Nga Keze Kozeta Zylo/
Në Manhattan në mjediset e “Inside park at St Bart’s restaurant” komuniteti shqiptaro-amerikan mori pjesë në një koncert human me pjesëmarrjen e shumë artistëve për të qenë pranë dhe ndihmuar zonjën Liljana Qose në momentet më të vështira të jetës së saj, e cila është prekur nga sëmundja e gjirit. Shqiptarë, miq dhe dashamirës të shumtë të Lilit u mblodhën së bashku në koncertin human për të mbështetur familjen Qose. Mbrëmjen e ka hapur z.Deni Blloshmi së bashku me bashkëshorten e tij të cilët ishin dhe organizatorët e këtij koncerti. Zoti Blloshmi ka falënderuar pjesëmarresit dhe tha se të gjithë e dimë përse jemi mbledhur sonte këtu, pasi çdo njeri prej nesh me zemër dhe me mendje është pranë Lilit. Të gjitha kontributet tuaja do të jenë në shërbim të shërimit sa më të shpejtë të saj dhe njëkohësisht në ndihmë të familjes e cila po përballet çdo ditë me vështirësi të ndryshme.
Mbrëmja ka filluar me muzikë shqiptare interpretuar nga artistja e shquar Merita Halili shoqëruar nga mjeshtri i fizarmonikës z.Raif Hyseni dhe orkestra. Edhe pse momentet e para janë të vështira në kësi rastesh, Lili ka gjallëruar atmosferën duke thirrur gjithë miqtë që të vallëzojnë dhe këndojne së bashku. Shpirti artistik i saj nuk mund ta lerë të qetë kur dëgjon tinguj të bukur muzikorë që ajo të mos këndojë dhe vallëzojë. Pas vallëzimit në grup Lili ka qenë në krahët e bashkëshortit të saj z.Luan të cilin e tradhtonte ndonjë pikë loti, por kurajoja dhe buzëqeshja e Lilit bënin që loti i tij të humbiste, të fshihej thellë, pasi ai dhe gjithë shoqëria e saj janë të bindur se Zoti bashkudhëtaren e tij të dashur do ta shëroje sa më shpejt.
Çdo qenie humane që i thotë vehtes njeri tronditet kur dëgjon për ndodhira të dhimbshme, sëmundje të shërueshme dhe të pashërueshme apo tragjedira dhe me siguri kërkon që t’ju ndodhet pranë njerëzve në nevojë. Këtë ndjenë dhe artistët e shumtë që moren pjesë në këtë koncert gala në mbështetje të Lilit. Këngëtarët që debutuan në skenë me zërin e tyre të bukur ishin: Merita dhe Raif Hyseni, Gëzim Nika, Amarda Arkaxhiu, Indrit Mlika, Lindita Halimi, Dëshira dhe Arian Kerliu, Valentina Ajdari, Ledi Vokshi, Did Tezha, Sidola Vataj, Haxhi Dauti nën drejtimin e orkestrës Hermes.
Debutimi i tyre human në skenë të kujton eseistin dhe poetin e famshëm amerikan Ralf Waldo Emerson i cili thotë: “Hape një derë miqësore se e tillë do të vijë pas teje dhe mos u përpiq ta bësh universin një rrugicë të verbër”.
Koha, takimet dhe bisedat me Lilin kalonin shumë shpejt, por emocionante ishte kur Lili së bashku me artistin e mirënjohur Gezim Nika kanë kënduar: Shqipëri o Nëna ime”. Më vonë Lili ka përshëndetur nga skena të gjithë të pranishmit, artistët, organizatorët dhe në emër të familjes së saj ka shprehur mirënjohjen e pakufishme për kontributet e tyre dhe këtë mbrëmje të bukur që po kalonin, të cilën njëkohesisht e bënte atë të ndihej e gëzuar.
Në këtë mbrëmje nderoi me pjesëmarrjen e tij Ansambleisti shqiptaro-amerikan z.Mark Gjonaj i cili të befason me pjesëmarrjen e tij aq aktive në shumë aktivitete të rëndësishme të Komunitetit shqiptar. Zoti Gjonaj, Dr.Xhakli, znj.Qose pranë kamerave të TV Alba Life sensibilizuan gratë shqiptare si dhe të gjithë komunitetin që ta kontrollojne vehten tek mjeku vazhdimisht, pasi shëndeti është pjesa më e domosdoshme e jetës.
Zonja Qose duke qenë e prekur nga sëmundja e shekullit (breast cancer) tregoi përvojën e saj dhe ftoi të gjitha gratë të bëjnë analizat dhe mamogramën në kohën e duhur, pasi kapja e sëmundjes së gjirit në kohën e caktuar e bënë më të thjeshtë dhe më të shërueshme sëmundjen. Dy djemtë simpatikë të Lilit e shikonin në dritë të syrit mamanë e tyre të bukur dhe shprehnin mirënjohjen për pjesëmarrësit në këtë mbrëmje.
Ndërsa motra e Lilit e ardhur nga larg nga Italia ishte tepër e befasuar me miqtë e shumtë, ndërkohë ju kishte dërguar tekste motrave të tjera, të afërmëve të saj se ishte nje mrekulli që njerëz të shumtë i ndodheshin pranë në këto momente të vështira të jetës së saj.
Në fakt kur interviston njerëz që janë të sëmurë në momente të caktuara apo sheh lot në sytë e të afërmëve të tyre, jo rrallë e kam ndërprerë intervistën, çka të bën që për momentin se vazhdon dot. Megjithatë përballë tyre ne jemi njerëz dhe populli thotë se sëmundjet për njerëzit janë, por njëkohësisht të kujton dhe thënien e humanistes botërore, shenjtores shqiptare Nënë Terezës e cila shprehet: “Unë kam gjetur një paradoks që në qoftë se unë të dua deri në dhimbje, atëhere nuk është dhimbje, por është më shumë dashuri”.
Kjo dhimbje që është më shumë dashuri për njerëzit në nevojë, kishte pushtuar zemrat dhe mendjet e pjesëmarrësve që kishin ardhur në këtë koncert dhe mbrëmje humane për miken e tyre Lilin, aktivisten e dalluar, për të cilën të gjithë flisnin fjalë miradie.
Ata u ndanë me urim zemre duke i uruar me gjithë shpirt Lilit:
SHËRIM SA MË TË SHPEJTË!
21 dhjetor, 2013
Manhattan, New York