-Përkujtohen vrasjet e dëbimi i shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës para 19 viteve/
MITROVICË, 4 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Në veriun të Mitrovicës tani me shumicë serbe, para 19 vitesh, natën e masakrës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, janë vrarë 10 shqiptarë e plagosur 25 të tjerë, ndërsa u dëbuan nga shtëpitë e veta me dhunë vetëm brenda asaj nate rreth 100 familje shqiptare, e brenda muajit 1564 familje me gjithsej 11.394 anëtarë.
“Pasojat e sulmeve kriminale serbe të asaj nate në lagjet veriore të Mitrovicës ishin të tmerrshme. Dhunshëm u dëbuan nga pronat shqiptarët dhe në këtë mënyrë ajo pjesë u spastruar etnikisht dhe u ndryshua realiteti, duke u bërë serbët shumicë, që deri atëherë ishin pakicë”, është theksuar në një nga veprimtaritë e përvitshme përkujtimore.
Në Mitrovicë, qytetin më të madh verior të Kosovës, masakra e para 19 viteve ndodhi pas luftës së përfunduar në qershorin e vitit 1999, dërsa gjatë luftës janë vrarë 455 shqiptarë, nga moshat 2 muaj e deri 89 vjet, janë zhdukur 279 dhe janë plagosur 450 shqiptarë. Janë rrënuar 9540 shtëpi shqiptare.
Aktivitete përkujtimore po organizohen nga Komuna dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut sot në Mitrovicën e jugut me axhendë hapjen e një ekspozite fotografishë e shfaqjen e një filmi dokumentar në Qendren e Kultures, si dhe ndezje qirinjësh në nderim e homazh për të vrarët./b.j/