Diplomati amerikan, gjatë ditës së enjte, është takuar me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, si dhe liderët e dy partive politike shqiptare, Ali Ahmetin nga Bashkimi Demokratik pë Integrim dhe Menduh Thaçin, nga Partia Demokratike Shqiptare.
Nga ambasada amerikane në Shkup kanë njoftuar se Brian Yee do të prononcohet për mediet gjatë ditës së premte, pasi t’i takojë të gjithë liderët politik, të cilët janë përgjegjës për realizimin e marrëveshjes politike, si kusht për të pasur zgjedhje të besueshme dhe kredibile.
Ndërkaq, lideri i partisë shqiptare në pushtet, Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Integim, pas takimit me Brian Yee, ka theksuar se zotohet për zgjedhje të lira dhe demokratike, me qëllim që rezultati zgjedhor të mos kontestohet nga asnjëra palë.
“U pajtuam që zgjedhjet duhet të jenë të besueshme, të përmbushen të gjitha standartet e pakontestueshme kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. U bisedua edhe për hapat që duhet të ndërmarrë Maqedonia në drejtim të angazhimeve,që në Samitin e NATO-s, që do të organizohet në korrik, të kemi pritje më të mira”, ka theksua Ahmeti.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi tha se është shprehur skeptik edhe para zotit Brian Yee se do të plotësohen kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike, në afatin e caktur për mbajtjen e tyre më 5 qershor.
“U dakoduam bashkë se argumenti kryesor që ne i japim aleatit tonë kryesor, SHBA-së, që ata të lobojnë për Maqedoninë që të bëhet pjesë e NATO-s, janë zgjedhjet korrekte dhe demokratike, që tashmë duket se do të mbahen më 5 qershor. Nga ana ime u shpreh skepticizmi se ne nuk kemi lëvizur asgjë në drejtim të përmbushjes së kushteve për të pasur zgjedhje fer dhe demokratike”, ka deklaruar Thaçi .
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, gjatë ditës së premten pritet të takohet me kryeministin e Maqedonisë, Emil Dimitriev, si dhe me krerët e dy partive maqedonase, Nikolla Gruevskin nga partia në pushtet, VMRO-DMNE, dhe Zoran Zaev nga partia opozitare, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.