-“Jahjaga: Jo bashkimi me Shqipërinë, por integrimi në BE është qëllimi ynë” /
-“NE DO TË PUNOJMË DHE DO TA COJMË NË VEND AMANETIN E TË PARËVE TANË DHE AMANETIN E DËSHMORËVE – DO TA BASHKOJMË SHQIPËRINË E PASTAJ I BASHKOHEMI EUROPËS TË KOMPLETUAR E JO TË MASAKRUAR”!
Opinion nga Makfire Maqedonci – Canolli/ New York/
Para pak ditësh hasa në një deklaratë të zonjës Atifete Jahjaga e cila kishte deklaruar ” Jo bashkimi me Shqipërinë, por integrimi në BE është qëllimi ynë”! Kërkoj falje qe nuk po e quaj Presidente por zonjë! Por si ta quaj Presidente një zonjë qe u vu në krye të shtetit tonë pa vullnetin dhe dëshirën e popullit, si ta quaj një zonjë presidente kur punon kundër dëshirës së popullit e aq më keq që jep deklarata kundër dëshirës dhe vullnetit tonë? Se nuk është prioritet i politikanëve tanë bashkimi me nënën Shqipëri këtë e kemi ditur gjithmonë por qe e thonë edhe haptas pa pikë turpi këtë nuk e kemi pritur, e aq më keq kur ato deklarata epen thua se edhe populli është duke i përkrahur apo e dëshiruar një gjë të tillë! Zonja Jahjaga deklaron pa nguruar duke e cekur se “Tani jetojmë në shekullin 21 dhe nuk është koha që të realizohen ide të shekullit të kaluar. Sipas saj qëllimi i Kosovës dhe i të gjithë banorëve të saj është integrimi në Bashkimin Evropian”. Mendoj se gabimi i saj është qe flet edhe në emrin e qytetarëve të Kosovës, sepse edhe të bërit Republikë e Kosovës ishte ide e shekullit të kaluar por ajo ide u realizua dhe ne nuk jemi fajtorë qe Jahjaga dhe bashkëpunëtorët e saj nuk ishin të interesuar që bashkimin me nënën Shqipëri ta bëjmë realitet në shekullin e kaluar! Jo zonja Jahjaga apo “Presidentja e zarfit” gabim jeni ju dhe gjithë ata qe mendojnë si ju! Nuk u burgosën vëllezërit tanë e nuk i lanë me gjak muret e burgjeve serbosllave e as nuk e tretën shëndetin dhe rininë e tyre për një Kosovë të tillë të ndarë në enklava e me pjesën veriore të Mitrovicës nën pushtetin serbosllav, as nuk na u vranë qindra dëshmorë në ballë me Bac Adem Jasharin në krye për një Kosovë të tillë, për një Flamur me yje e krejt “mavi-mavi” duke ja masakruar shqiponjën e duke ja fshirë ngjyrën e gjakut të shenjtë ku me atë gjak e lanë atë Flamur qindra dëshmorë breza me radhë. Trimat e UÇK-së nuk ia kthyen pushkën shkaut për bashkimin e Kosovës me Evropën pa u bashkuar me trungun e vet Shqipërinë! Dëshira dhe vullneti ynë qëndron dhe jemi të vetëdijshëm se akoma kemi punë për të bërë, akoma duhen sakrifica të reja aq më shumë kur juve dhe horrat tjerë i kemi të vendosur në krye të shtetit, aq më shumë kur asnjëri nga ju nuk shprehë dëshirë dhe vullnet për realizimin e ëndrrës sonë shekullore dhe amanetit të dëshmorëve për bashkimin me nënën Shqipëri, por një gjë ta keni të kjartë se ashtu siç nuk u burgosën vëllezërit tanë, si nuk u vranë qindra e mijëra të tjerë për bashkimin me Evropën për ta anashkaluar bashkimin e trojeve tona, ashtu as ne pasardhësit e tyre dhe as fëmijët tanë nuk do ta duam dhe nuk do ta përkrahim një gjë të tillë. Është e lehtë për ju të deklaroni një gjë të tillë sepse ju nuk e kishit as një nga familjarët tuaj në burgjet serbosllave, nuk e kishit as një në radhët e UÇK-ë e aq më pak ndonjë të vrarë, të masakruar apo ndonjë dëshmorë dhe nuk e keni parë nënën tuaj siç e kam parë unë në fëmijërinë time të paralizuar nga dhimbja sepse sa herë shkonte dhe i vizitonte djemtë e saj në ato burgje të mallkuara ajo e kuptonte se torturat më çnjerëzore bëheshin ndaj djemve të saj sepse ata e kërkonin bashkimin e trojeve tona. Nuk e keni parë nënën tuaj duke vdekur në moshën 49 vjeçe me mallë e dhimbje në zemër e duke ikur nga kjo jetë me lotë në sy sepse ashtu siç i shikonte tre djemtë e saj të burgosur padrejtësisht nëpër burgjet serbosllave me mijëra shokë e shoqe ashtu e shihte edhe Kosovën dhe mbarë popullin të burgosur! Ajo iku nga kjo jetë pa e shijuar Lirinë e djemve të saj dhe Lirinë e Kosovës, e si nëna ime nga kjo jetë ikën edhe shumë nëna tjera duke i lënë fëmijët e tyre nën prangat e robërisë! Dëshironi Ju apo jo, duan bashkëpunëtorët tuaj dhe servilët e BE=së e këlyshët e veglat e Serbisë, ne do të përpiqemi gjithmonë qe ëndrrën tonë shekullore dhe amanetin e prindërve , gjyshërve, stërgjyshërve dhe amanetin e dëshmorëve ta qojmë në vend dhe t’i bashkojmë trojet tona me një emër të përbashkët Shqipëri Etnike! Ne nuk po duam as Shqipëri të vogël as të madhe, por po e duam Shqipërinë natyrale ashtu siç na e dhuroi vetë Perëndia! Ne duam ta bashkojmë Atdheun tonë së pari e mandej të bashkohemi me Evropën si një trup i kompletuar e jo si një trup i masakruar!