Emocione që më vijnë e nuk mund t’i mbajë për vete…/
Nga Abdurahim Ashiku/
E diele, 17 shkurt 2008 ! Athina është nën pushtetin e dëborës dhe akullit. Bora ka kap edhe bregun e detit, edhe ishujt, deri në jugun ekstrem të gjeografisë së saj, brigjet jugore të Kretës…
Unë jam ngrirë përpara ekranit ku sinjali, pasi ngjitet lart e lart në qiell, vjen e ulet i qartë në xhamin e kristaltë. Shtyp butonat duke e kaluar sinjalin herë në njërin stacion e herë në tjetrin, herë në Shqipëri e herë në Kosovë, herë në stacionet e vendit ku jetoj e herë në stacionin më prestigjioz të botës, CNN. Kërkoj Kosovën, kërkoj Prishtinën, kërkoj Thaçin e legjendës së UÇK –së, kërkoj Krasniqin zëdhënës të saj, kërkoj Sejdiun e gandistin ballkanik Rugova…
I gjej. Më vijnë ndryshe.
Thaçi nuk është më ai i Rambujesë, ai që udhëtonte nga kështjella mesjetare franceze në drejtim të kështjellës shekullore të qëndresës shqiptare, maleve të Drenicës së Azem Galicës e kullës së bërë shoshë nga plumbat të Adem Jasharit, për tu dhënë e marrë qetësi luftëtarëve të lirisë…
Zëri i Krasniqit nuk ka më tingullin e zërit të luftës e të luftëtarëve të UÇK –së, nuk bie erë baruti e plagësh të rënda të një populli që shkulej me gjithçka nga trojet e veta shekullore…
Edhe Sejdiu më vjen ndryshe. Nuk vjen më me zërin e Rugovës që kërkonte paqe kur vendin e kishte mbuluar tymi i armëve dhe pluhuri i zinxhirëve të tankeve…
Njeri pas tjetrit ngjiten në tribunë, me dinjitetin e njerëzve që kanë marrë mbi shpatulla nderin dhe përgjegjësinë e shpalljes së një akti të madh, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës…
E përjetova tërë ditën këtë ngjarje të madhe. E përjetova me emocion dhe krenari. Kufijtë e shqiptarëve shkuan atje ku e kishin vendin. Shqiptarët, për herë të parë, pas një shekulli e ndjenë se shtylla e tyre kurrizore po merrte formën e saj natyrore, se malet përmes të cilëve e kishin ndarë ishin bashkuar. Bashkimi i maleve të ndarë nga tërmetet njerëzore është diçka e madhe, diçka që i bën sfidë kohëve. Shqiptarët e Kosovës i bashkuan malet. I bashkuan jo me lutje, por me pushkë. Nuk i bashkuan vetëm. I bashkuan me ndihmën e dy aleatëve të mëdhenj, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian…
Nuk kam derdhur ndonjëherë lot gëzimi sa kam derdhur atë ditë…
Nuk do t’i shkruaja këto radhë në qoftë se një zë i largët, një zë fëminor, nuk do të më ngucte. Këtë thjesht se lotët e mia të gëzimit nuk ishin vetëm të miat, ishin vetëm disa pika që atë ditë derdheshin në detin e madh të emocioneve mbarëshqiptare.
Ishte im nip, Gurjoni që në vjeshtë mbush katër vjet jetë. Ishte zëri i tij fëminor “Gëzuar gjysh !“ dhe Kosova Republikë !“ që m’i përzjenë emocionet. Atë fjalën “Republikë“ nuk e përtypte dot, edhe pse vajza ime Erblina i vinte në ndihmë.
Gurjonit i duhet kohë ta kuptojë çastin e sotëm, përjetimin e gjyshit dhe të gjithë “gjyshërve shqiptarë“ për momentin historik. Do ta kuptojë kur të rritet dhe të shkojë në shkollë, kur të mësojë gjeografinë e botës ku jeton, kur mësuesi do t’i thotë se Kosova është shteti më i ri i Evropës së Bashkuar…
Në kohën dhe shoqërinë që ai do të jetojë, historia e stërgjyshit të tij, Haki Shehut që një natë shtatori të vjeshtës së parë të vitit më të mbrapshtë të historisë shqiptare, vitit 1913, do të kalonte Drinin e Zi në koshat e kalit së bashku me motrat e vëllezërit duke lënë vatrën e vet në zemrën shqiptare, Dibrën e Madhe, do t’i duket si një përrallë…
Gurjoni, edhe në këtë moshë, teksa shihte flamuj e njerëz të gëzueshëm, teksa dëgjonte fjalën e madhe të ditës “Gëzuar !” e “Kosova, Kosova !“, gëzohej dhe kërcente, gëzohej dhe shqiptonte fjalët e reja, gëzohej dhe mësonte historinë e re të shtetit më të ri në botë, histori që niste atë ditë, më 17 shkurt 2008…