(Nderim kujtimit të Liri Dori Kupi)/
“Dashuria përqafon gjithë jetën e një gruaje ; dashuria është burgu i saj dhe mbretëria e saj qiellore : ajo që përulësisht flijohet duke dashuruar, shërben e zotëron në të njëjtën kohë.”/-Adalbert von Chamisso (1781 – 1838) poet dhe romancier gjerman/
Shkruan: Eugjen Merlika /
18 prilli 2015 qe një ditë zie për shumë shqiptarë të Nju Jorkut. Ishin ata që vinin nga një qëndrim i gjatë në sektorët e fermës së Lushnjes, të atij kampi të madh internimi që emërtohej “29 nëndori”, datë që tingëllonte si një ironi e fatit, mbasi shënonte zanafillën e fatkeqësive të tyre.
Atë ditë ata u mblodhën të gjithë aty, në lagjen Forest Hills Quins, me fytyrat e zymta e të ngrysura, për të përcjellë në banesën e fundit tokësore një nënë, një grua, një shoqen e tyre, e cila ishte bashkuar me ta në një ditë tashmë të largët të gjysëm shekulli më parë.
Sëmundja e pamëshirshme e rrëmbeu para kohe Lirinë nga gjiri i familjes, nga bashkëshorti i drobitur në afër gjysëm qindvjeti internimesh e burgjesh, si “armik i popullit”, si biri i “tradhëtarit”, edhe se babai xhelatët e tij i quante “kalamaj” që nuk dinin se çfarë bënin e nuk deshi të luftojë kundër tyre, sepse ishin “bij të shqipes”, bashkë me të cilët duhej përzënë pushtuesi nga toka shqiptare. Liria u nda nga fëmijët, tashmë të rritur e prindër vetë, nga kunatat që e pritën si motrën e tyre, kur ajo vendosi të bëhej shoqja e jetës së Fatbardh Kupit, mbiemri i të cilit atëherë, ashtu si edhe disa të tjerë, njëzet vjet mbas t’ashtuquajturit “çlirim”, ishte sinonim i urrejtjes që shoqëria duhej të kultivonte kundrejt pjesës më të mirë të saj. Liria atë ditë u la lamtumirën edhe bashkëvuajtësve të saj, atyre shoqeve e shokëve të sektorëve kampe të Grabianit, të Savrës, të Gradishtit që, për afër tre dhjetëvjeçarë, jeta i bëri të përballonin së bashku fatkeqësinë e të qenit në të njëjtën geto, lodhjen, shqetësimet, ankthin e përditshëm, dhimbjet e ndonjë çast gëzimi, siç ishin lindjet e fëmijëve.
Ata njerëz, ata burra e gra, pleq e të rinj, të mbijetuar kalvarit të gjatë të fushave të Myzeqesë, në atë ditë të trishtuar, thellë në vetvete i kanë njohur së ndjerës, që kishte emrin e konceptit më të bukur në botë, një meritë të veçantë, të tillë që e kishin shumë pak prej tyre. Liria nuk lindi me një mbiemër të njohur, me “mëkatin origjinal” që, shumica dërmuese e atyre që quheshin “armiq të klasës”, trashëgonin që në embrion si pasojë e një ideje ogurzezë e fatale që kasta drejtuese komuniste shqiptare kishte përvehtësuar nga përvoja më çnjerëzore e kriminale e zbatimit të doktrinës, së cilës i kishin besuar jo vetëm bindjet e tyre, por edhe fatet e shqiptarëve. Liria kishte mbiemrin Dori, mbiemri i thjeshtë i një familjeje nga Përmeti, e cila kishte menduar se e ardhmja e Vendit të tyre duhej t’ishte e lidhur me “shpresën” që frymëzonin ca djem e vajza të reja që kishin marrë malet, duke vënë në kokë një kësulë me yllin e kuq pesëcepësh në ballë e që këndonin : “Bijtë e Stalinit jemi ne /Që derdhim gjakun anembanë/ Sa të valojë përmbi dhe/ Flamuri drapër e çekan!”
Babai i Lirisë, xha Mitroja, në punën e tij si kamarier në klubin e vetëm të Lushnjes së viteve 50 – 60, dukej se nuk e parapëlqente “luftën e klasave”. Në klubin e tij vinin shpesh djem të rinj, që kishin në ballë një vulë të padukshme, por që thithte mbi të syrin “vigjilent” të besnikëve të regjimit. Xha Mitroja i trajtonte ata si gjithë të tjerët, madje shërbimi ndaj tyre, në normalitetin e tij, zbulonte një simpati të heshtur. Liria ishte fëmija e parë e, për t’i ardhur në ndihmë familjes, i u bashkua t’atit në punën e tij. Kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet nga ajo kohë, por fytyra e saj, mbas banakut të klubit, më vjen ende e gjallë para syve të mëndjes. Ajo vazhdonte gjimnazin natën së bashku me mjaft djem nga Savra e Pluku, që ishin të internuar.
Mund të tingëllojë si i çuditshëm ky fakt që u lejohej atyre djemve të vazhdonin gjimnazin në Lushnjen e udhëzimeve të posaçme nga udhëheqja qëndrore e partisë. Ndoshta dyshja Nuçi Tira – Qemal Myrseli e lejuan atë shkollim, mbasi dhjetë vjet më vonë, të tjerë drejtues përjashtuan nga shkolla e mesme edhe vajza 15 – vjeçare.
Në bangat e gjimnazit lindi dashuria ndërmjet Fatbardh Kupit dhe Liri Dorit. Ishte një dashuri e pastër dhe e vetëdijshme për muret që duhej të shkallmonte në sendërtimin e jetës së përbashkët. Vajza, që ende nuk kishte mbushur të njëzetat, gjeti në shokun e klasës, që ishte pesëmbëdhjetë vjet më i madh, njeriun e ëndrrave të saj vajzërore, “princin e kaltër” që i frymëzonte jo vetëm ndjenjën fisnike të dashurisë së parë, por edhe besimin në jetën, atë siguri që çdo femër kërkon instiktivisht të gjejë tek partneri për të krijuar një familje.
Ky ishte aspekti romantik i lidhjes së tyre, dukuria që ka lindur së bashku me njeriun, më fisnikja e më e pranishmja në fantazitë e veprat e shkrimtarëve dhe artistëve të gjithë epokave. Epoka e enverizmit në Shqipëri, duke huajtur nga përvoja më e keqe botërore e dasivet njerëzore konceptet penguese e kriminalizuese të dashurisë, kishte krijuar tabù të pathyeshme në krijimin e familjes. Marredhëniet dashurore nuk mund të dilnin nga kornizat e parapërcaktuara të përkatësive “klasore”. Familja që krijohej jashtë këtij konteksti ishte e paracaktuar të pësonte gjithë “mërinë e Akilit” të regjimit, nëpërmjet masave administrative siç ishte largimi nga puna apo internimi. Veçimi shoqëror, që fillonte nga ai i familjes së atij apo asaj që kishte “përbërje të mirë”, për të kaluar tek njerëzit e farefisit, tek shokët e shoqet e shkollës apo të punës, tek të njohurit e thjeshtë ishte synimi kryesor i pushtetit dhe “organizatave” të masave.
Le të mos shkandullohet ndonjë e re apo i ri i sotëm, që nuk mund të konceptojë një rend të tillë gjërash, nëse lexon historinë e asaj gruaje që mbylli sytë para pak ditësh në Nju Jorkun e demokracisë. Sa drama të tilla, herë herë të kthyera në tragjedi, ka përjetuar brezi i ynë, brezi i prindërve të tyre. Sa raste të panumurta dashurish të ndaluara kanë gjymtuar shpirtërisht atë brez, sa dhimbje, sa lotë, sa brenga cfilitëse kanë shoqëruar vitet e rinisë. Sa e vështirë ka qënë prova , në të cilën u vunë shumë të rinj e familje të tyre, sa familje të shkatërruara, sa ëndrra të varrosura nën peshën e “luftës së klasave”, sa fëmijë të rritur pa një prind edhe në rradhët e atyre që, deri në çastin e katastrofës vetiake, hymnizonin regjimin e përligjnin mizorinë e tij.
Qenë të paktë, n’atë kohë të ashpër, ata apo ato që dolën fitues në luftën e tyre të pabarabartë me pushtetin e dhunës e të poshtërsisë njerëzore. Liri Dori, që mori mbiemrin Kupi , përmetarja njëzet vjeçare, qe një nga ato, një nga të paktat. Ajo pati forcën të sfidojë gjithshka, mendësinë e familjes, dhunën e shtetit që u shfaq në tërë shëmtimin e saj në vitet e gjata t’internimit së bashku me familjen e katër fëmijët që mbushën vatrën krutane, mungesat, indiferentizmin, madje edhe “dënimin” e shoqeve të fëminisë. Në vend të shkollës së lartë e të profesionit të rehatshëm në një jetë normale pranoi të marrë shatin e lopatën e të punojë me dhjetra vite nën diellin përvëlues dhe erën e ftohtë dimërore të Myzeqesë. Jetoi në një kasolle majë kodrës së Grabianit, pa u ankuar kurrë, pa hapur gojën. Nuk kishte nevojë të fliste, sytë e saj shprehnin më së miri gjithë botën e saj të brëndëshme, në të cilën zotëronte vetëm dashuria, ajo sublimja, e përjetëshmja, që bashkohej me respektin për familjen e burrit, për vlerat morale, për aftësinë e flijimit për to.
Jeta e saj i shëmbëlleu asaj të shumë shoqeve të fatkeqësive, që regjimi u kishte paracaktuar mënyrën e jetesës ashtu si dikur një tjetër regjim kishte vepruar me hebrenjtë në pjesën më të madhe t’Evropës. Ato gra që mbajtën mbi supet e tyre peshën më të rëndë të diktaturës, duke çuar përpara familjet shpesh pa burra, duke rritur fëmijë, duke respektuar e kujdesur pleqtë, janë krenaria e vërtetë e rracës shqiptare. Ato janë heroinat e heshtura të Shqipërisë fisnike. Ato që u rritën kampeve të internimit, që u lindën, jetuan e u plakën duke përballuar çdo ditë mizorinë njerëzore në të gjitha format e saj të mundëshme, që nuk morën kurrë përkëdheli të babait, sepse u rritën pa baballarë, që ditën t’i dhurojnë dashuri e përkëdheli burrave e fëmijëve të tyre, janë stolia më e çmuar që shoqëria shqiptare ka në trupin e saj. Emrat e tyre janë të panumurtë, ashtu siç është e pamatëshme madhështia e shpirtit të tyre, ashtu siç është i pakufishëm borxhi që Shqipëria ka ndaj tyre, sepse gratë e virtytëshme janë pasuria më e çmuar e një kombi.
Liria ishte njëra prej tyre. Lotët e shoqeve, që shoqëruan fjalët e mbesës së vogël në funeralin madhështor të Nju Jorkut, ishin dëshmia e dhimbjes së thellë, por edhe e nderimit të posaçëm, të veçantë. Ishte nderimi për gruan që atë jetë privacionesh e sakrificash në kufijtë e heroizmit, për të krijuar e mbrojtur familjen, institucionin më të rëndësishëm të shoqërisë njerëzore, për të ruajtur e lartësuar dinjitetin njerëzor, qoftë edhe me çmimin e flijimit, ajo e zgjodhi vetë. E zgjodhi n’emër të ndjenjës së dashurisë, t’asaj vlere që e bashkuar me emrin e saj, përbëjnë një dyshe të përjetëshme, motorrin më të fuqishëm që çon përpara njerëzimin.
Shpirti i Lirisë sot është në dritën e përjetësisë, ndërsa për ne emri i saj mbetet një shembull e një simbol. Faleminderit Liri !
Prill 2015
LAMTUMIRE LIRI KUPI, QENDRESTARE E KAMPEVE TE INTERNIMEVE
*FAMILJA, BASHKEVUAJTESI DHE KOMUNITETI SHQIPTAR PERCOLLEN ME NDERIME LIRI KUPIN/
* Në kujtim të Liri Kupit – 8 Shkurt, 1933 – 15 Prill, 2015/
Nga Beqir SINA – Queens New York/
QUEENS NYC: Të mërkurën, 15 Prill 2015, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë në Nju Jork, në moshën 82 vjeçare, e ndjera Liri Kupi, bashkëshortja e Fatbardh Kupit, duke i lënë në pikëllim të thellë, burrin fëmijët, dhe familjarët e saj të dashur dhe të gjithë rrethin miqësor e të njohurit.
E ndjera ndërroi jetë në spital në Kuins, pas një sëmundjeje të rëndë.
Shërbimet funerale nisën ditën e Premte, më 17 Prill 2015, dhe vazhduan edhe të shtunën në Shtëpinë Mortore -(Funeralin): Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel, në Queens Blvd lagjia Forest Hills – Kuins. Te Shtunë me 8 Prill 2015 u përcoll me të gjitha nderimet për në banesën e fundit me pjesëmarrjen e dhjetra vetëve, anëtarëve të familjes, miqve dhe dashamirëve të saj, ish bashkëvuajtësit nga kampet e interrnimit, nga Grabiani, Gradishtë, Gjazë, Savër, Pluk, Shtyllas e Lubonjë, dhe emigrantëve të vjetër.
Lamtumira e fundit për në jetën e amnueshme me një ceremoni mortore u zhvillua në kompleksin e varrezave qytetare në Kuins – Kew Gardens Cemetery, aty ku prehen eshtrat e heroit të 7 prillit, Abaz Kupi.
Bashkëvuajtësi i saj – mik i ngushtë, i familjes Kupi, zoti Lekë Mirakaj, duke i dhënë lamtumirën e fundit, u shpreh se nga emocionet e pa fund – ashtu si çdo njeri e kishte shumë vështirë të thoshte të gjitha për këtë njeri që po e përcjellin për në jetën e amnueshme, mes dashurisë, lotëve dhe kujtimeve
Ai tha se : “Kjo grua fisnike, trime, burrnesh e thjeshte dhe e ndershme, kjo Nanë e madhe, që rriti me sakrifica dhe krenari katër fëmijë si pllumat, e cila mori rrugën e kalvarit të vujatjeve të pa fund të regjimit diktatorial, fare e re, nga qyteti deri tek kasollet me kashtë në kodrat e Grabianit, në një kohë që fare lehtë mund të kishte zgjedhur një rrugë tjetër për të ardhmen e saj në atë kohë-zgjodhi dashurinë e saj për Bardh Kupin. Dhe këtë zgjedhje në atë kohë të vështirë ajo nuk bëri se Bardhi ishte djali i Abaz Kupit, por se tek ky djalë në atë kohë ajo shikonte njeriun e saj me të cilin do të lidhte jetën. Pra, burrin dhe shokun e pandarë të jetës me të cilin krijojë një familje të mrekullueshme, teksa e ndoqi dhe nuk iu nda atij duke qendruar së bashku me hallet e vuajtjet, e asaj kohe, deri sa më në fund pa disa ditë të bukura me rënjen e komunizmit”.
Duke folur për jetën e saj prej qendrestarjeje,me lot në sy Mirakaj – kujtoi se :”Liria qysh në atë moment, që mori përsipër – pra hyri në atë kasolle interrnimi – duke e hijeshuar dhe ndriçuar atë si nuse e re e bukur dhe fisnike,në vend të fustanit të bardhë të nusërisë, hodhi mbi trupin e saj, atë “fustanin me vellon” e pasojave, atyre vujatjeve dhe sakrificave, që regjimi i dha asaj dhe familjes Kupi në atë kohë. Liria, këtë nuk bëri ngaqë Bardhi ishte djali i Abaz Kupit, për të marrë përsipër nderin e përvilegjin që të jepte emri i asaj familje, por ngaqë ajo e dinte se me dinjitet, do të nderonte veten dhe familjen e saj”, tha Lekë Mirakaj në fjalën e lamtumirës.Po ashtu Mirakaj solli edhe mesazhin ngushellues te kryetarit te Shoqates te ish perndjekurve politik demokrat te Shqiperise, z. Simon Mirakaj dhe te gjithe familjes Mirakaj.Ai percolli edhe ngushellimet e vellezerve, Esat, Bedri dhe Caush Coku, bashkevuajtes te Fatbardh Kupit.
Liria – për të gjithë ata që e njohën do të kujtohet gjatë si një ndër qëndrestaret e kampeve të internimit, ku ajo nuk iu nda të shoqit gjatë sagës së vuajtjeve, edhe kur ai ishte nëpër burgje dhe internimet gjysëmshekullore të diktaturës komuniste.
Për Lirien (Lirie Kupi) sot në liri – mund të shkruhen romane, me personazhe të tillë për se si vajzë e re qytetare, dhe e familjeve të perviligjuara të asaj kohe, të arrijë të dashurohet me një internuar, ish të burgosur politik, dhe të martohet me të në kampin e internimit në Gradishtë, pikërishtë me të birin e Abaz Kupit, Fatbardhin, deri sa me atë martohet dhe krijon një familje të shëndoshë, me katër fëmijë si engjej.
Ajo është nga ato vajza të pakta, të diktaturës enveriane, që i përkiste një familjeje jo të persekutuar, të atij regjimi dhe që jetonte në qytetin e Lushnjes, mes pervilegjeve të asaj kohës. Por, nga dashuria e madhe me djaloshin e internuar Fatbardh Kupin, të birin e “armikut” e “tradhëtarit” të popullit, si e damkosi diktatori Enver Hoxha, atë dhe familejn Kupi, Liria, ashtu fare e re dhe një vajzë e bukur me origjinë permetare, por që banonte në Lushnje, gjimnaziste, zgjodhi jetën e vuajtjeve, dhe sakrificave, pranë burrit të saj, që i kaloi gjithë jeta nëpër burgje dhe internime, deri sa erdhi demokracia dhe ata erdhën në Amerikë.
Familja e Abaz Kupit, pjesëtare e së cilës ishte edhe e ndjera Lirie Kupi ka bërë, dhjetra vjet burg si dhe ka bërë 51 vjet internim 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.
Në librin e shënimeve Organizata e Gruas Shqiptare Amerikane “Shprese & Paqe”, shkuante se me dhimbje të thellë ato shprehinin ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të heroines e patriotes shqiptare, si e kan quajtur ato Liri Kupin
“Kësaj gruaje vitale, të guximtshme që kurrë së përkulen vuajtjet e jetës, hallet e së shkuarës pa shkak nga diktatura komuniste në Shqipëri. Liri Kupi ishte një intelektuale e mirëfilltë, krijuese e heshtur përsa i përket fushës së letërsisë.Ajo shkruante libra, e poezi. Ishte një pasionate e madhe e librit. Ruajmë të paharuar me të ndjerën kujtimet më të mira. Ngushëllojmë me këtë rast bashkëshortin z. Bardh Kupi dhe fëmijët. I paharuar qoftë kujtimi dhe jeta e saj! shkruan MImoza Dajci presidente e Organizatës së Gruas Shqiptare Amerikane “Shprese & Paqe”, në Nju Jork.
Luan Haxhi Gashi një anëtarë e një familje të njohur nga Kuksi, arratisur vite më parë nga Shqipëria, shkruan në librin e shënimeve se : “Ngushllimet ma të ndjeshme Familjes Kupi për këtë humbje të pazëvendësueshme. Pushoftë në paqe shpirti i të ndjemës, e cila ndriti veten, familjen, bashkëshortin dhe fëmijtë e saj, në kohën e diktaturës komuniste. Vuajtjet,sakrificat e saj janë pjesë e historisë që ajo mjerisht ajo dhe bashkëshorti i saj i kaloj në kampet e interrnimit duke qenë shembull i një Nane fisnike”.
Professor Sami Repishti një shkrimtar, humanist dhe historian shqiptar, i cili i ka shërbyer shumë për njohjen e çështjes shqiptare në perëndim. Një ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste dhe në ish -Jugosllavinë sllavo-komuniste ndërsa shpreh ngushëllimet e tij, ma të thella, për bashkëvuajtësin e tij, z., Bardh Kupi dhe të gjithë familjes Kupi, për këtë humbje të dhimbeshme të Zonjës Liri Kupi, thotë :” Pushoftë në paqe shpirti i saj, shpirti që mbajti të gjallë nji trup të shumë vuejtun të njënës nga viktimat e dërmueme nga terrori komunist. Qendresa e saj do të mbetet shëmbull për të gjithë ata që kërkojnë heroizëm në rezistencën anti-komuniste të demokrateve shqiptare”
Biri i vetëm i Kristo Kirkës (autoritet i kohës së vetë, vdekur në burgun e Burrelit më 1955), Niko Kirka, i cili ishte një ndër bashkëvuajtësit me familjen Kupi, i cili edhe vetë vuajti burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar, për 8 vjet rresht, i ndjekur këmba – këmbës, nga fantazmat ish- Sigurimit të Shtetit , në atë kohë shprehet në librin e ngushëllimeve duke thënë :” Ngushullime më të thella, për humbjen e bashkëshortes dhe bashkëluftëtarës në luftën tënde shumë të gjatë në mbrojte të dinjitetit njerëzor. Ngushullime fëmijëve për humbjen e Nënës së tyre të madhe. Ngushullime gjithë familjes Kupi për humbjen e një nga shtyllave më të forta të saja. U prehtë shpirti saj në paqen e përjetëshme “- Familja Niko Kirka
NJOFTIM I FAMILJES KUPI PËR SHËRBIMET FUNERALE DHE VARRIMIN
SHËRBIMET MORTORE PËR TË NDJERËN LIRI KUPI TË PREMTEN, VARRIMI TË SHTUNËN/
Të Mërkurën me 15 Prill 2015, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë në Nju Jork, e ndjera Liri Kupi, bashkëshortja e Fatbardh Kupit, duke i lënë në pikëllim të thellë familjarët e saj të dashur dhe të gjithë rrethin miqësor e të njohurit. E ndjera ndërroi jetë në spital pas një sëmundjeje të rëndë. Liria ishte një ndër qëndrestaret e kampeve të internimit, ku nuk iu nda të shoqit gjatë sagës së vuajtjeve nëpër burgje dhe internimet gjysëmshekullore të diktaturës komuniste.
Familja njofton se shërbimet funerale do të organizohen ditën e PREMTE, me 17 Prill 2015, nga ora 3 pasdite deri në orën 9 të darkës në Shtëpinë Mortore: Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel, që ndodhet në adresën :
114-03 Queens Blvd, Forest Hills, NY 11375 , Phone:(718) 263-7600
E ndjera do të përcillet për në banesën e fundit Ditën e Shtunë 9 a.m 10-30, nga Funerali.
Varrimi do të bëhet në Kew Gardens Cimitery, aty ku prehen eshtrat e heroit të 7 prillit, Abaz Kupi.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta e saj Dielli ngushëllojnë bashkëshortin Fatbardh, djemtë dhe vajzat, të gjithë familjen Kupi, të afërmit dhe miqtë.I qoftë i lehtë toka e lirisë!Shpirti në Paqë!