• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të vdesësh nga vetmia, kjo vuajtje johumane

August 27, 2021 by s p

Nga Majlinda Bregasi

Don Lush GJERGJI, Conversazioni con Madre Teresa, VELAR – Dottrinari, 2021, f. 95. Kur të pish një pikë ujë kujtohu për mua, lutu për mua dhe unë gjithmonë do të të kujtoj në lutjet e mia përpara Zotit tonë, sepse ti je prifti im.

Janë këto fjalët e fundit që Shën Nëna Terezë i thotë autorit të këtij libri, Dom Lush Gjergjit, që për mua janë shumë domethënëse nga shumë pikëpamje. Dhe si gjithmonë fjalët e fundit janë ato të pashlyeshmet, testamenti që u duhet transmetuar të tjerëve, është besa për ne shqiptarët. Kush e njeh Dom Lushin, veprimatarinë e tij të pashterrshme, librat e tij dhe atë si person, gjithmonë i gatshëm për të të dëgjuar e për të të kuptuar, pa të gjykuar kurrë, nuk e ka të vështirë ta kuptojë përkushtimin dhe adminirimin e tij për Nënë Terezën e Kalkutës. Nuk e di nëse kjo rrjedh nga lidhja e gjakut, ajo etnike, apo nga lidhja shpirtërore, ajo që i lidh njerëzit në botë nga të njëjtat ndjenja humane, por është e qartë që Shën Nënë Tereza është muza e tij. Analiza e bisedës është fusha ime e ngushtë e studimeve, ajo që më frymëzon për të kuptuar natyrën humane nëpërmjet akteve spontane të komunikimit, natyrale, të papritshme, të paprojektuara, por gjithmonë të qëllimshme. Ne e organizojmë jetën, ndërtojmë marëdhëniet tona me të tjerët nëpërmjet bisedave të përditshme, ku gjuha njerëzore shfaqet në natyrshmërinë e saj të plotë, pa përpunime stilistike e semantike mbi letër. Janë gjithë ato fjalët që me të dalë nga goja hyjnë direkt në mendjen e të tjerëve, duke prekur edhe ndjenjat më të fshehta. Forca e fjalës, mbi të cilën janë ngritur monumente mendimesh duke u nisur pikerisht nga Bibla, ‘E para ishte fjala’, që në bisedat e përditshme merr krahë. Dhe ja ku qendron bukuria e këtij libri dhe mençuria e autorit që na sjellë pjesë të bisedave të tyre për të na hapur me natyrshmëri dyert e një bote që na përket më shumë sesa e mendojmë.

Fluturojmë tash drejt botës së pafundme së një gruaje të vogël, nga një vend i vogël, i parëndësishëm për botën, që mrekulloi njerëzimin me forcën e saj shpirtërore, me përkushtimin e saj ndaj të tjerëve dhe me dashurinë e saj për jetën. 

Jeta, jeta njerëzore. Ajo që nuk mund të hiqet mënjanë, të zvetënohet, të hidhet poshtë, të harrohet. Sepse Zoti tha që vlejmë më shumë se lulet, thotë Nënë Tereza që këtë vlerë diti ta ridimensionojë, jo përpara Zotit, sepse dashuria e tij është e pafundme, por përpara nesh, pasi shpesh na qëllon të humbasim në përditshmërinë tonë.

‘E dimë se ka sëmundje të rënda në botë, por gjithmonë e më shumë po e shohim se sëmundja më e madhe në botë është që njerëzit nuk kanë dashuri njëri për tjetrin, nuk ka dashuri mes tyre’, ankohet shenjtja jonë. Mungesa e dashurisë, mbyllja në vetvete, përqendrimi në universin tonë të vogël duke injoruar gjithë atë që është përreth nuk bën gjë tjetër, përveçse të rrisë distancën me të tjerët, duke na bërë gjithmonë e më të huaj me botën, gjithmonë e më të varfer në ndjenja. Sepse nuk mjafton pasuria për të qenë të pasur.

Pse dhurojmë? Shpesh ia kam bërë vetes këtë pyetje duke menduar për atë ndjesi që prodhohet pasi kemi bërë një veprim që e dimë mirë që për dikë do të thotë shumë. Sepse i duam të tjerët? Sepse kemi mësuar që nuk mund të jemi të lumtur kur të afërmit tanë vuajnë? Sepse kjo pandemi globale, si asnjëherë më parë, na mësoi se fqinjët tanë janë edhe ata që jetojnë në kontinente të tjera? Se kjo botë, konfuze dhe indiferente në pamje të parë, në realitet është shumë më e lidhur? Se pasuria e të pasurve varet direkt nga forza e të varfërve? Apo sepse të dhurosh të bën thjesht të lumtur? Dhe ne dhurojmë për këtë motiv, sepse duam të jemi të lumtur. Dhe nuk ka rëndësi ku shkojnë dhuratat tona, ne buzëqeshim çdo herë që e bëjmë, ndihemi të dobishëm. Është pikërisht të ndjerit i padobishëm që krijon një vuajtje të madhe dhe na shpie në dëshpërim të thellë e depresion.  

Na kanë mësuar se qenia njerëzore është një makinë shumë e komplikuar dhe si e tillë është perfekte. Por praktikisht ne kuptohemi pa sforcime edhe me njerëzit që u përkasin kulturave dhe gjuhëve të largëta. Të gjithë kemi të njëjtën buzëqeshje. Të njëjtat lot. Të gjithë kemi uri, etje dhe mbi të gjitha kemi një nevojë të madhe për të ndier dashurinë e të tjerëve.

‘Njerëzit në gjithë botën vuajnë kryesisht nga vetmia, nga braktisja… Nuk vdesin vetëm nga uria, mund të vdesin nga vetmia, nga të mos pasurit asnjë njeri me të cilin të flasin. Kanë nevojë për të pasur afër dikë që i do.’ Të vdesësh nga vetmia, çfarë vuajtje jonjerëzore!

Gjatë gjithë jetës kam jetuar si kafshë, por po vdes si engjëll, i tha një njeri i varfër, i braktisur nga familja, nënë Terezës ndërsa ajo e mbante në krahët e saj. Faleminderit! Ishin fjalët e tij të fundit ndërsa jepte shpirt. Një Faleminderit që flet shumë, një Faleminderit që Nënë Tereza nuk do ta harronte kurrë.

Shenjtja jonë ka takuar miliona njerëz në botë dhe ka ditur të shprehë me fjalë kaq të thjeshta shqetësime kaq të mëdha të njerëzimit. Vetmia. Ky burim i pashterrshëm për frymëzimin artistik që i ka shtyrë njerëzit të krijojnë kryevepra arti, ky burim vuajtjesh është po kaq i domosdoshmëm edhe për të ndier praninë e Atit.

‘Vuajtja është shenja që Zoti na do sepse na afron me të, na bashkon me kryqin e tij. Kur shoh njerëzit që vuajnë kaq shumë mendoj që kalvari është gjithkund, që vuajtja e Krishtit jeton te njerëzit tanë. Duke parë Krishtin e kryqëzuar, shohim kokën e tij të përkulur për të na puthur, krahët e hapura për të na përqafuar, zemrën e hapur që të mund të gjejmë një strehim te ai.’ Ja pse shërben vuajtja për Nënë Terezën: të mos harrojmë Atin, sakrificën e tij për ne, dashurinë e tij, praninë e tij.

Por a arrihet që me dashuri të tejkalohet çdo gjë?

Deri tani kam arritur të arrij çdo gjë me dashuri dhe me lutje, i thotë shenjtja Dom Lushit, ‘por këtë jo’ duke iu referuar kërkesave të pandërprera ndaj shtetit shqiptar për t’i dhënë leje të vizitonte nënën dhe motrën që jetonin në Tiranë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Nuk i kishte parë që në vitin 1928, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk ia dhanë kurrë atë leje. Nënë Tereza mundi vetëm të vizitonte varret e tyre pas rënies së regjimit.

‘Ende ekzistojnë kufij dhe pengesa që as dashuria nuk arrin t’i tejkalojë. Vetëm Zoti e di motivin pse nëna dhe motra ime duhet të vuajnë kaq shumë në këtë botë. Pa dyshim, lutjet dhe sakrifica e tyre më ndihmojnë shumë në misionin tim. Çdo gjë për lavdinë e Zotit’ thotë shenjtja me fytyrën e trishtuar. Ajo grua trupvogël që dukej si e bërë prej hekuri e nuk mposhtej përpara asgjëje, ajo që kishte i dhuruar botës mijëra buzëqeshje, ajo që ua kishte zbutur dhimbjen njerëzve të braktisur nëpër rrugë, të cilët kishin dhënë frymën e fundit në prehërin e saj, për herë ta parë i rrëfen priftit të saj dhimbjen personale.

‘Ndonjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra nga Tirana. Shkruajnë pak dhe kanë dëshirë të më takojnë mua dhe vëllain Lazrin… ajo që mund të them është që lutem shumë për Shqipërinë, lutem që Zoti ta ndriçojë kët popull dhe që t’i bëjnë të kuptojnë se nëse duan të jetojnë në paqe duhet të duan njëri-tjetrin… Mendoj se për Kishën tonë katolike shqiptare ende nuk ka kaluar e Premtja e Madhe, por besimi ynë na mëson se jeta e Krishtit nuk përfundon këtu, por vazhdon mbi kryq dhe plotësohet me Ringjallje. Njerëzit tanë nuk duhet e nuk munden ta harrojnë kurrë këtë.  

‘Duajeni tjetrin ashtu si ju do Zoti ju! Kumbojnë fjalët e saj, fjalët e shenjtes sonë që ia kushtoi gjithë jetën vetëm një qëllimi, përhapjes së dashurisë universale, mbi të gjitha për ata që vuajnë.

Prishtinë, 26 gusht 2021                                                         Majlinda Bregasi

(Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze)

Filed Under: Opinion Tagged With: don Lush Gjergji, Majlinda Bregasi, Nene Tereza

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT