Nga Gani QARRI/
Derisa Serbia,vazhdon ta quaj Kosovën me termat më diskrimininues millosheviqian si “Kosovo i metohija” edhe sot, nesër me krijimin e “zajednicës” brenda vendit tonë, këtij termi denigrues, përfaqsuesit e saj mund tia shtojnë edhe ndonjë para apo prapashtesë tjetër serbe, si p.sh. “Srpska Zajednica Kosovo i Metohija” apo ndonjë variantë edhe më të çuditshëm, tërësisht të çoroditur e të padëgjuar asnjëherë në këto anë.
Megjithatë, politikanët e dështuar vendor, vazhdojnë të ngulin këmbë në mbrojtjen e marrëveshjeve jo ndërkombëtare as ndërshtetërore, por të paktën nga Serbia, nëse jo edhe nga vet BE-ja,të trajtuara si marrëveshje-thjeshtë- vetëm ndërmjet “Prishtinës e Beogradit”,të cilat së fundmi, edhe ashtu u dëshmuan të jenë anti-kushtetuese dhe të dëmshme për Kosovën.
Pra, siç është tanimë botërisht e njohur për shumicën e popullit tonë dhe gjithë ndërmjetësuesve evropian, asnjë nga marrveshjet e deritanishme të arritura në Bruksel, ndërmjet përfaqsuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nuk e kanë primatin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo edhe për faktin se vet Hashim Thaqi ,qysh me aprovimin e fusnotës, jo vetëm pranoi, por edhe nënshkroi degradimin e statusit shtetror të Kosovës nga Shtet i Pavarur, në vend me status të padefinuar.
Ai, Pavarësinë e lexuar në “fletë” të bardhë, vet e nxiu dhe bëri “katranë”me fusnotë* të zezë, duke denigruar kështu edhe mëvetësinë e atdheut, të arritur me shumë gjak e mund nga shumë gjenerata patriotësh shqiptarë.
Fusnota abrogon Pavarësinë dhe paraqet një vend me status të papërfunduar.
E për fat të keq, që nga nënshkrimi i tij, emërtimit edhe ashtu komik të vendit tonë; “Kosovo*” i shtohet edhe mallkimi i quajtur fusnotë “*”. Madje, ajo nuk është e obligueshme të praktikohet vetëm në takimet me Serbinë, por siç kishim rastin ta shihnim në takimin e djeshëm të Bekim Çollakut me përfaqsuesin evropian Johanes Hahn, Kosova fusnotën detyrohet ta përdor edhe në të gjitha takimet bilaterale me vendet tjera të Kontinentit e më gjerë.
Për aq më keq, edhe BE, megjithëse ndërmjetsuese dhe lehtësuese e procesit të bisedimeve dypalëshe, për shkak të mosnjohjes së vendit tonë nga pesë vendet anëtare të saj,as ajo vet, ende nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Ndaj përfaqësitë diplomatike ,dhe të gjithë faktorët tjerë ndërkombëtar të cilët në emër të “Dialogut Teknik”e futën Kosovën me polotikanë të till alojal, në këtë rrugë të pakrye dhe lojë të pa qartë politike, tani e kanë për detyrë dhe obligim parësor, që të ndihmojnë vendin tonë dhe përfaqësuesit shqiptar,qoftë edhe Qeverinë aktuale të Kosovës, për të dalë nga situata e krijuar.
Në fakt, që me arritjen e marrveshjes për krijimin e “zajednicës”, më 25 gusht të vitit 2015, eksperti i njohur amerikan për rajonin, Daniel Serwer, shprehu brengosjen e tij, i cili me atë rast,pati deklaruar se ka arsye për të dyshuar nëse vërtetë ishte ide e mirë, Marrëveshja për krijimin e “Asociacionit të komunave serbe”, në Kosovë.
Brenga bëhej edhe më e madhe, nga shkaku se sipas z. Serwer, edhe vet krijimi i Asociacionit, nuk u definua politikisht as gjeografikisht, por eksplicit si Asociacion një-etnik serb, gjë që mund të bëhet shkas për distancim dhe qeverisje të ndarë serbe, nga strukturat shtetrore të Kosovës,në të gjitha haüpsirat ku sundon “zajednica”.
Madje,po ky analist i mirnjohur nuk harron të përmend faktin se pikërisht në këtë mënyrë pati filluar ekzaltimi i entitetit serb edhe në Bosnje e Herzegovinë,entitet i cili që nga zyrtarizimi e këtej, e bënë shtetin e BeH gjithnjë e më jofunksional.
E brengosur nga argumente si këto, edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian,z. Ulrike Lunacek, e cila duke parë joseriozitetin e politikanve vendor,që në fillim të 2014-s, pati deklaruar se mund të kalojnë dy-tre vite dhe të mos ketë liberalizim vizash për Kosovën, në vizitën që i bëri,muajin e kaluar vendit tonë, para gazetarëve në Prishtinë,deklaroi se; nëse Gjykata Kushtetuese vërteton që Marrëveshja për Asociacionin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë ajo marrëveshje duhet të rinegociohet dhe ndryshohet, gjë që deri më tani,nuk u mohua as refuzua nga personalitetet evropiane dhe ndërkombëtare.
Ndaj,pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vërtetoi se “zajednica” serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës,përfaqësuesit e BE-së dhe ata ndërkombëtar, duhet që në mes të dy vendeve tona ,përfundimisht të krijojnë mundësi reciprociteti dhe ta detyrojnë Serbinë që të pranojë, jo thjeshtë vetëm rinegocimin siç po trumpetohet kohët e fundit, por krijimin e një Asociacioni shqiptar të ngjashëm me “zajednicën” serbe, edhe për bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore.
Është koha e fundit, që edhe ata, të trajtohen si njerëz të barabartë.
Në fakt, një Asociacion i mundshëm Shqiptar, në Kosovën Lindore,jo vetëm se nuk do ti pengonte aspak dhe me asgjë serbët e Kosovës,por as nuk do të ndryshonte kualitetin e “zajednicës” së tyre nëKosovë.
Kurse për shqiptarët nën Serbi,do të thoshte shumë,sidoms në gjendjen nëpër të cilën ata,tash e sa vite po kalojnë, Asociacioni për ta, është baras me mbijetesën e tyre të mëtejme, në tokat e veta autoktone.
Vetëm, me ngritjen e statusit të shqiptarëve të lënë pas dore, në Kosovën Lindore,në shkallë analoge juridike me Asociacionin e serbëve në Kosovë, Serbia nuk do të guxonte, që edhe në të ardhmen, ti trajtonte,bashkëkombësit tanë atje, si njerëz të dorës së dytë, dhe detyronte ata në shpërngulje të heshtur,siç vepron tash e sa kohë,pa asnjë pengesë dhe në mënyrë të organizuar.
Një akt i tillë analog, do të siguronte zgjidhje të njëmendët të problemeve ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona, kurse garancinë e respektimit dhe barasvlershmërisë, për të dyja palët, mund ta siguronte BE-ja, e pse jo edhe OKB, përfaqësuesit e të cilave, përfundimin e bisedimeve,duhet ta kurorëzonin me njohjen reciproke ,ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura dhe sovrane.
Për të arritur deri këtu, duhet të shfrytëzohen edhe parimet e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjitha shtetet që pretendojnë inkuadrimin në këtë organizatë jetike. Vendet kandidate, që synojnë pranimin në BE, duhet të funksionojnë sipas standardeve demokratike,të respektojnë në plotëni barabarsinë e popujve dhe të drejtat njerëzore si dhe zgjidhin problemet e ndërsjella fqinjësore, sipas standardëve ndërkombëtare.
Me këtë rast as Serbia nuk duhet të bëjë përjashtim, sidomos kur kihet parasysh fakti se ajo edhe kështu, kudo që mundet e arrinë,pengon pareshtur integrimet e vendit tonë, dhe ende pa jetësuar asociacionin e saj famoz, na kërcënon hapur përfshi edhe vet të parin e kishës ortodokse serbe Irinejin, i cili nuk sillet si njeri i Zotit por si kryeushtarak i agresionit, duke mos hezituar të kërkoj hapur edhe përdorimin e dhunës për ripushtimin e Kosovës.
Ndaj, krejt ndryshe do ishte me krijimin e baraspeshës ndërmjet dy vendeve tona edhe sa i takon trajtimit të pakicave, me organizma analoge apo asociacione të barabarta dhe reciproke.
Madje asociacionet reciproke,do ta ruanin më së miri paqen në mes të dy shteteve, do ta mbronin vet ekzistencën dhe mbarëvajtjen e njëra tjetrës dhe nuk do të krijonin presedan as rrezikshmëri për asnjërën pal, siç mund të ndodhte në të kundërtën, me mbjelljen e Asociacionit vetëm njëetnik serb, në vendin tonë, derisa pothuajse aq sa ka serb në Kosovë, numër i përafërt banorësh shqiptar jetojnë edhe në Serbi.
Pra,është koha e fundit që në emër të së drejtës njerëzore, barazisë së popujve dhe reciprocitetit ndërshtetëror, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar,të përdoren metodat e duhura dhe krijohen kushtet e nevojshme, për themelimin e asociacioneve analoge, si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët nën Serbi,në mënyrë që Marrëveshja të bëhet e pranueshme për të dy palët dhe përshtatet juridikisht me ligjet dhe kushtetutat e të dy shtetve fqinje,për të jetuar të qetë e pa tensione, si vende ndërkufitare.
Në anën tjetër, as atdheut tonë të shumëvuajtur, nuk i duhen më politikan të dështuar. Mjaft ishte.
Çdo gjë ka kufi! Përfaqësuesit shtetror të cilët e sollën vendin në këtë gjendje të palakmueshme, patën guximin të rrezikojnë interesat e popullit që i takojnë, duke nënshkruar edhe marrëveshje në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës,është e domosdoshme që sa më parë të shkarkohen nga të gjitha funksionet, të akuzohen penalisht dhe qohen në mënyrë të përshpejtuar para drejtësisë. Njëkohësisht, nevojë imediate, mbetet krijimi urgjent, i një ekip adekuat shtetëror nga ekspertët profesionist, të cilët do të dinë dhe munden t`ua lehtësojnë jetën, përmirsojnë kushtet dhe garantojnë ardhmëri të sigurtë banorëve të vendit tonë,si dhe rregullojnë mirë e si duhet problemet e shumta të grumbulluara në Kosovë.