Nga Luftar Pepmarku/
Mosha e tretë përkon me vitet e pensionit. Është mosha kur njeriu ndjehet disi i çliruar nga pjesa më e madhe e detyrimeve familjare, por edhe shoqërore. Tashmë kësaj moshe, nuk i kërkohet zbatimi i orarit të ndonjë pune, apo realizimi i ndonjë rendimenti. Njeriu në këtë moshë, ndjehet i gëzuar, nga kushtet e mira të motit, nga çdo ditë që përjeton një gjendje të mirë shëndetësore, apo kur mëson një lajm të mirë,që qarkullon në vendin e tij, apo kudo gjetk..
Mrekullohet kur sheh fëmijtë, nipat e mbesat të jenë mirë me shëndet, përkatësisht ata që janë në moshën e punës, punojnë dhe kanë arritje e të vegjëlit, mësojnë dhe çdo ditë fitojnë vlera në formimin e mirë të tyre, si në përvetësimin e dijeve, ashtu edhe në konsolidimin e tipareve të nevojshme të karakterit e të edukatës njerëzore. Lumturohen kur shohin që në familje mbretëron harmonia midis tyre dhe me shoqërinë që i rrethon e kur një pjesë e konsiderueshme e të mirave materiale, nuk u mungon.
Po si e kalojnë kohën ky brez, në këtë stad të jetës? Dikush çohet në mëngjes dhe mjaftohet thjeshtë me një kafe. Del në qytet, takon bashkëmoshatarët, me të cilët ulet në ndonjë kafe dhe shtyjnë kohën me biseda të ndryshme. Bisedat janë nga më të larmishmet, që varijojnë që nga ngjarjet më të zakonshme të ditës, ndodhitë e ndryshme të jetës e deri te vrejtjet e sugjerimet, për instanca të ndryshme shoqërore e shtetërore, pa përjashtuar të gjitha instancat, që nga akademitë, qeveritë, presidentët, mbretërit dhe perandorët.
Të tjerë zënë ndonjë hije, nxjerrin dominat dhe luajnë gjithë kënaqësi. Ka raste që gjatë lojës nxehen edhe gjakrat, ngrehen edhe tonet, përse jo, nganjëherë shpërthejnë edhe fjalë të pa hijshme e të padenja për moshën e tyre. Fatmirësisht këto hatërmbetje e tensionime nuk zgjasin shumë. Të nesërmen përsëri i gjen bashkë, në shoqëri me njëri-tjetrin. Edhe unë jam pjesë e kësaj moshe. Ashtu si çdokush edhe unë kam mënyrën time të organizimit e të kalimit të ditës, por larg këtyre lojrave, me të cilat nuk u familjarizova kurrë.
Zakonisht zgjohem heret në mëngjes. Kontrolloj facebook-un tim, për t’ u njohur me publikimet që mund të kenë përcjellë miqtë e fb, që jetojnë në anën tjetër të globit. Ndjek emisionin “Koha për t’ u Zgjuar”. Dal në qytet, bëj ndonjë xhiro me shokët, pimë ndonjë kafe dhe pasi tërheq ndonjë gazetë, që përmban ndonjë artikull që më ka tërhequr vëmendjen, në pasqyrën e shtypit të ditës, kthehem në shtëpi, ulem në këndin tim të preferuar dhe lexoj në qetësi të plotë gazetën. Shpesh përqëndrohem kryesisht në rubrikën e opinioneve.
Kështu në njërën nga gazetat e kësaj jave, më tërhoqi vëmendjen një artikull, ku një profesor i një universiteti të Birmingamit në Britani, shqetësohej përse mediat shqiptare e paskan përcjellë në heshtje një libër monografi, të autorit Kristo Frashëri me titull, “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”. Mendoj se shqetësimi i shprehur në faqet e kësaj gazete të përjavshme, ndaj heshtjes së mediave tona për këtë autor, sipas tij (të paanshëm) nuk më rezulton i vërtetë dhe për pasojë, as i drejtë.
Kjo për arsye se, autorit të këtij libri, z. Kristo Frashëri i janë vënë në dispozicion më shumë se një herë studio televizive, ku ai ka folur më shumë se një orë për secilin rast, mbi vlerat sipas tij, që ka sjellur me botimin e këtij libri. Këto emisione janë përsëritur edhe një herë, të nesërmen e transmetimit të parë, ku është bërë edhe rregjistrimi. Gjithashtu edhe shtypi, ka pasqyruar në faqet e tij, pikpamje të ndonjë autori rreth librit në fjalë.
Dy fjalë për autorin e monografisë së sipërcituar, na duhet t’ ia kujtojmë shkruesit të këtij artikulli, tek na flet, për panshmëri dhe gjasme kritere shkencore të historianit të indoktrinuar Kristo Frashëri.
Autori i kësaj monografie, sipas disa artikujve të botuar në faqet e shtypit pluralist, është njëri nga 200 “Petritat”, që i ka falur gjithë energjitë e tija fizike dhe intelektuale të viteve të rinisë dhe të moshës së pjekurisë, njërit prej sistemeve më diktatoriale të botës komuniste. Ai pati fatin t’ i mbijetojë atij sistemi, falë faktit se, komandanti i njërës prej çetave të para nacionaliste, Myslim Peza, akoma nuk ishte indoktrinuar. Prej kohësh është publikuar fakti se, Enver Hoxha e kishte nisur Kristo Frashërin me një letër të mbyllur në zarf, me porosinë, që t’ ja dorzonte në dorë dhe pa e hapur këtë letër, komandantit të asaj çete, z. Myslim Peza.
Në atë letër, porositej komandant Myslimi: “Letërprurësin e kemi nisur në çetën tuaj, ndiqni me kujdes çdo veprim të tij dhe po e patë të arsyeshme, mos ia kurseni një plumb mbas koke.” Pre e këtyre veprimeve tinzare të këtyre monstrave, do të binin shumë luftëtarë të lirisë, pas indoktrinimit të këtyre komandantëve dhe rolit prioritar, që gradualisht muarën të ashtuquajturit komisar, të cilët përfaqësonin Partinë Komuniste Shqiptare, në këto formacione. Për të mos përmendur shumë nga emrat e këtyre viktimave, po kujtoj vdekjen enigmatike të Mustafa Gjinishit, Zai Fundos etj, lista e të cilve mund të vazhdonte shumë gjatë.
Para së të hyjmë në temë, po paraqes shkurtimisht mendimin tim, për mjedisin gjeopolitik, historik e shoqëror të kohës dhe për ushtrinë nacionalçlirimtare. Flitet dhe është shkruar se, ajo është krijuar me 10 Korrik 1943. Nga ana tjetër dihet se Brigada e parë është formuar në prag të kapitullimit të Italisë Fashiste, me 25 Gusht 1943 dhe deri në kapitullimin e plotë të Italisë, por edhe më gjatë, është marrë me organizimin e strukturave të saj.
Është i padisktueshëm fakti se, çdo ushtri duhet të ketë në përbërjen e saj ushtarë, të organizuar në skuadra, toga, kompani, batalione, brigada, divizione, korpuse dhe armata, si dhe armë të specialiteteve të ndryshme. Meqenëse këto formacione mungonin deri në kapitullimin e Italisë fashiste, bie edhe data e krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pra 10 korriku i vitit 1943. Atëherë shtrohet pyetja: Kush luftoj kundra ushtrisë pushtuese italiane, nga 7 Prilli i vitit 1939 e deri në kapitullimin e saj 8 shtator 1943? Përgjigjja është: Ushtrija kombëtare e kohës dhe populli shqiptarë i organizuar në çetat nacionaliste dhe që udhëhiqej nga prijsat popullor, midis të cilëve edhe oficerë kariere të ushtrisë kombëtare shqiptare, të shkolluar e përgatitur në vitet e qeverisjes së Mbretit Zog I.
Më duhet të paraqes disa fakte konkrekte dhe mjaftë domethënëse të asaj periudhe, të cilat çdo studiues i kësaj periudhe, para se të shkruaj për këto ngjarje, mendoj se duhet t’ i mbajë parasyshë. Me pushtimin e vendit tonë, nga njëra prej fuqive mbi dyzet herë më e madhe se Shqipëria dhe e paisur me mjetet luftarake më moderne të kohës, ushtria dhe populli shqiptarë, bëri një rezistence serioze, për aq sa ishin mundësitë e kohës, dhe modeste përpara një fuqie kaq të madhe, siç ishte Italia, në raport me popullin dhe ushtrinë tonë.
Në këto rrethana, për t’u shpëtuar dënimeve, burgosjes dhe internimeve, që kishte ndërmarrë italia ndaj atyre që e kishin pritur me armë dhe nuk pajtoheshin me pushtimin e vendit prej saj, një pjesë e madhe e tyre muarën rrugët e mërgimit jashtë Shqipërisë. Në këtë periudhë, një pjesë e këtyre prijësave kishin kaluar në qytetet shqiptare të Jugosllavisë zyrtare të asaj kohe, apo thënë ndryshe në qytetet shqiptare të Maqedonisë së sotme.
Ahmet Zogu Mbret i shqiptarëve dërgon në Maqedoni aso kohe kolonel Hysen Selmanin, që të organizojë këta intelektualë, udhëheqës ushtarakë dhe prijësa popullor, që të ktheheshin në Shqipëri për të organizuar rezistencën dhe kryengritjen e popullit shqiptar, kundër fuqive pushtuese. Ata u organizuan dhe përbërja e tyre ishte si më poshtë:
Intelektual Prijësa popullor ushtarakë
Në versaçe Në Dibër në Valjev
Mustafa Gjinishi Aqif Lleshi N/Kol. Kuçuk Ullagaj
Hasan Reçi Shaqir Dema Major Murat Basha
Shaban Tirana Gani Serdari Kap. Hamza Drini
Kadri Vasili Jashar Lela Kap.Shyqyri Baftjari
Mustafa Kaçaçi Himçe Kaba Pater Gjek (Lek) Luli
Ibrahim Farka Isuf Selmani Kap. Kadri Rustemi
Abedin Çiçi Mehmet Aliu Kap. Abdula Ymeri
Vasil Kosturi Haxhi Lleshi Kap. Myslim Tushi
Nazmi Lemani Kros Ali Xheka Kap. Sali Llani
Midis këtyre emrave gjenden edhe shumë të tjerë si Myslim Peza etje, por edhe patëriot të tjerë që pasi u kthyen nga internimi prej ishujve të Italisë si Sulë Kurti, Frrok Gjet Kola etj, apo të kthyer nga emigrimi si Abas Kupi etj, prijësa të tjerë vendorë, të cilët organizuan çetat e para nacionaliste. Pikërisht nën drejtimin e burrave të kësaj kategorie, të cilëve nuk u mungonte, trimëria e dashuria për atdheun, por që kishin edhe inkurajimin e Mbretit Zog I, synohej bashkimi i shqiptarwve, rreth një qëllimi të shenjtë, që ishte lufta për çlirimin e vendit. Në këto rrethana u ideua bashkimi i shqiptarëve, pa dallim feje, krahine e ideje, të cilat u afishuan në Konferencën e Pezës. Shumicën në këtë konferencë e përbënin nacionalistët në rapot me komunistët. Pas kësaj mori hov dhe u zgjerua pjesëmarrja e popullit shqiptar, në Luftën Antifashiste Nacional çlirimtare.
Një varg rrethanash ndërkombëtare dhe interesash të fuqive të mëdha të botës, e lanë fatin e Shqipërisë, si pjesë të sferës komuniste. Në këtë kuadër vendi ynë mbeti nën influencën dhe drejtimin e PKJ e personalisht të Josif Broz Titos. Aq e vërtetë është kjo, saqë edhe kur njihej Qeveria e pas Luftës së II Botërore, kjo njohje i njoftohej në fillim Beogradit, pastaj Tiranës. Kjo e vërtetë, gjëndet e arkivuar në arkivat e shtetit Anglez, Jugosllav dhe Shqiptar. Treshja e Famshme, Rusvelt, Stalin dhe Çërçill, i kishin caktuar këto prioritete dhe përkatësi, që në takimet e tyre në Teheran, në nëntorin e vitit1943, pra kur Italia kishte kapitulluar dy muaj më parë, me 8 shtator 1943. Gjë që u sanksionua plotësisht, në takimin e tyre të Jaltës, mbajtur në shkurt të vitit 1945, tre muaj pasi lufta në Shqipëri kishte mbaruar zyrtarisht.
Mendoj se shkruesi i këtij artikulli, kur shkruan për paanshmërinë dhe kriteret shkencore të Kristo Frashërit, duhet të jetë në dijeni se, autori i librit,”Ahmet Zogu: Vështrim Historik“ i ka thurur ditirambe gjithë jetën, atij sistemi që pushkatoj 6027 shqiptarë, burgosi 34135 të tjerë, internoi 59009 veta, midis të cilëve edhe pothuajse të gjithë organizatorët dhe luftëtarët e lirisë së atdheut e familjarët e tyre, pa përjashtuar këtu edhe pothuajse të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, të sapozgjuar nga ëndërra e çmendur e lumturisë komuniste.
Ky autor pra, për hir të mbijetesës së tij në atë sistem, i ka thurur lavdi si çmim të kësaj mbijetese, një sistemi që i rrëmbeu popullit shqiptar pronën, i zhduku besimin, i dhunoi vendet e shenjta, e izoloi nga bota e zhvilluar perendimore, duke e pllakosur në varfëri e mjerim të tejskajshëm. Që ngriti në sistem spiunimin ndaj njëri-tjetrit, që i mposhti me dhunë vlerat dhe virtytet, dhe që vlerësoj e çmoj lart, veset dhe antivlerat. Këto fakte tronditëse nuk i përmendim për të zgjuar ndjenja hakmarrëse, por thjeshtë se nuk duhen harruar, me qëllimin e mirë, që mos të ketë shanse të përsëritet më e kaluara e hidhur. Kush harron të kaluarën, thonë se nuk e meriton të ardhmen.
Me të drejtë Uinston Çërçill ka thënë: “Socializmi eshtë filozofia e dështimit, kredoja e injorantit dhe ungjilli i ziliqarit. Cilësia e tij, që e shoqëron atë vazhdimisht është mjerimi.“ Mendoj se ka ardhur koha, që njerëzve që i kanë thurur kaq shumë lavdi një sistemi të tillë, nuk ka vend ti trajtojmë sot si të paanshëm. Thjeshtë se ashtu shkarazi në shkrimet e tyre të fundit, pohojnë edhe ndonjë të vërtetë, që dihet nga të gjithë dhe këta, nuk mund t‘ ia fshehin më kohës. Kjo për arsye se, një jetë të tërë puna kryesore që kanë bërë, ka qënë veshja e gënjeshtrës me kostumin e së vërtetës dhe lavdia e këtij veprimi, tashmë ka perenduar.
Madje ca referenca që sjellë artikulli në fjalë, për librin“ Ahmet Zogu: Vështrim Historik“ të cilat janë thënë e stërthënë prej më shumë se një gjysmë shekulli, jo vetëm nuk i besojmë, por i hedhim poshtë duke i konsideruar si shpifje krejtësisht të pabesueshme dhe që nuk mund të mbeten më. Faktet e kanë bërë të pavlerë shprehjen: Shpif shpif se, diçka do të mbetet.
Afrimi i kundërshtarve politik, deri në poste ministrore, të atyre që kishin organizuar apo edhe kryer atentate ndaj Ahmet Zogut, bashkë me dekretin e anmistisë që ai firmosi, i hedhin poshtë shpifjet që bëhen për vrasjet e kundërshtarëve politik, për të cilët, akoma akuzohet NMT Mbreti i shqiptarëve Zog I. Dihet që tre atentatorët e Mbretit Zog I, janë pushkatuar nga komunistët. Organizatorët e atentateve ndaj tij, janë burgosur apo shpallur tradhëtarë e armiq, nga i ashtuquajturi pushtet popullor, gjë që Zogu nuk e bëri, jo se nuk i kishte mundësitë, por ngaqë, Ai nuk ishte vrasës. Siç e pohojnë Eqerem bej Vlora, Sejfi Vllamasi dhe bashkëkohës të tjerë me peshë, në librat e tyre memorial dhe plotësisht të besueshëm.
Vjedhjen e floririt, që në artikull na serviret si e vërtetë e librit të autorit të “paanshëm“, e ka hedhur poshtë një komision parlamentarë i parlamentit të viteve 93-94 i përbërë nga të dy krahët e politikës së asaj periudhe, aspak dashamirëse ndaj figurës së Mbretit Zog I. Kështu që edhe libri në fjalë, bashkë me artikujt që e trumbetojnë si të paanshëm autorin e monografisë së sipërcituar dhe të mbështetur në kritere shkencore veprën e tij, nuk mund të njollosin figurën e Mbretit Zog I, i cili e ngriti pothuajse nga hiçi shtetin shqiptarë.
Ndërtoi një infrastrukturë të denjë, për kohën e shkurtër të qeverisjes së tij. Hodhi themele të shëndosha në fushën e arsimit, legjislacionit, shëndetësisë, kulturës, historisë, bujqësisë blegtorisë, e degëve të tjera të ekonomisë së vendit, të cilat më parë thuajse nuk ekzistonin. Për të gjitha këto, ka fakte të dokumentuara që nuk është vendi ti përmendim të gjitha me radhë në këtë material të shkurtër. Këto janë vetëm disa nga faktet që po i shërbejnë sot, ç’indoktrinimit të shoqërisë së ditëve tona, të cilat na bëjnë të mos i besojmë më të pabesueshmet shpifje.
Homazh për atdhetarin Ramiz Mena
Nga Luftar Pepmarku/
Ne Foto: Nga e djathta: Prof. Miftar Spahija, dr. Fuad Myftija,Ramiz Mena dhe Ndrec Gjergji ne Nju Jork/
Me datën 24 korrik 2015 ditën e premte ( e xhuma ) ora 13 e 30 minuta, u nda nga jeta njëri nga bijte e familjes së nderuar të fisit Mena të Lurës, Ramizi. Ai si njëri nga vazhduesit e denjë të traditave më të shkëlqyera të kombit, mbështetur në përvojën e paraardhësve të familjes së tij, e mbylli faqen e fundit të librit të madh të jetës, me plot dinjitet. Pa shkuar larg në historinë e familjes së tij, nuk mund të lë pa përmendur, ndonjë shembull që mendoj se, ka qënë busulla orientuese e gjithë qëndrimeve të Ramizit, në jetën e tij plot tallaze e dallgë të stuhishme. Gjyshi i tij Ali Mena, ishte përfaqësues i krahinës së tij, në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Në vazhdën e qëndrimeve të tija atdhetare, kur trupat e ushtrisë malazese kishin pushtuar Shkodrën dhe po marshonin në drejtim të Lezhës, ai vritet në ballë të luftimeve, bashkë me nipin e tij Isuf Mena në Malin e Kakarriqit, në vitin 1912. Gjyshi i tij Ali Mena, ishte përfaqësues i krahinës së tij, në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Në vazhdën e qëndrimeve të tija atdhetare, kur trupat e ushtrisë malazese kishin pushtuar Shkodrën dhe po marshonin në drejtim të Lezhës, ai vritet në ballë të luftimeve, bashkë me nipin e tij Isuf Mena në Malin e Kakarriqit, në vitin 1912. Forcat e Bajrakut të Lurës, nën udhëheqjen e Ali Menës, përbënin formacionin e parë të luftimeve të inkuadruara nën drejtimin e të riut 17 vjeçar Ahmet Zogu. Baba dhe axha i tij, përkatësisht Hakiku dhe Selmani e vazhduan rrugën e Aliut në të gjitha ngjarjet pasardhëse, që u zhvilluan në gjysmën e parë të shekullit XX-të. Ata do të shihen në mbështetje të Ahmet Zogut, në shpalljen e pavarësisë, në mbrojtje të trojeve amëtare gjatë luftës së parë botërore, në Kongresin e Lushnjes, në vendosjen e rendit dhe krijimin e stabilitetit, deri në 7 prillin e zi të pushtimit të vendit tonë nga fashistët italianë. Edhe në këtë rast, ata me gjithë djemtë e tyre, do të ishin në qendër të dhunës së kësaj force pushtuese, mbi 40 herë më e madhe se Shqipëria, me një potencial të madh armatimi dhe nga më modernët e kohës. Baba i Ramizit, Hakiku, i shpallur si kundërshtarë i forcës pushtuese, arrestohet dhe e çojnë në pikën e grumbullimit në qytetin e Beratit, prej nga ku do t’i nisnin në ishujt e Italisë. Mosha e vjetër dhe rëndimi i gjendjes shëndetësore, i detyruan autoritetet pushtuese t’ia dorëzojnë familjes, për ta kthyer në Lurën e tij të dashur. Këtu i mbylli sytë përgjithmonë edhe ky luftëtarë i vendosur i familjes Mena, kariera e të cilit kishte filluar në vitet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, me mbarimin e shkollës ushtarake në kryeqytetin e perendorisë, në Stamboll. Në këtë kohë, gjimnazisti i viteve të para Ramiz Mena, u bashkohet protestave dhe demostratave antifashiste, ku ishte angazhuar rinia e kohës. Rrjedha e ngjarjeve e vuri familjen e tij në llogoren e një lufte të re, me rrëmbyesit e flamurit të fitores së luftës, kur lufta me pushtuesit kishte mbaruar dhe nuk do të kishte të mbaruar, ajo mes shqiptarëve. Ramizi edhe në këtë luftë, do të ishte krah vëllezërve dhe axhës së tij me djem, nga të cilët 9 u vranë maleve të Shqipërisë, nga forcat e diktaturës. Gjatë viteve të burgut jetoi me dinjitet mes vëllezërve Ali, Isa, nipit Mexhit Mena. Mes miqve e shokëve Sami Kupi, Xhaferr Kurti, Zini Dervishi, Akil Basha, Enver Hasa e mjaft personalitetesh të tjera me emër, në historinë e qëndresës antikomuniste shqiptare. Ai nuk u dëgjua të fliste ndonjëherë për vuajtjet e tija në mal, gjatë viteve të arratisë, në burg gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, në internim ku e kaloi jetën bashkë me familjen e tij, deri në vitin nëntëdhjetë, të shekullit XX-të. Ndonëse kujtonte me dhimbje dhe tregonte rrjedhshëm e deri në detaje, për qëndresën dhe vuajtjet e shokëve në burgjet dhe kampet e internimeve. Skena të tmerrshme nga qelitë e burgjeve, Këneta e Maliqit, Kampi i Bedenit e deri te mbathja e nallçeve, në shputat e këmbëve me gozhdë në Kalanë e Gjirokastrës, janë disa nga skenat rrënqethëse që nuk të shqiten nga mendja. Ai do të shprehej me respekt e konsideratë të lartë mes të tjerësh, për Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqin, Ahmet Kolgjinin, Ded Gjonmarkajn, Angjelin Martinajn e shumë të tjerë. Nuk ishte në natyrën e tij, të përgojonte e të fliste keq edhe për ndonjë,që vuajtjet dhe turturat mund ta kishin përkulur. Pas vitit nëntëdhjetë, do të shfaqej madhërisht mes një grupi idealistësh siç ishin, Ibrahim Sokoli, Sami Kupi, Ahmet Kolgjini, Lin Martini, Akil Basha, Skënder Kalaja ( Zogolli ) Gjon Përjaku e shumë të tjerë, që do të duhej një listë e gjatë për t’ i përmendur të gjithë. Ramizi shquhej midis tyre, për një përkushtim të jastëzakonshëm, një maturi dhe durimi të admirueshëm, gjithnjë modest në qëndrimet e tija, larg bujës e të dukurit në rreshtat e parë apo tribunave të kohës. Me këto vlera që posedonte, do të fitonte shumë shpejt simpatinë dhe respektin e NMT Lekës I Mbreti i Shqiptarëve, Nipit të Mbretit zog ing. Skënder Zogut, nipit tjetër të mbretit Princ Tatit, Fuat Myftisë, Hysen Mulosmanit e shumë të tjerëve nga diaspora shqiptare. Gjithnjë konseguent në qëndrimet e veprimet e tija, mes legalistëve, bashkëvuajtësve, rrethit shoqërorë e miqësorë. Për ilustrim të modestisë së tij, po sjellë në kujtesë një episod në njërin prej takimeve të viteve të para, pas legalizimit të PLL. Ishim në vendlindjen e Mbretit Zog I, në fshatin Burgajet të Matit. Shumë veta ngjisheshin pas stomit ku do të flisnin oratorë të ndryshëm. Mbaj mend në këtë takim veç të tjerësh ishte edhe doktor Fuat Myftia. Aty rreth tij u vu re një lëvizje njerëzish. Dikush tha: Po kërkojnë z. Mena për ta pas në krah në vendin nga ku do të mbaheshin fjalimet. Kur e shohin diku nga cepi i turmës me vështrimin matanë kodrave të Burgajetit, në drejtim të Klosit. E thirrën dhe erdh e u bashkua me shokët, në krah të Fuat Myftisë. Më vonë dikush e pyeti: -Përse e bëre këte shmangie atë ditë në Burgajet? Ai u përgjigj: -Kisha vite pa ardhur këtyre anëve, se e kishim të kufizuar lëvizjen. Merre me mend, deri në vitin 90-të, në mal, në burg dhe në internim, pa e patur një ditë të vetme lirie. E shpeshherë, më duket sikur dëgjoj zërat e vëllezërve të vrarë dhe të axhës Selman. Mjerë kush mbetet i fundit, për t’ i kujtuar tmerret e viteve të diktaturës. Isha përqëndruar me vështrim nga pylli i fshatit Mallunxë. Atje u rrethuam befasisht dhe mbetën të vrarë nga familja jonë, Mixha Selman me tre nga djemtë e tij. Asnjë nga ne që shpëtuam, nuk doli pa plagë në trup, nga ai rrethim. E çfarë të kujtosh më parë nga jeta e tij. Bashkëvujtësit e tij, shumica janë larguar nga kjo botë me kohë. Natën e parë të buajtjes së trupit pa jetë të Ramizit në shtëpinë e tij, ishin pasardhës të bashkëvuajtësve të tij. Ata e ngrysën natën pa mbyll sy, duke kujtuar episode nga jeta e Ramizit. Vdekja është njëri nga ligjet e natyrës. Asajë nuk i shpëtojnë as shenjtorët, as mbretërit e perandorët. Por e rëndësishme është kur njeriu le pas vetes, pasardhës dinjitoz. Vdes me faqe të bardhë dhe kanë se çfarë të kujtojnë për mirë të gjallët pas tij. Kujtime këto që shpresoj t’ua lehtësojnë dhimbjen fëmijëve, vëllait, motrave, nipave e mbesave, miqëve e shokëve, të gjithë atyre që e deshën dhe i deshi aq shumë në jetë. Sado të shkruaj, është e pamundur të përshkruhen të gjitha ngjarjet e një jete kaq të mbushur me vuajtje e sakrifica të përballuara me dinjitet e ndershmëri. Në jetën e Ramizit prej gati 90 vitesh, shkëlqyen mrekullisht vitytet dhe thjeshtësia. Po e mbyll këtë shkrim duke uruar që ti kenë jetë pasardhësit dhe qoftë i paharruar kujtimi i tij.(E dergoi Hakik Mena)