Nga Prof.Sami Repishti/
Shtatedhjete e pese vjet ma pare, Shqiperia, mbas nji jete 27 vjeçare ne pavaresi te brishte, u sulmue ushtarakisht nga Italia fashiste. Qendresa shqiptare ne brigjet e Adriatikut ka qene e shkurte dhe e paorganizueme. Tue pase parasyshe vullnetin popullor me kundershtue sulmin brigantesk te Italise, dhe pa-aftesine ushtarake te sulmuesit, nji dobesi qe u vertetue 18 muej ma vone ne luften kunder Greqise, sot mund te themi se Shqiperia humbi rastin historik me i tregue botes frymen e vet liridashese dhe me demaskue dobesine e fashizmit italian, – nji monster tete miljone bajonetesh me kambe argjili.
Fashizmi italian e kuptonte qe shqiptaret nuk pranojshin okupimin, dhe ndermorri korruptimin e figurave kryesore qeveritare e jo-qeveritare ne Shqiperi, qe fatkeqsisht nuk ishin te paketa. Sot, emnat e tyne jane te njohun dhe te perbuzun “…individe te dalluem vetem per nivelin e servilizmit tyne ndaj italianeve” (B.Fischer,Albania,36) Megjithate, ndjesite e thella patriotike te popullsise shperthyen ne demonstata anti-italiane, thelbi i te cilave ishte qendrimi burrenor i rinise shqiptare, breznia e pare e rritun dhe e edukueme ne nji Shqiperi te lire.
Akti agresiv i 7 prillit 1939, nuk ishte nji gjest i veçuem; ai ishte perfundimi logjik i nji politike shumevjeçare qe solli vendin tone ne gremine. Me Traktatet skllaveruese te lidhuna me Italine fashiste ne 1926, 1927 dhe nenshtrimin ekonomik dhe financiar te vendit, u ba i mundun 7 prilli. Gjesti i “Mbretnise Shqiptare” ne 1935, si vendi i vetem ne bote qe aprovoi okupimin e Ethiopise nga Italia fashiste, dhe dalja nga Lidhja e Kombeve, nji organizate qe kishte sigurue me sukses pavaresine e Shqiperise qe ne vitin 1920, i tregoi botes se Shqiperia ishte tashma nji satelit i Italise fashiste pa peshe nderkombetare. Kjo spjegon indiferencen e plote te Fuqive te Medha ndaj protestave shqiptare. Grushti i fundit u dha nga vendet fqinje, Jugosllavia dhe Greqia, qe shpejtuen me deklarue se pushtimi italian i Shqiperise nuk prekte miqesine “tradicionale ne mes te dy vendeve”(Metaxas per Mussolinin)
Ne Washington,D,C, me 7 prill 1939, Presidenti F.D.Roosevelt dhe Sekretari i Shtetit C.Hull vendosen:” …te mos njohin pushtimin (e Shqiperise)siç nuk kishin njohur as aneksimin e Ethiopise nga Mussolini ne 1936. Rane gjithashtu dakord qe DoS te vazhdonte njohjen e Faik Konices si perfaqesues te vendit tij”(I.Konomi.Faik Konica,194). Nje qendrim te ketill treguen edhe Turqia e Egjipti, dy shtete qe mbajten legatat shqiptare te hapuna gjate L2B. Me 8 prill 1939, Sekretari i Shtetit C,Hull lexoi nje deklarate ku thuhej: ‘Pushtimi me force dhe i dhuneshem i Shqiperise eshte padyshim nje kercenim tjeter ndaj paqes ne bote. Do te ishte driteshkurtesi qe te mos mbahej shenim ky zhvillim i metejshem…”(I.Konomi. idem)
Shume ashte thane dhe shkrue per 7 prillin 1939, dhe “rezistencen”. Ma shume folklor! Pak te dhana jane te sakta. Njihen vetem emnat e deshmorit Mujo Ulqinaku dhe komandantit te Gjindarmerise, Abaz Kupi. Ne kujtimet e tia, Kolonel Sami Koka, i Shtabit te Ushtrise Shqiptare, deshmitar okular, shkruen:
“…Me njoftuan se me kishte kerkuar Mbreti. E gjeta Mbretin ne shtepine e Xhelalit ( te vellait) te shqetesuar si asnje here me pare, i nervozuar por bente gajret me zor…’Duhet te shkosh e te takohesh me Guzzonin, dhe kete here ke per te qene vetem…’ me tha. U nisa per Durres. Nga porti dukeshin ne det te hapur kryqezoret italiane dhe benzinatat qe venin e vinin….Ne tentativat e para te italianeve per te shkelur ne bregun tone pati te vrare e te plagosur nga te dy anet. Italianet me ane te Kryqit te Kuq terhiqnin te plagosurit e tyre e te vraret per ne kryqezor; po ate gje benim edhe ne me tonet, por me mjete primitive, dhe me zemer te madhe… U nisa drejt kryqezorit ku qe Guzzoni dhe shtabi. Prapa tij rrinin gjithe keshilltaret ushtarake qe kishin qene tek ne, dhe i njihja te gjithe, e qeshnin…
Ne gjendje nervoziteti kur shikonte te vraret qe ktheheshin ne anije, Guzzoni ne kembe, filloi te diktoje kerkesat e tij ne emer te Mussolinit. Sipas tyre, Italia kerkonte qe Mbreti te pranonte ate qe u be me vone, bashkimin me Italine, dhe Zogu perkohesisht te qendronte ne krye si Beu i Marokut. Ata kerkonin qe Zogun ta zinin ne befasi ne Tirane, dhe ta detyronin te firmoste nenshtrimin…
‘Z. Gjeneral, i thashe, kjo qe propozoni eshte jashte kompetencave te mia…. Megjithate une do t’ia referoj Mbretit dhe do t’u dergoj pergjigje me radio…’
U ktheva…Trupat italiane ishin tani ne kodrat e Shkozetit…Ne Tirane gjeta trazira, revolta te nxenesve te shkollave. Sa per te tjeret, memzi pritshin qe te thrisnin Duce–Ciano…Kerkova Mbretin…..I raportova gjithçka qe biseduam me Guzzonin dhe prisja te me jepte urdhrin qe te hapnim frontin.
Por Zogu kishte ndrruar mendje…dhe me tha: ‘S’mund te luftojme!’Keshtu qe u detyruam te merrnim arratine drejt Greqise, qe hapi lufirin per te gjithe ne ato dite”.
Numri i viktimave nuk dihet akoma me siguri. Burime amerikane raportojne se”…ka mundesi qe afer dyqind italiane jane vra vetem ne Durres; numri i pergjithshem mund te arrije ne shtateqind… Viktimat shqiptare mund te kene qene edhe ma te medha “(B.Fischer, 22). Shifrat fillestare duken te ekzagjerueme! Ne shtator 1943, Kolonel Koka, si kryetar i Gjindarmerise zbuloi emrat e 13 deshmoreve te 7 prillit dhe u siguroi familjeve te tyne pensionin nga Shteti Shqiptar.
Kjo paqartesi qe vazhdon edhe sot, ka dy spjegime:
a) italianet (qe pranojne vetem 12 italiane te vrame) nuk ishin te interesuem me verifikue numrin e vertete; dhe,
b) rregjimi komunist, me synimet e tia totalitariste qe “gjithçka fillon me 8 nentor 1941” qellimisht ka lane mbas dore fakte te ketilla. Si rrjedhim, patriotet shqiptare qe dhane jetene e tyne ne lufte kunder agresionit fashist italian nuk njihen akoma -75 vjet ma vone- dhe nuk gezojne respektin qe meritojne. Ky ashte nji turp kolektiv qe vret ndergjegjen e çdo shqiptari, e qe duhet shlye sa ma pare!
***
Student 14 vjeçar i Liceut “A.Gjergj Fishta”, Shkoder, kam perjetue agresionin italian me nji tronditje te forte emocionale. Kam deshmue shume akte e shprehje qe perfaqesojshin te dy anet e medaljes: bashkepunimin dhe rezistencen. Prefekti na siguronte se lajmet e invazionit ishin propagande anmiqsore. Gjindarmet, qe na pengojshin, justifikoheshin se “qeveria ka marre te gjitha masat” Rreth e rrotull nesh silleshin turma te zemrueme qe kerkojshin arme. Nji absurditet in vivo!
Mbas demonstratave te 4,5,dhe 6 prillit, kryesisht studenteske, diten e zbarkimit italian ne brigjet tona ra nji heshtje mbi Shkodren. Gjate dites, grupe fshataresh, kryesisht nga Postriba, te armatosun e te pa-armatosun, u drejtuen drejt kodrave ne hymje te qytetit nga Tirana. Arme te gjata, disa te lidhuna me gjalm, rrypa fishekesh e nji traste buke…!. Disa luteshin me za te nalte.”Jemi nise me luftue!” perseritshin. Ne mbramje te 7 prillit, keto grupe vullnetaresh u kthyen, koke-ulun, te deshpruem e “si te mundun”. Reparte ushtarake me oficere dezertues i kercenuen me arme: “mos luftoni kunder trupave italiane”….!
Te nesermen 8 prill, per afer gjysem ore, u ndigjue krisma e armeve ne hymje te qytetit. Mandej heshtje. Te rij kurioz u nisem kah vendi i ngjarjes. Ne kete ane te ures ishte nji grumull gezhojash mitralozi. Ka qene nji kapter qe refuzoi urdhenin e terheqjes, dhe mbajti frontin vetem. Sot, ai ashte akoma i panjohun!
Kaluem uren gjysem te prishun. Nji kompani ushtaresh italiane ne levizje na shikonte me dyshim. Ne furren e lagjes ishin dy kufoma te mbulueme me flamur Italian: nji toger dhe nji ushtar. Prane, nji kamp i improvizuem spitalor, me nji numer te plagosunish nen kujdesin e personelit mjeksor. Pamja e gjakut me tronditi. Koke-ulun u ktheva ne qytet. Ishte takimi i pare me vdekjen qe solli lufta.
Pikerisht aty ku kapteri guximtar kishte krye detyren e vet, pashe te papritunen: nji grusht elementesh anti-zogiste nga “paria e qytetit”, ishin rreshtue ne pritje te nji personaliteti. Pa shume vonese, nji grup fashistesh italiane u afrue me thirrje:”No Zogu! No Zogu!” U pershendeten me “mikpritesit”, dhe se bashku u larguen per ne qytet.
Ne qytet, gjeta te papritunen e dyte. Mbi ndertesen e Bankes Kombetare valonte flamuri italian. Disa kalimtare e nderojshin me pershendetjen fashiste- nji pamje emocionalisht dermuese! Katermbedhjete vjet elozhe per “aleatin tone te madh Italine fashiste” perfunduen me humbjen e pavaresise kombetare….!
Me rifillimin e mesimeve ne lice, u pa qarte se atmosfera kishte ndryshue pa shprese kthimi. Programet per “italianizim” te shkolles shqiptare ishin kambengules. Po aq kambengulese ishte edhe vendosmenia e jone mos me pranue nenshtrimin. Ishim te rij, pa pervoje politike, te pa-afte me kuptue rrjedhimet e gjendjes se krijueme.
Reagimi i jone ishte emocional; duhej nji reagim racional, nji justifikim sistematik i reagimit. Ne nji konfuzion te plote, te gjithe flitshim “kunder okupatorit” Te gjithe çmojshim profesoret me qendrim anti-italian. Por kishte nga ata qe besojshin se Italia do te hap horizonte te reja zhvillimi. Tregu shqiptar filloi te ngjallej, nga prania e trupave italiane me konsumin e tyne te prodhimeve vendese.
Por na ishim te rij “idealiste” per te cilet ideja e pushtimit te huej ishte e papranueshme. Ka qene pikerisht ne mesin e ketij konfuzioni mendor qe u çfaqen “teori” te çuditshme per ne: ardhja e Italise sjelle industrializimin e vendit; linde klasa punetore, zhvillohet, dhe perfundimisht luen rolin e vet historik: permbysjen e rendit borgjez dhe fitoren e proletariatit. Nuk kuptojshe nga kjo propaganda qe kishte mobilizue disa shoke te mi.
Gjashte muej ma vone, me traktatin gjermano-sovjetik (gusht 1939) ky grup i indoktrinuem pershendeti aleancen ne mes te dy diktaturave si “aleanca e klases punetore kunder plutokracise franko-angleze”, “U bashkue puna kunder kapitalit”, nji proçes i parapame nga Karl Marksi. Emna, ide, akte e grupime te reja per ne. Ishte preludi i fazes se ardhme. Mbas sukseseve ushtarake te hitlerizmit ne Europe, shpresa e vetme per ne mbeti rezistenca heroike e Britanise se Madhe, dhe udheheqsi i saj Winston Churchill. Akoma me tingellon ne vesh deklarata e tij ne BBC: “We shall not surrender!” (Nuk do te dorezohemi!)
Ne qershor 1941, me sulmin hitlerian kunder Bashkimit Sovjetik, qendrimi i “shokeve” tone ndryshoi. “Gjermania hitleriane ka sulmue atdheun e proletariatit botenor”.”Detyra te reja dalin para nesh: me ndihmue Bashkimin Sovietik e luften e tij kunder fashizmit”. Paraqitjet e para te pa kristalizueme, moren formen e tyne te plote mbas nandorit 1941 me formimin e Partise Komuniste Shqiptare. “Rezistenca kunder okupatorit italian” u zevendsue me “luften anti-fashiste”. Aspekti “kombetar” i rezistences u zevendsue nga aspekti “ideologjik” i saj. Nji orietim i ketill e vuni Shqiperine ne orbiten e levizjes komuniste, krijoi perçamjen e forcave te rezistences –edhe ne rradhet tona- dhe perfundoi ne “lufte civile”, shkaterrimtare. Format revolucionare te ”forces se re” u çfaqen ne dy aspekte: gjestet heroike te elementit komunist “idealist”, dhe aktet terroriste te elementeve me prirje kriminale, arriviste, por pragmatike. Efektet e nji “organizimi rigoroz” dhe te nji “konspiracioni te rrepte”, dhane frytet e tyne. Forcat e reja u perhapen ne te gjithe vendin, sidomos ne rradhet e rinise idealiste, kryesisht studenteske.
Konfuzioni i rinise, qofte nga efekti i okupacionit, qofte nga mungesa e nji udheheqje qe gezonte besim ne luften kunder okupatorit e
“ne kohen e duhun”, krijoi nji boshllek qe u mbush me aftesi nga propaganda komuniste. Metodat tradicionale te “rezistences nga nalt” pa pjesemarrjen aktive te masave te gjana popullore qe jane materiali i paperpunuem i revolucionit u treguen te paafta me mobilizue popullin ne nji levizje te fuqishme. Kohet kishin ndryshue. Thanja se nuk fitohen betejet e reja me arme te vjetra u tregue e vertete!. Per fatin tone te keq, prodhimi i ketij orientimi qe premtonte ““te nesermet plot kange” rezultoi te jete uluritja e kampeve dhe burgjeve te kudo-pranishme, dhe dnesat e mijera e mijera familjeve shqiptare te debueme me internim per “fajin” e prinderve dhe te gjyshave “reaksionare”. “Me ushtaret e ferrit nuk ndertohet parrizi!” (Kim Mehmeti) Nji çmenduni e institucionalizueme!
Dokumentet britanike te luftes tregojne se 90 perqind e ndihmave ushtarake nga aleatet anglo-amerikane gjate L2B jane perdorue kunder “anmiqve te brendshem”, forcave te rezistences anti-komuniste, me nji qellim te caktuem, marrjen e pushtetit. Direktivat e PKSH-se tregojne haptas se i gjithe pushteti duhej te mbetej ne duert e PKSH, dhe se kundershtaret duhet te “eliminohen pa meshire”. Ashtu ngjau, megjithese”lufta anti-fashiste….per te cilen u derdh gjak nga nje pjese e madhe njerezish te gjithe besimeve, te majte e te djathte, (ndaj) nuk mund te shperdorohet me vendime qe ngjajne te bukura ne siperfaqe dhe te boshta ne brendi”.(Ben Andoni) Na shtojme: te gjithe ata qe luftuen me arme ne dore pushtuesit italo-gjermane, kane ba detyren e tyne dhe gezojne mirenjohjen dhe respektin tone ma te thelle. Po ata nuk kane fitue asnji “privilegj”, aq ma pak “te drejten”(sic!) me ndertue diktaturen dhe me persekutue nji popullsi te tane per 45 vjet me rradhe….!
Ne 29 nandor 1944, Shqiperia ra ne duert e nji legjoni fanatikesh, pa eksperience qeveritare, dhe te prirun me ndertue, “me vrull revolucionar Shqiperine e re socialiste”. Per kete u konfiskuen te gjitha pasunite e klases tregetare (nji pjese e mire kaloi ne Jugosllavi!), u shpronesuen toket, çifliqet, dyqanet, u centralizue ekonomia, me plane skllaveruese ekonomike te perbashketa me Jugosllavine, u ba parifikimi i monedhes, u mbush administrata qendrore, ushtria e sidomos Sigurimi me “keshilltare jugosllave”,u eliminuen brutalisht elementet pro-perendimor, si dhe hierarkia fetare, sidomos ajo katolike, fortese e patriotizmit shqiptar. Me masat e pa shkolle- ma vone edhe pa buke!- “pushteti popullor” manovroi pa veshtiresi !
Nga aspekti i jashtem, Shqiperia e lidhun mbas qerreve jugosllave dhe sovietike politikisht dhe ekonomikisht, u vete-izolue. Praktikisht, ajo doli jashte nga historia, ku kishte hy me gjak e sakrifica gjate L2B. Per dekada me rradhe, ajo u ba nji sub-satelit jugoslav, nji satelit sovjetik, dhe nji aleate “e vogel” e Kines maoiste, dhe perfundoi ne krahet e paevitueshem te vorfenise dhe izolimit hermetik. “Pa Jugosllavine e Titos nuk mund te kete Shqiperi te lire!”(E.Hoxha).
Ne fakt, u trathetue gjaku i 2516 deshmoreve qe rane per liri! Sikur gjendja te kishte ndryshue ne vitin 1948 ose 1961, sot do te flitshim jo per “çlirim”, por per “okupacionin jugosllav te Shqiperise” dhe “okupacionin sovjetik te Shqiperise”, dhe per “qeverite kuislinge shqiptare”….!Akoma sot mbetet nji enigme fakti pse ata qe luftuen okupatorin italo-gjerman i dorezuen “shokeve” jugosllave dhe sovjetike, pavaresine dhe fatin e Shqiperise! Keshtu, 29 nandori 1944 perfundoi si 7 prilli i dyte, “7 prilli i kuq”…! Bashkepunimi ushtarak serbo-shqiptar ne masakrat e vellazenve dhe motrave shqiptare te Kosoves e transformoi “çlirimin e 29 Nandorit” ne nji tragjedi mbarekombetare! (Ne burgun e Burrelit, ku edhe vdiq, Profesor Gjergj Kokoshi, minister i arsimit ne qeverine e pare te E.Hoxhes perseriste: ”E çliruem Shqiperine me gjak dhe ia dorezuem Titos si dhurate”!)
Ma ne fund, komunizmi ne Shqiperi u transformue ne nji ideologji me karakter ushtarak, ku “pergatitja per lufte”(sic!) mori epersine mbi nevojet elementare te popullsise: bunkera e armatime para ushqimit, qumshtit te femijve, vendbanimit etj.
Perse? “Rreziku amerikan” imagjinar per Shqiperine. Ky “rrezik” nuk ka ekzistue asnji here; ajo qe frikesoi xhelatet komuniste ka qene mundesia e humbjes se pushtetit diktatorial, jo e Shqiperise. Sa e vertete? Nji dokument:
“Departmenti i Shtetit (Sekret) 1 shkurt 1962
Memorandum per Presidentin (Kennedy)
Subjekt: Rekomandime per nji qendrim politik ne lidhje me gjendjen ne Shqiperi.
“…………
i) me qene te pergatitun, ne baze urgjente, te adoptimit te masave qe do te bajshin te mundun dorezimin tek shqiptaret, -me ndermjetsine e nji pale te trete, jo direkt- nga ana e Shteteve te Bashkueme te materialeve te ndryshme per mbijetese, ne rast se Pekini tregon nji mungese vullneti me dhane mbeshtetjen e pershtatshme, dhe ne rast te nji krize serioze qe kercenon Shqiperine.
j) Keshillime te vazhdueshme me qeverite greke, italiane dhe jugosllave ne lidhje me situaten ne Shqiperi, dhe gjate keshillimeve me ba te qarte per te gjithe, shqetesimin me te cilin Shtetet e Bashkueme do te shikojshin çdo perpjekje nga ana e tyne per mosrespektim te politikes “duart larg” nga Shqiperia…. (Firmue: George Ball, Zev. Sekretari i Shtetit)”.(Ma vone, pavaresia se Kosoves (2008) dhe ndihma per anetarsim te Shqiperise ne NATO (2009) konfirmuen kete politike miqsore)
Ne vitet 1989, dhe 1990, sistemi komunist ne te gjithe Europen lindore u shemb si nji keshtjell prej karte. Me levizjen heroike te studenteve te 8 dhetorit 1990, Shqiperia theu zinxhiret e rregjimit te terrorit komunist; ajo u “çlirue!”. Ashte kjo rini heroike qe ktheu Shqiperine ne rrjedhet e historise, e perceptueme si marshimi triumfal i njerezimit drejt lirise se plote. Nji rini e edukueme ngrihet e revoltueme dhe shemb ndertesen e genjeshtres se madhe .“Nga revolta e studenteve kuptova se sistemi socialist tek ne ka deshtuar”(R.Alia). Rruga per bashkim me “boten e lire” ishte tashma e hapun. Mbetej vetem vullneti i pergjithshem per plotesimin e kesaj deshire. “Deshire” qe fatkeqsisht, edhe sot mbas 24 vitesh, mbetet vetem nji “deshire”.
Ka njiq ind opinione perse vendi yne nuk ka gjete akoma rolin e vet ne kete “bote te lire”; dhe te gjitha keto opinione permbajne nji te vertete pjesore. Por, e verteta e plote mbetet akoma e parevelueme ndershmenisht, kryesisht per arsye te mbeturinave toksike te indoktrinimeve politike te se kaluemes, te konfrontimeve irracionale te se tashmes, si dhe te nji etje te pashueme per “pushtet” -me çdo kusht!
Krijohet pershtypja se klasa e sotme politike ashte e pasherueshme nga “murtaja” e se kaluemes. Nomenklatura e komprometueme rande gjate viteve te “diktatures se proletariatit”, prirja me vjedhe pa turp dhe me iu adaptue atmosferes se korrupsionit te pakufi, ne saj te nji stili sundues diktatorial ku ligji shkelet me urdhen te sundimtarit, ashte akoma e gjalle. Aty ku ligji shuhet linde tirania. E kaluemja komuniste faktikisht nuk ka kalue!
Logjikisht mbetet me shpresue ne nji brezni te re, te rij dhe te reja, te pergatitun ne kondita te favorshme -mbrenda dhe jashte vendit-, brezni qe ka pervetesue idealet fisnike te lirise, drejtesise dhe ligjeshmenise, frymes se vellaznimit, dhe barazise per te gjithe pa dallim dhe pa perjashtim. Ketu due te theksoj perfshimjen e te rijvet e te rejavet te prindve ish-komuniste qe perbuzin te kaluemen tragjike; sepse denimi i femijve per fajin e prindeve ashte nji qendrim primitiv qe duhet shkelmue si mbeturine e diktatures (qendrim qe dermoi edhe familjen time!)
Sot, Shqiperia pa burgje dhe pa kampe internimi ashte atdheu i te gjitheve, jo ajo e genjeshtres, urrejtjes klasore, e terrorit te E.Hoxhes qe“…mbajti peng Shqiperine per 50 vjet, duke e perçare per te sunduar”(E. Rama) Dhashte Zoti, qe breznia e re, te rij dhe te reja shqiptare, te vendos pjesemarrjen koshiente ne ndertimin e Shqiperise. Situata e sotme kerkon kthesen e madhe!
Ajo qe na duhet sot ashte ndergjegjsimi i individeve vullnetmire qe nuk kerkojne fillimin e nji karriere, por dedikimin per nji kauze fisnike: sherbim per Shqiperi!
Ajo qe na duhet sot ashte nji levizje e gjane mbareqytetare sa ma koshiente e detyres saj, nji levizje individesh te dedikuem qe pranojne pergjegjsine qytetare si mision te jetes se tyne ne “shtet”, dhe premtojne ndertimin e nji “shteti” qe gezon respektin e te gjithe qytetareve. Larg nga ideologjite e hueja; larg nga imitimet e verbeta; larg nga udheheqjet karizmatike…. !
Ajo qe na duhet sot ashte ndryshimi i tonit moral te shoqenise shqiptare ne tranzicion, ku sjellja civile e çdo qytetari si individ i lire, dhe e shoqenise qe rilinde, ashte berthama e rindertimit moral, e ringjalljes politike, ekonomike, kulturore e shoqenore te vendit tone. Kjo berthame mund te jete vetem breznia e re, te rij e te reja shqiptare, te edukueme me fryme europiane, dhe koshiente te pergjegjsise para popullit shqiptar, dhe para botes qe na rrethon.…!Mendje te hapuna ne nji Shqiperi te lire!
Jemi ne prak te hymjes ne Bashkimin Europian. Europa ashte shtepia e jone. Nji brezni e ketill do te siguronte nji hymje te meritueme.
City University of New York
7 prill 2014
————————————————————————————————————-