Nga Adem Demaçi/Nderi i Kombit/
Tani për tani, emri dhe bëmat e Astrit Lekës nuk janë të njohura aq sa duhet. Të paktën “me shkrim”. Kjo është arsyeja që
monografia Astrit Leka, Një jetë e stuhishme, e përgatitur me ngrohtësi, profesionalizëm, realizëm dhe objektivitet shkencor, në dritën e fakteve dhe dëshmive historike, nga Akad.
Kopi Kyçyku, përbën një kontribut të rëndësishëm ngaqë, duke marrë shkas nga veprimtaria dhe meritat e mëdha e të shumta të luftëtarit të shquar për liri e demokraci, Astrit Leka, njëherazi hedh dritë në etapat e ndryshme të historisë sonë moderne.Dëshiroj të theksoj se bërja e njohur e figurave si Astrit Leka është më fort një detyrë, sesa një e drejtë, sidomos sot kur mundësitë për t’i paraqitur në dritë të vërtetë janë praktikisht të pakufizuara.
Është bërë zakon të shkruhet vetëm për heronjtë apo dëshmorët që janë flijuar në fushën e nderit. Kjo është mëse e drejtë, madje tingëllon si detyrim ndaj tyre dhe ndaj brezave. Por ka edhe nga ata, shumica luftëtarë të thjeshtë, që kanë mbetur gjallë dhe kanë kryer akte heroizmi njëlloj si të rënët. Pra, janë heronj dhe duhen trajtuar si të tillë.
Sikurse dëshmon autori Kyçyku, Astriti, me gjuhën e përflakur nga pasioni e nga dashuria e pamatë për kombin e nga dëshira për ta parë atë në radhët e para të përparimit njerëzor, ia hapi zemrën, pa mbajtur as më të voglën rezervë. Atëherë Kyçyku mendoi: “Këto duhet t’i mësojë çdo shqiptar, i kudondodhur”. Dhe mendoj se nuk e kishte keq, përderisa mjaft të përmendet fakti që jeta dhe vepra e Astrit Lekës, përpos që përbëjnë një kontribut pa të dytë për mbrothtësinë tonë, shërbejnë si shembull për këdo.
Por, gjithaq me rëndësi është fakti që, njerëz si Astrit Leka, tanimë fort të rrallë, janë dokument i gjallë dhe autentik i gjithçkaje që ndodhi gjatë një kohe tepër të gjatë, që fillon të paktën me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe vazhdon, pandëprerje, edhe në ditët tona.
Vlera e pazëvendësueshme e dëshmive të Astritit, – të cilat janë konfirmuar katërcipërisht nga dokumente të panumërta, me shkrim e me gojë, – qëndron sidomos në faktin që nuk mund të “retushohen”, nuk zbukurohen dhe as shëmtohen dot më, siç ka ndodhur tepër dendur, në varësi nga përgatitja dhe përkatësia politiko-ideologjike e përpiluesit, qoftë ky institucion, person juridik, apo person fizik. Për të ilustruar këtë, mjaft të përmendim se figurën e luftëtarit për liri fashistët e vizatonin me ngjyrat më të errëta, ashtu siç vepronin zyrat e kuadrit dhe përgjithësisht organet e diktaturës në komunizëm me demokratët e vërtetë, të ndershëm dhe jokonformistë, si Astrit Leka.
Kur Akad. Kopi Kyçyku e vuri në dijeni se vendosi të merrte përsipër hartimin e një monografie për jetën e veprën e tij, Astriti u prek dhe, pasi e falënderoi, si për ta orientuar që të jetë sa më i saktë dhe i paanshëm, i tha me çiltërsi: “Unë nuk dua të dal para publikut mbarëshqiptar si një figurë me bëmat e mia, por si një aktor aktiv, i cili, në shumë raste është edhe bartës i kujtimeve të drejtpërdrejta të atyre që kanë qenë në odat e burrave në kohën e Lidhjes së Prizrenit, si, bie fjala, Hamdi bej Ohri, nipi i Iljaz pashë Dibrës, e sa e sa të tjerë të periudhës së Shpalljes së Pavarësisë, të Kongresit të Lushnjës apo të kohës së Fan Nolit e të Zogut, kur fillova të bëhem edhe vetë një miniprotagonist, objekt dhe subjekt evenimentesh të ndryshme … Nga ky këndvështrim, vepra që do të shkruash, ka për të qenë sui generis, unikale, se, për hir të së vërtetës, praktikisht nuk kanë mbetur shumë shqiptarë të brezit tim që t’u kenë bërë ballë ashtu siç duhet të gjitha vështirësive në etapat e ndryshme të historisë sonë të dhimbshme, të shoqëruara me goditje të papara në historinë e Ballkanit. Dhe, ç’është më interesantja, kam qenë gjithmonë në ngjitje. Duke sfiduar fiziologjinë, dola në Perëndim kur i kisha mbushur të 65 vjetët. Dhe ti e di mirë se bëj pjesë në radhët e atyre shqiptarëve të rrallë, të cilët pas shembjes së diktaturës kanë në aktivin e tyre gati njëzetepesëvjeçar rezultate mbarëkombëtare, madje edhe ndërkombëtare. Në SHBA, ku shkova fillimisht, para hapjes së ambasadave të huaja në Tiranë, si shtetasi i parë shqiptar atje, me pasaportë dhe vizë të rregullt, pas një ndërprerjeje mbi gjysmëshekullore qysh prej 7 prillit 1939 (me përjashtim të të arratisurve politikë), pata fatin të dëgjoj drejtpërdrejt nga goja e Nelson Mandelës të sapoliruar nga burgu, veprimtarinë në të mirë popullit të vet e të mbarë njerëzimit Nga ai moment, u frymëzova edhe më shumë dhe e quajta detyrë atdhetare të bëja diçka, qoftë edhe modeste, për kombin tim e për të drejtat e njeriut. Dhe mundësitë për një gjë të tillë kishin ardhur, njëherazi me revoltat e mbarë popullit shqiptar në Kavajë, Shkodër e gjetiu dhe që arritën kulmin me ngjarjen e ambasadave në Tiranë. Aq më shumë që edhe shqiptarët në Jugosllavi ishin ngritur në këmbë për të drejtat e tyre të ligjshme, të shprehura me zërin e fuqishëm të Parlamentit të parë të Kosovës, në Kaçanik. Kontaktet që pata në ato ditë të zjarrta në Nju Jork me parlamentarë dhe personalitete të tjera shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, më dhanë forcë dhe optimizëm të ri“.
Identiteti i Astrit Lekës është shprehja e vullnetit për të respektuar shenjtërisht një program jete dhe e një ndjeshmërie të pazakontë të fituar nga evenimentet shoqërore dhe historike. Pikërisht jeta e nxiti të përcaktonte, të qartësonte opsionet dhe të zbulonte vokacionin e vet të vërtetë. Janë dukuri, të cilat sot përkufizojnë një ndërgjegje, një vepër, një mënyrë origjinale të jetuari e të vepruari në Shqipëri e në dhé të huaj. Bëhet fjalë për ecurinë drejt majash shkencore e shpirtërore, të një europiani të mirëfilltë, të një shqiptari që ka “pushtuar” Europën, por edhe kontinente të tjera. Me forcat e meritat e veta, duke dëshmuar se kombi ynë ka potencial krijues të pamatë.
Dua të veçoj faktin që Akad. Kyçyku, ashtu si për krejt tematikën e gjerë e të larmishme që shtjellon, ia ka dalë mbanë të nxjerrë në pah kontributin vendimtar të Astrit Lekës në njohjen e luftës së drejtë të UÇK-së nga komuniteti ndërkombëtar. Përçapjet e njëpasnjëshme, këmbëngulëse dhe me kompetencë të Astrit Lekës, si ndërmjetës midis NATO-s dhe UÇK-së, duke futur në “valle”, si garante të besueshme, personalitete të dorës së parë të politikës botërore, u kurorëzuan me heqjen e cilësimit të UÇK-së si “terroriste” dhe me futjen në radhët e Organizatës Botërore të Veteranëve të Luftës, si anëtare me të drejta të plota. Sikurse dihet, aleanca NATO – UÇK çoi në fitoren e luftës dhe në çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zgjedha e shovinistëve serbë. Dhe, së fundi, – por jo për nga rëndësia, – është rasti të vëmë në dukje se prania, për herë të parë, në Forumin e Kran Montanës, më 1992, e një përfaqësuesi të qeverisë së sapokrijuar të Kosovës, – e cila ishte ende shumë larg njohjes nga bota, – u bë e mundur vetëm falë përpjekjeve diplomatike të Astrit Lekës.
*Parathënie e Adem Demaçit për librin e Kopi Kycukut kushtuar Astrit Lekes