Malishevë, 8 prill 2017 -Në praninë e qindra qytetarëve dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot në Malishevë u shënua 27-vjetori i themelimit të Degës së LDK-së në këtë qytet.Të pranishmëve të shumtë, me nga një fjalë rasti iu drejtuan kryetari i LDK-së, njëherësh Kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa dhe kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli.
Duke uruar përvjetorin e 27-të, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar Presidentin Rugova dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës.Kryetari Mustafa ka shprehur mirënjohje të veçantë për veprimtarët e LDK-së në Malishevë, të cilët tash e 27 vjet e kanë mbajtur gjallë LDK-në dhe të gjithë ata që i janë bashkuar LDK-së ndërkohë.
Më tutje, Akademik Mustafa shprehu përkushtimin e tij si kryetar i LDK-së por edhe të Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, dhe të Kuvendit për kultivimin e vlerave themelore të LDK-së dhe rrugës, praktikës dhe filozofisë së Presidentit Ibrahim Rugova, të cilat, siç u shpreh kryetari Mustafa, do të jenë udhërrëfyese të zhvillimit dhe punës së LDK-së.
“Do të punojmë shumë në mënyrë që LDK-në tani ta bëjmë pjesë të rëndësishme të ndërtimit të institucioneve, të qeverisjes së vendit, të drejtimit të komunave, të zhvillimit ekonomik, integrimeve evropiane dhe të paqes e sigurisë në këtë pjesë të Evropës. Unë konsideroj se pa LDK-në nuk do ta kishim sot një Kosovë të lirë, demokratike, të njohur dhe të pranuar nga 114 shtete, një Kosovë e cila është garanci e paqes dhe sigurisë, një Kosovë e cila po tregon rezultate shumë të mëdha në shumë fusha, edhe në fushën ekonomike, në fushë politike edhe në aspektin e zhvillimit demokratik edhe në aspektin e sigurisë por edhe në aspektin e përgatitjeve tona për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në OKB”, tha kryeministri Mustafa.Lideri i LDK-së, po ashtu, tha se kjo parti do të vazhdojë të punojë që ta përgatis Kosovën që të jetë vend i cili do të dëshmojë vlerat e saj në të gjitha këto institucione.
“Ne vlerësojmë se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe në NATO së bashku më Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Ne besojmë poashtu se Kosova e ka vendin në Kombet e Bashkuara, në organizatën e të gjitha kombeve sepse kemi vlera dhe kemi çka të këmbejmë në këtë organizatë”, tha kryetari Mustafa.
Më tutje, kryetari i LDK-së shprehu përkushtimin e organeve drejtuese që të komunikojnë dhe bashkëbisedojnë me anëtarësinë e gjerë për adresimin e kërkesave dhe qëndrimeve të tyre por edhe për përgatitjen e programit politik të LDK-së edhe programit qeverisës, që të bëhet një program i cili i përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe të anëtarësisë.
“Gjatë këtyre dy viteve kemi kontaktuar me të gjitha strukturat, me të gjitha asociacionet e bizneseve, me të gjitha odat ekonomike, me pjesën më të madhe të bizneseve në Kosovë, me shoqërinë civile, me degët tona dhe kemi ndërtuar politikat ekonomike dhe politikat fiskale ashtu siç kanë kërkuar bizneset, qytetarët dhe asociacionet. Kjo na ka mundësuar që ne sot të kemi normën më të lartë të zhvillimit ekonomik në rajon. Po ashtu, jemi vendi që kemi hyrë 10 vjet më vonë në procesin e tranzicionit dhe kemi arritur këtë hap falë asaj që kemi një popullatë shumë të vyeshme ashtu siç e kemi edhe këtu në Malishevë, kemi biznese shumë të fuqishme dhe kemi një orientim të qartë politik dhe ekonomik që ta nxjerrim vendin nga kjo gjendje”, tha ai.Si kryeministër dhe si kryetar i LDK-së, akademik Mustafa, tha po ashtu se ministrat dhe Qeveria i dinë problemet me papunësinë por ka siguruar se edhe ky problem do të zgjidhet.
“Do ta zgjidhim bazuar në koncepte të qarta profesionale dhe shkencore, në bashkëpunim me institucionet më të fuqishme botërore, me Bankën Botërore, me FMN-në, me BERZH-in, me Bankën Evropiane për Investime, me vendet e Bashkimit Evropian, kah e kemi kthyer ne ekonominë sepse dëshirojmë ta kemi një ekonomi evropiane dhe të lidhur me vendet e BE-së”, tha kryetari Mustafa.Kryetari i LDK-së, po ashtu, foli për vlerësimet më të larta të Bankës Botërore, të organizatave amerikane dhe të organizatave më të fuqishme të bizneseve për punën e mirë që po bën Qeveria.
“Ne tani kemi bërë një kthesë të madhe, kemi ulur korrupsionin, ministrat tanë nuk merren me tenderë, e kemi lënë tenderomaninë anash dhe po mundohemi që të punojmë për qytetarin, të punojmë për të rinjtë tanë dhe të punojmë për perspektivën e zhvillimit ekonomik. Dikujt kjo mund të mos i pëlqejë por neve na gëzon. Ne i kemi rolet e ndara, Qeveria ka rolin e vet, presidenti ka rolin e vet, institucionet e drejtësisë rolin e tyre. Ne si Qeveri po punojmë fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe ne marrim përgjegjësi për aftësitë tona, dijen dhe profesionalizmin tonë, për ofertën tonë në zhvillimin ekonomik. Unë ju siguroj që ne do të shkojmë në rritje ekonomike edhe këtë vit edhe vitin e ardhëm edhe viteve tjera”, tha kryetari Mustafa.Sa i takon iniciativës së presidentit për procedimin e ushtrisë, Kryeministri Mustafa shprehu përkrahjen për çdo iniciativë e cila do t’ia sigurojë ushtrinë Republikës së Kosovës në bashkëpunim me SHBA-të dhe NATO-n.
“Ne kemi përfunduar punën tonë në përmbushjen e 95 kritereve për liberalizim të vizave, 94 konsiderohen të plotësuara tërësisht, e kemi përfunduar punën edhe sa i përket matjes së territorit dhe sa i përket caktimit të vijës kufitare dhe tanimë kjo nuk është çështje e Qeverisë. Ne si Qeveri do t’ia procedojmë Kuvendit dhe mbetet përgjegjësi e Kuvendit të vendos lidhur me këtë çështje. Është një çështje shumë e rëndësishme për qytetarët tanë, që njerëzit nuk e konsiderojnë që shumë e lehtë por ne jemi këtu të marrim vendim edhe më të rënda për interesat e vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.Më tutje, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për kërkesat e qytetarëve të Malishevës për çështjen e regjionalizimit, duke shprehur mbështetje që Malisheva të rikthehet në Regjionin e Prizrenit.
Krejt në fund, kryetari Mustafa, tha se për LDK-në nuk ka interesa të veçanta dhe se LDK e ka vetëm një interes, realizimin e programit politik të saj, për ruajtjen e unitetit, përmbushjen e objektivave, për Qeverisje të mirë, të pastër, për qeverisje në interes të qytetarëve dhe me besimin e tyre.
Ndërkaq, kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli, në fjalën e tij tha se Dega e LDK-së në Malishevë edhe sot e kësaj dite i qëndron besnik rrugës së trasuar nga presidenti historik dhe arkitekti i Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.Më tej, ai ka folur për aktivitetet e Degës së LDK-së, duke theksuar se po vihet re një interesim dhe mobilizim i të gjitha gjeneratave për LDK-në,“I nderuar kryeministër Akademik Isa Mustafa, Dega jonë ju përkrah në punën e mirë që po e bëni në udhëheqjen e vendit, për një zhvillim ekonomik dhe mirëqenie më të mirë të qytetarëve”, tha Kafexholli, duke shtruar disa kërkesa të qytetarëve të Malishevës, duke shprehur besimin se kjo Qeveri mund të ofrojë zgjidhje për problemet konkrete të qytetarëve.
Gjatë këtij tubimi janë dhënë mirënjohje për veprimtarët shumëvjeçar të LDK-së në Malishevë.