Njëqind vjetori i shkollës shqipe të Dardhës/
Nga Fuat Memelli-Boston/
100 vjetori i shkollës shqipe të Dardhës, e cila u çel në vitin 1917, u përkujtua sivjet në muajin gusht në fshat. U shkrua dhe u fol për këtë ngjarje. Por , shumë dardharë që jetojnë në emigracion, e veçanërisht ata që jetojnë në Amerikë, nuk mundën të shkojnë në vendlindje në këtë përvjetor dhe u mbeti një peng.
Një “Dardhë e dytë” e emigrantëve të këtij fshati, është në qytetin Uster pranë Bostonit. (Sipas Sotir Panit, në këtë qytet ka 22 familje dardhare ndërsa në gjithë Amerikën, bëhen 60.) Këta dardharë të mbrujtur me shpirtin patriotik të të parëve të tyre, deshën ta përkujtojnë këtë ngjarje edhe këtu në Amerikë. Dhe e përkujtuan bukur!Ditën e shtunë datë 21 tetor, dardharë që jetojnë në Uster, në Boston e qytete të tjerë si dhe miq të tyre, u mblodhën në sallën e kishës “Shën Mëria” për të përkujtuar këtë ngjarje të shënuar. Shumë prej prej ish nxënësve të asaj shkolle, i ka mbuluar bora e viteve. Në sytë e tyre ndrit malli për shkollën e parë dhe vendlindjen që i kanë larg. Organizatorë të veprimtarisë ishin dardharët Vaskë Bruko, Klodi Melka dhe Franklin Zdruli. Vaska me një ligjërim të bukur, lexoi një përmbledhje të referatit kryesor të mbajtur në Dardhë në konferencën shkencore organizuar nga Bashkia e Korçës dhe Shoqëria Dardhare “Shpresa”. Shkurt dhe qartë, ai shpalosi fakte dhe ngjarje që nga hapja e shkollës e deri në ditët tona.
FRAGMENTE NGA HISTORIKU I SHKOLLËS
Kam përpara një mori informacionesh dhe fotosh për 100 vjetorin e shkollës shqipe të Dardhës. M’i dhanë ato organizatorët e takimit në Uster si dhe dardharë të tjerë që jetojnë në Shqipëri e nëpër botë. Më kishte folur Niko Balli, kryetar i Shoqërisë Dardhare “Shpresa, kur isha në muajin maj në Sinicë; më nisën plot të dhëna e fotografi edhe dardhari i përkushtuar, Arian Çika që jeton në Tiranë; dardharja Adriana Stefani, e cila me trup është në Kanada ndërsa me zemër në Dardhë; Sotir Pani, i cili jeton në Boston, por është një “muze i gjallë” për Dardhën e më gjerë. Më vlejtën gjithashtu shkrimet e postuara nga dardhari Kristaq Balli, i cili jeton sa në Dardhë e në Korçë e që bëri një punë të veçantë për muzeun e fshjatit, etj. Unë u mundova ta “sit” këtë bollëk materialesh dhe veçova vetëm disa fragmente prej tyre.
Në Dardhë ekzistonte një shkollë qysh në shekullin e XVIII ku mësimi jepej në gjuhën greke. Rrethanat e përshtatëshme për hapjen e shkolllës shqipe, u krijuan pas shpalljes së Republikës së Korçës në dhjetor 1916. Dardharët e Amerikës të Shoqërisë “Mbleta” në një mbledhje në vitin 1916, përcaktuan si të domosdoshme hapjen e shkollës shqipe në fshatin e tyre. Dardhari Leonidha Çika mori përsipër hapjen e saj. Në vitin 1916 ai kthehet në atdhe për të përmbushur këtë mision. Shkolla shqipe në Dardhë u hap në muajin shtator 1917 me nxënës djem dhe vajza. Një foto historike e Thimi Racit, e ka fiksuar këtë moment. Leonidha gjeti mbështetje nga dardharët e Amerikës si dhe nga patriotët shqiptarë të Korçës si Themistokli Gërmenji, etj. Shkolla e Dardhës përparoi nën kujdesin e dardharëve patriotë si Josif Pani, Kosta Isak, Thoma Zengo, Andrea Ktona, Spiro Konda, Thoma Nashi, Dr. Pandeli Gliozheni, Pero Ponari, Pandi Isak, Petro Laci, Misto Millona, Kosta Çeku, Ili Zdruli, Miti Kotepano, Adham Çeku, Kristo Ktona, Pandi Tollko, Thimi Vishnja, Misto Zengo, Petro Kotepano, Thimi Ktona, etj, që kapërxyen pengesat duke i dhënë prioritet arsimimit në gjuhën shqipe. Kosta Isaku, i shkruante Leonidhës nga Bostoni: “ Me përpjekjet e tërë shqiptarëve dhe me anën e miqve amerikanë, punët zunë të kthjellohen dhe dielli zuri të ndritë edhe për ne. Nata shkoi dhe dita nisi të shkrepë”.Leonidha e mësuesja e parë e vajzave, Julia Ndili (Tromara) e më pas Eftrepi Koçi, bënë çmos për përparimin e shkollës.
Një ngjarje e veçantë në rrugën 100 vjeçare te shkollës shqipe të Dardhës, është ajo e ndërtimit të godinës së saj të re, pasi mjedisi aktual ishte i papërshtatëshëm. Leonidha u shpjegoi situatën dardharëve të Amerikës. Shoqëria “Mbleta” me kryetar Kosta Isak dhe sekretar Thoma P. Zengo, vendosën të ndërtojnë një shkollë moderne. Ata zbrazën “qeset” e tyre me zënë e parë që u bëri Vllazëria “Mbleta”, dëgjuan zënë e çilimijve të Dardhës që dridheshin si purteka nga të ftohtit dhe dërguan 12.000 dollarë ndërsa Shoqria Dardhare “Bashkimi” e Bukureshtit, dërgoi 46.000 lei. U ngrit komisioni i përbërë nga figurat e shquara të Dardhës si Prof, Spiro Konda kryetar, Leonidha Çika sekretar dhe anëtarë Dr. Pandeli Gliozheni, Jasif Pani, Ilo Zdruli dhe Thoma Nashi. Pas një pune të madhe, shkolla përfundoi së ndërtuari në vitin 1924. Në përfundim të saj komisioni i shkruan Shoqrisë “Mbleta:”… Kush e vështron këtë monument, i mbeten sytë dhe mbetet pa gojë. Është një nuse me tel e rënë prej qielli. … Leonidha Çika, dimër e behar, natë e ditë, bëri një punë që nuk matet. Puna e tij është gjigande dhe e paçmuar”. Emigrantët dardharë kontribuan për shkollën e fshatit me urdhër të ndërgjegjes, pasi siç ka thënë Volteri :” Atdheu është vëndi ku rrobërohet shpirti”. Ndërtimi i shkollës së re në Dardhë, u pasqyrua nga gazeta “Shqiptari i Amerikës” dhe “Shqipëria e re “ në Kostancë të Rumanisë.
NJË TUFË LULE QË NUK U VENDOS…
Emri i cili u lakua më shumë në konferencën shkencore mbajtur në Dardhe si dhe në mbledhjen përkujtimore që u zhvillua në Uster, ishte ai i mësuesit të parë, Leonidha Çika. Hygoi ka thënë :” E ardhmja është në dorën e mësuesve”. Dhe mësuesi patriot Leonidha Çika, e bëri realitet këtë thënie. Nipi i Leonidhës, Arian Çika , krahas materialeve për rrugën 100 vjeçare të shkollës, më dërgoi plot të dhëna edhe për mësues Leonidhën. Ishte djali i Vangjel Çikës, i cili kishte mbaruar shkollë në Greqi dhe jepte mësim në ishullin Kos. Edhe Leonidha e bëri shkollën aty. Ai u rrit mes librave që kishte i jati. Veç greqishtes mësoi në mënyrë autodidakte edhe anglisht, turqisht e fërngjisht. Krahas kontributit për hapjen e shkollës shqipe, për ndërtimin e godinës së saj, ai është autor edhe i një pune të madhe për hartimin e një teksti aritmetike me 1249 faqe. Teksti ishte ruajtur me fanatizëm nga pasardhësit dhe u publikua në këtë përvjetor. Ai u përpoq të ecte në rrugën e Mësonjtores së Parë Shqipe të Korçës dhe modelit të shkollave amerikane.
Në vitin 1924, për shkak të mbështetjes fanoliste dhe ndikimit të elementëve antishqiptarë, Leonidha pushohet nga puna. Le familjen dhe nxënësit e niset për në Amerikë me një grup dardharësh. Në vitin 1932 kthehet në atdhe dhe qëndron deri në gjysmën e parë të vitit 1934. Niset për herë të tretë në Amerikë dhe pas 7 muajsh vështirësie pas një aksidenti në dorë, vdes i varfër në moshën 54 vjeçare. Ai u përcoll për në vorreza nga shokët e tij dardharë ndërsa shërbesa fetare u krye nga Fan Noli.
Kjo ishte në vija të trasha jeta dhe kontributi i tij. Por, në këtë përvjetor të shënuar të 100 vjetorit të shkollës shqipe të Dardhës, nuk u vendos dot një tufë lule te varri i tij. Dhe kjo pasi nuk i dihet varri. Kanë kaluar shumë vite, megjithatë mendoj se varri i tij duhet të ishte gjetur, jo vetëm në këtë përvjetor por edhe më parë. Në Amerikë ka patur e ka shumë dardharë. Në Shqipëri vepron Shoqëria Dardhare “Shpresa” ndërsa në Amerikë është Shoqëria Dardhare “Bleta”. Nëpërmjet këtyre shoqatave, nëpërmjet individëve të ndryshëm, duke bashkëpunuar edhe me Ambasadën Amerikane në Tiranë si dhe struktura të tjera në Amerikë, mund të gjendet. Është në nderin e Dardhës e të dardharëve ( dhe jo vetëm) që ta bëjnë këtë. Do të ishte një homazh për njeriun që i kushtoi mendjen dhe zemrën e tij kësaj shkolle.
DARDHARËT-MODEL I EMIGRACIONIT
Kam përpara plot përshëndetje të dërguara nga dardharët në këtë përvjetor të shënuar të shkollës shqipe të Dardhës. Edhe këtu po shkëpus vetëm disa copëza prej tyre.
Raimonda Çika (Gjiknuri), Filadelfia, mbesa e Leonidha Çikës
-Dardharët e Amerikës, fizikisht janë këtu por mendjen dhe shpirtin e kanë aty në Dardhën e magjishme. Ata janë bijtë dhe niprit e patriotëve dardharë që punuan fort këtu në Amerikë dhe kontribuan për Dardhën e Shqipërinë. Ata kujtojnë me respekt e mirënjohje mësuesin e parë Leonidha Çika dhe mësuesit e tjerë të Dardhës. Në vendlindje janë shtëpitë tona, është shkolla, janë gëzimet e hidhërimet.
Doc. Petrit Skënde, Uster
-Djemtë e këtij fshati kryen një vepër madhështore. Ata mblodhën dhe investuan një shumë të mdhe për kohën, që të ndërtohej një vepër e madhe në fshatin e lindjes. Këta djem fshati, pa universitete dhe jo të pasur, patën një shtysë shpirtërore , një ndjenjë fisnike që shihnin rrotull tyre në Amerikë e Rumani. Kjo gjë nuk lindi vetvetiu, por mbiu nga ajo traditë që ishin edukuar në fshatin e lindjes.
Bardhyl Panolli, San Diego-Kalifornia
-Ne dardharët krenohemi se shkolla jonë ishte ndër të parat që pasoi Mësonjtoren e Parë Shqipe të Korçës. Hapja e shkollës i mbylli dyert gjuhës greke që impononte Patriakana e Stambollit. Ka mbetur proverbiale përgjigja e pleqve dardharë ndaj një dhesppot greki cili porosiste që në Dardhë të mësohet vetëm greqisht: “Mirë hirësi të flasim greqisht, por si të bëjmë që ëndrat i shohim në shqip?!” Dardharët u bënë model i emigracionit. Ata u bënë ambasadorë të miqësisë kudo që ishin.
Artur Liolini , kancelar i kishës së Shën Gjergjit-Boston
Neka Doko, punonjëse e librarisë dhe Qendrës Kulturore “Fan Noli”
-Në këtë ditë të shënuar, kisha jonë kujton me nderim e respekt dardharët e ditur e patriotë , basahkëpunëtorë të ngushtë të Fan Nolit si Sotir Peci, Josif dhe Vasil Pani, Kosta Isak, Leonidha Çika, Ilo dhe Julia Tromara, Gaqo Konda(Gjoleka), Goni Katundi etj..Kujtojmë me nderim të paharruarën Rozi Çeku (Theohari) që ka lënë një pasuri të vlefëshme në Bibliotekën “Fan Noli”, ndërmjet të tjerave edhe për Dardhën.
Autori i shkrimit
-Fshati im, Sinica, e cila ndodhet pranë Dardhës, ka patur e ka lidhje të shumta me këtë fshat. Hapja e shkollës shqipe në Dardhë, rezatoi në fshtrat e Devollit të Sipërm e më gjërë. Pesë vjet pas saj, u hap shkolla shqipe në Sinicë ndërsa dhjetë vjet më vonë, u hap në Arzë. Dardha e dardharët, kanë reazatuar dije e kulturë jo vetëm në zonën tonë e në qarkun e Korçës por në gjithë Shqipërinë. Para dy vjetësh u ndërtua muzeu i Dardhës. Edhe në Sinicë ka nisur puna me rikonstruksionin e shkollës ku do ngrihet muzeu, punë e cila do të vazhdojë në të ardhmen
Prof. Thanas Gjika, Uster
-Ju sot treguat kujtime të bukura nga jeta 100 vjeçare e shkollës tuaj.Po kaq e këndëshme është të jesh i bashkuar edhe në një bashkësi me përmasa kobëtare siç është Federata Panshqiptare “Vatra”, tek e cila ka dardharë si Doc. Petrit Skënde, Franklin Zdruli, etj që i janë bashkuar degës sonë këtu në Uster. Ftoj edhe dardharë të tjerë të bëhën pjesë e saj.
Mbresa të bukura nga shkolla e Dardhës, sollën për pjesëmarrësit edhe ish nxënësit e shkollës së Dardhës, Petrika Stefani e Sotir Millona. Ata e dardharë të tjerë, përmëndën me dashuri e respekt një varg mësuesish që shërbyen në vazhdim në shkollën e Dardhës si: Sotir dhe Eftimi Niçi, Dhimitraq Kere, Sotir Vangjel Zengo, Mantho e Dhora Dono,Thoma Naço, Llazi Polena, Dhimitër Ziu, Rahmi Koçibelli, Jorgji Balli, Gaqo Balli, Vangjo Konda, Loreta Laço, Koli Skënde, Mihal Pani, Shadije Batelli dhe Donika Kere, të cilët përgatitën breza të tërë nxënësish që kontribuan në fusha të ndryshme të jetës në gjithë Shqipërinë.
VLERËSIME
Pas shfaqjes së filmit të bukur dokumentar për rrugën 100 vjeçare të shkollës së Dardhës, përgatitur nga TV “Korça”, moderator i veprimtarisë Vaskë Bruko, ndau disa çertifikata “Mirënjohje” dhe të tjera, për personat që kontribuan për 100 vjetorin e shkollës, dhënë nga Bashkia e Korçës dhe Shoqëria Dardhare”Shpresa”. Me çertifikata “Mirënjohje” u nderuan: Vangjo Konda, Shoqata “Bleta” Elvira Stefani, Stafi “Dardha org.”, Dhimitër Skënde, Sotir Millona. Me çertifikatë “Pjesëmarrje” u nderuan: Sotir Pani, Petrit Skënde, Adriana Stefani, Franklin Zdruli, Klodi Melka, dhe Kristi Pina.
Një foto kolektive e gjithë pjesëmarrësve para flamurit shqiptar dhe atij amerikan, mbylli veprimtarinë e zhvilluar në Uster, në “Dardhën e dytë” këtu në Amerikë. Ajo u filmua dhe fotografua nga Ardian Murraj, i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve në Uster.
Tetor, 2017