• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Naum Prifti, shkrimtari që bëri emër mbi vullkan…

March 7, 2017 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

1 Legjenda    Në brezin e shkrimtarëve të “Realizmit Socialist” numërojmë shumë shkrimtarë, “publicistë”, “historianë”, poetë, të cilët, me hir apo pa hir, u bënë me veprat e tyre reflektimi i sipërfaqshëm i doktrinës zyrtare të kohës. Dikush lëvdonte Partinë dhe Enverin, një tjetër kapej pas temave të “bumit të mirëqënies” së socializmit e dikush kredhej në “përsiatje ideologjike” mbi vijën e drejtë të luftës së klasave. Të paktë qenë ata që menduan dhe u përpoqën të shpëtonin veprat e tyre nga helmi propagandistik që përgatitej në laboratorët e Komitetit Qendror të P. P. Sh. Duke vendosur kriterin ideologjik mbi ato estetike, individualiteti krijues i shkrimtarëve, nuk ishte një çështje e dorës së parë për letërsinë tonë, krijimi i modeleve të reja nën frymën e parullave të novatorizmit nuk përfshinte zgjerimin tematik në drejtim të lirisë shoqërore dhe botës së brendshme të individit. Totalitarizmi nuk lejoi që letërsia të shihej si çështje mes shkrimtarëve dhe lexuesve dhe dijet mbi të u kufizuan brenda korrnizave të censurës. Çka nuk ishte militante, nuk mund të ishte letërsi! Por edhe gjendja e publicistikës dhe e historisë nuk paraqitej aspak ndryshe.grirja-e-shpirtit

Letërsia e re është një dokument i rëndësishëm i kohës së monizmit në Shqipëri. Studimi i saj është i dobishëm kryesisht në rrafshin e përgjithshëm historiografik, pasiqë në kuptim të ngushtë letrar ajo u zhvillua jashtë funksionit natyror të vet. Kështu është e pamundur që letërsia e realizmit socialist shqiptar të studiohet e kuptohet jashtë rrethanave politike të kohës në të cilën ajo u zhvillua. Megjithatë, shkrimtarët e vërtetë, falë gjenialitetit të tyre krjues, ia dolën herë-herë të thyenin kanonet letrare të doktrinës zyrtare. Duke iu shmangur modelit zyrtar, nën ndikimin e realizmit europian, atij klasik dhe atij bashkëkohës me ngjyrim socialist, shkrimtarët tanë më të mirë, krijuan vlera të vërteta letrare që kaluan kufinjtë e Shqipërisë. Ata ishin shumë pak! Dhe dalja jashtë kufinjve kishte një kosto: shkrimtari duhej të bënte një lloj kompromisi të nënkuptuar pa qenë madje nevoja për kontrata të firmosura, sepse çdo marrëveshje presupozon ekzistencën e dy palëve të dakordësuara, ndërkohë që praktikat diktatoriale nuk e njohin partneritetin me individin e lirë. Shkurt që të vezullonte ylli i shkrimtarit duhej që rrezatimi të kalonte nga tunelet e Luciferit, siç qe dhe rasti i Kadaresë. Qëllimi ishte përdorimi apo më saktë shpërdorimi i imazhit të shkrimtarit për lavdinë e diktaturës. Kjo ishte një fatkeqësi kombëtare! Një fatkeqësi që i ka pasojat të dukshme edhe në ditët e sotme, teksa shohim që disa nga shkrimtarët tanë më të mirë, konsiderohen të kontaminuar nga një pjesë e kritikës së sotme. “Kritikët” e sotëm e kanë të lehtë për të kritikuar ashpër, pa kuptuar se në atë mënyrë fshijnë si me një tastierë kompjuteri atë pak pranverë që rrekej të lulëzonte brenda  dimrit  të gjatë barbar. Nuk ka krim më të madh se sa të kërkosh të programosh mendjen e lirë të një intelektuali. E ky rregull çnjerëzor ishte rregulli numër një i komunizmit. Ai që dilte kundër këtij rregulli …

midis-dy-kohesh

Është e vërtetë që shumë shkrimtarë i shpëtuan me “mjeshtëri” përndjekjes, por nuk janë të pakët ata të cilët, nuk shpëtuan dot, duke u dënuar me akuza nga më të ndryshmet deri madje edhe nga ato më banalet dhe rasti i mikut tim të dashur, poetit të madh Frederik Rreshpja, është ndër më domethënësit.

Naum-Prifti-As-Mico-as-Muco-250x250

Ndër shkrimtarët që nuk i shpëtoi ndënshkimit partiak ishte dhe Naum Prifti, me një veprimtari të shumanshme letrare që nga krijimtaria brilante për fëmijë, argëtuese dhe didaktike e deri tek proza tregimtare eklektike, për të mos harruar gjinitë skenike, punën e tij si redaktor revistash si Hosteni e Ylli, kontributin e çmuar në jetën universitare dhe prezencën e shpeshtë në shtyp me artikuj studimorë ku spikat mendimi i ngjeshur kritik dhe shija e hollë estetike. Pas shfaqjes së dramës “Rrethi i Bardhë”, në kohën e revolucionit kulturor, shkrimtari Prifti, ndjen në kurriz dhëmbët e diktaturës së proletariatit. Drama “Rrethi i Bardhë” shkaktoi pakënaqësinë e vetë diktatorit Hoxha, i cili ndërseu langonjtë për ta ndënshkuar krijuesin e madh. Naumi internohet për disa vite në Myzeqe. Nevoja për potencialin e tij krijues, bëri që diktatura ta konsideronte të “shlyer” gabimin e shkrimtarit. Kështu diktatura duke e lejuar kthimin e Naumit në Tiranë,  kishte rastin të demostronte nëpërmjet “klemencës” ndaj Priftit, se ç’i priste të tjerët nëse shkelnin vijën ideologjike që partia kishte shtrirë në art dhe letërsi. Por, Naumi asnjëherë nuk rrahu gjoksin në postdiktaturë për përvojën e hidhur të përndjekjes së tij, ai kurrë nuk e deklaroi veten si një ish disident, si një shkrimtar i persekutuar nga rregjimi siç bëjnë sot disa shkrimtarë! Për të, rëndësia e një shkrimtari qendron tek vlerat që transmeton krijimtaria e tij, nëse nuk ndodh që ato të tërheqin vëmendjen e lexuesit, është e kotë që të kapesh pas të dhënave biografike.

ndjekesi-i-kuajve

Jeta e tij krijuese flet vetë me anë të një bibliografie të pasur me mbi njëqind vepra si rrallë ndonjë shkrimtari tjetër në letërsinë tonë. Robert Elsi, me një përshkrim të shkurtër, e përfshin ndër shkrimtarët më të lexueshëm shqiptarë, pa hyrë në vlerat e vërteta letrare të Naumit. Vlerat estetike të dallueshme të krijimtarisë së tij mund të përmendim skicimin e mprehtë të karaktereve, thellësinë e mesazheve artistike, gjuhën e pasur dhe të lëmuar, mendimin që arrin herë-herë deri në persiatje filozofike,ngrohtësinë e ndjenjës dhe shkallën e lartë të humanitetit në trajtimin e temave.Unknown

Në tregimin “The Golden Fountain”, pjesë e librit me të njëjtin titull, fabula e tregimi duket sikur ka ngjashmëri  me  historinë e “Bakhchisaray Fountain”, ose siç e quajnë “Fountain Of the Tears”, ku Pushkin do të shkruante poezinë e famshme “Shatrivani i Bahçisarajt. Por, në fakt tregimi i Naumit, ka një ndryshim thelbësor. Ai e dekoron modelin ideal të vajzës shqiptare, me kultet etnotipike, besën dhe virtytin e lartë, nderin. Dhe pse personazhet nuk ishin të martuar, besa e zemrës së premtuar mjaftonte për një dashuri të shenjtë platonike e cila përfundon në flijim. Kulmi i tregimit është, kur babai ndërton çezmen e artë në përkujtim të përjetshëm të vajzës së vet. Mitin që ndërton ai në këtë tregim, do ta kishte zili dhe Verona, që mbart  arketipin e tragjedisë shekspiriane, “Romeo e Xhuljeta”.

Tek “Grirja e Shpirtit”, mjafton të lexosh tregimin “Cungjet e Kryetarit” të kuptosh forcën e penës së Naumit. Këtu toni satirik kalon me natyrshmëri në sarkazëm, që është një nga mjetet e përdorura me mjeshtëri nag shkrimtari ynë. Ajo është thumbuese dhe jo aq fshikulluese siç ndodh rëndom me shkrimtarët e tjerë satirikë.  Satira naumiane nuk godet për të ndëshkuar, ajo ka tjetër natyrë, natyrën e vetë sbhkrimtarit që ndërhyn për të shëruar dukuritë negative në jetën shoqërore. Verisimilituda e Naumit është në shkallën më të lartë. Deus ex machina është një instrument zbërthimi në penën e autorit. Satira e tij, pa frikë  mund të krahasohet me atë të shkrimtarëve e mëdhenj të traditës perëndimor, Mark Twain, Woody Allen, Jonathon Miller, Grigori Gorin, Hajnrih Bel etj…

naum-prifti1

Novela, “Një Spiun për Ministrin”, po tek libri “Grirja e Shpirtit”, zbërthen shkakun dhe pasojën e katastrofës së shkuarës, e cila vjen si pasojë e të njëjtës kategori njerëzish injorantë, shpirtzinj, të cilët, pasi janë degraduar vetë shpirtërisht, luftojnë për të shkatërruar përditë vlerat intelektuale, frymën e progresit dhe shpirtin e shoqërisë!

Sigurisht, jo të gjithë bien dakord kur është fjala për një shkrimtar të madh e shumë prodhimtar siç është Naum Prifti. E kuptoj se ka dhe mendime kundra, këtë e quaj normale në kritikën bashkohore, por personalisht i përkas mendimit se vlerat e letërsisë sonë duhen evidentuar, promuovuar e kultivuar. Dhe vepra e Naumit është mjaft e pasur për t’u lënë jashtë vëmendjes. Letërsia jonë ka fare pak shkrimtarë të arrirë. Naum Prifti është njëri prej tyre. Ai është shfaqur në letërsinë tonë, në momentin më të vështirë, me tërë madhështinë si shkrimtar i letrave universale. Koha nuk kontaminoi shpirtin e tij krijues. Ai bashkoi në krijimtarinë e tij traditën me modernen, lëndën burimore poetike me fantazinë e mjeshtrit duke ndërtuar një stil të pangatërrueshëm. Si mjeshtër i sintaksës poetike, merret me të gjitha zhanret: novelist, tregimtar, eseist, dramaturg, komedian, skenarist, përkthyes. Si studiues ka kontribuar pa kursim në letrat tona me dhjetra artikuj, por edhe si biograf, monograf. , librete estrade, skenare filmash artistikë e vizatimorë, pjesë teatrale e komedi muzikore, librete baleti. Ai zë një vend të padiskutueshëm nderi në faqet e letërsisë argëtuese-didaktike për fëmijë, në sistemin tonë arsimor. Breza të tërë janë shërbyer me tekstet e tij dhe kanë përfituar mjaft nga fryma artistike dhe edukuese e tyre. Dhe shkrimtarët e vërtetë e dinë sa e vështirë është letërsia për fëmijë. Rrallë shkrimtar ka shkruar me aq dashuri e përkushtim në këtë lëmë si Naumi. Shumë prej teksteve të tij ruajnë freskinë e vlerave edhe sot.

Memuaret e Naumit janë tablo të gjalla e të plot dritë. Teksa i lexon përfshihesh tërësisht në rrjedhën e ngjarjeve sa e ndjen veten dëshmitar dhe jo lexues. Vlerat e kujtimeve  janë të vlefshme si në rastin human dhe në rrafshin  historik. Ai ka një thirrje  të admirueshme në shkrimet historike , por me modesti, lë të vërtetën historike  në dorë të gjurmuesve të historisë. Me një kompetencë të pashoqe, sqaron debatin e datës 28 Nëntor – 29 Nëntor, ditën e çlirimit, ku sjell fakte të pakontestueshme se, data 28 Nëntor është dita e çlirimit të Shqipërisë. Me penën e tij, kritikon gabimet e Zogut, dhe më pas dënon (sipas stilit naumian) qeverinë komuniste…

Në debatet dhe polemikat intelektuale, Naum Prifti, ka ruajtur me seriozitet të padiskutueshëm objektivitetin në gjykimet e tij kritike. Në një replikë me patriotin e mirënjohur Ekrem Bardha, ai nuk kurseu dhe kritikat për Ballin Kombëtar. “Kush e filloi luftën civile në Shqipëri?”, është një kontribut mbi ndriçimin e mëtejshëm të kësaj teme historike, për të cilën shqiptarët janë të ndarë më dysh. Të dy sollën faktet e tyre në një kohë relativisht të shkurtër, por, ndoshta, gabuan duke e ngushtuar temën vetëm në kohën e luftës, pa përfshirë në diskutim pasojat e tmerrshme, në periudhën e “paqes”, me luftën e klasave si vijim i saj. Krimet e kësaj lufte janë të barabarta me krimet e nazistëve  në Bukenvald, Aushvic etj. Ato duhen klasifikuar e dënuar si krime kundër njerëzimit. Komunizmi nuk ishte vëllavrasës vetëm  në Shqipëri, por në të gjithë Europën Lindore dhe Kinë. Viktimat e komunizmit llogariten dy herë më shumë se sa viktimat gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë pikë, Naumi bën një tërheqje prej një intelektuai të sprovuar, duke theksuar: “ Se gjykimi duhet lënë në dorë të historianëve profesionistë e të paanshëm.”

Libri “Teatri në Kohën e Krizës” (me parathënie të Rafaela Kondi, vajza e Naumit, intelektuale e kompletuar), zbulon prapaskenat dhe pafytyrësinë e partisë që mbante peng jetën e teatrit. Teatri ishte dhe reflektim i jetës së shqiptarëve në përgjithësi. Skena vuante nga të njëjtat sindroma si e gjithë shoqëria.

Eulogjia e Priftit për jetën e Dritëroit, tregon një tjeter tipar të karakterit burrëror të shkrimtarit. Ai e vlerëson Agollin jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri, përkundrejt akuzave të shëmtuara e të padrejta. Ai na sjell dhe zemëratën e Mehmet Shehut, lidhur  më romanin “Tuneli” të Dhimiter Xhuvani etj. Pra, Naumi, është një minierë që,  sa herë të gërmosh në të,  nxjerr veç lëndë tëe çmuar. Pas ardhjes në Amerikë, Naumi  ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Vatrës, duke luajtur përkrah  Dr.Gjon Buçaj dhe vatranëve të tjerë një rol në formimin e një strategjie për të ringritur Vatrën  në prestigjin e saj historik.

Naum Prifti, me kulturën e tij të pashtershme, është gjithashtu një nga zërat kritikë më objektivë që kanë letrat tona. Ai nuk reduktohet në opinione të përgjithshme, siç ndodh rëndom me kritikët e tjerë. Kategorik ndaj pseudo-letërsisë, ai mbetet i hapur ndaj shkrimtarëve premtues, sigurisht kur sheh se veprat e tyre e kanë brumin letrar. Njëherë, një autor i dhuroi Naumit, dy “vepra”, që ai t’i lexonte e t’i jepte mendimin e tij të kualifikuar. Naumi, me mundim të madh i lexoi librat, duke gërmuar me dashamirësi të gjente ndonjë vlerë. Pasi e kreu leximin, më shkroi një letër, ku shfaqte qartë zhgënjimin. Ndër të tjera ai shkruan më shkruante për shkrimtarin këto fjalë: “Ai akoma nuk ka trokitur tek portat e letërsisë!”. Ia tregova autorit se çfarë kish thënë pak  a shumë Naumi… “Romancieri” u zu ngusht, por me sinqeritet, u shpreh: “Nëse Naumi ka thënë ashtu, kjo do të thotë se diçka  nuk shkon mirë  në shkrimet e mia…”.

Naumi, gjatë veprimtarisë së tij të gjatë letrare si redaktor, ka ndihmuar shumë bashkëpunëtorët e tij me këshilla, sugjerime dhe vërejtje prej profesionisti. Dora e tij redaktuese ka qenë sa mjeshtërore aq dhe besnike ndaj vlerave autentike autoriale. Sot nuk ka më mjeshtra të redaktimit si Naumi.

Naum Prifti është gjithashtu një nga shkrimtarët e paktë tanët që ka gëzuar maksimalisht gjithnjë respektin dhe dashurinë e kolegëve, pikërisht falë vlerave dhe personalitetit të tij si shkrimtar e si njeri. Në mbyllje, po sjell edhe një ilustrim të kësaj që sapo theksova. Një nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë, Fatos Kongoli, në një kremtim letrar, më thotë: “Nuk mund të dal të flas para Naumit, kam një respekt të madh për veprën dhe figurën e tij.”. E desha Fatosin dy herë më shumë. Njerëz të tillë që vlerësojnë veprën e mikut kanë mbetur pak. Ata duke vlerësuar figurën e kolegut, lartësojnë vetveten në stadin më të lartë. Por, këtë, mjerisht nuk dinë ta bëjnë të gjithë. Dinë ta bëjnë tek ne vetëm njerëzit e mëdhenj.

Me 7 Mars 2017, shkrimtari Naum Prifti, mbush 85 Vjet. Shteti shqiptar, shoqëria shqiptare në përgjithësi e Vatra në veçanti, duhet ta nderojnë këtë pasuri kombëtare që kontriboi si pak kush midis dy shekujve maksimalisht për letërsinë, kulturën dhe artin shqiptar.

Pa dallim, brezi jonë i detyrohet shumë veprës letrare dhe përkushtimit intelektual të Naum Priftit.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, bëri emër, mbi vullkan…, Naum Prifti, shkrimtari që

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT