• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komuniteti shqiptaro-amerikan përcolli për në amshim, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj

August 10, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

Javën që kaloi, komuniteti shqiptaro-amerikan humbi njërin prej aktivistëve më të njohur të tij, Lekë Gojçaj.  Megjithëse nën rregulla shumë të kufizuara për arsye të pandemisë aktuale që ka goditur mbarë botën, komuniteti shqiptaro-amerikan, me një pjesëmarrje të madhe përcolli për në amshim, me më të madhin respekt, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj, ditën e enjtë të javës që kaloi.

Leka njihej në komunitetin tonë si një veprimtar i dalluar, i cili gjëndej gjithmonë i gatëshëm për të ndihmuar dhe kurdoherë që e lypte nevoja, i angazhuar në nismat atdhetare, fetare dhe shoqërore të komunitetit, por edhe më gjërë.  Por mbi të gjitha, Lekë Gojçaj njihej dhe do të mbeten — së bashku me vëllain e tij Pashkon, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë para disa viteve — si dy shqiptare fisnikë malësorë, mërgimtarë që i kishin përcaktuar vetes misionin e shenjtë dhe patriotik për të vendosur sa më shumë shtatore të Shënjëtëreshës Nënë Tereza, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në botë.  Këtë donin ta bënin me qëllim për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news, të sllavëve të jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar.  Përveç shtatoreve gjigante qai kishte spnsorizuar, Lekë Gojçaj nuk linte derë pa trokitë nga Washingtoni e deri në Vatikan për të dhuruar shtatoret më të vogëla prej argjendi, Papës zyrtarëve të lartë të politikës amerikane në Washingtonin, përfshir kongresmenë e senatorë, me qëllim që edhe ata të njohin më mirë Nënë Terezen, si shqiptare që ishte dhe nepërmjet saj të njihnin më mirë edhe Kombin shqiptar, që deri në vitin 1990 ishte vet-izoluar nga bota perëndimore për pothuaj 50-vjet komunizëm.       

I ndjeri Lekë, përveç aktiviteteve të tjera, ka botuar edhe një libër me titull, “Shtatoret e Përjetësisë”, mbi jetën dhe veprimtarinë e familjes Gojçaj në Hot të Malësisë së Mbishkodrës nga ku e ka origjinën familja dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kemi gjetur strehim dhe siguri.  Pjesën e parë të të librit ai ia ka kushtuar   shtatoreve të Nenë Terezës që ai dhe vëllai i tij kanë sponsorizuar duke i vendosur në trojet shqiptare dhe në Amerikë.

Suksesin e realizuar, që ka bërë të mundur edhe shpenzimet për këto shtatore, në një biznes imobilar si emigrant në Shtetet e Bashkuara, Leka ia dedikonte punës së rëndë prej disa dekadash, familjes dhe mbi të gjitha nenës së tij.  Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Leka ishte shprehur se,“Pasurinë më të madhe, kisha nënën me vete.  Jo se kam qenë punëtor i madh, jo se kam patur edukatë për biznes, por kemi punuar me djersë të ballit, na kanë ndihmuar miq e dashamirë.  Kjo ishte meritë e të gjithëve, e Zotit mbi të gjitha, e vëllait tim Pashkut, i cili është punëtor i vërtetë, natë e ditë nuk lodhet”, është shprehur ai disa vjetë më parë në një program për VOA-n.

Ishte pra ky sukses në biznesin e tij imobilar që ia kishte bërë të mundur, që nderimin, respektin dhe mahnitjen e tij pas “madhështisë së shpirtit të Nenë Terezës”, siç thotë ai, ta çonte në vend duke realizuar ëndërrën e tij për të ndërtuar sa më shumë shtatore kushtuar Nenë Terezës në trojet shqiptare dhe në Amerikë. Ishte në vendlindjen e vëllezërve Gojçaj në Malësi, që më 13 qershor, 1996, atyre u lindi ideja e projektit për shtatoren e Nenë Terezës, — shënon Lekë Gojçaj në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”. 

Këtë nderim dhe mahnitje me Nënë Terezën, Lekë dhe Pashko Gojçaj janë përpjekur ta shprehin gjatë jetës së tyre me vepra – përfshir, pikërisht, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nenës Tereze, që me sponsorizimin e tyre kanë bërë të mundur, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në trojet shqiptare.  Realizimin e kësaj nisme e kanë filluar me vendosjen e shtatores së parë të Shënjëtores shqiptare, në vendlindjen e tyre në Tuz të Malësisë,  (18 tetor, 1997) që mendohet të jetë edhe shtatorja e parë e Nenë Terezës, në botë.  Gojçajt kishin vendosur që shtatorja e Nenë Terezës të ishte produkt i punës së tre skulptorëve shqiptarë — të përzgjedhur me qëllim nga vëllezrit Gojçaj — përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve: Vasil Rakaj, katolik, Sadik Spahia, mysliman dhe Vasiliev Nini, ortodoks, për të dëshmuar, sipas Lekë Gojçajt, harmoninë fetare ndër shqiptarët, por edhe për treguar se Nenë Tereza u përket të gjithë shqiptarëve, pa dallim. 

Shtatoren e dytë të Nenë Terezës, vëllëzrit Gojçaj e vendosën para Kishës , “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut, me 10 shtator, 2000, kur Nenë Tereza e cila shpesh kishte vizituar komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – tani u bë pjesë e pandarë e këtij komuniteti, pranë Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.  Vëllëzrit Gojçaj ndihmuan gjithashtu me një shtatore edhe Kishën Katolike Shqiptare në Detroit.

Shtatorja e tretë e Nenë Terezës e kishte radhën të vendosej në Prishtinë, kryeqytetin e Dardanisë së lirë, si një premtim, shkruan Lekë Gojçaj, që ai i kishte dhënë Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në një takim me një grup shqiptaro-amerikanësh.  Premtimi u bë realitet me 2 Korrik, 2002, datë që përkonte me shpalljen e “Deklaratës Kushtetuese të Kosovës”.  Në përurimin e shtatores së vendosur në rrugën kryesore të kryeqytetit të Kosovës që edhe mban emrin “Nenë Tereza”, pat marrë pjesë edhe Presidenti Ibrahim Rugova.

Për shtatoren e katërt (vepër e skulptorit shqiptarXhelil Rufati nga Maqedonia), e kishte radhën Struga, qyteti shqiptar në Maqedoni, si rezultat i një propozimi që u kishte ardhur vëllezërve Gojçaj nga Jashar Pollozhani, Kryetar i Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Strugë.  Përurimi i shtatores së Nenë Terezës në Strugë u bë me 17 prill, 2004, kur “Katër vajza si zana zbuluan shtatoren e Nenë Terezës, i gjithë sheshi shpërtheu në një duatrokitje të gjatë.”  Nga ai moment Nenë Tereza u bë pjesë e pandashme e qytetit piktoresk me shumicë shqiptare, buzë Liqenit të Ohrit, thuhet në librin, “Shtatoret e Përjetësisë”, të autorit Lekë Gojçajt.

Pastaj radhën e kishte Mitrovica në jesën veriore të Kosovës, që edhe atje të ngrihej shtatorja e Nenë Terezës.  Për vendosjen e shtatores në Mitrovicë bashkpunoi i njëjti komision shqiptaro-amerikanësh që kishte bashkpunuar, më heret, për vendosjen e shtatores së Nenë Terezës në Strugë.

I ndjeri Lekë Gojçaj, në librin “Shtatoret e Përjetësisë” shpreh zhgënjimin e tij të thellë se nuk ia doli që shtatoren e Nenë Terezës ta vendosnin edhe pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në Nju Jork, që ishte një dëshirë e madhe e tij.  Sipas tij, ai hasi në pengesa të konsiderueshme, pasi OKB-ja nuk pranon dhurata nga individë, por vetëm nga shtetet anëtare.  Vëllezërit Gojçaj pastaj kishin menduar që t’i dhuronin shtatoren e Nenë Terezës, Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, por siç duket as me shtetin shqiptar (nepërmjet misionit të tij pranë OKB-së), nuk gjeti bashkpunimin e nevojshëm për të realizuar endërren e tij për miratimin e vendosjes së shtatores së Nenë Terezës pranë OKB-së në Nju Jork.

Lekë Gojçaj ndërroi jetë pa realizimin e këtij projekti në OKB, por vëllezërit Gojçaj kanë lenë gjurmë të pashlyeshme dhe dëshmi historike duke vendosur shtatoren e Nenë Terezës nepër rrugë dhe sheshe anë e mbanë trojeve shqiptare, si edhe në botën e re, këtu në Shetet e Bashkuara të Amerikës.  Si rrjedhim, siç është shprehur edhe Dom Lush Gjergji, biografi i Nenës Tereze në një mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes së Lekë Gojçajt, duke vlerësuar kontributin e vëllezërve Lekë dhe Pashko Gojçaj, ka thekësuar se,“Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegje, sepse ata edhe më shumë kanë dëshmua fisnikërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete dhe veprimi, duke pasur dhe kultivuar gjithnjë dhe kudo ide dhe ideale të larta shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare.”

Në mesazhin e tij, Dom Lush Gjergji falënderoi vëllezirt Gojçaj edhe për ndihmën dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, që, sipas tij,  “Ishte sfidë për të gjithë ne”, por që, “Për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ishte rast i mirë i bashkëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë së çdo shqiptari, pa dallim vendi apo feje — që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit, që ne në Nënën Tereze e kemi gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri”.  Jeta, puna dhe veprimtaria kulturore, fetare dhe atdhetare e vëllezërve Gojçaj nuk mund të vlerësohej më mirë se kështu.

Nenë Tereza, atëherë dhe sot, një prej personaliteteve më të admiruara të botës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ..

*

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, komuniteti shqiptar, Lek gojcaj, Percollli

IU DHA LAMTUMIRA ATDHETARIT, BAMIRËSIT, “AMBASADORIT” TË NËNË TEREZËS, LEKË GOJÇAJ….

August 7, 2020 by dgreca

NGA DALIP GRECA-*

Shkoi të pushojë atdhetari i përkushtuar Lek Gojçaj. Shqiptaro-amerikanët ia dhanë të gjithë respektin që meritonte. Kisha po ashtu. Po shtetet shqiptare sa e vlerësuan? Njeriu që së bashku me vëlla, sponsorizoi dhe vendosi shtatoret e Shënjtëreshësh Nënës TEREZË në Trojet Shqiptare,njeriu që dhuroi shtatoret e argjendta për Vatikanin(Papen) dhe Washingtonin, kongresmenëve e senatorëve, për t’i afruar ata më shumë më Kombin e Nënë Terezës, nuk u vlerësua nga shtete shqiptare as me dekoratën që mbanë emrin e shenjtëreshës ”Nënë Tereza”,-ndërkohë që patriotë të dyshimtë u ngjitën deri në titujt dhe urdhërat më të lartë, që mbajnë emrin e heroit kombëtar , tituj e urdhëra kalorësie, Nder e Flamur… etj….!Natyrisht se të turpëruar mbeten shtetet shqiptare, Jo Leka.Ai shkoi me nder e respekt edhe pa dekorimet e merituara!


Komuniteti shqiptaro-amerikan e ka nderuar me plot respekt patriotin me sjellje e bëma fisnikërije Lekë Gjeto Gojçaj, i cili ndërroi jetë me 4 gusht 2020. Të Enjten me 6 gusht, edhe pse në kushtet e rrepta të diktuara nga Pandemia e koronavirusit, me rregulla strikte të mbrojtjes dhe ruajtjes së distancës sociale, kanë qenë të panumërt pjesmarrësit në homazhet e organizuar në në Shtëpinë Mortore YORKTOWN FUNERAL HOME,New York. Për shtatë orë vargu i bashkatdhetarëve (po edhe i amerikanëve) që kryenin homazhe nuk pushoi. Vatra ngushëlloi familjen Gojçaj me një pjesmarrje të madhe.


Në meshën e Dritës, që u drejtua nga famullitari Don Pjetër Popaj, ditën e Premte, 7 gusht 2020, duke filluar që nga ora 11 A.M.,pjesmarrja ishte e jashtzakonshme duke marrë parasyshë distancimin social dhe rrezikun e koronavirusit.


Në Meshë dhe në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Vatrës: Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i Nderit Agim Rexhaj, anëtari i Kryesis Zef Balaj,Arkëtari Marjan Cubi me Familje,anëtarët e kryesisë Anton Raja, Mark Mrnaçaj,vatarni Aleks Mrnaçaj, Mhill Gjuraj-anëtar i Këshillit, Kryeredaktori i Diellit Dalip Greca, e të tjerë.
Gjatë Meshës Dom Pjetër Popaj vlerësoi Lek Gojçaj, jo vetëm se besimtar i përkushtuar i fesë, por edhe si një atdhetar, që punoi pa u lodhur dhe pa u kursyer për Kombin, e vlërësoi për bamirësi, por edhe si qytetar i sjellshëm, komunikues,si njeri fisnik, I shkueshëm me të gjithë, i qeshur, i dashur. Leka të bënte për vete me karakterin e tij, të qeshurën e tij, shpirtin e tij fisnik.Leka shkoi, por pas ka lënë gjurmët e një jete që i bën krenarë pasardhësit dhe miqtë e tij. Dom Pjetri tha se ne po japim lamtumirën për ndarjen fizike prej nesh, por ai do të jetë përherë mes nesh me veprat dhe kujtimet që ka lënë pas. Kontributi i Gojçajve është aty në Kishën Zoja e Shkodrës, që nga fillimi, ndërtimi, është tek Shtatorja e Shenjtëreshës Nënë Tereza,para Kishe, që u uron e para mirëseardhjen besimtarëve të gjakut të saj. Atë e dhuruan vëllezërit Gojçaj. Shtatore të tilla ata ndërtuan e dhuruan jo vetëm në New York, por edhe në Michigan, Tuz (Malësi), Prishtinë, Mitrovicë, Strugë etj.


Varrimi i të ndjerit u bë në varrezat “GATE OF HEVEN”, New York.(Më shumë lexoni në Gazetën Dielli në print)

*Me shume fotografi gjeni ne FB

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Lamtumira e fundit, Lek gojcaj

Shtatorja e Mitrovicës

January 20, 2014 by dgreca

Nga LEK GOJCAJ*/

Në Foto:Lekë Gojcaj duke zbuluar projektin e shtatores se Nënë Terezës ne EastWood Manor para komunitetit shqiptar/

 Kisha mendura prej kohësh se një shtatore e Nënë Terezës në  itrovicën e trazuar do të shërbente për uljen e tensioneve mes qytetarëve, që janë të etnive të ndryshme. Edhe vëlla Pashku ishte në një mendje me mua. Erdhi dita që kjo shtatore të bëhej pjesë e qytetit, që ka provuar mbi vete shumë ngjarje tragjike. Që nga 4 shtatori i vitit 2004, Nënë Tereza është atje, falë një projekti të diasporës shqiptare të Amerikës. Ky projekt kishte nisur paralelisht me shtatoren e Strugës dhe të Klinës. Kjo e fundit, pra e Klinës, iu dha biznesmenit shqiptaro-amerikan me origjinë  nga Kosova, Elmi Berisha, të cilit iu njoh e drejta e kopjes. Shpenzimet i ka bërë vetë ai. Ka qenë ditë e shënuar edhe vendosja e shtatores në Klinë, ku kanë marrë pjesë shumë personalitete politike e shtetërore, madje edhe presidenti i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova.

Shtatorja e Mitrovicës pati të njëjtin komision, që realizoi shtatoren e Strugës. Ditën që u vendos shtatorja në Mitrovicë ishte vërtetë një ditë feste, edhe pse do të doja që të ishte më shumë një ditë bashkimi. Kush më mirë se sa Nënë Tereza do ta bashkonte Mitrovicën? Por duket se pushteti vendor nuk mundi që ta realizonte atë llojë bashkimi, qoftë edhe simbolik. Gjithësesi mendoj se ishte kujdesur Beogradi që Mitrovica të mos bashkohej dhe tensionet të mbeteshin gjithmonë të ngritura.

Gjithsesi, pjesëmarrja e autoriteteve tregonte vlerësim për vendosjen e simbolit të paqes dhe humanizmit në Mitrovicën shqiptare. Kishte ardhur në përurim Ministri  i Kulturës, Sportit e Rinisë, i asaj kohe, Behxhet Brajshori, Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, këshilltari i presidentit Rugova, Sali Cacaj, deputeti Tom Hajdari, poeti Visar Zhiti, nga Shqipëria, Jashar Pollozhani, nga Struga,  zv/ Kryetari i komunës së Mitrovicës, Mursel Ibrahimi (kryetari i ndjerë, Faruk Spahiu, sapo ishte ndarë nga jeta, për shkak të një sëmundjeje të rëndë) etj..Unë kisha shkuar bashkë me Pashkun në Mitrovicë, si dhe me Marjan Cubin, Simon Simonlacajn dhe zonjën e tij, si dhe kishte ardhe me ne edhe kushëriri im, Doda.Gjithëçka shkoi mirë në Mitrovicë, me përjashtim të pjesëmarrjes, që nuk ishte ajo që prisnim. Mendoj se mungesa e informimit dhe gjendja e tensionuar mes komunitetit serb dhe atij shqiptar, do të kenë qenë një nga shkaqet e pjesëmarrjes jo aq të mjaftueshme. Dr. Rugova  na kishte paralajmëruar që njerëzit ende nuk ishin të çliruar nga një lloj frike.

Si shkoi  Nënë Tereza në Mitrovicë?

  Shtatorja e Mitrovicës erdhi si kërkesë e drejtorit të Radios në Mitrovicë, profesorit dhe publicistit Nexhmedin Spahiu, i cili, gjatë një telefonate, më shfaqi dëshirën që shtatorja duhej të ishte në Mitrovicë. Sipas drejtorit të radios, prania e shtatores së Nënë Terezës, do t’i bënte mirë Mitrovicës me tensione ndëretnike. Prania e Nënë Terezës do t’i zbuste shpirtrat e trazuar. Kërkesa për atë shtatore kishte ardhur paralelisht me kërkesën e Jashar Pollozhanit për Strugën. Nuk refuzuam as njërën e as tjetrën dhe i pranuam të dyja.

  Kurorëzimi i projektit të Mitrovicës më dha një qetësi shpirëtrore. Edhe sot gjykoj se Mitrovicës i duhej Nënë Tereza më shumë se kujtdo tjetër.

Në përurimin e Mitrovicës, Gjovalin Lumaj kishte shkruar një poezi, të cilën e solli atë ditë Marjan Cubi. Po i sjell këtu vargjet e kësaj poezie:

Në Mitrovicë erdhi shtatorja

Nga Gjovalin Lumaj

Historia sa të jetë jeta,

I shënon ngjarjet e veta.

Në kalendar kjo ditë e artë,

Do të shpërndajë dritën e kjartë.

Në Mitrovicë erdhi shtatore,

Nanë Tereza, nanë botnore¼

Mirë se vjen Nanë e Lumnueme,

Mirë se vjen dritë e pashueme.

Mitrovica sot të pret,

Don me të pasë në zemër të vet.

Me ta ruejt emrin në breza,

Mirë se erdhe Nanë Tereza!

Drita jote do vegojë,

Për kët’ dritë kemi nevojë.

Ti në zemra mbjell dashninë,

Thërret paqen  e qetësinë.

Ti thërret vlerat njerëzore,

Nanë Tereza, bijë arbnore¼

 

Bota e madhe gjatë e gjanë,

Të nderon e të thërret nanë,

Prej në troje të Shqipërisë,

Në Kalkutën e Indisë.

Dritë shpirtnore, mesazh shprese

Bije shqiptare, Nanë Tereza¼

Vjet për vjet shtatoret rriten,

Në troje të shqipes hapin dritën.

Kjo vepër ka bekim prej Zotit,

Për vëllezërit Gojçaj prej Hotit.

Djersën e  derdhun në mërgim,

E dhurojnë me përkushtim.

 

Vepra e sotme na nderon,

Jep mesazh e na bashkon,

Kosovarë e gjithë shqiptarë,

Kjo është nder për nismëtar.

Dy figura që njeh Kosova,

President Ibrahim Rugova,

Dom Lush Gjergji që s’u kursye,

Vepra e Nanës me shkëlqye¼

 

Nismëtarët bashkuan vullnetin,

Se e duan prosperitetin,

Duan bashkimin përmbi  ndarje,

Duan Kosovën pa përçarje.

Janë përkrah nanës botnore,

Misionarë vlerash njerëzore¼

Nana e madhe jep bekimin,

Për mëshirën për durimin,

Për marrëveshjen për pajtimin,

Për urtësinë e gjakftohtësinë,

Humanizmin e Bamirësinë¼

Vepra e Nanës plot fryëmzim,

N’ Mitrovicë thërret bashkim.

Drita e saj po kthjellon motin,

Bashkon njerëz, me shpresë në Zotin.

Bekon Kombin Nanë Tereza.

Paqe, qetësi  pa pas ngatërresa.

Vitet shkojnë, kohnat do rrjedhin,

Vepra shenjtë do shndrisë qiellin,

Bashkë me yjet, Hanën e Diellin,

Brezat kangën do përcjellin.

Trojet tona të Ilirisë,

Nderojnë veprën e pavdekësisë

Ka qenë e mrekullueshme paraqitja artistike e krijimtarisë që i përkushtohej Nënë Terezës në tubimin e Mitrovicës. Visar Zhiti, një poet disident, që komunizmi nuk arriti ta thyente as në qelitë e torturave dhe as në ferrin e burgjeve, përcolli atë ditë poezitë e shpirtit për Nënën Terezë. Është duartrokitur gjatë poeti i talentuar. Edhe aktori i shumënjohur i Kosovës, Çun Lajçi, na ka emocionuar me vargjet kushtuar Nënës së madhe.

Pas atij përurimi kemi shëtitur edhe nëpër pjesë të tjera të Kosovës, duke qenë pjesëmarrës në disa nga veprimtaritë përkujtimore, kushtuar Nënë Terezës. Me shumë emocione i përkujtuam edhe veprimtaritë e organizuara në Gjakovë. Të dielën, me 5 shtator 2004, isha në Letnicë, tek Kisha “Zonja Cernegore”, ku Nënë Tereza kishte marrë mëshirën e parë, kur ishte vajzë e re. Na ka shoqëruar biografi i saj, dom Lush Gjergji. Të gjitha veprimtaritë na kanë pëlqyer dhe na kanë mbushur me emocione.

*Marre nga libri”Shtatoret e perjetesise” I autorit Lek Gojcaj me redaktor Dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: Lek gojcaj, Shtatorja e Mitrovices

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT