• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MONOLOG PAS ZYRTARIZIMIT TË LISTAVE – QAJ FACEBOOK ME LOTË PËRPJETË

May 10, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Qaj facebook me lotë përpjetë. Për mirësjellje, nuk vë pikëçuditje, sepse thirroren dikush mund ta ngatërrojë me urdhëroren. Lotët përpjetë janë lotë të rremë, ashtu i ka konceptuar dikur ata muza popullore duke i paraprirë botës së sotme virtuale. Tjetërgjë ankimet dhe rënkimet e miqve të mi këto ditë pas zyrtarizimit të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit nga të ashtuquajturat parti të djathta, të majta apo të qendrës.
Vërtet bota e internetit, konkretisht kjo e facebook, më popullori i rrjeteve sociale, është një botë virtuale, por prapa emrave dhe pseudonimeve fshihen njerëz realë ose kolektivitete njerëzore reale, me shpirt, me ndjenja, me ndjesi. Dhe pikëllimi i tyre, dëshpërimi i tyre, halli dhe gazepi i tyre nuk mund të mos pasqyrohen në klimën e nderë që po mbretëron në facebookun shqip.
Përpara se të kaloj në hollësi disi më të prekshme, sipas reagimeve të bëra, dua t’i ndaj në disa kategori miqtë e mi në facebook.
Në kategorinë e parë mund të përfshihen ata miq që prisnin të kenë në lista njerëzit e tyre, pra miqtë, të afërmit, të njohurit e tyre, shefat e tyre të derisotëm. Kjo është kategoria më e madhe dhe më e pafajshme. Mungesa e tyre, po them – fizike, në komentet apo liket, është më e rënda në terrenin tonë virtual.
Kjo kategori, më masivja, më e buta, pra, më morbidja, realisht është edhe më e ngushëllueshmja. Sepse, ende pa iu tharë lotët për faqe, vihet në kërkim të emrave të rinj të listave, duke rrëmuar nëpër biografitë e tyre, duke u përçapur sidomos nëpër pikat e dobëta të shefave të tyre të mundshëm të ardhshëm. Ende pa ndërruar fleta e pushtetit, këta janë të gatshëm dhe gjithë ankth e padurim për ta ndërruar fletën.
Rëndom, këta na kanë sulmuar me komentet e tyre, na kanë keqkuptuar, na e kanë shtrembëruar kontekstin e fjalëve tona, për të treguar sa armiq jemi ne, sa të përbetuar jemi ne, sa miq janë ata, sa të vendosur për jetë janë ata ndaj pushtetit, ndaj eksponentëve të pushtetit, ndaj krerëve të pushtetit. Këta përsëri do të na sulen, do të na qortojnë, do të na i nxjerrin sytë (virutalisht, ama) për shefat e tyre të ardhshëm. Pa këta, megjithatë, nuk mund të ketë shoqëri, ashtu si pa humus nuk mund të ketë bimësi, nuk mund të ketë gjelbërim.
Në kategorinë e dytë mund të përfshihen ata miq që prisnin t’i kenë miqtë e tyre, të afmërmit, shefat apo thjesht të parapëlqyerit e tyre në kreun e listave, pra, në zonat e ngrohta të tyre. Por, mjerisht, ata kanë përfunduar në zonat e ftohta. Këta janë të ngrirët. Edhe shpresat e miqve në facebook janë të ngrira. Janë gjysmëshpresa. Dhe gjysmëshpresuesit janë më keq se të pashpresët. Sepse mbeten as në qiell, as në tokë. Fati i tyre mbetet në vartësi të fatit të miqve të tyre të mbetur në frigoriferët e partive.
Kjo kategori është edhe më e hutuara në facebook. Dhe ndikon në sintaksën e këtyre ditëve, e cila është jashtë çdo norme, jashtë çdo rregulli, jashtë çdo standardi, nuk është as gjuhë, as letrare, as dialekt, as jodialekt. Është jashtë çdo natyre të pranueshme të zhargonit global të facebookut dhe të rrjeteve të tjera sociale.
Po të orvatesh që t’i ngushëllosh këta, me siguri, do të biesh në sherr. Këta nuk e ngushëllojnë dot veten, nuk i ngushëllon dot kush.
Në kategorinë e tretë janë ata që presin mrekullira. Nga ato të ditës së fundit, të orës së fundit, të çasti të fundit.
Ka prej tyre që presin të dalë e vërtetë se vërtet Kosovrastët kanë dorëzuar lista të bardha në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ka prej tyre që presin të ketë ndryshime në listat gjatë konfirmimit të kandidaturave në Komisionin e Zgjedhjeve. Hë, i thonë vetes, ndoshta, del ndonjëri me kleçka dhe e zëvendëson ky tjetri.
Në kategorinë e katërt të miqve janë ata që kanë mëtuar të jenë vet në listat e kandidatëve për deputetë. Kanë pritur vitin e fundit, kanë pritur katër vitet e fundit, ndoshta kanë pritur prej kur lindi pluralizmi – apo kur e lindën pluralizmin, siç thonë ata vetë. Kanë qenë me të gjitha flokët, pa asnjë rrudhë, pa asnjë thinjë, kur i kanë hyrë valles, tash janë fare pa flokë, tash janë krejt të thinjur e krejt të rrudhur. Tash iu venitet edhe shansi i fundit.
Këta kanë hapur pamje në facebook. Presin ngushëllime. Ngushëllime në formë lëvdatash. Në formë përçmimesh të rivalëve – po ku është filani para teje, po ku i pati sytë partia, po ku shkon pa ty partia.
Këta miq, jo pak sish gjoja realë, na janë distancuar sidomos muajt e fundit, tërthor apo drejtpërdrejt madje na janë kundërvënë – neve dhe të gjithëve që kanë pasur mendime ndryshme apo nuanca të ndryshme mendimesh.
Në kategorinë e pestë – kategorinë e triumfuesve tashmë – bëjnë pjesë ata miq, ndonjëherë edhe realë të dikurshëm. Këta i janë lëkurur liderit, i janë lëkurur Vëllait të Madh. Këta i kanë vringëlluar shpatat ndaj kundërshtarëve, dhe ne na kanë rreshtuar si të tillë. Pastaj na kanë bllokuar. Dhe janë emëruar menjëherë zëvendësministra nga partia, nga lideri. Syri i Vëllait të Madh i ka kapur menjëherë dhe i ka përfshirë automatikisht në lista, madje në kreun e listave, ndonjëherë jo vetëm atje ku bën më ngrohtë, po edhe atje ku bën më nxehtë, ku përvëlon.
Këta janë lëkuranët më të pështirë në historinë e politikës aq të pështirë shqiptare. Dhe me siguri nga eksperimenti kimik ku janë përfshirë do të dalin pa lënë fare gjurmë tymi, pluhuri as hiri.
Në kontekstin e facebook janë më për mëshirë se të gjitha kategoritë e renditura më lart dhe se të gjitha kategoritë të cilat mund t’i rendisja më poshtë pa mbarimisht. Këta ende nuk e kanë mbledhur veten nga befasia me të cilën e morën shpërblimin, dhe nuk do ta mbledhin veten kurrë as nuk do të bëhen esëll kurrë në mediokritetin e tyre të shndërruar tashmë në fatalitet për partinë e tyre.
Nëse pyetem se në cilën kategori të mundshme bëj pjesë unë, atëherë mund të them se i përkas asaj kategorie që e shikon rrotacionin politik si mundësinë e prekshme të shqiptarëve për t’u ndarë nga një qeverisje e konsumuar, për t’ia dhënë vetes një shans tjetër dhe për të mos reshtur as pas 23 qershorit së kërkuari një shans tjetër, shansin e merituar.
Konkretisht: unë i njoh personalisht vetëm katër nga pesë prijësit e listave. Disa të tjerë i njoh vetëm si emra. Mbi 90% të tyre nuk i njoh as si emra. Pra, kam pikëpamjen se politika në Shqipëri, edhe në shfaqjet e veta më të bujshme, është një anonimitet i pakurrkund shpëtim.
Faqet shqiptare të facebook dhe të rrjeteve të tjera sociale këto ditë, mjerisht, nuk iu ngjajnë aspak faqeve të vajzave që po shkojnë nuse, për të cilat është krijuar edhe vargu parodik popullor “qaj, moj bijë, me lotë përpjetë”, pra, “qaj, moj bijë, me lotë të rremë”. Sepse ishin lotë në ditën e tyre më të lumtur, ditën e martesës.
Faqet shqiptare të faecbook dhe të rrjeteve të tjera sociale këto ditë iu ngjajnë më shumë se kujtdo shqiptarëve dhe shqiptareve, premtimshkelurve dhe premtimshkelurave. Prandaj i vetmi ngushëllim që mund t’i bënin vetes shqiptarët do të jetë qesëndia, ironia, qeshja e pamëshirë ndaj realitetit të tyre. Vetëm ashtu do të arrijnë më në fund të shohin qartë përpara.

Filed Under: Opinion Tagged With: me lot perpjete, Qaj Facebook, Skender Bucpapaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT