• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEGJENDË E ROMANIZUAR ME SUKSES

March 1, 2020 by dgreca

-Mbi romanin “Bendo Shapërdani në kohë orëliga” të K. Nanushit/

Nga Thanas L. Gjika/

          Qyteti piktoresk i Pogradecit me fshatrat përreth, i ka dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare një varg personalitetesh të shquara, si gjuhëtarin Prof. Gjergj Pekmezi, poetin e shquar Lasgush Poradeci, prozatorin klasik Mitrush Kuteli, shkrimtarët e talentuar Vasil Alarupi, Dhimitër Xhuvani, humoristin Niko Nikolla, dramaturgun Misto Marko, etj. Kësaj aradhe i shtohet denjësisht edhe Kristaq Nanushi, i cili me pasionin, talentin dhe përgatitjen e vet ka realizuar me sukses hartimin e disa veprave me vlera të veçanta. Pas shumë artikujsh e kritikash letrare në “Drita” e “Nëntori”, pas disa skenarë filmash dokumentarë e artistikë televizivë, ai botoi dy përmbledhje me legjenda e gojëdhëna iliro – shqiptare, “Legjendat e Liknidës” më 2002 dhe “Legjendat e Enkelanës” më 2013, që patën jehonë të gjerë. Nga viti 2007 është autori i librit didaktik “Pogradeci, vendlindja ime”, me të cilin nxënësit e shkollave të rrethit marrin njohuri për vendlindjen e tyre. Kurse më 2014 botoi bibliografinë e vëllimshme “Pogradeci në shtypin e viteve”, me të cilën nxori në dritë gjithçka të botuar në gazeta, revista, kalendarë, fletore zyrtare, buletine, etj. që nga Rilindja e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Lëndën e përbëjnë lajme, artikuj, njoftime, reportazhe, fotografi, portrete njerëzish, vendime gjyqesh, reklama, letërkëmbime, telegrame, urime… Thënë ndryshe, lënda është enciklopedi e jetës së Pogradecit me rrethinat e tij deri në fund të vitit 1944.

Romani “Bendo Shapërdani në kohë orëliga” që doli në qakullim në fillim të këtij viti, dëshmon sërisht se tek ky autor bashkohen me dinjitet shtysat individuale, formimi letraro-shkencor dhe talenti krijues.

          Ky roman e merr temën nga jeta shqiptare gjatë sundimit turk, konkretisht nga fundi i shekullit të XVIII. Në qendër është udhëheqësi popullor, kapedan Bendo Shapërdani, një figurë që ka ekzistuar realisht, por e patrajtuar nga historia dhe pak e shestuar nga letërsia, prandaj kishte mbetur në hapësirat e legjendave. Pra autori lëvron në terren gati të panjohur. Në trevën e Pogradecit në atë kohë u organizuan revolta fshatare me në krye Suli Starovën dhe Bendo Shapërdanin. Në përballje të pabarabarta në numër, në armatime e në organizim, ushtria e sanxhakut për turp të Perandorisë u thye dy herë. Pashai i Ohrit me pabesi eliminoi njërin nga dy udhëheqësit, Suli Starovën. Këto ngjarje jepen përmbledhtas me retrospektive, në tre kapitujt e parë. Pastaj, me kompozicion linear në 23 kapituj, pasqyrohen bëmat e Bendo Shapërdanit me çetën e tij përballë me pushtetin e pashait të Ohrit. Nami i kapedanit vajti në Stamboll. Populli i ngriti një këngë epike nga më të bukurat, të cilën e botoi Thimi Mitko në përmbledhjen “Alvaniki melissa” (Bleta Shqiptare) nëAleksandri më 1878, pastaj e kthyen në tregim Mitrush Kuteli, Sterio Spasse dhe Kristaq Nanushi duke shtuar secili nuanca dhe ide të reja.

          Romancieri Nanushi sendërton në sfondin e jetës shoqërore dhe të bëmave të luftëtarëve konturet politike të sistemit feudalo-ushtarak turk, si dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të perandorisë me shtetet e fuqishme të Evropës. Për atmosferën politiko-shoqërore të kohës ai ka hulumtuar në studimet historike për shekullin e XVIII, ku përmes skenash plot detaje domethënëse pasqyrohet jeta e rëndë e popullit nën pushtim. Ndonëse jepet jeta në kazanë e Starovës, aty përgjithësohet dhe jeta e gjithë popullit tonë. Ballafaqimet e fshatarëve të Malit të Thatë me dërgatën e Ahmet Pashait, apo debatet në kuvendet e Namazgjasë së Starovës e përcjellin bukur dhe me emocion kundërshtitë sociale të kohës, dufin popullor që vlon prej shtypjes.

          Në dy librat e tij me legjenda, si kemi vënë në dukje më parë, ky autor dëshmoi se është mjeshtër i ndërtimit dhe i rrëfimit të fabulës. Nga brumi i pakët i legjendave ai shpalosi aftësinë e krijimit të skicave poetike, pra të veprave letrare. Kjo dukuri ndodhi edhe me legjendën kushtuar Bendo Shapërdanit, legjendën e të cilit Kristaqi, si thamë më lart, e shpalosi së pari në kufijtë e një tregimi. Kurse tani, legjendën e këtij kryengritësi ai e ritrajtoi në dimensionet e veprës së re romanore. Fantazia e tij krijuese kësaj radhe është shumë më e begatë, si në rikrijimin e jetës shoqërore, krijimin e tipave dhe karaktereve letrare, përshkrimin e ambjenteve ku jetojnë protagonistët dhe ku kryhen aksionet, ku strehohet çeta, deri dhe skenat e pazareve të qyteteve, ambjentet e brendëshme të sarajeve të sanxhakbeut, etj. Toponomastika është konkrete, reale dhe e lidhur mirë me ngjarjet. Ndjehet se autori i ka shkelur vetë gjithë viset që përshkruan. Madhështia dhe bukuria e Malit të Thatë me ambjentet për rreth jepet në stinë të ndryshme plot ngjyra, plot zëra zogjsh, bukuri njerëzore, shushuritje dallgësh të liqenit të Ohrit, etj. Të tilla përshkrime nuk u janë bërë bukurive natyrore të maleve të tjerë madhështorë që ka Shqipëria si Mali i Tomorit, Mali i Dajtit, Mali i Taraboshit, Mali i Korabit, Mali i Shkëlzenit, etj.

          Puna për krijimin e personazheve, sidomos të protagonistëve, është një nga arritjet madhore të autorit, të cilët skaliten në detaje duke theksuar diferenca në tiparet e karakterit, në veshjet, në sjelljet, në dialogjet e komunikimet e tyre. Kryepersonazhëve Bendo Shapërdani e Suli Starova, të cilët kanë ekzistuar realisht, autori nuk i kushton shumë rëndësi pamjes së tyre fizike, por sjelljes, mendimeve, bëmave të tyre për të shpalosur atdhedashurinë, vendosmërinë e tyre për të luftuar për të drejtat e popullit të krahinës. Përmes krijimit të ngjarjeve e dialogjeve, përshkrimit të jetës së shumanshme, zbulohet morali i lartë, bukuria shpirtërore e këtyre dy heronjve. Po kështu veprohet edhe për krijimin e personazheve joreale, qofshin pozitivë, si mësuesi Asllan i Manastirit, kryeplaku i Starovës, xha Gjoka i Peshkëpisë, etj, qofshin negativë, si Ahmet Pashai i Ohrit – sundimtar i sanxhakut, Fetih agai – komandanti i ushtrisë, Bektash agai – shef i policisë, Muhtar agai – komandant i truprojës, etj. Karakterizimi i tyre si vrastarë të paskrupullt të popullit shqiptar, jepet përmes dialogjeve e veprimeve të ndërtuar me shkathtësi.

          Përpara çështjes madhore të lirisë, midis kombeve fqinj, autori di të shkrijë e tresë dallimet kombëtare midis shqiptarëve dhe maqedonëve. Kundër armikut të njëjtë ata bashkohen në luftë të përbashkët. Bendoja me Bojkon shkojnë bashkë në luftën e Livadhisë, çeta e Peristerit përshëndetet me çetën e Malit të Thatë, në Shën Johan Kaneo; shqiptarët duan të shkojnë për kuvend me kryengritësit e tjerë të Ballkanit. “Liria si kudo është e shenjtë edhe ndër ne”, i thotë Bendos miku maqedonas Radko Dimitrovski.

Po kështu, është meritë e shquar edhe harmonia ndërfetare midis shqiptarëve. Ata janë të pandarë edhe në jetë, edhe përballë furtunave që sjell pashai i Ohrit. Kur ky i fundit i nxit njerëzit e tij “të ndezin urët” midis myslimanëve dhe krishterëve, qatipi i thotë se ata “shkojnë shumë mirë, si miq. Në luftë si vëllezër. Jetën e bëjnë bashkë në gëzime e hidhërime, në paqe e në luftë. Kanë bërë edhe krushqi. Një zot kemi, thonë. Shikoji, pasha, dhe të parët e tyre, Suli Starova është mysliman, Bendo Shapërdani është kaur. Si të ndahen të tjerët?”

Të veçanta e të pashlyeshme janë figurat e Ritës dhe Lenës, dy vogëlushe që rriten bashkë me lodra, mendime dhe ndjenja vajzërore. Bota shpirtërore e tyre përshkruhet me bukuri e finesë: “Kur po mbushnin 15 vjet zunë po shihnin ëndrra ndryshe nga ato të fëmijërisë. Ia tregonin njëra-tjetrës të skuqura, me purpur në faqe. Shihnin dhe ëndrra me turp, sikur pranë u afroheshin djem të bukur. Në këto raste gjumi u trembej dhe ëndrra u tretej si flokë bore mbi qerpik.” Në tematikën e romanit linja e këtyre dy vajzave sjell një botë tjetër, me ngjyra e freski të veçantë. Fundi tragjik i njërës prej tyre, i Lenës, është dëshmi e dhimbjeve të jetës së rëndë nën pushtimin turk.

Në subjektin e romanit, përkundër skenave me epiciet të fortë të luftimeve, ndërthuret edhe linja lirike e dashurisë së Bendos me Vesën, vajzën maqedone, lindur e rritur aty pranë. Marrëdhëniet mes tyre kanë një regjistër ligjërimi shumë të ndryshëm të autorit. Në fillim janë “bisedat frymëvalë e ëndërrimet qiellore”, pastaj në takimin e parë, nën një shtog të çelur, midis luledeleve të bardha, Vesa lë trëndafilin e kuq të vajzërisë. Vazhdojnë harbime faqeve të malit, ai si mëzat e ajo si hergjele, enden me varkë valëve të liqenit, zhyten në not e lodra uji… Kështu kapedani bën me nusen “atë që bën prilli me qershinë, e lulëzon”. Edhe pse kohë luftërash e trazirash, në roman zënë vend dhe përshkrime të goditura ndjenjash erotike, skena dashurie, madje marrëdhënie seksuale, të ndërtuara me mjeshtëri e maturi. Një gji i fshehtë i liqenit, ku në mëngjes Vesa me dy shoqe lahen lakuriq, si sirena përrallash, përshkruhet me një stilistikë që të emocion fort. Aty, pikërisht, djaloshi Bendo la mendjen së pari. Po aty, pas shtjellimit të subjektit, do të jetë edhe skena e fundit e çiftit të dashuruar. Këtë herë në mbrëmje, në mbyllje të ditës, si në mbyllje të jetës bashkëshortore…

Ashtu si në vëllimet e mëparshëm me legjenda, K. Nanushi mbush me lëndë jetësore subjekte që i rrëfen bukur, me gjuhë të ëmbël, plot nuancime e ngjyrime kuptimore. Peizazhet i hijeshon, i shpirtëzon, u jep jetë e bukuri. Ngjarjet i bën të ardhura afër e me ndjeshmëri të lartë. Gjuha është e mbushur me fjalë e frazeologji të së folmes se Pogradecit që e pasurojnë gjuhën letrare, si: “drokth, humbellë, zhujë, shavar, vërshë, calik, cekëlinë, mbushullimë, çatallë, sheputkë, urdhëror, i angështuar, i myshkëtuar, ofkëllin, rrusku! nemituni! frymëvalë, lakadredha, orëliga, poshtëthella, këmbëshkallë, etj. Në përdorimin e tyre bie në sy melodioziteti, ashtu si në krijimet e Lasgushit e të Mitrushit. Kjo ndodh, mendoj, sepse ky autor ecën në rrugën krijuese letrare të këtyre dy mjeshtërve të fjalës shqipe, punë të cilën ai e ka ngritur në një nivel më të lartë në këtë vepër romanore, krahasuar me veprat e tij të mëparshme.

          Sa për ilustrim po sjell një përshkrim mëngjesi: “Qielli u çyjëzua e dielli shkrepi mbi Mal të Thatë, por rrezet e tij shndritën më parë në brigjet matanë liqenit, nga Pogradeci në Lin e nga Struga në Ohër. Fshatrat në faqe të këtij mali, ende nxirrnin nëpër ag kollën e mëngjesit. Dhe gatiteshin me përtesë për punët e rënda të ditës.”

Po kaq tërheqëse është ndërfutja në subjekt e gojëdhënave të shumta të trevës, që me gjuhë alegorike e paralelizma sjellin pasuri e ngjyresa të tjera. Fjalët e urta e frazeologjitë në to, shprehjet sentenca, me mençuri e filozofi popullore, deri te urimet e mallkimet, janë margaritarë të thesarit leksikor popullor. Autori shprehet shkurt e qartë, teksti artikulohet natyrshëm e me intensitet.

Për arritjet gjuhësore të këtij romani, Prof. Nasho Jorgaqi në parathënien e veprës thekson: “Lënda artistike… shprehet me ligjërim të bukur, emocionues, me frazë të ngjeshur e të larmishme, me nëntekst të mençur dhe me stilistikë të pasur origjinale… Të befasojnë regjistrat ligjërimorë aq të larmishëm të autorit: tonet epikë (skenat e luftimeve), tonet trimërorë (përballjet Bendo – pasha i Ohrit), tonet kërcënues (letrat e sulltanit), tonet analitikë e filozofikë (Bendo – Atë Stefani në Shën Naull), tonet oratorikë (Bendo e mësonjësi Asllan në kuvende burrash), tonet shoqërorë (Bendo dhe çetarët e tij), tonet lirikë dhe idilikë (Bendo – Vesa), etj. Ato janë të motivuar, të natyrshëm e të besueshëm, me fjalorin e atyre moteve…”

Si përfundim, them se në tërësinë e vet romani shquhet për ndërtimin e një subjekti tërheqës, me kompozicion të zhdërvjellët, me dialogje të shkathët, me kalime të ngjarjeve si në një rrjedhë kroi malor të freskët e të shpejtë, me gjuhë të pasur e të pastër dhe me ligjërime të shumllojshme. Këto cilësi bëjnë që romani të lexohet me ëndje, përmes emocionesh mbresëlënës.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Legjende

OSMAN HAXHIU LEGJENDAR

June 10, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Sot, në takimin e përditshëm të “kafes” me shokët e mi pensionist nga Vlora, duke biseduar, fjala na shkoi te Osman Haxhiu, prijësi legjendar i “Luftës së Vlorës”. Dhe pikërisht në këtë objekt bisede, mua mu duk se dikush “shkau”. Shokët e tavolinës tonë te “Bar Kafe Rossi”, përgjithësisht burra të matur dhe të mendimeve të pjekura nga vitet dhe detyrat që kanë kryer në jetë, kanë mësuar se, për diçka që nuk janë të sigurt, më mirë të heshtin. Po, dikush tjetër ardhur përkohësisht, pikërisht kur u hap biseda për Osman Haxhiun, u nxitua të thotë qysh në fillim: “Vërtetë ka merita për kohën, po ai ka bërë sipas mundësisë vetjake dhe deri te kufiri shkollimit të tij fare minimal, ose më mirë të them, si i pa shkollë dhe si pa para”.
Kjo tezë u kundërshtua dhe u përgënjeshtrua njëzëri nga dëgjuesit dhe së fundi u tha se: “ky gjykim është ai i një skeptiku mendjemadh edhe pse mjaftë të shkolluar e të ditur, po me “bëma e mosbëma prej fodulli”. Tekstualisht këto janë fjalët e Eqerem Bej Vlorës”, vlonjatit bashkëmoshatar me Osman Haxhiun, po që e ka gjykuar atë me padrejtësi e ndofta xhelozi, duke u prirë nga mendimi i tij se ”Shqipërinë mund ta bëjnë të lirë e të pavarur, vetëm bejlerët e pasur”. Osman Haxhiu u tha aty, ka qenë i shkolluar relativisht dhe i ditur, trim e i vendosur qysh në rinin e tij të hershme edhe pse ka qenë një qytetar pa pasuri të madhe” .
Osman Haxhiu u lind e u rrit në një familje të mesme qytetare në Vlorë, më, 28 Tetor 1885. Mësimet e para i mori në mejtepin e qytetit e më vonë kreu studimet në “Robert Kollezh”, në një nga shkollat më të famshme të Stambollit. Aty mësoi turqishten, gjermanishten, frëngjishten. Qysh herët zuri miqësi me djemtë e Ismail Qemalit, Et-hem e Qazim Vlorën dhe me ta, që në moshë të re, u radhit në lëvizjen për pavarësi të Shqipërisë.
Në Stamboll, në vazhdim të traditave patriotike familjare, u lidh ngushtë me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Mulla Xhaferr Drashovicën etj, që i hapën atij horizonte të reja. Ai ishte një djalosh i shkathët, i zgjuar, sypatrembur, që u ushqye qysh herët me idetë e rilindësve e u njoh si një luftëtar aktiv për ti vënë ato në jetë. Shpejt ra në sy të hafijeve të Perandorisë Osmane e u syrgjynos në Arabinë Saudite. Patriotët Shqiptarë të lidhur me të nga Siria, Egjipti, Libia e Stambolli, e ndihmuan të arratisej prej andej. Arratisja u bë me një anije që transportonte vaj për në Korfuz e më pas shkonte për në Shqipëri.
Ishte nëpunës në Prefekturën e Janinës ku u përfshi në trazirat e atjeshme e kërkohej për t’u arrestuar bashkë me vlonjatë të tjerët. Duke parashikuar këto masa të egra, Osman Haxhiu u arratise doli nga Perandoria Osmane për në Athinë, por i kundërshtuar nga grekët, u detyrua të vendosej në Korfuz e më pas në Bari, Napoli e Romë. Pas lirimit në Janinë të të burgosurve vlonjate, Osman Haxhiu kthehet në Vlorë e më 1911 me ardhjen e mikut të tij, Et-hem bej Vlorës, u ndërmorën biseda e takime, ku ai bashkë me patriotë të tjerë, merrnin këshilla e porosi nga Ismail Qemali, për organizimin më të mirë të lëvizjes kombëtare.
Në Vlorë nisi një aktivitet të ngjeshur atdhetar, në përfshirje të Klubit “Labëria” ku u bë anëtar qysh në themelim dhe pati fatin të bashkëpunojë edhe direkt me Ismail Qemalin.
Pas Kuvendit të kryengritësve malësorë të Gërçes, me fillimin e vitit 1912 edhe vlonjatët, kërkuan nga Porta e Lartë shkëputjen e Kombit Shqiptar, me ato të drejta që kanë kombet e tjera.
Disa ditë përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, komisioni i ngritur, ku merrte pjesë dhe Osman Haxhiu, krijoi një qendër ushtarake në Shkozë të Sevasterit, që do të kishte fuqinë e një Komande Ushtarake, në luftë kundër shovinistëve grekë agresorë.
Pas ardhjes së Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë, ai u rrethua nga patriotët e Vlorës, midis tyre qe edhe Osman Haxhiu. Më 1913 Osman Haxhiu u caktua Sekretar i Prefekturës së Vlorës. Edhe pse u ngarkua në këtë detyrë, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Mehmet Pashë Dërralla, bashkë me Alem Mehmetin dhe Et-hem Vlorën, gjatë muajve shkurt – prill 1913, qëndruan në bregdet për organizimin e banorëve të krahinave në mbështetje të frontit për marrjen e Janinës. Kur Esat Pashë Toptani i dërgoi ultimatumin Qeverisë së Vlorës, i mbështetur nga Myfit bej Libohova, Dervish Biçaku, Eqerem bej Vlora, që kërkonte prishjen e qeverisë së Vlorës dhe krijimin e saj në Durrës, sipas propozimit te Vienës dhe Romës, iu kërkua Qeverisë së Vlorës që përfaqësuesi shqiptar në KKN (Këshilli i Kontrollit Ndërkombëtar) të ishte Myfit bej Libohova. Përkrahës të Ismail Qemalit ishin Fejzi Alizoti, Ali Asllani, Osman Haxhiu, Ibrahim Avdullahu., që mbështetën propozimin e Ismail Qemali për refuzimin e Myfit Libohovës dhe zëvendësimin e tij me Luigj Gurakuqin.
Kur Ismail Qemali u padit padrejtësisht në përfshirjen e “komplotit të Beqir Grebenësë”, për kundërshtimin e Princ Vidit dhe përkrahjen e princit turk Izet Pasha, prapë Osman Haxhiu e Ibrahim Abdullahu qenë të vetmit që kërkuan takim dhe angazhuan avokatin shqiptar, Kristo Floqi dhe biseduan derisa u realizua pafajësia e Ismail Qemalit. Osman Haxhiu shprehu në atë kohë, në mënyrë proverbiale mendimin e tij, se: “Esat Pashë Toptani ishte një mace e zezë e vatanit në politikë”.
2-Më 22 Janar të vitit 1914, ndër ata që përcollën me besnikëri Ismail Qemalin ishte edhe Osman Haxhiu. Në grupin e delegatëve për pritjen e Princ Vidit në Durrës nga Vlora, u caktuan Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Ibrahim Avdullahu. Ata ngulën këmbë që për pritjen e Princ Vidit në Durrës të ishte prezent dhe Ismail Qemali.
Një delegacion tjetër, ku morën pjesë patriotët e Vlorës Osman Haxhiu, Elmaz Xhaferri Kanina, Ibrahim Avdullahu, u dërguan në Nicë të Francës për t’u takuar me Ismail Qemalin. Ata kërkuan që ai të ishte mes tyre, por kjo nuk u prit mirë dhe u refuzua nga Qeveria e Durrësit. Ministër i brendshëm ishte Esat Pashë Toptani, me këtë rast, urdhëroi prefektin e Vlorës që të arrestonin Ismail Qemalin me t’u kthyer në qytet. Me këtë rast rrethet patriotike me Osman Haxhiun në mes, i dërguan telegram Princ Vidit, ku shprehej hapur protesta e tyre.
Osman Haxhiu i propozoi direkt Princ Vidit ndërmjetësim paqësor me kryengritësit e Haxhi Qamilit, për të evituar gjakderdhjen midis shqiptarëve, për më tepër se, në vitet 1913—14, krahinat viheshin në rrezik për t’u aneksuar nga grekët. Pikërisht në atë kohë bandat e Haxhi Qamilit me thirrjen “dum babën”, dogjën e përvëluan shumë fshatra e arritën në portat e Vlorës. Osman Haxhiu “i hollë e i thatë si purteka, eshtak, po mjaft energjik, autoritar, i mençur më shumë se një i moshuar (ishte vetëm 28 vjeç)”, u vu në krye të komisionit që të bëhej pajtimi me Haxhi Qamilin, edhe falë aftësive të tij në disa drejtime, ndërmori deri manovrime diplomatike, ia arriti qëllimit dhe e shpëtoi pa u djegur Vlorën dhe flamurin e Skënderbeut.
Më 1916, Osman Haxhiu, për popullaritetin e madh që kishte krijuar, emërohet prefekt i Vlorës. Me fakte është vërtetuar që italianët kishin shfaqur synimin për aneksimin e Vlorës. Titullari italian paraqiti një akt skllavërues të kamufluar, (sikur do binte ca punëtorë), Osmani me shpejtësi e grisi aktin në mënyrë demonstrative duke i thënë “këta nuk janë punëtorë, por spiunë”, kjo rrugë të çonte drejtë kolonizimit të Vlorës.
Pas kësaj Osman Haxhiu u përzu nga puna, por asnjëri se përgojoi, përkundrazi në opinion publik figura e tij, dita ditës, ngrihet lart e më lart. Janë bërë shumë memorandume që i dërgoheshin Lidhjes së Kombeve për largimin e trupave italianë nga Vlora. Këto u firmosën nga atdhetarët vlonjatë, me në krye Osman Haxhiun.
Erdhi në Vlorë dhe një delegacion italian për të vëzhguar nga afër situatën. Vlonjatët, me në krye Osman Haxhiun, ishin duke festuar Bajramin në Xhaminë e Tabakëve dhe më pas programuan të demonstronin në rrugët e qytetit me flamur në dorë
Italianët u informuan për këtë demonstratë dhe mblodhën forca të shumta karabinierësh. Një marshall që drejtonte operacionin thirri Osman Haxhiun, e i tha: “Osman, thuaju manifestuesve të mos bëjnë gabim të dalin me flamurin shqiptar, se kjo s’ka kuptim, ju keni flamurin italian e s’ka vend për dy flamuj, ndryshe do të përdorim armët”. Kur manifestuesit dolën nga xhamia, marshalli hoqi flamurin shqiptar dhe ia lidhi në bisht të një qeni që shëtiste nëpër rrugë. Atëherë Osman Haxhiu me bastunin e tij e goditi në kokë. Në fillim italianët e arrestuan, por kur morën në telefon, gjenerali italian, nga frika e zemërimit të demonstruesve, dha urdhër të lirohet. Populli u këndoi:

Nëntori nëntëmbëdhjetë
Osman, ç’e bëre beli
Mu te sheshi i Xhamisë
E more vdekjen në sy

Gjatë muajve që pasuan, pra në gjysmën e parë të vitit 1920, italianët po përgatiteshin në mënyrë
3
të ethshme në të gjithë drejtimin për ta pushtuar krejt Vlorën. Pikërisht, në këtë periudhë, si një
udhëheqës popullor i provuar, evidentohet më shumë se kurrë Osman Haxhiu, që populli, qysh atëherë, e quajti Osman Nuri.
Ai, i ushqyer qysh herët me ndjenja atdhetarie, i kalitur që në moshë të re kundër armiqve e tradhtarëve të vendit, vuri në dispozicion të qëndresës popullore jo vetëm mendjen, por edhe gjithë pasurinë e tij. Me shumë vërtetësi për të kanë thënë: “Ishte më i pasuri kur filloi lufta dhe doli më i varfëri nga ajo”…

Vendimet historike të Kongresit të Leshnjes hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Në zbatim të tyre, në mars të vitit 1920, Osman Haxhiu u zgjodh “Kryetar i Komitetit të Mbrojtjes” për Vlorën. Kuvendi i Barçallasë që u mbajt më 28 maj të vitit 1920 me këtë kryetar të zgjedhur, miratoi vendimin për shporrjen e agresorëve. Në mbledhjen e komandantëve të çetave që përfaqësonin 4000 vullnetarë, u mor miratimi historik i tyre, për luftë pa kompromis…
Më 3 Qershor ata i dërguan ultimatum italianeve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: Ne e dimë se një popull i vogël siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…
Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe e të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë, si ajo e Mato Hasanit nga Brati:

Ç’të them për Osman Picar,
agai që mbahet rëndë,
kur shkon kaluar në kalë
flet pak dhe me mënd.

Është ilaç për fukaranë
për krahinë, mall e gjënë
miqtë e tij i ka të rrallë
një flori, tjetri argjendë…

Lufta e Vlorës zgjati 3 muaj, derisa u kthye në një luftë mbarëkombëtare. Ajo mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku ai tregoi vitalitetin e tij të rrallë e i tha botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjendje të bëj një popull i vogël, fukara, por atdhetar, qoftë edhe kur lufton kundër një fuqie të madhe 40 milionëshe…
Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.
Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetëra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:

Ulu o mali me borë
që të shoh përtej në Vlorë
Osman Haxhiun me forë
që ngrihet Baba Tomor…
4
Fytyra e këtij “vigani” siç shkruajnë bashkëkohësit është gdhendur në vargjet monumentale:

Osmani ç’i hipi kalit
bëri poshtë buzës së malit
seç i foli gjeneralit
dil steresë e jo limanit
breshkamadh i breshkamadhit
të shoç të zotë e vatanit…

Në vitin 1924 Osman Haxhiu vendoset në krah të Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit.

Osman Haxhiu vdiq fare i ri, në moshën 52 vjeç dhe Vlora e përcolli me nderim të madh.

Figura legjendare e Osman Haxhiut dhe “Lufta e Vlorës”, nuk është ngritur asnjëherë në madhështinë që meritojnë:
Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çifligun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora, si e meritonte, e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.
Në kohën e Enverit, u venit paksa madhështia e tij, ndikuar nga qëndrimi politik i djalit të tij Kryetar Bashkie, po dhe si ish aga, e përfaqësues “i klasave të përmbysura”. Menjëherë pas ardhjes në fuqi, komunistët i hoqën emrin e Shkollës Nr. 3 të Vlorës (që quhej Shkolla Osman Haxhiu). Në 50 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u dekoruan me një medalje të thjeshtë “Për Veprimtari Patriotike” që është shumë pak, për çka e meritonte çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.
Bashkia e Qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”, dhe Këshilli i Qarkut Vlorë në vitin 2012 e shpalli “Nderi i Qarkut të Vlorës “, në shtëpinë e tij është vendosur një pllakë përkujtimore bronzi, një rrugë e lagjes “Isa Boletini” dhe një lagje e qytetit të Vlorës ka emrin e tij, Presidenti Alfred Moisiu, në vitin 2005, i akordoi dekoratën “Medalje e Artë e Shqiponjës”, ndërsa Shoqata Kulturore dhe Atdhetare “Labëria” e ka shpallur “Mirënjohje e Labërisë”

Osman Haxhiu, i kalon shumë kufijtë e Vlorës dhe të Labërisë dhe formëson një figurë legjendare të popullit shqiptar. Ai, si rrallë kush, e shkriu rininë dhe pasurinë e tij, për pavarësinë dhe lirinë kombëtare.
Për figurën e tij legjendare atdhetare, jo vetëm që nuk ka asnjë “njollë e damkë”, (siç ndodhi në rastin e asaj bisede nga mori shkas ky shkrim modest), po është një monument historik, me kulmin në fitoren e “Luftës së Vlorës”, që duhet të nderohet e kujtohet sa më shumë nga të gjithë shqiptarët e posaçërisht, nga Bashkia e Vlorës, Akademia e Shkencave dhe deri te Presidenti i Republikës.

Vlorë, më 10.06.2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Legjende, Luan Cipi, Osman Haxhiu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT