Nga Albert Z. ZHOLI/
Gazetarinë të bukur e bëjnë gazetarët e mirë dhe të zotë- apo të vështirë, ata që ngecin në këtë profesion pa e dashur atë. Ndaj edhe gazetarët që kërkohen, që kujtohen, që merren si pika referimi për kohët, janë pak, shumë pak, por mëse të mjaftueshëm për të krijuar idenë se kur e do një profesion e bën atë të lexueshëm, të shikueshëm dhe tërheq vëmendjen e shoqërisë dhe politikës ndaj tij.
“Ai që nuk lexon kurrë gazeta, është i marrë, por ai që beson çdo gjë që lexon, vetëm se thuhet në gazetë, është edhe më i marrë”, është shprehur para dy shekujsh August fon Shlëcer, historian dhe gazetar gjerman në fundin e shekullit të 18-të, kur ende televizioni nuk ishte shfaqur si ide.
Parë në këndvështrimin e kësaj sentence, del qartë se gazetaria është sa profesion i vështirë po aq i bukur. Është i vështirë sepse duhet ta bësh lajmin në kohë dhe të besueshëm që gazeta të blihet (ndërsa sot televizioni të shikohet), është e bukur sepse nëpërmjet lajmit apo komentit, njerëzve u serviret në duar ushqimi i përditshëm shpirtëror për të ruajtur ekuilibrat e dy marrëzive, atë që njeriut të mos i shkojë ndërmend të lexojë (nqs lajmi është i pa bazë), por edhe atë që jo çdo gjë që lexon ta fusë brenda vetvetes me seriozitetin më të madh.
Shërbimi mediatik është një mjet për të transmetuar jetën e secilit, bashkësisë dhe një globi të tërë, me ngjarjet më pikante, ndaj dhe rëndësia e tij është më shumë se forca e perëndisë.
Dikush mund t’i ketë zili gazetarët
Leximi i emrit në gazetë është disi tundues për lexuesin e thjeshtë, por edhe atë me përvojë (kualifikuar). Lexuesi mendon se një gazetar mund të ndihet disi krenar për veten, ngaqë emri i tij del në gazetë, apo shfaqet në ekran. Por në gazetë apo ekran nuk dalin zhgënjimet, rivaliteti, xhelozitë, fyerjet, poshtërimet, ankthet, montazhet, efektet, zërat, përplasjet që i ndodhin çdo gazetari në profesionin e tij. Gazeta apo ekrani është dukja e një fabrike të madhe e cila punon “nëndheshëm” por me mendjen më të civilizuar dhe me pjekurinë maksimale, se ndryshe, jo vetëm nuk do duket puna e gazetarit, por do mbytet edhe ai vet nën trysninë e shikuesit apo lexuesit që zakonisht di të çmojë dhe të vlerësojë.
… Një gazetare në Poloni ka përmendur një vështirësi tjetër: “Nuk e dimë kur do të pushojmë dhe kur do të punojmë”. Ndonjëherë kjo ndikon për keq në jetën private dhe ritmi i shpejtë i punës mund të na krijojë probleme në jetën familjare. Një gazetar në ish-Bashkimin Sovjetik nxori në pah atë që mund të quhet zhgënjimi më i madh: “u lodha shumë dhe, si përfundim, ( materiali) nuk u botua”. Një gazetare sportive në një gazetë të Hollandës është shprehur: “Shpesh më kanë quajtur injorante. Disa lexues zemërohen ose mërziten, e ngaqë ndonjëherë në sport emocionet dalin jashtë kontrollit, disa janë përpjekur të më vrasin.”
Dhe raste të tilla ka të shumta në Shqipëri. Jo pak kolegëve tanë u është vënë jeta në rrezik. Atëherë, çfarë i shtyn gazetarët të vazhdojnë “rrugën e mundimshme drejt njohjes?” Disa e shohin gazetën si mjet jetese, mënyrën e vetme ose profesionin e vetëm që mund të mbijetojnë, ku marrin një pagë, por nuk është kështu për të gjithë. Po kaq e kanë pasion këtë profesion dhe nuk mund ta kuptojnë jetën pa të. Në mbarë botën është folur për pasionin e shumë gazetarëve të cilët kurrsesi nuk mund ta braktisin profesionin e vështirë edhe kur jeta e tyre është vendosur në fije të perit, ashtu sikundër ka gazetarë, që nuk mund ti përshtaten punës në kompjuter, duke lënë mënjanë tastierën e zhurmshme të makinës së shkrimit, që i ngacmon në punën e përditshme. Një gazetare meksikane ka thënë: “Të paktën u jap njerëzve diçka që ia vlen ta marrin vesh”.
Në Japoni, një redaktor i vjetër i gazetës së përditshme më të madhe në botë komenton: “Kënaqem kur mendoj se i kam ndihmuar njerëzit dhe kur drejtësia vihet në vend. Sigurisht që gazetat nuk janë vetëm fryt i punës së gazetarëve. Në varësi të madhësisë dhe të organizimit të shtëpisë botuese, mund të ketë redaktorë përgjegjës, korrektorë bocash, kontrollorë për verifikimin e fakteve, arkivistë e shumë të tjerë që punojnë pa u lodhur, edhe pse emri i tyre nuk del në gazetë. E gjithë kjo bëhet që gazeta të arrijë deri tek lexuesi”.
Besimi tek gazetaria
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një anketë të zhvilluar në vitin 2005, shumica e njerëzve treguan se ende u besojnë gazetave apo lajmeve televizive. Por nga ana tjetër një anketë e organizuar nga Qëndra Kërkimore “Pju” tregoi se përqindja e lexuesve ka rënë. Oshilacionet e tregut të shtypit ndoshta kanë të bëjnë me arsyen e të dyshuarit në vërtetësinë e asaj që thuhet në gazete apo televizion, sidomos kur tema e trajtuar prek interesat kombëtare të vendit. Ç’ndodh në një rast si ky? Shpesh sakrifikohet e vërteta. Siç tha dikur edhe Artur Ponsonbi, një burrë shteti anglez i shekullit të 20-të: “Kur shpallet luftë, viktima e parë është e vërteta. Edhe kur nuk shpallet ndonjë luftë, mirë është t’i shohësh lajmet me një sy deri diku dyshues duke ju përmbajtur një proverbi në raportet gazetar –lexues ku thuhet se “ Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij”.
Reklama negative shumë herë e oprimon dëshirën e tyre për të nxjerrë në shesh të vërtetën për shkak të reklamës negative që kanë deri diku mediat shqiptare. Fakti që pjesa më e madhe e mediave shqiptare janë media të varura ekonomikisht nga interesa biznesi që janë të lidhur ngushtë me politikën që e ushqejnë këtë lloj biznesi, bëjnë që të shtohen gjithnjë e më tepër hendeqet që e ndajnë interesat e politikës nga interesat e njeriut të thjeshtë. Lidhja e politikës me biznesin, varësia e tij nga politika dhe interesat partiake humbin mosbesimin e njerëzve, por njëkohësisht ndikojnë negativisht dhe në korpusin kryesor të dobisë së medias që është kërkimi i së vërtetës. Kur flasim për shtresa të varfra, shtresa problematike, gjithnjë e më shumë i afrohemi themelit të së vërtetës.
Shtresa të tilla të braktisura nga fati janë ato njerëz që në mënyrë urgjente shfaqin problematikën e një vendi. Sepse politikat sociale, mbrojtja që ushtrohet ndaj tyre dhe përkujdesja, janë faktorët bazë që tregojnë cilësinë e një shoqërie dhe të menaxhimit të një shteti apo qeverie. Ajo që mund të quhet ura lidhëse ose një lloj ishulli magjik ku njerëzit e kësaj shtrese dëshirojnë të gjejnë limanin e tyre të së vërtetës është një media e lirë dhe e pavarur që të ndihmojë gjetjen e kësaj të vërtete dhe ta vërtetojë atë në bazat e krijimit të saj. Media ka gjithnjë rolin e një gjykate, një gjykate të ashpër ku duhet të sundojë e drejta njerëzore dhe barazia. Duke qenë se gazetarët janë pararojë e shtresës intelektuale dhe pa dyshim një pjesë e madhe e tyre quhen akoma ëndërrimtarë, pa dyshim që është detyra e tyre të krijojnë këtë urë lidhëse.
Parimet e gazetarisë
Që të gjithë ata që kanë preferuar mes profesioneve të tjera gazetarinë, duhet ta dinë që ky profesion ka parimet e tij, kodin kryesor të gazetarisë: – e vërteta. Suksesi i gazetarisë dhe i gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shikueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Përcjellja e lajmit duhet ti përshtatet sa më shumë ndodhisë së vërtetë dhe mbi të gjitha sa më shumë ti shërbejë kombit. E pra ky është qëllimi i mirëfilltë i gazetarisë.
Po si është realiteti i medieve shqiptare?
Një zallamahi e vërtetë e operatorëve të lajmit. Gazetarë që kalojnë nga një televizion tek tjetri, nga një gazetë tek tjetra, nga një bindje politike tek tjetra. Analistë që gdhijnë tek një kanal televiziv dhe ngrysen tek një tjetër. Pa patur pikën e qëndrueshmërisë luhatjet e tyre për mendimet dhe problemet e politikës të krijojnë ndjenjën e përvjeljes. Figura të njohura të analizës politike, që prej kohësh godisnin padrejtësinë dhe ishin bërë shembujt e mendimit potencial bëhen papritur e pa kujtuar benjaminë të politikbërësve dhe politikave në fuqi. Menjëherë sa vijnë në pushtet ndërrohet pllaka, dhe dikur “armiqtë e shigjetuar” kthehen në idhuj, veprimet e tyre vishen me hiperfuqi dhe skandalet e politikës lehtësohen, thjesht për faktin se media ka interesa të caktuara politike të varura nga ndikimet e pushtetit.
Mënyra se si e dredh politika median shqiptare tashmë nuk është më një quiz i vështirë. Të gjithë e kuptojnë moralin e opinioneve, tryezave dhe takimeve të politikanëve dhe të analistëve shqiptarë. Në tryezat e opinioneve në televizionet kombëtare ose gjoja të pavarura, shihet se numri i analistëve është krejtësisht i kufizuar, si të thuash drejtuesi kavardiset me miqtë e tij të idealit, pra me të gjithë ata që e kanë dredhur bishtin “and company” sa herë ka ardhur në fuqi njëra apo tjetra parti. Janë kjo kastë “dredhaxhinjsh” që emigrojnë nga një potencë mediatike në tjetrën duke u shpërblyer me shuma marramendëse, duke u paguar sa 20 shqiptarë të zakonshëm për të propaganduar dhe servirur sillën e pushtetit në fuqi. Ato përbëjnë pjesën më të dukshme të operatorëve të mendimit shqiptar, sepse të gjithë e dinë tashmë që media është një mjet për ti bërë presion politikës, por që në fakt nga shqiptarët kuptohet si konformitet interesash të pista. Të gjithë njerëzit jashtë historisë mediatike, që besojnë tek televizioni, tek vlerat dhe fuqia e magjisë së shtatë, pa dyshim nuk i njohin në disa raste trillet dhe gjirizet gazetareske (që nuk duhet të ndodhin).
Qëllimi i medieve
Media është një shembull për të tjerët, qëllimi i saj është propagandimi i kulturës, i etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, i mendimit të papërlyer me interesin. Gazetaria, si çdo fushe tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme. Ndërkohë që realiteti është kryekëput ndryshe. Disa analistët kanë formuar ciklet e tyre të mbyllura, ku nuk ka mendim të freskët, analizat kanë nisur të myken brenda standardeve të njohura pa njohur reformime. Analistët që njohin njëri tjetrin shfaqen në të gjitha fushat, në të gjitha televizionet duke dhënë mendime për të gjitha problemet, që nga lakrat, tek decentralizimi, që nga përrallat me mbret tek alergjia e stinës së pranverës, duke e shfaqur veten të kudondodhur dhe të shumëditur, sikur të jenë specialistë për gjithçka.
Por a ndodh gjithnjë kështu? Jo! Shumë gazetarë nuk luajnë me profesionin, shenjtërinë e tij. Disa herë në përballjet televizive mes politikanëve, analistëve dhe njerëzve të thjeshtë që diskutojnë për problemet e tyre, janë njerëzit e thjeshtë ato që dalin liderët e vërtetë të analizës, politikës dhe gjendjes aktuale, duke i befasuar dhe vetë gazetarët që drejtojnë emisionin. Edhe pse janë viktimat e politikave dhe analizave të tradhtuara, që në fakt duhet të shërbejnë për ta vënë para përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit politikën, janë ato njerëzit më të mençur që meritojnë respekt për gjykimin dhe analizën më profesionale të realitetit. Këto dhe shumë të tjera ishte arsyeja pse mora penën për të bërë këtë libër. Sepse shumë figura të fonissë, apo ekranit shqiptar që kanë bërë epokë po harrohen kur ata i kanë dhënë aq shumë shikuesit si dhe një pjesë e gjeneratës së re, shihet si e shkëputur mes brezave të mëparshëm.
Idhujt e fonisë apo ekranit duhet të mbeten të tillë, me të mirat dhe të këqijat e tyre, ata kanë qenë shëmbëlltyra e vetë jetës shqiptare. Zëri i tyre na detyronte dhe na detyron të ngjitemi pas aparateve të radios, apo ekranit të vogël dhe të dëgjojmë ç’po ngjet në atdheun tonë. Këta njerëz që janë në këtë libër meritojnë shumë dhe pse në këtë Shqipëri tashmë mbushur me ngjarje ku dominon politika ata vlerësohen pak. Pak, sepse ata janë pjesë e çdo familjeje shqiptare, pjesë e gëzimeve dhe hidhërimeve tona, pjesë e përditshme e jetës sonë. Ata pa dashur e kanë ngritur piedestalin e tyre të të qënit publik, të respektuar dhe pse koha në të cilën jetojmë i bën disi të ndihen në kufijtë e heshtjes, të mos marrin vlerësimin e duhur. Por mbi të gjitha disa prej folësve, transmetuesve të ndeshjeve, apo themeluesve të radio televizionit shqiptar, mbeten (sipas mendimit të shumë specialistëve), përdoruesit, hulumtuesit më të shkëlqyer të gjuhës shqipe. Ata na kanë paraqitur idealen e një figurë morale të besueshme me pjekurinë, bukurinë e zërit, elokuencën, veshjen, qetësinë, seriozitetin, humanizmin, dinamizmin, prezencën, profesionalizmin, që sot rrallë mund ti gjesh në shumë folës apo drejtues emisionesh.
Të gjitha fjalët që shkrova më sipër për monopolin e medias, një ditë do të harrohen. Shumë shpejt, ashtu si do harrohen këto krijesa të mjera që frymojnë sipas një logjike shterpe. Ajo që do mbetet është gazetaria e vërtetë, ajo që ka mbetur deri tani, gjurmët e së cilës unë do ti përshkruaj një e nga një në këtë libër modest. Besojini këtyre njerëzve, sepse ata nuk janë krijuar nga politika, por nga profesioni.
Dhe jam i bindur që po kështu do t’i kërkoni edhe pas 10, 20, 30 vjetësh, apo më shumë, kur disa nga gazetarët të jenë edhe më pak profesionalë, edhe më pak njerëz. Që të mos humbë sharmi i këtij profesioni çdokush ka kohë të mësojë. Falënderoj gazetën “Telegraf” që nëpërmjet rubrikave të posaçme, më la hapësirat e veçanta, që të gjithë këta gazetarë që ishin ndër nismëtarët e krijimit të RTSH, të shpreheshin lirshëm dhe me sinqeritet.
Por lexuesi le ti gjejë mendimet e mia për ta, vetë jetën e tyre, apo historinë e krjimit të RTSH-së, në vetë fjalët dhe përgjigjet e tyre…