Shkruan: Sami Repishti, PhD./Ridgefield,CT.USA. Pak ditë ma parë, lexova në shtypin shqiptar fjalen e mbajtun në “Parlamentin Rural’ (qytetarë të thjeshtë dhe ekspertë) nga zonja mirditore Dott. Rigerta Loku, e diplomueme në Universitetin e Romës “La Sapienza”, tashti me banim në Rubik, Mirditë, dhe managjere e nji ndermarrje bujqësore-blegtorale të suksesshme themelue nga ajo dhe bashkëshorti i saj, Z. Leonard Tusha.
Amerikanët kanë nji shprehje: “Ashtë ma mirë me ndezë nji qiri se me mallkue errësinën!” Tue lexue fjalimin e saj të plotë erdha në përfundimin se Zonja fshatare e Mirditës, me arsim të naltë universitar, me fjalimin e saj ka “ndezë nji qiri” që ban dritë në botën e sotme të errësinës shqiptare, ku njerëzit me sy nuk shohin, ata me veshë nuk ndigjojnë, dhe të tjerë të dehun nga jeta e luksit ose të lodhun nga vuejtjet e përditëshme nuk kanë aftësinë e duhun me mendue për gjendjen e vendit të tyne, ose kanë humbë shpresën e nji të ardhmje ma të mirë. Viktima të rrethanave jo të favorshme, kategori qytetarësh të pafaj janë nënshtrue nji fati të egër që ushqen shoqëninë shqiptare me dëshprim. Fjala e Zonjës Loku, fshatare mendje-ndritun dhe prendimore, lëkundi ndërgjegjet e fjetuna të shumicës së konformueme nga vorfënia, dhe trazoi gjumin e rehatshëm të klasave shfrytëzuese. Përgëzimet e mia!
Asgja e re në Shqipërinë tonë të mësueme me këto fatkeqsitë që e ndjekin me shekuj: shtypje e uri, frikë nga autoriteti e frikë nga papunësia që mbulon vendin.
Çka tha Zonja Rigerta Loku, universitare e suksesshme dhe e paisun me shpirtin e sakrificës që kërkon nji jetë të ndershme për çdo qytetar shqiptar? Ajo tha:”Lironi karriket dhe ejani në fshat”! Unë do të shtojshe: ‘… Karriket që keni fitue me zgjedhje as të lira as adekuate dhe të mbajtuna me egërsinë e mbrojtjes së ‘çiflikut të trashëguem….. ‘
Reagimi i klasës politike në pushtet u ndigjue menjiherë. Jehona e shtypit partiak ushtoi kudo. I papërgatitun për nji reagim të këtill, rilexova fjalen e saj në tanësi dhe nuk u përmbajta pa përsëritë fjalën e “Mësuesit” :”O Zot, fali se nuk dinë se ç’ bajnë!”
Zonja Rigarta Loku ka folë sinqerisht për jetën që ka jetue e përsëri jeton, si dëshmitar okular i kësaj jete. Nga ku foli? Nga tribuna e Parlamentit Rural, “…në njenin nga sesionet e mbledhuna nji herë në vit me ftesë për njerëzit e thjeshtë” spjegoi nji koleg i imi.
Cilin ofendoi ajo? Deri tashti, asnji shqiptar ose i huej, nuk ka denoncue fjalën e saj si ofenduese. Fjala e saj ashtë, e do të mbetet për shumë kohë, material për diskutime të hapuna- sepse nuk ka asgja konspirative në ato fjalë, dhe organet gjyqsore nuk kanë tregue se ajo dyshohet të ndërmarrë nji veprimtari .… subversive!
Atëherë, cili ashtë “faji Loku”?
“Faji Loku” ashtë guximi i nji qytetareje shqiptare me të drejta të plota morale dhe ligjore me folë botënisht për gjendjen e vendit të vet, për të mirat dhe të metat e shtetit dhe të vuejtjeve të shoqënisë shqiptare. Qellimi? Me tërheq vemendjen e “kokëve të mëdha” për problemet akoma ma të mëdha të qytetarëve të vegjël, punëtorë qyteti të krahut e të mendjes, e fshatarë të katundeve shqiptare të harrueme, bujq e blegtorë që paguejnë taksa nji shteti që paguen rrogët mujore të “kokëve të mëdha” por që mbetet i shurdhë për hallet e të tjerëve të harruem fare. Zonja Loku i ra nji kumbone që tingëlloi familjare tek shumë bashkatdhetarë që lexuen të artikuluem mendime e shqetësime që ata vetë i mendojnë por nuk kanë qenë në gjendje me artikulue.
“Faji Loku” i zgjoi ata dhe ato, tregoi se “perandori nuk kishte rroba” dhe se nëpunësit e tij sherbejnë pa mendue me evitue vuejtjet në nji vend ku kërcënon uria e përditëshme e papunësisë masive! Ajo tregoi gjithashtu që ka edhe nji rrugëdalje të ndershme, të vështirë dhe larg dritave verbuese të saloneve dhe muzikës së tajvaneve të qyteteve tona, atje në fshat ku punohet me ngulm dhe pa zhurmë…dhe ku puna shpërblehet me sukses, për vete dhe për shoqëninë shqiptare. Nji koleg zemërmirë dhe sensitiv më shkruente:”…ajo ishte e ftuar, si shumë të tjerë, të fliste për çeshtje dhe probleme që kanë lidhje me sipërmarrjen e saj dhe vendlindjen e zonës ku banon”. Dhe ajo foli për vete, për Kristinën, dhe për gjithë të tjerët.
Cili ashtë “faji” në togfjalshin “faji Loku”? Ndoshta sepse ajo ishte idealiste, e trembun nga errësina që rrethon atë dhe shoqet e fshatit, krahinës, e atdheut të saj, “…ajo që preku jo vetëm të pranishmit në sallë (deputetë e ministra të nderuar!) por edhe shumë mendje e zemra që ushqejnë shpresa për ditë ma të mira për vete e për fëmijtë e tyne.(Zonja Loku ashtë nanë e dy fëmijve të vegjël). Por, “…ajo grua e zgjuar,- shkruen kolegu i im,- dhe ata që tha i dilnin nga zemra sepse fundja këta janë hallet e përditëshme të qytetarëve të thjeshtë! Ajo është njeri shumë pozitiv dhe duhet të shërbejë si burim frymëzimi për kedo!”
Ashtu mendoj edhe unë!
“Faji Loku” nuk i pelqeu politikës dhe “baballarëve të kombit” sepse autorja vuni pikën mbi germën “i” dhe zbuloi “perandorin e çveshun”,sepse ajo uzurpoi “privilegjet e paprekëshme” të opozitës me qenë monopoli i kundërshtimeve në sferën politike. Natyrisht “gojët e këqia” gjetën nji rast shumë të rrallë në Shqipërinë e sotme me sha, ofendue, çpifë e ndoshta edhe me ndjekë penalisht këte “apostazi të pafalëshme”. Kjo ashtë Shqipëria e jonë sot!
…….
Ç’ tha , në të vertetë, Zonja Loku?
“Unë kam mbaruar studimet e larta në Romë”, filloi ajo. “E kthyer në Shqipëri. në provincën time, u gjenda duke administruar nji tufë dhishë prej 350 krerësh…” Dhe përfundoi:” Ja ku jemi. Problemet i njohim të gjithë. Të gjejmë zgjidhjen së bashku me shumë modesti, dashuri për këte tokë, për Shqipërinë rurale, për Shqipërinë urbane, Shqipërinë europiane; ne fshatarët jemi në dispozicionin tuaj”. Mbrenda këtyne paragrafeve kapitale gjinden kërkesat.
Ajo kërkoi: “Fshati ka nevojë të rilindë, ri-mbkëmbet, rianimohet. Le të quajmë si të doni, fshati ka nevojë për kapital njerëzor, të shembim rrugën e braktisjes, dhe të ndërtojmë rrugën e kthimit.”
Ajo kërkoi: “Mbështetje dhe forcimin e atyne mikroekonomive rurale që modestisht prodhojnë punësim…Inovacion dhe informacion…(që) të vej atje tek shtalla, jo unë të vij në parlament për të marrë informacion…Pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk zhvilloheni kurrë!”
Ajo kërkoi: “Ndihmë për agrikulturen dhe agroturizmin…Traditë e përzier me zhvillim dhe inovacion do të ishte për ne një përzierje jetësore….të mbështetni fermierin e ri që me shumë vështirësi e sakrifica çon përpara farmën…Të mbështesim fshatarin…ato fshate ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën ma fantastike të mundshme…”
Ajo kërkoi: “Ejani në fshat. Ejani të shikoni….në doni bukë, kripë e zemër të mirë, ejani në fshat, në doni qetësi e dashuri, ejani në fshat! (Por) …atje nuk shkon makina, e atje ku nuk shkon makina nuk shkon gjë…Nuk shkon as jeta!”
Ajo kërkoi: “Jepni ujë dhe rrugë fshatit dhe keni dhëne zhvillim…Të pyetet shoqja e ime Kristina: Çfarë do? ‘Unë dua ujë dhe rrugë’. Se ka dinjitet Kristina. Nuk i kërkon asgjë tjetër Shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë…”
Ajo kërkoi: “Fshati të rilindë…fshatari ti kthehet fshatit të tij…Nuk është proces i lehtë as i shpejtë, por edhe ne nuk shkojmë asgjëkundi. Duke ndihmuar fshatin dhe Shqipërinë…Por kush thotë se ky vend nuk bëhet KURRE e vret fshatin dhe Shqipërinë…..Na vret ne njëmijë herë!”
Ajo kërkoi: të besojmë se “ky vend do të bëhet se i ka të gjitha mundësitë për tu berë. Dhe ne jemi këtu” premtoi ajo. “Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë pak llafe dhe shumë punë”. Ajo deklaroi se “fshati nuk ka as politikë, nuk njeh parti, nuk ka opozitë, as pozitë…por Parlamenti duhet të drejtojë që secili prej organeve të bëj funksionin që i perket”..…“Na presim” deklaroi ajo.
Ajo kërkoi: “Unë, ne kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim. Politika agrare specifike afat-shkurtë dhe afatgjatë. Ujë vaditës dhe ujë pirës, kredi të buta, moderim të çmimit të punimit të tokave, farërave, subvencione e mbështetje, por kërkojmë edhe informacion… “
Dhe ma në fund pyetjen e madhe:”Çfarë duhet të bëjmë ne?”
Nga shtypi mësova se “fjala e saj është ndërprerë vazhdimisht, jo vetëm se ajo përlotej dhe fshinte lotët me shami, por edhe sepse të pranishmit në atë sallë, si rrallë herë shpërthyen me duartrokitje mbështetse”. (Panorama, 2 tetor 2017)
……..
Leximi i materialit të sipërm dhe familiarizimi me përpjekjet e mëdha të Zonjës Loku për nji ndërmarrje bujqësore moderne dhe efikase me solli në mend leximet e eksploratorëve të Amerikës në vitet e para të popullzimit të kontinentit të posa-zbuluem. Vështirsitë e mëdha që tejkaluen ata janë symbol i fortësisë dhe frymës aventureske të eksploratorëve të shekujve 16 e 17 në kontinetin e ri. Ata studjohen nga të gjithë dhe kanë marrë emnin prestigjoz “frontier people”, elementë guximtarë që thyen çdo pengesë në rrugën e tyne zbuluese nga nji “frontier” në tjetrin, deri në brigjet e Pacifikut. Tregimi i akteve të tyne jashtëzakonisht të guximëshme janë dhe sot landë e mësimit në shkolla, subjekt i letërsisë së vrazhdë amerikane dhe i filmeve të pafund ku pasqyrohen këto akte. Ata janë elementë frymëzues për admirim, për ndërmarrje –individuale dhe kolektive- dhe aksione guximtare. Analisti David Brooks përshkruen:”frontier people”- qendrimi themelor i amerikanëve ka qenë me drejtue shikimin tonë plot shpresë kah e ardhmja, jo me shikue me inat zbehjen e disa orientimeve madhështore. Vështirësitë e “frontier people” ftojnë për nji energji, nji forcë rinore, punë të vazhdueshme dhe janë cilësi që kanë qenë gjithmonë veçoritë përcaktuese të kombit amerikan. Figura e “frontier people” kërkon njilloj individi, nji aventurier-zbulues që punon shumë, individ i disiplinuem që ec në rrugën ku përfundon me nji ’transformim të vetëvetes’….; Filozofia e ekonomisë që përqafon ndërmarrjen e lirë ka qenë shumë individualiste; megjithate, lidhje të ngushta të bashkësisë vendore, të ndërtueme mbi marrëdhanje që ushqejnë frymën e ndërmarrjes me guxim, dhe që bashkëndajnë parimet e nji moraliteti biblik, kanë ndihmue me përcaktue standartet e përbashkëta të karaktereve.”
Për mendimin tim, rasti i doktoreshës Rigerta Loku dhe i bashkëshortit të saj ashtë nji shembull shqiptar i karakterit të formuem nga “frontier people” në shekujt e parë të emigracionit europian në Amerikë, dhe meriton të njejtin respekt.
Fatkeqsisht, marrëdhanjet politike, zakonisht të vështira në Shqipëri, sot kërkojnë nji orientim të ri të shoqënisë, me gjak të ftohtë e qendrime të studjueme mirë, ndershmëni e vetëmohim. Inati dhe zemrimi në politikë janë armë të forta në fushatat elektorale dhe për sondazhet e zakonshme; por ata janë të tmerrshme dhe shumë damprurëse në qeverisje, në marrëveshje që kërkojnë kompromise, dhe në formulimin e legjislacionit të vendit, në mes tjerave. Tek ne, kjo gjendje ashtë e qartë! Ashtë kjo gjendje që shqetëson heroinën tonë të dallueme!
Shqipëria që kërkon Zonja Loku ndërtohet vetëm nga nji sistem qeveritar e nji shoqëni shqiptare demokratike që na sot nuk kemi në vendin tonë. Sigurisht, konteksti i procesit demokratik ashtë i nji randësie të dorës së parë. Por demokracia që ne të gjithë dëshirojmë – e nuk perkrahim!- varet nga shkalla e qytetnimit në vendin tonë, nga nji atmosferë që nuk ushqen dëshprim- ashtu si sot!- por nji shkëmbim serioz ideshë, varet nga mundësia me bindë palën kontestuese që mendon ndryshe, nga marrja në konsideracion e argumenteve të ndryshëm, dhe nga spjegimet tona. Liria e fjalës, e shprehjes së lirë, e shtypit janë garancia ma e mirë se vendi jonë nuk zbret në kaos e diktaturë. Nji udhëtim i gjatë prej 10.000 kilometrash fillon me nji hap. Për ne, ky hap i parë ashtë dialogu i hapët në nji atmosferë mirëbesimi të ndërsjellë që në Shqipëri sot nuk ekziston.
Në ditët e vështira të kaosit ekonomik te shkaktuem nga “kriza botënore” (1929-32), presidenti i ndjerë amerikan, Franklin D.Roosevelt, u shpreh kështu:
”… Vendi i jonë (SHBA) ka nevojë, dhe në se nuk gabohem, kërkon ndërmarrje guximtare, kombëngulëse, me eksperimentue për gjetjen e përgjigjes së duhun. Ashtë diçka e natyrëshme me eksperimentue nji metodë, dhe me vlerësue rezultatet; në se dështon, duhet pranue dështimi pa komplekse e publikisht, dhe me fillue nji metodë tjetër. Ajo që ashtë e domosdoshme, dhe në rradhën e parë, ashtë nevoja e eksperimentimit që eventualisht zbulon rrugën që duhet ndjekë”(Washington 12 maj 1932)
Eksperimenti i suksesshëm i çiftit Loku ashtë nji shembull ndriçues. Mendoni për nji moment: sikur 1000, 5000, 10.000 bujq e blegtorë shqiptarë që imitojnë shembullin e tyne të ndezin nji qiri si ata. Dhjetë mijë qirinj në Shqipëri do të shkatërronin errësinën e sotme –nji herë e përherë!
———————————————————————–
* City University of New York