• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Niko Kirka !

December 4, 2018 by dgreca

nikokirkav

Nga Skënder  Shkupi/

E njoha për herë të parë në Nju Jork ku na bashkoi një mërgim i detyruar. U bëmë shumë shpejt miq të afërt. Ai ushtronte tek unë një tërheqje të veçantë që buronte nga afëria e madhe e pikëpamjeve tona mbi kombin, historinë tonë të përgjakur dhe zig-zaget politike të viteve pas shembjes de-jure të diktaturës komuniste. Por ndryshe nga unë që qëndroja disi gjakftohtë edhe kundrejt absurditeteve më të pabesueshme të ish-komunistëve që bënin të pamundurën për ta shpëlarë disi, qoftë edhe me ujë të ndotur, realitetin e shëmtuar të viteve 1944-1991, Niko Kirka shpërthente. Ai nuk kursente askend, qoftë edhe njeriun më të afërt që shfaqej si ‘vërejtës objektiv’ për të maskuar subjektivitetin e tij të tejskajshëm në analizat e situatave të kaluara që përjetoi një komb i tërë për gati pesëdhjetë vite të gjata vuajtjesh e mjerimi të paparë që deformuan deri ADN-në e racës sonë.

Nuk e di pse shpesh më ngjante si Rilindas i mirëfilltë (kuptohet s’është fjala për ata modernët, ngjyrë mavi), diçka ndërmjet Petro Nini Luarasit dhe Themistokli Gërmenjit, njeri i mendjes dhe i veprimit, me një vendosmëri të rallë në mbrojtje të interesave të kombit për të cilat – unë kisha krijuar bindjen time të patundur, – ai nuk do të kursente asgjë, as edhe jetën e tij. Sa vuante tek vërente që punët në Atdheun e largët nuk venin mbroth. Si bir i denjë i Kristo Kirkës, njërit nga themeluesit e ‘Vatrës’, mikut të afërt të Nolit e të Konicës, interesat e Shqipërisë ishin gjëja më e shenjtë për të dhe në asnjë rrethanë ai nuk pranonte të bënte kompromis për to. Sa më prekte kjo anë e karakterit të tij. Nuk është se këto tipare të Nikos u demonstruan vetëm në bisedat që bënim rëndom në lokalet e Nju Jorkut. Jo, jo, ai pat tërbuar xhelatët komunistë në Kampin e tmerrshëm të Maliqit të cilët të xhindosur nga qëndrimi i tij burrëror, e lanë të lidhur në një hu në mes të kampit tri ditë e tri net, gjysmë të zhveshur, për ta thyer, për ta mposhtur, për ta nënshtruar. Por nuk e thyen dot.

E arrestuan më 1946, pasi e përjashtuan nga gjimnazi i Korçës, fill pas burgosjes së Kristo Kirkës, ish prefektit të atij qyteti, që shpëtoi qindra jetë njerëzore nga pushkatimi hakmarrës i nazistëve. Shpërblimi i komunistëve qé burgu. I njëjti fat ndoqi edhe të birin. Përplasjet e tij me policët e kampit ishin të përditshme. Por edhe reagimi i dhunshëm i xhelatëve të Tasi Markos, komandantit të kampit, ishte thellësisht mesjetar. Në një vend të hapur, lidhur tek një hu i trashë, me ca lecka mbi trup ngrihej si monument i qëndresës, në të ftohtit e hidhur të asaj zone, ditën e natën, figura sfiduese e Niko Kirkës si një Jezu Krisht i shekullit XX që luftonte me tiraninë e kuqe sunduese mbi gjysmën e Europës.

Niko Kirka ishte këmbëngulës në përpjekjen që duhej bërë për rivlerësimin e figurave të shquara të së kaluarës, të demonizuara nga komunistët. Të shumtë ishin shkrimtarët, studiuesit, politikanët e diplomatët të cilëve u qé hedhur baltë nga historianët komunistë. Përfaqësuesi më i spikatur i tyre ishte pa dyshim Mid’hat Frashëri.

Me  nismën e tij u nisëm, bashkë me mikun tonë të përbashkët  Pëllumb Kullën, rreth 12 vjet më parë, në varrezat e Nju Jorkut, për t’i bërë homazh njerit prej burrave më të mëdhenj të shqiptarizmës, Mid’hat Frashërit. Arritëm atje dhe me ndihmën e hartave të përpikta që na dorëzuan nëpunësit e Varrezave gjetëm atë që kërkonim. E vështroja me kureshtje Nikon tek qëndronte thellësisht i menduar përpara varrit të shqiptarit të madh. Ishim që të tre mjaft të emocionuar. Ai nuk nguroi ta quajë Mid’hatin një ndër etërit e kombit të shekullit XX për ndihmesën e tij të jashtëzakonshme në emancipimin europian të shqiptarëve, si një mbartës i denjë i ideve dritëdhënëse të prindërve të tij.

Për vite me radhë takoheshim çdo të shtunë paradite te ‘Kafja e Kuksianit’ në Rrugën 186 të Bronksit. Bisedat me Nikon ishin të këndshme. Ai kishte njohuri shterruese në temat politike dhe ato historike. Interesant është fakti që nëse ndokush mundohej të shfajësonte ndonjë të afërm të tij për mëkatet që kishte bërë në të kaluarën e afërt komuniste të Shqipërisë, Nikoja ia priste me ‘sëpatën e dardharit’. I tillë ishte ai, armik i mashtrimit dhe i hipokrizisë.

U përpoqa ta takoja Nikon e sëmurë para tri javësh kur gjendesha në Nju Jork. Por qé e pamundur. Meri, gruaja e tij fisnike që i qëndroi gjithmonë pranë atij burri të papërkulur e trim më kërkoi ndjesë : ‘Është në gjendje kome – më tha në telefon – nuk njeh njeri.’ Dy pika lot më rodhën padashur. E parandjeva të keqen. I kthyer në Tiranë mora vesh lajmin e hidhur. Niko Kirka, ky Rilindas i fundit, ndërroi jetë.

Lamtumirë i dashur Niko. Të qoftë i lehtë dheu i Amerikës, Atdheut tënd të dytë, dheu i atij vendi që u bë limani shpëtimtar i qindra mijëra shqiptarëve të përzënë nga trojet e tyre prej trilleve tekanjoze të historisë sonë të dhimbshme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lamtumirë Niko Kirka !, Skender Shkupi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT