• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nderim për artistin e madh Gjosho Vasija, legjendën e humorit shqiptar

February 20, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/ Ka pak kohë (para Krishtlindjeve) që iku për në botën e përtejme artisti i shquar i skenës së humorit shqiptar, Gjosho Vasija. Diktatura e egër komuniste e shkoi nëpër vrimën e gjilpërës, por ai kurrë nuk u lig, kurrë nuk u dha. Ferri i kampeve të përqendrimit dhe i punëve të detyruara nuk arriti ta mposhtte dot shpirtin e tij prej artisti të lindur. Kitara e tij në botën e humorit shkodran bëri epokë. Natyra nuk është aq dorëlëshuar që artistë të kalibrit të Gjosho Vasisë të dalin shpesh në skenë. Arti i humorit të tij do të vazhdojë të jetojë gjatë në kujtesën e njerëzve, si melhem për plagët e shpirtrave të trazuar. Me energjinë që e karakterizonte dhe me shpërthimet e tij mitike përmes telave të kitarës  tingujëmbëloshe, me të cilën publikut i përcillte gjëmimet e shpirtit qelibar, magjinë e fantazisë së tij të jashtëzakonshme, Gjosho Vasija më bën të shtegtoj drejt kohës kur isha student në Leningrad (1959-1961) dhe të sjell në kujtesë një artist të madh sovjetik, Arkadi Rajkinin (1911-1987), Artist i Popullit (1968), i cili edhe sot vazhdon të vlerësohet si një figurë e papërsëritshme e skenës së humorit në mbarë botën ruse. Prandaj më dridhërohet shpirti kur e kujtoj në skenë artistin e madh Gjosho Vasija që nuk e kemi më midis nesh:

Mungon në skenë Gjosho Vasija,

Humor’ i tij, mit i vërtetë,

Për të vajton mbar’ Shqipëria,

Ç’na bëre, plaç, moj vdekj’ e shkretë!

Dil prapë në skenë, Gjosho Vasija,

Pse s’dukesh? Ç’është kjo heshtj’e zezë?

Për ty loton mbar’ Arbëria

Që nga Tivari në Prevezë.

Këtu e dy vjet të shkuara, me artistin Gjosho Vasija patëm letërkëmbim përmes faqeve të internetit. Në ato letërkëmbime, i pata shprehur tërë entuziazmin tim për artin e humorit të tij gjëmimtar, të shoqëruar me vargje të magjishme poetike. Në njërin nga ato letërkëmbime, ai më dërgoi disa krijime fantastike, të cilat i ruaj si relike të shenjta në memorien e kompjuterit tim. Ato titullohen:

““Ndera” e madhe e Miladinit”, “Metamorfoza e djallit (rapsodi)”, “Dreqi i kuq”.

          Meqense sot është data 20 shkurt që simbolizon rënien e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, përmes rrëzimit të shtatores së kriminelit Enver Hoxha, lexuesve të nderuar, në mbarë trojet tona etnike dhe në diasporë, dëshiroj t’u përcjell poemën satirike ““Ndera” e madhe e Miladinit”. Më 31 janar 2014 unë botova në faqet e internetit artikullin me titull “Enver Hoxha, varrmihës i nacionalizmit shqiptar”. Pikërisht varrosjen e nacionalizmit shqiptar, përmes bashkëpunimit kriminal të Enver Hoxhës me shovinizmin serbomadh, artisti i  shquar Gjosho Vasija e ka përcjellë me mrekullinë e artit të tij poetik.

Gjosho Vasija

“Ndera” e madhe e Miladinit..?

Miladini shkjà Serbije,
rritë gjithë jeten “kalë ushtrije”
tue ba punen veç “nen hije”,
gjysa dhelpen, gjysë hafije..
Kish nji krye ndà me kuadrate,
mbrenda tynë si nder kate
ndrynte intrigat, ndrynte hilet,
ktu trathtinë, atje zhumilet,
këtu thiken, atje vesin,
ndersa djalli kish nxanë mesin
që i rrinte kambturqisht,
tue lujtë sy e tue hjedhë bisht..

Nji ditë trimi kish ujdisë,
me i hypë kalit e m’ u nisë
n’kryeqytetin e Shqipnisë
te nji mik, diku n’atë vend,
sa me ndà me te kuvend…
Por ma s’parit po mendon,
shum mendon mos po gabon,
ç’farë peshqeshit meriton?

 “- Nuk besoj se’i mjafton mikut
me’i çue sot nji pulë furrikut,
se me pula, gjela e pata,
biba, rosa e tjerë dhurata,
k’to per mikun janë të thata,
s’meriton kaq gjana t’vogla,
s’rrehet miku me do gogla…

Sot dhurohen dele o viça,
o ndoj kosh me krapuliqa,
un kam pà në Podgoricë
dy harusha te’i rrugicë. .
Çojnë der shqipe’ e fllanza mali,
e po gjete ndoj lloj kali,
por t’ndoj rrace kund arabe,
ose ujq të tokes labe ,
ato po – ,kanë shum vlersìna,
nga që janë dhe egersina…”-

N’sa po’ e lodhte koken trimi,
fap!, i shkoj me’jherë mendimi
te Stalini e të Lenini
edhe muer vendim pa tjeter:
“-Po i çoj k’tij mikut t’vjeter
nji piton të gjatë 8 meter …
Nji lloj gjarpni, falë miq’sisë,
kapë nder tundra t’Siberisë,
fund e krye mveshun me pulla,
sjellë ma ka “shoqja” Janudha,
nga kolkozi sovjetik,
ky po,asht dhuratë per mik…

Shaloi kalin,mori vrapin,
der n’Tiranë s’e ndaloi hapin,
pa harrue patllaken n’brez
as dhe gjarpnin mbrendë në thes,
e me hundë t’skuqun si speci,
n’Tiranë mbrrijti “pucaleci”…

Sa e pau “Tarasi” mikun
vuni n’zjarr me’j herë jebrikun,
po pijnë kafe e bisedojnë
shum per gjarpen diskutojnë-
Erdhen shokët prej “strehimit”

me’ i puthë doren Miladinit,
u mbush dhoma cep më cep
s’ke madje ku t’hjedhish grep.

Dy nga “shokët” shtye nga “vesi”
që me dijtë ç’kà mbrenda thesi,
u afruen e futen sy.
Aman Zot seç kjenë merthy
prej gjarpnushes, tip kulsheder,
asaj kafshes plot 8 meter ,
se sa futen t’shkretin sy
në sekond mbeten pa krye..
Ashtu cung ,rànë mbi dysheme
si dy denga me tanteme…

Shperthej britma’ e deri gazi,
por mbi t’gjithë u qesh Tarasi
kur s’ja pau koken asnjenit,
t’premë si’ i prehet bishti qenit,
e me gaz që’ i dha shemtimi,
fillë u suell nga Miladini
edhe nisi falnderimi
per kete nderë, që s’kish të larë,
“ndoshta’ e denjë kjo per shqiptarë”..

Madje ndera e Miladinit
hyni n’ gojen e Xhuglinit,
që dhe kjo nga ana e sajë
te ai thes po ka uzdajë,
se n’duet, kjo dhe Tarasi,
kanë me prë krena si prasi
kush t’kerkojë që t’i gergasi–
N’fund me puthje Miladinit
u mbush letra e Xhuglinit…

Shkuen vjetet dy e dy,….
Taras Beu në zyrë mberthy,
e tue pasë partinë mbi kry
nji vesvese i kishte hy,
-Mos t’na mbesë gjarpni pa ngranë,?
Tash e parë duhet me’i dhanë.
Miladini na dha nderë,
na e pruni deri n’derë,
na me e lanë me ngordhë urije,
tue pasë k’tu kujdes partije?

U hodh para shkoi mbi tryezë,
filloj t’shkruej me ftyrë permbys
t’parin emen mbi nji listë…
“- Ky per mue asht shum i pistë,
ndersa ky ka qenë fashist
e ky tjetri oportunist,
Ky krye-madhi asht dembel
n’origjinë dhe pse gabel
thonë se veshet gagarel.

K’to të Kishës janë trathtarë,
k’tu asnjeni s’asht shqiptarë,
por anmiq edhe me bisht
qyshë se shkruejnë të gjithë gegnisht.”-
Edhe fillë me dy lloj vulash
mbarë i mblodh si zogj pulash
dhe me nxitjen e Xhuglinit,
fillë te thesi i Miladinit….

Gjarpni hangri shum zyrtarë,
sa shkollarë e mendimtarë,
e të gjithë sa kjenë tregtarë.
Zhduku miq e shokë sa pat,
zhduku prift e zhduku frat,
sa kushrij e der kunat,
dhe me ndihmen e Xhuglinit
nji nga nji pa farë pendimit
hyjshin n’ thes të Miladinit..
dhe ashtu, të ndamë në copa,
sot askujt s’i dihet gropa.

Por nji ditë Tarasi vdiq……
Kishte mbetë pa shokë e miq
me e vajtue e me nderue,
se kish lanë aq shum anmiq
sa me rrena kje vorrue….
La nji popull lakuriq,
gjithkund plagë e vàj e gjak,
frigë e burg, uri çdo prak…

Edhe gjarpni ngordhi’ i ditë,
s’pat ushqim ma kush me’i qitë,
por per dreq e faqe t’zezë
në Shqipni ka lanë do vezë
që nuk dihet, me pak dillë
asht rrezik se çelin fillë..
Sepse sot Shqipnija mbarë
nuk ka vue asnji kandar
që me’u quejt drejtsi shqiptare,

K’tu drejtsija s’jeton fare
derisa shetitë Xhuglini,
Araniti e Muhedini,
ai Xhevdeti apo Edvini
e me qinda tjerë gjaksorë,
që kanë prap diçka në dorë.
E që munden madje fillë
me grabitë do rreze diellë
edhe vezve me i hapë sytë
me sjellë prap faren e ndytë…

Prandej duhet pasë kujdes
mos jetoni me krye n’ thes,
se po të hyni thesi n’kry
ti jo veç nuk sheh me sy,
por der trunin ta ka ndry,
e po mbete me tru n’terr
barazohesh me nji derr,
e po pate vlerë sa’i shtasë
ma mirë zhduku prej dyrnjasë

 Le ta kujtojmë me ndjenjën e repektit të thellë legjendën e humorit të skenës Shqiptare, Mjeshtrin e Madh Gjosho Vasija, dhe sivëllain e tij Skënder Sallaku, Artist i Popullit, i cili u nda prej nesh para pak ditësh. Këta krijues të shquar të Shkollës së Humorit Shqiptar kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenat e artit tonë kombëtar. Sot, për fat të keq, krijimtaria humoristike ka ardhur duke u venitur. Ekranet e televizioneve i kanë pushtuar lloj-lloj analistësh “të gjithdijshëm”, të rreshtuar ose në njërin ose në tjetrin krah të politikës, të cilët, me diskutimet e tyre të nxehta, njerëzve vazhdojnë t’ua bëjnë trutë dhallë. Po ku është humori? A do të dalë më ai ndonjëherë në ekranet e televizioneve, si balsam për qetësimin e shpirtrave të tyre?

 

    Santa Barbara, Kaliforni

          20 shkurt 2014

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eshref Ymeri, Gjosho Vasija, Legjenda e humorit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT