• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BACË, PËR KË LUFTOVE?

March 22, 2015 by dgreca

Nga Makfire Canolli/
Sot nuk po shkruaj vargje e as këngë, por do të shkruaj për diçka që në shpirt po më dhemb. Jo, sot nuk po më vlon në shpirt as vargu e as kënga sepse thellë jam e lënduar nga shumë padrejtësi qe po ndodhin atje në tokën tonë, në tokën e përgjakur me shekuj!!!
Dhe jam më se e bindur se këtë dhimbje nuk po e ndiej vetëm unë por qindra e mijëra shqiptarë, qofshin ata në trojet tona qofshin nëpër mërgatën e humbur nëpër Evropë, Skandinavi apo këndej oqeanit në Amerikën e largët!

Është një dhimbje që gradualisht po na vret të gjithëve në shpirt dhe fatkeqësisht po na shkakton plagë. Papunësia dhe varfëria ekstreme qe i ka kapluar vatrat shqiptare ku për fat të keq në mesin e atyre skamnorëve kemi edhe ish të burgosur politik dhe ish luftëtarë të Lirisë është një tradhti jo vetëm e” Idealit kombëtarë” Ideal qe i bashkoi ata trima rreth çështjes kombëtare me shpresën dhe dëshirën se një ditë do të gëzojmë të gjithë ditë më të mira dhe “Liri” të plotë. Por për fat të keq pas gjithë atyre vuajtjeve, persekutimeve, burgosjeve, mallteretimeve, vrasjeve e masakrave sot Lirinë e plotë po e gëzojnë pameritorët ata që fare pak apo edhe hiq aspak nuk kontribuuan për Lirinë e Kosovës!
Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t’u për kë luftuat Bacë?

Bac ,sot nuk po flas vetëm me zërin tim personal, sot po të flas me zërin e qindra e mijëra motrave, nënave dhe grave kosovare qe me lotë i kanë larë mijëra herë rrobat e motrave dhe vëllezërve të burgosur për t’ua larguar njollat e gjakut që rridhte nga torturat sebosllave dhe dhuna qe ushtrohej mbi trupat e tyre nëpër burgjet e Serbisë, në emrin e motrave, nënave dhe grave që me mijëra herë i kanë shikuar rrobat e përgjakura të bijave dhe bijve të tyre të masakruar e të vrarë, të bijave dhe bijve qe ia falën gjymtyrët Atdheut, e të mijëra tjerëve të zhdukur qe edhe pas 16 vitesh nuk gjinden eshtrat e tyre, po të flas edhe në emrin e mijëra motrave, nënave e grave kosovare qe i dhunuan kriminelët e Serbisë, pa i harruar as motrat, nënat dhe gratë e atyre qe na vinin në arkivole sa nga armata e atëhershme ca të tjerë nga mërgimi qe na i vriste UDB-ja serbosllave, e shumë të tjerë i ndiqte e përpiqej t’i vriste. Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t’u për kë luftuat Bacë?
Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria, po robëria ,korrupsioni varfëria dhe anarkia!

Bacë të jesh i bindur shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë qe u vratë të gjithë Ju e që për fat të keq nuk ishit të pakët! E ai ndryshimi është se lufta me armë e me armikun serb përfundoi pjesërisht , por tani populli ynë po përballet me luftën e papunësisë e të varfërisë apo thjeshtë me luftën për ekzistencë dhe më e keqja shumica po luftojnë me vdekjen sepse sëmundjet e ndryshme bashkë me kancerin po lulëzojnë me të madhe dhe po vdesin çdo ditë fëmijët, rinia e të moshuarit e disa përpiqen të gjejnë shërim edhe në shtetet e tjera sepse shteti jonë sapo lindi e kapluan sëmundjet vdekjeprurëse korrupsioni dhe vjedhja të cilat jo vetëm e kanë lodhur por e kanë gjunjëzuar dhe vështirë se do të shërohet ndonjë herë!
Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria! Jo, jo atje po lulëzojnë sëmundjet dhe varfëria dhe padyshim aty ku ka varfëri sëmundjet lulëzojnë me të madhe.
Liria po lulëzon për disa por jo për të gjithë! Liri kanë hajdutët për të vjedhur, për të ndërtuar shtëpi e vila luksoze vend e pa vend, për të blerë makina luksoze vend e pa vend, për t’u punësuar kur duan e ku duan, për të shpenzuar sa të duan dhe kur duan, për të pasur paga marramendëse e shumë e shumë lukse tjera të cilat nuk i shijon e as nuk ka të drejtë t’i shijoj apo t’i gëzoj as fshatari, as qytetari, as punëtori, as bujku, as mësuesi, as profesori, as aktori, as krijuesi,as ish i burgosuri, as ish luftëtari i Lirisë, as fëmijët e dëshmorëve dhe sa e sa të tjerë!
Po Bacë “u krye”! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova!

Bac në Kosovë Liria sa është e përkufizuar aq është edhe e përgjysmuar sepse ashtu siq nuk kanë Liri të plotë dhe të barabartë vetë qytetarët në tokën e Kosovës Liri nuk kanë as shqiponjat të fluturojnë mbi qiellin e Mitrovicës e cila tani e 16 vite është e ndarë apo thënë më mirë pjesa veriore i është okupuar nga serbët dhe Serbia! Dhe Ty o Bacë të thanë “Bacë u krye”!!!
Po Bacë “u krye”! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova dhe të lulëzoj Liria për mbarë popullin tonë!
Lufta u krye Bacë për ata qe mezi prisnin t’i zinin kolltukët e të uleshin në karriget e pushtetit, por jo për trimat e Lirisë të cilët nuk i dorëzuan armët por i ndoqën shkiet e shkinave edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë bashkë me sllavo maqedonasit në Iliridë! 
Bacë Ty të thanë:
Bacë të premë në besë për amanetin tuaj, flamurin kuq e zi e ndërruam,identitetin tone e pjesërisht e ndërruam ,bisedat po i bëjmë me Serbin e bile edhe darka po hamë me ta një tryezë!

Zoti të shpërbleftë me Parajsë bashkë me familjarët tu, dhe ne e kryem punën tonë, Kosovës ja ndërruam Flamurin te premë ne bese për amanetin tuaj qe kurrë flamurin kuq e zi se hoqe nga dora ! Në vend të shqiponjës ja vumë disa yje e ngjyrën kuq e zi ja bëmë “mavi-mavi” dhe bisedimet i filluam prapë me shkie se ashtu po na kërkojnë ndërkombëtarët të cilët jo vetëm qe na e sollën një Pavarësi prej paketës së Ahtisarit si dhe presidenten na e sollën në një zarf të bardh, por edhe na kanë ndihmuar bukur shumë edhe ta rrjepim Kosovën duke e vjedhur se Ti e di Bacë qe Kosova është një thesar qe e ka mbajt gjallë ish Jugosllavinë dhe e ka ndërtuar me pasurinë e saj bishtëmbisht. Dhe si e tillë tani jo qe po na i pasuron neve politikanët tanë , por po i pasuron edhe ndërkombëtarët, bile ,bile edhe Turqit kasaphane e kane bere Kosovën! 
Dhe për fat të keq po Bacë në Kosovë po pasurohet edhe dreqi me të birin por vetëm populli jo!Tek populli po shtohet robëria, papunësia, varfëria sëmundjet qe as emrat nuk jua dinë, aq shumë qe janë duke u shfaqur. Gjatë luftës na përzuri nga Kosova të gjithëve Serbia, dhe u bëmë pikë e pesë, disa në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e disa u shpërndamë gjithë andej nëpër botë.
Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri përmes Serbisë dhe pobratimave të tyre po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët!
Por pjesa dërmuese qe ishin në trojet tona mezi prisnin të ktheheshin në Kosovën e djegur shkrumb e hi dhe të minuar, por i mbante shpresa se do të punojnë të gjithë, do ta ndërtojmë e do të lulëzon Kosova bashkë me Lirinë! Bile edhe ne mërgimtarët mezi prisnim t’i bëjmë pak para e të kthehemi si zogjtë shtegtarë e t’i ndërtojmë foletë tona përgjithmonë në tokën tonë. 
Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri nga Serbia po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët. Edhe sikur të jetë sërish Kosova e minuar njerëzit nuk po pyesin për rreziqe. Ashtu siç u kthyen me nxitim pas lufte në tokën e djegur ashtu sot po ikin nga varfëria qe po ua sjellë për fat të keq kësaj here qeveria shqiptare jo Serbia!
Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bacë popullit po i propozohet t’i vënë në kokë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t’i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia, mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm me mbet pobratima me Serbinë!!!

Familjet e dëshmorëve jo se nuk i gëzojnë ato qe i meritojnë por fëmijët dhe nipat tyre po vdesin për një pikë ilaç qe nuk gjendet kund në Kosovë!
Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bac popullit po i propozohet të protestojnë e të kërkojnë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t’i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia qe të ketë populli ku të kërkoj ndihmë sepse nuk i ka mbetur derë tjetër vetëm te Zoti sepse më nuk po ju ndihmon as Europa e as Amerika, por popullit në ato xhamia i duhet edhe të kërkoj falje për gabimet qe po i bënë vetë duke ua dhënë votën e besimit gënjeshtarëve e hajdutëve tash e 16 vite. Ata po ndërtojnë edhe mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm me mbet pobratima me Serbinë!!!
Bile tani edhe Turqia po bënë be e rrëfe se do ta mbjelli kulturën turke në Kosovë sepse sipas saj “arnautët densëza” e kanë humbur kulturën e osmanëve e ajo duhet me i pru në dinë e iman!
Po Bacë kultura jonë po zbehet disa këngëtare po ua kalojnë edhe prostitutave me veshjet e tyre e disa femra ngjajnë me femrat turko arabe! Bile edhe disa çuna po shkojnë pas mësimeve të disa hoxhallarëve qe e kanë sjell kulturën arabe në Kosovë dhe nuk vishen më si janë veshur më parë po me do pantallona gjysmak e me mjekra qe vështirë e ke t’i dallosh se janë shqiptarë. Pjesa dërmuese e popullit po rrinë në heshtje e po bëjnë sehire e disa i ka lodhur varfëria e sëmundja, por ka edhe nga ata qe janë të zënë me bizneset e tyre. Disa prej luftëtarëve janë burgosur e kriminelët e Serbisë u shëtitin para hundëve të lirë. E pjesa tjetër atdhetare qe janë akoma në gjurmët tua dhe të shokëve të tyre po përpiqen të punojnë akoma për ta quar në vend amanetin tendë dhe të gjithë dëshmorëve por mijëra pengesa e probleme po u dalin përpara nga djalli qe ka hyr në trupat e atyre qe nuk duan të dëgjojnë më për asgjë rreth çështjes kombëtare sepse u tha para kohe:
Bile këtë parullë “Bacë u krye” shpeshherë e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin herët !!! Pra, Bacë, për kë luftove???

“Bacë u krye edhe se kemi parafrazuar se u krye. Bile këtë parullë shpesh e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin herët !!! 
Dhe Ti e dinë Bacë “burrat” një herë flasin!
Kështu Bacë, a u krye për së mbari apo për së mbrapshti për ta pak ka rëndësi kryesorja u krye!
Dhe vërtet Bacë edhe neve aq shumë na i kanë ngatërruar gjërat sa qe jo qe s’po e dimë çka u krye, po nuk po e dimë kur donë me u krye kjo poshtërsi e ky pazar qe po bëhet në kurriz të popullit?!
Popullin e kanë rrokur përpara mijëra halle e politikanët i pat rrok njëfarë ngërçi po si duket i lëshoj pak para vitit të ri se bukur shumë i mbajti e a do t’i rrokë sërish ai far ngërçi nuk di po si po duket moti është i keq , qe sërish t’i rrokë e nëse i kap për së dyti mos vet se nuk ka me i lëshuar me vite. 
Bacë kemi mbetur si pula në mjegull k’ta po thonë “Bacë u krye” e kush s’po e merr vesh çka u krye se hajnia nuk po kryeke kurrë o Bacë! Populli ka mbetur në udhëkryq, nuk na ka mbetur rrugë tjetër vetëm të gjithë po lutemi e po themi qohu nga varri o Bacë e kryeje e tregoju si duhet me u krye se kurrë më shumë UDB-ja nuk ka qene ma aktiv ese qe është tani!. Bacë jemi bërë kajlë të jemi ma mirë në varre vdekur se te gjallë e te robëruar!. Një barre e kemi të madhe edhe ne mërgim. Dheu i huaj peshë po na qon .Ëndrrat po i shohim çdo natë me parullën “Bacë u krye” nuk po besojmë më pa u quar ti nga varri me na treguar se për kënd Ti luftove???, për Lirinë e popullit, apo për te kriminelëve ,hajdutët dh bandat që e hëngrën nektarin e “Lirisë së Kosovës” Pra, Bacë, për kë luftove?

Filed Under: ESSE Tagged With: Bace, Makfire Canolli, per ke luftove

PËRHERË, ME SHPIRTIN E GJALLË TË SHQIPTARISË…

January 19, 2013 by dgreca

-Bisedë e poetes atdhetare Makfire Canolli, banuese në Nju Jork, me prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, Tiranë /

NE FOTO: Në familjen Canolli, nga e majta: Sejdiu, Dalina, Donjeta e Makfirja/

1.-Megjithëse e di që të sjell dhimbje në shpirt,  e nderuara Maki, lutem, më trego shkurtimisht, se kur  dhe si je larguar nga vendlindja? Cilët ishin prindërit  tu?/

– Jam larguar nga Kosova në një kohë, kur populli shqiptar, me anë të protestave përpiqej me çdo kusht të mbronte atë pak autonomi, që e kishte dhe e cila na u muar me dhunë. Pra, ishte viti 1991, kur lashë Kosovën për herë të parë dhe mora një rrugë të panjohur, shkova drejt një bote tjetër, e cila quhet Perëndimi. Prindërit e mi (tashmë të ndjerë) ishin babai, Nazifi dhe nëna, Sabilja. Ishin një çift i mrekullueshëm, të cilët sollën në jetë 4 djem dhe 2 vajza. Unë jam fëmija më i vogël i tyre ose, siç e quajnë atje, “sugaresha”. Na rritën me shumë mund e sakrifica dhe u përpoqën të na edukonin në mënyrën më të mirë njerëzore e, mbi të gjitha, në frymën atdhetare.

Të parët e babait tim kanë jetuar në fshatin Maqedonc, në rrethinat e Sanxhakut. Por ata u detyruan t’i lëshonin me dhunë vatrat e tyre, sikurse qindra e mijëra shqiptarë të tjerë te asaj kohe. Pra, lanë shtëpi e katandi dhe ikën nga mundën, për t’i mbijetuar gjenocidit serbosllav të asaj kohe. Ata morën me vete vetëm emrin shqiptar ose, siç bëri gjyshi ynë i ndjerë, që na e la trashëgim për mbiemër, të cilin e kemi edhe sot, me qëllimin që kurrë të mos harrohen ato toka amtare shqiptare! Duke mos dashur të shkojë në Anadoll, siç vepruan mijëra shqiptarë të tjerë, ai vendosi të ndalet në pjesën verilindore të Kosovës, pikërisht në Malësinë e Gollakut, atje ku lindi babai im. Gjyshi kishte ndërruar jetë, kur babai ynë ishte 7 vjeç. Pra, jeta e tij kishte qenë shumë e rëndë dhe në moshën 13-vjeçare, bashkë me nënën e tij, u detyrua të niset drejt Prishtinës, ku aty u vendosën që të jetonin përgjithmonë.  Babai ynë ka qenë njeri me karakter burrëror e atdhetar, si dhe mik i ngushtë, bashkëpunëtor dhe përkrahës i vendosur i Adem Demaçit dhe shumë trimave të tjerë e luftëtarë të asaj kohe.

Në pranverën e vitit 1982, familja jonë ishte në shënjestër të UDB-së jugosllave.U zbulua edhe veprimtaria ilegale e 3 vëllezërve të mi,  të cilët u burgosën, bashkë me shumë bashkëpunëtorë të tjerë dhe kaluan vite të tëra nëpër burgjet e rënda serbosllave. Nëna jonë u paralizua, një vit pas burgosjes së djemëve të saj dhe në vitin 1984, u nda përgjithnjë nga jeta në moshën 49-vjeçare. Ndërsa babai edhe pse pati shumë dhimbje,  të paktën, zemra e tij duroi më gjatë. Ai u nda nga jeta në moshën 77- vjeçare, në fund të vitit 1997, kur lufta për çlirimin në Kosovë vetëm sa kishte filluar. Largimi im nga vendlindja  ndodhi pikërisht 21 vite të shkuara. Por nuk filloi së pari me mua, se shpërngulja jonë familjare na kishte ndjekur ndër breza dhe ajo e ka zanafillën pikërisht atje, te Molla e Kuqe!

 

2.-Ku ke jetuar gjatë këtyre viteve, sa ju ka ndryshuar kjo shkëputje nga vendlindja dhe me çfarë veprimtarishë kryesore je  marrë?

-Fillimisht, ishim vetëm unë dhe bashkeshorti im, kur e morëm rrugën e mërgimit dhe u nisëm për në Gjermani.Më pas, krijuam çerdhen tonë familjare, me ardhjen në jetë të dy vajzave tona të dashura, Donjetës dhe Dalinës. Atje jetuam gjerë në fillim të vitit 1998 dhe pala gjermane na ktheu në Kosovë, sepse ne nuk kishim leje qëndrimi të përhershme dhe me arsyetimin, se “në Jugosllavi është gjithçka në rregull!” E vërteta ishte, se në Kosovë lufta për çlirim kishte filluar. Pas dy ditësh, kur ne u kthyem në shkurtin e atij viti, ndodhi masakra e parë në zonën e Drenicës. Pastaj, ne qëndruam gjatë tërë luftës në Kosovë,  pikërisht në vendlindjen tonë, Prishtinë. Më pas u detyruam që, si mijëra kosovarë, t’i lëshojmë vatrat tona dhe të largohemi nga  toka amtare!

Më në fund, pas gjithë atyre vuajtjeve, kaluam në Maqedoni,  ku qëndruam disa javë, te vëllezërit tanë matanë kufirit. Ata na pritën në vatrat e tyre aq ngrohtësisht dhe, pas disa javësh, na humbën shpresat se do të ktheheshim shpejt në Kosovë. Prandaj vendosëm të paraqiteshim në kampin e Stankovecit. Aty i mbushëm ca formularë dhe, mbas dy ditësh, ishte Amerika e para ajo, që e mori përsipër shpëtimin dhe strehimin tonë.

Nuk mund të them se, të qenit “e degdisur”, më ka ndryshuar. Por, më saktë, më ka vrarë thellë në shpirt. Kjo, për vetë faktin, se jeta në mërgim, larg atdheut, është sikur jeta e fëmijës, që rritet larg nënës së vet.

3.-Dëshiroj të di diçka më tepër për familjen tuaj…

– Kam burrin, Sejdiun, i cili jo vetëm që është një bashkeshort dhe baba shembullor, por është një mik dhe shok i ngushtë i imi, pra “krahu im i djathtë”. Pa përkahjen e tij, nuk do të isha kjo që jam. Po ashtu, nga fryti i kësaj dashurie,  jam nënë e dy vajzave të mrekullueshme, Donjetës dhe Dalinës, të cilat po tregojnë suksese të njëpasnjëshme, aty ku jetojnë dhe po shkollohen. Si shperblim i këtyre arritjeve, ato shpesh herë janë nderuar me diploma të ndryshme. Ndër të gjitha ato diploma, 4 janë me te veçantat: Donjeta ka 2 diploma nga ish Presidenti Amerikan, Xhorxh V. Bush, duke u shpallur njëra ndër 10 nxënëset më të mira në shtetin e Nju Jorkut. Por edhe Dalina është nderuar me diploma të njëjta dhe ka marrë po  atë vlerësim, si motra e saj, nga Presidenti Amerikan Barak Obama. Vajza e madhe është në Universitetin e Londrës, ku studion për juriste dhe, ndoshta, një ditë mund të jetë edhe pjesë e Senatit amerikan. Këto ditë, ajo ka ardhur përkohëisht  te ne dhe na është mbushur me gëzim, jo vetëm zemra, por dhe tërë shtëpia.Ndersa vajza e vogël jeton me ne, ndjek klasën e 11-të të shkollës së mesme dhe dëshiron të studiojë për farmaci. Këto të dyja janë tërë pasuria jonë, më e madhja e më e çmuara në botë. Pa ato, jeta jonë nuk do të kishte kuptim. Janë të lidhura shumë me vendlindjen tonë, për vetë faktin se e flasin gjuhën shqipe shumë bukur dhe mezi presin të shkojnë në Kosovë, sepse larg saj e ndiejnë thellë mungesën e mjedisit të gjallë shqiptar.

4.-Cilat janë lidhjet tua me Bashkësinë Shqiptare, në qytetin ku jeton?

-Fatkeqësisht, në qytezën, ku jetojmë ne, nuk kemi shqiptarë. Më së afërti, i kemi disa miq, 45 milje larg. Ndërsa ata, me të cilët kam lidhje familjare, jetojnë 200 mile më larg.Takohemi, kur të na jepet mundësia, meqenëse këtu tërë jeta është: punë e gjumë. Keni qenë edhe ju vetë këtu dy herë, më 1993 e 1994, me nga një muaj e gjysëm, profesor i nderuar dhe e njihni, pak a  shumë, jetën këtu. Kam edhe miq e mikesha të tjera,  gjithandej në Amerikë, si në Teksas, Çikago, Miçigan, Pensilvania, Nju Jork, Nju Jeresy, Konektika etj. Mandej, kam të njihur të tjerë,  poetë e shkrimtarë, të shpërndarë nëpër diasporë, por edhe në atdhe. Me ta, kam lidhur miqësi njerëzore dhe profesionale. Pothuajse me të gjithë, kam kontakte të përhershme. Më kanë përkrahur edhe moralisht, ku njeri ndër ata miq jeni edhe Ju, i nderuari prof. Murat. Më kanë ofruar edhe përkrahje për botimin e dy librave. Kështu, pas botimit të tyre, u bëra anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, këtu në SHBA, e këtij shpirti të gjallë të shqiptarisë. Pastaj kontakti miqësor i kalon shpesh herë kufinjtë e Amerikës, pra kam lidhje të mira edhe me shqiptarët e Skandinavisë, përmes valëve të Internetit. Njëri nga ata është pikërisht Radio Projekti, në Danimarkë, ku përveçse jam dëgjuese, bashkëpunoj rregullisht. Bile, një kohë, isha moderatore dhe shpresoj sërish, në një të ardhme të afërt, t’i kthehem emisionit tim, që e mbaja dhe titullohej, “Me krijuesit shqiptarë, në diasporë”.

 

5.-Çfarë të ka sjellë ose ke fituar nga emigracioni? Po, çfarë ke humbur, në këta vjet?

-Përfitimi i parë dhe më i madh, që na ka sjellë emigracioni, është shkollimi i vajzave tona dhe sukseset e tyre, që kanë siguruar gjerë më tani. Por shpresoj dhe besoj që ende kanë për të arritur në jetën në vazhdimësi.

Ndërsa, kam humbur çastet më të bukura familjare, që kanë ndodhur në Kosovën time ose edhe ato të hidherimit, siç ishte rasti, kur u nda përgjithnjë nga jeta babai, në vitin 1997. Në atë kohë isha në Gjemrani dhe nuk kisha asnjë mundësi të shkoja ta takoja dhe as të marrë pjesë në lamtumirën e fundit! Po ashtu, humbje për mua mund ta quaj edhe çastin e festën e shpalljes së Pavarsisë së Kosovës. Me lotë në sy i përcillja ato ngjarje përmes TV-së dhe nuk munda të isha aty afër. Pastaj, së fundmi, ishte pamundësia për të qenë në Shqipëri e në Kosovë, më 28 Nëntor 2012, në jubileun e madh të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

6.-Si i mban lidhjet me vendlindjen dhe me të afërmit, atje?

-Tashmë, është më lehtë, se sa para 20 viteve. Mbaj mend se, në atë kohë në Gjermani edhe pse ishim më afër, ku na ndanin nga vendlindja as dy orë të plota me aeroplan, kontaktet ishin shumë më të vështira. Qëndronim me orë të tëra për të telefonuar në familjet tona dhe, sapo e mirrnim linjen, ajo na shkëputej, sepse rrjeti ka qenë i dobët dhe, ndoshta, ishte pala serbe ajo, që i pengonte këto lidhje tonat. Gjatë asaj kohe, kemi pasur vetëm një emision në radio, në orën 23:00, ku i degjonim lajmet nga “Evropa e lirë”, përmes një radiolidhje të Zagrebit dhe ishte i vetmi burim informacionesh, në gjuhën shqipe. Më tej, përmes valëve satelitore u realizua që ta ndjekim TVSH-në, nga 2 orë në mbrëmje, çka ishte një gëzim i madhë për ne, në atë kohë. Ndërsa tani është shumë më lehtë. Edhe pse na ndajnë mijëra kilometra nga ajo tokë e bekuar, bashkë me Oqeanin Atllantik në mes, ndjehemi shumë më afër Atdheut tonë. Jo vetëm që e kemi telefonin, por edhe rrjetin e internetit, ku fatbardhësisht jo vetëm shkembimin e e-mailave, që mund ta bësh, por ke mundësi të flasësh qoftë drejtpërdrejt, me shkrim ose edhe ta shohësh në kamerë. Po ashtu, në TV kemi shumë kanale shqiptare ose edhe dëgojmë stacione të ndryshme radioje etj. Lirisht mund të them se brenda katër mureve të shtëpisë është mjedisi ynë  shqiptar ose “Shqipëria e vogël”. Ndërsa, kur dalim jashtë, e kuptojmë se ndodhemi në Amerikë. Po ashtu edhe gjatë veres, kur kemi mundësi, jemi atje, në mesin e familjarëve dhe miqëve tanë të shumtë. Për fatin tonë të mirë, tani nuk kemi probleme udhetimi, sepse jemi nënshtatas amerikanë dhe vajtje-ardhjet i kemi të lehta.

 

7.-Siç e kam vëne re, sidomos nga publikimet në Internet, një lehtësim shpirtëror për ty ka qenë poezia…Kur ke nisur të shkruash dhe cilët janë librat tu të publikuar? Përshkruaji ata, sugurisht shkurt…

-Me poezi kam filluar që nga fëmijëria, pra, qysh në klasën e dytë fillore. Vërtet më ngjan, se kam filluar të bëlbëzoj poetikisht. Poezia ime e parë titullohej “Gjeli im plak”, të cilën fatkeqësisht nuk e kam, ashtu si shumë poezi të asaj kohe. Me rastin e bastisjes së shtepisë sonë nga punëtorët e sigurimit serbë të asaj kohe, kur vëllezërit e mi u burgosën dhe unë isha në moshën 11-vjeçare, fletoren time ata e morën, bashkë me shumë gjera dhe libra të tjerë. Në atë kohë, mësuese e imja ishte znj. Zejnije Syla, e cila jo vetëm që e zbuloi talentin tim, por më dha mbështetje morale dhe shpirtërore. Kështu, poezitë e mija i dërgonte për botim në gazetën  “Rilindja” të asaj kohe, e cila dilte çdo ditë dhe çdo të martë e kishte shtojcën për fëmijë. Gjatë asaj kohe, poezitë e mia u vlerësuan shumë herë dhe kam marrë shpërblime nga vetë “Rilindja”. Por poezia ime nuk ka të ndalur as sot, ku tashmë ajo ka filluar edhe të “përqafohet” me tingujt e muzikës dhe të shëndrrohet në këngë. Kam shkruar tekstin e këngës “Th’rret Presheva” dhe “Jo, s’ka vdekë Bardhyl Osmani” (deshmor nga Presheva, komandant “Delta”), të cilat i interpreton shkëlqyeshëm këngëtari preshevar, Bashkim Halimi. Një këngë për Mitrovicën ia kam bërë dhuratë mikes sime të mirë, këngëtares Sebahate Berlajolli, e cila jeton ne Nju Jeresy dhe mori pjesë me të në Festivalin XXI të këngëve dhe valleve shqiptare, në Nju Jork. Ishte kënaqësi e veçantë për mua se, në vitin 2010, kam botuar dy libra me poezi.  Njëri ishte për të rritur, me titullin “Gjurmë nëpër flakë”, të cilin ia kam kushtuar nënës sime të ndjerë. Por aty ka poezi edhe për luftëtarë e dëshmoraë të UÇK-së dhe  poezi të tjera. Libri tjetër është për fëmijë, me titullin “I shes diellit akullore”.  Po kështu, jam pjesëmarrëse edhe te dy libra të përbashkët, përgatitur nga Iliriana Sulkuqi, në atë me poezi, “Karvan dashurie”(kushtuar nënave) dhe në tjetrin në prozë, me titull “Në sytë e nënave”, me në krye znj. Vitore Stefa Leka.

8.-Çfarë planesh ke për të ardhmen, në fushën e krijimtarisë?

-Kam ca tregime reale dhe shpresoj që, në një të ardhme të afërt, ta botoj librin tjetër në prozë. Jam në kontakt me shumë krijues dhe miq, të cilat kane shprehur dëshirën dhe gadishmërinë të më ndihmojnë. Ndër ta, është edhe nipi i babait tim, shkrimtari i mirënjohur, Rushit Ramabaja. Po ashtu, kam nipin tjetër të babait, shkrimtarin dhe poetin Arif Demolli. Ata ishin idhujt e mi, që nga fëmijëria. Ndoshta, ajo dashuri dhe simpati ndaj tyre, kanë bërë që të përpiqem të jem në gjurmët e tyre. Pra, shpresoj të sjell poezi, tregime, libra dhe këngë të reja.

 

9.-Në fund të bisedës sonë, duke të falanderuar dhe uruar nga zemra çdo të mirë, vetjake e familjare, Maki, a dëshiron të shtosh ndonjë gjë tjetër?

-Nëse më lejohet, do të “flisja” pak me vargjet e një poezie time. Ndërsa juve, profesor i nderuar Murat, ju falënderoj për kohën dhe vëmendjen, që ma kushtuat. Gjithashtu, u jam mirenjohëse për përkrahjen dhe mbeshtetjen morale, që më keni dhënë e më jepni, çdo herë!

 

JAM SHQIPTARE

Mua më quajnë kosovare,
por edhe unë jam shqiptare,
Kosova është vendlindja ime,
Shqipëria është Nëna ime.

 

Mërgimtare, më quajnë mua,
pse jetoj në dhe të huaj,
zemra ime dot s’e pranon,
shqiptare, thotë, jam me komb.

 

Pse jetoj larg Shqipërisë,
gjuhë e kulturë s’i kam braktisë.
Shqipëri e kam bërë shtëpinë,
aty kam Flamurin dhe çiftelinë.

 

Me mua është Gjergj Kastrioti,
Nënë Tereza e Isa Boletini,
Ismail Qemaili dhe Rugova,
Pajaziti e në mes shqiponja.

 

Ngado, që unë shkoj e vij,
marr me vete Shqipërinë,
s’e braktisi sa të jem gjallë,
se unë jam bija e sajë!

 

Tiranë-Nju Jork, 18 janar 2013

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: Makfire Canolli, Murat Gecaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT