. Muci e për shëndetin e tij. Një bisedë e këndëshme mes blerimit dhe ajrit të pastër të maleve Raks (Rax) dhe Shniberg (Schneeberg).
******
Një drekë e paharrueshme
Më pas shkojmë në mjediset e një restorati tipik për ato anë dhe drekuam së bashku. Bisedonim me Ata, për të cilët ishte ndërrmarë dhe ky udhëtim i largët. Po kur ke përpara personalitete të spikatura si znj. Hana dhe z. Muçi, e ndien se ia vlen cfarëdolloj mundimi. Zotin Muçi e kishim takuar para disa vitesh, kur ai vizitoi për herë të fundit Tiranën. Po Muçi ka qenë vazhdimisht i lidhur me Dëshnicën e Përmetin. Ka qenë mbështetje financiare dhe për shoqatën “Dëshnica”. Me shpenzimet e veta, mban për llogari të shoqatës sonë një faqe në Internet, ku janë depozituar të gjitha numrat e gazetës “Dëshnica”. Deri tani janë vendosur 59 numra dhe ky i kësaj radhe është i 60-ti. Që këta numra gazete të mbahen online, duhet të paguash çdo vit. Madje as drejtuesit e gazetës “Dëshnica” nuk e dinë sa paguhet dhe kur paguhet. Ky është një kontribut i heshtur i z. Muçi. Po një kontribut i rëndësishëm për të gjithë ata dëshnicarë dhe miq të dëshnicarëve, në Europë e deri në Amerikën e largët, që e lexojnë gazetën e tyre në internet, kur ajo ende nuk ka dalë nga shtypshkronja.
Për kontributin e tij të shquar si pedagog i Universitetit të Tiranës dhe në veçanti si drejtues i arsimit në rrethin e Përmetit në vitet `70-80 të shekullit të kaluar, Bashkia dhe Këshilli bashkiak i qytetit të Përmetit e nderon me çmimin e lartë “Qytetar Nderi i Përmetit”. Muçi nuk mundi të vinte në Shqipëri për ta marrë këtë titull në Përmet për arsye shëndetësore, ndaj shoqata “Dëshnica” si propozuese e këtij titulli, shfrytëzon ftesën e znj. Hana dhe ditën e tretë të qëndrimit në Austri, ia kushton dhënies së këtij titulli.
Kryetari i shoqatës “Dëshnica” z. Gëzim Voda i jep z. Muçi Fezga medaljen e akorduar nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e qytetit të Përmetit duke e shoqëruar me falënderime në emër të banorëve të Përmetit, të institucioneve që ia kishin akorduar këtë çmim dhe të vetë shoqatës “Dëshnica”.
Emoconuese ishte fjala dhe falënderimit e z. Muçi. Ishin fjalë mirënjohje për të gjithë përmetarët dhe institucionet qeverisëse që e përfaqësojnë atë. Ishin fjalë që dilnin nga zemra e një njeriu që bëri shumë për përmetarët, qoftë gjatë qëndrimit të tij në Përmet si drejtues i institucionit arsimor, por dhe gjatë kohës që punoi në Ministrinë e Arsimit.
*******
Pranë ujrave të lumit Shvarca
Pasi mbaruam drekën, të shoqëruar nga z. Muçi, znj. Drita (bashkëshortja e z. Muçi) dhe Orgesi (djali i tij), bashkë me znj. Hana, vizitojmë disa objekte me vlera muzeale. Pa kaluar një km nga lokali, në hapësirën gjelbëruese të pyjeve, ndodheshin disa ndërtesa, të punuara bukur, të stileve barok. Ishin ndërtesa ku kishin kaluar një pjesë të kohës së tyre disa nga personalitetet më të rëndësishme të Austrisë. Freskia e stinës së verës në këto vende, ujrat e kristalta të burimeve poshtë këmbëve të malit Raks, kishte bërë që, kushdo që kishte mundësinë financiare, të ndërtonte aty një shtëpi të dytë, për të përtërirë shpirtin dhe mendjen. Aty kishin patur shtëpinë e tyre dhe fisi perandorak i Habsburgëve. Ndalemi para një pallati madhështor dhe Hana na tregon: Në shekullin e kaluar, prej një fisi të pasur në Austri, u ndërtua ky pallat. Pasi e ndërtuan, kërkonin që ta shtronin me monedha floriri. Po në monedhat e floririt ishte dhe fytyra e perandorit, ndaj ai nuk i lejoi që fytyra e tij të shkelej me këmbë nga të ftuarit e këtij pallati. Ky fakt tregon se kjo hapësirë ka qenë tepër e lakmuar. Dhe lista e atyre personaliteteve austriake që kanë ndërtuar në rrethinat e qyteti Reichenau, është tepër e gjatë.Shtëpia e znj.Hana është në listën e atyre mrekullive.
Vazhdojmë udhëtimin gjersa arrijmë në fund të malit Raks. Shikoje aty grupe të shumtë turistësh që i ngjiteshin lartësisë së malit. Ishte vendosur një teleferik që çonte udhëtarët në zemër të malit. Ne nuk patëm mundësinë të ngjiteshim lart, për arsye të kohës, por ndoqëm nga afër peisazhin e mrekullueshëm. Ndanë rrugës rridhte pak i rrëmbyer lumi Shvarc. Shkuam buzë tij dhe lagëm pak duart me ato ujra të kristalta, më shumë si një përshëndetje me të, se sa t`i pastronim apo t`i pastronim ato.
******
Kthimi.
Vazhduam rrugën për t`u kthyer në Vjenë, por pa mbrritur atje, kthehemi në qytetin Brunn am Gebirge, ku pimë një kafe me Hanën, Muçin, bashkëshorten e tij dhe djalin, në një lokal, të cilin e administronte vajza e tij, Nereida. Ay u ndamë me njëri-tjetrin si dëshicarë që duhen e respektohen përzemërsisht.
Në rrugëtim e sipër ndalëm pak më tej, po në Brunn am Gebirge, ku zonja Hana na tregoi një nga qendrat më të rëndëshime të arkitekturës vjeneze, një pallat madhështor, i ndërtuar si kopje e Pallatit të Versajës që ndodhet në Francë. Nuk zbritëm nga makina e ta soditnim nga afër, pasi nuk mundëm të parkonim makinën, por e shijuam bukurinë e tij përmes xhamave të makinës. Zbriti vetëm Luani, i cili i bëri disa foto për t`ipatur në albumin tonë si kujtime të shtrenjta nga Vjena.Vizitën e përfunduam në mbrëmje, në një nga kodrat e larta të qytetit të Vjenës, nga ku qyteti madhështor shihej si në pëllëmbë të dorës me një vezullim magjik dritash. Në këtë kodër ishte një kishë që quhej Kisha Polake. Ishte e shekullit XVI. Në këto kohë, ushtria perandorake osmane ishte ndalur para portave të Vjenës duke e rrethuar atë në vitin 1529. Një shekull e gjysmë më vonë, në vitin 1683, historia ka rregjistruar një nga betejat më të ashpra austriake që njihet si: Beteja e Vjenës. Nga ajo kodër, ku qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës, Johanes Paul II, ishte futur në Vjenë dhe kishte sulmuar ushtrinë osmane, e cila nuk e priste një sulm të tillë dhe, si përfundim, kishte pësuar disfatë.
******
Drejt Tiranës.
Në orën 7:45, të datës 6 tetor 2014, u ndodhëm në aeroportin e Vjenës për t’u kthyer në Tiranë. Na përcolli znj. Hana me makinën e saj. Ishte një ndarje prekëse. Hana ishte gjithashtu e emocionuar. Brenda këtyre pak ditëve, i kishim përcjellë njëri-tjetrit shumë mesazhe e emocione. Kishim folur me njëri-tjetrin ashtu si mendonim e gjykonim për ngjarje e personalitete të vendit tonë në këta dy shekujt e fundit. Më bënin përshtypje informacionet e pasura me të cilat Hana shoqëronte pikëpamjet e saj mbi politikën e shoqërinë shqiptare. Vlerësimet e Hanës buronin nga dëshmi e fakte të shumta, shumë prej të cilave ishin pjesë e jetës së saj. Po energjia e saj në parashtrimin e këtyre dëshmive, timbri i zërit që tregonte siguri në ato që thoshte, u jepnin përmbajtjes së dëshmive të saj më tepër vërtetësi. Është kënaqësi ta dëgjosh Hana Këlcyrën. Na erdhi keq që po ndaheshim dhe koha e takimit të ardhshëm ndoshta do t`i përkasë vitit tjetër.
Avioni e la aerodromin e Vjenës dhe po drejtohej drejt Jugut. Nga dritaret e avionit dukeshin hapësirat e gjera të ultësirës vjeneze. Diku, poshtë nesh, mbase në të djathtën tonë, ndodhej Badeni. Aty ndodhej një tjetër dëshnicar i mirë me të cilin ishim takuar një ditë më parë. Aty jetonte bashkë me familjen e vet, Muçi Fezga, autori i një romani të sukseshëm dhe i dhjetra tregimeve e novelave. Mbase, në ato çaste, Muçi kishte nisur të shkruante. Po cilido që të jetë personazhi i veprës së tij, për një gjë jam i sigurt: ai personazh do të ketë diçka prej tipareve të miqve të tij që aq bujarisht i priti në rrethinat e qytetit Reichenau dhe në Brun. Pas disa minutash, poshtë nesh, ca re bardhoshe që rrinin mbi kryet e një vargmali, na thoshin se ishim larguar mjaft nga miqtë tanë të shtrenjtë. Po ne ende mendonim e flisnim për ta. Ndoshta dhe ata bënin të njënjtën gjë.
Vjenë, 3-6 tetor 2014.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Deri në Vjenë, Kujtim Mateli, miq te Hana Këlcyra

FINANCIERI REBEL I PERMETIT

April 7, 2013 by dgreca

Realitete të kryqëzuara në romanin“Financieri rebel i Përmetit” i shkrimtarit Muçi Fezga/

Nga Kujtim Mateli/

Muçi (Mustafa) Fezga, (lindur më 6 dhjetor 1939 në fshatin Xhanaj të Përmetit) njihet si studenti i shkëlqyer  i fakultetit të Matematikës të Universitetit “Lomonosov” të Moskës (MGU), si dhe   pedagog i matematikës së lartë në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë. Si pedagog i  këtij Instituti, ai bëri botimin e parë të  tij në dy vëllime.

Ka botuar shumë tekste shkollore dhe vazhdon të shkruajë pa u lodhur për të plotësuar serinë e botimit online “Kjo është matematika ime” për klasat 1-5 të shkollës nëntëvjeçare.
Po talenti i tij do të shfaqej në një fushë tjetër që siç duket qëndroi i fjetur deri pak vite më parë. Ka shkruar disa tregime e novela ku mund të përmendim: “Vija e trëndafilave”, “E the bukur, Abas” apo  “24 orët e para…” si dhe novelat: “Mësuesi i Gorumit”,  dhe “Aksioma e pestë”.
Ka përfituar shtetësinë austriake.

Banon familjarisht në Baden të Austrisë.

Këto ditë doli para lexuesit me romanin e tij të parë:“Financieri rebel i Përmetit”.
****
Ngjarjet e romanit  zhvillohen në dy luginat më të bukura të Shqipërisë jugore: në atë të Drinosit ku qyteti i Gjirokastrës  ngjason me një shqiponjë që ngrihet në fluturim dhe në Luginën e Sipërme të Vjosës ku hijeshon Përmeti, që njihet si qyteti trëndafilave. Të dy këto lugina  dëshmojnë një qytetërim  tepër të lashtë. Mitologjia shënon për këto dy lugina se kanë qenë djepi i lindjes së shoqërisë njerëzore. Realiteti dhe mistikja ndërthuren me njëra-tjetrin duke na dhënë tablonë e një qytetërimi me rrënjë në disa mijëvjeçarë para lindjes së Krishtit.
Fill pas Çlirimit të vendit, Shehat Aliu, personazhi kryesor i këtij romani, do të vendosej në Gjirokastër me detyrën e shefit të Financave. Ishte në një nga pozicionet kyçe, nëpër duart e të cilit do të qarkullonin vlerat monetare të shtetit shqiptar për qarkun e Gjirokastrës. Me dashje apo pa dashje do të vihet në qendër të vëmendjes. Tregëtarë që do të tatoheshin, zyrtarë të lartë që donin të pasuroheshin. Shehat Aliu u gjend në shoqërinë e drejtuesve më të lartë të rrethit. Autori ka arritur që t`i individualizojë personazhet e romanit duke i tipizuar sipas cilësive të grupeve shoqërore që përfaqësonin. Në zyrat e shtetit po hynin gjithë ata që kishin qenë pjesë e formacioneve partizane. Po të tjerët?
Disa do të tatoheshin deri në shkatërrimin e tyre e do të burgoseshin si njerëz që i kishin pirë gjakun popullit. Pjesa tjetër do të mbante përjetësisht damkën e bashkëpunëtorit me armikun apo të indiferencës, kur të tjerët luftonin. E gjithë shoqëria shqiptare, megjithëse  e rralluar nga flakët e Luftës, dalëngadalë po kategorizohej dhe secili po e gjente veten në një grup shoqëror jashtë vullnetit të vet.
Në zyrat e shtetit, aty në Gjirokastrën e Çerçiz Topullit e Avni Rustemit, u bë i pari i vendit Rrapi, që nuk dihej se nga vinte, veç dinin për të se kishte luftuar. Rrapi, është mishërim i vijës së Partisë për të mbledhur të tijtë në tufën e vet. Të tjerët, jashtë tufës së Rrapit, do të luftonin vetveten gjersa të asgjësoheshin nëpërmjet luftës së klasave. Megjithatë, dogma që i vinte nga i pari, atje Lart, për luftë të ashpër klasore, nuk e thau krejtësisht shpirtin e tij njerëzor.

Sofia, një tjetër personazh i këtij romani, paraqet tiparet më të mira të gruas gjirokastrite dhe të asaj shqiptare. Ajo sakrifikon edhe veten, që të tjerët të mos bëhen pre e së keqes. Lidhja e Shehatit me Sofinë është lidhje e sinqertë midis kolegësh. Në një mjedis ku, për t`u ngjitur më lart, shkelej mbi njëri-tjetrin, figura e Sofisë do të mbetet shpirti i dëlirë i gruas shqiptare. Me këtë figurë, autori ka mundur të skalitë modelin e gruas që di të mbijetojë edhe në situata të vështira.Po nuk mungojnë edhe momente që do të bëheshin shkak  për një lidhje dashurie midis Shehatit dhe Sofisë. Po ajo njohje ishte shumë e vonshme për ta. Tashmë Shehati e kishte krijuar familjen e vet.
I kundërt me Rrapin dhe Sofinë na jepet kryetari i komiteti të Gjirokastrës, z. Mero.
Një njeri i parsimuar dhe që i mungonte dhe dëshira të shkollohej, ngjiti shkallët e pushtetit për luftën që bëri. Po teksa mblidheshin florinjtë e tregtarëve, një mendim i lindi nga skutat e errëta të ndërgjegjes, në fillim i mjegullt, gjersa më në fund u formësua në dëshirën që një pjesë të vogël të tyre ta kishte për vete.
Po si? Rruga e vetme nëpër të cilën do të kalonte, ishte ajo e bashkëpunimit me Shehat Aliun. Këtu fillon dhe ngjizet konflikti i Shehatit me këta shtetarë me të cilët do të luftonte pa bërë kompromis.  Kryetari Mero simbolizon njeriun e lidhur me pushtetin në të gjithë segmentin e tij deri në qendër. Rrjeti i lidhjeve të tij mafioze kishte depërtuar deri te Vila e Kuqe në qytetin e Përmetit. Brenda këtij segmenti, nga baza deri në qendër, do të zhvillohet një luftë e ashpër. Njerëzit servilë do të dinë të mbijetojnë. Të ndershmit do ta kenë të vështirë ekzistencën  brenda këtij segmenti me tipare mafioze. Në këtë segment, edhe pse është bërë pjesë e tij, nuk mbijeton dot  Shehat Aliu. E detyrojnë të lërë Gjirokastrën. Në Përmet do të gjejë të tjera monstra. A do të mbetet e pastër figura e tij në atë qytet kampion të tolerancës e mirëkuptimit?
****
Shehati e gjeti Përmetin në në një situatë të ndryshme nga ajo e Gjirokastrës. Këtu lufta klasore ishte e butë, por ishte e ashpër midis dy vilave që sundonin Përmetin: Vila e Kuqe dhe Vila e Bardhë. Vila e Kuqe përfaqësohej nga Theofani, Sekretari i Parë, ndërsa Vila e Bardhë nga Bekimi, Kryetari i Komitetit.   Kush do të fitonte në këtë dy luftim? Anën e kujt do të mbante Shehati?
Ngjarjet në roman e mbajnë gjallë kureshtjen e lexuesit për të ditur deri në fund , jo si do të përfundonte ky luftim midis dy vilave, por si do të përfundonte jeta e një njeriu të thjeshtë që jeta, pa dashjen e tij, e kishte përfshirë në vorbullën e këtij dy luftimi.
Një galeri e tërë personazhesh jepen në këtë roman. Njerëz të dyluftimit, por edhe njerëzit e thjeshtë që mbanin radhën e qumështit.  Bisedat e tyre ishin kronika e ditës që sapo kaloi në qytetin e bukur buzë Vjosës. Madje edhe Dumi, njeriu gjysmë i çmendur i këtij qyteti, nuk mbetej jashtë kësaj qerthulle  thashethemesh.
****
Po ata atje lart, që ishin maja e Olimpit për Shqipërinë dhe Përmetin, do të dinin që këtë dyluftim mes zotash (kujtojmë se shpesh edhe perënditë klasike luftonin me njëra-tjetrën) ta zhvendosnin në një drejtim tjetër. Përmeti nuk po e zhvillonte luftën e klasave, madje ky front nuk ishte hapur ende në Përmet. Kishte apo nuk kishte dhe Përmeti armiq?  Luftonin apo nuk luftonin komunistët në Përmet për të mbrojtur vijën e partisë? Duhej hapur fronti. Po ku do ta çelnin së pari?
Atje në Bregas, në atë fshatin e vogël që shtrihej në pjerësinë e shpatit kodrinor  të Tajlarës, ishte një njeri i dyshimtë. Dyshimi i parë ishte se si ai njeri kishte arritur ta priste dorën e të bëhej i rrezikshëm për pushtetin popullor. Ky ishte Ganiu i Bregasit.
Të rinjve të sotëm do t`u duket sikur autori nuk është shumë i besueshëm kur ka zgjedhur për armik një njeri që jetonte i vetmuar në një fshat të largët dhe madje me një dorë. Po realiteti i atyre viteve na thotë se armiqtë e Partisë nga kjo kategori njerëzish përzgjidheshin. Njerëz pa mbështetje që, me goditjen që do t`u bëhej, të mos dëmtoheshin shumë njerëz të tjerë.
Romani “Financieri rebel i Përmetit”, na sjell pamje të gjalla të atyre viteve. Janë pamje që të trondisin me pasojat e kësaj lufte klasore.  Kureshtja se si do të përfundojë kjo luftë mes dy vilave e mban gjallë kureshtjen e lexuesit dhe faqet e librit shfletohen njëra pas tjetrës në pritje të një përfundimi. Libri është i mbushur me skena e mbresa nga jeta duke paraqitur me realizëm realitetin shqiptar të pas Luftës.
Shkrimtari i talentuar Muçi  shtron para lexuesit  disa nga çështjet themelore të atyre viteve. Partia depërtoi thellësisht jo vetëm në jetën ekonomike të qytetarit të atyre viteve, por edhe në qelizën bazë të shoqërisë, në familje. Konflikti i dy vilave erdhi si rezultat i depërtimit të vijës së partisë edhe në çështjet familjare. Bekimi, Kryetari i Vilës së Bardhë kishte për grua motrën e Theofanit, Sekretarit të Parë të Vilës së Kuqe.
Ky pozion i Theofanit edhe në familjen e Bekimit u bë i padurueshëm dhe çoi në shpërbërjen e kësaj familjeje. Autori nëpërmjet këtij rasti, arrin të përgjithësojë të gjitha ato raste të shumta ku partia pyetej, nëse duhej të merrej për grua një vajzë apo jo. Partia pyetej nëse duhej ta ndaje gruan apo jo. Autori këto të vërteta historike të periudhës së pas Luftës ka mundur t`i kthejë në të vërteta artistike. Njeriu i pas Luftës i shtrronte shpesh pyetjen vetes si në tragjeditë e Shekspirit: kam apo nuk kam leje të bëjë dashuri?!
****
Një tjetër temë e rëndësishme që trajtohet në këtë roman është ajo e njeriut  karierist që, për të arritur dhe një ofiq më lart, nuk pyesnin as për të afërmit e tyre. I tillë është dhe Novruzi, Shefi i Policisë së Këlcyrës. Për ta vënë në provë për besnikëri ndaj partisë, i kërkojnë që një kushëririn e vet, atë Ganiun fatkeq me një dorë, atje në fshatin e vogël të Bregasit, ta shpallte armik.
Kjo ishte prova e parë për Novruzin. Provë e vështirë, por nuk ishte dhe fare pa përvojë. Në mbledhje të ndryshme, sa herë që të afërmit e tij kishin bërë ndonjë gabim, ishte i pari që ngrihej e i kritikonte duke mos u lënë gjë pa thënë për të treguar se ishte njeri i drejtë dhe njerëz si ai i duheshin partisë. Këto raste, Novruzi i mbante shënim që t`i paraqiste kur t`i jepej rasti si shembuj besnikërie. Po këto kishin qenë gjëra pa shumë zarar. Pas mbledhjes, secili shkonte në shtëpi dhe të nesërmen, fillonte sërish njësoj dita që vinte. Këtë herë ishte ndryshe.
Po porosia duhej zbatuar pa dhënë asnjë shenjë lëkundje. Kur i thanë zgjidh një biopis (njeri me biografi të pistë) po të jetë nga gjaku yt, nuk kishte dhënë shenja ngurimi.
Këto vite të pas Luftës kishin diçka të ngjashme me kohët e vjetra. Edhe atëhere ndërtonin kala dhe ura, por ato nuk u qëndronin pa bërë flijime. Ishin vepra të mëdha, ndaj dhe flijimet nuk kishin si të mungonin.  Kishte ardhur përsëri koha të përsëritej historia. Që të qëndronin themelet e pushtetit  që po ngrinin komunistët, duheshin flijime. Flijuesishit ishin të paracaktuar. Ata do të merreshin nga biopisët. Po kjo përzgjedhje nuk ishte pa kushte. Personi që do të përzgjidhte, ishte mirë që biopisi të ishte nga njerëzit e gjakut të tij.
Kish ardhur koha dhe për Novruzin të tregonte besnikërinë e tij. Tek njerëzit e gjakut të tij ndodhej një biopis. Si ta do ta flijonte?
Në roman jepen detaje të kësaj akuze dhe lexuesi ndjek me ankth fatin e flisë. A do të mundej ai, njeri i pafajshëm, të mbrohej apo më mirë, a do të gjendej ndokush në organet e drejtësisë që ta mbronte nga ato akuza të padrejta? Njerëzit e thjeshtë të Bregasit kishin shpresë. Këto gjëra i shikonin si shpifje të  njerëzve që nuk ia duan të mirën njëri-tjetrit. Si shpifje të njeriut shpirtzi me emrin Novruz. Flisnin nën zë, në atë Bregasin e drobitur nga dimri që shkoi, ata njerëz të mirë që e shihnin veten ta paftë për ta mbrojtur Ganiun e gjorë,  përzier kjo dhe me një frikë që u rrinte vazhdimisht përsipër si grumbulli i reve të zeza  që kur dilte mbi Tajlarë, u shkatërronin të mbjellat .
Megjithatë, ata e ndienin se shorti i ra Bregasit të bënte flijimin e parë në rrethin e Përmetit për themelet që po hidhte koha e pas Luftës.
****

Ata Lart, në Tiranën e Kuqe, besonin se me zhvendosjen e konfliktit nga brenda partisë në terrenin konkret të luftës së klasave  atje në Bregas, do të pushonte lufta e Vilave. Po nuk ndodhi prashikimi i ekspertëve të Tiranës. Vila e Kuqe që kishte në dispozicion dhe Kryetarin e Degës, Dautin me nam të Përmetit, nuk i ndërpreu sulmet ndaj vilës së Bardhë.
Theo dhe Dauti kishin ngritur një rrjet mafioz për të përfshirë në të edhe kuadrot kryesorë të Përmetit. Ashtu si në një rrjetë peshkatari, kishin rënë brenda kësaj rrjete disa nga kuadrot, midis tyre dhe një femër: Dodona bukuroshe e Përmetit.
Zhvillimi i ngjarjeve në roman e sjell grykën e rrjetës edhe tek Shehat Aliu. Si do të vepronte ai?

Shehati kishte kohë që nuk udhëhiqej nga dogmat.  Dogma se lufta e klasave e çon përpara shoqërinë bëri që shumë njerëz të përlesheshin me njëri-tjetrin, duke besuar se vetëm kështu do të ishte mirë për shoqërinë. Vetëm kështu do të vinte përparimi. Në këtë rrjet mund të kishte rënë dhe Shehat Aliu. Po para se të dëgjonte zërin e dogmave, ai kishte dëgjuar një zë që i erdhi nga larg, zëri i prindërve dhe gjyshërve të tij.
Ky zë iu shfaq në imazhin e një Babai. Babai i besimit bektashi që është besimi i vetë Shehatit. Shehati dëgjoi atë zë dhe iu largua dogmave komuniste, megjithëse edhe vetë ishte anëtar partie. Në momentet e një përsiatje të thellë, kur gjumi i kaplonte sytë e lodhur mbi dosjet e shumta tek zyra e financës, atij i shfaqej Babai që i thosh ca të vërteta që do të jenë të përjetshme për shoqërinë njerëzore.
Shehat Aliu u ndodh dy herë rresht në grykën e rrjetës që kishte hedhur Dauti, Kryetari i Degës dhe Theofani, Sekretari i Parë i Vilës së Kuqe.
Hera e parë ishte kur i propozuan që të sillte  ca dëshmi rreth Ganiut të Bregasit si armik i Partisë. Hera e dytë ishte kur i kishin propozuar, që në cilësinë e sekretarit të partisë në Vilën e Bardhë, të shkarkonte  nga partia Kryetar Bekimin, si njeri imoral.
Nga brendësia e Vilës së Kuqe doli opinion që u përhap në të gjithë qytetin: Shehati nuk është më yni. Ishte koha kur shoqëria ishte ndarë sipas vlerësimit të Vilës së Kuqe: në njerëzit tanë dhe në armiqtë tanë.
Romani jep jetën që zhvillohej në qytetin e Përmetit aty rreh viteve `50-të. Njerëzit pyesnin njëri-tjetrin aty tek radha e qumështit se cili do të ishte fati i njërit dhe i tjetrit. A do të dënohej ndonjë ditë Theofani për të gjitha ato mëkate që kish bërë? Po një ditë dëgjuan se shoku Theofan ishte vlerësuar për punën që kish bërë dhe ishte ngritur në detyrë dhe po nisej për një post të rëndësishëm në Tiranë.
Po Bekimi? Si njeri që kishte ndarë gruan, nuk kishte vend më në Përmet dhe u nis me një detyrë të re në një qytet të  Shqipërisë së Mesme.
Të gjithë personazhet e romanit, kanë një jetë njerëzore e cila lëvizte brenda skemës: yni dhe jo yni.  Martesat filluan të bëheshin brenda këtyre dy grupimeve të mëdha që u nda shoqëria e atyre viteve. Filluan dalëngadalë që anëtarët e njërit grup të mos përziheshin me antarët e grupit tjetër sa herë që kishte gëzime apo hidhërime. Vetëm në disa raste lejohej që këto dy grupime t`i prishnin kufijtë midis njëri-tjetrit. Ishin rastet kur vinin ata nga Lart në përvjetorë e festa të mëdha. Të gjithë do të luteshin që Ai, i Madhi, të merrte nga ditët e tyre e këtë do ta thoshin me gjithë zemër, do t`u qeshte fytyra e do të përpiqnin fort duart.
Po çfarë ndodhi me Shehat Aliun? Nëpërmjet kësaj figure autori ka skalitur figurën e përmetarit, një figurë paqësore që rrezaton mençuri dhe dashuri. Veç në përfundim të romanit, lexuesi do të mbetetet disa momente i trishtuar për fatin e këtij njeriu që nuk e meritonte këtë fund.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Financieri rebel, Kujtim Mateli, Muci Fezga, roman nga

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT