Ndërkohë, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava tha se BIK-u, do të jetë i angazhuar në dhënien e kontributit në luftimin e çfarëdo forme të radikalizmit fetar.
Tërnava është shprehur i bindur se të 20-të imamët e përzgjedhur do të ndihmojnë në deradikalizimin e të burgosurve pasi sipas tij radikalizmi dhe ekstremizmi fetar nuk kanë asnjë lidhje me Islamin.
Personat që u kthyen nga zonat e konfliktit u përballën me procese gjyqësore, dhe disa prej tyre tashmë janë duke vuajtur dënimet.
Ambasadori LU flet për luftën kundër terrorizmit
Ambasadori LU flet për luftën kundër terrorizmit në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes/
Pak ditë më parë në sallën e konferencave të Akademisë së Forcave tona të Armatosura, Ambasadori i SHBA-së, zoti Donald LU, zhvilloi një leksion me tematikë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Dëgjues të këtij leksioni ishin kursantët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në fjalën e tij zoti LU theksoi se, “rritja e kontigjenteve të të rekrutuarëve për tu bërë pjesë e grupeve dhe organizatave terroriste që veprojnë kryesisht në Siri, Irak, etj. është një shqetësim serioz. Ky numur ka qenë në rritje nga vendet ballkanike, kryesisht Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, etj. Rekrutimi i terroristëve ka baza ideologjike dhe ekonomike, e cila e bën më të vështirë luftën kundër tyre. Ndaj mbështetja dhe asistenca nga institucionet e sigurisë të SHBA do jetë e vazhdueshme, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe rajonin e më gjerë”, theksoi zoti LU. Ndërkohë nga pjesmarrësit u bënë pyetje të shumta, të cilave zoti LU ju përgjigj me qetësi e kompetencë. Në fund, Komandanti i Akademisë së Forcave tona të Armatosura, Kolonel Ruzhdi Kuci, i dha zotit Ambasador, Donald LU, certifikatën “Për kontributin në përformancën e zhvillimit të Kursit të lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes,{KLSM} si lektor nderi.”, si dhe një libër me përmbledhje të tematikave dhe leksioneve të zhvilluara në KLSM. {SH.K}.
Zgjimi i vonshëm i Kosovës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit
Autoritetet qeveritare thonë se Kosova ka arritur që për një periudhë të shkurtë kohore të shënojë rezultate të prekshme në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizimit.Ndërkohë, njohës nga fusha e sigurisë thonë se Kosova e filloi vonë luftën kundër esktermizmit dhe terrorizmit dhe se tani më shumë po merret me pasojat.Megjithatë, zyrtarët e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme theksojnë se për nëntë muaj asnjë qytetar nga Kosova nuk është evidentuar se u është bashkuar grupeve terroriste, në vatrat e luftës në Lindje të Mesme.
Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se rezultatet pozitive dhe rënia e interesimit të qytetarëve nga Kosova për të mos shkuar në Siri dhe Irak mund të jenë ndikuar nga disa faktorë.Si faktor kryesor, Miftari përmend miratimin e ligjit me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, si dhe Strategjia Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
“Kjo nuk nënkupton se ka përfunduar puna. Ne do të jemi të angazhuar që të zbatojmë strategjinë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkësinë Islame, me organizatat jo qeveritare, me komunitetin ndërkombëtar dhe me institucionet e tjera lokale e qendrore, në mënyrë që ta trajtojmë këtë fenomen dhe të jemi të gatshëm që të përballemi më pasojat e mundshme”, tha Miftari.
Skënder Perteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pajtohet se në muajt e fundit ka rënie të interesimit të qytetarëve nga Kosova për të shkuar në vatrat e luftës në Siri.Perteshi thotë se qytetarët në Kosovë e kanë kuptuar se shkuarja në Siri është një rrezik i madh.“Nëse në vitin 2012-13 shënohet numri më i madh i qytetarëve të Kosovës që kanë marrë pjesë në konflikt, në vitin 2014-15 ka filluar një rënie e këtij numri. Po ashtu, ka filluar edhe rënia e interesimit të qytetarëve për të marrë pjesë në luftë në Siri dhe Irak, për shumë faktorë.”
“Faktori i parë ka qenë që në vitet 2012 – 2013 ka qenë një mjegull e informacioneve se çka është duke ndodhur në Lindjen e Mesme dhe pse duhet shkuar për t’iu ndihmuar atyre në atë konflikt. E dyta është që në vitin 2014 në Kosovë filluan arrestimet e mëdha dhe kjo temë filloi të dsikutohet në diskursin publik dhe në media”, tha Perteshi.Analisti nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konsideron se institucionet kompetente duhet të bëjnë më shumë në parandalimin e kësaj dukurie, që sipas tij, vazhdon të jetë një sfidë dhe shqetësim i madh për Kosovën.
“Ne ende jemi duke u marrë me pasojat e ekstremizmit të dhunshëm. Ne jemi në hapat fillestarë. Pse po them me pasojat? Sepse gjithçka që po flitet është që ne po merremi me personat që kanë qenë në luftën e Sirisë dhe Irakut, po e dimë se kush janë dhe po merremi me arrestimet, me gjykimet e hetimet ndaj këtyre personave, mirëpo shumë pak është duke u bërë në terren. Të paktën për të parandaluar personat që mund të indoktrinohen prej kësaj ideologjie ekstreme”, tha Perteshi.Në Qeverinë e Kosovës thonë se, bashkë me faktorët e tjerë relevantë, po punojnë për zbatimin e strategjisë. Edon Miftari thekson se aktivitetet rreth zbatimit të strategjisë po zhvillohen me njerëzit që punojnë në arsim e edukim, si dhe me bashkësitë fetare në Kosovë.
“Puna jonë nuk ka përfunduar, mirëpo deri sot, krejt çka është bërë nga qeveria dhe nga institucionet e tjera relevante, vërehet në numër dhe statistika”, tha Miftari.
Përfaqësuesit nga shoqëria civile u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që lidhur me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm të ketë një bashkëpunim konkret mes Bashkësisë Islame , shoqërisë civile dhe nivelit qendror dhe atij lokal.
Në kuadër të luftimit të terrorizmit, Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës të mërkurën ka realizuar dy operacione, në lokacione të ndryshme të vendit, duke arrestuar dy persona nën dyshimet për rekrutim dhe financim të terrorizmit.
Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300.
Autoritetet e rendit në Kosovë kanë theksuar se janë duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.(Europa e lire, Arton Kunushevci)
Kosova, pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit
-Janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë/
-Komunikatë nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës/
PRISHTINË, 23 Nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur të hënën Këshillin e Sigurisë të Kosovës, ku u shqyrtua gjendja e sigurisë në vend, duke u ndërlidhur me rrezikun real terrorist, me të cilin po ballafaqohen vendet evropiane dhe më gjerë.
Kryeministri Mustafa theksoi se terrorizmi tashmë është një rrezik real për qytetarët e Evropës dhe më gjerë, duke kërkuar shtimin e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet e shtetit, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet, që të përballet me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar.
“Republika e Kosovës është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe ka përgjegjësitë e saj në këtë luftë të përbashkët. Ne do të vazhdojmë bashkëpunim e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të saj, si dhe me partnerët e tjerë, deri në dhënien fund, njëherë e përgjithmonë, të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe ideologjive ekstreme, të cilat po kërcënojnë jetën, sigurinë, mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat më humane të njerëzimit”, tha kryeministri Mustafa.
Duke iu referuar edhe konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian, lidhur me hapat në luftën kundër terrorizmit, kryeministri Mustafa theksoi se institucionet kompetente në Republikën së Kosovës, në bashkëpunim të afërt me partnerët, do të jenë plotësisht të angazhuara për adresimin e të gjitha çështjeve, ku mund të kontribuojnë, në këtë angazhim të përbashkët.
Përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë, të pranishëm në mbledhje, kanë bërë të ditur se janë rritur masat e sigurisë dhe gatishmëria operacionale, janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë.
Përfaqësuesit e organeve të rendit, theksuan edhe planet operative për mbikëqyrjen e personave apo grupeve të caktuara, shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar si dhe rritjen e shkëmbimit të informatave me partnerët, me qëllim të parandalimit të çdo lloj kërcënimi për sigurinë në vend.
Policia e Kosovës, po ashtu, i ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të rrisin vigjilencën dhe të shmangin, kurdo që kanë mundësi, sidomos vendet shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare dhe që të mos hezitojnë të telefonojnë për çdo shqetësim që mund të kenë në numrat e telefonit: nga celulari: 192 ose telefonia fikse: 92 apo në numrat 080019999 ose 038550999 , duke siguruar për reagim profesional dhe shumë të shpejtë, për çdo problem që ata mund të kenë.
QEVERIA E KOSOVËS SOT NË MBLEDHJEN E 60-të
PRISHTINË, 23 Nëntor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvillon sot pasdite mbledhjen e 60-të, të rregulltë.
Pas pak më shumë se dy javë bëhet një vit që nga zgjedhja e qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje. /b.j/
BABA MONDI NGJITET NE TOMORR, THIRRJE KUNDER TERRORIZMIT
Kryegjyshi boteror, Baba Mondi në malin e Tomorrit, Qëndroni larg të keqes dhe terrorizmit/
Mijëra besimtarë bektashinj kanë nisur pelegrinazhin drejt malit të Tomorrit, për t’u ndalur në vendin e shenjtë, në Majën e Kulmakut. Kryegjyshi botëror i bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, u lut për më shumë begati për shqiptarët dhe ata të qëndrojnë larg të keqes dhe terrorizmit. “Me frymën e mirësisë, dashurisë, për paqe bëjmë apel për mospajtim me të keqen, terrorizmin dhe çdo të keqe që ka njerëzimi. Dhe njëherë më lejoni tu uroj të gjithëve nga zemra qofshit të bekuar. Zoti ju bekoftë!”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Cdo vit besimtarët ngjiten në malin mbi 2400 metra mbi nivelin e detit, për të hedhur para dhe sende të tjera në varret e klerikëve Iljaz Dervishi dhe Abaz Aliu, emrin e të cilit mban kjo festë shekullore. Bektashinjtë besojnë se qëndrimi në këtë mal për tre ditë dhe lutja në vendet e shenjta, por edhe kryerja e të gjitha riteve që përfshin edhe bërjen kurban të një qingji apo deleje, sjell më shumë mbarësi në shtëpitë e tyre.