PËRDORIMI I MBIFARËRAVE DHE KULTIVIMI NË TUNELET E NËNDHESHME./
Shkruar nga Leonard Berberi/ “Corriere della Sera” e enjte, 17 nëndor 2016/
Misionet e para në helikopter të Rojes së Financës mbi plantacionet e trafikantëve shqiptarë u pritën me të shtëna kallashnikovi. Sot aeroplani hi-tech i Flakëve të Verdha mbikqyr 20 % të territorit në bazë të një marrëveshjeje me qeverinë e Tiranës. Regjistrimi ka vërtetuar se Shqipëria është serra evropiane e mariuhanës, me 213 mijë hektarë të mbuluar nga serra të paligjëshme : bimët e shkatërruara nga policia do të kishin siguruar fitime më të mëdhha se dy miliard euro, pothuajse një e katërta e PPB të Shqipërisë. Por edhe trafikantët përsosin teknikat për t’i u ikur kontrolleve : mbjellje në tunele dhe drone spiunë.
Harta e mariuhanës në Shqipëri është e gjitha në dhjetë faqe të një dosjeje të fshehtë. E kanë shkruar autoritetet vendore në sajë të ndihmesës italiane e gjermane. Ai dokument thot se në Vënd janë, së paku, 363 zona ku janë të pranishëm plantacione tëcannabis sativa. Jo vetëm në Jugë, zemra e dukurisë, por edhe në Qendër e në Verì. Përgjatë lumenjve, në kodrina, në mal, brënda kopshteve shtëpijake ose në copa toke, me kohë të kthyera në tokë të askujt. “Mbjellin deri nëntokë në tunele – tregojnë, për Corriere-n, funksionarë të policisë shqiptare – ose në laboratorë të stërholluar. Ndihmohen edhe nga trafikantë që sjellin nga jashtë farëra aq të përpunuara saqë gjethet rriten shumë shpejt. “Farëra që vijnë nga Vietnami e që janë në gjëndje t’a kryejnë ciklin jetësor në 45 ditë” përcakton dosja.
Që nga fillimi i vitit janë shkatërruar së paku 1,5 milion bimë. “Është një bilanc i përafërt, shpesh shkohet me vlerësime mbi bazën e shtrirjes së plantacioneve”, sqarojnë nga Tirana. Nënvizojnë faktin se tashmë organizatat kriminale shërbehen edhe nga dronë e, jo vetëm nga armët, për të kontrolluar çdo anë. Herën e parë ndodhi jo shumë larg Krujës. “I përdorin edhe për të kuptuar kush hyn e del nga fushat e mbjella”shkruan një dokument.
Për qeverinë të dhënat tregojnë se lufta kundër kannabisit po shkon mirë. Për opozitën e qëndrës së djathtë, shifrat vërtetojnë se ekzekutivi i kryeministrit socialist Edi Rama ka dështuar. Për specialistët statistikat e fundit tregojnë se dukuria është shumë më e shtrirë dhe po bëhet madje më e përparuar dhe e fshehtë. E gjithë kjo megjithë operacionin ushtarak të nisur më 16 qershor 2014 e të mbaruar një muaj më vonë në fshatin e Lazaratit, “kryeqytetit të mariuhanës”, pak km. nga Girokastra ; 900 policëtë zotuar për të luftuar rrugë më rrugë, 133.567 bimë të shkatërruara, 4395 kg. farash të sekuestruar, 51 t’arrestuar e 308 të paditur.
Për pak javë tregu dukej i shkatërruar. Por bandat këmbyen strategjitë e tyre. U shtynë nga Veriu, filluan të shfrytëzojnë zonat e shumta të pabanuara mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Pushtuan madje edhe pjesë pyjesh, ku Shteti nuk ve këmbë. Ose morën kapanone industriale të braktisura e i kanë kthyer në laboratorë me sistem ngrohjeje e ndriçim. Kështu u kalua muri i njëmijë tonëve të mariuhanës të eksportuar në një vit.
“Trafikantët janë çvendosur nga anët e Shkodrës, një zonë më e vështirë për t’u kontrolluar” ve në dukje dosjeja shqiptare, që citon të dhënat e përcjella nga Roja e financës italiane : nëse në 2013 plantacionet në gjithë Vendin ishin rreth 305 dhe bimët e mbjella 81.300, në 2014 u kalua përkatësisht në 815 dhe 165 mijë, për t’arritur në vitin e shkuar në të cilin plantacionet u katërfishuan kundrejt 2013-ës, duke kaluar kuotën 1200 ndërsa bimët e shkatërruara kanë qenë 243 mijë. “Në 2015 15,83 % e territorit shqiptarështë përdorur për mariuhana” llogarit raporti i autoriteteve vendore.
Shqetësimi më i madh vjen nga zonat më të varfëra : “Shumë të ndaluar janë fshatarë të thjeshtë që përdornin tokat e tyrepër të patur ndonjë lek për të blerë diçka për të ngrënë” shkruajnë funksionarët. Dhe dokumenti shpjegon se ku përfundon mariuhana. Një pjesë trasportohet me gomone në Itali ose, – në këmbë apo me makina – në Greqi, prej nga më pas shpërndahet në Hollandë, Francë, Austri. Pjesa m’e madhe merr rrugët malazeze, serbe e hungareze për të përfunduar drejt në Gjermani.
“Corriere della Sera” e enjte, 17 nëndor 2016
Përktheu nga italishtja Eugjen Merlika