– Prej 28 vitesh jeton, punon dhe krijon në Suedi. Është njëri ndër më të merituarit për punën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë ‘Papa Klementi XI–Albani’ në Suedi, kryetar i së cilës është aktualisht, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes së Krijuesve për Mërgatë, ku është nënkryetar/
MITROVICË, 4 Janar 2016/Është promovuar libri me vlerësime, opinione, intervista dhe recensione “Vepra”, të autorit nga Mitrovica, Hysen Ibrahimi, një veprimtar i devotshëm që tani e 28 vjet jeton, punon dhe krijon në Suedi.
Duke folur për autorin, Hysni Syla ka thënë se Hysen Ibrahimi, është njëri nga qindra e mijëra shqiptarë që u detyruan të emigrojnë në vende të ndryshme të botës dhe i cili, për dallim nga shumica prej tyre, nuk qëndroi atje vetëm sa për të sigurua një kafshatë buke për veten e familjen e tij, por kreu me sukses shkollimin në fushën e informatikës dhe të politikës ndërkombëtare, si dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm u angazhua në veprimtari të ndryshme për të mirën e shqiptarëve dhe të Kosovës.
“Hysen Ibrahimi dhe shumë mitrovicas e bashkëkombës të tjerë, me veprimtarinë e tyre të palodhshme po lënë gjurmë në kulturën tonë të përgjithshme kombëtare, por edhe në kulturën e shtetit ku jetojnë dhe veprojnë, pra të Suedisë. Ai është njëri ndër më të merituarit për punën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë ‘Papa Klementi XI–Albani’ në Suedi, kryetar i së cilës është aktualisht, në mandatin e dytë dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes së Krijuesve për Mërgatë, ku është nënkryetar”, tha Syla.
Ai në vazhdim tha se krahas veprimtarisë së lartpërmendur, autori Hysen Ibrahimi u mor edhe me shkrime dhe se deri tash ka botua veprat “Solidariteti i Mërgatës Shqiptare në Suedi”; “Kosova në Zemrën e Mërgatës në Suedi”; “Mërgata për Arsimin në Vendlindje” dhe librin “Vepra”.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi e përgëzoi Ibrahimin për librin e botuar, tha se autori Hysen Ibrahimi është një nga veprimtarët më të devotshëm nga komuna e Mitrovicës, që është angazhuar për të ndihmuar Mitrovicën dhe Kosovën në momentet më të vështira dhe më kritike për të.
“Hysen Ibrahimi është nj veprimtar i devotshëm, i cili edhe pse jeton që prej vitesh në Suedi, bashkëjeton me hallet dhe problemet e bashkëqytetarëve dhe qytetit të tij, vështirësi këto për zhdukjen e të cilave Hyseni është angazhuar në mënyrë konkrete dhe ka dhënë kontribut të çmueshëm”, ka thënë kryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Bahtiri.
Recensentja e librit, krijuesja nga Maqedonia, Sadije Aliti, tha se Ibrahimi me këtë libër shpalos të djeshmen e të sotmen, që me veprimtarinë e tij të përcjell një porosi për të nesërmen.
“Porosia është e qartë, shumë sublime, për shumë breza, të kohës së tij e të kohës para tij, se ‘puna e veprimtaria jonë me vite është e grumbulluar, e shënuar në letër, andaj nuk mund të lihet anash”, tha Aliti.
Recensenti tjetër, Fidan Baliu, tha se autori, përveç që admiron figurat kombëtare, ai edhe zhvlerëson disa fenomene prapanike, që i sjellin dëm shoqërisë sonë.
“Ai në mënyrë të thuktë e urren hakmarrjen e mbështetur në Kanun, pasi që siç thotë, një njeri krejt i pafajshëm mund të bjerë viktimë për fajin e tjetrit, kinse për të ndarë drejtësi”, tha Baliu.
Ndërsa recensenti i tretë, Muhamet Ibrahimi, tha se librat e Hysen Ibrahimit janë shndërruar në sinonim të vet autorit dhe tregojnë qartë për jetën e tij, duke përfaqësuar denjësisht veprimtarinë e tij, e cila është gjithanshme.
“Libri është një vepër e realizuar mirë, ka një gjuhë të pasur dhe është mirë e organizuar. Është e ndarë në katër kapituj, ku secili përmban tema të ndryshme dhe emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me veprat e tyre. Nga titulli i kësaj vepre vërejmë se autori ka vullnetin dhe zotësinë t’u qaset temave të ndryshme që janë me rëndësi e interes për çështjen kombëtare”, ka thënë ai.
Në këtë event është promovuar edhe libri me poezi “Klithmë nate”, të autores Mone Juniku, që të dyja botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI–Albani” në Suedi.
Për këtë vepër ka folur recensenti Agim Desku, i cili tha se në artin poetik te ky vëllim frymon bukur poezia njerëzore, ku shkrihen mrekullueshëm ekzistenca e të gjitha kohëve dhe ngjyrave, gjallon bukur realiteti objektiv me të gjitha thyerjet, rëniet, digresionet, kthesat, dramat dhe dyzimet ekzistenciale.
Në sallën ku është bërë promovimi, piktorja e talentuar Valdete Berisha, e cila jeton dhe vepron në Belgjikë, kishte ekspozuar pikturat e saj me motive të ndryshme, që u pëlqyen shumë nga të pranishmit./b.j/