Ese nga Xhevair Lleshi/
Zakonisht të papriturat e vitit, kur nuk ndodhin vijnë vetvetiu në dhjetor. Dhe mua kështu më ngjau me këtë student të filmit dhe të sociologjisë, që i kryen studimet në Stamboll. Botoi librin e parë (2013), romanin me një përkushtim të madh ndiesor «Fluturat». Dhe tani nga mesi i dhjetorit erdhi me «Aforizmat» e tij. Mund të mos ndodhte kështu, por Roland Spahiu, ky shkrimtar në moshë mjaft të re ka hedhur vërtet një hap të madh, duke u paraqitur tashmë me «Aforizmat», gjini e vështirë dhe me një theks autoritar mendimesh e filozofie.
Teksa lexon aforizmat e tij, nën sfondin e muzikës klasike dhe tingujve të pianos, gjen veten dhe thellohesh në botën e mendimeve, aty ku mund të ngresh zërin e protestës dhe të ndjesh afshin e tokës, të barit, trokitjet te porta e shtëpisë, të marrësh pjesë në debat dhe të hedhësh dritë mbi gjithçka që të rrethon. Mendimi i tij është vërtet i pjekur dhe e tërë bota sillet rreth e qark egos dhe superegos, një filozofi e pastër, që mbart shqetësimin dhe nervin e përjetimeve të thella.
A mbarojnë ndonjëherë problemet e mëdha të kësaj bote? A sjellin dritë të plotë ato mendime për shpirtrat njerëzorë? A i prekin hallet e njeriut të thjeshtë? A i këndojnë ato dashurisë? Apo mendimet e Rolandit mbyten brenda gotës me ujë dhe kthehen sërish andej nga janë nisur? Ndoshta dikush mediton nën dritën e qiririt nën reflekse të forta. Mbase gjejnë pak qetësi nga tronditja e madhe që pëson në udhë e sipër prej fatit të keq, apo rastësisë së bukur. Mbresat e këtyre mendimeve janë të forta, herë akullohen si bryma mbi gjethen e pemëve, apo mbi bar, herë braktisen e lëndohen krejt papritur. Siç mund të ndodhë realisht në jetë, ky mendim i koncentruar ngre probleme të mëdha ose
drejton vëmendjen njerëzore pikërisht ndaj këtyre problemeve.
Në sitën meditative të shkrimtarit janë familja, shkolla, edukimi, morali, shkenca, besimi, ndjenja, arsyeja, ligji, të papërmbajturit, situatat e larmishme, shpirti, halli, ndrojtja, gëzimi i pakufishëm, urrejtja, nacionalizmi, dashuria për atdheun. E plot të tjera pa fund. Ti i dashur lexues ke dëshirën t’u kthehesh sërish po atyre mendimeve, për t’i parë ndoshta në një dritë të re, për të ecur një copë udhë së bashku me meditimin e tjetrit, me fabulën që ai ka zgjedhur dhe… gdhend në shpirt dëshirën për t’i pasur pronë të tuat ato mendime e sjellje. Sepse nuk janë thjesht mendime dhe aq, por janë edhe dëshirë gati e papërmbajtur që të jenë edhe veprim, sjellje në gjithë përditshmërinë e njohur e të
panjohur.
Në aforizmat e tij Roland Spahiu ka përqendrime mendimesh e refleksionesh të zgjuara dhe befasuese, herë veshur me velin e ftohtë të mjegullnajës që mbulon të vërteta e pamohueshme, herë bëhet cerebral dhe i bie drurit për ta prerë me një të rënë të sëpatës. E kam zili, vërtet. Sepse në çdo hap e shoqëron panda një hije serioziteti dhe vështrim prej burri të pjekur. Ky ndoshta është dhe sekreti i madh i aforizmave. E lakmojnë forcën e fjalës, hijeshinë e frazës dhe pse jo edhe nëntekstin figurativ. Se, në vetvete ato kanë një tis poetik të këndshëm, befasi të fuqishme dhe shumë dritë. As që mund të kuptohen ndryshe. Pra, s’mund të shkruhen pa frymëzim dhe fuqinë e një burri. Aforizmat o janë shkruar nga penat më të fuqishme në botë, ose janë zgjedhur mendimet pikante nga veprat më të mira të këtyre autorëve të mëdhenj. Në të gjitha rastet janë kujdesur të tjerët për të hulumtuar veprën e shkrimtarëve, filozofëve, poetëve,
psikologëve, njerëzve të shquar në fushat e ndryshme të sportit, artit, kulturës, politikës etj. Lexon mendimet e fuqishme të Roshëfokosë, gjeniut të madh frëng, që me veprën e tij «Mendimet» mbeti i përjetshëm në historinë e mendimit njerëzor. Por lexon aforizmat e Niçes, të Uajlldit, Shopenhauerit, Kafkës e të shumë të tjerëve dhe gjen brumin e jetës. E krahasuar me këto pena të fuqishme e aq të njohura ti mendon e thua që ku e gjen guximin ky djalosh që përvesh mëngët, hedh mendimet e tij pa u shqetësuar fare dhe u thotë njerëzve të vërtetat që i ndien dhe
i sheh, i ngacmon dhe u bën karshillëk, sepse bota tashmë e ka ndryshuar fizionominë e saj, nuk është më ajo e para… Mos vallë i vijnë sinjale të çuditshëm që e bëjnë të hedhë në letër refleksione interesante, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, të përmbyllë ide me bazament të fortë, madje të ngrihet edhe mbi të tjerët dhe ta përplasë grushtin fort, kuptohet nëpërmjet mendimit që shkruan.
Nuk janë mendime të shkruara natën vonë, as të mbështjella me tisin e zi të saj, por mendime plot dritë e përkujdesje. Kanë rrezatim të butë? Kanë ildisje? Apo janë lënë ashtu të çaprashitura, të mbështjella me lëvozhgën e zakonshme që të mos dëmtohen gjatë rrugës. Asgjë e shfryrë dhunshëm veçse ngrihen në këmbë pa asnjë mundim dhe, madje, me elegancë. Nuk ka asgjë të shprehur përbuzshëm, as mendime që të tingëllojnë si njëfarë urdhri i fshehtë. Rolandi shkel me kujdes kudo që shkon. Shikon tej një dritë dhe atje i mban sytë. Ai ndriçim i largët i pëlqen, pa harruar se shkel kudo mbi gjemba, mbi shkorreta, mbi lagështinë e pellgjet e plakura, por që i kapërcen me vetëdije të kulluar.
Jo, nuk merret fare me hollësitë e subjektit që i përkushtohet, ai merret me farën, të mos jetë hibride, por autoktone e mbi të gjitha e tij, burimore, të mos e ketë thënë dikush tjetër, tek e fundit të mos tingëllojë keq, të ruajë në peshore qetësinë, pa e lënë mënjanë paqen e brendshme, dashurinë, shpirtëroren, frymën, ngrohtësinë, që fjalët të mos mërdhijnë. E vërteta është se autori vuan, pëshpërit sa andej këtej, mbledh forcat dhe ia hyn punës me njëfarë force që të duket se po të ngre peshë: jeton me çastin, krahason, ngre lart përshtypjen, zgjedh fjalën e duhur, e prish,
hulumton më tej, i vjen ndërmend një mendim tjetër dhe e lë pak mënjanë këtë që s’po fiton dot autoritetin e duhur…
Është i besës Rolandi. Së brendshmi i ngrihet një zë a një jehonë e largët i tingëllon dhe ai e ndien dhe pret. Çfarë pret? Mos vallë pret që ideja t’i hapet krejt, t’i flasë çiltër, të dashurohet marrëzisht pas vetvetes, të dëshpërohet apo t’i përgjigjet prerë? Bëhet papritur lojcak, ashtu siç e ka natyrë njeriu kur hyn në botën qiellore të mendimeve dhe del e thërret te pragu i derës të tjerët, t’i vijnë afër dhe të mbajnë vesh. Me zërin që i dridhet paksa ai të ngjan se i drejtohet gjithë botës pa kufi, nuk e ka thjesht me shqiptarët, ndonëse shpesh gjuha vete ku dhemb dhëmbi dhe merret disa herë me nacionalizmin e fqinjëve, me përmasat ireale të tij, me ngasjet luftënxitëse. Mendimet e Rolandit nuk mbeten kurrë një vegim.
Gjithashtu, një e vërtetë tjetër është se Roland Spahiu, ky djalosh, por me mendime plaku nuk shëtit në humbëtirat rreth e qark, nuk rraset diku në një qosh dhe aty mbledh mendimet pikante të të tjerëve, jo. Ai hap rrugën, e pastron o nga dëbora, o largon ngricën prej saj, heq edhe shkëmbinj që kanë rënë papritur e pakujtuar, pastaj mbështetet diku i lodhur, mund të jetë kjo edhe një kafene fshati ndanë kësaj rruge dhe ashtu, gjysmë dremitur, ndez flakën në shpirt, përtyp mendime, sheh fillin e një mendimi të ri, sapodalë nga «furra» e nxehtë dhe vështron tej në largësi të paarritshme. Nuk degdiset nga rruga e tij, ndjen se mendimi i tij është shprehur dhe atij procesi të bukur i vë një
emër, ashtu si i vjen dhe ashtu si e gjykon atë çast. Prandaj dhe krijimtaria është e bukur, pse është kaq e mundimshme. Ndryshe nuk do të kishte art dhe pëlqyeshmëri të tij. Kushdo prej nesh që lexojmë mendimet e këtij djaloshi tashmë të pjekur mund t’i themi fjalë të ngrohta, madje mund ta mbulojmë pak se e ka zënë gjumi në karrige dhe aty ndoshta duke ëndërruar. Pa ëndërrim s’ka mendime. Falënderimi ynë ngrihet mbi thjeshtësinë e shkrimtarit, mbi lodhjen e tij, mbi ëndërrimin dhe lakmojmë të kuturisemi në ndjenjat dhe refleksionet që na sjell, mbuluar me heshtjen dhe mbështjellë me tharmin elegant të gjetjes.
Ne e shohim entuziazmin e fshehur të Roland Spahiut dhe sikur na ngre pak nervat, na shtyn të mendojmë se përse na hidhet kështu degë më degë dhe befas futet në shtrofkën e tij. Aty, si në jetën e një eremiti, nuk vijnë gra të veshura me shije të hollë, aty nuk hyn jeta e velur dhe e ngopur, aty s’ka sensacione, aty fshihen ca feksje të mahnitshme, ca gurë të ndritshëm rubini, çajnë hyrjen ca rreze misterioze drite dhe rrethuar nga ajri i vetmisë (vetmi tronditëse) që mbruhen si ide dhe hidhen pastaj në letër me nuhatje të hollë, me ndjesinë e fortë në luftën gjallë a vdekje.
Tronditja bëhet e afërt, e ndritshme, sikur vezullon, nganjëherë edhe e përftuar si plagë e freskët, paksa e mahisur dhe me buzët flakërimë, si të thuash djegur e përvëluar nga hija e brendshme e seriozitetit. S’ka gallatë aty. As mendime të stisura, por ujë i kulluar burimi për ta ruajtur pastaj në shishka të vogla e për t’ua dhënë njerëzve në nevojë, si shishka me ujë të bekuar. Le t’i pinë njerëzit, se ulin temperaturën, atë, temperaturën e rrezikshme, të brendshme e të fshehtë. Mendimet e Roland Spahiut, përmbledhur në aforizmat e titulluara «Gjenocid i hirtë» ngrenë shqetësime dhe kësisoj duken si re të shqetësuara bojëhiri që enden sa andej-këtej, pa mundur të gjejnë dot një skutë të qetë në hapësirën e bukur e të madhe. Shqetësimi bojëhiri duhet i mahisur vende-vende, pak si plagë të kuqërremta, për syrin që i sheh duken si ato lungat që dalin aty-këtu në një fytyrë të trazuar nga lodhja e brishtë. Ato duhen hequr patjetër se të shëmtojnë.
Po më e mira do të qe që ato të liheshin pak ashtu, në pritje që të zinin qelb dhe pastaj të shtrydheshin fort derisa të largohej duke u shtrydhur gjithçka, madje duke zhdukur edhe shtratin e tyre. Lungat e mendimit. Lëngata e shpirtit. Drita vjen pas mundimit… Këtë ka bërë edhe Rolandi. Faqja e shqetësimit është e pastër. Ne na vijnë mendime të shqetësuara vërtet, por ama të pastra, të kulluara. Aforizmat e Roland Spahiut kanë nerv, jo nervozizëm. Ato kanë tension dhe madje shprehen me tension, jo rrëmujshëm. Thjesht përshkruhen me qetësi, bile mund ta quash edhe qetësi magjike. Ato shprehin keqardhje për të vërtetat e tronditura keq, pikojnë lot ngadhënjimi, lëshojnë pe ndaj trishtimit, marrin në mbrojtje vuajtjen njerëzore, shprehin admirim për të bukurën dhe artin, shkencën, dritën, guximin, fatkeqësinë… I lexon ato mendime të kulluara dhe kurrë nuk të shkon mendja se i ka thurur një djalosh i brishtë, i cili gati thyhet para botës rrethuar nga uria, egërsia dhe madhështia e shtirur, nga potenca e mbivlerë,
mashkulloriteti harbut dhe herë-herë edhe nga feminiteti i tepruar. Kjo botë që po shemb vetveten ka përkujdesjen e kësaj dore të hollë, drithmëtare, lënguese dhe me fijet e holla të kujdesit ildis mendime të tejdukshme se si ta ndreqë, si t’ia mbyllë plagët dhe të bëhet gjethe tatulle përmbi to. Ne do t’i kemi pranë vetes këto mendime dhe do të ecim gjer në fund të rrugës sonë të përbashkët njerëzore…
Tiranë, më 09. 01. 2016
Mendime rreth debatit: Kush janë fitimtarët?
Nga Reshat Kripa/
Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë fitimtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. E majta ngul këmbë se është ajo fitimtarja e kësaj beteje ideologjike. E djathta gjithashtu. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më trepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Këto debate zhvillohen ndërmjet po atyre figurave analistësh që i kemi parë dhe stërparë çdo ditë në këto ekrane. I kemi parë për të gjitha çështjet që preokupojnë opinionin publik shqiptar, që nga ato më të thjeshtat dhe deri tek më të rëndat. Për të thënë të vërtetën na ka marrë malli të shohim figurën e një analisti të ri, të studiuar në universitetet më në zë të botës demokratike. Por, çuditërisht, për këta individë dyert e televizioneve tona janë të mbyllura. Ato janë bërë pronë e analistëve të përjetshëm.
Vetëm një gjë nuk kemi dëgjuar prej tyre, kush është fitimtari i kësaj beteje që ka vite që ka filluar dhe ende nuk po gjen zgjidhje. Pikërisht kësaj pyetje dua t’i kushtohem në shkrimin tim. E di që disa do të më quajnë ballist, dikush tjetër legalist, një i tretë kolaboracionist e kushedi se çfarë tjetër. Për t’u hequr merakun do të doja t’u thoja se rrjedh nga një familje që nuk ka pasur asnjë pjestar nga fisi i saj me ballin apo legalitetitn, asnjë person të arratisur jashtë shtetit për motive politike. Madje kemi qenë të lidhur, më tepër me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Nuk e them këtë se dua të mburrem. Përkundrazi, do të doja që të mos ishte kështu. Por situata e atyre viteve ishte e tillë që njeriu nuk arrinte të kuptonte se kush ishte rruga e drejtë që duhej të ndiqte, ndaj jo rrallë herë zgjidhte rrugën e gabuar.
Ju do të thoni atëherë se si ka mundësi që mendimet e mia bien në kundërshtim me prejardhjen familjare. Përgjigjen ua jap unë. Ishte vetë komunizmi që më bëri të tillë. Duke qenë në konditat e përshkruara më sipër, çuditërisht, një ditë vjeshte të vitit 1946 një makinë ndalet para portës tonë në Tiranë dhe na rrëmben e dëbon në qytetin e lindjes, në Vlorë, ku pas atij çasti, trajtoheshim si armiq të sistemit komunist. Kjo bëri që unë të ngrihesha kundër tij. U ngrita dhe këtë e pagova me disa vite burg. Por, fatmirësisht, burgu u bë një shkollë e veçantë për mua. Aty, nëpërmjet disa figurave të paarritshme, mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër nga ajo që unë kisha mësuar në shkollën komuniste. Mësova historinë e vërtetë të këtij kombi dhe këtë histori dua ta pasqyroj në këtë shkrim. Nuk jam as historian, as analist, por dua të shpreh atë që kam dëgjuar me veshët e mi dhe atë që mendoj se është e vërteta.
Në debatet e zhvilluara në shtypin e shkruar apo atë viziv dëgjoj mendime nga më të ndryshme lidhur me qëndrimin e Ballit Kombëtar apo legalitetit gjatë periudhës së luftës për liri. Disa e paraqesin si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe të tjerë të kundërtën. Unë rri dhe arsyetoj: Sikur forcat balliste të kishin qenë bashkëpuntore të pushtuesve, përse komunistët pranuan bisedimet me ta, madje arritën edhe në një marrëveshje së bashku në Konferencën e Mukjes, marrëveshje që e braktisën pa u tharë ende boja me të cilën ishte nënshkruar? Përse ndodhi kjo? I kujt ishte faji? Natyrisht jo i nacionalistve, pasi ata i qëndruan besnik firmës që kishin hedhur.
Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës, komunistët hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Kjo parullë bëri që legalistët, me në krye heroin e 7 prillit 1939, Abaz Kupin, të rreshtoheshin në rradhët e këtij fronti. Por, pas Konferencës së Mukjes kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, parullë që solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon disa herë atë të luftës kundër okupatorit, nga të dyja forcat ndërluftuese.
Lexojmë shpesh medimet e mykura të disave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që, në të vërtetë, u zjen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërin, Safet Butkën, Ramazan Jaranin, Hysni Lepenicën dhe plot luftëtarëve të tjerë të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam kujtimet e mia të fëminisë kur ata burra të shquar, në konditat e ferrit komunist më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah. Njeri prej tyre, juristi i njohur Xhevdet Kapshtica më dha një shkrim, futur fshehurazi në burg, që luftëtari Bardhyl Pogoni e kishte botuar në gazetën “Flamuri” në Itali në vitin 1946. Titulli ishte “28 nëntor 1939” midis të tjerave shkruhej:
A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!”
Shkrimi vazhdonte me zhvillimin e demostratës. Një turmë e tërë në mbrojtje të lirisë së vendit. Në këtë turmë nuk mungonin as fëmijtë. Ja se si vazhdon shkrimi:
“Eja mblidhuni këtu!” ia krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhimbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim. liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë.Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg,mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm rreth. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçare që ndoqi pas tanë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante…
Ndërsa në fund autori shkruante:
Atë natë ne kënduam me zjarr. Atë natë ne folëm me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll…
Vini veshin frazës së fundit: “ Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as çlirimtarë me yll…”Përse? Sepse komunistët nuk kishin marrë ende urdhër për të luftuar dhe ky urdhër nuk ishte dhënë pasi kryeqëndra e tyre, Bashkimi Sovjetik, ishte ende në aleancë me Gjermaninë hitleriane.
Këto fjalë i thotë një luftëtar pjesëmarrës i asaj demonstrate të paharruar, një luftëtar i lirisë. Kush ishte ky luftëtar? Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё janar tё vitit 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё lёvizjen antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanajt. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. U vendos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishin vendosur edhe Mithat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinё franceze nё Universitetin e Bolonjёs. Nё vitin 1950 emigroi nё Shtetet e Bashkuara. Nё mesin e viteve ‘50 filloi punёn pranё seksionit shqip tё Radio-Europa e Lirё dhe nё vitin 1959 filloi punёn nё Shkollёn Ushtarake tё Gjuhёve nё qytetin Bloomington tё shtetit Indiana. Nё Universitetin Indiana mbaroi studimet e larta dhe nё vitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nё fushёn e gjuhёsisё. Nё vitin 1967 u emёrua profesor nё Universitetin Ëestern Kentucky ku qёndroi deri nё vitin 1972. Prej vitit 1974 e deri nё vitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nё Tripoli tё Libisё dhe prej vitit 1978 e deri nё vitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nё Napoli tё Italisё. Gjatё karrierёs sё tij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tё ndryshme pёr gjuhёn shqipe. Nё vitin 1949 kishte botuar nё Itali poemёn “Fytyrё e Kombit” kushtuar Mithat Frashёrit. Ky ishte Bardhyl Pogoni.
Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri e mbylli me humbje jetën e tij. Jo, mor zotërinj! Ai humbi vetëm një betejë dhe këtë betejë e humbi sepse nuk ishte vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishte i prapaskenave të pështira si ju. Ai ishte për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të botës së lirë. Ndoshta me të vërtetë gaboi, por ai nuk donte të derdhte gjak shqiptari si ju. Nuk donte të ngjallte ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donte bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira.
Le të kthehemi tani në temën e ngritur në fillim të këtij shkrimi: “Kush janë fitimtarët?” Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit, të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit, ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi, ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.
Përfaqësuesit e idesë së parë ishin Mithat Frashëri me pasuesit e tij. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruar fletën dhe u kthyet në socialistë apo demokratë.
Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë, pikërisht ai system për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij, sepse pikërisht idetë e tij fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. Tani për tani, keni arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tone dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë juve ju prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.
ZOTI NUK ËSHTË QENDRA E FRIKËS POR BURIMI I DASHURISË
Mendime për librin autobiografik të profesor Sami Repishti” NË HIJEN E ROZAFËS”/
Nga KRISTAQ TURTULLI/
Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe patriotizmin shkodran, të klerit katolik, mysliman dhe ortodoks. Sido që fqinjët tanë tradicionalë dhe pushtuesit, u përpoqën që tre fetë ti përdornin si pisha për të ndezur zjarre dhe përvëluar Shqipërinë. Këto tre fe kanë qene në shekuj në harmoni të mrekullueshme, si kudo në Shqipëri edhe në Shkodër.
Kemi lexuar dhe admiruar heroizmin e pashembullt të malësisë shqiptare që mbrojtën me thonj dhe gjak gjuhën, traditën, besën dhe fisnikërinë e lavdërueshme si rrallë në botë. Shumë kombe dhe popuj edhe pse kanë qenë shumë më të mëdhenj se populli shqiptar, në popullsi dhe hapësirë territoriale janë asimiluar, zhdukur, sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, përgjatë tallazeve të pushtimeve, luftërave dhe shfarosjeve. Ne mbijetuam, e ruajtëm gjuhën, zakonet dhe traditat e respektuara si rrallë kush. Jo vetëm kaq, por bijtë më të mirë të mërguar, mbajtëm në këmbë, çliruan dhe udhëhoqën drejt civilizimit popuj e kombe të tjera. Ne shpërndamë dije dhe përparim, fqinjët tanë si lubi donin të na zhduknin, kur nuk mundën, na morën si hakmarrje, si shpagim; legjendat, gojëdhënat, doket, zakonet tona, deri sot e gjithë ditën.
Klerikë të ndershëm të arsimuar, të përkushtuar ndaj Zotit, drejtësisë dhe atdhedashurisë. Personalitete të mendimit dhe të përparimit. Heronj të heshtur, të pajisur me kulturë perëndimore dhe civilizim. Kolosë të mendimit intelektual: Qysh me të madhin Marin Barleti, i cili i përshkroi me madhështi dhe patriotizëm heroizmin e Skënderbeut dhe qëndresës së popullit shqiptar, kundër hordhisë turke, perandorisë më të madhe të kohës. Pal Engjellin, me formulën e pagëzimit, i dha besim dhe shpresë çdo familje shqiptari, ti jepte frymë jete dhe besimi fëmijës dhe të vazhdonte qëndresën. Burimorin, origjinalin Gjon Buzuku, ‘Meshari’ i tij qëndron në majë të malit si pishtar ndriçues në memorien dhe admirimin tonë. Pjetër Bardhin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjeda. Gjeniun, akademikun, epikun e madhërishëm Patër Gjergj Fishta. Patër Antoni Arapi. Patër Ndue. Patër Gjonin dhe plot të tjerë. Të gjithë këta kanë qenë patriotë të mëdhenj, shkrimtarë të shkëlqyer, historianë, kronikanë, lëvrues të gjuhës së bukur shqipe, pishtarë dhe fanarë të përparimit dhe mendimit shqiptar.
Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe qytetarizmin shkodran. Të malësisë dhe të klerit, rezistencën shpirtërore kundër komunizmit. Shkodra, ky qytet e lashtë me tradita të merituara, qëndresë e hershme e identitetit iliro- shqiptar. Shkodra, vatër e zjarrtë e demokracisë dhe progresit Shqiptar.
Qysh në fillim të ardhjes së komunistëve në pushtet u munduan ta nëpërkëmbnin Shkodrën dhe malësinë. Në kuintat e ndyra u përgatit loja e sigurimit të shtetit,që të nëpërkëmbet Shkodra, në radhë të parë duhet të nëpërkëmbet besimi i saj. Krenaria dhe feja. U gjend menjëherë alibia, duhet të fajësohen klerikët, besimi fetar dhe me pas asgjësuar, sikundër edhe ndodhi. Intelektualët më të shquar, klerikë, u përballën me dinjitet me marrëzinë e kohës dhe nuk u përkulën. Prandaj u martirizuan egër prej komunizmit. Humbën në vite dhe vite neper burgje dhe birucat, u vranë, u pushkatuan, u zhdukën pa nam e nishan. Dhe nuk u përmenden. Ndoshta dikush prej tyre tani vonë fare pak. Dhe jo aq sa e meritonin dhe sa kishin sakrifikuar.
Shumë pak prej tyre, mund ti numërosh me gishtat e dorës, me kosoren dhe lakun në qafë arritën të çanin gardhin e hekurt. Tu shpëtonin plumbave dhe qenve te tërbuar, morën arratinë, shkuan në perëndim. Por me zemër të ndezur prej mallit dhe përkushtimit të pashuar atdhetar.
Një prej tyre është pa dyshim personaliteti, patrioti dhe shqiptari i madh, me kulturë dhe inteligjencë profesor Sami Repishti. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv për të drejtat e popullit Kosovar për vetëvendosje. Akademiku Sami Repishti si rrallë kush ka dëshmuar vazhdimisht, ka ngritur zërin me dinjitet dhe pa u tërhequr përpara Kongresit Amerikan, për të drejtat e shqiptarëve dhe kosovarëve. Ai ka mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjithmonë për çështjen shqiptare. Ka drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar Amerikan për shumë vite me radhë. Ai ka botuar me qindra artikuj e studime mbi problemet shqiptare dhe te drejtat e njeriut ne shtypin shqiptar dhe te huaj. Sami Repishti është dekoruar disa here nga qeveritë shqiptare dhe amerikane, për merita te shquara dhe për veprimtari patriotike dhe akademike.
Ish profesori i nderuar i Universitetit Adelphi, Sami Repishti tani është në moshën tetëdhjetë e tetë vjeçare. Është një histori e gjallë e dhembjes dhe së vërtetës. Një libër i hapur, dëshmitar okular, për të ndriçuar llambën e së drejtës dhe të së vërtetës. Dhe na tregon se individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, dhe fisnikërohet nga madhështia e kauzës që i shërben.
Libri me vlera njohëse, përshkruese, informative, shpirtërore dhe edukative për brezat që vijnë: ‘Në hijen e Rozafës.’Përshkruhet qysh në faqen e parë deri në faqen përmbyllëse nga një ndjenjë e fuqishme për vendin, fëmijërinë, Shkodrën fisnike dhe patriotike. Kontradiktat e thella në gjirin e shoqërisë shkodrane, brumosjen e karakterit të tij, e cila i shkaktoi aq mundnim e persekutim. Vuajtjen, mbrojtjen e integritetit kundër vasalitetit jugosllav. Dashuria e pakufishme për nënën, respektin ndaj kujtimit të babait, klerik. Për shokët, miqtë edhe pse i prangosur dhe i torturuar deri në barbari. Në ferrin dantesk, nën presionin e tmerrshëm, si të gjithë të burgosurit e tjerë, viktima të pafaj, atij iu lëkund besimi tek zoti dhe humanizmi. Por përsëri i dalluar dhe i brumosur për karakter të fortë, nuk i humbi këto elemente të rëndësishme. Mbeti njeri, shkollar, intelektual, shqiptar, patriot si rrallë të tjerë.
Sami Repishti midis shumë veprave të botuara me karakter historik dhe librit me tregime:’ Pika loti,’ tregime nga burgu. Në vitin 2004 botoi librin e tij të merituar outobiografik:’ Në hijen e Rozafës.’ Narracion i hollë,dhembje ,mundim, kundërshti, luftë për dinjitet dhe sensibilitet. ‘Në hijen e Rozafës.’nuk është thjesht një libër që tregon jetën e një individi, por është një analizë e thellë e jetës politike dhe shoqërore shqiptare në harkun kohor njëzet e pesë vjeçar, midis viteve tridhjetë deri në mbarim të vitit 1959 të shekullit të kaluar. Në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha siç ishte pushtimi fashist, lufta e popullit mbarë për rezistencë kundër okupatorit. Lufta civile, vëllavrasja, si dhe ardhja e komunizmit. Mënyra e egër e vendosjen së diktaturës së proletariatit .Intelektualët, patriotët e ndershëm e kuptuan dhe e përjetuan menjëherë, se nuk ish e vërtetë çka thuhej. Komunizmi që po aplikohej në Shqipëri ish një fasadë që do ti sillte popullit veçse mjerim, prandaj e kundërshtuan, u përballën me të dhe u kryqëzuan prej saj.
Si të gjithë të rinjtë dhe Sami Repishti u gjend që në fillim në udhëkryq. Kazani ziente. Ai duhej të merrte një vendim qoftë dhe me rrezikun e jetës. Të bëhej pjesë e rrjedhës të pashmangshme ku kish mbërthye euforia dhe çmenduria. Ta kundërshtonte atë dhe të përpiqej për një mundësi më të mirë? Ai me kthjelltësi dhe ndërgjegje i tha: ‘Jo’ diktaturës dhe morri rrugën që nuk kishte fund, një lundërtar në detin e gjerë, pa brigje. Akti i tij rebel pothuajse e vrau, por e çliroi njëkohësisht shpirtërisht dhe mundësisht.
Sami Repishti paraqitet një figurë komplekse në libër. Ai është dëshmitar okular i jetës në ferrin fashit dhe komunist në Shqipëri. Jo si ‘politikan’,apo ‘personalitet’ i makro politikës shqiptare, por si student dhe i ri, i cili u ndërgjegjësua për rolin e vet, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri. Ne ato momente të vështira shohim një djalosh të ri me qëndrim të qartë, besnik i vetvetes, i jetës për të jetuar me dinjitet pa kompromis.
‘Gjatë udhës, thotë autori, takova dhe njoha ma mirë ‘njeriun,’ krijesën fisnike, të etur për liri, të djegur për vëllazërim e njëkohësisht të aftë për të zbritur poshtë, në botën ku mbretëron çnjerëzimi ma i plotë dhe vdekja e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e doja atë me pasion. Kjo dashuri për njeriun mundi dhe kërcënimin e vdekjes.
Sami Repishti lindi dhe hodhi shtat në hijen e kështjellës tremijë vjeçare së Rozafës. U ushqye dhe u frymëzua prej legjendën e dhimbshme, magjepse dhe e papërsëritëshme: Një murojë madhështore e pathyeshme ndërtuar mbi trupin e njomë të një nuseje, të një nëne që linte djalin jetim nga respekti i padiskutueshëm për besën, mbajtjen e fjalës dhe traditën. Ideja e sakrificës që kërkon jetë njerëzore në formën më të ashpër, ushqeu fantazinë e një populli, që mund dhe vdekjen. Më vonë mbretërit ilirë e kishin mbajtur dhe mbrojtur këtë kështjellë me një legjendë, dashuri nëne, bese dhe krenari si rrallë në botë: Bardhyli. Pleurati. Teuta. Agroni. Deri tek dorëzimi i mbretit Genci, i përcjellë në Romë me pranga floriri.
Në këto histori madhështore flijimesh, përpjekjesh, luftërash, qëndrese të kështjellës së Rozafës dhe qytetit të tij Shkodrës, u brumos karakteri i djaloshit të ri, birit të thjeshtë Sami Rapishti.
Në një pjesë të rëndësishme të librit autori përshkruan me dhimbje dhe revoltë pushtimin vendit prej Italisë fashiste. Si priti dhe e përjetoi populli i vuajtur Shqiptar këtë ditë të zezë. Shkodra si e gjithë Shqipëria ishte në tension e flakë. Trusninë e përjetuan dhe shkollarët, për të cilën e përshkruan dhe jetuar autori me aq patos dhe art. Himni kombëtar këndohej pa pushim. Shqetësim, dhimbje për nënën Shqipëri, gatishmërinë e të gjithëve për të shkuar dhe luftuar me armë kundër pushtuesit. Hija e rëndë e pushtimit. Por qëndrimi i popullit kundër pushtimit nuk u fashit, nuk reshtën demonstratat dhe lëvizjet mazive të organizuara. Si i gjithë populli ai vetë po ashtu dhe familja e tij u përfshinë në këtë lëvizje të madhe për liri dhe përparim.
Sami Repishti si patriot dhe intelektual i formuar, luftoi pa kompromis kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra.
Pikërisht në këtë lëvizje frontale ai u përfshi me idealizmin për një Shqipëri të vërtetë me vështrim demokratik perëndimor, duke futur brenda të gjitha trojet shqiptare të ndara padrejtësisht nga trungu i nënës Shqipëri. Ai u përball në të njëjtën kohë me komunizmin që ish ushqehej dhe shtyhej prej Jugosllavëve:
‘Me moton shkatërrimtare, o me ne, o kundra nesh.’
Sami Repishti edhe pse shumë i ri, nuk mund të pranonte një shoqëri që premtonte dhunë dhe urrejtje. Një shoqëri që nëpërkëmbte parimet morale, që ishin bazë e një qytetërimin tre mijë vjeçar. Komunistët nuk i kërkonin trojet shqiptare, as nuk e hapnin këtë kapitull. Ata kërkonin luftë pa kompromis kundër të gjithëve, pronës, fesë, duke shkulur nga rrënjët botën e vjetër, me ideologë të mëdhenj Titon dhe Stalinin dhe me militantë të brumosur me urrejtje.
Në kulmin e përfshirjes madhore të lëvizjes për çlirim, në mbledhjen e njësitit. Sami Repishti
ngihet dhe thotë:
‘Unë nuk jam komunist.’
Por ky deklarim burrëror dhe i sinqertë, nuk kaloi pa gjurmë. Pa vonesë ai e kuptoi se tashmë ishte përballë kundërshtarësh, deri tek Lili, vajzën që adhuronte aq shumë. E cila i tha:
‘Meqenëse nuk je i një mendje me ideologjinë komuniste dhe kushdo që nuk e pranon ose kundërshton këtë, është armik që duhet të urrehet dhe të luftohet pa mëshirë.’
Në këtë pështjellim njerëzor autori i thotë vajzës së zemrës:
‘Lili, ke humbur çka është fisnike tek ti, ke humbur çka është e jotja dhe vetëm e jotja…’
Sa bukur, sa njerëzore, sa e madhërishme. Samiu e kuptoi qysh në fillim zvetënimin e personalitetit të njeriut dhe ia tha me forcë dhe sinqeritet të dashurës së tij.
Interesant është gjithashtu debati me të kushëririn komunist. Ata kishin bindje të kundërta. Kushëriri kërkonte ndryshim dhe dhunë pa kompromis. Samiu i thoshte për tolerancë dhe mirëkuptim në interes të vendit. Në fund u ndanë të indinjuar me njëri tjetrin. Shikimi i kushëririt ishte tmerrshëm. Por vetëm dy ditë më vonë, nën errësirën e natës, kushëriri u hyri në shtëpi me hap të shpejtë dhe u tha:
‘Policia fashiste më ndjek. A mund ta kaloj natën këtu tek ju?’
I ati i Samiut, hoxha Hafis Ibrahim Repishti e pranoi pa hezitim në shtëpi edhe pse e dinte që komunistët ishin ateistë. Besa e shqiptarit është më e rëndësishme se gjithçka.
Në mesnatë fashistët shkatërruan derën në kërkim të kushëririt. Nëna e Samiut e nxori nipin nga dera tjetër. Në shtëpinë e tyre filloi bastisja. Oficeri kapi të atin nga krahu dhe e shtyu me forcë në dhomën tjetër, filloi të bërtiste. Për një klerik mysliman trajtim i këtillë ishte shumë i rëndë, pësoi hemorragji cerebrale, paralizë dhe mbas disa ditësh i ati vdiq. Babai i Samiut, kleriku i ndershëm hoxha Hafis Ibrahim Repishti, sakrifikoi jetën për nipin komunist. Ai mbrojti njeriun, të nipin, jo bindjet politike, apo fetare. Por sa vlerë kish kjo për të tjerët!
Erdhi çlirimi i vendit. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme për një popull dhe komb, shoqërohej nga frika e së panjohurës. Kush janë fitimtarët, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri që premtohej me aq zulmë e bujë? Mirëpo metodat e përdorura përgjatë përpjekjes për të ardhur në pushtet ishin të ashpra e diktatoriale. E liruar nga dy regjime, shoqëria shqiptare priste me padurim që të lindte më në fund një periudhë paqeje e sigurie.
Befas nëpër rrugët e shkatërruara dhe qytetet e Shqipërisë, u shfaqën si kërpudha pas shiut fqinjët e veriut të veshur me kostumin e ndihmëtarit dhe këshilluesit. Por psikologjia e masave të një qyteti si Shkodra që e kish pësuar vazhdimisht invazione nga fqinja e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte të një bashkëpunimi të ngushtë me jugosllavët, praninë dhe imponimin e instruktorëve serbë dhe malazezë në të gjitha sektorët e jetës së vendit.
Autori Sami Repishti na jep me art dhe vërtetësi pamjen e Shqipërisë në vitet e para të pas çlirimit të vendit, varfërinë, euforinë, pasigurinë. Në të njëjtën kohë po ngrinte kokë organizimi i shtetit mbështetur mbi forcën e zjarrit dhe të hekurit. Kudo dëgjoheshin krisma dhe thirrje të ekzaltuar të masave. Filluan të bëheshin ekzekutime publike sipas stilit fashist. Maskarada ish e tmerrshme, rreth të pushkatuarve, grupe partizanësh dhe partizane hidhnin valle, duke kënduar këngën:
‘Lule Sofo, lule djalë.’
Ishte mënyra përhapjes së ankthit dhe frikës që realizonte ekzekutimi që u bëhej,‘bashkëpunëtorëve të armikut,’ Por njëherësh qysh në fillim, tregonte mospërfillje për shtetin ligjor si dhe mospërfillje për ndjenjat qytetare.
Çdo ditë nëpër rrugët e qytetit dëgjoheshin të ulëritura e që e përsëritnin si në kor:
‘Plumbin ballit, plumbin ballit!Vdekje tradhtarëve!’
Gjithçka ishte llogaritur më së mirë, ardhja e komunizmit në radhë të parë duhet të krijojë atmosferën e frikës. Autori na je jep të saktësi sesi klasa shoqërore shkodrane dhe të malësisë së madhe, dikur e privilegjuar dhe e fuqishme, më vonë e dërmuar prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqërore e kataklizmave të luftës, po avullohej, burgosej, zhdukej, pa lënë trashëgimtarë për zëvendësim. Boshllëku i mbetur në traditën fisnike, shekullore ishte i madh dhe i frikshëm.
Në këtë trusni, terror, që po ngrihej përpara syve të inteligjencës së mirëfilltë shkodrane, humbje vlerash të çmuara të traditës dhe kulturës, u ndje nevoja për veprim.
‘Para meje, shkruan autori, ngrihej çdo ditë ma e madhe kërcënuese’ ndërtesa’ që më zinte frymën përgatiste murimin e përjetshëm, si varri i Rozafës viktimë. Ai ishte vetëm njëzet vjet dhe në luftë të brendshme shpirtërore. Për tu fisnikëruar dhe lartësuar. Dhe gjykonte se shoqëria e re, kish vrarë me dorën e vet, ambiciet e saj morale. ‘Njeriu i ri’ që po krijohej ish i përqendruar vetëm në një pikë: ‘urrejtje.’Tek ai ishte përqendruar një ndjenjë:’ hakmarrja.’ Tek ai, gjithçka ishte e frymëzuar nga një qëllim: etja e pangopshme për pushtet.’
Ndërkohë dy ngjarje të rëndësishme ndodhën në qytetin e Shkodrës. Në maj të vitit 1946 u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste e qetë por e fuqishme, krejtësisht spontane, nën vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i arqipeshkvit katolik që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Ndërsa më 9 shtator 1946 ndodhi‘Lëvizja e Postribës’.Këto dy ngjarje u bënë shkak të ‘spastrohej’ i gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe. Brenda një muaji qyteti kishte njëmbëdhjetë burgje të përkohshme dhe më shumë se njëmijë e dyqind të arrestuar. Hija e rëndë e ekzekutimeve ishte kudo.
Arrestimi i autorit të librit: ‘Në hijen e Rozafës,’ ndodhi në mbasdreken e 22 tetorit 1946. E flakën në qeli. Dhe qysh në momenti e parë u përplas me dhunën e egër dhe torturën e cila i vazhdoi për shumë muaj me radhë për të pranuar fajin e pakryer. Ai e mendoi shpesh vdekjen. I mbyllur, i torturuar shumë pranë hijes së kështjellës së Rozafës. Ardhja e nënës për të vizituar në burgun e spitalit dhe dhuna e egër e njërit prej rojeve ndaj nënës së vuajtur. Lotët e nënës së gjorë binin rrëke për të takuar djalin. Autori me shpirt në dhembë i thotë rojës:
‘Unë nuk do ta shkelmoja kurrë nënën tende.’
Më në fund mbërrin gjyqi, një farsë e zakonshme, turma të eksituar që bërtasin. Gjykatësit, prokurori, vetë flasin, paraqitin akuzat e rreme dhe vetë vulosin. Heshtje prej të akuzuarve, pastaj dënimi me pesëmbëdhjetë vjet burg, shumë të tjerë me pushkatim.
Më 28 nëntor 1947 e transferojnë në burgun e madh. Solidariteti i të burgosurve , të cilët heqin kapotën nga vetja dhe ja japin më të dobëtit. Aty autori ra gjithashtu në kontakt me klerikë dhe të njerëz shquar të burgosur padrejtësisht, të cilët ndihmuan në forcimin dhe vendosmërinë e karakterit. Më vonë puna kapitëse në kampet e punës. Shpirtligësia, harbutllëku, egërsia e gardianëve dhe rojeve të burgut nuk kish kufi. Po ju jap disa shembuj:
Një oficer duke u tallur urdhëroi heqjen e mjekrës së një imami shtatëdhjetë vjeçar. Imami i ulur në gjunjë dridhej prej dhembjes e turpit dhe lotët i binin rrëke. E tallura e oficerit vazhdoi:
‘ Hoxhë, a ndjehesh më mirë tani pa mjekër?
Imami plak u përgjigj me zë që dridhej prej dëshpërimit:
‘A nuk turpëroheni prej pleqërisë sime?’
Apo shehu plak nga Luma, një burrë fisnik i pa përkulur. Por i dërmuar prej plagëve dhe torturave për tu dhënë burgosurve të tjerë shpresë dhe besim thoshte shpesh:
‘Zoti nuk është qendra e frikës siç e propagandojnë këta, por burimi i dashurisë.’
Talljet e rojeve dhe gardianëve ishin të poshtra, të papërballueshme, të tejskajshme kundër priftërinjve të përgjakur dhe të munduar. Ata duke u zgërdhirë u thoshin:
‘Ore uratë, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do ti a thyeja brinjët me këtë dru lisi, dëgjove ore?
Autori Sami Repishti takoi në burg dhe njohu nga afër klerikët e akuzuar padrejtësisht për fshehje armësh në kishë. Autori takoi gjithashtu dhe dëshmitarin okular, i cili e dinte mirë të vërtetën. E lojës së sigurimit të shtetit. Po të binte besimi, binte dhe Shkodra. Ata e akuzuan e besimin. Akusuan Shkodrën, u arrestuan bijtë më të mirë, u burgosën. Më pas të gjithë klerikët u pushkatuan dhe u flakën, humbën në rrëpirat ku frynin erëra të mëdha. Krahas punës së rëndë rraskapitëse, në baltë erë dhe të ftohtë vazhdonte tortura dhe marrëzia e rojeve.
Në protestën më të vogël:
‘Unë nuk jam kafshë pune,’ tha një i burgosur.
Ndëshkimi i sh mesjetar:
‘Je armik i poshtë o derr i derrit.’u tërbua roja dhe i vuri cigaren e ndezur në sy.
Viktima lëshoi britmë therëse dhe i tha:
‘ O, Aristidh Karrabeci. Edhe Zotin mund të harroj, por jo fytyrën dhe emrin tënd.’
Më në fund më 1 korrik 1956 Sami Repishti u lirua prej burgut. Por u përball menjëherë me vuajtjen e urinë e familjes, ata nuk kishin bukë ti nxirrnin. Varfërinë e një populli të tërë, të cilët jetonin me triska për një kile sheqer ose oriz. Si dhe propaganda e shfrenuar komuniste për mirëqenien e popullit të vet, heroik, luftarak dhe paqedashës.
Kështu ai doli nga një burg i vogël dhe u përball me burgun e madh,ku vuante një popull i tërë i indoktrinuar deri në marrëzi. Ndiqej, përgjohej ngado. Tehu i mprehtë i arrestimit të dytë rëndonte çdo minutë mbi kokën e tij. Çdo lëvizje që ndodhte në vend ose në botën matanë telave me gjemba, emri i tij ishte në listë për tu arrestua dhe ekzekutuar. Samiu ishte në dilemë të madhe. Ikja dhe mos ikja. Vetësakrifikimi dhe e drejta për të jetuar. Ai nuk ish si gjithë të tjerët. Mbasi nuk bëri asnjëherë kompromis me dinjitetin në kulmin e tmerrit, mundimit dhe të torturës. Atë e mundonte në të njëjtën kohë hakmarrja e pushtetit ndaj fatit të nënës dhe njerëzve të tij.
Me dhimbje dhe art ka përshkruar autori monologimin në varrin e të atit:
‘Kështu më deshe, besnik të vetvetes. Ti më mësove të luftoj për parime të drejta, që kërkojnë vuajtje dhe sakrificë. Të lutem babë falu për mue…’Kontrasti i filozofisë së jetës, mes babës dhe djalit ishte i plotë…
Gjendja e Samiut mori karakter tragjik. Çdo minutë ai ish i ndërgjegjshëm për arrestimin , burgosjen dhe ekzekutimin. Një jetë me vuajtje të padurueshme dhe të përhershme nuk është jetë. Vdekja me dinjitet është më e pranueshme. Le të goditej prej rojeve të kufirit në se zbulohej por nuk kish më kthim prapa.
Dhe ai më 23 gusht 1959 bëri arratisjen nëpërmjet lumit të Bunës.
Pse shkruaj? thotë autori në parathënien e librit. Jam viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit. Justifikon mbijetesën time. Zbulimi i dhimbjes se vuajtur e ngre viktimën në sferën e absolutes dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së‘keqes’. Drita këput vargonjtë e lidhur në errësirë. Drita sjell lirinë…