Nga Gezim Zilja/
Lul Çapari, ishte nga dera e famshme e Çaparenjve, të fshatit Luarat në kazanë e Margëllëçit. Si luftëtarë të tjerë çam, qysh në moshë të re, ka qenë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës. Më vonë në vitin 1847 mori pjesë në ‘’Besëlidhjen Shqiptare’’. Anëtarët e Besëlidhjes i dërguan një letër mbretit Oto të Greqisë për ndihmë, që me gjithë premtimet nuk mbërriti kurrë. Letra u firmos nga 89 krerë të Besëlidhjes, ku nga krahina e Çamërisë spikasin emrat e Lul Çaparit, Muhamet Abazit, Muho Pre(o)njos, Zahir Pronjos, Xhafer Demit, Ahmet Dinos, Muharrem Behlulit, Latif Elmazit, Xhate Selfos etj.
Kënga thotë: Shqipëtarët anembanë/u mblodh e fjalën dhanë/mbretit s’i japim nizamë/ të parë Çelo Picarë/… dhe pastaj gjithë me radhë/ Zenel Gjolekë Kuçjoti/ Hodo Ali nivicjoti, Fejzo Çikë i borshjoti,/ Spiro Stoja nga Labova/që kudo ia bënte fora/çorrajt më Foto Kopalë/Qeparoi Gjikë Thanasnë/edhe kapedan Sokratnë/Të gjithë trima me pallë/ bashkë me Lulë Çaparë/ erdhën e zunë Picarë/Te rrapi me dega tëndë/ Atje e bënë Kuvendë. Dhe më tej: Lumi i Vlorësë nëntëmijë/ Delvina me Çamërinë/Berati me Toskërinë.
Pas dështimit të Lidhjes, Lul Çapari si shumë kryengritës të tjerë kalon në arrati. Turqit me dredhi e pabesi arritën të kapin një pjesë të madhe të udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1848. Disa prej tyre i eliminuan fizikisht ose i mbyllën në burgjet e errëta të perandorisë; një pjesë tjetër e falën, duke i vënë nën armë, në luftën e zhvilluar kundër Greqisë dhe Mali të Zi.
Nga ndjekjet e shumta që iu bënë, çdo herë ai do të shpëtonte, duke luftuar, derisa rrethohet keq në fshatin e tij Luarat. Foli një zë kaha mali/Të iki Lule Çapari/Luli mori të rrëpjetë/iu mbush sharkëza me vesë/Vlleh e vllaha treqind vetë/Luli u kërkoj fushekë/ata klenë të pabesë. Në disa këngë ai thirret Lulo, Lule ose në trajtën e shquar Luleja. Ndoshta bëhet një paralelizmë midis emrit të tij dhe bukurisë fizike që e karakterizonte. Në vargjet e mëposhtëme të bëjnë përshtypje fjalë e shprehje të një bukurie të rrallë: Mirënata morfanjotë/ Keni vënt për mua sonte?
Lul Çapari me sa shihet ka arritur në muzg, sapo fillon të erret. Ai nuk thotë mirëmbrëma, shprehje e zakonshme kjo sot, por mirënata, pra mirë se u vjen nata ose t’u gjejë mirë nata! Dhe më tej: Ti moj plaka shenicjote/keni vend për mua sonte?/Bujrum Lul Aga zotrote/ kemi sonte dhe si sonte. Plaka shenicjote e pret me gjithë zemër ‘’Bujrëm’’, por fjalët ‘’kemi sonte dhe si sonte’’ ‘’përkthehen’’: kemi sot plot dhe gjithë ditët e tjera janë si kjo e sotmja. Ndërkaq Lul Çaparin, në ecejaket e tij të pafundme në fshatin e lindjes ku kishte gruan dhe fëmijët e spiunojnë. Në një situatë të tillë i duhet të marrë një vendim të shpejtë sepse vonesa do të ishte vdekja e tij. Ai veproi si gjithmonë pa iu trembur syri. Lul Çapari ia hipi diçit(kalë i bukur)/ çajti mal’ e Margëlliçit/Lulo me nishan në ballë/kur more turtje mejdanë/Njëqind e njëzetë të ranë/Njëqindenjëzetë fushekë/Bir o Lulo çi dogje vetë. Nga pas si gjithmonë e ndiqte miku i tij i ngushtë, trimi tjetër i Çamërisë Memet Kollovi. Lul Agai arriu e dolli/ pas e pas i ra Kollovi/Kollovi i Saqe Meçesë/pas e pas i ra Lulesë. Mirpo Luli i kishte lënë amanet gruan dhe fëmijët shokut të tij. Kur pa që po e ndiqte nga prapa e pyeti: Ç’i bëre djelt e Lulesë/Në shtëpi i lash të zestë/lumi i marrtë e zjarri i djektë/se u s’di ku kam krie’të. Në këto kushte Lul Çapari kthehet prapa dhe i dorëzohet komandantit turk Çollak Gegës, me kusht të linin të lirë gruan me fëmijët. Me të shkon dhe Haxhi Demi me shpresën se valiu i Janinës do t’i falë. U kthe Lulia e rreth i vunë /Në Janinë lidhur e shpunë/ Lulenë që s’trembej kurrë/Kur e panë morfaqotë/palë palë u vanë lot/ Në qafë të Belbestenit/i dha selam Haxhi Demit/Hajd’ or Haxhi Dem’ të vemi/se ftuar na ka sadrazemi/të mir’ a të keqe kemi? Thuhet se i çuan në Stamboll te Sulltani ku së bashku me Xhaferr Demin u zhdukën në mënyrë misterioze. Por këngët japin dhe një variant tjetër të vdekjes së tij, kur e dërguan në Janinë: Lul Agai hip shkallatë/xhelati trois pallatë/… Në Janinë lidhur e shpunë/ Lulenë që s’trembej kurrë/ Mu ne portë e dervenit/ia prenë kokënë si demit.
Në gjithë këngët epike hasim një qëndrim të ashpër për tradhëtinë e tradhëtarët, qoftë dhe vendi i lindjes si në këtë rast. Ra mjegulla e zuri fshanë/ Atë fshanë Luaranë/Luarat këmbë mos mbetë/se zunë Lulinë e shkretë. Sigurisht që Luarati nuk u shua dhe këtë këngë Lul Çaparit, ia ngritën vetë luaratasit. Mallkimi ‘’Luarat këmb’ mos mbetë’’ ka të bëjë më shumë pendesën dhe keqardhjen, që nuk mundën ta shpëtonin dot birin e tyre. Është si ajo shprehja që përdoret edhe sot për një njeri të afërm që e kemi lënduar pa dashur:, që ka kuptim vetqortimi ‘’Më hëngërt mortja!’’ ose ‘’Mu thaftë dora!’’.