Nga Tonin Mirakaj/28 vjet më parë, pikërisht me datën 4 Tetor 1989, në ora 5 të mbrëmjes, i ndieri Dr. Ibrahim Rugova i shoqëruar nga prof. Engjell Sedaj, mbërritën në Kennedy aeroport, në New York, me linjën ajrore Jugosllave “Jat”, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Kshillit të Mirë”, për të qenë folës në Seminarin përkujtimor që ishte organizue me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdani.
Për arsye sigurie, nuk ishte lajmërue komuniteti për ardhjen e musafirve nga Kosova.Faktor tjetër ishte se komisioni përgatitor i Seminarit nuk kishte konfirmim të sigurtë për ardhjen e tyre, nga se komunikimet në atë kohë nuk ishin të lehta, nga situata e tensionuar politike në Kosovë.
Në aeroport për ti pritur, pa qenë të sigurtë për ardhjen e tyre, kishin dalur meshtarët e Kishës
të përndershmit Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj dhe kryetari i komisionit përgatitor të Seminarit Tonin Mirakaj.Linja ajrore nuk jepte asnjë informatë për ardhjen e tyre, pra duhej të prisnim apo dalin me turmën e pasagjerve nga “costums control”.Ipari qe i njohu nga larg, në fund të turmës ishte Dom Rroku.Erdhën u ndëgjue zëri i tij! Gëzim për ne që prisnim e natyrisht gëzim për profesorët, që më në fund arritën në Amerikë, për herë të parë!
Mbas përshëndetjeve, profesorët u interesuen për organinzimin e Seminarit, vendin ku do të mbahet si edhe a kishin mbërrijtë folësit e tjerë At Danieli, profesorët Pipa dhe Camaj? I njoftuem se vendi është “Fordham University”, dhe salla e Seminarit ka vend për më se njëmijë persona. Profesor Sedaj tha: Njëmijë persona nuk mund ti mbledhim në Prishtinë, e ju mendoni se do ti mblidhni ne New York? I njoftuem se At Danieli dhe profesor Pipa kishin mbërrijtë, dhe se Camaj nuk ka mund me ardhë, por ka dërgue ligjëratën e tij. Mbas këtyre bisedave u drejtuem tek makinat , nder to, ishte dhe një limuzinë e dërguar nga familja Biberaj, dhe u nisëm për në Beekman Towers në 49th rruge, avenuja e parë në Manhattan, ku ishte rezervue një suite për Rugova dhe Sedaj.
Kujtoj se nga dritaret e suites shihej për bukuri ndërtesa e OKB, e cila me pamjen e saj i mahniti profesorët. Dr. Rugova, mbasi ndezi një cigare“Marlboro”,e thithi 2-3 herë tha:Këtë ndërtesë,e kemi pa në fotografi,tani po e shohim nga afër, dhe vazhdoi: Aty në një të ardhme, ndoshta jo të largët do të zgjidhet problemi i Kosovës!
Mbas një pushimi të shkurtër në hotel, të gjithë u nisëm për në banesën e shkruesit të këtyre rreshtave, në Fifth Avenue në Manhattan, ku kalum një darkë të këndshme me mysafirët,klerikët dhe disa anëtar të komisionit pergatitor të Seminarit.
Të nesërmen,profesorët vizituan Kishën Katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” ku u pritën me shumë kënaqesi nga administratori Dom Rrok Mirdita, ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, djakon Marash Shkreli,kryetari i komisionit përgatitor të seminarit e të tjerë, ku u bisedue mbi gjendjen e komunitetit, mbi qendrat fetare si edhe organizatën Pan-Shqiptare“Vatra”.Gjatë bisedave, Rugova shprehi disa herë, konsideratën e tij për Federatën Vatra:- Ruejeni Vatrën se u duhet shqiptarve tha në një bisedë mbi këtë organizatë famëmadhe!
Lajmi se mbërritën profesorët nga Kosova u përhap shpejt, kryesisht me telefon, nga se në atë kohë nuk kishte e-mail, cell phones, face book e të tjera mjete komunikimi të shpejtë.Për të lajmërue aktivitete të ndryshme në komunitet kishte disa radio emisione në gjuhën Shqipë që transmetoheshin njëherë në javë. Këto ishin “Zëri i Atdheut” me folës Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj, “Zëri shqiptarve të lirë” me folës Nehat Bakalli dhe Ramadan Turdiu dhe “Revista radiofonike e shqiptarve të Amerikës” që drejtohej nga Zef Camaj.Këto radio e dhanë njoftimin se ku dhe kur mbahej seminari, si dhe njoftuan ardhjen e profesorëve.
Me ardhjen e profesor Ibrahim Rugovës dhe profesor Engjëll Sedaj, u plotsue programi me folës që në atë kohë ishin personalitete më të shquara të fesë,kulturës dhe letërsisë shqiptare.
Ishte e qartë për komisionin përgatitor,se mysafirët kosovar duhej ti ruanim me shumë kujdes nga rryma të ndryshme politike që përbënin komunitetin tonë, prandaj me dëshirën e tyre takime individuale u kufizuan, u njoftua disa si: Imam Isa Hoxha, Prof. Sami Repishti, vëllezërit Bytyçi, At Daniel Gjeçaj, profesor Arshi Pipa dhe anëtarët e komisionit.I pyetur për situatën në Kosovë, Rugova u përgjegj shkurt: Kemi ardhë të ftuar nga Kisha Katolike për të përkujtue një klerik dhe shkrimtar që ka vdekë 300 vjet më parë.Do kthehemi me datën 14 tetor në Kosovë.Nuk kemi ndërmend të përzihemi në punë të tjera!
Dita e dytë u kalue në shëtitje në Manhattan, dhe në mbrëmje u shtrue darkë në “Amici Restaurant”, ku morën pjesë klerikët, profesorët dhe anëtarë të komisionit, si dhe Agim Fetahu, ish gazetar i “Rilindjes” në Kosovë.
Ditën e Seminarit, në ora 10 të mëngjesit, salla e Universitetit u gjet e mbushur plot me bashkatdhëtarë, shumë të ardhur nga NY, NJ dhe CT.
Pas lutjes fetare dhe hymneve kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, kryetari i komisionit paraqiti drejtuesin e Seminarit të Përndershmin Dom Rrok Mirdita.Ky, mbas një përshëndetje të shkurtë, paraqiti audiencës folësit me radhë simbas programit.Kur u përmend emri i Ibrahim Rugovës, salla ushtoj nga
duartrokitje frenetike për disa minuta.Ky rast bëri të kjartë se Rugova kishte mbështetje nga shqiptarët e Amerikës.
Në program, ishte i treti, mbas At Danielit dhe profesor Pipës. Ndërsa flisnin këta të dy, Rugova kërkoj letër, ku përgatiti përshëndetjen e tij përpara temës së pregatitur që ishte: “Historia Shqiptare në veprën e Bogdanit”.
Pritja që ju bë diferent prej të tjerve, mund ti sillte rrezik mbas kthimit në Kosovë, prandaj më shumë kujdes, përgatiti “përshëndetjen që vijon”:
Zonja dhe zotërinj të nderuar!
Më lejoni që në fillim të përshëndes kishën katolike shqiptare të New York-ut, që mori kët hap të shënoj me kët Seminar 300 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falenderojmë nga zemra për ftesën, që na të dy studiues nga Kosova të japim ndihmesën tonë në kët drejtim.
Po ashtu më lejoni të them edhe dy a tri fjalë të tjera. Nisma e kishës katolike shqiptare të shënoj kët jubile, është një nismë e mirë, që të filloj një traditë bashkëpunimi midis shqiptarve në SH.B.A. dhe shqiptarve në Jugosllavi.Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur vazhdon traditën e Vatrës shqiptare të Bostonit, e cila me decenie veproj në planin kulturor e kombëtar.
Shqiptarët, duhet dhe mund të bashkëpunojnë dhe njihen më shumë ndërveti kudo qofshin në botë, duke u lidhur me trojet autoktone dhe pa marrë parasysh sistemet ku jetojnë si edhe bindjet e tyre politike,konfensionale e sociale, ashtu si e kërkon bota e sotme.Shqiptarët sot, kanë nisur të hapin më shumë dialogun midis tyre dhe me të tjerët, sepse kështu do të forcojnë identitetin e tyre dhe do të shpejtojnë inkuadrimin e tyre si subjekt, në proceset e botës moderne.
Kolegu Sedaj dhe unë, ju përshëndesim të gjithve, që keni gjetur kohë të jemi sëbashku, për të nderuar kët fytyrë të madhe të kulturës dhe historisë së Shqipërisë.
Pas pershendetjes së duartrokitur, Rugova paraqiti temën e seminarit.
Seminari pati sukses shumë më të madh si ishte paraparë nga organizuesit. Pjesëmarrja e më shumë se 1000 bashkatdhëtarve, i dha përmasa të një veprimtarie masive kultuore kombëtare. Shtypi i mërgatës, radio, e paraqitën me madhështi suksesin. “Atdheu” botoi nje artikull nga Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj me titull:”Madhështia e një Seminari”. Radiot komentuan edhe mbi rëndësinë e ardhjes së profesorëve kosovarë në Amerikë.Eshtë fakt se profesor Ibrahim Rugova u inkuraju nga pritja që ju bë, për aktivitete diplomatike dhe politike, që ndërmori mbas kthimit në Kosovë,të cilat më pas sollën rezultate me përmasa historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.
Në mbrëmjen e datës 7 tetor, komisioni i seminarit shtroi darke në nder të ligjëruesve, në Eastwood Manor,ku pati një pjesëmarrje prej më se 700 persona.Në darkë fjalimet u kufizuen me përshëndetje të shkurta, dhe praqitje të mysafirve të nderit.Gjatë darkës pati një program të pasur argetues.Rozofati,luejti vallen e “Rugovës”,që u pëlqeu shumë mysafirëve.
Darka u kryesue nga kryetari i komisionit.
Profesorët kosovarë udhtuen në Washington DC, të shoqëruar nga antari i komisionit Simon Simolacaj.Atje kaluen dy ditë te miku i tyre Fran Shkreli dhe familja e tij. U takuan me Elez Biberaj.Frani dhe Elezi ishin zyrtarë të departamentit të shtetit, me detyra në VOA. Mbas kthimit nga Washingtoni, koha u kalue në shetitje në New York, në shoqërinë e një grupi të vogel miqësh, kryesisht Dom Rroku, Dom Pjetër Popaj, Djakon Marash Shkreli, antarët e komisionit dhe vëllezërit Bytyqi.
Ditën e fundit të vizitës tyre në Amerikë, ndërsa po pregatiteshin për udhëtim, Rugova dhe Sedaj kërkuen me i dërgue në një dyqan, ku mund të blinin ndonjë dhuratë për bashkëshortet e tyre.
Kërkuen ti shoqëroj bashkeshortja ime Miliana,e cila kishte fillue të pregatisë drekën.Lëre drekën kur të kthehemi, tha Rugova. Në atë kohë në banesën tonë erdhi Sabit Bytyqi.I treguam për kërkesën e mysafirëve.-Shkoni,- tha Sabiti, drekën e pregatis unë! Kënaqësi për të gjith.Ashtu u bë. Vendosëm me shkue në Stern’s Dept. Store, në Rt 4, New Jersey, ku kishin mundësi me ble gjërat që dëshironin,me ndihmën e Milianës.Ndërsa po kalonin urën për në New Jersey, Rugova pyeti: Si quhet kjo urë? Kjo është “George Washington Bridge”, u përgjigjëm. George Washington përsëriti ai…. Per një George ka nevojë Kosova! Të gjithë qeshëm.Ndoshta nuk na shkoi në mend se George Washington i Kosovës ishte aty, me ne, IBRAHIM RUGOVA!
Mbasi i blenë gjërat që dëshironin, u kthyem. Sabiti kishte prëgatitë drekën, sigurisht në mënyrë profesionale, ashtu si në restaurantin e tij “Minetta”.Mbas dreke, u nisëm për në Kennedy aeroport.Aty kishin dalë me i përcjellë mysafirët, klerikët Dom Rrok Mirdita, Dom Pjeter Popaj, djakon Marash Shkreli,të gjith antarët e komisionit të Seminarit Imzot Pjetër Bogdanit, Zef Camaj e ndonjë tjetër. Profesor Ibrahim Rugova u kthye i bindur se Kosova ka miq në Amerikë.Kjo u provue nga ngjarje që pasuen deri në pavarësinë e Kosovës.
Scarsdale, 15/Shtator/2017
Shënim:
Ligjëratat e mbajtura në Seminar gjinden të botuara në librin“Imzot Pjetër Bogdani në New York”, botues Tonin Mirakaj.Mund të porositen në zyrën e Vatrës dhe pranë kishës Zoja e Shkodrës.