Me bindjen se delegatët, të pajisun me idealizmin e atdhedashunisë, do të bashkohen në frymën e harmonisë e të bashkëpunimit, shkojmë në Kuvend me besimin se do t’i përfundojmë punimet me sukses dhe do të dalim faqebardhë!/
NGA DR.GJON BUÇAJ-KRYETAR I VATRËS/
Edhe pak ditë i ndajnë vatranët nga Kuvendi zgjedhor që mbahet më 2 Maji 2015 në Jacksonville, në shtetin Florida. Në vitin e kaluem Këshilli Drejtues i “Vatrës” vendosi që Kuvendi i vitit 2015 të mbahet në Jacksonville, Florida.Arsyeja kryesore e këtij vendimi ishte për të vlerësue degët dhe vatranët e rij, për të mbajtë lart entuzjazmin e vatranëve dhe të dashamirëve të Federatës “Vatra” në përgjithësi, që u vrejt me rastin e kremtimeve të 100 vjetorit të themelimit, dhe kështu të vazhdojë ngritja dhe rritja e saj. Nji arsye tjetër asht edhe për të lehtësue delegatëve anën e shpenzimeve, pse “Vatra” si organizatë, nuk ka fonde për udhtimet e tyne dhe disa degë mund të mos jenë në gjendje që të mbulojnë shpenzimet e delegatëve, prandej asht e drejtë që edhe delegatët e New York-ut dhe Kryesia të udhtojnë jashtë me shpenzimet e veta përsonale. Zgjedhja asht ba në mes degës së Michigan-it dhe asaj të Jacksonville-it, por tue pasë parasyshë se në Michigan ishin ba kuvende disa herë në të kaluemen, u vendos që këtë herë Kuvendi të mblidhet në Jacksonville të shtetit Florida, ku nuk asht ba kuvend ndonjiherë ma përpara. Shumica e vatranëv në Jacksonville e kanë pritë këtë vendim me entuzjazëm dhe e kanë marrë si vleresim dhe privilegj.Të mos harrojmë se në Florida janë katër degë të Vatrës, më shumë se në çdo shtet tjetër.
Me delegatët e Jacksonville-it, atje do të bashkohen delegatët e degëve të tjera të Floridës: Fort Lauderdale, Orlando dhe Tampa, si dhe nga, nga Washington DC, Michigan, Hartford CT, Toronto – Canada dhe nga degët e New York-ut bashkë me Kryesinë e “Vatrës”.
Punimet e Kuvendit do të zhvillohen simbas Kanunores dhe në frymën demokratike dhe të bashkëpunimit. Në këtë Kuvend organet e Federatës do të japin dorëheqje dhe delegatët do të zgjedhin udhëheqsinë e re. Degët janë porositë të dergojnë nga një delegat për çdo 10 (dhjetë) antarë të rregullt. Antarë të rregullt janë të gjithë ata që janë regjistrue dy vjet të kalueme ose ma shumë, tue mbushë formularin përkatës dhe tue pague antarësinë. Edhe në këtë Kuvend do të ndjekim praktikën e dy Kuvendeve të ma parshme, ku delegatëve të rregullt do t’u propozohet që të aprovojnë edhe delegatët e regjistuem në “Vatër” ma pak se dy vjet, të jenë edhe ata të rregullt dhe me të drejtë vote. Kjo bahet për të qenë në pajtim me Kanunoren që parashef kohën dyvjeçare për të pasë të drejtë vote. Mbasi Kuvendi asht organi ma i lartë i “Vatrës”, ka fuqinë të bajë këtë ndryshim të përkohshëm me anë të atyne delegatëve që Kanunorja si njeh si të rregulltë.
Kryetarët e degëve janë porositë, gjithashtu, që mbrenda datës 26 prill, të dërgojnë listat e antarëve të rregullt dhe të delegatëve. Ditën e hanë me 27 prill Kryesia duhet të ketë këto lista në dorë, për të përpilue listat e pranushme për Kuvend. Disa i kanë dërgue, por jo të gjithë. Ato degë që kanë mbledhjet e antarëvet me datën 25, duhet t’i dërgojnë listat ditën e nesërme.
Në këtë Kuvend pritet që të aprovohen shtesat e Kanunores të shqyrtueme edhe në Kuvendin e vitit të kaluem, do të vendoset mbi regjistrimin e degëve simbas ligjit të shtetit ku veprojnë, tue qëndrue gjithmonë të lidhuna ngusht me “Vatrën” si organizatë, do të vendoset mbi propozime të ndryshme që vijnë nga delegatët, tue synue gjithmonë rritjen e degëve dhe numrin e antarëve dhe funksionimin sa ma të mirë të “Vatrës” në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe, sidomos, si t’i shërbejmë ma mirë e ma dobishëm çashtjes kombëtare në përgjithësi.
Federatën Pan-shqiptare të Amerikës “Vatra” që na lanë amanet themeluesat, Peshkop Fan Noli dhe Faik Konica me të tjerë kolosa të Rilindjes, do t’a projektojmë me optimizëm drejt së ardhmes, në kushte të kohës por tue ruejtë frymën e saj kombëtare të pacenueme.
Ky Kuvend i Vatrës mblidhet në një kohë kur në vendin tonë amë dhe në pjesën më të madhe të trojeve amtare, por sidomos atje ku kemi shtetet shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, qytetarët përballen me eksod masiv, që vjen si pasojë e keqeverisjes, lulwzimit tw korrupsionit, mungesës të vendeve të punës,grindjeve politike dhe mungesës së shpresws. Vatra u bën thirrje qeverive shqiptare që të punojnë për qytetarët dhe t’i shërbejnë me një strategji më të qartë, me Platformë Kombëtare, interesave gjithëkombëtare. Po ashtu, Vatra u bën thirrje qytetarëve shqiptarë, t’u qendrojnë larg kurtheve të grupeve ekstremsite, që cënojnë paqen botërore.
Me bindjen se delegatët, të pajisun me idealizmin e atdhedashunisë, do të bashkohen në frymën e harmonisë e të bashkëpunimit, shkojmë në Kuvend me besimin se do t’i përfundojmë punimet me sukses dhe do të dalim faqebardhë!