Vrasja e kapedanëve Veliko Jaçe e Asllan Kuca/
Nga Gëzim Zilja/
Pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës (1822) duke përfituar nga gjendja e krijuar, Porta e Lartë, në gjithë vilajetet shqiptare vendosi administratorë turq. Kjo zemëroi pa masë krerët shqiptarë, të mësuar për qindra vjet, që krahinat e tyre të administroheshin nga shqiptarë, duke paguar disa taksa ose detyrime minimale. Gjashtë vjet më vonë, më 7 nëntor1828, do të kemi përpjekjet e para të bashkimit të shqiptarëve, që kërkonin me forcë të administroheshin nga krerë vendas dhe sidomos të mos jepnin nizmë (ushtarë). Në librin e Thimi Mitkos Bleta Shqiptare (1881) midis shumë xhevaireve gjejmë dhe këto vargje: E kini dëgjuarë/Apo e keni mësuarë/Kazatë të gjitha u mbëluadhë/po për të pajtsuarë/turqit(myslimanët shqiptarë) e të kështerë/të gjithë të parëtë/bejërat e agallarëtë/të gjithë bujarëtë…. Mbledhja u bë në Senicë, një fshat afër Delvinës. Një mesazh i fuqishëm për bashkimin e shqiptarëve që po vriteshin me njeri-tjetrin jepet në fjalët e Idriz Zhulatit: Mbani vesh o kapetanë/dhe ju bejëra e agallarë/Të madhe ju bëni rixhanë/Ta lidhim mirë ixhanë(pajtimin)/se gjithë trimat u vranë/Vriten shok’ e vëllamë/gjithë miq e fshatarë/Gjithë fis e gjithë farë.
Kjo besëlidhje, e para pas rënies së pashallëkut të Janinës, do të shqetësonte Portën e Lartë. Ndërkohë shqiptarët kishin arritur t’i dëbonin administratorët turq. Shahin Bej Delvina kishte arritur të merrte Delvinën. Iljaz Poda komandonte Shqipërinë Qëndrore dhe kishte mbledhur rreth vetes trupat që kishin mbetur nga Ali Pasha, Vlora e rrethinat e saj qeveriseshin nga Beqir bej Vlora, vëllai i Ismail Beut, ndërsa qyteti i Beratit kishte rënë në duart e Tafil Buzit. Veli(ko) Jaçe dhe Asllan Bej Kuca (Në disa këngë e gjejmë dhe Asllan Puçe) qeverisnin Janinën dhe pjesën tjetër të Epirit. Asllan Kuca ishte i biri i Ago Myhyrdarit, një nga sekretarët personal të Ali Pashës. Ai përmendet jo vetëm si trim por edhe si njeri i arsimuar dhe i ditur. Asllan e Veliu dy/Bo-bo ç’janë të këqi’/veten e bëjnë beli’/luftojnë me një vali/Me një goxha Rumeli.
Sapo Greqia shpalli pavarësinë më 1830, Porta e Lartë iu vërsul pashallarëve shqiptarë me zjarr e hekur. Sadrazemi, Mehmet Reshit Pasha, u ofroi krerëve të ‘’pabindur’’ shqiptarë një amnisti të përgjithshme, e cila do të shoqërohej me shpërblime dhe dhënien e rrogave të prapambetura krerëve dhe ushtarëve. Mjaft nga udhëheqësit kryesorë si Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Çelo Picari, Hodo Nivica, Abdyl Koka etj, duke njohur mirë kurthet dhe pabesitë e Portës së Lartë nuk shkuan madje paralajmëruan dhe krerët e tjerë, duke përfshirë Veliko Jaçen e Asllan Kucën. Këta të fundit, ashtu trima të çartur dhe sedërqarë, për siguri morën me vete shumë shoqërues të armatosur. Ishin aq të bindur e të sigurt në vendimin e tyre sa: Asllan beu me Veli benë/në Meçov’ e bënë benë/në Manastir do të venë/ të kërkojnë ylefenë(rrogën)/Po s’na e dhanë me të mirë/do të djegëm Manastirë. Më 9 gusht 1830, mbi 500 shqiptarë, bashkë me shumë komandantë të krahinave të Jugut, veshur me rrobat e tyre plot ngjyra e armë të stolisura me ar e argjend, u nisën drejt kazermave të Manastirit, ku do të organizohej pritja. Duke parë ushtarët të rreshtuar për nder armë vetëm nga njeri krah, Asllan Kuca dyshon. Kënga na përcjell: Tek i thirri mbë të parë/Asllan beu foli një fjalë/ Veli bej o mëndjehollë/mos na shpjerë në taborë... Madje në fshatrat e Jugut thuhet si i ka thënë: O Veli më duket se hëngrëm m.. që erdhëm deri këtu. Na e hodhën. Të gatitemi për luftë se trimat me vete i kemi. Po Veli beu ia pret: Veli beut i erdhi rëndë/Tha:- O Asllan mos u trëmbë/Asllan bej mentohu mirë/nuk vret babaj të birë! Sapo u futën në kazermë trimi i Shqipërisë dhe shoqëruesit as që mundën të bënin rezistencë. Pabesia dhe tradhtia turke triumfuan:Kur ra batareja parë/Veli beu ra i vrarë/ Veliko, Veli ku je/të ra tabori në dhe/Dot kumandë nukë dhe/ Koka tënde në hejbe. Asllan Kuca së bashku me dy luftëtarë të tjerë Abaz Thanën dhe Karafil Sinanin arritën të largohen. O Asllan kë kishje pranë/Nja di lebër kapedanë/Karafil e Abaz Thanë. Memet Reshit Pasha i jep urdhër Qorr Pashait të ndjek Asllan Kucën e plagosur, të cilin pas një përleshje të egër e vret dhe i pret kokën: Sadrazemit vanë i thanë/Asllan beu shpëtoi gjallë/Shpejtoni mbë Qorr pashanë/ Asllan ben’ e dua gjallë. Dhe më tej: Dil’ të shihni Qorr Pashanë/Sesi ka përveshur krahnë/Për të qëlluar Asllanë/. Kokat e tyre u nisën për në Stamboll. Asllan Kuca ishte mik i Çelo Picarit ndërsa Veliko Jaçe djal xhaxhai, prandaj ky sulmon rrugës ‘’tartarin’’ dhe u rrëmben kokat, që bashkë me trupat varrosen në Kurvelesh. Çelo të pimë dollinë/Tartarit ç’ja bëtë mirë/…Çelua ynë me mustaqe/Mori hak e zbardhi faqe. Dhimbja dhe vaji për trimat nuk ka të sosur: O Asllan, o Veli/Ç’ju qan nëna në shtëpi/O të zestë djemt e mi/Ç’ju erdh kuka në sini. Vargjet e vajit të motrës së Abaz Thanës, koka e të cilit me shumë koka të tjera fisnikësh shqiptarë u dërgua në Stamboll, shprehin njëkohësisht dhimbje dhe krenari të rrallë: … Kush të mor të shkretat armë,/pisqollat e jataganë/dhe atë dyfekn’ e larë?/ Kush ta zhveshi fermelenë(jelekun)/Edhe kokënë ta prenë/Kurmi të mbet’ në Bitolje (Manastir)/Koka të mori Stambollë/Abaz Thana luleja/trim si Asllan Kuceja/Vlla a derëzeza.
Në mesditën e 9 gushtit të vitit 1830, në një kohë të shkurtër u vranë me pabesi rreth 500 fisnikë feudalë shqiptarë së bashku me trimat e tyre, në vendin e quajtur Dovlexhik, në afërsi të urës që lidh rrugën e vjetër të Manastirit me rrugën e re që vjen nga Përlepi. Lëndina u skuq me gjak të pastër fisnikësh shqiptarë, ashtu si qindra vjet me rradhë toka shqiptare, nën sundimin turk. Ashtu si dhe Selan të Çamërisë ( Në Selan të shkretë/Këllon gjak shqiptari/ klani more shokë/se na zu dushmani) ku u thirrën për bisedime dhe u therrën pabesisht nga andartët grekë dhjetëra fisnikë çamë, nuk ka një lapidar (apo një pllakatë) për të përkujtuar masakrën e Manastirit, por kjo është tjetër çështje. Ajo që mua më bën përshtypje është se kur arrinte të ripërtërihej ( po të kemi parasysh edhe masakrën mbi shqiptarët pas rënies së Ali Pashë Tepelenës) e të nxirrte pareshtur komandantë e luftëtarë kjo rracë e pamposhtur e shqiptarëve!? Sepse pas masakrës së Manastirit luftërat e shqiptarëve do të vazhdonin, do të merrnin hov me kryengritjet e famshme 1847-1848 të drejtuara nga Tafil Buzi, Çelo Picari, Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali etj, e do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit, e Shpalljen e Pavarësisë.