• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës

May 12, 2017 by dgreca

-Delegacioni nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-ve viziton Kosovën/2 amerik ne Kosove1 amerikanet

– Në 10 maj delegacioni i Kongresit Amerikan kryesuar nga kongresmeni Bob Goodlatte vizitoi Shqipërinë në kuadër të një turi të gjerë rajonal, përfshirë Kosovën/

PRISHTINË, 12 Maj 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve viziton Kosovën, ku sot takohet me zyrtarë qeveritarë dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Kongresmeni Bob Goodlatte nga Virginia, kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin,  udhëheq delegacionin.

Gjatë ditës së sotme delegacioni do ketë takime të vecanta me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, bën të ditur njoftimi dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në 10 maj delegacioni i Kongresit Amerikan kryesuar nga kongresmeni Bob Goodlatte vizitoi Shqipërinë në kuadër të një turi të gjerë rajonal, përfshirë Kosovën.

Hoxhaj takon kongresmenët, SHBA mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës

 Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot delegacionin nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Duke i falënderuar për miqësinë dhe mbështetjen e madhe të SHBA-së për Kosovën, Hoxhaj i ka informuar kongresmenët për progresin e vendit në agjendën euro-atlantike dhe orientimin e palëkundur perëndimor të Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara dhe rolin që ka ShBA-ja në ndërtimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Të dy palët diskutuan për mbështetjen amerikane që Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) në kuadër të Aleancës Veriatlantike.

“Kemi biseduar për miqësinë dhe mbështetjen që ShBA-ja vazhdon t’ia japë Kosovës ndër vite dhe rolin e saj në shtet-ndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Po ashtu, diskutuam se si Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) dhe mbështetjen amerikane në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar i ka informuar kongresmenët në lidhje me rrjedhën e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizim përmes dialogut të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar.Po ashtu, Hoxhaj dhe kongresmenët diskutuan për zhvillimet më të fundit në rajon dhe tendencën e Rusisë për të ndikuar në Ballkan duke i kundërshtuar shtetet e perëndimit dhe duke e penguar integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit. U diskutua edhe për ndikime të tjera jo-perëndimore të mundshme në Ballkan dhe luftimin e ekstremizmit.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, Behlul Jashari, delegacioni i kongresisteve, mbeshtet Kosoven

Kryeministri Mustafa ne Londer, BERZH mbështet Kosovën edhe me strategji të re

November 2, 2016 by dgreca

zkm-3zkm-1-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë në Londër/

 

1-britani4

PRISHTINË, 2 Nëntor 2016-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ku sot është takuar me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme, Boris Johnson dhe ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikë në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit, Alan Duncan.Gjatë takimit me sekretarin Johnson, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë, si dhe për të arriturat evidente në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e madhe të Britanisë për Kosovën në të gjitha fazat, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes.

Po ashtu, ai theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, si një prej partnerëve kryesorë strategjikë të Republikës së Kosovës. Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme, Boris Johnson, shprehu përkrahjen e mëtejme të Britanisë së Madhe për Kosovën.Sekretari Johnson, po ashtu, u interesua për zhvillimet në Kosovë dhe theksoi vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ndërsa, gjatë takimit të kryeministrit Isa Mustafa me ministrin Alan Duncan u bisedua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës dhe përkrahjen e mëtejme të Londrës për Kosovën në shumë aspekte.Në dy takimet ishin të pranishëm edhe ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

 

 

zkm-2-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, ku pati një takim me presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti/

zkm-1

 PRISHTINË, 2 Nëntor 2016-B.Jashari/ Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër ku pati një takim me presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti. Të pranishëm ishin edhe anëtarët e qeverisë së Kosovës, ministrat Avdullah Hoti dhe Memli Krasniqi, dhe menaxhmenti i lartë i BERZH, ku me ç`rast diskutuan aktivitetet e Bankës në vend. Kosova është bërë pjesëtare e BERZH si dhe vend i operacioneve në dhjetor të vitit 2012. Deri më tani, BERZH ka investuar në 50 projekte në Kosovë, që arrijnë një shumë prej më tepër se 200 milionë euro. Në tetor të vitit 2016, Bordi i Drejtorëve të BERZH ka miratuar strategjinë e re të vendit për punën e kësaj Banke në Kosovë me tre prioritete që mbështesin zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe mbështetjen e konektivitetit dhe integrimit rajonal.

Para miratimit të strategjisë së re për vendin, Presidenti i BERZH, Chakrabarti vizitoi Kosovën në qershor të vitit 2016, në vazhdën e një turneu më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Në muajin shkurt të këtij viti, Kryeministri Mustafa përcolli Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor në BERZH.

Presidenti Chakrabarti e mirëpriti mundësinë që të takohet sot me kryeministrin dhe delegacionin e lartë qeveritar nga Kosova. “Ne jemi të gatshëm që të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin me Kosovën. Jemi fuqimisht të përkushtuar që ta mbështesim zhvillimin e sektorit privat në një bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe integrimin rajonal të vendit. Vetëm gjatë këtij viti unë e kam vizituar Ballkanin Perëndimor dy herë dhe ajo çfarë pashë ishte inkurajuese. Tani kemi një përpjekje të vërtetë reformuese dhe BERZH është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj me investime dhe dialog politik”, tha presidenti Chakrabarti.Njoftimi dërguar sonte nga Londra thekson se, kryeministri Mustafa tha se BERZH-i është duke mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe zbatimin e shumë projekteve. “Sot, ne kemi marrë mbështetje konkrete nga presidenti Chakrabarti për projekte të cilat janë të parapara në prioritetet e qeverisë së Kosovës dhe do të kenë ndikim në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe avancimin e cilësisë së jetës së njerëzve. Qeveria e Kosovës mirëpret strategjinë e re të BERZH-it për Kosovën dhe pret përfshirje më të madhe të BERZH-it në mbështetjen e sektorit privat, sidomos tani pas vlerësimit pozitiv nga ana e Bankës Botërore për kushtet e të bërit biznes në Kosovë”, tha Mustafa.

Delegacioni i Kosovës do të shfrytëzojë vizitën në Londër për diskutim të detajuar me përfaqësuesit e menaxhmentit të BERZH-it dhe për të diskutuar për projekte konkrete.Gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, presidenti Chakrabarti nënshkroi dy marrëveshje me bankat lokale, të dyja me qëllim të asistimit të bizneseve lokale të sektorit privat, që është një nga prioritetet e Bankës. Operacionet e BERZH-it në Kosovë kryesohen nga Elena Petrovska, e cila iu bashkua presidentit dhe kryeministrit në mbledhjen e sotme.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Berzh, edhe me strategji të re, mbeshtet Kosoven

SHBA në Kosovë mbështetje edhe privatizimit

September 15, 2016 by dgreca

-Delegacioni i Ambasadës Amerikane, takim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit/

-Një element i domosdoshëm për një transformim të suksesshëm ekonomik të Kosovës/

PRISHTINË, 15 Shtator 2016 Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi dhe drejtori menaxhues, Ekrem Hajdari si dhe dy zëvendësdrejtorët menaxhues u takuan sot me delegacionin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, të kryesuar nga Mary Glantz, zëvendësshef i Sektorit për Politikë dhe Ekonomi dhe Meredith Rubin, zyrtare e lartë për Ekonomi.Gjatë takimit, menaxhmenti i AKP-së i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së lidhur me procesin e privatizimit të realizuar në Kosovë deri më tani dhe strategjinë e Agjencisë për vazhdimin e këtij procesi dhe për zbatimin e mandatit të saj ligjor.Delegacioni i Ambasadës Amerikane shprehu interesim në punën e Agjencisë dhe sfidat e saj, duke përfshirë zhvillimet lidhur me ndërmarrjen shoqërore Trepça.Gjatë takimit, menaxhmenti i AKP-së vlerësoi përkrahjen e dhënë nga Ambasada Amerikane në përpjekjet për privatizim në Kosovë, si dhe shprehu rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në këtë fushë, e që është një element i domosdoshëm për një transformim të suksesshëm ekonomik të vendit.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: mbeshtet Kosoven, SHBA

NOBELISTI FERID MURAD:VIRTYTI I TË QENIT I DREJT DHE I NDERSHËM

September 11, 2015 by dgreca

Nobelisti amerikan me prejardhje shqiptare Dr. Ferid Murad mbështet anëtarësimin e Kosovës në UNESCO/

PRISHTINË, 10 Shtator 2015/ Nobelisti amerikan me prejardhje shqiptare Dr. Ferid Murad, laureat i Çmimit Nobel për mjekësi, është personaliteti i radhës me famë botërore që ka mbështetur publikisht kandidaturën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO). Në vijim ju sjellim të plotë shkrimin e z. Murad për botimin diplomatik francez “La Lettre Diplomatique”, të sapodërguar nga MPJ e Kosovës./

VIRTYTI I TË QENIT I DREJT DHE I NDERSHËM/

 Dr. Ferid Murad, laureat i Çmimit Nobel /

Babai im ka migruar në Shtetet e Bashkuara, ai ishte një shqiptar i besimit mysliman i cili ra në dashuri me një Amerikane të besimit prezbiterian, dhe së bashku  e krijuan familjen. Prindërit e mi pritnin që unë të bëhem një mjek dhe kishin shumë shpresa të mëdha për mua, edhe pse në atë kohë, ishin të pakët ata që vazhdonin shkollimin në fakultet pasi që diplomonin në shkollë të mesme. Unë mund edhe ti kem zhgënjyer kur zgjodha rrugën e kërkimeve shkencore. Kjo nuk ishte rruga më e lehtë dhe as më fitimprurësja. Megjithatë, e ndjeja që kjo ishte rruga e duhur për mua. Dëshiroja të bëja ndryshimin. Shpresoja se me pak fat, hulumtimet e mija do të mund të ndikonin në jetën e njerëzve.

Kështu filloj e gjithë kjo, me një parandjenjë – ajo ndjesia kur e din se ke të drejtë, por duhet ta dëshmosh. Kjo kërkon motivim të lartë dhe vendosmëri të plotë. Më pas ajo çfarë ndodhi ishte rastësi. E gjen veten në prag të një zbulimi të jashtëzakonshëm, por në kohën mes këtyre dy momenteve, ka kaluar një jetë e tërë. Kam kaluar dekada duke bërë hulumtime themelore mbi oksidin nitrik, madje edhe kur kolegët dhe miqtë e mi më quanin i çmendur që po investoja aq shumë kohë dhe përpjekja në atë. Më pas e fitova Çmimin Nobel! Osidi nitrik filloj të përdorej më shumë, si në luftën kundër kancerit, sëmundjes së Alzeimer, sëmundjeve të zemrës dhe shumë të tjera. Është kënaqësi kur e kupton se puna juaj ka ndikuar pozitivisht në jetët e miliona njerëzve.

E dua hulumtimin – kjo është e qartë. Po aq shumë e dua edhe punën me të rinj dhe studentë të zgjuar. Gjithmonë ju tregoj të vërtetën për zbulimet shkencore – nevojiten përpjekje kolosale! Projektet kërkimore janë projekte të mëdha, afat-gjata, dhe përfshijnë shumë njerëz si dhe kërkojnë shumë fonde. Për më tepër, kërkojnë edhe bashkëpunim të ngushtë brenda vendit dhe shpeshherë edhe jashtë vendit me Universitete dhe Qendra të Hulumtimit. Për shkak të këtij kompleksiteti, hulumtimi ka ndryshuar nga një kërkim personal në një aktivitet masiv ndërkombëtar.

Hulumtimi shkencor i ka dy anë: njëra është gara, që është një bazë shumë frytshme që na motivon të bëjmë më të mirën tonë. Ne garojmë kundër njëri-tjetri në një mjedis kolegjial, siç kemi bërë unë dhe shoku imë i ngushtë nga vitet e parashkollores, Ronald Delismon. Megjithatë, në ditët e sodit, gara është bërë më ndërkombëtare se kurrë më parë. Zbulimit nuk do t’ia dijë për   kombësinë. Trashëgimia e Ajnshtajnit apo Jobs nuk njehë kufij; ajo është përqafuar dhe zbatohet në të gjithë botën.

Ana tjetër është bashkëpunimi: kur natyra ka nevojë për ide të reja, ajo përpiqet të bashkojë, dhe jo të garoj apo të mbroj. E njëjta gjë ndodh edhe me ne njerëzit. Ekziston një ekuilibër delikat mes garës dhe bashkëpunimit. Por pikësëpari, duhet të caktojmë kornizën e duhur për bashkëpunim – atë të lirisë, qasjes dhe mundësisë.

Unë jam një hulumtues me prejardhje Shqiptare. Kamë qenë në Kosovë dhe kamë parë progresin e mrekullueshëm që është arritur, dhe potencialin e rinisë dhe studentëve. Tek ata e shoh të njëjtën etje për sukses siç e kisha unë në vitet e mia të rinisë. Unë isha me fat që u linda në vendin e mundësive. Më vjen keq kur shoh frustrimin në sytë e tyre; ata jetojnë në vendin më të izoluar në Ballkan dhe në Evropë për shkak të regjimit kufizues të vizave. Qasja e tyre në programe dhe grante të ndryshme është e kufizuar.

Jam entuziazmuar kur mësova se autoritetet e Kosovës gjatë vjeshtës do të aplikojnë për anëtarësi në UNESCO me qëllim që t`ju ofrojnë qytetarëve më shumë mundësi. Ata kanë zgjedhur drejtimin e duhur, e ai është i integrimit dhe bashkëpunimit. Qasja në programe të ndryshme shkencore ndihmon shumë. Hulumtimi shkencor është një bast i sigurt: edhe idetë e thjeshta mund të kenë ndikime të mëdha.

Është fisnike të ndryshosh jetën e dikujt, të njohësh përpjekjet e tij apo saj. Por pikësëpari, të gjithë e kemi obligim që të jemi të drejtë. Duke ofruar anëtarësi të plotë për Kosovën, shtetet anëtare do të bëjnë atë çfarë është e drejtë dhe e ndershme./b.j/

Filed Under: ESSE Tagged With: Ferid Murad, mbeshtet Kosoven, me origjine shqiptare, Nobelisti amerikan

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT