*Pse u “dorëzua” Ministria e Drejtësisë para zhurmës së gazetarëve e të “shoqërisë civile”/
* Ligjet duhet t’iu përshtatën kushteve, traditës dhe mentalitetit të vendit, duke mbrojtur vlerat sublime/
Përmbajtja e dispozitave të cilat “vdiqën para se të lindnin”/
Nga Adil FETAHU/
Kohë më parë, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, inicoi plotësimin e Kodit Penal, duke propozuar që në atë ligj të futën dy nene të reja, sipas të cilave shpifja inkriminohej si vepër penale, për të cilën, varësisht nga rrethanat dhe vlerat që sulmohen me atë vepër, parashihej dënimi deri pesë vjet burgim. Bëhej fjalë për plotësimin e Kapitullit XIV të Kodit Penal të Kosovës, në të cilin janë përcaktuar veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Konkretisht ishte propozuar që pas nenit 134, të futeshin si plotësim të Kodit, neni 134/C dhe 134/D, me këtë përmbajtje:
Neni 134/C: – Shpifja ndaj shetit dhe simboleve shtetërore
- Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara: 1.1: fyen apo me keqdashje shprehë përbuzje ndaj Republikës së Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues, ose 1.2: fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës së Kosovës,- dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, ose me gjobë.
- Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bënë të papërdorshme ose palexueshme, ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës, ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës së Kosovës, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, ose me gjobë.
- Kushdo që me qëllim mbështetë përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.
- Tentativa për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në këtë nen është e dënueshme.
Neni 134/D: Shpifja ndaj organeve kushtetuese
- Kushdo që publikisht, në një takim ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështetë përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.
- Vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni mund të ndiqet vetëm me autorimin e oranit kushetuese apo anëtarit të organit të sulmuar me këtë vepër.
* * *
Për qartësinë, gramatikën as sintaksën e tekstit të dispozitave të cituara, nuk do të flasim. Sipas informacioneve që ka dhënë Ministria e Drejtësisë, dispozitat e mësipërme janë kopje e dispozitave gjegjëse të Kodit Penal të Gjermanisë, prandaj as nuk më habitë mish-mashi i tekstit të përkthyer.
Sidoqoftë, ndaj plotësimeve të paralajmëruara me dy dispozitat e cituara, reaguan disa media dhe ndonjë organizatë e të ashtuquajturës “shoqëria civile”, duke pretenduar se kështu po atakohet liria e fjalës dhe e shprehjes. Reagimit, kinse, iu bashkangjit edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, gjoja se këto ndryshime qenkan në kundërshtim me “trendet ndërkombëtare”. Zhurmaxhinjtë e inkriminimit të shpifjes, duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së, thonë se “legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet.
A është shteti i Kosovës më demokratik se Gjermania etj.?!
Vet fakti që dispozitat e cituara më sipër janë kopje e dispozitave në fuqi të Kodit Penal të Gjermanisë, flet se dispozita të tilla përmbajnë kodet penale të shteteve demokratike. Këtu përveç Gjermanisë, po përmendim se shpifja dhe fyerja, si vepra penale, janë të penalizuara edhe në kodet-ligjet penale të Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Greqisë, Holandës, Italisë, Letonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Hungarisë, Maltës, Polonisë, Portugalisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Spanjës, Suedisë. A mos është Kosova shtet ma demokratik se ato, apo ne po duam të bëhemi “ma katolik se papa”, duke lejuar që gjuha e sharje-fyerjes dhe urrejtjes te mos kete kufi. Dispozitat në ligjet e shteteve të përmendura, nuk janë “mbeturinë arkaike e një epoke të kaluar”, siç pretendon dikush, por janë ligje në fuqi. Pse, a s’mund t’i ndërrojnë ato “mbeturina” shtetet e përmendura? Po, ato mbrojnë vlerat dhe dinjitetin e shtetit e të qytetarëve të vet. Dhe, kur kësaj ia shtojmë profesionalizmin dhe pavarësinë e mediave, dhe kulturën e popullit të atyre vendeve, del se në Kosovë këto dispozita duhet të mbahen në fuqi së paku edhe për pesëdhjetë vjetët e ardhshme. Madje, tradita dhe mentaliteti i popullit në Kosovë është i tillë, që për një fyerje apo një shpifje, lindin konflikte me pasoja, deri edhe vrasje. Prandaj, fyerjen dhe shpifjen duhet t’i parandalojë shteti, me ligje e masa të rrepta, për të mbrojtur dinjitetin e njeriut e të shtetit dhe për të ndaluar pasojat ma të rënda që mund të derivojnë prej tyre.
Procedura civile nuk ofron mbrojtje efikase kundër fyerjes e shpifjes
Pretendimi se mbrojtja e dinjitetit të njeriut e të shtetit është e garantuar mjaftueshëm me ligjet civile, është i pabazë. Këtë e vërteton gjendja aktuale e përhapjes së këtyre shprehjeve në praktikë, kudo e ndaj çdokujt, dhe pambrojtja ndaj sulmeve të tilla. A din dikush të më tregojë, se sa veta u gjobitën dhe me çfarë shuma për sharje, fyerje e shpifje publike që u bëhen njerëzve, institucioneve, simboleve të shtetit. Sa veta e çfarë shuma (adekuate) morën kush si kompensim të dëmit moral (dhe material) të shkaktuar nga fyerja ose shpifja?Jo këtë nuk mund të ma thotë askush, sepse kjo procedurë është e panjohur dhe nuk funksionon në sistemin tonë gjyqësor, edhe ashtu joefikas për çfarëdo çështje e procedure.
Kodi Civil i Kosovës, në nenin 159 par.4, ka përcaktuar se përgjegjësia civile për shpifjen dhe ofendimin rregullohen me ligj special, kurse në dy dispozita (neni 213 par.2, dhe neni 214) përmend kompensimin e dëmit moral dhe material të shkaktuar me shpifje dhe ofendime, dhe këtë çështje e lë të rregullohet me ligj të veçantë. Për vlerësimin e dëmit moral, thotë se duhet duhet të merrën parasysh rrethanat e rastit, duke përfshirë intensitetin, kohëzgjatjen dhe pasojat e dëmit, dhe se ligji mund të përcaktojë se si llogaritet kompensimi i dëmit moral.
Ligji mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve (neni 182), shpërblimin e dëmit jomaterial e parasheh ashtu që: në rast të cënimit të së drejtës së personalitetit, gjykata mund të urdhërojë shpalljen e aktgjykimit, përkatësisht të përmirësimit me shpenzime të dëmtuesit, ose të urdhërojë që dëmtuesi ta tërheqë deklaratën me të cilën është bërë shkelja, ose diç tjetër me të cilën gjë mund të realizohet qëllimi që arrihet me shpërblim. Kjo dispozitë është aq e përgjithshme, sa që nuk përcakton as sqaron asgjë sa i përket efikasitetit të mbrojtjes kundër fyerje-shpifjeve. Po çfarë efekti arrihet për të fyerin a të shpifurin me tërheqjen e deklaratës, është sikur të krahasosh shpërndarjen nga aeroplani të një thesi pupla, e pastaj të përpiqesh t’i bledhësh ato!
Një ligj special për këtë fushë është Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes (Ligji Nr.02/L-65; UNMIK/Rreg.2007/13). Ligji parasheh kompensimin e dëmit të shkaktuar me shpifje e fyerje (neni 14 e 15), por është aq fleksibil, sa nuk garanton kurrëfar mbrojtje efikase, as “ndëshkimi” të fyesit/shpifsit. Për shembëll, në nenin 14 par. 2 dhe 3 të atij ligji, thuhet: Kompensimi për humbjen reale financiare, ose dëme materiale, të shkaktuara nga një shpifje do të caktohet nga gjykata vetëm kur humbja është konstatuar në mënyrë të veçantë. Lartësia e kompensimit për dëmin jomaterial ose dëmin që nuk mund t’i përcaktohet lartësia në vlera monetare…, do të caktohet nga gjykata duke marrë parasysh peshën e dëmit të shkaktuar nga shpifja dhe gjendjen materiale të personit i cili ka shkaktuar shpifjen. Për fyerjet, ligji është edhe më i butë dhe gati-gati nuk ofron kurrëfarë mbrojtje as satisfaksioni. Po si do ta përcaktojë gjykata peshën e dëmit të shkaktuar nga fyerja ose shpifja?! Dhe gjykata u dashka të jetë e mëshirshme për gjendjen e keqe materiale të shpifsit/fyesit!
Mediat tona, të shkruara dhe elektronike, e sidomos disa portale, çdoditë gëlojnë me sharje, fyerje e shpifje kundër individëve, me akuzat më të rënda, për të cilat do të duhej të përgjigjej ose i shpifuri, ose shpifësi, sepse dy të vërteta të kundërta nuk ekzistojnë. Ato thuhen nga urrejtja dhe me qëllim dënigrimi të nderit dhe autoritetit personalitetit të cilit i drejtohen. Të vjen tugu kur nëpër portale të ndryshme lexon sharje, fyerje, shpifje të nivelit më të ulët, duke hyrë thellë në privatësinë e njerëzve e të familjeve. Madje sharje, fyerje e shpifje shqiptohen edhe në debatet në kuvende të komunave e në Kuvendin e Kosovës, apo gjetkë. Skena publike dhe mediat janë bërë arena ku mund të flitet gjithçka, të fyhet e shpifet gjithkush, pa kurrëfar turpi e konsiderate, dhe pa kurrëfar pasojash për fyesit e shpifësit! Këto “vlera” na i solli liria e shprehjes sipas standardeve evropiane. Këto nuk përkojnë me traditën, kulturën dhe mentalitetin tonë. Për sharje, fyerje e shpifje të tilla, shumëkush ka hëngër dajak, por ka pasur edhe pasoja më të rënda, dhe nuk do të thotë se ai mentalitet është çrrënjosur, sa të durohet gjithkush e gjithçka. Prandaj, fyerja dhe shpifja, gjithësesi duhet të penalizohen në Kodin Penal të Kosovës, dhe të gjykohen e dënohen sipas rastit dhe peshës. Në Kushtetutën tonë është përcaktuar se “dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. A nuk është cënim i dinjitetit kur dikush fyhet në mënyrën më të vrazhdë dhe shpifet me shpifjet më të rënda?
Nuk është e vërtetë se penalizimi i fyerje/shpifjes është në kundërshtim me standardet evropiane, siç mundohen ta paraqesin disa “ekspertë të demokracisë evropiane”, e aq më pak me lirinë e shprehjes, të përcaktuar me Konventën (evropiane) për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Përkundrazi, sipas dispozitës së nenit 10 par.2 të asaj Konvente, “ushtrimi i lirisë së shprehjes, bartë me vete detyra dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet formaliteve, kushteve ose dënimeve që parashikohen me ligj dhe që janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, të tërësisë territoriale ose të sigurisë publike, për parandalimin e trazirave ose të krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose moralit, për mbrojtjen e emrit ose të të drejtave të tjerëve…”. A thua nuk e dinë përmbajtjen e asaj Konvente shtetet demokratike të Evropës, të cilat i kanë të sanksionuara në ligjet e tyre fyerjet/shpifjet si vepra penale. Ku dolëm ne më të mënçur e më demokratë?!
Jam i vetëdijshëm se shumëkush nuk do të pajtohet me këtë opinion timin, sidomos përfaqësues të mediave e të shoqërisë civile, dhe ata që gojën e kanë plot sharje, fyerje, shpifje e denigrime, por e mira e përgjithshme e do që këtyre shprehjeve t’iu ndalet hovi, e të ruhet dinjiteti i secilit dhe kultura e komunikimit. Ka mjaft hapësirë të flitet e të luftohen rastet a dukuritë negative në shoqëri, në mënyrë më të kulturuar e të argumentuar, pa përdorë sharje, fyerje e shpifje. Këto nuk janë argumente, por mungesë e kulturës dhe edukatës elementare të atyre që i përdorin. Prandaj duhet të sanksionohen, gjykohën e dënohen.