SHBA, lotaria e vizave mund të mbyllet/
Nga Brian Padden/
Lotaria e vizave që u jep mundësi njerëzve të aplikojnë për të fituar të drejtën për banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara mund të eleminohet nëse Kongresi miraton versionin e tanishëm të planit dy partiak të reformës së imigracionit. Lotaria e vizave u themelua si një mënyrë për t’i dhënë shansin të interesuarve për të arritur “ëndrrën amerikane”.
Por plani i ri i reformës së immigracionit në vend të lotarisë do të përqëndrohet në tërheqjen e fuqisë punëtore të arsimuar në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Para dy vitesh Rafiq-ul-Islam fitoi një vizë të përhershme amerikane përmes Lotarisë së Vizave dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Bangladeshi me pak më shumë se rrobat e tij dhe ëndrrën për një jetë më të mirë në Amerikë.
“Aplikova dhe erdha në Amerikë. Unë dua ta ndryshoj fatin tim. Dua ta bëj këtë në mënyrë që të jem në gjendje ta mbështes familjen time, për të ndryshuar gjithçka, për këtë arsye aplikova”.
Ish senatori Edward Kennedy doli me idenë për një sistem lotarie të vizave në vitin 1990 si një mënyrë për t’i dhënë mundësinë të imigrojnë në SHBA njerëzve nga vendet evropiane dhe vende të tjera me kuota të ulëta imigracioni. Programi i lotarisë së vizave, i njohur zyrtarisht si vizat e diversitetit, është relativisht i vogël duke ofruar rreth 50 mijë viza në vit në krahasim me më shumë se një milion leje të përhershme banimi që jepen çdo vit. Fituesit me fat si ul-Islam duhet të kalojnë një kontroll biografie, por atyre u duhet vetëm një diplomë e shkollës së mesme ose përvojë pune për t’u kualifikuar. Avokati i çështjeve të imigracionit Rajiv Khanna thotë se lotaria e vizave simbolizon vlerat thelbësore amerikane.
“SHBA është vend i bekuar dhe ndoshta edhe i mallkuar nga vizioni unik që kemi, sepse ne jemi si një komb me qytetarë të komunitetit botëror. Dhe ne i trajtojmë disa çështje me ndërgjegje dhe besim të mirë e jo si çështje të interesit vetjak”.
Por sipas planit të propozuar të reformës së imigracionit që po shqyrtohet nga Kongresi amerikan, programi i lotarisë së vizave mund të mbyllet. Në vend të tij, Kongresi dëshiron të zgjerojë mundësitë për profesionistët si Bhushan Parekh me nivel të lartë arsimimi në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Viza profesionale H-1B e zotit Parekh është sponsorizuar nga një kompani e madhe amerikane.
“Mora vizën sepse mbarova një shkollë katër vjeçare për inxhinieri në Indi dhe pas mbarimit të studimeve punova një vit po në Indi. Gjatë procesit të intervistimit ishte e qartë se unë kisha aftësitë menaxhuese të cilat ata i kërkonin”.
Disa anëtarë të Kongresit e kundërshtojnë eliminimin e programit të lotarisë së vizave duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë mundësi edhe për të varfërit e botës. Por, në këto kohë të vështira ekonomike, zoti Khanna thotë se drejtësia nuk është më prioritet.
“Pra, sipas propozimit të tanishëm vetë larmia nuk është më virtyti që ne kërkojmë në sistemin tonë të imigracionit. Ajo që ne kërkojmë tani janë aftësitë dhe kontributi që ata që vijnë këtu mund të japin për vendin”.
Zoti Khanna thotë se ndërkohë që bizneset amerikane janë duke lobuar për më shumë viza profesionale, të varfërit nga vendet në zhvillim nuk kanë përkrahës kaq të fuqishëm.