Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi në Selinë e Bashkisë Malësi e Madhe u zhvillua ceremonia, e kryesuar nga Kryetari i asaj Bashksie, Z. Tonin Marinaj, për të nderuar njërin prej intelektualëve të njohur të atij trolli – poetin dhe shkrimtarin malësor prej Shkrelit – të ndjerin Luigj Kolë Çekaj. Frank Shkreli: Luigj Çekaj – Poeti i përndjekur i Shkrelit të Malësisë së Madhe | Gazeta Telegraf — Frank Shkreli: Luigj Çekaj dhe libri i tij i dhimbjes “Unë vij nga Shkodra” | Gazeta Telegraf
Sipas njoftimit nga familja e Luigj Çekaj, që u botua edhe nga portali, “Zani i Veriut”, Bashkia Malësi e Madhe, me në krye shefin e saj, Tonin Marinaj organizoi, javën e kaluar, një eremoni zyrtare per dorëzimin e titullit ” Qytetar Nderi” i Malësisë se Madhe, për poetin Luigj Kolë Çekaj (pas vdekjes). Në sallën e Bashkisë, plot e përplot me të afërmë e dashamirë të poetit, e pranishme ishte edhe familja e tij, e përfaqësuraar nga bashkshortja dhe djali i Luigj Çekajt. Pas himnit kombëtar u mbajt një minutë heshtje në nderim të poetit malësor i cili ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1990-ave, pas shembjes së komunizmit, ku edhe ndërroi jetë, në Janar të vitit 2021.
Familjes, miqëve dhe dashamirësve të shumtë të pranishëm që kishin shkuar atje për të nderuar poetin dhe shkrimtarin e Shkrelit, iu drejtua të pranishëmve me disa fjalë duke i përshëndetur i pari i Bashkisë, Malësia e Madhe, Z. Tonin MARINAJ. Z. Marinaj i dorëzoi familjes e pranishme aty, ardhur për atë qëllim nga Shtetet e Bashkuara, dekoratën, “Qytetar Nderi”, akorduar Poetit Luigj Çekaj nga Shkreli i Malësisë së mbi-Shkodrës – pasi ai lexoi motivacionin për dhënjen e dekoratës Luigj Çekajt:
“Për punën dhe përkushtimin e tij si një qytetar bashkohor. Si atdhetar dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare shqiptare. Si një përfaqësues i denjë i letërsisë dhe kulturës malësore mbarë shqiptare, ku me poezinë dhe prozën e tij edhe pse në mërgim prej kohësh, nuk e ndau asnjiherë vendlindjen e tij, por duke lartësuar kurdoherë trevën tonë, Malësin[ e Madhe e më gjërë.”
Kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj,
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ilir Hanaj.
Ndërkaq, në emër të familjes përshëndeti bashkëshortja e Luigjit, Violeta Çekaj, e cila duke falënderuar Bashkinë dhe Kryetarin e saj, Z. Marinaj, shtoi se Luigji u rrit jetim, te dajat pasi babën e vet – të arratisur nga komunizmi — e ka takuar pas 46 vitesh në Nju Jork. Në fjalën e saj, Violeta Çekaj falënderoi — për këtë nderim që i benë bashkshortit të saj të ndjerë — Kryetarin e Bashkise, Z. Tonin Marinaj, duke shprehur gjithashtu respektin dhe falënderimet e saj dhe të familjes si dhe të gjithë atyre që morën pjesë në atë ceremoni vlerësimi për Luigjin duke u shprehur se se né, kurrë nuk e harrojmë Malësinë e Madhe, tha ajo.
Dhënja e kësaj dekorate, poetit e shkrimtarit Luigj Çekajt, me të drejtë u cilësua si një vlerësim i merituar nga Bashkia Malësia e Madhe, “Për një personalitet të madh si Luigj Çekaj, i cili i bán nder Shkrelit, Malësisë dhe Kombit Shqiptar. Një ceremoni e thjeshtë, për një emër të Madh”, u cilësua tubimi në nderim të Luigj Çekajt orgnaizuar në Kryeqëndrën e Malësisë së Madhe në Koplik.
Për të ndjerin Luigj Çekaj, si bashkvendas imi nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe mik i familjes time e të cilin kam pasë nderin ta njoftoj vetëm pas ardhjes së tij në Nju Jork, në fillim të viteve 1990-a, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe për të cilin, në të kaluarën, kam shkruar disa artikuj modestë në kujtim të personit, punës dhe veprimtarisë së Luigj Çekaj këtu në Nju Jork. Si një anëtar i vyer i komuniteit shqiptaro-amerikan, të cilit edhe sot i mungon shumë prania dhe kontributi i tij letrar dhe shoqëror.
Ishte nder e privilegj për mua që të merrja pjesë në propozimin – si më poshtë — që i kam bërë Bashkisë Malësi e Madhe, gushtin që kaloi, që të nderojë – këtë bir të trojeve tona, për punën dhe aktivitetin e tij si poet e shkrimtarë por edhe si përfaqsues dhe intelektual i denjë i Malësisë së Madhe në mërgim, por njëkohësisht, edhe i komunitetit shqitaro-amerikan me të cilin ishte shumë i angazhuar. Falënderimet tona Kryetarit të Bashkisë, Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj dhe Këshillit të Bashkisë për dekortaën që i ka akorduar poetit e shkrimtarit malësor, të ndjerit Luigj Çekaj.
Propozimi im drejtuar Bashkisë Malësi e Madhe për nderimin e Luigj Çekajt me dekoratën “Qytetar Nderi”, (pas vdekje) i Malësisë së Madhe:
Nju Jork, Gusht, 2022
PROPOZIM: QË POETI I NDJERË LUIGJ ÇEKAJ TË SHPALLET QYTETAR NDERI I MALËSISË SË MADHE
I PROPOZOHET BASHKISË: MALËSI E MADHE
PROPOZUESI: FRAN SHKRELI
TITULLI: “QYTETAR NDERI I MALËSISË SË MADHE”
Personi: Poeti e shkrimtari Luigj Çekaj (pas vdekjes)
Luigj Çekaj, shkrimtar e poet, bir i Shkrelit të Malësisë së Madhe, i kësaj treve me emër e za dhe lavdi prej shekujsh i dha Kombit shqiptar trima, poetë e shkrimtarë. Personalitete që me verpimtarinë e tyre artistike dhe njerëzore – mbrenda dhe larg Malësisë së Madhe – sa ishin gjallë por edhe pas shkuarjes në amshim, ata me veprat e tyre dhe trashëgiminë që kanë lënë pas, vazhdojnë të kontribojnë. Me veprat e tyre, ata vazhdojnë t’i japin nam e za Malësisë së Madhe, duke nderuar vlerat e shënjta iliro-arbërore të pakrahasueshme, për të cilat krenohen të gjithë malësorët, kudo që jetojnë sot, në trojet tona të shënjta të Malësisë së Madhe dhe anë e mbanë botës. Njëri prej këtyre malësorve krenarë që nderon të gjithë ne dhe Malësinë e Madhe ishte edhe Poeti e Shkrimtari me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj.
Kam nderin dhe privilegjin që Luigj Çekajn — këtë bir të madh të Malësisë së Madhe — t’a propozoj për dekoratën: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”. Ai, me veprat e tija kudo shkoi dhe me këdo që u takua – Luigj Çekaj, vetëm nder e lavd i çoi Malësisë, në nivelet më të larta shqoërore, intelektuale dhe patriotike, mbrenda dhe jashtë Shqipërisë. Vlerat shekullore të Malësisë së Madhe: nder, burrëri, besë e trimëri, Luigj Çekaj i pasqyron në të gjitha veprat e tija, poezi e prozë. “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua”, është shprehur, shkrimtari i madh Ismail Kadare, për veprat e Luigjit. Një zbulin – siç ishte dhe është i tillë për të gjithë ne që e kemi njohur, por edhe ata që kanë lexuar veprat e Poetit dhe Shkrimtarit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj.
Për këto arsye dhe të tjera që mund të lexoni në artikujt më të gjërë — bashkangjitur këtij propozimi linket mund ti gjeni më poshtë — unë Frank Shkreli propozoj dhe rekomandoj me gjihtë zemër që Poetit dhe Shkrimtarit, Luigj Çekaj, me origjinë nga Malësia e Madhe, t’i akordohet dekorata me titullin: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe” – se ai veç nder e lavd i ka sjell Malësisë dhe mbarë Shqipërisë. Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngushtë pas vendosjes së tij në Amerikë, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar, nderoi veten dhe familjen e tij të ngushtë, fisin e origjinës, Malësinë e Madhe dhe më gjerë. Shkodra dhe Shkreli janë krenarë me të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për vitet sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara.
Prandaj propozoj dhe rekomandoj, me bindje të thellë për meritat e tij, emërimin e Luigj Çekaj për titullin e lartë të Bashkisë së Malësisë së Madhe: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”:
Me Motivacionin:
“Si një prej përfaqësuesve malësorë më të denjë të letërsisë dhe të kulturës shqiptare të Malësisë së Madhe dhe përtej, i cili me poezitë dhe me librat prozë, ai me integritet, profesionalizëm dhe atdhedashuri, mbrojti dhe promovoi, gjuhën, kulturën, traditat dhe vlerat, në përgjithësi, të cilat dallojnë trojet shekullore të Malësisë së Madhe. Duke ndriçuar me veprën e tij, njëkohësisht, edhe mbarë shoqërinë shqiptare në Atdhe dhe në Diasporë. Për rolin dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale shekullore të malësorëve, në mbrojtje të interesave dhe identetit kombëtar të malësorëve dhe shqiptarëve kudo që gjënden.”
Me shumë respekt për bashkvëllëzrit e mi në Bashkinë e Malësisë së Madhe, mbetem i jueji,
Vëllazënisht, Fran Shkreli
Poeti dhe shkrimtari Luigj Çekaj, “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe
*Fotot nga ceremonia, marrë nga portali, “Zani i Veriut”
Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj me bashkshorten dhe djalin e poetit Luigj Çekaj
Pamje nga salla e e Bashkisë Malësi e Madhe