• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

95 vjet me sytë dramatikë të Marie Logorecit

October 7, 2015 by dgreca

Për ta kujtuar në 95-vjetorin e lindjes me 5 Tetor 2015 në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt një veprimtari mbi jetën dhe aktivitetin e aktores së shpallur nga Presidenti i Republikës “Nder i kombit”. Miq sollën në kujtesë ndodhi dhe ngjarje të veçanta nga njohja me Marie Logorecin…

…Ishte koha kur kishte dalë në pension dhe unë shkoja në shtëpinë e saj. Një ditë më tha: “Do të pimë një gotë raki, se kuzhinën e kam ende të parregulluar”. Vuri raki, dy kokrra ullinj, pak djathë e më tha se po ziente edhe dy vezë, e ndërkohë më shprehu kënaqësinë që shkoja ta takoja. I thashë se nuk kisha kohë të rrija shumë se isha në tre filma, dhe i thashë se kjo ishte pak e lodhshme. “Lodhesh ti, – tha – që të kanë dhënë gjithë këto role? Dil jashtë, se mua më kanë harruar! Dil, se as rakinë nuk do ta jap!”…Ky është një prej kujtimeve të fundit që Tinka Kurti ruan nga aktorja e madhe Marie Logoreci.

Harresa, të cilën e vuajti pasi doli në pension, kur ende ndjente se kishte shumë për t’i dhënë teatrit dhe kinemasë shqiptare, nuk e kaploi kurrë një figurë si ajo, e cila përkujtohet me nderim edhe sot e kësaj dite.

Për ta kujtuar në 95–vjetorin e lindjes, ditën e djeshme në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt një veprimtari mbi jetën dhe aktivitetin e aktores së shpallur nga Presidenti i Republikës “Nder i Kombit”.

Miq e kolegë, si aktorët Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, regjisori Xhelil Aliu, por edhe profesorët Josif Papagjoni e Gjovalin Shkurtaj sollën në kujtesë ndodhi dhe ngjarje të veçanta nga njohja me Marie Logorecin.

Me këtë rast u prezantua edhe libri me titullin “Duke kujtuar artisten Marie Logorecin”, ku emrat e njohur të historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare rrëfejnë njohjen me të dhe vlerësojnë figurën e saj artistike, por edhe atë humane. Ky libër shoqërohej edhe me një e albumi fotografik kushtuar aktivitetit të saj të gjatë.

“Në qoftë se bota do të shohë kush ishte gruaja, sidomos e Shqipërisë së Veriut, me të gjitha karakteristikat, cilësitë dhe virtytet e saj, mjafton të shohë një foto të Lokes së paarritshme të Marie Logorecit dhe bindet plotësisht se kush ishte Marie Logoreci”, – u shpreh regjisori Xhelil Aliu gjatë veprimtarisë, ndërsa profesor Josif Papagjoni vlerësoi guximin e saj dhe të kolegeve, të cilat zgjodhën të bëjnë art në një Shqipëri të pasviteve ’40 ende anakronike.

“Nuk ishte e lehtë në Shqipërinë pas luftës mbushur me anakroni sociale, tejet kufizuese për lirinë e femrës e aq më pak të luaje teatër, të ngjiteshe në skenë ku të gjithë të tjerët të soditnin… Për femrat e asaj kohe që hipën në skenë kam mbresën më të bukur. Ishte akt tejet i guximshëm, sublim, koncept heroik që e kemi parë vetëm te pushkët e flamurët që është militarist, por te kultura e qytetaria është pikërisht sfida që njeriu bën përballë rrethanës refuzuese ku ndodhet. Marie Logoreci bashkë me shoqet e saj përfaqësonin sfidën e një Shqipërie të re europiane në një Shqipëri ende të futur në poture dhe padije e anakronizëm”, –u shpreh Papagjoni, duke shtuar se shtëpia e Logorecit ishte teatri.

Të gjithë shkojmë e vijmë në këtë jetë, pak janë ata që të kthehen në kujtesë dhe nga këta të paktë është Marie Logoreci, e cila troket në dyert e kujtesës sonë kulturore dhe thotë: Ja ku jam midis jush! Shpirti i saj është sot midis nesh, është në mendjen tonë”, –përfundoi Papagjoni.

Aktorja Margarita Xhepa solli në kujtesën e të pranishmëve tre role të Logorecit që asaj, asokohe aktore e re i kishin lënë mbresa të mëdha.

“Maria e nisi me zërin e saj të bukur, kumbues, por skena e teatrit e priti atë me duartrokitje qysh në rolin e parë. Me kujtohet në vitet ’50 e ca në teatër isha shumë e re dhe më ka mbetur figura e saj në sy. Më kanë mbetur në memorie si një ëndërr tre role të bukura shumë “Çështja ruse” “Rrënjët e thella” dhe “ Makar Dubrava” Ishte një rol më i bukur se tjetri. Ajo shquhej për një sharm që kishte në skenë, për bukurinë e saj, për sytë e saj që kishin një dritë do të thosha”- u shpreh Xhepa, duke kujtuar edhe bashkëpunimin me Logrecin te “Hamleti”.

“Me Marien kisha dy dialogë, një me fjalë e një pa fjalë, sepse Ofelia sillej në skenë e çmendur dhe Maria nuk kishte asnjë fjalë, por nuk do i harroj sytë e saj, shikimi i saj fliste më shumë se fjala, mënyra sesi të shihte, dhimbja që kishte për të pafajshmen Ofeli, mënyra sesi e shprehte…pastaj pata fatin ta shoh në role të tjera, siç është një rol madhështor; Bernarda Alba, që nuk duhet harruar ai personazh i fuqishëm e shumë të tjera, por shkëlqimi i saj ka qenë në dramaturgjinë shqiptare, një shkëlqim i paparë sepse ato treva i njihte shumë mirë dhe në të gjitha ato role të veriut ajo dinte të sillte të veçantat e saj.

“Te çatia e të gjithëve” nuk kishte rol kryesor. Hyn Maria dhe nis lëvizjet dhe në karrige ulet këmbëkryq. Mbaje- tha regjisori-ky personazh rri këmbëkryq edhe në karrige. Ajo dinte sesi ta mbushte karakterin edhe nga ana e jashtme, Gjente gjithmonë të veçantën.

Ka qenë një nga kolonat e teatrit popullor, gurthemeli, me autoritet përpara popullit. Bashkë me kolegët e saj. Ishte e koha e të mëdhenjve…Mirënjohja që na dha Marie Logoreci është e paharrueshme, që i dha aq shumë arti shqiptar dhe për të gjithë ne mbetet e pavdekshme dhe e paharruar”.

Aktorja Tinka Kurti e quajti kryefjalë të teatrit, duke kujtuar me humor Marien.

“Unë e kam njohur herët Marien. E dija se ka mbaruar për kanto. Vajzat shkodrane kanë qenë më të emancipuara nuk kanë vuajtur nga opinioni. E kisha parë disa herë. Njëherë në Shkodër, jo në teatrin Migjeni por në një teatër veror, e pashë Marien tek pjesa “Halili dhe Hajria”. Nga gjithë ajo shfaqje e bukur, mua më mbeti në mendje vetëm Maria. Vjen Naimi dhe i thotë:

-Na i iku goja zojës! dhe ajo i thotë batall fort dhe mua më mbeti shprehje: batall fort

Maria kishte një forcë të jashtëzakonshme. Ajo mundohej të më jepte kurajë” –e kujton aktorja.

Marie Logoreci lindi në Shkodër më 23 Shtator të vitit 1920. I ati, Palok Çurçia, ishte zejtar, kurse e ëma, Roza, shtëpiake. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, në Shkodër, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.

Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para; vizatimi dhe kënga. Në arkivin privat ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe.

Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien.

U largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20-minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme. Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien, edhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Me punën e saj Logoreci ka dhënë një galeri të pasur karakteresh në teatër dhe kinema. Ajo ka lënë gjurmë në rolet e Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, në “Komploti i të dënuarve”, Gertruda, te “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.

Bernarda Alba, te : Shtëpia e Bernarda Albës, Lady Milford në “Intrige e dashuri” Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj.

Kulmin e pati me interpretimin e Lokes te “Toka jonë”.

“Lokja është një dramë, por sa e sa gra kanë pësuar fatin e saj në jetë. Në turnetë që kemi bërë me dhjetëra gra më kanë thënë me gojën e tyre : “ Unë jam Lokja”. Kjo më rrëqethte, por si aktore më ndihmonte të plotësoja edhe më rolin, të sillja në skenë zërin e fuqishëm të atyre viktimave”- kështu do të shprehej vetë Marie Logoreci.

Ajo ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Interpretoi në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i saj në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën. Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj. Marie Logoreci është vlerësuar disa herë për punën e saj artistike. E nderuar me titullin “Artiste e Popullit”, pas vdekjes president i Republikës Bujar Nishani e ka vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”. Në fund të aktivitetit u çel edhe një ekspozitë me fotografi të Maries nga jeta dhe skena.

 Kanë thënë për Marie Logorecin

Loni Papa

Një shoku im poet diti ta përcaktojë më mirë madhështinë e artistes Logoreci, duke zbuluar edhe poetikën e saj: “ I thyen rolet ashtu si guri i çmuar i thyen rrezet dhe paçka se janë rreze, përsëri nuk ngjajnë me njëra-tjetrën”.

Revista Nëntori 1988

Yllka Mujo

Ajo është aq e besueshme, saqë të bën të harrosh që je në teatër mbasi emocionet të prekin thellë. Ajo është aq konkrete, saqë mjetet shprehëse aktoriale janë pothuajse të pandjeshme dhe

gjithmonë në shërbim të veprimit ideo-emocional.

Robert Ndrenika

Një teatër quhet kombëtar në kuptimin gjithëpërfshirës të kësaj fjale kur në gjirin e vet ka një artiste si Marie Logoreci.

Gjovalin Shkurtaj

Disa prej cilësive të gjuhës dhe të folurit të Marie Logorecit shin qartësia dhe kuptueshmëria, fryma popullore e timbret krahinore të këndshme, duke ecur nga një pikënisje dialektore shkodrane drejt një gjuhe të përpunuar që shkon drejt një modeli kombëtar, sepse ajo i përpunonte fjalët duke ia përshtatur përmbajtjes gjuhësore të dialogut të personazheve.

Roza Anagnosti

Ajo krijoi një model të shkëlqyer, që sot kemi nevojë ta kemi. Dhe kontributi tjetër i madh që ajo ka dhënë është në emancipimin e gruas të asaj kohe, që e shihte Marien si model dhe jo vetëm në skenë, por edhe në jetë.

Rikard Ljarja

Marie Curçia Logoreci –Tushi, ishte e mbushur me shumë talente; vizatim, këngë, dhe mbi të gjitha aktore me një potencial të jashtëzakonshëm ngarkesash emocionale që shpërthenin herë pas here fuqishëm në skenën e Teatrit Popullor. Ishte një talent i rrallë.

Drita Pelinku

Ajo lexonte dhe studionte shumë, i pëlqente folklori e legjendat dhe ajo dinte të depërtonte, dinte të hynte thellë në mendësinë popullore. Kjo tregon se ajo nuk bënte një lexim të sipërfaqshëm, por një studim. Mendoj se këto e ndihmuan në krijimin e figurave shqiptare. Nëna shqiptare…, Marie Logoreci kishte sekretin e nënës, ishte e besueshme dhe organike, ishte e vërtetë.

Pjerin Logoreci

Megjithëse kanë kaluar mjaft vite që kur ajo u nda prej nesh unë e ndjej me të gjitha qelizat e trupit mungesën për të: për humorin e mënyrën e të shprehurit figurativ aq karakteristik, për ëmbëlsinë e kujdesin e saj të rrallë, për këshillën e mençur, të kujdesshme e largpamëse për masën e saktë në të folur e në të vepruar, për zemërimin e saj të vrullshëm, për praninë e saj, për qenien e saj.

Kolë Jakova

Loken e kam shkruar për Marien. Qëkur po e shkruaj dramën “Toka jonë” mbaj mend se si Loke përfytyroja Marie Logorecin. Vetëm Maria, mendoja, mund ta luante si duhet.

Pirro Mani

Marie Logoreci me rolet që krijoi dha me mjeshtëri figurën e shqiptares, të asaj të Shqipërisë së Veriut. Ajo ishte personifikim i epikës.

Marika Kallamata

Për vetitë që kishte, ishte e respektuar dhe nderuar nga të gjithë, arrinte t’ua impononte këtë me sjelljen e saj. Unë nuk e harroj humorin fin, zërin e saj të bukur dhe të qeshurën e çiltër e kumbuese.

Ndrekë Luca

Ishte partnere e shkëlqyeshme, gjithmonë plot ndjenjë dhe sytë e saj që flisnin, të ndihmonin të hyje në rol me të me një natyrshmëri të pabesueshme e kjo vinte se para teje ishte personazhi i gjallë.

E dergoi per Diellin Lek Gjaka/

Filed Under: ESSE Tagged With: 95 vjet, Marie Logoreci

Bisede per Marie Logorecin, ikonen e pavdekshme te skenes dhe ekranit shqiptar

September 21, 2013 by dgreca

Intervistë e bashkëpunëtorit të Diellit ne Jacksonville-Florida, Lek Gjoka me të birin e Marie Logorecit, Pjerin Logoreci, qe ndodhet keto dite ne Florida/

Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Paloka ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë punëtore” një shoqëri sindikaliste.  Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, ne Shkoder, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.

Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para, Maria vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Ne Arkivin Privat Logoreci ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmojne një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.

Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien. Të jatit kur i thonin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: – “Po, por nuk është djalë!” …Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që I kishte vdekur.

Duke shfletuar ne Arkiv fletoren e hartimet e shkollës së kësaj periudhe ndeshim një me titull: “Dje në Tiranë…sot në Shkodër…”

Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,… – dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon – Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.

Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.

Por nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me kujtimet për Luigj Gurakuqin, e Mjedën qe sapo kishte vdekur të cilin Matia e kishte djalë halle.

Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit.Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta, tek rolet Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, ne “Komplloti i të dënuarve”, Gertruda, tek “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.

Bernarda Alba, tek :Shtepia e Bernarda Albes , Lady Milford ne “Intrige e dashuri” Gjela tek “Permbytja e madhe” etj.

Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.

Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj.,

Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, :Femijet e saj dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj duke mbetur per artdashesin simboli I nenes shqiptare Lokja.

Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj.Marie Logoreci eshte vleresuar disa here per punen e saj artistike. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit”.Perfitova nga rasti qe keto dite Pjerini eshte ketu ne Florida per ta takuar dhe per te bere nje bisede me te ne lidhje me kete pervjetor te Marie Logorecit.

Me 23 shtator eshte 93 vjetoi i lindjes se Marie Logorecit. Si e perjetoni dhe si festonit kur ishte gjalle?

Sigurisht qe nuk eshte nje dite e zakoneshme, zakonisht shkojne disa dite perpara qe ne cdo rast pergatis dicka ne lidhje me Marien qe se bashku me materialet e pergatitur nga gazetaret apo koleget e saj perbejne ate qe po e quaj tufa e luleve ne kujtim te Maries. Fatkeqesisht duhet te them te verteten se mendoj qe tani i kushtojme me teper kohe ditelindjes se saj se sa kur ishte gjalle. Edhe ajo vete nuk i kushtonte shume rendesi. Sigurisht qe shpesh pervec nesh, dmth. familjes vinte edhe ndokush tjeter dhe kaq. Perkundrazi e madhe behej ne ate kohe ditelindja ime.

A mund te na thoni disa fjale per familjen Logoreci, cilet jane njerezit e saj te permendur?

Po them fillimisht se Maria mbiemrin e saj e kishte Çurçia, nje familje qe vazhdon te jetoje ne Shkoder e Tirane, ne Itali, ne Mal te Zi dhe Serbi. Te njohur nga kjo familje jane Arqipeshkvi Luigj Curcia, Gasper Curcia, trombisti dhe drejtuesi i orkestres se muzikes se lehte ne RTV. Ne familjen Logoreci Maria shkoi nuse.  Logorecet kane pasur dhe kane njerez te njohur, Arqipeshkvi Andrea Logoreci,  Mati
Logoreci gjuhetar (nipi I Andreas) Kole Logoreci economist (I biri I Matise), Anton Logoreci gazetar (I nipi I matise), sot eshte Susan Logoreci Ilustratore (stermbesa e Matise)

Cila ishte jeta ne familjen e Maries?

Ka qene nje jete normale e intelektualeve te asaj periudhe, ku kryesisht familja merrej me preokupimet e mbarevajtjes se shfaqeve. Bisedat kryesore ishin gjithashtu te lidhura me artin. Shpesh babai I binte violins kryesisht valseve te Shtrausit. Shume me rralle Maria I binte mandolines. Ajo gjithnje e me teper lexonte, degjonte muzike . Une meqe punoja ne Radio Tirana (ne ate kohe) kujdesesha qe te regjistroja per magnetofonin muziken qe ajo donte, qe ishin vepra klasike simfonike dhe operistike.

Me pak fjale Jeten e Maries shoket e saj e kane percaktuar keshtu. Cohej shpejt ushqente qente, macet, pellumbat, gatuante dhe nisej vone per ne pune. Sander prosi thoshte “Maria niset nga shtepia ne oren 9 dhe do te arrije ne pune ne 9 pa pese”

Mbasditja gjithashtu ishte e ngarkuar edhe kur nuk kishte shfaqe, sepse kishte deshire ti ushqente vete breshkat qe mbante, te lagte lulet, dhe ne fund ulej te lexonte. Autoret e saj te preferuar, ishin Shekspiri, Cehovi, Balzaku, Dostojevski…

A do te kete ndonje organizim me rastin e ketij pervjetori?

Jo, zakonisht organizojme dicka ne pervjetore te plote te lindjes apo edhe te vdekjes. Ky eshte 93 vjetori, keshtuqe do te kete dicka me te madhe me rastin e 95 vjetorit. Ne kete pervjetor mbaron ripunimi I faqes se internetit www.marielogoreci.com, u publikua ne Apple ibook dhe apple iTunes ne 51 shtete libri elektronik Marie Logoreci ne tre gjuhe, anglisht, italisht dhe shqip per perdoruesit e celulareve iphone dhe tableteve te apple. Dhe keto dite po ky liber, gjithmone pa pagese do te publikohet ne google books dhe google play, per celularet dhe tabletet qe perdorin android.

Faleminderit Pjerin

Ju faleminderit Juve Lek!

Filed Under: Kulture Tagged With: Interviste, Lek Gjoka, Marie Logoreci, Pierin Logoreci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT