Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar një njohje të re nga një vend evropian. Duke folur për emisionin Debat të RTK-së, Hoxhaj ka thënë se nga pesë vendet e BE-së, njëri prej këtyre vendeve në gjysmën e dytë të këtij viti do ta marr vendimin për njohje.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në politikën e jashtme, Hoxhaj ka thënë se Kosova tashmë ka aplikuar në disa organizata ndërkombëtare, dhe emrat e tyre do të bëhen së shpejti, por pasi të përfundojnë të gjitha procedurat.
Arsyeja pse Ministria vepron kësisoj në politikën e jashtme është për shkak të kundër fushatës që mund ta ndërmerr Serbia dhe gjithçka organizohet në mënyrë sa më konfidenciale.
Shefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj ka folur edhe për raportet e shtetit me fetë.
Ai ka thënë se Kosova me gjithë sfidat e pas pavarësisë ka arritur të ruaj dhe forcoj karakterin sekular të shoqërisë dhe se është shtet laik.
Duke folur në emisionin Debat të RTK-së, Hoxhaj ka thënë se me qindra vite shoqëria ka qenë tolerante dhe kjo është një vlerë që e ruan edhe sot dhe kombi çdo herë është vendosur mbi fenë.
Duke iu përgjigjur zhvillimeve të fundit, Hoxhaj ka thënë se tashmë çështja e themelimit të gjykatës speciale është drejt formësimit dhe këtë javë Kuvendi i Kosovës do të duhej të votonte. E ka quajtur sfidë të vështirë në një plan afatshkurtër, por jo edhe planin afatgjatë.
“Në planin afatshkurtër do të ketë ndikim në imazhin e Kosovës por në aspektin afatgjatë jo. Vetëm ta marrim shembullin kur është publikuar raporti i Dick Martyt në vitin 2010 ku është thënë se nuk do të ketë njohje, por Kosova është njohur nga 31 shtete që nga ajo kohë. Apo do të bllokohet anëtarësimi në organizata, e në fakt Kosova është anëtarësuar në EBRD. Ngjashëm do të ndodh edhe me gjykatën në planin afatgjatë ku Kosova do të dal më e forcuar”, ka thënë Hoxhaj