• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIDHJA E PRIZRENIT – BURIM FRYMËZIMI PËR BREZAT

June 11, 2015 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/
Shqiptarët kanë dy periudha të rëndësishme në historinë e tyre kombëtare:
– Epokën e Gjergj Kastriotit, në shekullin XV, dhe
– Periudhën e Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX.
Një prej ngjarjeve më të rëndësishme të Periudhës së Rilindjes Kombëtare është Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878).
Epoka e Gjergj Kastriotit, periudha e Rilindjes Kombëtare dhe shpallja e pavarësisë në Vlorë (1912), janë tri hallka të mëdha të të njëjtit zinxhir historik.
Në një trajtesë përgjithësuese që botoi më 1968, Prof. Stefanaq Pollo (1923-1997) e kundroi Lidhjen e Prizrenit si një “nyjë lidhëse” midis epokës heroike të Skënderbeut (shek. XV) dhe shpalljes së pavarësisë kombëtare të Shqipërisë (1912).
Periudha e tretë e rëndësishme e historisë kombëtare shqiptare është qëndresa shekullore e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, që arriti kulmin me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999. Kjo qëndresë popullore dhe kjo luftë e UÇK-së, me ndihmën e aleatëve amerikanë, rezultoi me çlirimin e Kosovës.
Lidhja e Prizrenit, gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, ka shërbyer si burim frymëzimi për të gjithë brezat e ri.
Derisa epoka e Gjergj Kastriotit dëshmoi para botës se shqiptarët janë popull historik, Lidhja e Prizrenit dëshmoi para Fuqive të Mëdha të Evropës, se shqiptarët janë popull politik.
Fati i shqiptarëve në historinë politike të kohës më të re kaloi nëpër tri forume ndërkombëtare, siç janë: Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) dhe Konferenca e Paqes në Paris (1919).
Grabitja e tokave shqiptare nga malazezët fillon qysh në vitin 1858. Për qëndresën heroike të shqiptarëve ndaj hienave serbo-malazeze, flet edhe epi fishtian.
Në kohën e Krizës lindore (1877), Serbia ndoqi ndaj shqiptarëve politikën e tokës së djegur, duke kryer në rajone të caktuara shqiptare pastrim etnik. Me një fjalë, Serbia i dëboi me dhunë shqiptarët nga rajoni i Toplicës, i Prokuples, i Kurshumlisë, i Leskovcit, i Vranjës, i Nishit etj. Sipas historianit anglez Noel Malkolm, në vitet 1877-1878, Serbia ka dëbuar nga këto troje shqiptare rreth 100.000 shqiptarë, ndërsa sipas disa historianëve shqiptarë, bëhet fjalë për dëbimin e rreth 200.000 shqiptarëve.
Pushtimi i tokave shqiptare nga Bullgaria, parashikohej edhe me Traktatin e Shën Stefanit (1878), të nënshkruar midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane në Shën Stefan (Yeşilköy) në perëndim të Stambollit.
Pjesë të caktuara të trojeve etnike shqiptare, Kongresi i Berlinit ia dhuroi Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Me gërshërët e ambasadorëve të Konferencës së Londrës, më tepër se gjysma e trojeve etnike shqiptare, mbetën jashtë Shqipërisë. Po të mos ishte presidenti amerikan Vudro Uillson, në Konferencën e Paqes në Paris do të rrezikoheshin edhe kufijtë e Shqipërisë londineze.
Në Kongresin e Berlinit, Shqipëria u trajtua si term gjeografik, ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve në Londër – si mbetje turke në Ballkan.
Si pasojë e vendimeve të shtatë fuqive të mëdha të kohës, trojet historike shqiptare u copëtuan në katër pjesë: Shqipëria e cunguar; trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia, përfshi dhe Kosovën; trojet shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi dhe trojet shqiptare të pushtuara nga Greqia. Më vonë pasoi edhe një ricopëtim i trojeve shqiptare. Me fjalë të tjera, me krijimin në Mbledhjen II të KAÇKJ-së (AVNOJ), në Jajce të Bosnës dhe Hercegovinës më 1943, të krijesës artificiale serbo-komuniste dhe kominterniste – Maqedonisë, pjesë të caktuara të trojeve etnike shqiptare iu morën Serbisë dhe iu dhanë Maqedonisë. Ndërkaq, pas vitit 1945, me marrëveshjet sekrete midis Beogradit dhe Shkupit, Lugina e Preshevës iu la Serbisë.
Si rrjedhojë e politikës së shtatë fuqive të mëdha të kohës: Anglisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë dhe Turqisë, si dhe e synimeve grabitqare të Serbisë, të Greqisë, të Malit të Zi dhe të Bullgarisë, përkatësisht të sllavo-maqedonasve, sot trojet shqiptare në Ballkan janë të copëtuara në gjashtë pjesë. Ky është rast i rrallë, në mos dhe i vetëm, në historinë e botës. Asnjë popull në botë nuk e ka jashtë trungut të tij, më se gjysmën e territorit të vet.
Po të mos ishin Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia, Shqipëria londineze do të kishte qenë akoma më e vogël.

* * *

A janë shqiptarët popull i vonuar? Fqinjët e shqiptarëve, si Greqia, Rumania, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria i krijuan shtetet e veta kombëtare apo fituan autonomi nga Porta e Lartë, qysh në shekullin XIX. Shqipëria ndërkaq, e fiton pavarësinë në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shek. XX. Madje jo krejt Shqipëria, por më pak se gjysma e saj.
Përse shqiptarët nuk ia dolën të fitojnë pavarësinë nga Perandoria Osmane në shekullin e kombeve, sikur fqinjët e tyre ballkanikë?
Kur në vitin 1844 Naum Veqiharxhi e botoi Ëvetarin, me 8 faqe, po atë vit, kryeministri serb Ilija Garashanin boton në Beograd Naçertanien, pra projektin kombëtar serb, me të cilin parashikohej krijimi i një Serbie të madhe, si ajo e Car Dushanit. Po këtë vit, ministri jashtëm grek Jan Koletis, hartoi projektin e Megali Idesë, me të cilin parashikohej rimëkëmbja e perandorisë bizantine.
Shqiptarët sot e kësaj dite e festojnë me entuziazëm 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, për të përkujtuar hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçën e vitit 1887. Mirëpo, nuk duhet harruar se në kohën kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë, fqinjët ballkanikë të shqiptarëve – grekët, rumunët, serbët, bullgarët, kroatët etj., kishin sistemet e veta të shkollimit dhe të arsimimit. Disa prej fqinjve, kshin edhe universitete, akademi shkencash, biblioteka kombëtare, shtëpi botuese, gazeta ditore, revista shkencore etj.
Shqipëria, sipas historianit Stefanaq Pollo, në shekullin XIX ishte një vend i prapambetur nga ana ekonomike, shoqërore, kulturore dhe kjo prapambetje ndikoi në vonesën relative të zgjimit kombëtar në Shqipëri dhe në ritmet e ngadalshme që pati lëvizja kombëtare shqiptare.

Janë disa arsye të tragjizmit shqiptar:

– Shqiptarët janë popull i veçantë. Duke qenë të tillë, janë edhe të vetmuar;
– Në shekullin XIX, shqiptarët nuk ishin faktor politik dhe ushtarak i rëndësishëm. Si të tillë, nuk paraqitnin interes për ndonjërën nga Fuqitë e Mëdha të kohës;
– Duke mos qenë faktor politik dhe ushtarak relevant, shqiptarët nuk kishin se si të përfshiheshin në interesat strategjikë të kancelarive evropiane;
– Duke qenë pjesë e Perandorisë Osmane, shqiptarët nuk mund të trajtoheshin nga Fuqitë e Mëdha të kohës si çështje gjeopolitike;
– Duke qenë të integruar në sistemin politik dhe ushtarak të Perandorisë Osmane, shqiptarët trajtoheshin si pjesë e pandarë e saj;
– Më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare ishin islamizuar. Të islamizuar dhe me pozitë gjeografike në një rajon popujsh të krishterë, Evropa e krishterë nuk ishte e gatshme t’i mbështesë apo t’i mbrojë shqiptarët;
– Shtresa e lartë e shoqërisë shqiptare që ishte e integruar në strukturat politike, ushtarake, administrative dhe ekonomike të Portës së Lartë, synonte të ruajë pozitat dhe privilegjet e veta, në kuadër të sistemit perandorak dhe jo të luftonte për lirinë dhe pavarësinë e popullit të vet;
– Një pjesë e madhe e klerit islamik shqiptar, fatin e shqiptarëve e lidhte me Portën e Lartë, madje edhe atëherë kur Turqia u quajt e sëmura e Bosforit;
– Shqiptarët vazhdojnë të jenë të integruar në strukturat politike dhe ushtarake të Portës së Lartë, edhe pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit;
– Shqiptarët vazhdojnë të jenë luajalë ndaj Portës së Lartë edhe pas shuarjes me luftë të Lidhjes së Prizrenit;
– Të integruar në strukturat politike dhe ushtarake turke, shqiptarët nuk mund të përfshiheshin në sferën e interesit apo në zonën e ndikimit, të ndonjë fuqie evropiane;
– Shqiptarët rrethohen nga popuj sllavë dhe ortodoksë si: serbët, bullgarët (sllavo-maqedonasit) dhe malazeztë si dhe nga grekët ortodoksë;
– Popujt sllavo-ortodoksë nga të cilët rrethohen shqiptarët, përbëjnë një familje popujsh. Ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen e Rusisë së madhe – sllave dhe ortodokse;
– Duke qenë popull i veçantë, gjatë historisë politike të kohës më të re, shqiptarët kanë qenë të vetmuar. Me një fjalë, s’ka pasur kusht t’u dalë zot;
– Shqiptarët në Ballkan janë një ishull etnik josllav, i rrethuar nga popujt sllavë dhe ortodoksë;
– Duke qenë më shumë se gjysma me fe islame, në rajonin e krishterë, shqiptarët nuk mund të përfshihen lehtë në hapësirën shpirtërore të kontinentit të vjetër;
– Duke i konsideruar shqiptarët si mbetje turke në gadishull, kancelaritë evropiane ia vunë gërshërët hartës së Shqipërisë;
– Rusia dhe sateliti politik i përhershëm i saj – Serbia, bashkë me Greqinë, sot e kësaj dite i paraqesin shqiptarët para qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit, Berlinit, Londrës, Parisit dhe Romës, si përçues të interesit turk, arab dhe persian në Ballkan dhe në Evropë;
– Rusia, Serbia dhe Greqia vazhdimisht u thonë perëndimorëve se shqiptarët janë popull që funksionojnë me sistem joperëndimor të vlerave;
– Shqiptarët i ndan nga Perëndimi – deti Adriatik dhe deti Jon, d.m.th. nuk kanë lidhshmëri tokësore me të;
– Konstelacioni rajonal dhe raporti i forcave në gadishull është skajshmërisht i rëndë dhe tragjik për shqiptarët.

* * *

Nga fundi i shekullit XX, në Evropë ndodhën ndryshime historike dhe epokale, të favorshme për shqiptarët:

– muri i Berlinit u shemb;
– Gjermania u ribashkua;
– perandoria bolshevike dhe bizantine sovjetike u shpërbë;
– Traktati i Varshavës u zhbë;
– Jugosllavia e AVNOJ-it u rrënua;
– SHBA-ja doli si fuqi globale e vetme;
– faktor proshqiptar i natyrshëm – Gjermania – u forcua;
– fuqitë historike të Evropës, kundërthëniet midis tyre i kapërcejnë nëpërmjet një simetrie të interesave, në kuadër të BE-së;

Në rrethana të sipërthëna, u krijua një konstelacion i ri – rajonal, evropian dhe në planin global, i favorshëm për shqiptarët dhe i disfavorshëm për popujt sllavë të gadishullit.
Në kuadër të rrethanave të lartpërmendura, faktori politik shqiptar dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ndihmuar nga ShBA-ja, e çliroi Kosovën nga kolonialistët serbë. Çlirimi i saj paraqet një hap drejt realizimit të aspiratave të rilindësve, historikisht të drejta, për krijimin e Shqipërisë etnike.
Po qe se shqiptarët sot, do të shmangeshin nga rruga properëndimore, historia do të përsëritej, do t’i pësonin dhe do t’i përjetonin tragjeditë e së shkuarës.
Për dallim nga shek. XIX, shqiptarët sot nuk janë të vetmuar. Janë populli më proamerikanë në botë.

Filed Under: Histori Tagged With: Lidhja e Prizrenit, Xhelal Zejneti

LIDHJA E PRIZRENIT- 137 vjet nga vënia e themeleve të shtetit shqiptar

June 10, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 10 Qershor/Po bëhen 137 vjet që kur më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e GJ. K. Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e XV-të.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar. Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek, pasi Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhat rrezikun e copëtimit të troje ve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike, transmeton KP.
Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizes lindore. Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.
Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444.
Kjo ngjarje e historisë të kohës së re, edhe pas 131 vjetëve, është e ngulitur thellë në memorien e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtarë të kombit shqiptar./KosovaPress/

Filed Under: Histori Tagged With: 137 Vjet, Lidhja e Prizrenit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit – simbol i bashkimit kombetar dhe gur themeli i shtetesise shqiptare

June 5, 2015 by dgreca

Nga Sadik ELSHANI/*
Periudha e Rilindjes Kombetare eshte njera nder periudhat me te rendesishme dhe me te lavdishme te historise se popullit shqiptar. Eshte kjo periudha e zgjimit kombetar, e ngritjes se ndergjegjes kombetare dhe te hovit te zhvillimit kulturor e arsimor.
Ne fund te shekullit te XVIII dhe ne fillim te shekullit te XIX, zhvillimi ekonomik e politik i Perandorise Osmane kishte marre te tatepjeten. Reformat e Tanzimatit qe u shpallen me 3 nentor te vitit 1839, keqesuan me tej gjendjen e shqiptareve, ndersa shtetet fqinje, si: Serbia, Mali i Zi e Greqia kishin fituar autonomi ose pavaresi dhe tani kishin synime territoriale ndaj tokave shqiptare. Ne keto rrethana, problemi i ruajtjes se teresise tokesore ishte bere problemi numer nje per shqiptaret. Ky problem u be edhe me i mprehte gjate viteve te Krizes Lindore (1875 – 1878) dhe vecanerisht gjate Luftes Ruso – Turke te viteve 1877 – 1878. Ne janar te vitit 1877 ne Budapest u arrit merreveshja midis Austro – Hungarise dhe Rusise, sipas se ciles, ne rast te shkaterrimit te Perandorise Osmane, te formohej Shqiperia si shtet i pavarur. Pra, ky ishte akti i pare diplomatik nderkombetar qe pranoi ne parim idene e krijimit te nje shteti shqiptar. Me 24 prill te vitit 1877 Rusia futi ushtrine e vet ne Besarabi dhe i shpalli lufte Perandorise Osmane. Ne nderkohe, Mali i Zi pushtoi disa vise veriore shqiptare te Vilajetit te Shkodres, ndersa Serbia pushtoi disa pjese te Vilajetit te Kosoves, si: Nishin, Vranjen, Prokuplen, etj. Si gjithmone, shqiptaret luftuan me heroizem, por nuk paten sukses, sepse ushtrite serbe e malazeze ndihmoheshin nga Rusia. Gjendja ashtu e rende ne keto vise shqiptare u keqesua edhe me teper dhe mbi 200. 000 shqiptare te ketyre viseve te pushtuara u debuan nga vatrat e tyre.
Keto ngjarje nxiten shqiptaret intelektuale e atdhetare ne Stamboll, te cilet me 12 dhjetor te vitit 1877 themeluan Komitetin Qendror per Mbrojtjen e te Drejtave te Kombesise Shqiptare. Themeluesi i ketij komiteti ishte Abdyl Frasheri, ndersa anetare ishin: Zija Prishtina, Jani vreto, Pashko Vasa e Sami Frasheri.
Nga Lufta Ruso – Turke, Rusia doli fitimtare dhe me 3 mars 1878 u nenshkrua Traktati i Paqes se Shen Stefanit. Sipas ketij Traktati, nje pjese e madhe e tokave shqiptare shkeputej nga trungu i tyre dhe i bashkangjitej Bullgarise, Serbise e Malit te Zi. Keto rrethana te krijuara, si dhe lajmi se do te mbahej se shpejti Kongresi i Berlinit, ne te cilin do te behej revidimi i vendimeve te Paqes se Shen Stefanit, ishin faktoret kryesore, faktoret nxites qe ndikuan ne formimin e Lidhjhes Shqiptare te Prizrenit dhe veprimtarine e saj per shpetimin kombetar.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit u formua ne kuvendin themelor qe u mbajt ne Prizren me 10 qershor te vitit 1878. Ne kete mbledhje moren pjese 300 delegate nga te gjitha viset shqiptare: te krishtere e myslimane, intelektuale, pashallare, fshatare e qytetare te rendomte. Ne kete kuvend historik merrte pjese edhe nje djale katermbedhjete vjecar, kryetrimi i ardhshem i Kosoves dhe i gjithe shqiptarise, Isa Boletini. Ata u mblodhen me nje qellim te perbashket, per te mbrojtur teresine tokesore te trojeve shqiptare dhe per formimin e shtetit autonom qe do te mbulonte kater vilajetet e banuara kryesisht me popullsi shqiptare: Vilajetin e Prizrenit, Shkodres, Manastirit dhe Janines. Ata u mblodhen edhe per t’i treguar botes se, ky vend ka zot dhe askush nuk mund te luante me me fatin e tij.
Fjalen e hapjes e mbajti Abdyl Frasheri, i cili perfaqesonte Komitetin Qendror nga Stambolli. Vendimet e Lidhjes se Prizrenit u miratuan e u nenshkruan nga 47 bejlere shqiptar me 18 qershor 1878. Disa nga vendimet me kryesore ishin:
1. Mospranimi per t’i dorezuar territore Serbise, Malit te Zi e Greqise.
2. Kerkesat per t’i kthyer tokat me popullsi shqiptare te aneksuara nga Serbia e Mali i Zi.
3. Autonomia brenda Perandorise.
4. Nderprerja e thirrjes nen arme dhe e taksave nga qeveria qendrore ne Stamboll.
Lidhja u krijua si nje organizate politike e ushtarake mbareshqiptare, me organet e saj qendrore dhe me dege ne te gjitha krahinat e Shqiperise. Ne krye te Lidhjes qendronte Keshilli i Pergjithshem, me kryetar Iliaz Pashe Dibren, e me vone Ymer Prizrenin. Ajo kishte edhe komisionet (dikasteret) e veta: Komisionin e Puneve te Jashtme, Komisionin e Puneve te Brendshme dhe ate te financave. Kishte edhe Prokurorine e Pergjithshme e Gjykaten e Larte. Pra, kishte nje organizim shteteror funkcional.
Kongresi i Berlinit qe u mblodh me 13 qershor 1878, kishte konfirmuar pavaresine e Rumanise, Serbise, Malit te Zi, ndersa interesat e kerkesat shqiptare nuk qene perfillur fare. Ne kete Kongres, shqiptaret nuk paten perkrahjen as edhe te nje fuqie te madhe qe t’i mbronte interesat e tyre. Madje, as edhe qenja jone si komb nuk u njoh. Duke qene se vendimet e Kongresit te Berlinit nxiten pekenaqesi te shqiptaret, atehere Lidhja Shqiptare e Prizrenit vendosi te luftoje per t’i realizuar tri kerkesat kryesore te saj: a) njohjen e kombit shqiptar; b) rujatjen e paprekshmerise se trojeve kombetare shqiptare; c) bashkimin e tokave shqiptare ne nje njesi te vetme autonome shteterore. Gjithashtu kerkohet qe nepunesit te dinin gjuhen shqipe, te perhapet arsimi, ne shkolla te mesohet gjuha shqipe, te ndahet nje shume e madhe e te ardhurave shteterore per arsim dhe per ndertime komunale.
Porta kurresesi nuk pajtohej qe te themelohej autonomia ne viset ku jetonin shqiptaret. Ne keto rrethana, Lidhja e Prizrenit vendosi qe te shkaterrohej pushteti lokal osman. Lidhja e Prizrenit kishte edhe forcat e saj te armatosura qe numeronin mbi 16.000 veta. Keto forca ne shtator te vitit 1878 vrasin mareshalin osman, Mehmnet Ali Pashen, duke e shpartalluar edhe ushtrine e tij. Ndersa nga nentori i vitit 1879 e deri ne shtator te vitit 1880, Forcat e Lidhjes zbrapsen edhe te gjitha sulmet e ushtrive malazeze. Duke filluar nga gjysma e korrikkut te vitit 1879, shqiptaret moren pushtetin ne duart e veta ne shume qytete, si ne: Vushtrri, Peje, Mitrovice e Gjakove. Ndersa dega e Lidhjes Shqiptare e Shkodres, me 17 prill 1880, shpalli autonomine e vendeve ku jetonin shqiptaret. Vec kesaj, Lidhja e Prizrenit zhvilloi edhe nje veprimtari te dendur diplomatike. Ajo dergoi Abdyl Frasherin se bashku me Mehmet Ali Vrionin ne kryeqytetet europiane ne pranvere te vitit 1879. Por, memorandumet, peticionet, letrat dhe mjetet tjera diplomatike nuk ndihmuan ne ndryshimin e qendrimeve politike per shqiptaret dhe trojet e tyre. Prandaj, ne janar te vitit 1881 u mblodh Kuvendi i Jashtezakonshem i Lidhjes Shqiptare, ne te cilin Kometeti Kombetar i Lidhjes, qe ishte organi me i larte ekzekutiv, u shpall “Qeveri e Perkohshme” me kryetar atdhetarin e shquar, Ymer Prizrenin e nenkryetar, Shuaip Spahiun, ndersa Abdyl Frasheri u ngarkua te udheheqte Dikasterin per Punet e Jashtme dhe Sulejman Vokshi u ngarkua te udheheheqte Dikasterin e Mbrojtjes duke u emeruar Komandant i Pergjithshem i ushtrise. Kjo qeveri tani filloi te udheheqte levizjen per autonomi. Ajo vendosi dhe u perpoq qe me forcen e armeve t’i debonte organet e pushtetit osman dhe ne vend te tyre te emeronte nepunes nga gjiri i popullit. Qeveria e Perkohshme e shtriu autoritetin e saj anembane Kosoves e deri ne Shkup. Abdyl Frasheri ne Diber e rrezoi mytesarrifin turk dhe e vuri qytetin nen administrimin e Lidhjes.
Porta nuk pushonte se vepruari per ta shkaterruar Lidhjen e Prizrenit. Ajo nuk duroi me dhe ne prill te vitit 1881 dergoi Dervish Pashen me forca te medha ushtarake (15 batalione) qe ta shtypte Lidhjen. Dervish Pasha i likuidoi me pare prijesit e deges se Shkodres, pastaj ata te Shkupit dhe u nis per ne Kosove ku u ben luftime te ashpra ne Slivove, Shtime, Gryken e Carraleves (ketu Mic Sokoli e ve gjoksin mbi topin turk), Qafen e Duhles dhe ne hyrje te Suharekes. Pas ketyre luftimeve, Dervish Pashe e pushton Prizrenin me 22 prill te vitit 1881. Shume veprimtare te Lidhjes u arratisen, ndersa shumica e udheheqesve u zune rob, nder ta edhe Abdyl Frasheri. Porta keta i denoi rrepte ne Gjykaten e Jashtezakonshme. Abdyl Frasheri u fal me 1885. Ymer Prizreni gjeti strehim duke marre azil politik ne Mal te Zi, mirepo atje ne rrethana te pasqaruara likuidohet me 1886.
Megithate, Lidhja nuk kapitulloi, nuk i dorezoi armet. Pas renjes se Prizrenit, shqiptaret ben qendrese ne Malesine e Gjakoves, Lume dhe ne rrethinen e Pejes. Keto luftime i udhehoqi Sulejman Vokshi, i cili me vone, ne gusht te vitit 1885 u arrestua. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndoshta u shkaterrua si organizate politike e ushtarake, por zjarri qe ajo ndezi, nuk u shua. Ajo u be pishtar qe i ndriti rrugen popullit tone, u be flamur qe i priu shqiptareve ne vitet qe pasuan e deri ne ditet tona. Idealet e Lidhjes se Prizrenit u nguliten thelle ne ndergjegjen e kombit shqiptar – ideale qe cuan drejt shpalljes se pavaresise se Shqiperise. Lidhja ishte perpjekja e pare serioze mbarekombetare per te krijuar nje territor te bashkuar shqiptar qysh nga perpjekjet e forcave te Skenderbeut. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte kthese e rendesishme ne periudhen e Rilindjes Kombetare Shqiptare, sepse ceshtjen shqiptare e vendosi ne arenen nderkombetare si nje nga ceshtjet me te ngutshme e me te ndieshme qe kerkonte zgjidhje ne cdo rregullim te ardhshem te Europes Juglindore. Programi i saj politik qe misheronte programin madhor te Rilindjes Kombetare, nuk pushoi se vepruari duke synuar formimin e Shqiperise Etnike.
Me 28 nentor te vitit 1912, nje nga programet e Lidhjes se Prizrenit u realizua pjeserisht me Shpalljen e Pavaresise se Shqiperise. Por, ajo Shqiperi perfshinte vetem nje pjese te territorit shqiptar, ndersa me teper se gjysma e tokes dhe popullsise shqiptare mbeti jashte kufijve shteteror. Megjithate, ajo ishte nje arritje e madhe per popullin shqiptar, sepse sic jane shprehur atdhetaret e asaj kohe: “Me mire nje Shqiperi e vogel dhe e lire, sesa e tera e roberuar.” Perpjekjet e shqiptareve per te realizuar platformen atdhetare te Lidhjes se Prizrenit nuk u ndreprene kurre, dhe me 17 shkurt te vitit 2008 – 130 vite pas themelimit te Lidhjes se Prizrenit, Kosova u shpall shtet i pavarur, i njohur nga shtetet me te fuqishme dhe demokracite me te perparuara te botes. Idealet dhe programi kombetar i Lidhjes se Prizrenit mbeten ne rend te dites dhe vazhdojne te jene perjetesisht burim frymezimi per brezat e ardhshem. Edhe kriminelet serbe e dinin fare mire rendesine historike te Lidhjes se Prizrenit, dhe me 27 mars te vitit 1999 e dogjen ndertesen ku u mblodh Kuvendi i Lidhjes se Prizrenit. Por, ata nuk e dinin qe tani kjo ngjarje nuk shlyhet me kurre nga kujtesa e kombit tone – ajo eshte bere ndergjegja jone – eshte bere pjese e pandashme e qenjes sone. Godina u rindertua plotesisht dhe u hap me 10 qeershor te vitit 2000.
Epoka e Lidhjes se Prizrenit eshte njera nder periudhat me te lavdishme e me te ndritura te historise se kombit tone. Ajo do te mbetet ne kujtesen e popullit tone si simboli i bashkimit kombetar dhe gur themeli i shtetesise shqitare. Te mesojme dhe te frymezohemi nga pervoja historike dhe platforma kombetare e Lidhjes se Prizrenit. Te nxjerrim mesime te vlefshme nga perpjekjet shekullore te popullit tone, te marrim shembull nga Rilindesit tane mendjendritur dhe te ngreme lart vlerat tona kombetare e njerezore, kodin tone te larte etik e moral. Per nje kohe te gjate, ideologjite e huaja te te gjithe spektrit politik dhe te gjitha ngjyrave politike, i kane sjell deme e percarje te medha kombit tone. Kombi, Shqiperia te jete partia e shqiptarit, shqiptarizmi te jete ideologjia e shqiptarit. Kjo eshte jehona dhe porosia e madhe e idealeve te Epokes se ndritur e te lavdishme te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit.
Filadelfia, 4 Qershor, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Histori Tagged With: Lidhja e Prizrenit, Sadik Elshani

Lidhja e Prizrenit në New York (1962-2014) i dhuron arkvin e vet Kosovës

October 1, 2014 by dgreca

Nga Klajd Kapinova/
YONKERS, New York. Mikpritja, një traditë e hershme e popullit shqiptar, është transmetuar brez pas brezi edhe në komunitetin e madh shqiptar në SHBA dhe posaçërisht në shtetin e madh metropolitan të New York-ut.
Në vazhdën e traditës së tij bujare, aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë, studiuesi, publicisti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes se Prizrenit Tomë Mrijaj, me makinën e tij, niset drejt aeroportit ndërkombëtar “JFK” (John F. Kennedy International Airport), për të pritur delegacionin e Arkivave të Republikës së Kosovës, miqtë: Ramë Manaj Kryeshef Ekzekutiv i Agjensisë Shtetërore të Arkivave, Prof. Dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, Hamdi Bërbatovci, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, Dr. Ruzhdi Panxha, Drejtor i Drejtorisë për Veprimtari Arkivore të Republikës së Kosovës.

Idea dhe realizimi i nismës
Historia e nismës së dorëzimit të materialeve të pasura arkivore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në drejtim të shtetit të ri të Kosovës, ka qenë një ëndërr e kryesisë, kryetarit Ismet Berisha, një pinjoll i shquar i familjes së mirënjohur të Derës së Sadik Ramë Gjurgjevikut, nacionalistëve të shquar Ukë dhe Shaban Sadiku, Ismet Ukë Berisha, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LShP) dhe Sekretarit të Përgjithshme të saj, studiuesit dhe publicistit bashkohorë Tomë Mrijaj.
Gjatë kontakteve të vijueshme të studiuesit Mrijaj me Prof. Muhamet Shatrin, që nga viti 2013, historiani Shatri i kishte kërkuar, që të interesohej në komunitetin e madh shqiptaro-amerikanë tek shoqatat dhe miqtë e tij të sigurojë materiale arkivore historike, me vlera për pasurimin e Arkivit të Kosovës.
Duke ndjekur me kujdes historinë e veprimeve të vijueshme patriotike të zotërinjve Berisha dhe Mrijaj, mësojmë, se Lidhja e Prizrenit (1878, 1943, 1962), me kohë e ka menduar, që t’i dhuroj Kosovës, vendlindjes së Lidhjes së Prizrenit, të gjithë arkivin e pasur të aktivitetit të madh patriotik 54-vjeçar të organizatës së tyre, për çështjen shqiptare në SHBA dhe shtetet e ndryshme të botës, ku ajo ka pasur degët e saj.
Për më shumë, mësojmë nga deklarata e dhurimit të arkivit të organizatës së vjetër shqiptare (me qendër në New York të SHBA-së), të nëshkruar nga aktivistët veteranë të komunitetit shqiptaro-amerikanë, zotërinjtë Ismet Berisha dhe Tomë Mrijaj.
Ndër të tjera, në deklaratën, që për herë të parë behet publike, thuhet, se: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit me qendër në New York, ShBA dhe degët e saj në shumë shtete të botës, i dhuron Agjencisë Shtetërore të Arkivave (AShAK) të Kosovës të gjithë dokumentacionin nga viti 1962-2014. Kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mbas një aktiviteti të pareshtur patriotik, nga viti 1962-2014, Vendosi, që Arkivin e saj të pasur shumëvjeçar t’ia dhurojë AShAK, në mënyrë që dokumentet historike, të jenë pronë e popullit. Ne besojmë, se shkencëtarët e rinj të historisë, do të ruajnë dhe ofrojnë në të ardhmen muzeve të shtetit të Kosovës ngjarje, data dhe përsonalitete, që kanë kontribuar për çështjen kombëtare në tërësi dhe të popullit martir të vendlindjes në veçanti. Ne shpresojmë dhe besojmë, se muzetë e ardhshëm, do të jenë institucioni i ruajtjes së kujtesës, i ngjarjeve dhe dëshmive të shkruara materiale të emigrantëve në diasporën e Amerikës, duke i ofruar materiale për kërkime historike, dhe qëllime studimore, edukuese, në shërbim dhe i hapur ndaj publikut.”

Çfarë përmbajnë arkivat e Lidhjes së Prizrenit në SHBA!?

Delegacioni i ekspertëve të Kosovës, gjatë kohës së qëndrimit në New York, ka mundur të seleksionoj 18 kutia të mëdha me materiale arkivore historike. LShP e themeluar në New York (1962) nga një grup shqiptarësh të emigruar nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, ka një histori të pasur plot luftra dhe përpjekje, prej shumë dekadash e shoqëruar me fitore dhe humbje.
Në arkivin e saj, përfshihen letërkëmbime të personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA dhe shtete të ndryshme të botës. Këto letra, foto, dorëshkrime, etj., janë ruajtur prej shumë dekadash në zyrat e Lidhjes. Në fondet e arkivave bëjnë pjesë letërkëmbimet e Kryetari të parë Ing. Xhafer Devës, me Kyetarin e mëvonshëm Ismet Berisha dhe personalitete të tjera të diasporës në Amerikë dhe shtete të tjera të botës. Aty gjenden disa nga dokumentet e rëndësishme, sikurse janë: “Lidhja e Dytë e Prizrenit” (16-20 shtator 1943), letërkëmbime të antarëve të Lidhjes, kongreset, që janë mbajtur për Kosovën; Kushtetuta e LSHP, dokumente të degës së LSHP në Canada; Kongresi II-të i LSHP 26-27 nëntor 1971 Manhattan New York; letra origjinale e Prof. Ernest Koliqit dërguar LSHP në New York; letrat e Mbretit të Shqiptarëve Leka I Madrid (Spanjë, 1966); Tajar Zavalanit; Hasan Dostit ish Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lirë” (California, 1966); Kapiten Ahmet Sata, Përgjegjës i Rezistencës në Belgjikë (Bruxelles, 1966); Kolë Bibë Mirakaj S. Biagio, 1966); Muharrem Bajraktari (Bruxelles, 1966); letrat e Tahir Zajmit, Hamëz Devedaku, Miftar Gashi, Qerim Berisha, Muharem Maralusha, Father Andrew Nargaj O.F.M.; letra të ndryshme nga Grupi i LSHP në Malbourne (Australi, 1966); Spiro Theodhosi (Massachusetts, USA); Beqir Maloki, Jak Shahini (Montreal, Canada); Faik Zaqi (Toronto); Agim Kosova (Detroit, MI); Abdul Latifi (Damask, Siri); Xhelal Mitrovica (London), Jusuf Sahiti dhe vëllai Sait Gashi (Izmir, Turqi), Mehdi Hasan Mati (London), Skënder Ukë Sadiku, Reiz Ali Hoxha (Marselle, Francë); Kalosh Hamdia, kumtesa dhe manifestime në përvjetore të ndryshme të LSHP në New York dhe shtete të ndryshme të botës; Memorandumi drejtuar Kombeve të Bashkuara me Seli në New York City SHBA (Sekretarit të Përgjithshëm Mr. Uthant, drejtues i Asamblesë së OKB-së) dhe delegatëve të shtetëve”; dokumente origjinale mbi shpërndarjen gjeografike të LSHP dhe degët e shpallura nëpër botë: Dega New York themeluar (1962); dega “Hasan Prishtina” (1963), Toronto, Canada; dega At Shtjefen Gjecovi O.F.M., (1963), Bruxelles, Belgjikë; dega “Azem Bejta” (1964), Paris, Francë; dega Melbourne (1964), Australi; dega “Haki Taha” (1964), Racine–Milwaukee, USA; dega “Haxhi Zeka” (1964), Stamboll, Turqi; dega “Isa Biletini”, (1964), Waldraiburg, Gjermani; dega “Haxhi Zeka”, (1964), Chicago, USA; dega “Sadik Rama” (1964), Ankara, Turqi; dega Gjermani Perëndimore, (1965) Kaiserslautern (RFGj); dega Ontranto (1966), Canada; dega “Abdyl Frashëri”, (1971), Brooklyn, NY, USA; dega Greewich, (1971), CT., USA; dega “Ali Pashë Gucia”, (1971), Bronx, NY, USA; dega Philadelphia, (1999), Pennsylvania, USA; dega Fort Laudaerdale, (1998), Florida, USA; dega Stamford, (1997), Conneticut, USA etj., letra nga Dom Anton Kcira, famullitar i Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, (MI); Dom Pjetër Popaj famullitar i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Hartsdale, New York; Kongresi I i LShP faqe 1-36; Veprimtaria e LSHP në mërgim, Kongresi II, III, 1982, (dorëshkrim); “Libri ynë i bardhë”, LSHP 1878-1943-1962 (dorëshkrime); letra origjinale dërguar Shtëpisë së Bardhë në kohë të ndryshme, si: zj. Hillary Rodham Clinton, Presidentit Bill Clinton, Anthony Lake (ndihmës i Presidentit Bill Clinton për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së), Hanry Kelley (bashkëpunëtor i stafit për cështje të Ballkanit); Zv/Presidentit Al Gore; Christopher Marcich (ndihmës për Marrëdhëniet Tregtare për Europën dhe Mesdheun); Thomas E. Donilon, senator Mike DeWine, Jesse Helms, senator Christopher J. Dodd, Mark Sobel, senator Bill Bradley, David E. Grogan, senator Benjamin A. Gilman, Hans Meesman (Ambasador i Hollandës në Washington D.C.), Christine Matthews (editor, Cambridge University Press), kongresisti Floud H. Flake, Presidenti George W. Bush, senator Alfonse D’Amato, Anne Massagee (Drejtuese e Programit të të Drejtave të Njeriut, në Qendren “Carter” në Emory University), senator Joseph L. Liberman, senator Claiborne Pell, Profesor David Crystal (Cambridge Encyclopedia), kongresist Christopher Shays, Joseph DioGuardi, etj., etj.

Takimi në Federatën Panshqiptare Vatra

Delegacioni i ekspertëve të Arkivave Qendore të shtetit të Kosovës, u shoqërua gjatë gjithë kohës së qëndrimit nga aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë, studiuesi Tomë Mrijaj, njëherazi Sekretar i Përgjithshëm i LShP.
Publicisti dhe autori i disa libra për komunitetin tonë z. Mrijaj, u dhuroi nga arkivi i tij përsonal Arkivit të Kosovës, dokumente të rëndësishme, që kanë lidhje më historinë e aktiviteteve patriotik të LShP, për cështjen shqiptare dhe të Dardanisë në vecanti.
Në zyrat e Federatës Panshqiptare “Vatra” (1912) në Bronx, delegacioni i miqve nga Kosova, u prit në ambientet e Vatrës nga kryetari i saj Dr. Gjon Bucaj dhe stafi i tij si dhe editori i gazetës “Dielli” gazetari Dalip Greca.
Në shtëpinë e rinovuar të Vatrës, në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, u zhvillua takimi mes drejtuesve të lartë të Federatës Vatra dhe përfaqësuesëve të Arkivave të Kosovës.
Kryetari i Vatrës Dr. Bucaj, u uroi mirëseardhjen dhe bëri një përshkrim të historisë së arkivit të Vatrës nga vendlindja (Boston) deri në New York, dhe mundësitë, që ka organizata më e vjetër shqiptare në SHBA, për të dërguar kopje të dokumentacionit të saj arkivor.
Në takimin me vatristët, diskutuan miqtë: Ramë Manaj Kryeshef Ekzekutiv i Agjensisë Shtetërore të Arkivave, Prof. Dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, Dr. Ruzhdi Panxha, Drejtor i Drejtorisë për Veprimtari Arkivore të Republikës së Kosovës. Ata në mënyrë profesionale bënë një përshkrim të arkivave të Kosovës, gjendjen e tyre dhe mënyrën se si personeli i saj i kualifikuar i admnistron materialet dokumentare, që dhurohen (origjinale ose fotokopje) nga organizata, klube, individe, parti politike dhe shoqata të tjera në emigracion.
Editori i gazetës “Dielli” (1909) Dalip Greca, ekspozoi disa nga dokumentet origjinale, ndersa Kryetari Dr. Gjon Bucaj, dhuroi një dokument origjinal të vitit 1920, e njohur asokohe si “Huaja Kombëtare”, organizuar nga Federata Vatra, për t’i ardhur në ndihmë Qeverisë së Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit të kualifikuar, miqtë e ardhur nga vendlindja, u bënë thirrje individëve, grupeve, organizatave atdhetare, kulturore, politike etj., të cilët, kanë dokumentacion arkivor, shkresor apo fotografik, t’ia dhurojnë Kosovës, me qëllim që të vihen në dispozicion të studiuesve në mënyrë profesionale e institucionale. Ajo që ishte e rëndësishme në mesazhin final të miqve ekspertë të arkivave dhe historisë ishte se ata garantuan ruajtjen dhe privatësinë e dokumentacionit të dhuruar nga grupe dhe individë nga emigracioni.

Thesari i Arkivit të Komitetit “Shqipnia e Lirë”

Ajo që suprizoi të gjithë të pranishmit, ishte një fond origjinal e i pasur arkivor, që kishte sjellë me vete studiuesi veteran i komunitetit ish gazetari i “Zërit të Amerikës” Idriz Lamaj.
Publicist Lamaj, kishte sjellë me vete dhe ekspozoi në zyrat e Vatrës mbi 15.000 dokumente origjinale të Komitetit “Shqipnia e Lirë”. Ai tha, se kishte sjellë për të parë ekspertët e arkivave të Kosovës, dokumente origjinale dhe se ata nuk janë i gjithë materiali i pasur, që ai disponon prej shumë dekadash nga ish zyrat e Komitetit, ku ai bënte pjesë. Vatristi veteran Lamaj, u shpreh i gatshëm të bashkëpunoi me Arkivat Qendore të vendlindjes në Kosovë dhe Shqipëri.
Për lexuesit, është mirë të dijnë se cfarë përmbajnë një pjesë e dokumenteve: “Masakrat malaziase në Plavë-Gusi-Rugovë”, raporte origjinale nga Komiteti i Kosovës 1919-1921; “A chronology of events in Albania 1944-1952” (Free Euro Press); correspondence: letrat e Prof. Ernest Koliqit, Athanas Gegaj, Tahir Zajmi, Ing. Xhaver Deva, Raif Maliqi, Dervish Bajram Currit, Prof. Rexhep Krasniqit, Prof. Martin Camaj, Prof. Zef Nekaj, Imam Vehbi Ismaili (autobiografi); deklarata e mbylljes së KShL; Prof. Rexhep Krasniqi: “Qendresa e Kosovës kurrë nuk asht trajtue në historinë e Shqipnisë” (dorëshkrim); Xhevat Kallajxhiu “Zëri i Amerikës”; Vasil Germenji 1960 (raport); KShL Zyra e Kryesisë për vitet 1960, 1970, 1971 etj.; Letra të ndryshme dërguar Departamentit të Shtetit Amerikan gjatë viteve: 1960, 1969, 1970, 1971 etj.; KShL “Dita e Flamurit”, 1977, 1975, 1978, 1980, 1983 etj.; KShL Zyra e Kryesisë–korrespondencë 1957-1967, 1964-1965, 1984-1985 etj.; korrespondenca të ndryshme në gjuhën angleze; letërkëmbimet e Dr. Mons Zef Oroshit me juristin Kapidanin e Mirditës Ndue Gjomarkaj; Kolë Mirakaj, Njazi Sulca, Welfgang Tucks, Prof. Rexhep Krasniqi, Miss Melanie M. Sever, Shemshedin Kryeziu, Lec Shllaku (editor), Jonuz Ndreu, Ragip Frashëri, Joe Wilkie, Shaban Gjura, Leo Cherna, Prof. Gjon Sinishta, Prof. Adem Hoda (editor i gazetës “Ndërgjegja”), Barbara Lopez, Dr. A Dema (Uriburu, Argentina 25.5.1984), Dori Male, Tahir Kolgjini, Skënder Zogu, Lt. Col. Eduardo Ressel (Rio de Janeiro, RJ Brasil); Mark Traboini, Mr. C. Barsh (The Hague The Netherlande), Dr. Sami Repishti, Emil Kastrati, Shaban Gjuro, Maria Lombardo, Rifat Kolgjini, Stephan Lipsiue; “Dosja e Trathtisë” (material tepër secret), Prof. Arshi Pipa, Isuf Uka Kelmeni, Prof. Rexhep Krasniqi (letrat e fundit, para se të ndërronte jetë…), 50-vjetori i Radios “Zëri i Amerikës”, Adem Hodo, Xhevat Kallajxhiu, letërkëmbimi i gazetarit Idriz Lamaj, me figurat e shquara të botës shqiptare në diasporë, Osnelda Deva, Mehdi Frashëri (raporti original i autopsisë), Memorandim për Këshillin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”, Viktor Darragjati (Madrid, Spanjë), Këshilli i KShL për vitet 1958-1960, Organizatat Politike Shqiptare në Mërgim, etj., etj.

Mirënjohje për asamblistin shqiptaro-amerikanë Mark Gjonaj

Me rregullore të veçantë, Ministria e Diasporës, jep çmim vjetor në fusha të ndryshme të arsimit, shkencës, sportit, bisnesit, post mortum (mbas vdekjes), kontribut të veçantë, për pjesëtarët e diasporës, që kanë dhënë kontributin e tyre për shtetin e Kosovës, qoftë edhe përmes përmisimit të imazhit të Republikës së re.
Shteti i Kosovës, në kuadër të manifestimit tradicional: “Ditët e Diasporës 2014”, për kontribut të veçantë, jep çmimin vjetor. Në një takim vëllazëror, mes miqve shqiptarë këtë çmim, në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Ministrit Ibrahim Sh. Makolli e dorëzoi Hamdi Bërbatovci, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës. Ai me fjalë të përzgjredhura, përshkroi aktivitetin atdhetar të asamblistit Mark Gjonaj dhe kontributin e tij, në ndihmë të çështjes shqiptare, duke i dorëzuar Mirënjohjen e shtetit të Kosovës.
Në ceremoninë e vlerësimit të aktivistit dhe politikanit të ri z. Gjonaj, morën pjesë: Prof. Dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, studiuesi dhe publicist bashkëkohorë Tomë Mrijaj Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bisnesmenët: Hilë Përlleshi dhe Sanni Vataj etj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: arkivat e Kosoves, Klajd Kapinova, Lidhja e Prizrenit

KUR BIE DITA E “TË SHUEMËVE” ?..

October 31, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Nga viti në vit po ndryshohen kalendarët dhe me ta edhe datat…e festave, perkujtimore, dhe të tjera shenja të veçanta që ishin të shenueme aty. Nuk asht problemi tek festat fetare, se ato merren vesh dhe pa kalendar, u mësuem mbas 1967, kur nuk kishim ku me i gjetë të shenueme.

Bashkë me datlindje festohej edhe dita e emnit… Festat fetare ishin të mëshefta!

Kujtoj, shumë vite perpara kur pata lexue një prozë të shkurtë të At Gjergj Fishtës, per Ditën e të Shuemëve, në Rrëmaj të Shkodres. Një kryeveper, si shumë shkrime të tjera të Tij!

Ajo ishte një ditë krejt e veçantë në Shkoder. Edhe pergatitjet në Rrëmaji fillonin disa ditë perpara, ku sejcili, mendonte per një tubë lule apo per pastrimin e vorreve të familjes së vet.

Me datës 2 Nandor, ku shenohej në kalendarin fetar katolik “Dita e të vdekunëve”, ishte fillimi i perkujtimoreve, që vazhdonin deri tek e diela që mbyllej edhe java e atyne kujtimeve…

Disa i thonin “Java e Purgatorëve”, mbasi edhe lidhej me “jeten e lumtur” të Shkodres!

Në Shkoder nuk perdorej fjala e “të shuemëve”, na dukej se tingllon keq, mbasi fjala “me u shue”…sikur, merrte kuptimin e vrashtë të “shfarosjes”…dhe, perdorej per fise që komunistët i kishin “shue”, “qitë fare”, “zhdukë” pra, “pa trashigimtarë”…E këta fise nuk ishin pak! Nuk do ti rreshtoj këtu ata fatzezë që kam mërrijtë me njoh unë, mbasi qellimi i këtij shkrimi nuk asht ai.

Kjo foto që shihni këtu, na kujton një prej ngjarjeve ma të mëdha të Historisë sonë!

Plot 135 vjetë maparë, në vitin 1878, në Prizrenin Shqiptar u krijue “Lidhja e Prizrenit”…

As Kryetari i Delegacionit Shkodres tek ajo Lidhje, Daut Efendi Boriçi, endè sot nuk e ka një bust në qendren e qytetit të Shkodres, edhe pse përfaqsia e Tij atje ishte një nderim per ne!

 

Prizreni i 1878…

At Gjergj Fishta i këndoi:

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,

Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,

Eja e t’kndojm më Lahutë t’ Malcis,

Si ata Krenët e Shqyptaris

Në Prizren na janë bashkue

Për me folë me bisedue,

Shqyptarinë se si m’e pshtue

***

Sa per Mbretin e Stambollit,

***

Mund t’i thoni, se Shqypnija

Nji shportë fiqash nuk ka qillue,

Per m’u a da miqve peshqesh.

Por asht toka e t’ Parvet tonë,

Asht Atdheu, po i Skanderbegut,

Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit

E i atij Lekë Dukagjinit,

Edhe i Kukës edhe i Muzakut

Edhe i Strezës e i Aranitit,

Qi e kan la t’ tanë me gjak t’Turkut.

Prandaj s’ka as Krajl as Mbret,

Qi ket tokë e falë a e shet,…

 

Dhe pikrisht, në këte 135 vjetor, mendoni Ata Shqiptarë të Prizrenit t’ atëhershëm… me 23 Tetor 2013, të mbledhun me ndigjue nga këta tre “kryeministra” hyqimetesh, një tjeter “vaki”: “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”…

 

 

Nuk deshta me u besue syve… Po, kur lexova deklatën e Imz. Dodë Gjergjit, ku tregon:

“…sikur në fund të çdo dite bie muzgu dhe errësira i vë nën pushtetin e vetë të gjitha gjërat, ashtu ndodhi dje pasdite në Prizren, ku doli në pah ligështia nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqëve (“vëllezërve të disave”) dhe dëshira e kryeministrit turk Erdogan, që të jetë padroni i shqiptarëve. Kjo e la një hije të keqe mbi bukurinë e ditës së djeshme…”

Ajo deklaratë ishte: Një qendrim i duhun, në kohë dhe burrnor!

Sa mirë do t’ ishte që politikanët mos të ndotin pusat ku ka pij ujë Nanë Tereza, dhe as rrugët e Dardanisë, ku kanë shkelë të zbathun Atdhetarët tanë! E nuk janë aq pak sa me u harrue!

***

Erdogan kerkon me ngulm nga “vllezërit e vet”: Edhe “Historia e Shqipnisë”…duhet “ndryshuar”, pra, “ngjarjet e ditëve xhuma, duhen vue me datat e kalendarit turk”… Jo, me ate “arnaut”! Një monument i Haxhi Qamilit do të duhej tek Akademia e Shkencave të R.Sh., pranë “pasuesit të vet”, Sabri Godo…që vërtetë me veprat e veta i paraprinte “vllezërve të gjakut”..!

 

■Mos ndoshta, “Dita e të SHUEMËVE”, me kalendarin turk, bie me 23 Tetor 2013…

KUR “KËTA”… MENDOJNË E VEPROJNË, “ME SHUE” TROJET SHQIPTARE ?

 Melbourne, Nandor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz Radovanai, kur bie Dita e te shuemeve, Lidhja e Prizrenit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT