Leonora Laçi
“Diplomatic codes that allow Yugoslavia to get along with the rest of the world do not apply within Yugoslavia”-1990
Unë u njoha me gazetarin Kenneth C. Danforth nga një intervistë që veprimtari Agim Aliçkaj i ka dhënë gazetarit Beqir Sina me 16 janar të vitit 2008 në pyetjen:-“ Si u lidhët dhe çfarë iu ka shtyrë të merreni edhe me aktivitete dhe veprimtari politike në diasporë?” ai na rrëfen një histori sa të çuditshme për pasojat që pati po aq edhe që duhet të na bëj krenar sepse një gazetar i huaj për hir të një artikulli pushohet nga puna. Përmes artikullit të tij bota u njoh me Jugosllavinë e vertetë që ata nuk e njihnin. Jugosllavia nuk ishte aq paqësore sa diplomacia botërore mendonte dhe kjo do dëshmohet pas pak vitesh me ngjarjet që do pasojnë në Bosnje e në Kosovë që u desht ndërhyrja ushtarake për të parandaluar masakrat e serbve kundrejt shqiptarve.
Agim Aliçkaj:-“Aktivitetin tim në diasporë e fillova gjatë kohës kur punoja si përfaqësues i turizmit në Nju York duke propaganduar për Kosovën dhe vlerat kulturore të popullit tim në çdo takim me gazetarë, agjent turistik dhe turistët që dëshironin për të vizituar ish-Jugosllavinë. Dëshiroj të veçoj dy raste nga kjo periudhë. I pari, në kuadër të një udhëtimi që kisha organizuar për afër 60 agjent turistik dhe disa gazetarë nëpër Jugosllavi, patëm një mbrëmje në Dubrovnik ku u paraqit Ansambli i këngëve dhe valleve nga Kosova “Shota”. Nuk mund ta harroj kurrë krenarinë dhe gëzimin që ndjeva duke shiquar amerikanët e impresionuar me folklorin shqiptar dhe nivelin artistik të paraqitjes së këtij ansambli. I dyti, kah fundi i mandatit tim krijova miqësi personale me gazetarin e National Geographic nga Uashingtoni, zotin Kenneth Danforth. Kishim planifikuar me te një udhëtim gjysëm politik gjysëm turistik në çdo pjesë të ish-Jugosllavisë, i cili u realizua gjatë muajit Prill të vitit 1990, pas kthimit tim në Kosovë. Gjatë disa ditëve të qëndrimit të tij në Kosovë, unë e shoqërova dhe e informova për gjendjen në Kosovë dhe Ish-Jugosllavi e cila vlonte dhe ishte para shpërthimit. Ai u impresionua sidomos nga një vizitë që bëmë në një familje të madhe shqiptare në Raushiq të Pejës. Nga ky udhëtim ai e botoi një artikull të gjatë në National Geographic i cili ishte ndër të parët në SHBA që përshkruante gjendjen reale në ish-Jugosllavi. Ky artikull, i cili i çjerrte maskat serbe i zemëroi ata përtej çdo mase. Për të më ruajtur mua dhe familjen time nga hakmarrja e serbëve, në artikull z. Danforth potenconte se kishte udhëtuar i vetëm nëpër Kosovë. Megjithatë, meqë në atë kohë influenca Serbo-Jugosllave në Amerikë ishte ende shumë e madhe dhe pas protestave të shumta të Ambasadës Jugosllave dhe qindra letrave protestuese të lexuesve serb nga anëkënd SHBA-se, National Geographic e pushoi atë nga puna. Ai vazhdoi të merret me shkrime si gazetar “freelance” dhe mbeti i angazhuar edhe për një kohë të gjatë në çështjen e Kosovës, duke marrë pjesë në tubime, demonstrata dhe hiringje të organizuara nga Liga Shqiptaro-Amerikane në Kongresin Amerikan”- rrefen lobisti Agim Aliçkaj për gazetarin amerikan.
Artikulli i tij nxjerr lakuriqsinë e Jugosllavisë që bota nuk e njihte, ose ose mendoj që ata e njihnin mirë por askush nuk nxirrte zë përveç komuniteteve shqiptare jashtë territorit Jugosllav. Si mund të pretendojmë që Europa plakë të reagonte kur historikisht ndaj shqiptarve ka reaguar e fundit. Po të bëjmë një paralelizëm të po të njëjtit vit pra 1990 Shqipëria dhe Kosova të dyja lengonin nga thundra e pushteteve të padeshiruar. Shqipëria sundohej nga të vetët por që kishin burgosur, internuar, pushkatuar e mbytur jo vetëm klasën intelektuale por dhe popullin e thjesht, kishin mbytur fjalën e lirë. Ndërsa Kosova gjendej nen thundren e të huajit që nuk ishte kursyer duke i mohuar të drejtat një populli të tërë duke i imponuar rregullat e veta, edhe aty mbytej fjala e lirë.
Gazetari Danforth na përshkruan frikën që ekzistonte në Kosovë, frikë që e kishte ndjerë dhe ai pa ia thënë askush. Prishtina si kryeqytet ishte blinduar nga milicia serbe, për të dëshmuar forcen e Republikës Jugosllave. Ai na shkruan për lashtësinë e popullit shqiptar dhe të qenurit autoktonë, ndërkohë serbët pretendojnë që Kosova ishte pjesë identifikuese e historisë së tyre.
Çdo thirrje “Kosova Republikë” ishte e destinuar të mbytej që në gjenezë ose ose të përfundonte në gjakëderdhje. A duhej pritur ardhja e një gazetari për të evidentuar se çfarë po ndodhte në zemër të Europës?! Jugosllavia ku bashkëjetonin shumëllojshmëri popujsh. Jugosllavia e 24 milion njerëzve, 24 etniteteve, tre fe kryesore, 6 republika të shtrënguara fortë si gjashtë harqe që nxisin urrejtje.
Ai bënë një retrospektivë mbi Betejen e Fushë Kosovës, për nderimet që ishin bërë ndaj Princ Lazarit i cili nuk dihej ekzakt se ku kishte rënë. Memoriali që nderonte atë dhe heronjt e Kosovës që duket paradoksale sepse në 600 vjetorin e Betejes në vitin 1989 ishin zhvilluar homazhe nga rreth 1 milion serb për serbët që kanë rënë në atë betejë kur ndërkohë pllakata shkruan “heronjt e Kosovës”. Qellimi i ardhjes së tyre aty ishte që të festojnë nën hundën e popullsisë si për të treguar forcën dhe për të miratuar masat shtrënguese që bëheshin ndaj autonomisë së brishtë të Kosovës. Ai shprehet se-“Shqiptarët e Kosovës qendruan larg kësaj”.