NGA DALIP GRECA-*
Shkoi të pushojë atdhetari i përkushtuar Lek Gojçaj. Shqiptaro-amerikanët ia dhanë të gjithë respektin që meritonte. Kisha po ashtu. Po shtetet shqiptare sa e vlerësuan? Njeriu që së bashku me vëlla, sponsorizoi dhe vendosi shtatoret e Shënjtëreshësh Nënës TEREZË në Trojet Shqiptare,njeriu që dhuroi shtatoret e argjendta për Vatikanin(Papen) dhe Washingtonin, kongresmenëve e senatorëve, për t’i afruar ata më shumë më Kombin e Nënë Terezës, nuk u vlerësua nga shtete shqiptare as me dekoratën që mbanë emrin e shenjtëreshës ”Nënë Tereza”,-ndërkohë që patriotë të dyshimtë u ngjitën deri në titujt dhe urdhërat më të lartë, që mbajnë emrin e heroit kombëtar , tituj e urdhëra kalorësie, Nder e Flamur… etj….!Natyrisht se të turpëruar mbeten shtetet shqiptare, Jo Leka.Ai shkoi me nder e respekt edhe pa dekorimet e merituara!
Komuniteti shqiptaro-amerikan e ka nderuar me plot respekt patriotin me sjellje e bëma fisnikërije Lekë Gjeto Gojçaj, i cili ndërroi jetë me 4 gusht 2020. Të Enjten me 6 gusht, edhe pse në kushtet e rrepta të diktuara nga Pandemia e koronavirusit, me rregulla strikte të mbrojtjes dhe ruajtjes së distancës sociale, kanë qenë të panumërt pjesmarrësit në homazhet e organizuar në në Shtëpinë Mortore YORKTOWN FUNERAL HOME,New York. Për shtatë orë vargu i bashkatdhetarëve (po edhe i amerikanëve) që kryenin homazhe nuk pushoi. Vatra ngushëlloi familjen Gojçaj me një pjesmarrje të madhe.
Në meshën e Dritës, që u drejtua nga famullitari Don Pjetër Popaj, ditën e Premte, 7 gusht 2020, duke filluar që nga ora 11 A.M.,pjesmarrja ishte e jashtzakonshme duke marrë parasyshë distancimin social dhe rrezikun e koronavirusit.
Në Meshë dhe në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Vatrës: Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i Nderit Agim Rexhaj, anëtari i Kryesis Zef Balaj,Arkëtari Marjan Cubi me Familje,anëtarët e kryesisë Anton Raja, Mark Mrnaçaj,vatarni Aleks Mrnaçaj, Mhill Gjuraj-anëtar i Këshillit, Kryeredaktori i Diellit Dalip Greca, e të tjerë.
Gjatë Meshës Dom Pjetër Popaj vlerësoi Lek Gojçaj, jo vetëm se besimtar i përkushtuar i fesë, por edhe si një atdhetar, që punoi pa u lodhur dhe pa u kursyer për Kombin, e vlërësoi për bamirësi, por edhe si qytetar i sjellshëm, komunikues,si njeri fisnik, I shkueshëm me të gjithë, i qeshur, i dashur. Leka të bënte për vete me karakterin e tij, të qeshurën e tij, shpirtin e tij fisnik.Leka shkoi, por pas ka lënë gjurmët e një jete që i bën krenarë pasardhësit dhe miqtë e tij. Dom Pjetri tha se ne po japim lamtumirën për ndarjen fizike prej nesh, por ai do të jetë përherë mes nesh me veprat dhe kujtimet që ka lënë pas. Kontributi i Gojçajve është aty në Kishën Zoja e Shkodrës, që nga fillimi, ndërtimi, është tek Shtatorja e Shenjtëreshës Nënë Tereza,para Kishe, që u uron e para mirëseardhjen besimtarëve të gjakut të saj. Atë e dhuruan vëllezërit Gojçaj. Shtatore të tilla ata ndërtuan e dhuruan jo vetëm në New York, por edhe në Michigan, Tuz (Malësi), Prishtinë, Mitrovicë, Strugë etj.
Varrimi i të ndjerit u bë në varrezat “GATE OF HEVEN”, New York.(Më shumë lexoni në Gazetën Dielli në print)
*Me shume fotografi gjeni ne FB