• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Propozim juridik ne dobi te shtetit te se drejtes dhe qytetareve

August 3, 2021 by s p

Nga Gezim Allaraj*

SPAK-u nuk do t’i beje ndonje dobi shtetit nese nuk materializohet ne ligj parimi i shperblimit te demit shteteror. Ndersa qytetaret e vendit tone , ambasadoret perendimor ne Shqiperi dhe shtetet antare te BE-se kerkojne transparence  dhe sukses te reformes ne drejtesi per juristet praktikant te ligjit nuk ka asgje misterioze dhe te pakapshme por perkundrazi. Profesionistet e kesaj lemie jane ne gjendje te dallojne plotesisht propoganden nga e verteta ,manipulimin nga parimet, qellimin, misionin dhe detyrat e organeve te drejtesise ne lidhje me subjektet e se drejtes ne kete sistem juridiko-politik dhe jo vetem kaq.Pamvaresisht para,gjate apo pas reformes  interesat ,te drejtat dhe detyrimet jane po ato pra kemi interesin shteteror, publik dhe privat te nderlidhura me njeri -tjetrin. Per te mos iu larguar  qellimit te ketij artikulli menjehere do te parashtroj pyetjen : a eshte SPAK-u dhe GJKKO-ja ne gjendje te mbrojne interesin shteteror dhe publik me aksionet e mjetet ligjore te deritanishme ,qe eshte ne kufijte e teorise dhe praktikes para reformiste dhe asgje s’ka ndryshuar,pra pa patur bazueshmeri juridike?Institucionet e Drejtesise nuk mund te sherbejne as per propogande ,as per imazh dhe as per aksion politik qellimi dhe detyrimi i tyre eshte venia e Drejtesise ne vend . Veprimet e shtuara te SPAK-ut kohet e fundit duken si energji e re apo eshte shtuar korrupsioni shteteror?Kjo kerkon pergjigje te bazuar ne te dhena empirike dhe statistikore per numrin e procedimeve dhe llojin e tyre me studim krahasimin e te dhenave por a nuk jane zyrtaret e larte te ekzekutivit qe e pranojne se ka abuzime masive ne sektorin e tenderimeve e si pasoje shtetit i eshte shkaktuar dem nga variabla e caktimit te ofertave, dhe jo vetem. Mirepo  edhe kur prokuroria ka filluar procedimin penal ndonese kerkon denimin e fajtorit e i ben dhe sekuestrime por vetem cfare i gjen nuk e ka tagrin te kerkoj zevendesim e demit qe i eshte shkaktuar shtetit. Keshtu neni 58 i KPrP ka garantuar te demtuarin akuzues(viktimen) te kerkoje ndeshkimin e fajtorit por dhe shperblimin e demit,e kjo praktikohet ne gjykate por kjo gje nuk eshte e garantuar dhe nuk praktikohet per demin shkaktuar shtetit nga veprimaria e zyrtareve. Ne ndryshim nga viktima akuzuese  prokuroria si perfaqesuese e shtetit (neni 148/1 KUSHTETUES: “prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe perfaqeson akuzen ne gjyq ne emer te shtetit “) ben sekuestrime por vetem cfare i gjen subjektit dhe nuk e ka tagrin per te kerkuar zevendesimin e demit qe menjehere kuptohet se ka mosperputhje .Por a ka zyrtar qe rriskojne dhe te denohen ( kuptohet si jane denimet ketu arrest shtepie dhe denim me prove kete po aplikon SPAK-u me se shumti)ne favor te perfitimeve te medha? Plot sa te duash ne nje shoqeri te tille.Plot zyrtare pas denimit rezultojne biznesmen te suksesshem.Po nga e moren pasurine? Nga demtimi i shtetit kryesisht.KLSH nga e saj ben raporte periodike mbi demin shteteror ku faktet jane te plote dhe te sakta mbi abuzimet e bera nga zyrtaret, por nuk e ka gjithashtu kompetencen ligjore te kerkoj zevendesimin e demit por i ben publike ben kallezime dhe jep rekomandime. Pra del e qarte se duhet materializuar ne ligj parimi i shperblimit te demit dhe per interesin shteteror per zevendesimin (kompensimin,shperblimin) e demit shteteror ne masen e vleren e shkaktuar dhe te mos mjaftohet me denimin dhe sekuestrimin faktik. Per kete duhet te themelohet urgjent Agjensia Shteterore e Zevendesimit te Demit si institucion me vete prane KLSH-se ose SPAK-ut pra e pavarur nga  ekzekutivi i cili te mos kete asnje ndikim ne formatimin dhe punen e saj si shkaktari kryesor i demit shteteror. Le te ikim nga tranzicioni qe: pakica plackit shumicen nepermjet shtetit , le te hyjme ne demokraci ku askush nuk plackit askend.                                                                                   

*Kryetar i Unionit te Juristeve te Pavarur te Shqiperise.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Allaraj, Kushtetuta

Kosova Rapublikë me Kushtetutë para 30 viteve drejt Pavarësisë

September 7, 2020 by dgreca

 -Kosova para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992

 -Në Kuvendin e Kosovës sot në një ceremoni solemne u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
-Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2020/  Para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990, në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, për median kosovare – Kohën, Ramajli tha se ndonëse për shkak të rrethanave, Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, por ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 12 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 12 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda dymbëdhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në Kuvendin e Kosovës sot u shënua 7 Shtatori, respektivisht 30 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut.

Në këtë solemnitet morën pjesë delegatë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë shpallur Kushtetutën e Kaçanikut në 7 Shtator të vitit 1990.

Në ceremoninë solemne në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

PRESIDENTI THAÇI: NGJARJET E 2 KORRIKUT DHE 7 SHTATORIT 1990, AKTE TË GUXIMSHME TË DELEGATËVE SHQIPTARË

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shkruan:

Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor. I tillë ishte edhe vullneti i përfaqësuesve politikë. Ngjarjet e 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.

Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.

Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet.

KRYEMINISTRI HOTI: TRI DEKADA NGA MIRATIMI I KUSHTETUTËS SË KAÇANIKUT

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti  shkruan:

Më 7 Shtator të vitit 1990, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, akt ky që erdhi si rezultat i shpalljes se Deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut të po atij viti.

Këto dy akte dhe sakrifica e pamohueshme e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Megjithëse nën presionin dhe kërcënimin e tytave të armëve, Kushtetuta e Kaçanikut u votua me shumicë votash nga delegatët e Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilëve jemi përherë mirënjohës.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës

Filed Under: Featured Tagged With: 2 korrik 1990, Behlul Jashari, Kushtetuta

Kushtetuta

July 30, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja-

Nëse ndalon një shqiptar në rrugë dhe e pyet rreth ndryshimeve në kushtetutën e vendit, nëse është i majtë do të thotë menjëherë që, po, duhet. Dhe kjo kuptohet nga që po e kërkon dhe po e bën Edi Rama. E nëse është i djathtë, menjëherë jo, nuk duhen. Dhe kjo nënkupton faktin që po e kundërshton opozita. Megjithëse të jemi të qartë, në këtë rast opozita po e kundërshton parimisht nga mos’dakortësia në këshillin politik për hapjen 100% të listave dhe absurdit të kufirit në lidhje me koalicionet. Se kushtetuta në vetvete nuk është tabu, ajo mund të preket veç me shumicë të dakortësuar, ose më perfektja referendum. Nga 1991 deri më 1998, pas anulimit të kushtetutës së partisë së punës, Shqipëria operoi me dispozita kushtetuese, ku vendi shkoi edhe në një referendum popullor për forcimin e pozitave të presidentit. Asokohe Sali Berisha. Qe një humbje katastrofike përmes një pjesëmarrje të lartë në votime, megjithatë Berisha ia kërkoi këtë popullit, jo parlamentit. Nëse do kishte vepruar ashtu, sot do kishim një Llukashenko albanez në krye të Presidencës, pra vet shkop e vet zot. Në u bëm me kushtetutë konsensuale në tetor 1998, me votë popullore dhe pjesëmarrje gati historike afro 93%. Dhe po t’i referohesh historisë sonë të re, kjo kushtetutë e miratuar në tetor 1998, prapë është prekur disa herë. Jo vetëm për rolin e KQZ-ës, por edhe numrin e anëtarëve. Eshtë prekur për mandatet kohore të kryebashkiakëve, nga 3 në 4 vjet. Eshtë prekur për zgjedhjen e presidentit, për të rrëzuar shifrën magjike prej 84 votash. Pasi të gjithëve u kujtohet ngërçi presidencial, sa herë afrohej dita e zgjedhjes së presidentit në parlament, vendi shkonte në krizë politike. Pra shifra magjike 84 u hoq, kësisoj presidenti mund të zgjidhej fët e fët, mjafton edhe 1 votë më shumë se kundërshtari. Kjo fuqizonte kompetencat e kryeministrit, madje i jepte atij pushtet deri në shkarkimin e presidentit. Qenë ato ndryshime kur Ilir Meta fluturoi mbi tavolina duke iu hakërryer Jozefina Topallit, mirëpo konsensusi PD-PS apo Berisha Rama qe arritur. U prek edhe për sistemin zgjedhor miks, këtë që po vuajnë sot shqiptarët, që i dha mundësinë e tepsisë Edi Ramës, por që qytetarët kurrë nuk e kuptuan. Aq sa edhe sot ka një konfuzion sa listat e hapura konceptohet si shpëtim nga bota e krimit. Në fakt është një thikë me dy presa, duke i dhënë mundësinë edhe blogerëve, apo trendit në modën e listave ta shfrytëzojnë deri në pikën e fundit anarshinë kombëtare. Gjithsesi është koha ajo që do e dëshmojë dhe ndofta Shqipërisë i duhet të kaloj mes kësaj xhungle politike. Është prekur rishtas për KQZ-ën. Është prekur me presionin e botës, kjo qe prekja në dukje në nerv, e vitit 2012, ajo e heqjes së imunitetit. Ky privilegj absurd që e mbante larg politikanin shqiptar përpara ligjit. Pjesa e shëndetshme e shoqërisë gjykoi se më në fund do fillonte era e demokracisë së vërtetë, por koha vërtetoi se drejtësia kishte vdekur. Nuk ishte vetëm imuniteti, por edhe drejtësia 99% e korruptuar, balanca jetike për funksionimin e shtetit demokratik. Kësisoj po me presionin e botës, kushtetuta u prek rishtas, korrik 2016 kësaj here për reformën në drejtësi, por me konsensus palësh. Një reformë që sot e 4 vjet e ka futur Shqipërinë jo vetëm në krizë politike, por stanjacion, pa institucione funksionale aq sa një shtetar mund të vrasi e të pres si të dojë dhe në emër të ligjit. Dhe kjo jo për faj të botës, jo për faj të reformës, por kulisave të politikës dhe atyre që janë këmbë e kokë fytyra të varfërisë së shqiptarëve të lodhur që shohin liderët e forcave si baballarët e kombit. Megjithatë po ta vini re nga 1998-ta e deri sot, ndryshimet që janë bërë me referendum popullor, u minimizuan në konsensus forcash politike, deri sot në veton e një individi dhe ca deputetëve listash, produktit të dështimit tonë. Mund të fitoj kushdo, por asesi shqiptarët. Afërmendsh nuk ke si fiton kur nuk voton.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Kushtetuta

Kosova 12 vjet me Kushtetutë, e njohur ndërkombëtarisht

April 9, 2020 by dgreca

-Kosova sot shënon Ditën e Kushtetutës, në 21 vjet liri e 12 pavarësi/

-“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”/

-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

-Përfaqësues institucionalë e politikë urojnë Ditën e Kushtetutës së Kosovës shtet/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari…

PRISHTINË, 9 Prill 2020/ Kosova në 21 vjet liri e 12 pavarësi Shënon sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

 “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik. “Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë atëherë, në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene. “Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai. Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 12 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 31 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti Hashim Thaçi.

Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…

PRESIDENTI THAÇI: URIMET MË TË MIRA NË DITËN E KUSHTETUTËS!

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Ditën e Kushtetutës me këtë mesazh:

 Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për shtetin tonë, krahas njohjeve ndërkombëtare që erdhën nga demokracitë më të zhvilluara të botës.
Kushtetuta e Kosovës, që shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri.
Gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet më të mira në Ditën e Kushtetutës!

KRYEMINISTRI NË DETYRË, KURTI: KUSHTETUTSHMËRIA ËSHTË VLERË QË DUHET RESPEKTUAR PËRDITË

 Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Ditën e Kushtetutës ka shkruar:Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.

Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit.

KRYEPARLAMENARJA OSMANI: KUSHTETUTA E KOSOVËS, RRUMBULLAKËSIM I PËRPJEKJEVE PËR SHTETIN

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando.

Kryetarja Osmani ia ka prezantuar ambasadorit Orlando kopjen origjinale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe e ka njoftuar atë me procesin e hartimit të aktit më të lartë juridik shtetëror, duke falënderuar për kontributin anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.(Lexoje te plote ne dielli online www.gazetadielli.com)

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është jo vetëm akti më i lartë juridik i shtetit. Ajo njëkohësisht ngërthen përpjekjet e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit”, është shprehur Osmani.

Ndërsa ambasadori Orlando ka përgëzuar kryetaren Osmani për Ditën e Kushtetutës.

Me ambasadorin Orlando, zonja Osmani diskutoi edhe për masat që po ndërmerren nga institucionet kosovare në përballje me pandeminë globale Covid-19 si dhe përgjegjësitë e Kuvendi të Kosovës për menaxhimin e kësaj situatë, mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 

LDK: KRYETARI MUSTAFA URON DITËN E KUSHTETUTËS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

  Me rastin e 12 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa dërgon këtë telegram urimi:

 “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 Sot, bëhen 12 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ditë shënon një ndër momentet më të rëndësishme të shtetit dekomratik të Kosovës. Kushtetuta është akti më i lartë juridik që vuri themelet e ndërtimit, funksionimit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës, ku përcaktohen dhe mbrohen vlerat themelore të vendit.

 Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është çelësi themelor dhe garancë mbi të cilin mbështetet funksionimi i institucioneve vitale. 

Kushtetuta është akti më i lartë politik dhe juridik i vendit tonë, garantues i të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve. Më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit. Ky dokument i dha jetë pavarësisë së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është akti më sublim, i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra që punuan dhe u flijuan.

Shteti i së drejtës duhet të jetë mision për të gjithë ne, dhe realizimin e këtij definicioni duhet ta mundësojmë të gjithë bashkërisht që të kemi një shtet demokatik dhe të përparuar. Institucionet tona duhet çdo ditë të punojnë konfrom neneve të kësaj kushtetute në mënyrë që ta kemi një shtet modern, model të cilin e kemi synuar.

Urime Dita e Kushtetutës të Republikës së Kosovës”.

PDK-VESELI: 12 VITE MË PARË, NJË MOMENT I RËNDËSISHËM HISTORIK PËR KOSOVËN

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:

Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë. Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik.

Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

AAK-HARADINAJ: DOKUMENTI MË KULMOR I LIRISË, SHTETËSISË…

 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan:

Më 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik Kushtetutën e saj. Duke uruar të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, kujtojmë sakrificat e popullit të Kosovës ndër dekada për të pasur dokumentin më kulmor të lirisë, shtetësisë, demokracisë dhe integritetit territorial. Ky bazament ligjor ka garantuar lirinë tonë dhe funksionimin e demokracisë, andaj mbështetja në normat e saj është siguria më e madhe për të gjithë ne.

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Kushtetuta

VATRA, MARRDHËNIET ME DEGËT SIPAS KUSHTETUTËS

July 12, 2017 by dgreca

*Nyjë 53- Cdo degë mund t’I shtrojë këshilla dhe qarje(ankesa) Komisionit, por s’ka të drejtë të kërkojë botimin e cdo gjëje që dërgon në qendër./

*Një Degë s’ka të drejtë në mes të motit të qortojë ose të frikësojë Kryetarin ose Komisionin(në ditët e sotme Kryesinë) me artikuj, mbledhje, rezoluta ose qarkore./Kushtetuta

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” funksionon sipas Kushtetutës së saj(Kanunores). Nën respektimin e diktuar nga Kushtetuta rregullohen edhe marrdhëniet mes degëve dhe qendrës.
Në kapitullin”Marrdhëniet e Qendrës me degët”, Nyjë 52 saktësohet se :Cdo degë duhet t’i bindet qendrës gjer në Kuvend. Një Degë s’ka të drejtë në mes të motit të qortojë ose të frikësojë Kryetarin ose Komisionin(në ditët e sotme Kryesinë) me artikuj, mbledhje, rezoluta ose qarkore.
Nyjë 53- Cdo degë mund t’i shtrojë këshilla dhe qarje(ankesa) Komisionit, por s’ka të drejtë të kërkojë botimin e cdo gjëje që dërgon në qendër.
Nyjë 54- Raportet e mbledhjeve të degëve botohen në organin e Vatrës(Gazeta Dielli), por raportet s’duhet të kenë frymë polemike, as duhet të kenë qëllimin të goditin tërthori vendimet e Kuvendit.
Nyjë 55- Qendra mban kontaktin me degët me anë të Buletinit zyrtar botuar në Gazetën “Dielli” dhe me anë qarkoresh.

Shënim: Kushtetuta e Vatrës është dokumenti më i vjetër ligjor i hartuar nga nje prej avokatët më të zëshëm amerikan në Prill 1912 nën përkujdesjen e Faik Konicës dhe Kostë Cekrezit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Kushtetuta, marrdheniet me deget, Vatra

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT