• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONFERENCA e 50-të NDËRKOMBËTARE E STUDIUESVE TË BALADËS

September 5, 2022 by s p

Mili i Haidhesë – Përtej urës sē Qabesë – një rimarrje e baladës sē njohur

Lili Sula

#AShSh

#50thinternationalconferenceofinternationalballadcommission

Për një sërë motivesh që më së shumti lidhen më letërsinë e shekullit XIX, me Romantizmin si shkollë letrare e njëherësh me lindjen e letërsisë moderne, po aq sa dhe me pasurinë e vlerat e paçmuara të trashëgimisë sonë popullore, është thuajse e pamundur të hasësh poetë të kësaj periudhe që të mos jetë ndikuar nga folklori në dy drejtime: në mbledhjen, sistemimin dhe botimin e krijimtarisë popullore, si dhe në një ndërkallje krijuese e artistike me të. Në kontekst europian të kujtojmë Herderin i cili më 1778-`79 botoi veprën Këngë popullore që u ribotua me pas nën titullin Zërat e popujve në këngën popullore, ku përmblidheshin këngë popullore gjermane, kelte, nordike, italiane, spanjolle, greke etj, pra një botim me poezi europiane e përtej Europës që do të ndikonte mjaft tek vendet e tjera e veçanërisht tek poetët e vendeve të vegjël duke i nxitur ata të thelloheshin në poezinë populore. Po kështu peshkopi Thomas Percy në Angli publikoi (1765) balada popullore angleze e skoceze, për t`u ndalur tek Këngët e Ossianit (1770) të James Macpherson-it që këndonte bëmat e heronjve mesjetarë keltë, të cilën autori e botoi si një poezi e lashtë popullore e që menjëherë u kthye nw njw praktikë imituese në vende të tjera.

Romantikët tanë, edhe për arsye jashtëletrare, që lidheshin drejtpërdrejt me çlirimin nga perandoria osmane dhe krijimin e shtetit të pavarur, u dhanë mjaft pas pasurisë folklorike; ata e çmonin poezinë popullore, duke e cilësuar si poezi origjinale, ndërsa krijimet autoriale të denja për të imituar atë. Thimi Mitko me Bletën shqiptare (Aleksandri, 1878) e Spiro Dine me Valët e detit (Sofie, 1908), Zef Jubani me Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodish shqiptare (Trieste, 1871) e të tjerë personalitete përfaqësojnë rilindësit që iu përkushtuan mbledhjes dhe botimit të trashëgimisë folklorike. Ndërkohë që mes poetëve dalloi Jeronim De Rada, themeluesi e letërsisë sonë moderne, që mblodhi dhe botoi këngë popullore nën titullin Rapsodi të një poeme arbëreshe (Rapsodie d`un poema albanese, Napoli, 1866) dhe Zef Skiroi e Gavril Dara i Riu, të cilët mistifikuan; i pari botoi Rapsodie Albanese (1885-`87) dhe i shpallte krijimet e veta si përmbledhje këngësh popullore të mbledhura mes arbëreshëve, ndërkohë që Dari i Ri poemën e vet Kënga e Sprasme e Balës ia atribuonte rapsodit të shek. XV, plakut Balë. Romantikë në krijimtarinë artistike dhe rilindës të përkushtuar, që veprimtarinë jashtëletrare ia kushtuan dritësimit të rrënjëve të lashta arbërore, poetët arbëreshë, mbase dhe më shumë se poetë të tjerë të shek. XIX, patën marrëdhënie të vetëdijshme me folklorin, një ndërkallje kreative që plotësonte deri-diku dhe paratraditën e pakët të letërsisë së kultivuar prej së cilës ajo përfitoi artistikisht.

Balada Mbeçë, more shokë, mbeçë, mbetet një nga perlat e folklorit tonë, e cila bashkë me, Kostandini e Garantina i dhe baladën e murimit, të Kalasë së Rozafatit artikulojnë mbajtjen e fjalës së dhënë dhe përbëjnë një fond antologjik e bërthamë të pashtershme gjeneruese.

Mbeçë more shokë mbeçë

Mbeçë, more shokë, mbeçë,

Përtej urën’ së Qabesë

Të t`i falei nënesë,

Të dy qetë të m`i shesë,.0

T`i apë nigja së resë.

Ndë pjetë nëna për mua,

T`i thoni se u martua;

Ndë thëntë se ç`nuse muar,

Tre plumba ndë krahëruar,

Gjashtë ndë këmbë e ndë duar;

Në thëntë seç krushk i vanë

Sorrat e korbat’ e hainë (Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635-1912), Tiranë 1961, f. 79)

Balada ka qarkulluar në disa motërzime, tekstet e së cilës janë regjistruar në krahina e zona të ndryshme në mbarë vendin e sidomos në krahinat e Jugut. Për herë të parë, teksti i saj i përbërë nga 12 vargje është regjistruar nga Johann Georg von Hahni, ndërkohë që në varante që hasen në Çamëri, Skrapar, Pilur, Himarë, Prespë teksti i baladës shkon deri në 20 vargje. Duhet të theksojmë se një nga interpretimet më të bukura të kësaj kënge, i cili plotësohet me kostumografinë, muzikën, grupin polifonik, interpretimin xhestual dhe efektet skenike e të tjera cilësi sinkretike të baladës është realizuar në festivale folklorike nga mjeshtri i këngës polifonike, Demir Zyka:

https://youtu.be/QONbgDbwsnw

Balada shquhet për sintetizëm – shkruan studiuesi i baladave popullore Sadri Fetiu – kështu që çdo fjalë apo çdo varg i saj përmban shungullimën e veçantë të dhembjes tronditëse për fatin e individit dhe të familjes, për kushtet e rënda të jetës së popullit, për lidhjen e tij shpirtërore me truallin e tij, si dhe për luftën e madhe, qoftë si angazhim i drejtpërdrejt, qoftë si vetëdije e krijuar gjatë shekujve, për ta ruajtur dhe trashëguar vazhdimësinë e rrjedhës së jetës familjare nëpërmjet brezave që do të vijnë.” (Balada popullore shqiptare, f. 161). Ajo artikulon dramën e individit, të ushtarit të rënë larg atdheut e vendlindjes, dhimbjen e thellë për familjen dhe gjendjen e saj ekonomike e për të ardhmen e saj, lidhjen e fortë të të riut me nënën e gruan dhe në një rrafsh të dytë balada këndon dramën e tragjedinë e përhershme të shqiptarëve për të siguruar të ardhmen në migracion në kontrast të përsosur poetik mes largimit të detyruar në dhera të largët e në vetminë e shkretëtirës së Arabisë, në Jemen dhe premtimit dhënë njerëzve më të afërt e dëshirës për t`u kthyer në gji të familjes e shoqërisë, në një tension kundërvënës mes jetës së ndërprerë e të pagëzuar të djalit dhe vijimit të saj nga nëna (dhe babai në disa variante). Në këtë këngë të përzishme shtrihet “një enciklopedi e tërë dhimbjeje shprehet I. Kadare për Urën e Qabesë, “më të bukurën e këngëve të nizamëve dhe një nga margaritarët e rrallë jo vetëm të poezisë sonë, por të poezisë popullore në përgjithësi” (I. Kadare: Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë, 1980, f.59-60)

Krijimet e popullit janë jetëgjata edhe falë ligjërimit sintetitik e kondensimit të tij në formula me karakter universal, si dhe qarkullimit nacional e mbinacional (në kontekst europian e botëror) duke u mundësuar atyre, qoftë dhe në trajta gjurmësh e jehonash të zbehta, të migrojnë nëpër kohë nga një autor tek tjetri. Rimarrje të tekstit të Urës së Qabesë haset edhe tek Lahuta e Malcis’ e Gjergj Fishtës, e cilësuar si Iliada shqiptare prej nga buron kaq natyrshëm gurra popullore. Në këngën XVIII, Te ura e Sutjeskës, luftëtari që ka rënë trimërisht në betejë me shkjanë i jep amanetet shokëve për nënën e babanë. Situata baladeske ndërtohet në raport familjar mes dy prindërve të cilët nuk do ta shohin më të birin, por duhet të jenë krenarë për të, që u “shkri si qiriu” për Shqipërinë.

Amanet, o shokë të mí,

Neper Dardhë kur të kaloni,

Armët e mija barrë t’ i çoni,

N’ oborr t’ kullës edhe t’ m’ i lshoni,

Nânës as tatës mos m’ u kallxoni

Pse janë t’ vjeter e i verboni.

Ne pëvetët nana per mue,

Thoni: djali t’ âsht martue!

Ne pëvetët se ç’ nuse muer:

Muer nji plume në krahnuer!

Ne u pëvetët se ç’ darsmorë pat:

Pat tre korba ndêjë per ngiat!

Ne u pëvetët se ç’zoja kndojshin!…

Orrla e sorra m’ tê po rmojshin!…

Qindro, thoni, oj nanë e shkretë,

Se Micani të ká metë,

Tue luftue me Mal të Zí,

Qi të mjeren moj Shqypní

Po e vorfnon me djelm të ri,

Ke po i vret hiri e pá hiri,

Gjithkû t’ jetë djali mâ i miri!”

Edhe â shkimë si shkimet qiri. (Lahua e Malcis, botime françeskane, 1997, f, 211-212)

Një nga nyjet strukturore të baladave, studiuesit shënojnë shkeljen e tabusë dhe në këtë vështrim profesor Sh Sinani e grupon Përtej urës së Qabesë në baladat e shkeljes së tabusë së shenjtërimit të dhëndrit kur ve kurorë, ndërsa studiuesja O. Velaj* e klasifikon si baladë mbi fjalën e dhënë nënës e nuses për t`u kthyer nga lufta, duke e përfshirë tek baladat e dhëndrit që vdes. Përtej urës së Qabesë ka në thelb vdekjen dhe vdekja është një motiv i parapëlqyer i baladës që organizohet në ligjërim të dhimbshëm në një strukturë ku klishetë e caktuara, skena të ritualit familjar, përsëritja, dialogu gjenden në të gjitha trajtat e qarkullimit të saj, qoftë si tekst i regjistruar apo në variantin e kënduar. Në studimin monografik Balada popullore shqiptare studiuesi Sadri Fetiu* shprehet se “Topose të këtilla që lidhen me raportet ndërmjet jetës dhe vdekjes, si dy skaje ekstreme të kuptimit të ekzistencës njerëzore, kanë krijuar dhe vetë hapësirë të veçantë poetike në të cilën shtrihen syzhetë e baladave” (Prishtinë, 2000, f. 45). Dramaciteti i vargjeve shtohet nga largësia e madhe e të rënit në luftë me vendlindjen, shtëpinë, nënën e cila pret që djali t’i kthehet shëndoshë e mirë e me përfitime ekonomike, që të martohet e të trashëgohet e ta gëzojë, ndërkohë që do të përballet me humbjen përfundimtare të tij, me vdekjen dhimbjen, mungesën, brengën e mallin. Tema e familjes është shumë e shpeshtë në të gjitha llojet e baladave” ndaj është e kuptueshme që ato të kenë përbërës të këngëve rituale familjare e të vajeve. Në vargje lakonikë vdekja këmbehet me martesën në një përthyerje të plotë antonimike (oksimoron), martesa barazohet e njëjtësohet me vdekjen e cila, duke mos u përmendur asnjë herë, peshon më rëndë përmes heshtjes, ndërsa në fjalët e fundit të ushtarit: Ndë pjetë nëna për mua, / T`i thoni se u martua (shih Kadare f. 61-64) mes e pritshmërisë së nënës dhe ndodhisë reale përcillet tragjizmi me thjeshtësinë e një bashkëbisedimi të përditshëm rutinor.

Zef Skiroi (1865-1927), një dishepull i J. de Radës, si dhe romantikët e tjerë, në kontekst të angazhimit të tyre si rilindës, ishte i përkushtuar për mbledhjen dhe botimin e thesarit folklorik, për të dëshmuar origjinën e lashtë të gjuhës dhe rrënjëve shqiptare. Përveç Rapsodie Albanese, ai mblodhi në rini këngë popullore që i botoi në përmbledhjen Canti tradizionali ed altri sagggi delle colonie albanesi di Sicilia. Ndërkallja e krijimtarisë autoriale me atë anonime është e ngjeshur në rrafsh të shprehjes së përmbajtjes e shprehjes së formës, si lindja e dashurisë së të rinjve në krua, këmbimi i unazave dhe premtimi për besnikëri bashkëshortore, ritet e jetës familjare etj. Si dhe De Rada e Gavril Dara i Riu dhe të tjerë poetë të kësaj periudhe, Skiroi e shëmbëllen poezinë folklorike edhe në pikëpamje të figuracionit të kalkuar sipas modelit folklorik, si me strukturën metrike e ritmike që ndjek modelin e traditës gojore arbëreshe, konceptimin e personazheve si plaku Dodë e deri tek ndërkallja e baladës Mbeçe more shokë mbeçë në këngën XVI të poemës etj. Dhe kjo nuk është risi po të sjellim ndër mend se De Rada para tij pati ndërfutur në Kangjélin XI të Milosaos vargjet e mahnitshme: Duró, zëmër, e duro / sa durói máli me bōr.

Idili Mili dhe Hadhia është ndikuar mjaft nga Këngët e Milosaos të De Radës duke krijuar në Siçili një poemë të ngjashme me atë të Kalabrisë. Poema është botuar tri herë, më 1890, 1900, 1907 e poeti na la gjithashtu edhe një version të pabotuar. Idili thuret mbi dashurinë tragjike të dy të rinjve, Milit e Haidhesë në kontekst të përkushtimit patriotik ndaj vendit. Lumturia e të rinjve ndërpritet nga vdekja e Milit e cila në këngën XVI të poemës, paralajmërohet nga ëndrra e Haidhesë. Balada Mbeçë, more shokë, mbeçë ndërfutet në ëndrrën e saj për t`i rrëfyer kobin që do të ndodhë, fatin tragjik të të dashurit. Është një nga këngët më të bukura ku kulmon tensioni dramatik, në plan të predistinatës e të ndjeshmërisë për fatalen. Ëndrra është element tepër i rëndësishëm strukturor i romantizmit që parathotë ardhmërinë e fatin e protagonistëve, të cilët si besimtarë e kristianë të devotshëm as që përpiqen ta venë në dyshim e aq më pak ta ndryshojnë atë, por thjesht e jetojnë ashtu si t`ju vijë. Pikëtakohen këtu kristianizmi i adhuruar për romantikët (rituale, kode, praktika, toponime që hasen në poemë) dhe fatin e paracaktuar me mendësinë tonë popullore që shprehet përmes ëndrrave, numrave, këngës së zogjve etj. Ndërfutja e baladës në ëndrrën e Haidhesë është vendimtare, ajo parathotë çdo të ndodhë ndaj dy këngët e fundit të poemës shtjellojnë e jetësojnë ëndrrën duke artikuluar tragjizmin e dy protagonistëve.

Bobo ç`ëndërr pati vajza

Natën pas së bardhës dit

Kur te shpia m`i hiri këmbë

Trimi i saj ta parën herë!

Shumë ai ju duk i zbet:

-“Ëm unazën, zonja jime,

Em unazën çë të dhash,

Përse kam të vete nd`ushtër

Të luftonj për nëndë vjet;

Në ng` prjerrësha, martou”.

Vate e ajo mbë lip qëndroi.

Porsa shkuan nëndë vjet,

Nëndë vjet e nëndë dit,

Ndë katunt luftarët jerdhën,

Gjith luftarët shokt e tij.

Tek e jëma u nisn` e vanë:

-“Zonjë e madhe, biri jit

Do të t`vinjë kur t`i lash

Një këmish me lot të sivët,

E me zjarrin të ja tërsh,

Po me zjarrëthin e zëmbrës”.

Vanë e gjetën pran të heshmen

Si mb`an derës i përisëj:

-“Vash, në ti ngë merr një nesh,

Në ngë merr një nesh si dhëndërr,

Kë të rrish e vë gjith-monë.

Ai trim kuj kë aqë mall

Çajti besën e u martua.

Nusja e tij, në do t`e dish,

Kle një plak me si të gërrier

E pa hundë edhe e pa dhëmbë.

Ulq e korba krushqit klenë,

Ulq e korba ç`atë han”. (Milo e Haidhe, kg XVI, G. Schiro, nën kujdesin e Matteo Mandalà, f. 145-146)

Pyetja e parë që shtrohet është se nga e siguroi Skiroi tekstin e baladës, duke pasur parasysh se ajo nuk është përfshirë në përmbledhjen folklorike të Th. Mitkos. Sipas gjithë gjasave, Skiroit të apasionuar pas krijimtarisë anonime i ka rënë në dorë vëllimi i Hahnit, Albanesischte Studien, (Studime shqiptare, 1854) dhe balada Mbeçë more shokë mbeçë do t`i ketë bërë përshtypje dhe do ta ketë pëlqyer tepër, ndaj i bashkohemi idesë së studiuesit Ali Xhiku* që haset më pas edhe tek profesor S Fetiu** për burimin e saj.

Përtej rrjetës tekstore horizontale të qarkullimit të këngës popullore të nizamit në hapësirën perandorake (e kam fjalën për atë osmane) ruhen gjurmë të qarta ndikimi në plan vertikal; Skiroi nyjëton shtresa të largëta homerike që na risjellin shokët e Odisesë së Homerit në skenë teatrore para Penelopës në kushtëzim përzgjedhës mes mëtonjësve dhe shtresa pagane, si këmbimi i unazave në shenjë të mbajtjes së premtimit për besnikëri mes të dashuruarve apo nga balada e Konstandinit që shkon në luftë për 9 vjet dhe pritjes për t`u kthyer nga lufta, nga ana e Haidhesë. Besnikëria e fjala e dhënë kanë qenë e janë në themel të moralit e të virtyteve të popullit tonë gjë që janë sanksionuar edhe në kode kanunore e zakonore, si institucione morale e juridike të padiskutueshme. Të jesh në besë të dikujt krejt natyrshëm do të thotë të zbatosh kodet e lashta të shqiptarit dhe e kundërta, të presësh mikun në besë, nënkupton të vulosësh më turp shqiptarin, individin dhe mbarë zonën e gjakut e të fisit të tij, që pasohej me masa të ashpra deri dhe dënimi me vdekje. Në mendësinë e popullit tonë mik me besa -besë; lidhem me besa- besë; atë që trettë besën nuk e tret as dheu përbëjnë zotime solemne e të pathyeshme për të vepruar së bashku për një qëllim, kode të një mekanizmi të lashtë që mjegullnaja e kohës nuk e ka zhbërë. Ama, thyerja e tabusë, shkelja e besës mosmbajtja e fjalës është thelbi i parapëlqyer i thurjes së baladës që shoqërohet me tone melodramatike, forcën fizike të heronjve, dashurinë për familjen (e dashura, gruaja, nëna që Skiroi në i sjell në rend të përmbysur në krahasim me tekstin burimor). Balada e Urës së Qabesë ka zgjeruar linjën e marrëdhënieve mes personave përmes ligjërimit në dy shkallë; takimi i ndarjes në ëndërr (hipotetik) me të dashurën dhe kthimi i shokëve të Milit nga lufta për të plotësuar amanetin e tij, për të takuar nënën dhe Haidhenë. Kështu, linja motivore është zhvendosur nga teksti burimor: Mili lufton ndaj pushtuesit, të huajit ashtu si i ngrati Mican Leka i Fishtës, që i shtri për dekë, me duer në zemër e kryet në stom duke i shku gjaku lum, thërret shokët me i lënë amanetet. Të vërejmë gjithashtu se të dhënat historike mbi rënien në luftë të trimit, sulmeve e kundrasulmeve të ushtrive e sfondit të përgjithshëm historik janë mjaft të rrudhura për të mos thënë se mungojnë në tekstin burimor dhe në atë të Milit e Haidhesë, ku zotëron ndjeshmëria lirike dhe përjetimi intim i marrëdhënieve intime, familjare e sociale. Ndërkohë, tek kënga e Lahutës që karakterizohet nga bëmat e heroit kolektiv, nga betejat popullore e tonet të forta epike, përçohen të dhëna nga ngjarja dhe koha historike, evidentohet armiku, shënohen toponime e mikrotoponime e njëherësh shprehet qartë krenaria e trimit të rënë në luftë për Shqipërinë.

Protagonisti i Përtej urës së Qabesë gjendet shumë larg, i rekrutuar për të kryer shërbim ushtarak në hapësirën gjeografike osmane, ka shkuar nizam në Jemenin e largët për arsye ekonomike e ka rënë atje. Ruhet këtu thyerja e “besës” dhe kundërvënia e vdekjes me martesën (jetën) (Çajti besën e u martua), ndërkohë që është zëvendësuar motivi i vdekjes së të riut, duke e lartësuar rënien e trimit në shërbim të vendit. Është reduktuar gjithashtu dialogu i shokëve të Milit më nënën e tij, duke përcjellë tërthorazi humbjen e të birit përmes sinekdokës, larjes së këmishës së djalit me lot të syve dhe tharjen me zjarr të zemrës. Shkalla e dytë e tekstit është thurur në takimin me nusen e trimit, ku në situatë teatrale shokët e Milit shkojnë tek e bukura Haidhe e në ligjërim kushtëzues, ngashëm me shokët e Odisesë te Penelopa, i drejtohen që të zgjedhë mes shokëve të Milit, përndryshe do të mbesë e ve. Gjurmët tekstore e shkëpusin këngën e Skiroit nga balada e Urës së Qabesë për të na drejtuar tek poemat homerike, ndërkohë që trajta dialoguese ligjërimore mes nënës dhe shokëve të këngës së nizamit zëvendësohet me artikulim informues, kushtëzues e urdhërues, nga ana e shokëve të Milit, duke mos i lënë hapësirë ligjërimore Haidhesë. Vijon e thellohet oksimoroni si kur shënohet veprimi (u martua = vdiq) ashtu dhe kur emërohet (nusja – plakë = vdekja) duke përshkallëzuar përshkrimin e fytyrës së plakës pa hundë e pa dhëmbë, një përçudnim që na kujton qeniet mitologjike thuajse monstruoze. Është rrudhur ceremonialiteti i dasmës së përzishme duke shmangur pyetjet e versionit burimor ndë pjete, që e lenë në dimension hipotetik e të vagullt dialogun e njëherësh është shtjelluar dhe zgjeruar përshkallëzimi i festës së dasmës së përmortshme deri në skena tragjike ku krushqit, zogu mitologjik i gjëmës dhe ujku hanë trupin e të ndjerit, që artikulohet vetëm nga zëri i shokëve të Milit. Është tipar i baladës që ndodhia e situata të kalojë nga individi te familja e shoqëria si për t’i dhënë përmasë kolektive e përgjithësimi ngjarjes (fenomenit). Polifonia e përqendron dhe ngjesh ligjërimin duke i shtuar zymtësinë e tonet dramatike e tronditjen Haidhesë, që mbetet e shtangur nga ndodhia e papritur e menjëherë ndien se dhe jeta e saj po shkon drejt fundit fatal. Dhe është krejt e natyrshme pasi poema e Skiroit është vepër romantike që i këndon dashurive të forta që janë të paracaktuara të përfundojnë tragjikisht. Kënga XVI ligjëron përmes ëndrrës vdekjen e Milit e parathotë fatin tragjik edhe të Haidhesë, duke ruajtur strukturën e tekstit baladesk nën dhimbjen e tonin elegjiak për humbjen e të dashurit dhe të birit e duke e zhvilluar në një skenë shumë familjare që ia le peshën më të rëndë gruas, Haidhesë. A do të mund të jetonte ajo pas vdekjes së të shoqit (që nënkupton shpërbërjen e afërt të familjes), si ia rrëfyen e përsëriten shokët e Milit në dy vargjet e fundit Ulq e korba krushqit klenë, / Ulq e korba ç`atë han”, a do të mund ta shqiste nga sytë atë pamje makabre, apo do joshet drejt po të njëjtit fund dasmë-vdekje?

Dy këngët e fundit bashkë me Vajtim i Haidhis – një intermexo elegjiake që i kushtohet vdekjes së Milit – na përfshijnë në çastet e fundit të rënies në luftë të Milit dhe befas, në fund të poemës gjendemi në situatën ku familjarët dhe e ëma, sipas riteve ortrodokse e pagane të katundit, e gatisin si nuse për ta vajtuar Haidhenë. Është kënga e vajit të dasmë-vdekjes së saj, parathënë me gjuhën e ëndrrave, në pështjellime përtejkontinentale dhe gjithëkohore me një rrezatim të përbotshëm të fatit tragjik të ushtarit, nizamit apo luftëtarit të atdheut, që pikëtakohet me fatalitetin e dashurive pasiononte romantike.

Kënga XVI përbën një strukturë kyç poetike për të hulumtuar rrjetin e raporteve tekstore në rrafsh horizontal e vertikal që bashkërendohen me elemente të tjerë të rëndësishëm të poetikës së veprës së Skiroit e të gjithë krijimtarisë së tij për t`u hapur më tej me poetikën e romantizmit arbëresh e më gjerë. Sigurisht kjo qasje e mëtejshme do të hulumtonte zhvillimin e baladës në letërsinë italiane, duke ngritur çështje mbi praktikat makfersioniane, të cilat në i gjetshim, duhen shpjeguar, në të kundërt, duhet të theksojmë origjinalitetin e poetëve tanë. Po përqasje të tilla duhen bërë ndër vështrime të gjera krahasuese të romantizmit arbëresh me romantizmin italian. Pa këto krahasime analiza dhe interpretimi i romantizmit arbëresh do të mbetet i mangët.

Filed Under: ESSE Tagged With: lili sula

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT