• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEDITIM NË KARANTINË

April 23, 2020 by dgreca

Nga K.P. TRABOINI/* Amerika padyshim e ka cilësisht të shkëlqyer sistemin shëndetësor. Kanë teknikë të përsosur. Aparaturat mjekësorë me të sofistikuara në botë. E kam provuar të paktën tre herë kur jam shtruar në spitale, e megjithatë këto ditë po vdesin mijëra njerëz nga kjo flame e zezë Corona Virus Covid 19. Problemi mendoj duhet të ketë qenë (nëse na lejohet të kemi një mendim në kushtet e shtetrrethimit botëror), se nuk u morën masat me kohë si në Itali dhe në Spanjë. Edhe Anglia e vonuar. “Trimëria” e kryeministrit britanik Boris Johnson që në fillim u pa se ishte një aventurë e rrezikshme, si punë kaubojsi. Rrezikoi veten por nisi në atë botë të tjerë nga pakujdesia në qeverisje. Edhe Amerikës ju duk i largët kumti i zi Bergamos. Vonesa nuk mund të mos sillte tragjedinë. Vetëm në lëvizjet e trenave gjatë ditës në New York udhëtojnë miliona njerëz, pra nëse një njeri është i infektuar e ai e ka raportin 1 deri më 1.5 ,siç mund të jetë në disa vende me rritje infeksioni të ngadaltë, kjo shifër shkon e dyfishuar apo trefishuar në qytete me qarkullim të madh. Pra ka një rritje me progresion gjeometrik të llahtarshëm. Kësisoj ndodhi në qytetin e New York-ut ku ka miliona banorë, në një kohë shumë të shkurtër, por kësisoj nuk ndodhi në Vermont, as Maine apo New Hamshire, ku popullsia është më e pakët dhe e shpërndarë. Ndodh edhe një fenomen për tu vënë në dukje, në Veri të shtetit të New Yorkut, që kufizohet me Kanadanë, ka shumë pak të prekur 3 % të prekurve të shtetit, por në qytetin e New Yorkut 97 %, një tmerr i vërtetë. Edhe New Jersy po kështu, sepse është një qytet fare afër, nder komunikues, dhe shumë kush që punon në New York banon në New Jersey. Kam lexuar që në janar-shkurt, sepse isha i interesuar të shkoja në Amerikë në Mars, se nëse kjo epidemi kap Amerikën llogariten miliona të vdekur. Prognozë e zezë. Ndaj që në fund të shkurtit thashë nuk do të shkoj. Dhe nuk e preva biletën sepse mendoja lëvizjet e avionëve që padyshim ishin kthyer në transmetues të virusit vdekje-prurës, që ishte ndezur në Kinë e do ti vinte flakën gjithë globit. Pikërisht prej qarkullimit të madh e pësoi edhe New Yorku, ky metropol i botës që nuk fle as natë e as ditë. Aeroporti “Kenedi” priste miliona pasagjerë nga gjitha vendet. Ja dhe një vatër e nxehtë. Dikush bën kritizerin për mjekësinë amerikane, por dua të them, ani pse për fat kemi pak vdekje në Shqipëri, as mos e krahasoni mjekësinë shqiptare me atë amerikane, as italiane, as spanjolle pavarësisht vdekjeve të shumta që kanë. Se fundja tështima (alegorike) e një elefanti nuk është e barabartë me tështimën e një milingone. Megjithese të dyve u duhet thënë shëndet. Në Shqipëri kemi 200-300, ja na u bënë 500 shtretër a më shumë qofshin. Sikur të mos bllokohej qarkullimi, të mos karantinoheshin e distancoheshin njerëzit me vendim të rreptë qeveritar do të kishte edhe këtu mbase deri në mijëra jetë të humbura. Nuk dua të bëj Kasandrën, por kjo do të ndodhte pa as më të voglin dyshim. Përrallat që ne shqiptarëve “heroikë” (siç u thanë budallallëqe në ca intervista televizive), se ne nuk na bën dot gjë virusi, janë për sarahoshët. Apo ndonjë farë panelisti që u ka marrë koka erë e çajnë dërrasa në TV, tashmë nëpërmjet “Skype”, që kërkojnë hapje kur ata vetë nuk kanë asgjë për të hapur veç gojës së vet të azdisur që nuk di të pushojë kurrë, madje as në gëzime e as në morte. Por qytetet e mëdha të shteteve me potenciale të mëdha ekonomike nuk është e lehtë ti karantinosh. Ligjet e botës i bëjnë kompanitë e mëdha kombëtare apo shumëkombesh qofshin, që shohin interesat e tyre e as e tundin fort për popullin e thjeshtë kudo në botë. Edhe hapja, siç po trumbetohet, nxitur e nën presionin e bosave të mëdhenj të ekonomisë botërore që po ju pakësohet fitimi, do të jetë jo pa rrezik. Çfarë është kjo ngutje në hapje kur nuk kanë idenë se çfarë do të ndodh nesër. Kur nuk kanë asnjë ilaç shërues. As vaksinë. Vetëvrasje më duket. Ca thonë vjen frika e urisë, prandaj. Nuk besoj të jetë kështu. Po fundja më mirë i uritur se i vdekur. Kemi mbetur me sy në qiell. Atë pak qiell që ma lejon ballkoni i shtëpisë së rrethuar me kulla të larta që nuk të lënë të shohësh as diellin. Dhe nuk kam ndërmend të dal rrugëve edhe sikur qeveria ta lëshojë lirinë e daljes me kut a me metër, me ose pa fasha në orar. Se populli ka një fjalë të urtë që thotë “shkoi dhia me nxjerr brirët e la edhe leshtë”. Dhe ec e mos e dëgjo popullin po deshe. Vajte për lesh parlamentar. *Foto autori në karantinë, prill 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: meditim

PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI!

September 7, 2015 by dgreca

Meditim gjatë një ndeshjeje futbolli/

Nga Reshat   Kripa/

Me një grup miqsh ishim mbledhur për të parë ndeshjen ndërkombëtare  Danimarkë- Shqipëri, për eliminatoret e kampionatit europian të futbollit.. Patjetër që pika më kulminante e ndeshjes ishte rezultati i barabarte zero me zero. Por mua ajo që më tërhoqi gjithashtu vëmendjen ishin tifozat kuq e zi, të gjithë me nga një qylaf mbi krye me simbolin e shqiptarizmës, shqiponjën dykrenore në mes.. Nuk ishin një e dy të tillë por të gjithë tifozat e pranishëm në atë takim historik. Në atë mori qylafësh nuk pashë asnjë me yll të kuq. Atëherë më doli nga shpirti një thirrje që prej vitesh e mbaja të fshehur:

  • Ky është nacionalizmi shqiptar! Kjo është Shqipëria e vërtetë!

Shikoja dhe meditoja. Para syve më dilnin vargjet e pavdekshme të poetit të madh Gavril Dara i ri që në poemën “Kënga e fundit e Balës” shkruante:Mori bilë, bilë e lalës,

Mori e bukur dhe e ndritur,

Pse më solle në mon e shkuar?

Si me magji këto vargje më kthyen gjashtëdhjetë vite më parë, atëherë kur isha ende një fëmijë i paformuar. Por komunizmi nuk pyeste nëse ishe fëmijë apo plak. Ai nuk kishte peshore t’i ndante njerëzit. Të gjithë i fuste në të njejtin thes dhe i degdiste në humnerat më të thella. Kështu më përplasi edhe mua. Por ky ndëshkim ishte shpëtimi im. Unë nuk u bëra një lake sahan lëpirës i çorbës komuniste pasi, në ato hone të thella, ndesha ata burra të rrallë që u bënë mësuesit e mi. që nuk do t’i vijnë më këtij vendi dhe që më bënë ky që jam sot.

Shihja qylafët e bardhë me zhgabë dhe para syve  më shfaqesh figura e Abdurrahman Kreshpës, të cilit vetëm dy ditë më parë i kremtuan njëvjetorin e ndarjes nga jeta. Ishim në kampin e punës së detyruar të Urës Vajgurore. Ai na grumbullonte ne të rinjve rreth vetes dhe, si një mësues i paarritshëm, na mësonte se kush ishte nacionalizmi shqiptar. Kur fliste sytë i shndrisnin dhe goja i ligjëronte mbi dhjetë pikat e pavdekshme të programit patriotik shqiptar. Na fliste për dishepujt që e kishin përpiluar kërë program dhe ne e dëgjonim të mahnitur. Na fliste edhe për qylafët e bardhë me zhgabën dykrenore dhe ne e  pyesnim:

– Çfarë përfaqësonte ai qylaf?

Dhe ai përgjigjej:

  • Ishte simboli i shqiptarizmës, simboli i lirisë.

Më dilte para syve figura madhështore e Pater Mëshkallës që na predikonte:

  • Bëhuni të mirë që t’i shërbeni sa më shumë atdheut.

Natyrisht, edhe atij i bënim të njejtën pyetje. Përgjigja e tij ishte:

  • Shqipërinë, flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes.

I   të njejtit mendim ishte dhe juristi i  shquar  Xhevdet  Kapshtica.  Ai  na  mësonte  se  si

duhej të silleshim në shoqëri, Si të mos binim  pre e propagandës së atyre që nuk kishin as fe dhe as atdhe. Ne e dëgjonim dhe , natyrisht,edhe atij i drejtonim pyetjen. Përgjigja e prerë e  tij ishte:

  • Ai qylaf simbolizon thirrjen : Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!

Këto figura më dilnin para syve  në  ato  çaste  kur  në  stadiumin  e  Kopenhagenit  pashë

ata burra, të gjithë me qylaf të bardhë dhe shqiponjën dykrenore në mes.  M’u duk sikur në ato qylafe pashë Shqipërinë e vërtetë, për të cilën ishin sakrifikuar aq dhe aq burra të shquar, ku edhe unë kisha vënë një gur, sado të vogël për ringjalljen e tij. Pashë këta qylafë dhe nga sytë më rrodhën, pa dashje, dy pika lot.

  • Përse?/ – më tha miku që kisha pranë.
  • Mos   më   pyet, –  iu  përgjigja. – As vetë nuk e di. Po të mendohesh më  thellë  do  ta

kuptosh.

Miku heshti për disa minuta. Pastaj me një zë ku më tepër shprehej dhimbja tha:

  • Mos  e  ke  fjalën  për  thirrjet  tona  që  kanë  mbetur  një zë në shkretëtirë dhe  nuk  i

dëgjon askush?

Unë heshta, ndërsa ai vazhdoi:

  • Mos  e  ke  fjalën  për  të  rënët  tanë  që ende nuk kanë ende një varr ku  të  afërmit të

derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule?

Unë përsëri nuk iu përgjigja. E kuptoja se ku donte të dilte ai, por e shikoja se përgjigja ime ishte e kotë. Zëri i mikut tim ushtoi përsëri:

  • Shikoji  qylafët  e  bardhë! Ndjenja  kombëtare  nuk  mund të  shuhet  kurrë. Ndaj nuk

duhet të heshtim.

Keni të drejtë, miku im, ne nuk do të heshtim Do ta ngremë zërin tonë deri në kupë të qiellit. Do ta ngremë se, në fund të fundit, ne jemi fitimtarët e vërtetë të asaj lufte të madhe kundët sistemit komunist. Jemi ne fitimtarët sepse, ndërsa atyre iu zunë duart kallo duke duartrokitur sistemin e tmerrshëm që sundoi për dyzetegjashtë vjet dhe drejtuesit e tij tiranë, ne patëm kurajom t’i kundërvihemi dhe megjithëse u vramë, u burgosëm dhe u internuam, përsëri mbijetuam dhe sot jemi përsëri gjallë, përsëri për t’u ngritur kundër çdo lloj padrejtësie.

Ndoshta, tani për tani nuk kemi pushtet. Atë e kanë gllabëruar ata që na shtypën dje. Ndoshta, tani për tani, jemi ende të varfër, por do të vijë dita që e drejta të triumfojë dhe në mos ne, bijtë tanë ose nipërit tanë do të dijnë si duhet udhëhequr ky vend. Para syve vazhdonin të më dilnin qylafet e bardhë me shqiponjën dykrenore në mes dhe në veshët e mi buçiste fuqishëm parulla e vjetër nacionaliste që na i citoi Xhevdet Kapshtica:PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI!

Filed Under: ESSE Tagged With: meditim, ndeshje futbolli, reshat kripa

Kryengritja e Zhabokikës

October 13, 2014 by dgreca

Meditime në një ceremoni dekorimi/
Nga Reshat Kripa/
Më datën 9 tetor 2014 u ndodha në një ceremoni dekorimi ku Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, i akordoi komunës së Luftinjës në rrethin e Tepelenës, urdherin “Nderi i Kombit”, me rastin e përvjetorit të kryengritjes së Zhabokikës kundër sistemit komunist në vitin 1948. Ishte, me të vërtetë, një ceremoni dinjitoze për një ngjarje po aq dinjitoze.
Në oborrin e shkollës së fshatit hero, pranë memorialit kushtuar kësaj ngjarje të madhe, u mblodhën qytetarët e krahinës, ata që e kishin përjetuar atë ngjarje dhe ata që e kishin dëgjuar nga paraardhësit e tyre. Merrnin pjesë trashëgimtarët e martirëve që dhanë jetën e tyre për liri dhe demokraci. Merrnin pjesë përfaqsëuesit e pushtetit lokal të komunës si dhe ata të rrethit të Tepelenës. Merrnin pjesë përfaqsues të të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe të atyre lokalë. Kishte përfaqësues nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare që synojnë për një Shqipëri me të vërtetë të lirë dhe demokratike me një vizion me të vërtetë europian.
U vendosën kurora dhe buqeta lulesh në memorialin përkujtimor. U mbajtën fjalime përshëndetëse dhe falënderimi. U lexuan kumtesa kushtuar kësaj ngjarje historike. U dëgjuan këngë labe trimërie dhe qytetare të krahinës. U lexuan vargje. Por madhështinë kësaj ceremonie ia shtoi më tepër pjesmarrja në të e të nderuarit President i Republikës, fjala e tij e ngrohtë dhe në mënyrë të veçantë dorëzimi kryetarit të komunës të urdhërit “Nderi i Kombit” për këta martirë.
Unë qëndroja në mes të kësaj turme dhe meditoja. Meditoja për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen.
Janari i vitit 1948. Pesë figura të shquara të krahinës ekzekutohen nga hienat komuniste, Zenel Shehu, ish-komisar i batalionit partizan “Baba Abaz”, Syrja Vasjari, ish-komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi”, Dy baballarë të dëgjuar të fesë bektashiane, Baba Shefqeti i teqesë së Toshkanit dhe Baba Ali Tomorri, një poet dhe studiues i njohur, si dhe një prft shqiptar ortodoks, At Gjergj Suli i Leklit. Rënia e këtyre martirëve inspiroi organizimin e një revolte popullore në krahinë. Ideatori i kësaj revolte ishte Xhemal Brahim Asllani nga Zhabokika. Në krah të tij ishin Sulo Zaimi, ish-major i ushtrisë mbretërore, Bajram Kamberi, ish xhandar i mbretërisë, Mehmet Yzeiri, këshilltar komune, Salo Kaso, funksionar policie, Mehmet Didaj, Mehmet Veseli, Hajri Mahmutaj, Balil Veliu, korriere si dhe 16 burra të tjerë nga fshatrat Zhabokikë, Luftinjë dhe Kamçisht që do të formonin çetën që do i kundërvihesh tiranisë komuniste dhe që do mbante emrin e heroit martir “Baba Shefqeti”.
25 pjesëmarrësit kryejnë betimin sipas traditës së vendit. Një 100 lekëshe kalon midis buzëve të tyre dhe dëgjohet formula e betimit e shqiptuar me një zë të lartë:

– Zoti më vraftë po të tradhëtoj!

Me 100 lekëshet e mbledhura blihen qirinj dhe ndizen në tyrbe.
Çeta ka edhe hymnin e saj. Ajo është Kënga e Baba Tomorrit. Kjo këngë u këndua
ditën e formimit të çetës:

Ejani o popull, mblidhuni me ne,
O Baba Tomorri, lësho një rrufe!
Armët ne i kemi, fshehur nënë dh
Do të bëjmë luftë, flakë e batare!

Të prirë nga flamuri i kuq me zhgabën dykrenore në mes, pa yllin e urryer të komunizmit, luftëtarët fillojnë betejën me mijra forca të dërguara nga sigurimi i shtetit, të ardhura nga rrethet Berat dhe Tepelenë. Në përleshjet vritet zëvendëskomandanti i çetës Mehmet Yzeiri dhe anëtari i shtabit Salo Kaso. Pas një beteje të gjatë, ku përballë njeri-tjetrit ishin 25 burra me një ushtri të tërë të armatosur gjer në dhëmbë, çetra shpërndahet. Fillojnë ndjekjet dhe arrestimet e pjesmarrësve. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeiri rezistojnë për një kohë të gjatë, ndërsa komandanti i çetës, Bajram Kamberi, mundi të kapet vetëm në muajin janar 1949. Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në muajin korrik 1949. Gjatë ndjekjes vritet vëllai i komandantit të çetës, Safet Kamberi dhe dy të afërm të kryengritësve. Sefer Yzeiri dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg. Hajri Mahmutaj vritet me armë nga rojet e burgut dy ditë para se lë lirohej. Adem Memaj, mësues 21 vjeçar, vdes në burg. Sulo Zaimi vdes në shtëpi pasi kreu 20 vjet burgim. Ideatori Xhemal Brahimi arriti të arratiset dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vdes në vitin 1983. Toger Demo Kaso arratiset ne Itali ku vazhdon shkollimin ushtarak. Bilanci i përgjithshëm është 9 të vrarë dhe të vdekur në burg, 30 të arrestuar dhe të dënuar. 122 vite burg të kryera. Të gjithë familjarët e tjerë të martirëve, të internuar nëpër kampe të ndryshme deri në dhjetorin e vitit 1990.
Këto meditime më shfaqeshin parasysh atë ditë mbështetur edhe në studimin disa vjeçar me titull “Kryengritja e Zhabokikës, korrik-tetor 1948” të studiuesit, profesorit, shkrimtarit dhe poetit të nderuar Sadik Bejko. Por, njëkohësisht, meditoja edhe për të tanishmen e kësaj shtrese që sakrifikoi gjithçka për arritjen e kësaj dite në të cilën ne jetojmë. Si u shpërblye kjo shtresë e popullsisë shqiptare në këto 24 vite të përmbysjes së sistemit komunist? Aspak ashtu si e ëndërronim Shqipërinë pas rivendosjes së demokracisë. Ëndërronim një Shqipëri demokratike europiane, një Shqipëri ku secili të gëzonte pronën që i kishin lënë paraardhësit e tij, një Shqipëri ku individi të ishte i sigurtë për vendin e tij të punës, pamvarësisht nga ndryshimi i qeverive, që është një gjë normale në sistemin ku jetojmë, për një Shqipëri ku të nderoheshin dhe respektoheshin figurat që sakrifikuan jetët e tyre ne luftën e gjatë kundër komunizmit.
Por, a ndodhi kjo? Për të qenë të sinqertë duhet të pranojmë se sa herë ka qenë në pushtet e djathta shqiptare, trajtimi i kësaj shtrese, në përgjithësi, ka qenë i mirë. Janë përkujtuar dhe nderuar ngjarjet më kryesore të kësaj rezistence. Janë dekoruar përsonalitetet kryesore të saj. Janë miratuar ligje dhe ngritur institucione në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe shumë të tjera. Një shembull, mjaft domethënës për këtë, është edhe dekorimi së fundi i Kryengritjes së Zhabokikës së vitit 1948, dekorim që e vë këtë krahinë në të njejtën linjë me atë të simotrave të saj të Postribës, Malësisë së Madhe e të tjera.
E kundërta ka ndodhur kur në pushtet kanë ardhur të majtët. Shtresa e të përndjekurve politik, njësoj si në të kaluarën, është trajtuar si armike e qeverisë. Nuk janë të rralla edhe rastet e zhdukjes fizike të atyre që kishin filluar të ngjisnin shkallët e karrierës. Të mos harrojmë Bujar Kaloshin në Tiranë, Kujtim Frangun në Mat, Bashkim Shkurtin në Lushnje, Fredi Shehun në Gjirokastër dhe, sidomos, masakrën e kryer në Vlorë gjatë vitit të zi 1997, me vrasjen e Gjergj Mehmetit, Gëzim Shabanit, Besim Manolit, Valter Harizit, Lutfi Rapajt dhe të tjerëve. A ka kërkuar ndokush ndonjëherë falje për vrasjen e tyre në moshën më të bukur të jetës?
Nuk janë vetëm vrasjet që tregojnë se e majta shqiptare është shumë larg së majtës europiane. Mos shkëputja nga mentaliteti komunist i kësaj të majte, duket në çdo aktivitet të saj, duke filluar që nga abondonimi i seancave parlamentare kur miratoheshin ligje në favor të kësaj
shtrese, mosaprovimi i rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për ndëshkimin e krimeve të regjimit
komunist në Shqipëri”, mosrealizimi i ligjit mbi “Statusin e ish-të dënuarve dhe persekutuarve nga regjimi komunist”, në mënyrë të veçantë për arsimimin, strehimin, punësimin e të tjera. Në të kundërt, sa herë që kanë hipur në pushtet socialistët, një valë e madhe pushimesh nga puna është ushtruar ndaj kësaj shtrese.
Më lejoni të sjell një shembull konkret. Lumturi Grabova, bija e Xhemal Brahimit, ideatorit të kryengritjes së Zhabokikës dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdherin “Nderi i Kombit”, një vajzë që 42 vjet të jetës së saj i kaloi në internim dhe që e lidhi fatin e jetës me një bashkëvuajtësin e saj, me disa të vrarë, burgosur dhe internuar në fisin e tij, pushohet nga puna nga drejtuesit e emëruar nga kryeministri Edi Rama. Nuk ishte as drejtore dhe as kryetare dege, por një punëtore e thjeshtë. Në cilin ligj është parashikuar një veprim i tillë?
Sot nuk m’u ndakan këto meditimet. Ato më hedhin nga e kaluara dhe e tashmja në të ardhmen. Si do të jetë ajo?
Dëgjoj poezinë e recituar nga një vajzë e re në këtë ceremoni:
Ti nuk ke varr!
Ti thellë vdekjes dergjesh, Pa arkivol, pa rasë, pa gurë, pa ritual, Sikur të të thërrisnin legjendat e ringjalljes, Mbi ç’kalë do të hipje? Si do të vije vallë?
Ishte poezia e shkruar nga miku im Ibrahim Vasjari, kushtuar atit të tij, Syrja Vasjarit, ekzekutuar në atë janarin e egër 1948. Meditoj:
– Po martirët e kryengritjes së Zhabokikës a kanë një varr ku familjarët të vendosin një
tufë lule apo të derdhin dy pika lot? Ideatori i saj Xhemal Brahimi varrin e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai vend e mirëpriti, e nderoi, e respektoi dhe së fundi i dhuroi një varr dinjitoz. Megjithatë shpirti i tij nuk prehet i qetë Ai kërkon të prehet në atdheun e tij, në tokën mëmë për të cilën u sakrifikua. Po ata martirë që u ekzekutuan apo vdiqën qelive të burgjeve, ku i kanë eshtrat?
Kisha një dëshirë të cilën dua t’ua shpreh drejtuesve të komunës „Nderi i Kombit“ të Luftinjës:
– Mblidhini eshtrat e këtyre martirëve të shpërndarë në katër anët e atdheut, sillini
edhe eshtrat e Xhemal Brahimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i vendosni në një varr të përbashkët në kodrën më të lartë të Zhabokikës, në mënyrë që të kenë parasysh të gjithë krahinën, pasi vetëm kështu do ta meritoni titullin e lartë me të cilin ju nderuan! Një thirrje e tillë vlen për të gjithë të rënët që ende nuk kanë një varr.
Së fundi parasyve më del një pyetje shumë kuptimplote:

– Kush janë fitimtarët e kësaj beteje të madhe gjysmë shekullore, midis ideologjisë
komuniste dhe asaj nacionaliste?

Përgjigjen po e jap une vetë. Fitimtarët jane Xhemal Brahimi dhe shokët e tij. Janë të gjithë luftëtarët e rezistencës antikomuniste. Janë të gjithë nacionalistët e vërtetë shqiptare. Ndoshta, tani për tani, në krye janë trashëgimtarët e atyre që e shpërfytyruan këtë vend, atyre që duart e tyre i kanë të mbushura me gjakun e këtij populli. Por ideali demokratik, që aktualisht është vendosur në vendin tonë, megjitjhëse jo në modelin e dëshëruar, nuk do të vonojë të triumfojë. Ndoshta kjo nuk do të vijë sot apo nesër, nuk do ta gëzojmë as ne dhe, ndoshta, as brezi pas nesh, por, me siguri brezat e tjerë do të dinë të zgjedhin midis hipokrizisë së sharlatanve dhe demokracisë së vërtetë. Atëherë sharlatanët e historisë do të përfundojnë në pleh, ndërsa martirët e lirisë dhe demokracisë do të këndohen nëpër këngë dhe do të shkruhen nëpër vargje. Ata janë fitimtarët e së ardhmes.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kryengritja e Zhabokikës, meditim, Nderi i Kombit, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT