• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria: Aty kur Letërsia i ndërtonte urat e miqësisë përpara Diplomacisë

July 22, 2022 by s p

Me rastin e 100-vjetorit të Marrdhënieve Diplomatike Shqiptaro-Amerikane

                                              (Melsen Kafilaj- Studiues)

C:\Users\Admin\Desktop\0888.jpg

“Shqipëria, vendi më pro-Amerikan në Europë”, “Shqipëria, Shteti i 51 i SHBA-së”, “Shqipëria, një vend musliman që i do Amerikanët…”

Në faqet e tabloidëve më të mëdha ndërkombtare (DW, New York Times, The Washington Diplomat, CNN, etc) do të gjesh padyshim edhe headlines të tilla si këto.Në fakt, duket si cliché dhe ngjan gati-gati e pabesueshme që një komb i vogël europian, me dhjetra milje larg Amerikës, të jetë kombi që e do më tepër “Tokën e Endërrave.” Kjo nuk është një legjendë urbane por diçka mëse e vërtetë.Shqiptarët janë një Komb Amerikanofil! Për shqiptarin e sotëm ashtu si edhe  për shqiptarin e parë që shkeli tokën amerikane në vitin 1899 Amerika nuk është “thjesht një frazë boshe”, “një flamur për tu valëvitur Shesheve” apo “një lajkë e bërë ndaj më të Madhit dhe më të Fuqishmit.” Në kuptimin e parë që Benjamin Franklin i jep Endrrës Amerikane, Amerika për çdo shqiptar është një ëndërr Mesianike, një aspiratë dhe një ideal jete, e cila i jep gjithëscilit që është i ndershëm dhe punon fort një shanc dhe një mundësi për tu realizuar si njeri, për të qënë i lirë si individ si dhe për ta kërkuar dhe siguruar lumturinë e tij vetiake.Ato të cilat i kanë munguar shpesh në Tokën-Amë si Liria, Demokracia dhe Prosperiteti, çdo shqiptar i thjeshtë dhe fisnik  i ka mbajtur si fanar drejtues në jetën vetiake dhe i ka mishëruar në Tokën e Endrrave.

Amerika për Shqiptarët nuk është “një nevojë biologjiko-fiziologjiko-politike mbijetese”, siç përflasin në mënyrë dashakeqe fqinjët përreth; ajo nis nga Mëndja dhe në këtë kuptim (ashtu edhe siç u krijua) Amerika është për Shqiptarin një IDE; një ide e fuqishme e cila të fton të besosh tek mrekullitë.Një punë të paçmueshme në këtë drejtim, për kultivimin e kësaj Ideje në Mëndjen Shqiptare dhe afrimin e saj kulturor me popullin amerikan kanë bërë padyshim edhe përkthyesit tanë, të cilëve duhet tu jemi mirënjohës. Falë tyre, Letërsia Amerikane nisi ndërtimin e urave të miqësisë me Popullin Shqiptar madje edhe disa vite më parë se dy shtetet në fjalë ta realizonin diplomatikisht këtë marrdhënie me njëra-tjetrën. 

Në një letër të 18 Shkurtit të vitit 1784 që Ati i Kombit Amerikan, George Washington u drejtonte dy librashitësve francezë, Daniel Boinod dhe Alexander Gaillard midis të tjerash Ai edhe i porosiste që “të inkurajosh literaturën dhe artet është një detyrë e lartë për të cilën çdo qytetar i mirë i detyrohet Atdheut të tij.” Mesa duket këtë këshillë të vyer të tij ndoqi edhe Apostulli i Demokracisë Shqiptare, Fan S. Noli  i cili për të inkurajuar zhvillimin e literaturës në vend midis të tjerash do të përkthente edhe poemën “Skënderbeu” të poetit dhe edukatorit të madh amerikan Henry Wadsworth Longfellow në vitin 1916.Eshtë intersante të konstatosh që  Skënderbeu shihej nga Longfellow si kampion i Lirisë, po ashtu siç është parë në çdo kohë Amerika prej çdo Shqiptari.Dhe Noli ynë me mëndje-mprehtësinë që e karakterizonte e bëri këtë përkthim me synimin për tu përçuar dhe farkëtuar shqiptarëve një vlerë të lartë; atë të LIRISE. Prej penës së tij mjeshtërore do të vinte në shqip edhe një tjetër kolos i literaturës amerikane, Edgar Allan Poe dhe poema e tij rrënqethëse “Korbi” (1918).

Vitet 30-të do të ishin mjaft konstruktive për çimentimin e këtyre urave të miqësisë.Kështu psh, “Almanaku” i famshëm  i Benjamin Franklin për të cilin sociologu i madh gjerman Max Weber thoshte se pasqyronte Frymën e Kapitalizmit në formën e tij të kulluar klasike do të vinte në shqip me titullin “Shkenca e Riçardit Zemër-mirë”, falë përkthimit të Veli Panaritit në vitin 1935.Gjithashtu shkrimtarë të Letërsisë së Aventurave si James Fenimore Cooper, Thomas Mayne Reid, Buffalo Bill dhe kryeveprat e tyre si “I fundit i Mohikanëve”, “Okseola, prijësi i Seminolëve” dhe “Çeta e Tigrave” do të përktheheshin në shqip dhe do të ishin “bestsellers” të librarive të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe do të përktheheshin në shqip edhe 2 kryeveprat e Letërsisë për Fëmijë e të madhit Mark Twain “Hakëlberi Fin” dhe “Aventurat e Tom Sojerit” (Nuk më kujtohen tash emrat e tyre),  të ri-ardhura më vonë prej Gjergj Zhejit dhe Ardian Klosit. Një kryevepër klasike e Letërsisë Amerikane dhe një zë i fuqishëm kundër Skllavërisë si “Kasollja e Xha Tomit” e Harriet Beecher Stowe do të vinte e përkthyer në shqip në vitin 1944 prej prozatorit tonë të shkëlqyer  Sterjo Spase.

Një fakt tjetër që të bën përshtypje është që edhe pse marrdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA gjatë Regjimit Komunist u prishën, urat e miqësisë përmes letërsisë vazhduan që të qëndronin të forta dhe solide.Kështu psh, krejt befasisht një prej veprave monumentale të Letërsisë Amerikane dhe një kryevepër botërore, “Fije Bari” e shkruar prej “Poetit të Demokracisë” Walt Whitman do të fliste përmes një Shqipeje Zotash falë përkthimit mjeshtëror të Skënder Luarasit në vitin 1956.Një vepër e cila jo vetëm do të ndizte Idealin e DEMOKRACISE mes nesh por do të shërbente edhe si një nxitëse e fuqishme për lulëzimin e poezisë moderne shqipe duke bërë të mundur që një brez i tërë poetësh të rinj të frymëzohej dhe ndikohej prej saj.Prej pinjollit fisnik të Luarasëve do të kemi gjithashtu të përkthyer edhe një poemë me leitmotiv Shpirtin Amerikano-Nativ, “Këngët e Hajavathës” të Henry Longfellow-t.Në vitin 1958 përkthimi i “Tregime Moderne Amerikane” i cili do të përfshinte në brëndësi të tij emra shkrimtarësh kalibri si Jack London, Theodore Dreiser, William Faulkner, John Dos Passos, John Steinbeck, etj do të bëhej realitet falë mundit intelektual të Ramiz Kelmendit dhe Masar Murtezait. Vitet 60-70 do të sillnin edhe kryevepra të tjera nga Letërsia e Brezit të Humbur, ku spikasin këtu “Lamtumirë Armë” e Ernest Hemingway dhe “Tre Shokët” e Erich Maria Remark nën përkthimin e gjigandëve të këtij arti të latimit të fjalës si Vedat Kokona dhe Robert Shvarc.Një tjetër shkrimtar amerikan, ende mjaft i pëlqyer edhe sot, Theodore Dreiser dhe dy kryeveprat e tij “Një Tragjedi Amerikane”(1957) dhe “Gjeniu”(1965) do të vinin në shqip prej Kolonjarit të mënçur Bujar Doko.(Përkthyes i një sërë kryeveprash të Letërsisë Botërore)  Në vitin 1975 shkrimtari i madh amerikan Jack London, i pagëzuar ndryshe edhe si “Shkrimtari i Mbijetesës” dhe kryevepra e tij “Martin Eden” do të vinte me një shqipe të qashtër përmes përkujdesjes gjuhësore të Akademik Shaban Demirajt. Gjithashtu një prej tregimtarëve më të mirë amerikan, O’ Henry dhe “Tregime: nga dashuria për atin” do të fliste brisk në shqip përmes Klio Evangjelit në vitin 1977.

Pas viteve 90-të, me rënien e Komunizmit në Shqipëri dhe në vijim do të rritej ndjeshëm sasia e veprave të ardhura në shqip prej Letërsisë Amerikane.Aq sa mund të themi me plot gojë që disa nga veprat e autorëve më të shquar amerikanë në gjuhën shqipe janë gati duke u kompletuar.Kështu psh, “Getsbi i Madh” i Frances Scott Fitzgerald ka mbërritur në gjuhën tonë qysh prej vitit 1994.Kryevepra klasike amerikane “Moby Dick” e Herman Melville e përkthyer qysh në vitin 1997 prej Dashnor Kokonozit është ri-përkthyer së fundmi edhe prej Rudi Erebarës ndërsa kryevepra e një shkrimtari që e kam fort për zemër, “Vilet e Zemërimit” e John Steinbeck ka ardhur madhërisht e arrirë përmes gjuhëtarit dhe përkthyesit tonë të papërsëritshëm Petro Zheji në vitin 2005.Përtej emrave dhe titujve të rinj të pafund të ardhur së fundmi në shqip prej Tokës Amerikane (duke përjashtuar “Letërsinë-Limonatë”), disa autorë dhe vepra specifike do ti veçoja dhe konsideroja si më të rëndësishmet.Kështu psh, “Rruga” e Cormac McCarthy-t nën përkthimin e Astrit Canit në vitin 2009 do të ishte njëra prej tyre.Një tjetër kryevepër klasike amerikane si “Të vrasësh zogun përqeshës” e Harpër Lee, shqipëruar prej Jorgji Qiriakos në vitin 2013 do ta plotësonte këtë listë. “Tokë e Shkretë dhe 4 Kuartetet” e Thomas Stearns Eliot nën përkthimin e poetit Gentian Çoçoli në vitin 2018 përbëjnë gjithashtu një prurje cilësore, pasuar kjo nga “Tetralogjia e Lepurit” prej zulmëmadhit John Updike, nën përkthimin e shkrimtarit tonë bashkëkohor Granit Zela (2020). 

Amerika është kulturë dhe ajka më e mirë e kësaj kulture është padyshim letërsia.Secili prej shkrimtarëve të mësipërm na ka dhënë një aspekt të ndryshëm të kësaj Amerike por të gjithë së bashku na kanë dhënë Amerikën si vlerë, ku liria e fjalës dhe e shprehjes, pluraliteti i mendimeve, të menduarit ndryshe dhe demokratizimi i mëndjes mbrohen dhe respektohen si vlerat më të larta!Bekuar qofshin të gjithë përkthyesit tanë që na e transmetuan dhe vazhdojnë që të na i transmetojnë këtë kulturë; të cilët bënë të mundur ndërtimin, çimentimin dhe ende kontribuojnë për ngritjen edhe më lartë të kësaj katedraleje të miqësisë midis dy popujve.Ndaj, ler të ecim krah për krah së bashku, siç njofton edhe motoja e këtij 100-vjetori; të ecim nga ky Shekull në drejtim të Mijëvjeçarëve!

Filed Under: Featured Tagged With: Melsen Kafilaj

Anatomia e Destruktivitetit të Politikës Shqiptare (1922-2022) sipas Terenc Toçit

July 18, 2022 by s p

(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)

C:\Users\Admin\Desktop\Toci 3.jpg

                                          Terenc Toçi (1880-1945)

Nëse i hedh një sy Medias së Shkruar dhe bën një kërkim të thjeshtë mbi emrin e një personaliteti si Terenc Toçi, ajo që të tërheq menjëherë vëmëndjen është fakti se ka një bollëk artikujsh mbi jetëshkrimin e këtij patrioti, politikani dhe juristi par excellence i cili vuri themelet e drejtësisë moderne shqiptare, por mungojnë ndjeshëm shkrimet mbi konceptet dhe idetë e tij politike, ekonomike, shoqërore e kështu me radhë.Mesa duket edhe pse ka kaluar shumë kohë, ne vazhdojmë që të merremi ende me hartime biografish, me “njollat” dhe “zbardhjen” e tyre nga njëri apo tjetri apo “ndonjë grimcë pikante që shet” por pa i kushtuar rëndësinë e duhur mendimeve, ideve  apo edhe koncepteve të vyera që këta njerëz të mëdhenj kanë lënë në gjirin tonë me qëllim që të përfitojmë sadopak prej tyre, duke u bërë mjekë të vetvetes dhe duke i kuruar një e nga një si shoqëri plagët tona.

Një synim të tillë për të përcaktuar diagnozën e plagëve tona dhe për të ofruar një mjekim për shërimin e trupit kombëtar ndërmerr edhe politikani ynë patriot Terenc Toçi.Në vitin 1922, dy vjet pas Kongresit të Lushnjes (1920) dhe katër vite përpara se të shkruante veprën e jetës “E Drejta Penale”(1926) Toçi do të shkruante një tjetër vepër, të titulluar “Krimet e Politikës” në të cilën me syrin e një njohësi të shkëlqyer të realitetit të kohës së vet na përshkruan anatominë e destruktivitetit të politikës shqiptare, plagë që fatkeqësisht kanë mbetur të njëjta edhe në kohën tonë.Por cila është kuintesenca e këtij libri?! 

 Dr.Toçi në hyrjen e kësaj vepre kujdeset që të theksoj se Pushtuesi 5-Shekullor Osman jo vetëm që na bëri të humbasim karakterin tonë kombëtar por ai na la gjithashtu edhe një zakon të lig mes nesh, Akraballëkun.Me këtë zakon e nisëm organizimin dhe ndërtimin e Shtetit Shqiptar, i cili lindi në Vlorë dhe në Lushnje.Por ç’do të thotë “akraballëk”?! Në qoftë se i referohemi Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe të Akademisë së Shkencave, definicioni për këtë term me prejardhje turke (Akraba) është “Përkrahje që u jepet miqve e farefisit, në dëm të interesave të përgjithshme.” Kështu ky gjarpër fillimisht i vogël, u transformua papritmas në një bollë të rrezikshme laramane dhe iu përdrodh trupit kombëtar me sa forcë që kishte, për ti marr Frymën.

Por si ndodhi diçka e tillë?! Përgjigjen na i jep në mënyrë mjaft të qartë vet Dr.Toçi kur shkruan se “një gjë e tillë ndodhi pasi ky Cinematograf Ministrash që shkojnë e vijnë njëri pas tjetrit e rriti dhe e ushqeu me veprimet dhe intrigat veta politike këtë gjarpër duke hapur zyra apostafat për njerëz të pazotë, njerëz që s’din ku janë dhe çfarë janë dhe duke çuar dëm paret e Popullit (për zyra ku pihet kafe e duhan).”Eshtë e dhimbshme teksa konstaton që edhe në vitin 2022 sheh po të njëjtin fenomen, me institucione shtetërore të gllabëruara farefisnisht, me zyra të reja të hapura më kot për të punësuar militantët partiakë dhe njerëz të afërm me pushtetin, me inaptokratë injorantë dhe arrogantë që të trajtojnë në mënyrë shtazarake dhe jo si një qytetar i denjë i këtij vendi dhe me një shërbim publik që lë mjaft për të dëshiruar.

Toçi e ofron madje edhe zgjidhjen sesi t’ia presim kokën këtij gjarpëri i cili po na rrezikon jetën kombëtare: “Spastrimi i zyrave duhet kryer urgjentisht pasi këto shpërdorime burokratike janë duke na marr m’qafë.Nuk duhet të vazhdojmë më me këtë marrëzi, duke shpenzuar dhe duke mësuar analfabetët, berberët dhe këpucarët sesi të bëhen zyrtarë të lartë…Selektimi i nënpunësve duhet bërë me zgjedhje, me provime, me kontroll.Hatri dhe klikat duhen ndëshkuar dhe këta tradhëtarë të Interesit Kombëtar duhen bërë shëmbull me anë të Ligjit dhe Drejtësisë. Populli derdh gjakun e tij në arkën e Shtetit që të mbaj gjallë, të përparoj dhe të madhëroj Kombin, jo që të majmë budallët e papunë.” Sa do të zhgënjehej Avokat Terenci nëse do ta vizitonte tani Shqipërinë dhe të shikonte se pavarsisht një shekulli të kaluar, asgjë nuk ka ndryshuar.Që edhe pse parimisht ekziston një institucion për përzgjedhjen e nënpunësve të administratës i quajtur “Departamenti i Administratës Publike”, përzgjedhja bëhet me urdhër nga lart, nuk vlerësohet meritokracia dhe nëpër konkurse fiktive, fitues me pikë të plota del përherë dikush, “nip a mbesë e dikujt” (Nepotizmi) nga brënda Institucionit ku aplikon.  

Një problem tjetër që Dr.Toçi konstaton është edhe ai i Kolltukofagisë.Ja sesi e shpreh revoltën e vet Ai: “Ne-Populli-me të gjitha mjetet që na caktojnë Ligjet, do ti themi Qeverisë (në qoftë se disave ju dhimbset që ta lirojnë kolltukun dhe nuk ju vjen turp të qëndrojnë përpara popullit) se shumë deputetë nuk i njohim më si përfaqësues të Popullit pse na kanë rrejt; se të gjithëve do t’ua marrim pas mandatin, dmth përfaqësimin.Këta deputetë jo vetëm që na rrejtën por e treguan atdhetarizmin e tyre me intriga dhe dallavere, duke luajtur poker dhe tavëll dhe duke e kaluar kohën gëzueshëm nëpër restorante në vend që të merrnin parasysh detyrën që u është caktuar.Të kishin qënë të huaj, në daç edhe prej Afganistanit-ata deputetë besoj do të bënin ndoshta edhe më tepër për këtë të shkretë popull…Ne i bojkotojmë këta njerëz! Shqipëria është e Popullit dhe jo e Disave!” Edhe pse është shkruar më 1922-in e largët, ky përshkrim realist i deputetëve tanë vazhdon të jetë ende mjaft aktual.Ne jo vetëm që vazhdojmë të kemi edhe sot në jetën politike të vendit deputetë qysh nga koha e Zemanit, që na kanë dëndur me mashtrime dhe janë ndryshkur mbi karrige por gjithashtu kemi edhe individë të caktuar të cilët kanë zënë poste publike kyçe në administratë dhe politikën e jashtme, shpesh edhe familjarisht dhe posi Harpitë nuk i shqisin thonjtë prej tyre duke i konsideruar tashmë si domene vetiake. (Bajraktarizmi Politik) 

C:\Users\Admin\Downloads\291937283_417622590304566_3781622647726224798_n.jpg

                                       Kopja e librit “Krimet e Politikës” e Dr. Terenc Toçit

Një problematikë tjetër shqetësuese që Terenc Toçi paraqet është edhe Çilimillëku Ekonomik.Kështu sipas tij, vendi ynë e ka vuajtur shumë mungesën e financierëve të zotë dhe një organizator financash i duhet domosdoshmërisht Shqipërisë, edhe sikur ky i fundit të merret nga jashtë vendit. “Një vend i cili nuk i kushton rëndësinë e duhur vëllimit të shkëmbimeve tregtare dhe eksport-importit nuk mundet me jetue.-vazhdon më tej Ai.” Ne jemi në fazën që vetëm importojmë pa kriter dhe ky është një akt çilimillëku ekonomik.

Në optikën ekonomike të Terenc Toçit shteti duhet të zhvilloj një politikë proteksioniste me qëllim që të stimuloj prodhimin dhe shitjen e produkteve vendase.Gjithashtu ai duhet të nxis zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë.Produktet që ekziston mundësia që të prodhohen në vend, pse ti porosisim nga jashtë kur fare mirë këto të ardhura mund ti qarkullojmë këtu, duke ndihmuar në këtë mënyrë ekonomikisht edhe bashkë-kombasit tanë?!- pyet Ai. Por “Baba Ryshfeti” dhe “Batakçinjtë e Interesit Kombëtar” janë si vena e qafës pranë Kreut të Qeverisë dhe influencojnë për interesat e tyre vetiake edhe në këtë drejtim.Mjafton ti hedhësh një sy Shqipërisë së vitit 2022 dhe menjëherë e konstaton këtë gjë.I vetmi ndryshim është se nuk janë bejlerët e djeshëm dhe tregtarët aristokratë, por Parvenu-ja dhe Oligarkët me konglomeratet e tyre ata që influencojnë pranë Kabinetit Qeveritar.“Si dje po ashtu edhe sot Bajraktarët që i kanë vënë pushkën Atdheut e përdorin Injorancën dhe Varfërinë e Popullit për ta sunduar dhe mbajtur nën kontroll atë” përfundon Terenc Toçi.

Mungesa e Vizionit Politik na ka ndjekur përherë nga pas si një Stihi e keqe.Kjo ndoshta për faktin se nuk kemi pasur lidera të vërtetë të nxjerrë prej gjirit të këtij populli por thjesht politi-kanë, të cilët shohin më tepër interesat e tyre të momentit…Ja sesi shprehet për këtë fenomen eruditi ynë Arbëresh, Terenc Toçi: “Ne jemi i vetmi shtet që nuk ka borxhe (Sot që flasim borxhi i jashtëm i Shqipërisë shkon diku tek 10.9 miliard $- Shën.im) dhe kemi të paprekur  një pasuri të madhe e cila kap begatinë e detit, fushës, malit, me resurse minerare, me një ndryshim natyral dhe me begati që gati nuk kanë shokë në Evropë.Por në kjoftë se nuk losim dhe presim që të na e punoj Perëndia që na e fali këtë pasuri, atëherë do të kemi një fat shumë të keq.Ay që kapet me çështje politike, tuj punue për ditën e sotme, duhet të ketë parasysh edhe më tepër kohën dhe nevojat që janë shumë larg.” Por ashtu si dje, edhe sot ne ose nuk i shfrytëzojmë siç duhet këto resurse, ose i japim me konçensione (të fortëve, oligarkëve apo edhe MNC-ve të huaja) Kjo mungesë vizioni na ka varfëruar kombëtarisht, ka rrit nivelin e papunësisë në vend dhe na ka lënë në një gjëndje të mjerë rrojtjeje, duke na kujtuar kështu ofshamën profetike: “Populli im humbet për mungesë vizioni.”

Por çfarë duhet të bëjmë?! Terenc Toçi porsi “Simfonia e Botës së Re” së Antonin Dvorak na fton për veprime konkrete: “Erdhi koha që të lahemi nga këto krime të politikës, që të hapim sytë, të çohemi prej gjumit që na ka kapluar dhe të veprojmë.Duhen vepra dhe jo fjalë! Sepse janë njerëzit ata që e bëjnë të mundur lartësimin apo turpërimin e Atdheut. Kështu gjithësecili prej nesh ler të mbaj parasysh se begatia e përgjithshme është edhe begati e gjithësecilit, se ligjet e mira, qetësia kombëtare, rregullimi i zyrave, forcimi i Shtetit dhe vizioni politik do të jenë ato që do të na bien jetën e re.Ndaj të punojmë si një mëndje dhe dorë e vetme që ti çrrënjosim këto të meta prej nesh sa më parë.Ndoshta një ditë do ti shërojmë këto plagë prej trupit kombëtar dhe mund t’ia zbardhim faqen Kombit!”

Filed Under: Kulture Tagged With: Melsen Kafilaj

Një vepër e shquar dhe një autor “Yiddish” nga biblioteka e hapërdárë e Akademik Aleks Budës

May 8, 2022 by s p

(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)

C:\Users\Admin\Desktop\G-folder\Aleks Buda.jpg

Akademik Aleks Buda në tryezën e tij të punës

Në letrën e 12 Prillit të vitit 1500 drejtuar mikut të vet të edukuar në Sorbonë, Jacobus Battus, humanisti i madh holandez Desiderius Erasmus mes të tjerash i shkruante: “Kur më bien pak para në dorë i shpenzoj për libra, ndërsa pjesën tjetër të mbetur për ushqim dhe rroba.” Pikërisht, një zakon të tillë humanist e kishte kultivuar qysh në vegjëli edhe akademiku ynë Aleks Buda.I rritur në një familje bibliofile dhe me një etje të pashuar për leximin, ai blinte pothuajse çdo libër të fundit të dalë në librari, aq sa biblioteka e tij personale llogaritet që të kishte mbi 15.000 vëllime.(Shumë prej të cilave të ardhura nga Italia dhe Austria) Por se çfarë ndodhi me fatin e kësaj librarie të pasur, si u hapërda ajo dhe ku përfunduan krejt ato antikuare të çmuara kjo mbetet ende një mister.

Për mua do të ishte një befasi e këndshme teksa gjatë aktivitetit hulumtues të më binte në dorë njëri prej këtyre antikuareve, i cili kishte të shkruar në brëndësi dhe në mënyrë kaligrafike emrin e zotëruesit të tij legjitim: “Aleks Buda”. Por befasia do të kthehej në habi teksa vepra në fjalë mbante një titull paksa të çuditshëm për veshin e shqiptarëve: “Dybbuk”. Por çfarë është ky “Dybbuk” dhe cili është autori i saj?! “Dybbuk” është një dramë me 4 akte, e shkruar në vitin 1914 prej shkrimtarit, aktivistit politik dhe folkloristit hebreo-rus Solomon Zanvel Rappoport ose siç njihet ndryshe me emrin e penës në rusisht Semën Akimovič Ansky.Gjatë Revolucionit të Madh të Tetorit, kur u largua prej Rusisë Bolshevike për në Poloni (1918) Anski e humbi dorëshkrimin original të kësaj vepre por falë përkthimit që kishte realizuar poeti kombëtar hebre Hayim Nahman Bialik ai u mbështet mbi këtë material dhe nisi që ta rishkruaj atë. Ansky i përket brezit të artë të shkrimtarëve klasikë në Yiddish si Mendele Moicher Sforim, Isaac Leib Peretz, Sholem Aleichem, Yankev Dinezon, Yehoshua Ravnitzky, etj. Ai ishte një shkrimtar mjaft prodhimtar dhe pavarsisht jetës së shkurtër që pati, “opus magna” e tij në këtë gjuhë është përmbledhur në 15 volume.Por “Dybbuk” mbetet më e shquara prej tyre; ajo është luajtur me dhjetra herë, është realizuar kinematografikisht dhe madje edhe kompozitori i shquar amerikan Leonard Bernstein mesa duket i tërhequr prej kësaj vepre të Ansky-t realizoi kompozimin e saj muzikor në vitin 1974, e cila u vu në skenë prej mjeshtrit të baletit të Qytetit të New York-ut, Jerome Robbins. Por ç’ka e bën këtë vepër kaq intriguese dhe njëkohësisht kaq të veçantë në të njëjtën kohë?! 

Përpara se ti japim përgjigje kësaj pyetjeje, ler të japim fillimisht disa detaje përshkruese mbi këtë kopje fizike nga biblioteka e Aleks Budës.Ajo është një botim i kësaj vepre në italisht, e realizuar nga botuesi Rocco Carabba në Lanciano, Abruzzo në vitin 1930.Titulli i veprës është: “Dibbuk: Sul confine di due mondi” dhe është përkthyer nga Rusishtja prej poetes dhe përkthyeses ruso-italiane Raissa Olkienizkaâ-Naldi. Përsa i përket formatit të tij, ai është një libërth me jo më tepër se 128 faqe dhe me përmasat 18×12 cm.Një përkthim prej Yiddishtes në Italisht i “Der Dibek: oder tsvishn tswey veltn” është bërë së fundmi nga Raffaele Esposito i Universitetit të Napolit “L’Orientale” (2012), bazuar në versionin e veprës në këtë gjuhë, të kryer nga vet  Ansky në vitin 1919.

C:\Users\Admin\Desktop\Shalom Ansky.jpg

                            “Dibbuk”: kopja fizike në Italisht nga biblioteka e Aleks Budës

Subjekti i kësaj vepre zhvillohet në një prej shtetl-ve (qytezave hebraike) të Polonisë dhe ngjarjet rrjedhin pas një premtimi apo fejese në djep (Shqipja është një gjuhë mjaft kuptimplotë) që dy miq të ngushtë, Nisan dhe Sender i bëjnë njëri-tjetrit për lidhjen martesore të fëmijëve të tyre.Por njëri prej të dyve, Nisan-babai i djalit papritur ndërron jetë dhe miku i vjetër e harron premtimin e dikurshëm që ka bërë dhe vendos që ta martoj vajzën e vet Leah me dikë tjetër; të ngritur në rang dhe pasuri.Djali, Khanan një student i varfër i Yeshiva-s (kolegj për studimin e teksteve fetare hebraike) dhe praktikues sekret i dijeve ezoterike i cili është marrëzisht i dashuruar pas Leas teksa e merr vesh këtë lajm ligështohet dhe trupin e tij e gjejnë të pajetë.Gjatë ditës së martesës, kur dhëndrri Menashe i afrohet nuses dhe i ngre velin lart patakset prej një zëri mashkullor i cili vjen kërcënues prej fytyrës së saj.Atëherë menjëherë të ftuarit kuptojnë se ajo është e sunduar nga një Dybbuk, i cili është shpirti i paqetë i Khananit të prerë në besë.Drama të mban mbërthyer me dialogët, tensionin shpirtëror dhe tektonikën emocionale, deri në  fundin e saj, me humbjen tragjike të Leas dhe bashkimin enigmatik shpirtëror të dy të dashuruarëve në botën tjetër.

Duke qënë se punoi vet si etnograf për përmbledhjen e folklorit hebraik, Ansky e përdor folklorin si taban për veprën e vet dhe e “huazon” këtë subjekt pikërisht nga një ngjarje e cila besohet se ka ndodhur në Poloninë e Shek.XVIII-XIX-të.Gjithashtu, ai përfshin në të disa elementë të Misticizmit Hebraik siç është edhe dybbuk, recitimi i pasazheve të veçanta të Torahut apo edhe ekzorcizmi prej Ba’al Shemit (Shëruesit Spiritual dhe Mrekulli-bërësit), mjaft popullore këto në Evropën Lindore dhe territoret e Lituanisë, Polonisë, Ukrainës, etj. Fillesat kjo besojmë i ka tek kabalisti i Shek.XVI-të, Rabbi Isaac ben Solomon Luria (1534-1572) dhe doktrina e tij e transmigrimit të shpirtrave (Gilgul) tek e cila ai shihte një mënyrë përmes të cilës shpirti vazhdonte realizimin e misionit të tij drejt vet-perfeksionit.Ndërsa dishepujt e vet do ti jepnin një tjetër interpretim dhe do të shkonin shumë larg me idenë e shpirtit të keq, të paqetë e të papranuar nga Vendi i Ndëshkimit (Gehinnom) apo Qielli (Shamaim) dhe të ngecur mes dy botëve (dybbuk) i cili rikthehej enkas për të pushtuar, zotëruar dhe marr në kontroll trupa të gjallë dhe jetët e tyre. 

Por çfarë rëndësie paraqet kjo vepër në bibliotekën e themeluesit të Akademisë së Shkencave (1972) Profesor Aleks Budës?! Së pari, siç e kam theksuar edhe diku tjetër ajo tregon për arsenalin kulturor, të thellë e të gjithëanshëm të intelektualëve tanë të Viteve 30-40 të cilët për nga formimi, forca e ideve apo edhe bagazhi intelektual mund të mateshin fare mirë me kolegët e tyre në Botën Perëndimore.(Mjafton të lexosh shkrimet e tyre dhe bindesh për këtë fakt) Së dyti, për nga rëndësia ideore, vepra në fjalë është një vepër mjaft emancipuese për nga pikëpamja shoqërore.Përmes saj, sipas mendimit tim Ansky stigmatizon brënda shoqërisë hebraike tre fenomene negative; 1) Martesat me premtim qysh në djep të vendosura prej Të Moçmëve, në kurriz të lirisë së Të Rinjve për ta zgjedhur vet partnerin/ partneren e tyre 2)  Konsiderimi i femrës si pronë dhe mjet përllogaritjeje ekonomike, pa marr aspak në konsideratë personin, vullnetin, pëlqimin apo ndjenjat e saj dhe 3) Besëprerja.Fenomene të tilla të cilat i kemi hasur edhe në shoqërinë, folklorin tonë apo edhe literaturën e disa autorëve shqiptarë. Dhe së fundmi, kjo vepër ngre lart devizën: “Si Qënie Njerëzore, lufto përherë për Drejtësi pasi qoftë edhe një padrejtësi e vogël mundet që ta shkatërroj Botën!” 

Këto pikëpamje të shprehura në vepër si çlirimi i femrës nga autoriteti patriarkal dhe mostrajtimi i saj si pronë apo mjet shkëmbimi, liria e të rinjve për të zgjedhur vet mbi jetën e fatin e tyre si dhe prevalimi i drejtësisë së Individit ndaj forcës së imponimit kolektiv ishin gjithashtu edhe bindjet politike të Anskit si aktivist i BUND (Partia Socialiste Hebraike) por të cilat rezononin gjithashtu edhe me bindjet Social-Demokrate të Profesor Aleks Budës.Në  jetën e vet, Buda u mundua fort që tu qëndronte besnik këtyre bindjeve politike.

Gjatë një interviste të dhënë shumë vite më parë nga historiani gjerman Michael Schmidt-Neke pyetjes së gazetares se cili është sipas tij personaliteti më i spikatur i Akademizmit Shqiptar, iu përgjigj shkurt dhe qartë: “Padyshim Aleks Buda.Një intelektual i përmasave europiane.Duhet të jeni krenar për të: Ai është ambasadori i shkencës shqiptare!”

Filed Under: Politike Tagged With: aleks buda, Melsen Kafilaj

Unë jam VLORA!

April 11, 2022 by s p

Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow/

Qysh në fillimin e mandatit të tij të parë qeverisës, Kryeministri e shprehu qartë synimin e tij madhor se Ai nuk dëshiron që të jetë thjesht si çdo lloj politikani tjetër “i zakonshëm” dhe “tranzitor” dhe se vokacionin e brëndshëm e ka në marrdhënie me Historinë, për të mbetur në memorien kolektive si “Ndërtues” dhe “Reformator”.

NE e mbështetëm këtë aspiratë të tij anipse Shqipëria ishte (dhe fatkeqësisht është e lodhur) nga shakaxhinjtë e përparimit, të cilët na kanë premtuar “parajsa me thasë” e “progres me shpejtësi drite” dhe se vendi në gjëndjen ku ndodhet ka realisht nevojë për ndërtim dhe reforma reale për tu mbrothësuar, për të prosperuar dhe për tu futur në familjen e madhe të popujve të qytetëruar.Fatkeqësisht, u zhgënjyem dhe përjetuam pasojën e të njëjtës dileme politike të artikuluar mjeshtërisht nga Karl Popper: “Ja ne zgjodhëm udhëheqës të rinj por kush na garanton që këta të dytët do të jenë më të mirë dhe më të përgjegjshëm se ata të parët?!” Pasoja negative të kësaj zgjedhjeje popullore të cilat i shohim përditë e më tepër në realitetin tonë të përditshëm dhe në çdo fushë të jetës (arsim, shëndetësi, drejtësi, ekonomi, ekologji, arkitekturë, etj) 

Me besimin e verbër tek Ndryshimi, ne pamë të kalonte përpara syve tanë përsëritja e Historisë me po të njëjtët shkatërrues të zellshëm të Interesit Kombëtar, të cilët i vunë minën edhe asaj pak që kishte mbetur nga krenaria jonë kombëtare; pamë të shëmbej një teatër kombëtar, ti humbte identiteti një stadiumi kombëtar dhe tani së fundmi të grryhet nga themelet dhe të shpërfytyrohet edhe një tjetër shënjë sinjifikative e Kombit, Sheshi i Flamurit. Që prej Antikitetit Greko-Romak, Sheshi ka pasur një domethënie të rëndësishme dhe të dyfishtë; a) Si qëndër e jetës së përbashkët sociale dhe b) Si element i fuqishëm simboliko-politik në të cilin populli shpreh jo vetëm vullnetin e tij politik me pëlqyeshmërinë apo papëlqyeshmërinë e tij kundër Sistemit por edhe përbashkësinë e vet identitare. 

Por mesa duket një lider autokrat, i cili edhe në zgjedhjet e fundit lokale e afirmoi madje edhe simbolikisht qëndërzimin e pushtetit, duke u vendosur në qëndër të rrethit-trëndafil (podiumit të dizenjuar nga vet AI) teksa u propogandonte Masave, nuk do që t’ia dijë për rëndësinë identitare të vlerave kolektive që ky Shesh përfaqëson dhe bëri në emër të “ripërtëritjes urbane” atë që asnjë udhëheqës tjetër “i zakonshëm” apo “tranzitor” nuk guxoi që ta bënte; vuri barbarisht dorën mbi Sheshin e Flamurit.Por ky akt i pashembullt politik i nxitur nga inatet politike, makutëria dhe interesat pragmatike të momentit nuk është thjesht një akt barbar ndaj një perle në unazën e Zotit siç është edhe Qyteti i Vlorës por një atentat i hapur ndaj Shpirtit Kombëtar! 

Për këtë akt vandal dhe shumë akte të tjera që ai ka kryer në dëm të shqiptarëve dhe interesit kombëtar, si një intelektual publik ngre zërin tim hapur dhe e akuzoj! Sot unë jam Vlora! E përtej të qënit i majtë apo i djathtë unë jam SHQIPTAR! Dhe ai Shesh, si simbol i Pavarsisë, si Frymw e Shqiponjws dhe e unitetit kombëtar përfaqëson Shqipërinë në të katër anët e saj dhe çdo shqiptar të mirë e fisnik pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Por fatkeqësisht politikanët tanë e duan Sheshin e Flamurit vetëm për foton e 28-Nëntorit dhe patriotizmës së shtirur, për hir të profesionit të tyre të vjetër dhe shoqërisë së spektaklit…Për të tjerat, nuk ka kurrëfarë rëndësie për ta. Për tu rikthyer edhe njëherë tek aspirata e Fillimit dhe marrdhënia me Historinë; meqë je piktor dhe politikan me kohë të plotë më lejo që të kujtoj piktorin e madh nga Venecia, Tiziano Vecellio: “Në fund, Historia do ti jap hisen që i takon gjithësecilit prej nesh!” Dhe ndryshe nga “historianët partizanë” dhe “skribët e Pushtetit” që e sakatojnë të Vërtetën, Historia, Bija e Kohës dhe e Kujtesës Njerëzore do të tregohet po aq e pamëshirëshme!

Filed Under: Analiza Tagged With: Melsen Kafilaj

Sándor Petőfi dhe Pashko Vasa: Dy Poetët e Zgjimit Kombëtar

March 21, 2022 by s p

Një soditje reflektive mbi Zjarrin Prometean të “Nemzeti Dal” dhe “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”

[Me rastin e 100-vjetorit të Marrdhënieve Diplomatike Shqiptaro-Hungareze]

MELSEN KAFILAJ (Royal Institute of Philosophy Fellow)

Ernest Renan, savanti i madh francez në esenë e vet “Qu’est-Ce Qu’une Nation?” të vitit 1882 shkruan: “Kombi është Frymë, është një Parim Shpirtëror.Dy gjëra, të cilat në fakt janë një e vetme e përbëjnë këtë Parim Shpirtëror; E Shkuara dhe E Tashmja e tij.” Por kush mund ta shpreh më mirë këtë Frymë, këtë atribut esencial të KOMBIT përveçse POETET?! Dy poetë të mëdhenj të cilët e mobilizuan këtë Frymë, në funksion të Zgjimit Kombëtar në vendet e tyre respektive janë poeti hungarez Sándor Petőfi dhe ai shqiptar Pashko Vasa. Në poezitë e tyre “Nemzeti Dal”(1848) dhe “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”(1878) përshkruhet qartazi e shkuara e hidhur popullit hungarez dhe atij shqiptar dhe trumbetohet në të tashmen e tyre nevoja urgjente për LIRI. Ja sesi do ta shpreh këtë Zjarr Prometean Petőfi tek “Nemzeti Dal” (Këngë Kombëtare):

                                    Talpra magyar, hí a haza!

                                    Itt az idő, most vagy soha!

                                    Rabok legyünk vagy szabadok?

                                    Në këmbë Magjarë, Mëmëdheu thërret!

                                    O tani o kurrë, çasti është tani-

                                    A do rrojmë si skllevër, a do kërkojmë Liri?!

ZGJIMI, kjo nevojë e ngutshme për zgjim kombëtar dhe bashkim vëllazëror, në emër të Idealit të Lirisë dhe në kushtet e një përçarjeje kombëtare e jep me një ton të fuqishëm tek “O moj Shqypni, e mjera Shqypni” edhe Pashko Vasa:

                                    Para se t’hupet kështu Shqypnia,

                                    Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!

                                    Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

                                     Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

                                     E mos shikoni kisha e xhamia:

                                     Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Të dy poetët në fjalë janë kritikë të fuqishëm të Pasivitetit, Egoizmit Individual dhe Shpirtit të Veçimit në popujt e tyre respektiv, të cilët për pesë pare e nxjerrin në pazar  Interesin Kombëtar. Ja me çfarë dhimbje dhe dëshpërim e përshkruan Pashko Vasa këtë fenomen:

                                 Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,

                                 Me ju turpnue me grue e motër,

                                 E për sa pare qi do t’fitoni,

                                 Besën e t’parëve t’gjith e harroni,

                                 Baheni robt e njerit t’huej,

                                 Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

                                 Qani ju shpata e ju dyfeqe,

                                 Shqiptari u zu si zog ndër leqe!

                                 Qani ju trima bashkë me ne,

                                 Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!

Ndërsa Petőfi nuk do të tregohet “më pak i butë” me vargjet e veta:

                                Sehonnai bitang ember,

                                Ki most, ha kell, halni nem mer,

                                Kinek drágább rongy élete,

                                Mint a haza becsülete.

                                A magyarok istenére

                                Esküszünk,

                                Esküszünk, hogy rabok tovább

                                Nem leszünk!

                                Ti batakçi i pavlerë i Njeriut,

                                Që kur e lyp nevoja nuk bie 

                              Dhe e çmon jetën tënde të kotë,

                              më tepër se nderin e tëndit Atdhe. 

                              Për Zotin e Hungarezëve betohemi,

                              betohemi solemnisht, 

                              që kurrë më s’do jemi skllevër!

Petőfi dhe Vasa i shprehin me zjarr zemre popujve të tyre se për të dalë nga Errësira në Dritë dhe nga Skllavëria në Liri duhet luftuar pasi ajo çka është më e shenjtë nuk mund të dhurohet por duhet të fitohet pavarsisht çdo lloj sakrifice! Siç kujton dhe Horaci: “Dulce et decorum est pro patria mori.” Petőfi e jep në mënyrë brilante këtë qëndrim; sesi të këputet Zinxhiri i Mentalitetit të Skllavit me Shpatën e Lirisë:

                                    Fényesebb a láncnál a kard,

                                    Jobban ékesíti a kart,

                                    És mi mégis láncot hordtunk!

                                    Ide veled, régi kardunk!

                                    A magyarok istenére

                                    Esküszünk,

                                    Esküszünk, hogy rabok tovább

                                    Nem leszünk!

                                    Shpata shkëlqen më fortë se zinxhiri

                                    dhe e zbukuron më tepër krahun,

                                    ndërsa ne i mbajmë ende zinxhirët…

                                    Kthehu tani, shpata jonë e vjetër!

                                    Për Zotin e Hungarezëve betohemi,

                                    betohemi solemnisht, 

                                    që kurrë më s’do jemi skllevër!

Për këtë ndjenjë të shenjtë që është Liria dhe sakrificën më të lartë sublime në emër të Mëmëdheut thërret me Frymë të Gjallë për të zgjuar “Frymët e Fjetura” edhe Vasa ynë:

                                  Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,

                                  Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

                                  Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë

                                  Kush mos na e preki, se desim t’tanë

                                  Të desim si burrat që vdiqnë motit

                                  Edhe mos marrohna përpara zotit.

Këtë “turp përpara Zotit nëse nuk luftojmë për Lirinë” tek Vasa e gjejmë edhe në strofën e parafundit të “Nemzeti Dal” të Petőfi. Skllavëria, nën zinxhirët e Pushtuesit për të dy poetët është një turp kombëtar:

                                   A magyar név megint szép lesz,

                                  Méltó régi nagy hiréhez;

                                 Mit rákentek a századok,

                                Lemossuk a gyalázatot!

                               A magyarok istenére

                              Esküszünk,

                             Esküszünk, hogy rabok tovább

                            Nem leszünk!

                            Emri Magjar do të ringrihet prapë,

                            I denjë për nderim dhe virtyt;

                            Atë mbi të cilin shekujt hodhën baltë,

                            Ne do ta lajmë këtë turp!

                            Për Zotin e Hungarezëve betohemi,

                            betohemi solemnisht, 

                            që kurrë më s’do jemi skllevër!

Si përfundim mund të themi që si Pashko Vasa po ashtu edhe Sándor Petőfi përmes poezive në fjalë jo vetëm që shërbyen si farkëtues të Mëndjes dhe mobilizues të Frymës Kombëtare por gjithashtu këto poezi u bënë edhe lejtmotiv i 2 Lëvizjeve Nacionaliste për Pavarësi; Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Revolucionit Hungarez të 1848-49.Ndërsa bashkëkombasi dhe bashkëkohësi i tij, pianisti i madh hungarez Franz Liszt do ta nderonte siç duhet duke i ngritur një monument muzikor jetës dhe veprës së Petőfi përmes “Dem Andenken Petöfis, S.195”(1877) për Pashko Vasën nuk ka dalë ende nga gjiri i kombit të vet një kompozitor që ta përjetësoj në muzikë.

Ndoshta një ditë, ndoshta diku, ndoshta tani një thirrje për të Mirën… “dhe rrezet e Diellit do ta davarisin Errësirën.”    

Filed Under: ESSE Tagged With: Melsen Kafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT