• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMJA PO IKËN

March 15, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/Sa u ndava nga Lame Fandi dhe ndofta për shumë kohë. Ai do shkojë për të banuar gjatë në Itali, ku ka djalin dhe ku ka siguruar dhe ca kushte më të veçanta përkujdesjeje jetësore e shëndetësore.Kam shkruar dhe tjetër herë se Lamja (Harallamb Fandi) është miku im i dashur, i adhuruar dhe i respektuar. Mik e bir miku, djali i vetëm i Koços, që ka vdekur ka shumë vjet, për të mos u harruar kurrë, se shumë nga cilësitë e tij të optimizmit, humorit dhe njerzillëkut, ia ka lënë të paprekura trashëgim Lames, birit të tij edhe më të ditur e më të shkolluar. Lamja ynë, është i mirënjohur, jo vetëm në Vlorë ku lindi dhe u burrërua, po edhe në Tiranë, ku kaloi shumë vite dhe ku u ndërthur edhe me karrierën akademike dhe të biznesit farmaceutik. Lamja,  trupmadh dhe tërheqës si i ati, në vizionin e çdo të njohuri, sidomos në qytetin e Vlorës, shfaqet po si ai, burrë i shkathët dhe tepër human, model çiltërsie dhe sakrifice, i gatshëm për të ndihmuar dhe mësuar nevojtarët, që ta kalojnë sa më lehtë çdo lloj vuajtje e halli.Lamja, gjithnjë i qeshur dhe optimist, u bë qysh në të ri, një veprimtar i shquar shoqëror, dhe shpejt u shqua si letrar i pasionuar pas prozës poetike dhe dialogut ekspresiv, si dhe piktor e kritik arti.. Ai studioi dhe përfundoi “Shkëlqyeshëm” Universitetin e Tiranës për farmacist, duke ndjekur njëkohësisht edhe Liceun Artistik për pikturë. Ishte piktura, që e nxiti për të kryer dhe studimet pasuniversitare për kritikë arti. Me punën e bërë ai u shqua jo vetëm në profesionin e tij bazë, po edhe si studiues arti e shkrimtar, sidomos me artikujt kritikë, tregimet dhe dramat, për të cilat është nderuar edhe me çmime në shkallë kombëtare. Harallamb Fandi është dhe autor i të parit libër të botuar në vendin tonë për përdorimin e barnave në shtëpi, si dhe i mjaft teksteve profesionale, mësues dhe pedagog universiteti i shumë brezave farmacistësh, Drejtues Kulture në rrethin e Vlorës, Kryeredaktor i revistës “Farmacisti“ në Tiranë dhe Anëtar Nderi i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

Pasi përballoi me sukses një sëmundje dhe operacion të vështirë, që e kreu në Itali, Lamja ynë i dashur, e kaloi me sukses periudhën e rehabilitimit, midis shokësh fëmijërie, këtu në Tiranë.

Takoheshim shpesh me Lamen për të pirë kafe e për të biseduar lirshëm probleme nga më të ndryshmet, ashtu si grupohen pensionistët nga mbarë vendi, që vitet e fundit u ndodhën apo u bashkuan në kryeqytet, më shpesh të ndarë sipas vendlindjes, për të kujtuar vitet e fëmijërisë apo rinise se hershme. Në grupin tonë me Lamen bashkohet ingjjnieri Petraq Karaja, aktori Andon Qesari, matematikani Petraq Truja, mësuesi Milto Shuka, gjeologu Axhem Gjonaj, kritiku  dhe historiani i fotografisë  shqiptare Qerim Vrioni, etj.

Më shumë bisedat sillen rreth ngjarjeve familjare të njeritjetërit, te shqetësimet shëndetësore dhe jepen mendime për lehtësimin e vuajtjeve, halleve, sëmundjeve, dietës, etj., sipas përvojave dhe njohurive të secilit, apo kurioziteteve dhe rrugëzgjidhjeve të mësuara nga interneti. Këto ditët e fundit u bisedua gjatë dhe iu dha shumë shpresë ujit, për vetitë dobiprurëse në përmirësimin e deri kurimin e disa sëmundjeve, po të pihet në sasi te madhe deri ne katër gota njëherazi, herët në mëngjes, duke qenë i vaktë dhe ndalimin e pirjes se tij dy ore pas buke. Po kështu u qëndrua gjatë te dobia e lëvizjeve dhe ecjes ditore me hap të shpejt dhe mbi gjysmë ore çdo ditë. Këtë temë e trajton shpesh me kompetencë Lamja.

Një tjetër temë, thuajse e përditshme janë “shakatë vlonjate”. Janë të famshme “barsoletat shkodrane”. Këtë e pranojnë të gjithë pjesëmarrësit e grupit tonë dhe ato zënë unanimisht vendin e parë. Po, vendin e dytë, nuk e lëmë dhe ndonjëherë, ashtu si në futboll, Vlora del barazim me Shkodrën. Si më kompetent në këtë “zhanër” paraqiten  Petraq Truja dhe Milto Shuka. Vetëm për argument mund të paraqes sot (për mos ta rënduar këtë ditë dhe për t’i lenë radhë ditëve të tjera) vetëm një shaka të treguar, nga më i riu prej nesh, pedagogu kolonel në lirim, Petraq Truja:

Së pari, me lejoni të shpjegohem: pse përmendet grada kolonel dhe ku e gjeti këtë “pllakë” kaq të madhe ai? Grada përmendet, se, kur flasim për vlonjatë, grada është natyra e dytë e tyre dhe natyrisht i paraqet më të rëndësishëm. Petraqi gradën e mori kur e caktuan pedagog të fizikës dhe matematikës në Shkollën e Lartë për Aviator në Vlorë. Atë fillimisht e bënë toger, po, si dihet ajo rritet me kalimin e viteve dhe u mbyll në vitet e fundit si kolonel.

-“Nashua”, nisi shakanë koloneli, ishte vështirësuar nga gjendja ekonomike dhe as që i ushqente dot 5 fëmijët e tij të vegjël, që kokë më kokë, ishin nga 5 deri 15 vjeçar. Më së shumti në sofër shtrohej vetëm bukë thatë. Një shoku i tij që punonte në “Ullishte” i sugjeron që fare lehtë dhe me pak shpenzime, bukës së thatë, mund t’i shtoheshin ca ullinj, që për fat ai i kishte me shumicë të grumbulluara çdo ditë, se i transportonte të fshehura në çizmet e tij kastën të stërmëdha. E mori me çmim të ulur kontingjentin e parë të ullinjve, u hoqi bërthackat, që të ishin më të shijshme, i kripi dhe i kaloi në procedurat e njohura mirë nga vlonjatët, deri sa i përgatiti në ëmbëlsinë  dhe me dozën optimale të hidhërimit. Fëmijët, atë ditë dhe deri sa i mbaruan krejt ullinjtë, që i hanin me grushte, jo vetëm u kënaqën, po nuk kishin të ngopur. Në  fund të javës ullinjtë, që mendohej se do mjaftonin për gjithë muajin, kishin mbaruar, ndërsa ishte ngrënë, sipas hesapit të Nashos edhe dy herë me shumë bukë.

U konsultua Nashua me gruan dhe vendosen që kontingjentin tjetër ullinjve mos t’u hiqet bërthacka, po vetëm sa të çahen për kriposje. Kjo e pakësoi konsumin, se fëmijët vonoheshin, deri sa të ndanin tulin nga berthackat. Megjithatë pas dy javësh edhe kontingjenti i dytë i ullinjve mbaroi, për gjysmën e kohës së llogaritur.

Rrinte e mendonte Çifti varfanjak dhe më në fund e gjetën zgjidhjen: Nuk i çanë ullinjtë me thikë, po i shtypën mbi tavolinë me çekan, duke thyer njëkohësisht e dhe bërthackën e tyre. Tani fëmijët, e kishin të vështirë të pështynin bërthackat e thyera, që në përpjekje për t’i nxjerrë nga goja, u ngelnin midis buzëve dhe dhëmbëve dhe kështu e pakësuan sasinë e ullinjve të konsumuar.

-Do ta mbaj mend këtë ngjarje, tha  Lame Fandi. Nesër nisem për Itali dhe do t’ua tregoj kolegëve të mi pensionist italian, po nuk e di a do më besojnë.

Sa keq që na ikën Lame Fandi, epiqendra e shoqërisë sonë. A thua do mblidhemi sërish për të dëgjuar “shakatë vlonjate”?Këtë do ta shohim, po tani le t’i urojmë shokut tonë të dashur e të pazëvendësueshëm : Udhë të Mbarë, Shëndet e Lumturi!

Tiranë, më 14.03.2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Lamja po iken, Luan Cipi

PIKTORI I POPULLIT SKENDER KAMBERI

March 5, 2014 by dgreca

1700 VEPRA ARTI –NE 75 VJETORIN E DITELINDJES /

Nga Luan Çipi/

Piktori i Popullit Skënder Kamberi e festoi 75 vjetorin e lindjes me madhështi, ashtu si e meritonte, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në prezencë të qindra miqve e shokëve të tij artistë e njerëz të thjeshtë; ardhur nga të katër anët e vendit, e deri deputet e burra shteti. U shfaq një film dokumentar i bukur i krijuar posaçërisht nga studiuesi Ylli Drishti, që paraqiti jetën dhe krijimtarinë e tij më të spikatur, si dhe u ekspozuan 54 nga veprat e tij të shquara.

Ne, Vlonjatët, kemi të drejtë krenohemi për Skënder Kamberin. Ai, lindi në vitin 1939 në qytetin e Vlorës dhe tani i takon gjithë Shqipërisë, mandej i ka kaluar dukshëm kufijtë e vendit, si rrallë kush, deri ne Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikë. Më shumë se gjysmë shekulli me penelin e tij të artë, artisti i njohur ka merituar  vend nderi në artin shqiptar, me 1700  kompozime, portrete dhe pejsazhe, ndërsa fama e krijimtarisë së tij artistike, nëpërmjet ekspozitave të shumta, është vlerësuar në shumë shtete të botës, si në Itali, Gjermani, Francë, Greqi, Turqi, Austri, Rumani, Egjypt, Algjeri e deri në Kinë e Amerikë, ku ende admirohen mbi 300 vepra dinjitose të tij. Piktori i Popullit Shqiptar dhe Qytetari i Nderit i Qytetit të Vlorës Skënder Kamberi,  në vitin 2000 u shpall dhe nga  Qendra Biografike e Kembrixhit, ”Njeriu Ndërkombëtar i Pëlqyer në Fushën e Artit”.

Skënder Kamberi, pasi përfundoi me sukses mësimet në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve në Tiranë, u emërua në qytetin e tij të lindjes, ku u krijua ajo bashkësi e traditë, që u quajt “Shkolla Vlonjate e Pikturës”, në të cilën u renditën suksesshëm Nestor Jonuzi, Petrit Ceno, Rakip Shabani, Ilmi Bani, Agron Dine, Sabaudin Xhaferi, Agim Sulo dhe dhjetëra piktorë tepër të talentuar.

Piktura e Skënder Kamberit dallohet nga larg, se e ka të stamposur talentin e tij të rrallë dhe shquhet për koloritin e zgjedhur dhe idetë e përmbajtjen e shëndoshë artistike, që nis me përjetimin e traditave historike dhe të mbresave e fakteve nga jeta e përditshme: Skënderbeu, Vrana Konti, Kapedan Sali Vranishti, Naimi, Vaso Pasha, Dora Distria,  Kosova, Bukuria e Duarve Tona dhe deri te vajzat e bukura të Shqipërisë.

Piktori i Popullit Nestor Jonuzi, që gjatë gjithë jetës s tij artistike ka qenë i pandarë me të, me të drejtë tha në fjalën e hapjes së ekspozitës, se” Skënder Kamberi, ligjëroi me ngjyrën, kur të tjerët ende belbëzonin me të”.

Piktura e artistit vlonjat Skënder Kamberi është gjithnjë e freskët, produkt i lojës me ngjyrat. Veprat e tij janë sa historike, aq origjinale dhe moderne e bashkëkohore, besnike të natyrës  dhe  fantazisë, gjithnjë dinamike dhe ekspresive dhe shpesh impresioniste dhe ekspresioniste. Ato janë krijuar të inspiruar nga bukuritë e pa reshtura që natyra pajisi me tepri qytetin e Vlorës, të stolisur midis detit dhe malit dhe të rrethuar me gjelbërimin e përhershëm të ullinjve e portokalleve. Ai debuton lirshëm në të gjitha gjinitë me fakte direkt dhe nëntekste dhe me personazhet e deri me mjediset artistike, nëpërmjet shpërthimit dhe këngës melodioze të ngjyrave. Punët e tij më të mira, të vendosura në Galerinë Kombëtare të Arteve (40), në sallat e koleksionistëve Fatmir Braka, Arjan Salati, Bujar Leskaj etj., në studion e tij si dhe jashtë vendit, të duken sikur qajnë e qeshin, heshtin dhe gjallojnë, të befasojnë e të çlodhin, të revoltojnë e të kënaqin dhe të bëjnë që të të nguliten në ndërgjegje e deri thellë në kujtesë, për mos t’u ndarë lehtë nga vetja për shumë kohë. Ai ka analizuar e studiuar gjatë paraprakisht krijimin dhe e ka ndjerë e përjetuar vet çdo detal dhe e ka vendosur si koncentrat, në vendin e natyrshëm, të zgjedhur artistikisht.

Piktura e Skënder Kamberit është pasqyrim identik i personalitetit të tij njerëzor superior dhe fin.

Unë e kam njohur mirë atë qysh fëmijë dhe them se kështu ka qenë qysh herët: I mençur, i thjeshtë, i ndjeshëm, shoqëror, human, i dashur dhe i respektuar me shokë e miq të shumtë, familjar i mirë, i çiltër dhe i sinqertë, guximtar si ai dhe mbi të gjitha sa i talentuar aq dhe punëtor i palodhur.

Më lejoni që në mbyllje të rendis tre strofa, që kam veçuar për Skënder Kamberin dhe për shkollën vlonjate të pikturës.

SKËNDER KAMBERI

DHE SHKOLLA VLONJATE E PIKTURËS

Ju pyes, dijetarë, e shpjegoni dot,

Është fenomen apo rastësi:

Pse dhjetëra piktorë ka kjo Vlora sot,

Një ndodhi e rastit, apo ligjësi?

Secili me vlera, kushdo me një stil

Ku  Skënder Kamberi, dallohet në ballë:

Me dorën të artë, me shkëlqim si yll

Mjeshtër në ngjyrime, në tablo i rrallë.

-Ku  është  e veçanta, ku qëndron sekreti

Pse kjo Vlora jonë, nxjerr kaq shumë piktorë?

-Portokaj, ullinj, mali, kodrat, deti…,

Ngjyrat, veç t’i prekësh dhe i ke në dorë.

Tiranë, 05.02.2014

 

Filed Under: Featured Tagged With: 75 vjetori, Luan Cipi, Skender Kamberi

VIZITË NË PARLAMENTIN KANADEZ

January 19, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Duke qenë me Hanëmen, gruan time për gati dy muaj mysafirë te vajza jonë Lindita, në Otava Kanada, nuk mund të rinim pa vizituar godinat e Parlamentit Kanadez, të ndërtuara aq bukur me veshje guri të gdhendur dekorativ, në zonën më të piktoreske e qendrore të qytetit.
 Ishte një ditë e djelë e ftohtë, me borë e suferinë, mes janari i vitit 2014 kur u nisëm me makinë drejt qendrës së qytetit, të njoftuar nga interneti dhe të informuam saktë se në “Kullën e Paqes”, si quhet godina qendrore e Parlamentit Kanadez, pranohen vizita, mandej edhe pa pagesë.
 U futëm dhe ne në radhën e vizitorëve të shumtë dhe pas një pritje e përshëndetje buzagaz të pritësve dhe kalimit te një kontrolli personal të imtë, deri me rrip, xhup e xhaketë hequr dhe pasi ulemi e presim grumbullimin e 20 vizitorëve, nisemi te shoqëruar nga një spikere kanadeze, për t’u futur në sallat dhe mjediset e panumërta të Parlamentit Kanadez. Qysh në fillim u  mrekulluam me madhështinë e tij, me punimet ndërtimore e arkitektonike, me muret e tavanet dekorativë dhe dyshemetë e sheshet me mozaikë, me fotografitë dhe tablotë e varura në mure, me statujat e shumte dhe basorelievet e panumërt, me pajisjet dhe orenditë bashkëkohore e antike, të ndërtuara e të vendosura nga mjeshtër, arkitektë dhe artistë të niveleve superiore.
 Ndalesën e parë e bëmë te salla e hyrjes para Kuvendit Republikan, ku zakonisht parlamentaret takohen me gazetarë e publicistë dhe japin intervista e shpjegime, sipas parimit “çdo gjë është e hapur, çdo gjë është transparente”. Salla e hyrjes është pjesë e madhështisë së gjithë godinës dhe pjesë e historisë parlamentare demokratike historike të Parlamentit Kanadez. Atje dallohen fotografi të çmuara mbretërish e princash, parlamentarësh e senatorësh ku spikati me madhështi mbretëreshat Viktoria dhe Elisabeta, Kryeministri i pare, Presidenti i pare dhe deputetët më të vjetër, përfaqësues të partive rivale, kundrejt njeri tjetrit, ashtu si kishin kundërshtuar dhe gjunjëzuar, mposhtur, apo tërhequr nga njeri tjetri, me argumentin dhe fuqinë fjalës për dhjetëra vite.
 Jo vetëm sot, që është e djelë dhe parlamentarët janë me pushime dhe në punët e tyre private familjare apo shoqërore, po dhe në ditët kur Parlamenti punon, qoftë në Senat, apo në Dhomën e Komuneve, “Kështjella e Paqes”, mund të vizitohet lirshëm nga kushdo, gjatë gjithë ditës pa pushim, natyrisht edhe pa penguar zhvillimin normal të punimeve, konsultave, bashkëbisedimeve te parlamentarëve apo personelit këshillues, ndihmës dhe shërbyes. Ndërkohë vizitorët mund të sodisin punimet nga galeritë publike (ku sigurohet disponueshmëri e hapësirë). Gjatë gjithë kohës në galeritë e vizitorëve, është i aktivizuar një udhëzues audio në celular, që ofron informacion në lidhje me lojtarët kyç të çdo dhome, kur. diskutohet e merren vendime p sh. për artin, apo arkitekturën, biznesin, apo ushtrinë.
 Natyrisht për vizitorët ka disa detyrime, qe respektohen me rigorozitet: Bëhet paraprakisht skanimi dhe kontrolli i imët për të parandaluar çdo të papritur të pakëndshme. Kamera, dylbi, regjistrues, çadra, çanta, pajisje elektronike, armë, nuk lejohen Vizitorët duhet të jetë i veshur në mënyrë të përshtatshme dhe burrat duhet të hiqni kapelet e tyre. Ndalohet gjithashtu demonstrata, duartrokitjet, goditje me këmbë në tokë, folje me zë të lart, mesazhet politike(në pankarta apo veshje) dhe veprime të tjera shqetësuese.
 Rregullat ne këtë parlament e bëjnë edhe më funksional dhe më të interesuar vizitorin kureshtar, çka duket edhe nga numri i madh i tyre, që për vitin kap shifrën mbi 3 milion vizitorë.
 Dihet historikisht, se ishte Mbretëresha Angleze Viktoria, ajo që  qysh në vitin 1859 e zgjodhi Otavën për kryeqytet dhe qe disponoi ndërtimin e parlamentit të “Provincës Kanadeze”. Për këtë konkurruan 298 projektues, u zgjodhën tre dhe përfunduan te më i miri, që u shpall më me 29 gusht 1859.
 Pas disa adoptimeve dhe shtesave në ndërtesat e departamenteve dhe pas një zjarri në vitin 1916 që shkatërroi Bllokun Qendror, “Parlamenti Hill”, mori formën e tanishme me përfundimin e “Kullës së Paqes” në vitin 1927 . Qysh nga viti 2002, me investime të shumta, nisi dhe u realizua rinovimi dhe rehabilitim sipas një projekti cilësor, që përfshiu të gjithë  ndërtesat brenda rrethimit. Kjo punë, ende në proces, do përfundojë  plotësisht pas vitit 2020.
 Zona ku shtrihen godinat e Parlamentit Kanadez zë një sipërfaqe 88.480 metro katrorë dhe kufizohet nga Lumi Otava ne veri, Kanali Ujor Rideau ne lindje, Rruga Welington në jug dhe Rruga Kent nga ana e Gjykatës së Lartë, në perëndim. Ajo është e rrethuar nga një gardh i lart prej hekur të farkëtuar e të inkuadruar bukur që quhet Wellington Wall,
Brenda  murit  prej hekuri qëndrojnë të harmonizuara e të ndërtuara me stilin klasik gotik të modernizuar, Kulla e Paqes në veri, Zyrat e Parlamentit Hill dhe  Rezidenca e Mbretereshës  me maskën e Ives & Co.e Montreal. Në çdo cep të zonës katërkëndëshe, nga ana jugore ka edhe porta te vogla për qasjet e përditshme.
Të tria ndërtesat e Parlamentit Hill janë të bashkërenduara dhe funksionale.
 Në Kullën e Paqes, nga Paradhoma kalon për t’u futur në Sallën Solemne, më të madhen e parlamentit, me vendet ulur dhe pajisjet për çdo deputet. Ato janë parceluar dhe me simbolikat e ndara për të dhjetë provincat e Kanadasë, shoqëruar me figura e ilustrime të emblemave përfaqësuese, të bimësisë, gjallesave të tjera dhe objekteve cilësuese karakteristike të tyre. Çdo parlamentar, i ulur ne mjediset kujtimndjellëse i ka përherë të pashlyera detyrimet që mbart ndaj zgjedhësve të tij të nderuar.
 Paradhoma dhe Dhoma e Senatit, janë të tjera mjedise të bukura me vlerë. Atje dhe kudo ka vende të lira dhe për popullin e thjeshtë, për gazetarët dhe masmedian, të gatshëm për ndihme, transparencë e kontroll.
 Në pjesën e pasme të Kullës së Paqes është vendosur Biblioteka një vepër monumentale edhe kjo në stilin gotik, e me disa kate e dhoma, deri ndarje të rezervuara. Biblioteka komode për më tepër është shumë e pasur, jo vetëm për librat e karakterit legjislativ e të tjera në shërbim të parlamentit, po edhe të nivelit shkencor, historik, didaktik,  artistik, kulturor e letrar. Këtu  dallojnë vepra të hershme e të rralla, mandej ndonjë krejt unikale dhe me vlera të paçmueshme. Edhe biblioteka, si pasuri e madhe kombëtare, rruhet me rreptësi, aq me tepër se ka pasur tentativa djegie dhe ka shpëtuar prej masave preventive, duke u pajisur deri me porta të hekurta,  por që nuk të japim këtë përshtypje se janë si imitime të bukura druri.
Projektimi dhe ndërtimi i Parlamentit Kanadez në tërësi është një vepër e madhe arkitektonike e realizuar nga mjeshtrit kanadezë në konsultë me specialistët më të shquar të kohës dhe që përfshiu 298 variante, nga të cilat u zgjodh më i miri.  Projektet kanë imituar stilin gotik të  Rilindjes Evropjane, me ndikime italiane, franceze, nga Vendet e Ulta etj. por të realizuar me teknologji moderne dhe duke marrë parasysh klimën Kanadeze. .
 Materialet e përdorura sidomos për rifiniturat, qemerët, praqet, kornizat, tavanet, dyshemetë janë siguruar kryesisht për rreth Otavës dhe janë përdorur me mjeshtëri të rrallë.
Sidomos 5 nga specialistët kanë punuar në vendet kyçe e delikate për shumë vite. Ata, veç të tjerave, morën porosi edhe për gdhendjen, në kujtim të pararendësve te lashtë vendas, të figurave me fytyrat e të tyre simbolike. Po ata me aftësitë dhe talentin e tyre, duke punuar si në fshehtësi e të vetmuar për  një kohë të gjatë, skalitën me mençuri, në vend të tyre, secili vetveten, duke përjetësuar kështu një lavdi të merituar në shekuj.
Është çdo gjë ndërtuar bukur dhe në funksion të një shërbimi të dobishëm, cilësor e njerëzor  Kjo duket edhe te nderi që i  kanë kushtuar të rënëve për Atdhe, qysh nga krijimi i Kanadasë. Ka në këtë Parlament një pavijon të veçantë për dëshmorët dhe libra me listat një për një, sipas luftërave dhe vendeve kua kanë marrë pjesë e janë bërë fli në mbarë botën, bijtë e saj më të mirë.
 Interesant është dhe kulla e lartë dominuese, ku shkohet me një ashensor të shpejt deri te një mjedis i stërmadh rrethuar me xham, nga e sheh si në pëllëmbë të dorës Otavën e bukur e deri rrethinat e saj.
Largohemi për në vendin tonë Shqipërinë e dashur, me mendimin dhe ëndrrën për të parë dhe atje së shpejti Parlamentin e Ri, pa pretenduar për një nivel kaq superior, si Parlamenti Kanadez i Otavës, për të cilin janë dashur fantazia e specialistëve të botës dhe burimet financiare njerëzore perandorake.
Otava Kanada, 20.01.2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kanadez, Luan Cipi, Vizite ne Parlamentin

VIZITË NË BAZILIKËN NOTRE DAME MONTREAL

January 10, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Qyteti i Montrealit është i madh e i rëndësishëm. Ai ka afër 1.7 milion banorë (i dyti pas Torontos) dhe njëkohësisht është quajtur dhe “Kryeqyteti kulturor i Kanadasë”, pa përjashtuar cilësimin historik të tij si “Kryeqyteti tregtar i Kanadasë”. Qyteti dhe e gjithë krahina e Kebekut, ku ai bënë pjese nga ana territoriale dhe administrative, përfshin zonën frankofone të Kanadasë. Frëngjishtja është gjuha zyrtare e qytetit dhe në shtëpitë rreth 56% e banorëve flasin frëngjisht dhe vetëm 18% anglisht.

Montreali, padyshim edhe sot, mbetet një qendër e rëndësishme e tregtisë, e financave, e teknologjisë, projektimit, turizmit, hapësirës ajrore, kulturës, sportit dhe kinematografisë.

Edhe pse i ka këto përparësi në shkallë kombëtare Montreali, merr edhe më shumë vlera, duke pasur në qendër të vetë një objekt kulti religjioz me rëndësi e madhësi botërore, siç është Bazilika Katolike “Notre Dame Montreal”, Kisha më e madhe në Amerikën e Veriut dhe e dyta në shkallë botërore.

Ky institucion shumë i rëndësishëm i besimit katolik, u ndërtua për nder dhe me emrin e Shën Mërisë, në një objekt më të vogël, në vitin 1829 qe u dëmtua kryesisht për shkak te djegies së tij dhe nisi të rindërtohet, rikonstruktohet e zgjerohet në formën e tanishme, si bashkësi dy kishash, qysh nga viti 1980.

Për ndërtimin e Kishës së Madhe u zgjodh projektuesi dhe ndërtuesi i famshëm Amerikan, me origjinë Irlandeze, James D’Onell, protestan, që u konvertua në katolik dhe u nderua e u varros po aty.

Të ardhur në Otava, për vizitë te ime bije, që ndodhet familjarisht me banim dhe punë prej vitesh në Kanada, duke qenë vetëm rreth 200 km. larg Bazilikës Notre Dame të Montrealit, nuk mund të rinim pa e vizituar këtë perlë botërore, që rrezaton fuqishëm në të gjithë botën e krishterë, madhështi edhe besim hyjnor tradicional Katolik. Së bashku me Hanëmen, gruan time të pandarë në çdo ngjarje, si dhe me Linditën, vajzën time, me Mihailin, dhëndrin kanadez dhe djalin tim, Kamanin, (ardhur për mua posaçërisht nga Çikago me gruan dhe të dy djemtë e tij çamarrokë), në një ditë tepër të ftohtë (-31 gradë C), me dy autovetura, nisemi të çalltisim e të shuajmë këtë kuriozitet e dëshirë të kahershme, që nuk e ka fat gjithkush dhe gjithmonë.

Pasi premë biletat dhe paguam një kuotë hyrjeje (më shumë për solidaritet dhe detyrë humane dhe duhet thënë, pa asnjë detyrim) edhe të përshpejtuar nga të ftohtit e padurueshëm, u futëm në Portën e Kishës, ku menjëherë ngelëm të befasuar nga pamja mahnitëse, që të impononte madhështi e deri misticizëm:

Një sallë e madhe, që s’i shihje dot fundin, me aftësi mbajtëse mijëra veta, shumica me vënde për t’u ulur në kushte komode, një ndriçim paksa i errët, disi i mbytur dhe ëndërrimtar.

Kudo të sheh syri llambadarë, shandanë, ndriçues e abazhurë disaformash dhe shumëmadhësish. Xhamat e dritareve janë tjetërsoj të bukur e të ngjyrosur me teknologji të posaçme. Ka gjithfarësoj, basoreliev dhe statuja shenjtorësh dhe engjëjsh, ornamente e piktura të çmuara dhe punime druri (bliri kryesisht), e të papara artistikisht tjetërkund.

Në të djathtë janë vendosur dhomat e rrëfimit dhe të faljes së mëkateve, krejt xham dhe në të majtë, janë këndet e lutjeve dhe të përshpirtjes, me qirinj në ndriçim apo gati për ndezje.

Po të ngresh sytë lart drejt tavanit, admiron 1827 korniza me xham te ngjyrosur, të thurur aq bukur deri në ultësirën e kurbuar, sa të duket sikur sheh qiellin blu. Kjo u ofron vizitorëve një ndjenjë befasuese për të qenë më të hapur, më kolektiv, më të dashur për njëri tjetrin, më dorëdhënës, solidar e bujar, nën një qiell rrezatues të  improvizuar e që të benë vetvetiu të ndikuar nga fryma hyjnore.

Ngjyra e mureve, në të katër anët e Bazilikës, është e pazakontë, e shumëllojtë e deri në mrekulli, ku dominon bluja dhe ari. Një ar, jo i lyer si bojë e i sajuar, po krejt i vërtetë dhe natyrisht me shumë vlerë. Siç janë të bukura e të kushtueshme, të bëra me dorë, çdo detal e pjesë përbërëse ndërtimore dhe çdo pajisje e instaluar, në këto mjedise të arenduara me mjeshtëri të rrallë, ku çdo pikturë, reliev, statuje tregon për një ngjarje fetare, për një shenjt, për engjëjt, për një porosi ungjillore, inspiruar nga Bibla..

Altari ballor kryesor i kishës së madhe, sarkofagu, kasollja e famshme ku lindi Jezu Krishti, etj. ndërtuar si shumë çudi të tjera, nga arkitekti Viktor Bourgen, janë secila më vete, një kryevepër monumentale, që rrallë gjendet tjetër kund. Jezusi, me madhështinë dhe bukurinë e tij, dominon gjithë mjedisin e harmonizuar për rreth, ku numërohen dhjetëra pamje ikone në pikturë, të gdhendura si basorelieve, apo statuja të madhësive të ndryshme, që shihen me pamje te lirë nga salla e madhe, apo po të kalosh e t’i soditësh në shkallinat e shumta drejt lozhave, nga të tre anët e saj.

Tjetër mrekulli e veçanti e kësaj Bazilike Madhështore është Kambanorja, me një kambanë gjigante prej 12 ton, që vihet në lëvizje me forcën e njëkohshme të 12  burrave dhe qe tingëllimi i saj dëgjohet prej 37 km larg. Natyrisht përdorimi i kambanës kufizohet vetëm në ditët solemne ceremoniale e në të shenjtat fetare dominante, ndryshe, nga fuqia e madhe akustike, do arrinte deri në dëmtimin e mureve. Veç Sallës së Madhe kryesore, nevojat e shpeshta ceremoniale, sidomos për martesat, diktuan edhe ndërtimin e një kishe të dyte, ngjitur dhe që komunikon me Bazilikën. “Sacred Heart Chapel”, duhet thënë dhe kjo, ka bukurinë dhe stilin e vet të posaçëm e funksional dhe përballon thuajse gjithë nevojat e këtij qyteti të madh, që me rrethinat si popullatë, ia kalon shumë edhe Shqipërisë.

Salla e Madhe e Bazilikës Notre Dame Montreal, përdoret si Kishë për ritet fetare më të spikatura dhe në raste solemne e të jashtëzakonshme dhe bashke me ata që mund të rijnë në këmbë, pranon 9 mije spektatorë. Kjo Bazilikë e rëndësishme në shumë raste ka qenë edhe arenë e ngjarjeve të bujshme shoqërore e shtetërore për krejt provincën e Kebekut dhe të gjithë vendit, për të përballuar deri koncerte të mëdha, duke arritur kulmin me debutimin e suksesshëm të Luçiano Pavarotit të famshëm.

Një tjetër çudi dhe madhështi e Bazilikës Notre Dame Montreal është Organoja e saj, me përmasa jashtëdimensionale dhe cilësi akustike të jashtëzakonshme. Kjo  kërkon dhe mjeshtëri kulmore, për të luajtur me virtuozitetin që meriton, ky instrument i rrallë në shkallë botëror, siç bënë prej dyzetedy vjetësh, Pjeri, që luan aty ende me pasion rinor, në kërkim të përsosmërisë.

Kthehemi për në vendin tonë, në Shqipërinë e vogël dhe të largët, të entuziazmuar dhe me përshtypjet me të mira për popullin Kanadez dhe arritjet e tij të jashtëzakonshme, në të gjitha drejtimet.

Kjo Bazilikë Madhështore tregon gjithashtu forcën e këtij kombi vital dhe të përparuar drejt përsosmërisë, në harmoni midis shtetasve të vet, pavarësisht gjuhëve e besimeve të ndryshme fetare dhe me një politikë sociale e mirëkuptimi shembullore.

Otava, Kanada, 10.01.2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi, Montreal, Notre Dame, vizite ne Baziliken

VIZITË NË QENDRËN MUZEALE “BIODOME” MONTREAL

January 5, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Në kryeqyteti Kanadaz, Ottawa,  ku banoja prej gati  një muaji, kisha dëgjuar shpesh të flitej për pikat turistike më interesante për rreth dhe kisha mësuar se vend nderi zinin: “Nodre Dame” (Kisha Katolike më e madhe në vend) dhe “BIODOME”, (qendër muzeore e madhe), të dyja të vendosur në Montreal, Provinca Kebek, në qytetin e dytë më të madh në vend, pas Torontos.

Sa kishim festuar me madhështi “Krishtlindjet” dhe “Vitin e Ri 2014”, pikërisht më  1 janar 2014, ditë e Mërkurë, pasi përshkuam rreth 200 km rrugë, kryesisht në autostradën 417 dhe pas gati 2 ore udhëtim pa trafik të renduar, natyrisht  me shpejtësi marramendëse, mbërritëm në Montreal dhe u akomoduam te Hoteli “Delta”, një hotel me katër yje, në Zonën Qendrore të qytetit.

Të nesërmen, herët në mëngjes, për të arritur te objektivi ynë, na u desh të bënim vetëm pak kilometra rrugë, po në një të ftohtë të pazakontë, sepse jashtë temperatura shënonte -31 gradë C. Pasi parkuam makinat dhe paguam biletat, e pamë veten qysh në fillim të befasuar nga të papriturat e muzeut te madh shumëplanësh, që në të njëjtën kohë ishte bashkim  dhe kombinim akuarium- zoopark- kopsht botanik, në kushte të njëjta natyrore origjinale përkatëse Kanadeze-Amerikane Veri Jug dhe Polare Veri-Jug.

“BIODOME MONTREAL”, ky muze i gjallë gjigand, është vendosur në ish Velodromin e Montrealit, ndërtuar fillimisht si “Qytet Sportiv” në Olimpiadën e Lojnave Verore të Montrealit të vitit 1976, në pjesën përkatëse në një sipërfaqe prej rreth 7000 m2, Objekti me arkitekturë të përshtatur bukur, ishte konvertuar si Muze përfundimisht në vitin 1992, me rastin e 350 vjetorit të themelimit të qytetit Montreal. Inisiator për këtë transformim madhështor të ish Velodromit në Muze shumëprofilësh bionatyror, u bë ish Drejtori i Kopshtit Botanik të Montrealit, z.Pierre Borque, që duhet kujtuar me nderim të posaçëm, për arritjen e tij tepër te suksesshme, origjinale e të dobishme.

Përshtatja u bë në një hapësirë racionale e kryesisht të mbyllur, që tërheq çdo vit rreth një milion vizitorë nga e gjithë bota. E veçanta e këtij muzeu të gjallë peshqish, shpendësh, reptilësh, kafshësh dhe speciesh bimore të origjinave të larguar nga njeri tjetri, është krijimi i kushteve origjinale në katër ekosisteme të ndryshme. Kjo do të thotë përshtatje respektove të njëkohshme në vegjetacion, klimë, dritë, temperaturë, teren me ndryshim e luhatje stinore. Këto ndryshime në hapësirat përkatëse, janë ndërtuar edhe pse të papërputhshme, në një sipërfaqe relativisht të kufizuar, duke përdorur teknika të veçanta ndarëse, izoluese, ngrohëse, ftohëse, lëvizëse, aromatike, ndriçuese errësuese, etj., duke lejuar ndërveprime normale në ndryshimin e mjedisit dhe  në përshtatje të kushteve jetësore të specieve, llojeve dhe varieteteve.

Biodomi i Montrealit mund të soditet bukur ne kohë të mirë edhe nga kulla madhështore e Stadiumit Olimpik të Qytetit Montreal të Provincës Frankofone të Kebekut. Prej andej sheh dhe përfytyron se vizitori ndjek një rrugë vetëm prej 500 ml.: Pasi kalon hyrjen dhe kryen pagesën e vizitës,  ndeshe me bllokimin e parë në formë tuneli, i quajtur “EcoTransit”, i projektuar (si dhe të tjerët që pasojnë) për të ruajtur ndryshimet e temperaturës. Më pas  hyn në paretet e izoluara nga një strukturë xhami për të siguruar në Abitatin “Amerika” lagështinë ajrore prej 75% , që kërko  mjedisi sipas popullimit dhe temperatura në rritje në 28 ° C gjatë gjithë ditës.

Pasi kalon te . EcoTransiti i dytë, ofron qasje në Laurentian Maple Forest , i frymëzuar, freskuar dhe  nga peizazh malor i “Mauricie”, Kanada .

Në një tuneli të dytë, nëpërmjet EcoTransitit përkatës, risigurohet rënie e mjaftueshme dhe e shpejtë në temperaturë para “Gjirit Shën Lawrence”  dhe aty del befasueshëm  dhe shpaloset me madhështi bukuria e një pishinë gjigande.

 

EcoTransit fundit i jep qasje në një korridor tjetër, kalimit në botën polare veri e jug.

Prezantimet të mëtejshme vënë në dispozicion të vizitorëve pamje po kaq të bukura, në një sipërfaqe madhështore, kombinuar nga autorët artistikisht, të ambjenteve thuajse natyror  me piktura të sajuara të mjediseve përrallore. Tamam këtu vihet  në dispozicion të vizitorëve një amfiteatër tepër panoramik dhe i këndshëm, sidomos për . fëmijët, që mund të luajnë e të kënaqen me pamjen e natyrës thuajse reale, me shpendët, peshqit dhe kafshët  për rreth.

“Biodome Montreal” është një muze madhështor, natyrisht me shpenzime vjetore maksimale për mirëmbajtjen dhe shërbimin e aseteve të tij, për mbarështimin dhe ushqimin e kafshëve, peshqve, reptilëve dhe shpendëve, për kultivimin e bimësisë dhe për harxhimin e energjive përdoruese, në përballim të nevojave të për mbi 4800 kafshëve të 229 llojeve dhe të 750 kultivarëv

bimorë.

Veç kësaj aty bëhet një punë e mirëfilltë studimore e shkencore për mbijetese, riprodhim dhe pasurim sasior e cilësor. Stafi i kualifikuar në nivel të lart shkencor, interesohet tej kufirit rajonal e shtetëror, përshtatur nga një politikë në përputhje me standardet ndërkombëtare të rritjes dhe mbarështimit të kafshëve dhe  kultivimin  e seleksionimin e bimëve.  Veprimet e ruajtjes dhe të shtimit të specieve dhe kultivarëve me tendencë përmirësuese në Biodome,  bëjnë që gjallesat të jetojnë në koleksionet e tyre, por edhe për ruajtjen e përmirësimin e mjedisit natyror..Specialistët e profesioneve përkatëse në Biodome marrin pjesë në disa programe kombëtare e ndërkombëtare të konservimit për të parandaluar humbjen dhe për të promovuar rifutjen e specieve të rrezikuara, në mjediset natyrore përkatëse.

Të nesërmen Kanadaja u bllokua nga bora dhe furtunat, me deri pemë të rrëzuara e ndalim trafiku ajror, tokësor e detar. Pas pak orësh me forca të shumta, shpejt në mbarë vendin, çdo gjë arriti normalitetin.

Largohem për në vendin tim me përshtypjen e një shteti të fuqishëm, duke e ndjerë më të sigurt edhe jetën e pasardhësve të mi, që punojnë e banojnë prej vitesh këtu.

Ottawa Kanada, 05.01.2014

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bidome, Luan Cipi, Montreal

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT