Lufta e Vlorës dhe qëndrimi i historisë ndaj kësaj epopeje kombëtare. 2/
Pjesa II (pjesa e parë është botuar në gazetën “DIELLI” online, më 18 July 2013/
Përgatiti: Albert R. HABAZAJ/ studiues/
Diplomacia dhe patriotizmi i vetë shqiptarëve, si komunitet, horizontalisht dhe vertikalisht, qenë ata, të cilët e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi, nga shqyerja tribale e të mëdhenjve të qytetëruar, që tej fasadës, qenë pesë a gjashtë sulltanë, “rrezilë e katilë”, edhe ndaj çështjes së drejtë, që shtronte i urti, president i Botës Qytetare, Woodrow Wilson (28. 12. 1856 – 03. 02. 1924), sidomos për vetëvendosjen e kombeve. Ndër faktorët ndërkombëtarë, patjetër që presidenti amerikan i kohës, klasifikohet më pozitivi për çështjen shqiptare, me gjithë kufizimet që kemi ne, për qëndrimin e tij ndaj Gjirokastrës, që ia la si “hise” Greqisë dhe për Vlorën, që ia dha Italisë, sikur të qenë dy – tre lopë, dy- tre dhën a një mall tjetër, që jepej, shitej apo shkëmbehej si plaçkë tregu. Gjithsesi, duke gjykuar në kontekst, vlerësojmë kontributet jetike të presidentit Willson për Shqipërinë, sepse thotë një fjalë e urtë: “Nga Hiçja, malli Birçja” (dhe pse pa sy, nuk e la djepin thatë e zjarrin shuar në oxhakun e vatrës së baba shqiptarit X Y). Patjetër, që qe faktori i brendshëm vendimtari, me Sulejman Delvinën, Aqif Pashë Elbasanin, me emblemën e Luftës së Vlorës, Osman Haxhi Nurin, me Ahmet Lepenicën, Qazim Koculin, Halim Xhelon, me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Luftës së Vlorës, me të gjithë shqiptarët luftëtarë për liri, që nga Selam Musai, Zigur Lelo, Kanan Maze, Sado Koshena, Veip Runa, Muharrem Rushiti e mbi 4 mijë vullnetarë të Trupave Kombëtare për Liri, se vetëm me luftën ndaj pushtuesit, u vulos realizimi konkret të Pavarësisë Kombëtare të Rilindasve të Fundit të një Fillimi të Ri, Ismail Qemal Vlorës, Luigj Gurakuq Shkodrës, Isa Boletin Kosovës, Rasih Dino Çamërisë e Burrave të Kombit të Vendit të Shqipeve .
Aleks Buda për Luftën e Vlorës, 1920
…në mbrëmjen e 4 qershorit 1920, mbaronte afati i ultimatumit me të cilin komiteti revolucionar i fshatarësisë kryengritëse kërkonte zbrazjen e Vlorës dhe të rrethinave të saj nga trupat pushtuese italiane, ndërsa më 5 qershor në mëngjes fshatarët hidhnin pushkët e para kundër bazës detare të Vlorës, të fortifikuar rëndë nga italianët gjatë një okupacioni pesëvjeçar. Ky kamp llogoresh të betonuara, i mbrojtur prej aeroplanësh, autoblindash dhe nga deti prej grykëve ët artilerisë së luftanijeve italiane, u kishte pasë qëndruar me sukses për vite me raqdhë, gjatë LPB, sulmeve të ushtrive austro – hungareze. Kundër kësaj fortese turreshin tani me tërbim valë – valë fsahatrë të zbathur, të uritur, të armatosur keq dhe bënin kërdinë në mes të armiqve derisa e çliruan vendin e tyre dhe i hodhën në det pushtuesit e huaj:
Evropa shkruajn’ e thonë,/ Ç’është kështu si dëgjojmë,/ Bënet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet milionë./ Zënë jesir, na thonë, / Zënë jesir italianë./ “Po me se luftojnë vallë?”/ “Me sëpat’ e me hanxharë,/ Dyfeqet lidhur me gjalmë…”
Kështu e këndon këngëtori i popullit karakterin popullor të kësaj lufte që përbën një epope të shkëlqyer, një hallkë të re në vargun e gjatë të luftërave të fshatarësisë sonë dhe të popullit shqiptar përgjithësisht për lirinë dhe pavarësisnë e Atdheut të tij.
Më 1920 populli ynë gjendej sy më sy përballë atij pushtuesi që prej kohësh të ngulte këmbë në këtë vend në një pozitë kaq të rëndësishme në udhëkryq përpara portave të Lindjes.
Ekonomikisht i prapambetur, me një unitet kombëtar të dobët, me një borgjezi të pazhvilluar, si vallë do të mund t’i bënte ballë ky popull rrezikut të ri pushtues? Po në këtë çast suprem rreziku, populli ynë nuk humbi shpresat dhe me armë në dorë luftoi për lirinë e tij, për pavarësinë dhe paprekshmërinë e tokës së tij. Nga Lindja u shpall TFL që e dënonte me vdekje popullin tonë. Një valë protestash dhe urrejtjeje përshkoi popullin shqiptar kur pa të demaskuar fytyrën e vërtetë të plitikës italiane që mundohej ta gënjente me demagogji.
Që me kohë kishin filluar nga radhët e fshatarëve shqiptarë sulme spontane, të paorganizuara kundër forcave ushtarake të pushtuesve; fshatarësia ishte munduar gjer në palcë nga masat e terrorit që ushtronte komanda italiane, nga grabitjet e plaçkitjet, nga djegiet, burgosjet dhe torturate popullsisë së pafajshme. Parrullat e luftës për çlirimin e popujve të vegjël kolonialë, lajmet mbi pushtetin e ri sovjetik, mbi shpronësimin e çifligarëve, arritën deri në vendin tonë të largët dhe i dhanë perspektiva më të qarta veprimit të tyre. Nën presionin e këtyre masave, klasa udhëheqëse e vendit mori një qëndrim më të vendosur. Kongresi i Lushnjës u bë një grusht që i dha populli shqiptar gjithë intrigave dhe pazarllëqeve që bëheshin në KP mbi kurrizin e tij. Me një gjest të vendosur griseshin kështu më 20 janar 1920 aktet e turpshme, me të cilat anglezët, francezët dhe amerikanët donin ta copëtonin Shqipërinë dhe t’i falnin Italisë Vlorën me rrethet.
Në Beun të Smokthinës së Vlorës, në fund të majit 1920, bëhej mbledhje historike, ku vendosej akcioni i armatosur kundër italianëve në Vlorë. Masa popullore, fshatëria, ishte faktori që i jepte kësaj lufte gjithë energjinë e saj. Në udhëheqje qëndronin edhe disa elemente të borgjezisë, si Qazim Koculi e Qazim Kokoshi, që mundoheshin të fitonin simpatinë e fshatarëve, duke mbajtr qëndrim antiitalian. Por nota antifeudale e lëvizjes, doli e qartë në dënimet me vdekje që u vendosën këtu kundër bejlerëve të mëdhenj të Vlorës, që ishin lidhur kokë e këmbë me okupatorin. Me heroizëm të pashoq, brenda ditëve të para, fshatarët kryengritës pushtuan një varg pozitash me rëndësi si Gjormin, Drashovicën, Llogoranë, Tepelenën dhe rrethuan plotësisht Vlorën. Në ndihmë të tyre filluan të vinë vullnetarë dhe mjete nga gjithë krahinat e Shqipërisë. Me shembullin e shkëlqyer të heronjve si Selam Musai, Zigur Lelo etj. që ishin udhëheqësit e vërtetë popullorë, fshatarët kapërcyen të gjitha vështirësistë, e detyruan qeverinë e Tiranës të mos pranojë asnjë kompromis në dëm të pavarësisë dhe tërësisë së plotë të Atdheut.
Në luftën heroike kundër agresionit, fshatarësia shqiptare, populli shqiptar, gjetën një aleat besnik dhe të vendosur në proletariatin italian. I pajisur me solidaritet internacionalist proletariati italian u ngrit kundër luftës grabitqare në Shqipëri dhe me greva e luftime, në limanet kryesore të Italisë, në Trieste, Ankonë dhe Brindisi, me demonstrata në Romë edhe Milano, i dha një ndihmë efektive luftës së popullit shqiptar, duke e bërë të pamundur imbarkimin e forcave të reja ushtarake dhe dërgimin e tyre në Shqipëri. Lufta e vendosur e popullit shqiptar si dhe veprimi i këtij armiku të papritur prapa krahëve e detyroi qeverinë italiane të kërkojë një marrëveshje me qeverinë shqiptare, duke shpresuar se do të mund të arrinte një kompromis në fitim të saj. Në këtë kohë ministri i jashtëm i Italisë konte Sforca deklaronte: “Italia hidhërohet pa masë për prishjen e marëdhënieve miqësore me Shqipërinë. Ajo nuk ka qëllime imperialiste kundrejt Shipërisë (!), përkundrazi respekton plotësisht indipendencën dhe integritetin e saj: po kërkon nga Shqipëria vetëm që kjo t’i njohë interesat e veçanta që ka Italia në lidhje me pozitat strategjike të Shqipërisë dhe me koncesionet ekonomike dhe privilegjet tregtare me këtë vend”.
U desh ndërhyrja e vendosur e kryengritësve për ta detyruar qeverinë e Tiranës (QT) që të qëndrojë në kërkesën e zbrazjes së plotë dhe pa kondita të të gjithë territorit të atdheut. Më në fund, sulmet e furishme shqiptare të ditëve 20 – 22 korrik i hodhën në det divizionet italiane, i bënë të pavlefshme autoblindat, aeroplanët dhe anijet e luftës dhe e deyruan qeverinë italiane të pranojë më 3 gusht 1920 konditat shqiptare për zbrazjen e plotë dhe respektimin e lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Fitorja që korri fshatarësia jonë heroike në Vlorë pati konsekuenca me rëndësi për histornë tonë: ajo siguroi çlirimin, paprekshmërinë dhe bashkimin e atdheut tonë në një administratë qendrore, konditë e domosdoshme për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të vendit. Nuk qe e rastit që pas një muaji, më 21 shtator 1920, në KP në Paris FM u detyruan të heqin dorë zyrtarisht nga planet e tyre për copëtimin e Shqipërisë, duke njohur pavarësisnë dhe integritetin e saj. LV u dha atyre të kuptojnë se populli shqiptar s’ishte monedhë shkëmbimi; luftën nuk e fitonte ai që kishte më shumë armë, por ai që luftonte me vendosmëri për një çështje të drejtë.
Por LV ka dhe një meritë tjetër. Duke i hedhur në det italianët, populli shqiptar kontribuoi për të mbrojtur popujt ballkanikë nga agresioni. Tanimë ishte forcuar BS dhe lufta për çlirimin e popujve të Ballkanit nga agresioni fashist gjeti mbështetje dhe ndihmë.
Por qëndrimi i QT u dha mundësi italianëve ta shtrembërojnë marrëveshjen që në javët e para, duke zgjatur afatin e tërheqjes dhe duke mos zbrazur Sazanin, megjithëse ky ishte pjesë përbërëse e tokës shqiptare. Nga ana tjetër QT, duke patur frikë nga vrulli revolucionar i masave fshatare, dha urdhër që ushtria fshatare të shpërndahej, porsa u arrit marrëveshja me Italinë, që të mos mund të merrnin pjesë si forca të organizuara në ngjarjet e pastajme.
Aspiratat e thella të masave fshatare për tokë, për çlirim nga zgjedha e bejlerëve, për të gëzuar frutet e punës së vet, nuk u realizuan. Luftëtarët u shpërndanë. QT me në krye Ahmet Zogun e tradhëtuan këtë luftë heroike, u bënë vegla të fashizmit italian dhe më 7 prill 1939 i hapën dyert këtij armiku që populli ynë e pati dëbuar me turp dhe humbje të rëndë nga toka e tij. Atë që s’e bënë më 1920, fashistët italianë e bënë më 1939, por me kondita të tjera. Por lufta e lavdishme e Vlorës nuk kaloi më kot; ajo la gjurmë të thella në ndërgjegjen e popullit tonë; shembulli i saj frymëzonte fshatarët shqiptarë në kryengritjen e 1924 – ës; ajo rilindi më e shkëlqyer dhe më fortë në kondita të reja më të favorshme në Luftën Nacionalçlirimtare. LV bën pjesë në traditat më të mira patriotike të popullit tonë.
Interpretim i mendimit historik të A. Budës
Ky është materiali i plotë, që sipas shënimit në librin “Shkrime hisorike” të Profesor Budës, është botuar dhe në gazetën “Zëri i Popullit, 11 gusht 1951 me titullin “Lufta e Vlorës më 1920”. Studimi i këtij shkrimi na bën të shprehemi se artikulli është i nivelit akademik dhe autori ka zbuluar nëpërmjet shkakësisve të ndërlikuara të raporteve ndërmjet forcave që vepruan brenda vendit dhe në plan ndërkombëtar, këtë moment të rëndësishëm të historisë siç është LV, e cila përbën në vetvete një nga përpjekjet më madhore të popullit shqiptar për të siguruar lirinë, pavarësinë dhe tokën e vet. Kjo ngjarje historike është theksuar në mënyrë konkrete, për ta bërë sa më të lehtë abstragimin e për të qenë më të kuptueshme nga lexuesit dhe studiuesit e kohës. Edhe pse kanë kaluar 62 vjet nga botimi i shkrimit, jemi të mendimit se i reziston kohës dhe dallon që është shkrim i një historiani, por përmbajnë shqetësimin fisnik për njeriun dhe dashurinë për vendin. Artikullin e akademikut të rrallë e paraqitëm të plotë, pa i hequr dhe pa i shtuar një presje dhe në asnjë paragraf, as në krye, as në mbyllje nuk përmenden thëniet klishe “sipas orientimeve shkencore marksiste – leniniste, kujdesit atëror të partisë sonë dhe mësimeve dritëdhënëse të shokut Enver Hoxha…”. Janë disa të vërteta që të sjellin kënaqësi dhe krenari, sepse siç ka thënë poeti Kits: “ Bukuria është e vërteta, e vërteta është bukuria”. Mendojmë se i rriten vlerat shkrimit, pasi autori nuk hedh erëza apo parfume ideologjike në këtë artikull, ndryshe nga shumë studiues të asaj kohe që s’mund të shkruanin, të botonin apo të flisnin pa një çikë parti, Enver apo komitet qendror. Ky artikull është ndoshta ndër shkrimet më të hershme kushtuar LV nga studiuesit seriozë të pas Çlirimit (11. 08. 1951). Në tekst gjejmë dhe një këngë të shumë të njohur të njëzetës, që shënon një nga variantet e regjistruara të asaj njësie folklorike. LV u cilësua si një luftë që çudiste Evropën, se një popull i paarmatosur fillimisht a i armatosur keq, me mjete rrethanore apo siç e urdhëronte Atdheu “në mos keni armë, gjeni/ ia rrëmbeni atij qeni!” po luftonte me një nga fuqitë e kohës e po fitonte. Gazetat shkruanin për këto ngjarje të pabesueshme e banorët vendas, që ishin njëkohësisht dhe luftëtarë trima këndonin: “Evropa shkruajnë e thonë,/ Ç’ është kështu që dëgjojmë,/ Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqipëtarët po luftojnë,/ Me një mbret dyzet miljonë./ Po me se luftojnë vallë?/ Me sëpatë e me hanxharë,/ Dyfeqet lidhur me gjalmë,/ Fishekët në xhep i mbajnë.”
Duke u kthyer tek materiali jemi të mendimit se ai është paraqitur nëpërmjet metodës sintetike, ka karakter përgjithësues dhe mund të themi që mendimet e A. Budës janë si konkluzione për LV. Klasifikohet në artikujt me temë nga përpjekjet dhe lufta e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, sepse vetë LV qe një shembull konkret dhe i madh i tyre. Por, si duket, jo thjesht për hir të unitetit metodik, ai përdor edhe metodën analitike, ngaqë shikojmë të zbërthyer, të shkoqur me hollësi situatën e stuhishme të Vlorës së pushtuar në atë periudhë. Qysh në fjalinë e parë që cituam nga Profesori, fituam shtatë informacione të ndryshme, të ngjeshura dhe interesante, që plotësojnë njohuritë tona të përftuara nga studime të teksteve të tjerë historikë dhe kuptojmë që: 1 – me mbrëmjen e 4 qershorit mbaronte afati 24 orësh i ultimatumit të 3 qershorit, 2 – që ky ultimatum kërkonte lirimin e qytetit dhe të trevave të pushtuara nga trupat italiane, 3 – që ky ultimatum është nisur nga KMK, që është udhëheqja e LV (nga burime të tjera dimë që ultimatumin e ka hartuar Osman Haxhiu, kryetari dhe Halim Xhelo – sekretar i KMK dhe ia dorëzoi gjeneral Piaçentinit fshatari nga Mallkeqi i Vlorës Mehmet Selimi), 4 – që mëngjesin e 5 qershorit luftëtarët filluan luftën e armatosur, 5 – që pushkët e para iu drejtuan detit, andej nga vinte pushtuesi, i cili ishte dislokuar në bazën detare, 6- që kjo bazë detare ishte fortifikuar nga pushtuesit italianë 5 vjet më parë dhe 7 – që pushtimi i Vlorës nga trupat e armatosura ushtarake italiane është bërë 5 vjet më parë, krahasuar me vitin 1920, realisht qysh më dhjetor 1914.
Nga leximi i tekstit kemi arritur të shprehim dhe disa ide të thjeshta me gjithë vlerat e pashmangshme, përsëri autori nuk i është shmangur dot terminologjisë së kohës, ku dallohen bulëzat e nuancave ideologjike të asaj periudhe. Ndoshta s’kishte gjasa, ishte e pamundshme. Nderojmë kujtimin vigan të Selam Musait dhe Zigur Lelos që udhëhoqën trimërisht çetat e tyre në LV, por nuk ishin ata udhëheqësit e vërtetë, sepse ishte KMK në krye të LV. Në se Selami e Ziguri me shokë, me 4000 luftëtarë vullnetarë të tjerë ishin shpirti i LV, KMK “dymbëdhjetë komisionë” qe truri i Luftës, QT ishte në mbështetje të saj dhe bëri punë të madhe për ta ndihmuar, siguroi ndihmat nga krahinat e tjera të vendit, tregoi aftësi të admirueshme për kohën dhe rrethanat e atëhershme për zgjidhjen e çështjes diplomatikisht, ishte dhe logjistika e asaj epopeje. Përmendet në shkrim vlera e KL, por nuk përmendet fare roli i KMK, nuk ravijëzohet qartë pozicioni i QT dhe fitorja i dedikohet vetëm fshatarësisë, ndërkohë që përveç botimeve të mëvoshme apo informacioneve gojore nga njerëzit më moshatarë dhe ish – luftëtarë të Njëzetës, me të cilët kemi bërë biseda e intervista, qysh kur ata kanë qenë gjallë, thuhet që në luftë morën pjesë edhe nga qyteti. Në kohën e LV, më 1920 kryeministër ka qenë Sulejman Delvina (nga 30-01- 14. 11. 1920) dhe Eshref Frashëri do të zëvendësonte kryeministrin derisa ky të vinte në Shqipëri nga Parisi, ku ndodhej si anëtar i përfaqësisë që kolonia shqiptare e Turqisë e kishte dërguar për të ndjekur nga afër punimet e KP, dhe ministër i Punëve Botore. Ahmet Zogu ka qenë ministër i Punëve të Brendshme. Edhe kur QKL (QT) dha dorëheqjen më 14. 11. 1920, si pasojë e kontradiktave që lindën në gjirin e forcave politike shqiptare për zgjedhjet politike që duhej të zhvilloheshin në Shqipëri,kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme qe Iljaz Vrioni. Ahmet Zogu nuk ka qenë në asnjërin nga të dy kabinetet e Vrionit, as të Pandeli Evangjelit, as të Qazim Koculit, as të Hasan Prishtinës,, as në qeverinë teknike të Idhomene Kosturit, por në qeverinë e Xhafer Ypit ( nga 24. 12. 1921 – 02 . 12. 1922) qe prapë ministër i Punëve të Brendshme, derisa mori kryesimin e qeverisë së periudhës 02. 12. 1922 – 25. 02. 1924, por që dha dorëheqje pas një atentati që i bë më 23. 02. 1924.
Gjithashtu nuk mund të themi që S. Musai dhe Z. Lelo ishin udhëheqësit e vërtetë popullorë, sepse kishte dhe të tyjerë, nga që sipas historisë lokale dhe dokumentave te kohës ishin mbi 60 e ca fshatra pjesëmarrës që në Barçalla, pa folur për ndihmat e përforciomet e ardhura gjatë luftës. Pra, ata ishin ndër udhëheqësit më të dalluar dhe përkatësisht Selami komandant i çetës së Salarisë, Tepelenë dhe Ziguri komandant i çetës së Bashajt, Smokthinë, Vlorë, ndër trimat më të shquar popullorë në beteja, ku bënë dhe sakrificën më sublime, duke falur gjakun për liri, se dhanë jetën për Atdhe. “Burrat që bien për atdhe , janë të dashurit e perëndisë” – thoshte Ago Agaj. Sali Vranishtin kujtesa popullore e ka cilësuar “ Robin Hudi i Pavarësisë Konkrete, Selam Musain si legjenda e Luftës së Vlorës, Osmën Haxhiun si emblema e LV, shirtpastër e patriot deri në palcë, Halim Xhelon si Abdyl Frashërin e LV, Avdurrahman Çirakun, “fshatarin” që rrëzoi ballonin e Italisë, Topçiun e LV, si ujk i tërbuar, që tërboi Piaçentinin, Alem Mehmetin, nga më të pasurit e më i dukuri i parisë, si burrë me salltanete, Avdurrhaman Aga Shaskën, si njeriun e vetëm që s’gabohej kurrë, Murat Miftarin si kandar i llafit të pjekur, dy Qazimët zjarr, vrull dhe energji, e kështu me radhë e kishin nga një cilësim dallues deri tek Hamit Selmani si burrë fshati, që u bë burrë krahinë e më vonë u bë burrë kazaje dhe kohët e fundit u bë një nga gjytarët e fatit të Atdheut, si një nga 12 udhëheqësit e KMK. Drejtimi i përgjithshëm i LV bëhej nga patrioti Osman Haxhiu dhe KMK, prandaj Komiteti me Osman Haxhiun janë “emblema e asaj epopeje” dhe mendojmë se ata i kishin atributet e drejtimit të LV e për këtë koha e respekton kontributin e tyre kombëtar dhe historia nuk mund t’ua atrofizojë vlerat historike dhe mendimin e veprimin atdhetar të tyre.[1]
Disa nga mendimet e R. Zeqiraj për këtë ngjarje dhe interpretimi krahasimtar
Duke ndjekur kriterin kronologjik, nga arkivi i botimeve monografike përzgjodhëm një libër relativisht të vjetër me titull “Lufta e Vlorës” që ka siglën Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Seksioni për Përhapjen e Njohurive Tekniko – Shkencore, me 61 faqe, botuar në Tiranë, më 1960. Ky tekst gjendet në skedat e bibliotekës së IH, me këtë shifër” ALB. Z. 542. Në 61 faqe , autori, pasi bën një përshkrim të situatës, kujton se në tetor të 1912 – ës, plasi Lpb dhe ushtria turke u thye në pak ditë. Në këto kushte plaku vlonjat I. Qemali bën udhëtimin historik Stamboll – Bukuresht – Vjenë – Budapest – Durrës – Vlorë, ku bashkë me burrat e historisë e parësinë e kombit shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Autori tërheq vëmendjen për ministra qeverie që nuk i përshkonte ndjenja kombëtare, se mendonin për xhepin dhe kolltukun e jo për Shqipërinë, se mendja e tyre akoma nuk qe shkëputur nga Turqia dhe në esencë e quanin vehten nëpunës të Stambollit. Është një fakt, që, të paktën, na trazon vetëdijen, e ndoshta kërkon një vëmendje vlerësuese nga specialistët e kësaj periudhe, për t’u ruajtur rrumbullakosjet a suvatimet e veprimeve antishqiptare, nga patinimet e të metave, nga glorifikimet e rrezikshme historike, se kanë peshë specifike tjetër e tjetër gjurmë lënë në komunitet, krahasuar me glorifikimet e epikës historike. “Tetë muaj pas shpalljes së Pavarësisë nga KA të Londrës, shkruan autori – u njoh Shqipëria si mbretëri indipendente e neutrale nën mbrojtjen e 6 FM”[2]. Periudha 1912 – 1920 qe për Shqipërinë një kohë plot pësime e vuajtje të mëdha, se shovinistët serbë e malazezë ndërhynë në Veri, të nduknin toka shqiptare; se në Jug ndodhi tragjedia e pikëllueshme e ashtuquajtur “Autonomia e Vorio Epirit”, kurdisur në kuzhinën kutërbuese të Athinës. Në favor të fqinjëve çakej ishin intrigat e tradhëtia e disa krerëve feudalë, sidomos e Esat Toptanit, që dhe kësaj radhe nuk u kursye për t’u shërbyer të huajve, duke u bërë lëpirash për favore e ofiqe për vete, që i kushtuan shumë të shkretës shqipëri. Si duket, ndaj thotë populli: “O Balo, të hëngërt tënja,/ se e ke të keqen brenda…”. Esat Pasha (1863 – 1920), edhe pse është figurë enciklopedike, sepse arriti deri në shkallën e lartë të gjeneralit të ushtrisë perandorake osmane, njihet si “veprimtar politik, që punoi kundër interesave kombëtarë”[3]. Lufta imperialiste e 1914 – 1918, që njihet si LPB u përgatit nga shtetet imperialiste, me qëllim rindarjen e botës si pronë private të tyre si të mëdhenj, si më të fortët e dheut.
Nëntë vjet Shqipëria u bë vendi i luftës dhe i rrëmujës, duke pritur e përcjellë ushtritë turke, të të gjithë Ballkanit, nga dy, tri herë, të Austrisë, të Italisë, Francës, etj. Pasi paraqet gjendjen e rënduar në Vlorë, Tepelenë e Sarandë, autori tërheq vëmendjen se italianët nuk kishin ndërmend t’i zbraznin këto kranina, përkundrazi. Vlerëson pozitive kontaktet e KMK me KKL dhe paraqet ndjenjën kombëtare që vlonte në zemrat e vlonjatëve dhe të të gjithë patriotëve shqiptarë. “Vlora trime shqipëtare/ Jetën e saj ç’e do fare/ Ja do mbetesh Shqipëri,/ Ja do bëhesh gur e hi! Tekstualisht R. Zeqiraj më tej thotë: “Kryeministri Sulejman Delvina, fshehurazi nga Ahmet Zogu, merret vesh me përfaqësuesit e Vlorës në lidhje me përgatitjen e Luftës. Dhe kur lufta filloi, dëshmitarët tregojnë se Sulejman Delvina vihej në kontakt me krerëte luftës me anë njerëzish, që vinin për këtë qëllim në Tiranë”[4]. Logjika e sotme , bazuar në dokumenta, materiale historike, disa njësi folklorike e sidomos të thënat e pleqëve dëshmues të LV, s’e pranon që kryeministri Delvina të mos ketë ketë patur marrëdhënie të mira dhe bashkëveprim në ndihmë të LV. Ndoshta dritëhijet në shërbim të çështjes kombëtare me ministrin e tij të Punëve të Brendshme kërkojnë studim të thellë. Mendojmë se edhe mund të verifikohet me përgjegjësi shkencore, që duhet pranuar me rezerva, apo nuk duhet të pranohet fare kjo thënie. Mund të vlente për këtë çështje vështrimi në kontekst, se është më i arsyeshmi, që ravijëzon profilin konkret. Kemi shumë informata që Zogu, i cili rridhte nga një familje bajraktarësh, edhe pse 17 vjeçar, ka qenë pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, si përfaqësues i krahinës së Matit. Në ndihmë nga vjen FESH, ku trajtohen të gjitha figurat enciklopendike: “ Ahmet Zogu (Mbreti Zog i Parë, 1895 – 1961) “Pas shpalljes së pavarësisë u angazhua në lëvizjen kombëtare e politike të vendit, ku u dallua si politikan e ushtarak. Ishte ndër nismëtarët e thirrjes së Kongresit të Lushnjës, ku mori pjesë aktive dhe u zgjodh ministër i Brendshëm. Qe komandant i forcave shqiptare në luftën e Koplikut…”[5].
Gjykojmë se kaq na intereson të dimë për këtë figurë, që më vonë paraqitet komplekse. Po merremi me situata, dukuri, rrethana, personazhe (me vlera pozitive apo qëndrime negative qofshin) në funksion të LV dhe shtrirë në kohë deri më 3 shtator 1920, që është dita simbolike e triumfit shqiptar ndaj gjysmëçzmes kolonizatore. Dhe Zogu deri këtu evidenton vlera kombëtare. Nga libri më tej marrim informacionin se nga Kuvendi i Barçallasë “u dërguan delegatë në krahinat e tjera për ndihma. Në Berat, Korçë, Tiranë, Elbasan, Durrës e gjetkë të dërguar nga Barçallaja u pritën me krahë hapët. Në Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë e gjetkë u krijuan komisione të posaçme, që të kujteseshin për ndihmë vëllezërve shqiptarë të robërauar. Në Barçalla u bisedua çështja e organizimit të formacioneve luftëtare, çështja e armatosjes, si edhe u caktuan anëtarët e komitetit, që do të përgatitnin planin e kryengritjes, si dhe nga do të bëheshin, ku do të përqëndroheshin forcat dhe drejtimet që do të ndiqnin”. Sipas Zeqirajt në Barçalla u caktuan anëtarët e komitetit, që do të merreshin me punë organizative dhe administrative. Edhe Zeqiraj pohon se më 29 maj 1920, me gjithë atmosferën e terrorit fashist, me burgosjet dhe internimet që bënte komanda italiane, kudo në zonat e pushtuara ishin formuar çeta vullnetarësh. KMK ftoi vlonjatët, tepelenasit, kurveleshasit e mallakastriotët, që të inkuadruar në çetat e tyre e të armatosur të ndodheshin në malin e Beunit, nga ku do të merrnin zjarrin e furtunës për liri. Në zemër të Labërisë, bashkë me mijëra luftëtarë nga krahinat e pushtura, erdhën nga Vlora edhe autoritete publikë si Tol Arapi, Harilla Koleka dhe Dhimitër Konomi; në Beun erdhi dhe një çetë nga Himara. “Vallja dhe këngët kombëtare buçitnin nga të katër anët sikur do të shkonin në dasmë dhe jo në luftë” – lexojmë në tekst dhe e interpretojmë kështu këtë situatë: Banorët e këtyre krahinave, sikurse gjithë shqiptarët, rracë e munduar për pavarësi, e përvëluar për liri, me kraharorin mbushur me ndjenjat kombëtare skënderbejane, me idealet e Rilindjes Kombëtare, në plotësim të porosisë së shenjtë të Ismail Qemal Flamurit që s’u la pasuri, por një Atdhe amanet, ndiheshin të motivuar që po shkonin në luftë si në festë. Janë të regjistruara në kujtesën e banorëve të këtyre krahinave këngët e vallet që u hodhën në Beun. Po paraqesim një variant kënge, ardhur nga stafeta memoriale, sipas plakut Haki Ahmet Cani, nga Brati, babai i të cilit Ahmet Can Kamaj ka rrojtur 105 vjeç dhe ka qenë vetë në Beun: “Ç’është kështu që dëgjojmë,/ Vaj medet, o Vlora jonë,/ Italianët – ë zbarkojnë,/ Qaj medet, o Vlora jonë,/ Me pampor’ e me ballonë,/ Vaj medet, o Vlora jonë,/ Jo, mor jo, nuk e durojmë,/ Qaj medet, o Vlora jonë,/ Ngrihi shokë të lëfojmë,/ Vaj medet, o Vlora jonë!/ Vlorën tënë të çlirojmë,/ Qaj me det, o Vlora jonë!”. Ndiheshin të motivuar se u organizuan me një drejtim, se u bashkuan me një qëllim, sepse po u tregonin të mëdhenjve, të rëndëve e të fortëve të kontinentit që ky vend i vogël ka zot bijtë e tij, se kolonizatorët e huaj, ata që vijnë paftuar, si pushtues e kanë vendin jo në tokë, në dheun e të parëve, por në det me peshqit, ose mund të kërkojnë e të gjejnë vendin e tyre që u takon. Pse shprehemi kështu? Po çfarë rëndësie ka Beuni për LV? Ja cili qe vendimi më i rëndësishëm që u muar në Kuvendin e Beunit, i cili u mblodh në vendin e quajtur Rrapi i Gurrave e të cilin H. Xhelo e pagëzoi Rrapi i Burrave: Shpallja e luftës kundër pushtuesve italianë. Atje u hartua plani i luftës, goditjet që do t’i jepeshin pozitave italiane, iterenarin që do të ndiqnin, çetat, vendet nga do të sulmonin, lidhjet midis çetave, të cilat u ndanë, në funksion të planit të luftimit në katër pjesë. U përcaktuan çetat që do të sulmonin Kotën dhe u hartua plani luftarak i tyre; po kështu për drejtimet Drashovicë, Gjorm dhe Llogora. Në tekst jepet informacioni se Ultimatumi i 3 Qershorit, ku kërkohej largimi i trupave italiane nga Shqipëria, ishte shkruar në frëngjisht dhe iu dërgua S. Piaçentinit me anën e Mehmet Selimit nga Mallkeqi dhe Manxhar Selfo nga Shkoza. (Edhe nga që kemi dëshmi të tjera gojore e të shkruara, edhe fakti që thuhet se teksti ishte në frëngjisht, përforcojmë gjykimin se tekstin e ka shkruar Halim Xhelo me Ali Asllanin, duke ditur se nga KMK, që kishte autoritetin superior për LV, vetëm Halimi dinte frëngjisht dhe A. Asllani si kryetar i Katundarisë së Vlorës, po ashtu dinte frëngjisht). Pohohet se ultimatumi hidhte poshtë TFL, se shqiptarët po rrokin armët dhe kërkon nga Italia që sa më shpejt t’i dorëzojë QKT – s Vlorën, Tepelenën dhe Himarën. Në ultimatum thuhet se populli shqiptar “nuk mund të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Europës, e të ndahet si shpërblim në mes Italisë, Greqisë dhe Serbisë”. Ndër të tjera në ultimatum thuhen edhe këto fjalë: “Nuk jemi aq të marrë të mos kuptojmë që, nuk mundet një grusht shqiptarësh t’i shpallin luftë një fuqie të madhe si Italia, por fuqia italiane, sado e madhe që të jetë nuk mundet kurrë të ndalojë shqiptarët të vdesin për lirinë dhe nderin e atdheut të tyre”. Nëpërmjet tekstit autori kritikon KMK, sepse, sipas tij, ka qëndruar disa herë në bissht të situatës, po ashtu ai s’i shikon pozitive përpjekjet e QKT që bënte për zgjidhje diplomatike të çëshjes shqiptare. Ndoshta është ngërç vizionar i Zeqirajt, ku mund të ketë ndikim në psikën e tij edhe trajtimi i ngushtë kornizor, tendenca apo trysnia ideologjike e kohës kur ka jetuar dhe ka shkruar këtë tekst. Ka dhe disa pasaktësi të tjera minore, të cilat nuk ngrenë ndonjë peshë, sepse banorët e dinë historinë e tyre, këngët këndojnë bëmat e atyre që lanë gjak e gjurmë për Nder të Vatrës. Ne i vërejmë, ngaqë e njohim terrenin, ku u zhvillua LV, si dhe personazhet e historisë së saj, biles dhe emrat e kryetarëve të secilës çetë, se pikërisht tek disa nga emrat e komandantëve dhe tek disa prej çetave që ata drejtojnë, ngatërrohet autori, apo kur thotë në Vajzë të Tepelenës, ku në fakt Vajza është fshat i Vlorës dhe njihet si vendorigjina e Ali Asllanit, autorit të Himnit të Luftës së Vlorës. Ndërkohë, Zeqiraj, si të thuash, na paraqet edhe një statistikë numerike të forcave të pushtimit me komandantin e fuqive italiane Setimio Piaçentini, me shtabin prej 12 gjeneralësh, me dy divizione këmëbsorie: divizioni i 13 – të nën komandën e Gjeneralit Raimondo dhe divizioni i 36 – të nën komandën e gjeneralit Pulieze, me brigadat speciale, repartet e artilerisë, të intendencës, të xhenjos, forcat e karabinierisë, një skuadër aeroplanësh, një skuadër të flotës ushtarake, autoblindat, tanket, që ishin mjete të reja lufte, reparte të ushtrisë malore, bersalierët në Llogora, post- komandat në Babicë, Drashovicë, Mavrovë, Selenicë, Sevaster etj. Autori nuk harron të shkruajë se në Vlorë kundërvepronin kombëtarisht 1000 milicë, të rekrutuar nga bejlerët e Vlorës e Risilisë dhe të armatosur për t’u bërë vegla qorre të pushtuesit për interesat e vogla të çastit dhe të tarafit, por jo të të Shqipërisë. Urdhëri për sulm nga KMK u lëshua më 5 qershor 1920 dhe filloi zbatimi i planit luftarak mëe një shpejtësi, që askujt nuk i shkonte ndërmend. “Vijat telefonike, telegrafike e çdo mjet tjetër komunikacioni u prenë”. Ndoshta nga përvoja e luftërave të mëparshme, ndoshta se ushtarkët e shkolluar të KMK ua kishin thënë, apo nga oficerë të tjerë të Këshillit të Luftës ishin instruktuar, vullnetarët e dinin që pa ndërlidhje s’ka komandë e pa komandë s’ka drejtim e pa drejtim s’ka fitore. Në mesnatë, me të gdhirë të 6 qershorit kryengritja filloi në çdo kënd të viseve të pushtuara e kudo filluan luftime të ashpra. U rrethuan rojet e vogla të karabinierisë, që u dorëzuan dhe u çarmatosën. Kur nisi lufta, nuk kishin të gjithë vullnetarët pushkë; për çdo dy veta qe ndarë një armë e një sopatë; po të vritej njëri, pushkën e merrte tjetri. Rrufeshëm u goditën Kota, Mazhari, Gjormi, Matohasanaj, Tepelena, Gorishti, Dukati dhe Llogoraja. Përqëndrimi për Drashovicën bëri që kjo pikë strategjike për LV të binte në dorë të forcave vullnetare kombëtare pas dy orë luftimesh të përgjakshme. Vërejmë se na paraqitet një informacion të detajuar, kur thuhet se “Po atë natë, më 5 duke gëdhirë 6 qershor, dita e prëmte, vullnetarët u hodhnë mbi repartet e ushtrisë dhe të karabinierisë italiane e, pas përleshjesh të përgjakshme, çliruan Vajzën, Mavrovën, Dukatin, Mazharin, Matohasanaj e postkomanda të tjera armike.”[6]. U shquan në ato përleshje Selam Musaj, Dule Dalani, Zigur Lelo, major Ismail Haki Kuçi, Ymer Radhima e të tjerë. Sulmet e para dhanë fitoret e para dhe fitoret e para patën rëndësi se forcuan besimin e trupave kombëtare në forcat e tyre, si dhe siguruan shumë armatim e municion, për të cilat kishin shumë nevojë. Në panoramën e paraqitur në libër jepen luftimet shumë të ashpra për çlirimin e Kotës, Gjormit, Llogorasë e Tepelenës. Sulmi për ët marrë Kotën, filloi në mes të natës, duke u gdhirë 6 qershor 1920. Kota qe fortesë e ngritur në pozitë sunduese strategjike, e pajisur me armë moderne e sipas të dhënave zyrtare ishte furnizuar me ushqime për 6 muaj e lëndë lufte për kundërshtim për 4 muaj. Në Kotë, nën komandën e gjeneralit Enriko Goti, italianët kishin një regjiment këmbësorie, bateri malore me topa, mitraloza të rëndë, llogore e fortifikata, automjete, municione, ushqime e pajisje të tjera me bollëk, kurse në qendrat e ushrtisë: kuota 115 dhe kuota 124 të rrethuara me gardhe të dendura prej telash me gjemba. Këtë situatë e pasqyroi aty për aty dhe kënga e çastit: “ Obobo se ç’qënka Kota/ Bytym mitroloz’ e topa!”. Çetat vullnetare që morën pjesë në luftimet për çlirimin e Kotyës ishin nën komandën e Ahmet lepenicës dhe, që mëparë qe hartuar plani i pozicioneve të çetave dhe i goditjeve që do t’i bëheshin forcave italiane. Kështu përshembull, ndërsa çeta e Progonatit do të sulmonte nga poshtë, çeta e Salarisë nga ana e sipërme e kështu me radhë. Ndër çetat, që morën pjesë në sulmin mbi Kotë qenë çeta e Salarisë, Smokthinës, Koculit,Vajzës, Gorishtit, Gusmarit, Ploçës, Shkozës, Mesaplikut, Mavrovës, Velçës, Kaninës dhe qytetarë të Vlorës të shpërndarë nëpër këto çeta Ajo që tërheq më shumë vërejtjen është se këta luftëtarë ishin të veshur keq e të armatosur dobët. Kush kishte 6 fishekë quhej i armatosur mirë. Arsenali i tyre luftarak qe i varfër, shumë i varfër. Përbëhej nga pak pushkë të shkurtëra italiane, disa mauzerë, ca çifte gjuetie e mjete të tjera të përdorimit të përditshëm në hapësirat ku jetonin banorët, si sopata, thika e hanxharë. Arsenali i tyre atdhetar qe i pasur, shumë i pasur. Ashtu si rrufeja kur bie e nuk vë re as lis e as shkëmb, ashtu edhe shqipet e Arbërisë e të Kurveleshit vërviten në flakën e zjarrit të paprerë të topit e të mitrolozit. Luftëtarët kalonin telat me gjemba, pasi hidhnin mbi to gunat e tyre, që u bënë edhe këto armë sulmi për kryengritësit, pjesë e dukshme e arsenalit luftarako – atdhetar të shqiptarëve në luftë. Çështja e shkuljes së pushtuesit, e komandës së tyre nga kuotat 115 dhe 124 qe shumë e vështirë, se atakishin topate mitralozat, që goditnin papushim pozicinete kryengritësve e s’i linin të afroheshin. Pa marrë parasysh rrezikun, nën breshërinë e gjyleve, të topave dhe të plumbave, çeta e Smokthinës e luftëtarë të tjerë sulmuan nga ana e poshtme, kaluan llogore, gardhe etë prirë nga trimi i paepur Zigur Lelo, i afroheshin pozicioneve të mitralozëve dhe topave, duke u kacafytur me armiqtë. Por, ndërsa Zigur Lelua, duke kryesuar çetat vullnetare, kishte hyrë thellë në vijat kundërshtare dhe u vra nga plumbat e armikut. Edhe pas humbjes së komandantit të tyre vullnetarët vazhduan sulmin e u rrokën fyt për fyt me mitralierët italainë. Qerim Dervishi, i kudhësiot, shkuli mitralozin italian dhe ia dha shokut të tij Hodo Halilit, pasi vetë nuk dinte ta përdorte. U vranë shumë ushtarë dhe oficerë italianë, midis të cilëve edhe gjeneral Enriko Goti, u zunë 600 robër, disa dhjetra oficerë me grada të ndryshme si dhe koloneli Kavallo. U zunë shumë municione e pushkë, për të cilat kishin kaq shumë nevojë luftëtarët, si topa, mitraloza, mushka etj., si dhe kuota 115 u muar. Vullnetarët me armët e plaçkën e luftës u nisën për në Drashovicë ku u vendos qendra e kryengritjes. Robërit e luftës u çuan në Vajzë, ku u ngrit kampi i robërve të luftës. Atë natë që u sulmua Kota, njëkohësisht çetat e Bolenës, Tragjasit dhe Gjormit, sipas planit të kryengritjes, hartuar më parë nga KMK, sulmuan fuqitë italiane në Gjorm. As gardhet me tela me gjemba, as llogoret, fortesat dhe as armët e shumëllojta të armikut nuk mundën të ndalin vrulline sulmit të luftëtarëve. Vullnetarët hynë thellë në pozicionet e armiku, vranë shumë ushtarë e oficerë italainë dhe pas luftimesh të përgjakshme, që vazhduan deri në mëngjes, i gjunjëzuan forcat armike, duke detyruar ushatrët që kishin mbetur së bashku me komandantin e tyre kapitenin Bergamaski, të dorëzohen. Në kohënkur u bë sulmi mbi Drashovicë, Kotë e Gjorm, filloi sulmi dhe sipër në Llogora. Ajo pikë strategjike kishte llogore fortesa të ndërtuara që gjatë LPB dhe reparte bersalierësh alpinë të pajisur me të gjitha llojet armatimeve. Luftëtarë e çetave të Tërbaçit, Radhimës, Lepenicës etj. nuk mbetën prapa shokëve në trimëri, se treguan heroizmatë rralla në këtë luftë të pabarabartë e u futën në thellësi të radhëve të armikut. Shembullin e Sheme Jazo Lepenicës, që u hidhej në fyt si ujk i tërbuar italianëve pushtues, e ndoqën dhe luftëtarët e tjerë. Tre ditë e tri netë zgjati lufta për Llogoranë, e ashpër, e vështirë nga mungesa e sheshpamjes dhe sheshqitjes. Ra në dorë të shqiptarëve dhe Llogoraja, se ata italianë që kishin mbetur u dorëzuan, por për Llogoranë ra trimi Sheme Lepenica. Qendra më e fortë në viset e pushtuara nga ushtria italaine pas Vlorës qe Tepelena me kështjellën e Ali Pashës dhe në pozitë të rëndësishme strategjike. Pesë ditë luftime të ashpra zhvilluan çetat e fshatrave të Tepelenës dhe të disa fshatrave të Kurveleshit, të cilëve u erdhën në ndihmë çeta të fshatrave të tjerë dhe një top i zënë në Kotë, që u vendosur në Bënçë, prej nga bëri batërdi mbi pozicionet armike dhe mbi kështjellë. Topi i Bënçës qe vendimtar për të bërë të mundur të shkuleshin italainët nga kështjella. Më 10 qershor komandanti i fuqive italaine, major Kalçini, me një turmë ushtarësh dhe oficerësh, mundohen të tërhiqen e nisen për në Vlorë. Në Memaliaj bëjnë një përpjekje të dëshpëruar, por detyrimisht Kalçini me ushtarët e telikosur dhe 6 oficerë u dorëzohet vullnetarëve. Komanda italiane i dërgon garnizonit të Tepelenës si përforcim dy batalione bersalierësh, por nuk arritën dot në destinacin, se luftëtarët e çetave po i dilnin zot çdo pëllëmbë toke shqiptare të pushtuar. Duke lënë shumë të vrarë, italianët u kthyen pas me bishtin në shalë. Dy topat që u zunë në Kotë u vendosën në malin e Shashicës dhe që këtej luftëtarët dëmtuan një vapor italian. Po ndizej qafa e Babicës dhe Kanina: “ Ç’i ktheve gjoksin dovletit,/ Si zogjtë në tramundanë./ Breshkë, o bretëkock’ e frëngut,/ S’këndon dot në vend të thatë,/ Se këtu këndon birbili,/ Që namin e ka të lartë!’ – këndonte dhe luftonte Nase Beni me shokërinë në zjarr e tym të luftës. Rezultatet e pesë ditëve të para të luftës qenë të shkëlqyeshme! Pesë sulme: Kotë, Drashovicë, Llogora, Tepelenë, Gjorm! Pesë fitore të shkëlqyeshme, që siguruan përmbysjen e plotë të qëllimeve të armikut. Pjesa e parë e planit të luftës, hartuar nga KMK u realizua: u arrit prerja e lidhjeve në mes të garnizoneev, komandat italiane u çorientuan krejt e nuk dinin seç’ndodhte rreth tyre. Komanda qendrore e Vlorës nuk dinte gjë për fatin e garnizoneve italiane Grupe – grupe ushtarësh të rraskapitur ngrinin flamurin e bardhë, të demoralizuar, të demotivuar. Pati prej tyre që qenë gati të bashkëpunojnë me kryengritësit. Kështu përshembull marshalli italian Giovani Valenzio kishte lajmëruar vullnetarët që në vend të caktuar t’u zinin pritë dhe t’u ndalnin rrugën makinave. Vullnetarët u vendosën në vendin e caktuar, ndalën autokolonën armike dhe u bënë zotër të municioneve me të cilat qenë ngarkuar makinat. Ndjenjat kombëtare që shfaqnin luftëtarët do të tërhiqnin vëmendjen e FM, të cilat do të ndihmonin QKT, që, në mënyrë diplomatike të zbrazej Vlorae të bashkohej kështu e gjithë Shqipëria. Ndërkohë lufta për Kaninën dhe Vlorën merr përmasa të tilla, sikur të gjithë luftëtarët që bien për atdhe, të gjithë trimat që luftojnë trimërisht për Vlorë e Shqipëri, ngrihen madhërishëm në krahët e legjendës. Luftëtarët e rënë në fushën e nderit janë të paharruar në kujtesën shpirtërore të popullit. Ja tre këngë për tre trima, Selam Musain, Dule Dalanindhe Xhafer Meten: 1) “Pëllúa, Selam, pëllúa!/ Mbeti shala në katúa./ Hajmedet që s’le një djalë,/ Ja Magripnë, ja Tajarë”. Magripi dhe Tajari ishin dy djem të Selam Musait, që kishin vdekur njeri 10 e tjetri 16 vjeç. Kënga e dytë: “Dule Dalani u vra,/ Kush vete gjer në spitalë?/ Dulja me Selam Musan./ Mem Sherifi një trim djalë,/ Zuri një ulli të çarë,/ Luftonte me të dy anë,/ Merrte hakë për Selamë. 3) Do këndoj në këngë trimi,/ Xhafer leshëra bërshimi,/ U fole djeme ku jini,/ Ua bëre djeme me dorë,/ Bëni yxhym për në Vlorë,/ Përmbi tela të kaptojmë,/ Dekjen të mos e mendojmë/ Shqipërinë ta çlirojmë”. Leshëra bërshimi ka kuptimin flokë të ibërshimtë, pra me flokë të zez’, të butë e të ndritshëm[7] E qëndisur me ibërshim. I ndritshëm si ibërshim. Që është Ja si paraqitej situata e të dy palëve në prag të ngjarjeve të Kaninës dhe Vlorës: Forcat armike: Komanda italiane në Vlorë e ndjen rrezikun e madh që i kërcënohet. Gjeneral Piaçentini shpall gjendjen e luftës. Filluan arrestimet në masë. Hambarët e anijeve italiane u kthyen në burgje. Të rinjtë patriotë theren me thika me arditët italianë. Karabinierët torturojnë fëmijë, gra, digjenshtëpitë, plaçkiten dyqanet e patriotëve, çnderohen gratë. Më se 1400 qytetarë dhe njerëz të dëgjuar e me influencë internohen në kampin e përqëndrimit në ishullin e shkretë të Sazanit, ku vuajnë e torturohen…Piaçentini kërkon forca të reja nga Nitti dhe hartonplane për shfarosjen e krahinave dhe thyerjen e kryengritjes. Repartet ushtarake të Sarandës e të Gjirokastrës u përqëndruan në Vlorë Artileria u vendos në kodrat e qytetit dhe së bashku me bateritë e flotës filluan të qëllojnë fsahtrat e çliruar duke shkatërruar çdo gjë e duke vrarë banoprë të pa armatosur. Ushtarët punonin ditë e natë për të ndërtuar llogore. Patrulla të armatosura, njëra pas tjetrës venin e vinin nëpër Vlorë, nëpër rrugët e boshatisura e dyqanet e mbyllura, duke mbjellë panik, duke bërë terr . komanda e mbrojtjes së Vlorës i jepet gjeneralit Pulieze, komandantit të divizionit të 36 –të. Vlora u rrethua me llogore të mëdha e të thella, me tre palë gardhe me tela me gjëmba, me mburesa të forta e shumë topa e mitralozë. Repartet e ushtrisë u vendosën në vende të fshehura e të përshtatshme, si në ullishtet mbi spital. Artileria, autoblindat e tanket ndodheshinë gjendje gatishmërie. Projektorët e vaporëve ishin tërë natën në veprim, e bënin natën ditë, kontrollonin situatën dhe vendin përreth Vlorës e kishin si në pëllëmbë të dorës. Forcat tona: Trupat kombëtare të organizuara me çeta vullnetare shtërnguan rrethimin e Kaninës dhe Vlorës dhe në situatë gatishmërie kishin zënë këto pozicione: Çetat e Rrëzës iu afruan kalasë së Kaninës; të Smokthinës do t’i binin brigjeve të të Qishbardhës; Kudhësi do të merrte drejtimin e urës së Vjetër. Çetat e Kurveleshit dhe të Tepelenës, për t’i dalë zot Babicës dhe rrethinave u ndanë në tre grupime: Selam Musai me 57 tepelenas mënjanë, Rakip Duka me çetëne Gusmarit, Lekdushit dhe disa progonatas mënjanë dhe Riza Runa me çetëne Nivicë – Rexhinit, Libohovës e Nepravishtës në një anë tjetër. 17 vërmikas u ndanë më tresh, që të shërbenin edhe si kallauzë, se e njohnin vendin mirë. Çeta e Mallakastrës së Sipërme (Mallakastra e e Egër) do të zbriste nga Risilia, çeta e Mavrovës nga qafa e Fierit, e Mallakastrës së Poshtme (Mallakastra e Butë) do të vinte nga Narta. Sektori i Babicës, ku ishin dislokuar çetat e Lopsit dhe të Salarisë, llogaritej dhe klasifikohej si sektori më me rëndësi. Të tjera çeta qëndronin rezervë përreth Vlorës dhe Kaninës, të tjera qëndronin në Drashovicë e gjetkë, të gatshme të bënin ndërrimin me çetat që ishin në front, ose në rast nevoje t’u vinin në ndihmë. KMK i zotëronte tre armët e forta të drejtimit të një lufte të drejtë: aftësinë profesionale ushtarake, prudencën me arësye të shëndoshë, dhe atdhetaria e diskutuar, për deri sa i dolën në ballë luftës, ku edhe rreziku ishte i marrë në sy. Përsëri më 9 qershor i dërgon ultimatum Piaçentinit, paragrafë të së cilit do t’i paraqesim në vijim, sipas dokumenteve të kohës që ruhen në Arkivin e Shtetit. Ata sulmuan, tanët nga mbrojtja u hodhën në kundërsulm. Sulme, mbrojtje, kundërsulme lokale, derisa KMK lëshoi urdhërin e sulmit mbi Vlorë e Kaninë më 11 qershor dhe, në zbatim të përpiktë të tij e me disiplinë të rreptë, në mes të natës, duke gdhirë 12 qershori filloi sulmi. Shpërtheu shpirti luftarak i atdhetarëve, sa dukej sikur 4 mijë vetë luftonin sa për 40 milionë. Nga qafa e Vlorës sulmojnë çetat e Smokthinës, Gorishtit, Kudhësit etj.; nga lagjet e Topalltisë çetat e fshatrave të Vlorës; nga kodrat e Babicës Lopsi, Salaria etj., mbi Kaninë u hodhën çetat e Rrëzës, Tërbaçit, Dukatit, Bolenës, Kallaratit etj. Lufta ndizet, zjarri i të dy palëve kryqëzohet, gjëmimi i topave të detit dhe të tokës të tmerronte. Karabinierët hiden mbi popullsinë e pafajshme e të pambrojtur: mbi pleq, fëmijë, gra, të verbër, sakatë, i rrahin, i çojnë ën Skelë dhe që andejmi në Sazan. Nga dritat e projektorëve, që viheshin në funksion për të krijuar nëpërmjet ndriçimit të fuqishëm perde verbimi, dhe gjyleve që pëlcisnin, luftëtarët nuk shikonin dot njëri – tjetrin dhe binin barkas. Lufta filloi te hapsana dhe brenda 30 minutave u përhap gjithandej si vullkan. Tërbimin e forcave të egra të pushtimit me plaçkitje shtëpish e dyqanesh, me masakra masive, me fëmijë të gjakosur e të mbyllur në spitale, me gra që çnderohen e me llahtari që s’mund të tregohen, e frenoi dhe e theu zjarri i luftës së trupave kombëtare shqiptare, ata bij nënash të vendit të shqipeveqë luftonin në tokë të tyre, për tokën e tyre, që bënin luftë të drejtëe nuk sulmonin të tjerët në kufijtë e tyre. Shqiptarët ishin me të drejtë të diellit, me të drejtë të zotit. Luftëtarët u afroheshin pozicioneve armike duke mbajtur në dorë gjethe ullinjsh që të mos diktoheshin: kapërcenin gardhe me tela me gjemba, duke vënë përmbi gjethe edhe gunat e kështu hynë thellë në vijat e armikut të egërsuar, që, nga kryet e ullishtes me mitralozët që villnin zjarr barbar digjnin e rrëzoni pa shpirt çdo njeri që guxonte e futej në ullishte. Selam Musai, kryetarët e tjerë të çetave e luftëtarë e tyre që, duke zbritur drejt Vlorës, po rriteshin si ortek lirie, treguan akte të larta trimërie dhe heroizmi, të cilat i kanë përshkruar të gjitha botimet e derisotme të teksteve të historisë që nga ato të arsimit 9 vjeçar, të shkollave të mesme, të nivelit universitar, edhe botimet e nivelit akademik. Ka patur shumë raste që luftëtarët janë mbërthyer fyt për fyt me oficerët dhe ushtarët italianë, u kanë marrë nga dora pushkën, kanë mbërthyer prej fyti mitralierët, duke u marrë mitralozët. E shkruan historia atë që këndon kënga: “Ç’e zure topin nga grika, / Lule more Selam lule”! Me logjikën e besimeve popullore, sipas të thënave, Zigur Lelua, që njihej si njeri i kënduar, me emër dhe influencë, kur paska parë shpatullën e mishit në dritë të diellit, u është drejtuar shokërisë së luftës në mënyrë profetike:“Kotën do ta marrim, unë do të vritem, Vlorën do ta fitojmë”! Pa u marrë me kronologjinë e mëtejshme të përshkrimit të ngjarjeve, se motivi i luftës e refreni i këngës ishte: “Breshkamani në det”!, po ndalim pak tek rifillimi i veprimeve ushtarake, sulmi i 22 korrikut. Çetat, sipas planit nga KMK, do të godisnin Vlorës nga 7 drejtime: kështu nga Dukati e Tragjasi do të drejtohej për në Kaninë e prej këtej në qytet; Rrëza, Qishbardha, Shullëri nga udha e vjetër; Kudhësi nga Qafa e Koçiut; Mavrova e Tepelena nga Risilia; Kurveleshi, Lepenica dhe xhandarmëria e Korçës nga Llakatundi përmbi qafë të Fierit; Mallakastra dhe Përmeti nga Narta. Të gjitha çetat ishin gati: çeta e Vranishtit, e Velçës, e Gjormit, e Smokthinës, e Gorishtit etj., të vendosur nëpër vendet e caktuara, në pritje të shënjëspër sulmin e madh e vdekjeprurës për pushtuesin mizor. Kishin ardhuredhe gratë vlonjate që të kujdeseshin për ushqimet për luftërarët e frontit, për të plagosurit, për të vrarët. Edhe për këtë sulm të madh shumë u nisën me shkopinj, sopata, hanxharë, kosore, thika a biçeqe. Nëpërmjet kësaj kënge, shkëputur nga teksti i R. Zeqirajt, jepet pamja e palëve ndërluftuese: “Andej bomba e ballon – ë,/ Mitroloz’ edhe vaporrë;/ Këtej një Flamur valon – ë,/ Udhëton – ë për në Vlorë./ Andej dinamit e topa,/ Njëmij’ gjyle në një orë,/ Këtej palla copa – copa/ Dhe një kobure në dorë./ Ai rreth e rrotull hekur/ Ha e pi e vish e ngjish,/ Ky dhe kur ë’ për të dekur/ E fshin gjakun me këmishë”. Më 22 korrik në orën 10 të natës filloi sulmi. Trimëria e vetëmohimi luftëtarëve s’ka të treguar. Çeta e Smokthinës e luftëtarë të tjerë zbritën me shpejtësi të madhe nga brinjat e Mesovunit e si dragoj u hodhën mbi armiqtë, duke i shkulur nga llogoret e fortifikata dhe duke zënë me dorë mitralozat.të gjitha çetat u hodhën në sulm si rrufeja. I papërmbajtshëm qe sulmi i çetave të Dukatit, të Tërbaçit, Tragjasit, Radhimës etj., që u futën thellë në vijat e armikut e shpesh herë u përleshën me armiqtë fyt për fyt. Lufta vinte duke u ashpërsuar. U muar qafa e Koçiut e pritat e para. Vullnetarët i afroheshin shtëpive të para të qytetit. Para këtij sulmi të furishëm arditët, bersalierët, karabinierët e repartet e tjera italiane ishin të detyruar që të tërhiqeshin. Pozicionet armike një nga një po binin në duart e vullnetarëve. Ushtarakët armiq të tmerruar strukeshin në qytet. Ndaj të gëdhirë pjesa më e madhe e pozicioneve armike qe në duart e luftëtarëve, pjesa tjetër ishin të rrethuar. Disa çeta si ajo e gjormit, Gusmarit, Bolenës etj., kishin hyrë në qytet. Safilloi dita, bateritë e 10 luftanijeve, që qenë në liman, hapën zjarr dhe hodhën gjyle të panumërta. Aeroplanat u ngritën dhe filluan bombardimet e mitralimet. Vendosmëria e luftëtarëveqe e papërkulur. Megjithëse u vunë në veprim gjithë llojet e armëve, vullnetarët jo vetëm, që mbajtën pozicionet e pushtuara, por me luftë morën dhe pozicione të tjera. Lufta vazhdoi deri më drekë. U vranë 500 ushtarë dhe oficerë italianë. 183 luftëtarë dhanë jetën për liri”[8]
Ngjarjet e mëtejshme nuk kanë ndonjë gjë të veçantë në përshkrim. Paraqitet solidariteti i popullit italian ndaj luftës çlirimtare të popullit shqiptar, qëndrimi i drejtë dhe goditja e ashpër nga deputetët e majtë në parlamentin italian për politikën imperialiste të qeverisë së Romës në Shqipëri, refuzimi i ushtarëve italianë për t’u nisur kundër Shqipërisë, rifillimi i bisedimeve, protokolli i Tiranës etj. Protokolin e Tiranës e quan një fitore të shkëlqyer. Zeqiraj shkruan më tej se edhe organet e shtypit italian si “Il Tempo”, “La tribuna”, “ Il Corriere d’Italia”, “Il Popolo Romano” etj. qenë të detyruara të aprovonin paktin e Tiranës dhe të heqin dorë nga pretendimet mbi Vlorën. Vetë Konti Sforca pohon para Dhomës së Deputetëve se marrëveshja Titoni – Venizelos kishte vdekur. Shumë bukur, madhështore e me detaje paraqitet atmosfera festive e 3 shtatorit 1920, se ishte dita e shpëtimit nga zgjedha e huaj dhe hyrja e luftëtarëve në Vlorë: “Qyteti u zbukurua shumë, rruga e madhe e tregut u stolis nga të dy anët me shtylla të dafinta. Në mes, ku shtrihej sheshi e kryqëzohen udhët, ngrihen dy harqe të bashkuar me rripa kuq e zi dhe sipër harqeve flamuj kombëtar. Në mes të harqeev u ngrenë dy qoshke për muzikat, për bandën “Vatra” e për bandën e Elbasanit, si dhe një për oratorët. Në krye të rrugës qe ngritur një shtyllë përkujtimore, e veshur me rripa kuq e zi për nder të dëshmorëve ët luftës. Gjithë populli i madh e i vogël qenë ngritur herët e nëpër rrugë prisnin orën e caktuar për të patur në mes të tyre fuqitë kombëtare. Në orën 9 me flamurin kombëtar në krye dhe me bandën “Vatra” nisen jashtë qytetit për në qafën e Koçiut, ku do të prisnin ardhjen e çetave kombëtare. Nuk kalon shumë dhe dallohet flamuri i fuqive kombëtare e populli me një rroftë të thellë, bën të ushtijnë gjithë bregoret. Përpara qe kalorësia, më pas flamuri kombëtar në krye të anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjes që qenë mbi kuaj. Pastaj vinte kaloria e kryetarëve të çetave e pas tyre 4000 burra t’ armatosur me armë të armikut, të rrëmbyera në Kotë, Gjormë, Tepelenë, Llogora, Drashovicë e gjetkë. Banda e Elbasanit po vinte në krye të fuqive kombëtare, me marshet kombëtare që drithëronte zëmrat e të pranishmëve. Populli e fuqitë kombëtare hynë në qytet. Sheshi u mbush. Në vendin e pregatitur zunë vend anëtarët e KMK. Ministri Spiro Koleka në emër të qeverisë përshëndeti luftëtarët dhe popullin e Vlorës. Një ndër oratorët, që mori fjalën, ndër të tjera tha: “Por mund të them të vërtetënqë luftën më të madhe e bëri fukaraja me gjak dhe me atë çikë madhë të tij. Nuk u kursye por me dëshirë e derdhi gjakun për të mirën dheshpëtimin e atdheut” dhe më poshtë “ Parësia mos mejtonen të kenë si skllav popullin e t’i rrëmbejnë padrejtësisht atij të varfëritsa që të mbushin xhepin e vet. Të huajt deri më sot janë interesuar që midis shqiptarëve të bëjnë vegël propagande musliman, të krishterë, ortodoksë e katolikë, pra të sjellin përçarje”. Pas ceremonisë të gjithë, duke kënduar këngë kombëtare e duke brohoritur, u shpërndanë. Në mes të tregut filloi valljadhe kënga. Në mbrëmje një turmë e madhe populli, me bandën e shoqërisë “Vatra” në krye, iu drejtuashtyllës së dëshmorëve, përpara së cilës nën tingujt funebre tëmuzikës të gjithë u përlotën. Për tri ditë me radhë populli kremtoi festën e madhe. Muzika e Elbasanit për çdo darkëçante udhëte qytetit e kudo dëgjoheshin këngë kombëtare, të kënduara nga turma e popullit, që shetisteme qirinj të ndezur në duar”[9]. Kjo paraqitje e 3 shtatorit të parë të lirë për Vlorën shqiptare është dhënë me ngjyrat e ndezura të shpirtit atdhetar dhe mendojmë se autori i shkrimit, (të cilin nuk e njohim dhe as e kemi dëgjuar ë parë) ndoshta edhe mund të ketë qenë pjesëmarrës në këtë festë, sepse leximi i tekstit na le të nënkuptojmë se R. Zeqiraj shkruan sikur të ishte dëshmitar okular në festën e çlirimit të Vlorës. Më tej ka imtësira të tilla që vullnetarëve ju bënë ndere, dreka, darka, premtime, përkudesje e, kur u shpërndanë për në vendet e tyre u dhanë nga një qylaf të bardhë e një shami me rrush, duke i lavdëruar se pushka e bëri të vetën e duke u thënë se tani e tutje puna mbetej në dorë të atyre që ishin njerëzit e penës. Në vijim jep një pasazh të grindjes së Qazim Kokoshit e Osman Haxhiut për vendit e prefektit e kështu me radhë, por, tema bosht nuk është drejtëz, as gjysmëdrejës, por segment dhe segmentet e saj kaq na lejojnë. Në libër është dhe kjo këngë: “Bejlerët nga Risilia/ Thonë rroftë Italia/ Të na rrijë dhe ca kohë/ Se na ha oris fëmia./ Kaninjot jazëk u qoftë/ Mahmut efendiu ç’thotë?/ Me bujqit po bën davà”/ Populli të drejtë s’kà!/ Për ne Italia rroftë,/ Me makarona na mbà!” Autori në fund analizon shkaqet e fitores dhe rëndësinë historike të LV. Sipas tij, për fitoren historike të arritur në LV ka luajtur një rol të rëndësishëm Revolucioni Madh Socialist i Tetorit? Shtrojmë pyetjen. Po qëndrimi i presidenti të SHBA pse nuk përmendet? U. Uillsoni më janar 1918 shpalli 14 pikat e tij, të cilat, përveç të tjerave, denoncuan edhe TFL të v. 1915. Amerika na bëhet faktor ndërkombëtar kyç e pozitiv për çështjen shqiptare. Ndikimi i politikës në shkencën e historisë ka qenë i dukshëm e ndikues në shkrimin bardhë e zi të historisë, kur s’i interesonte udhëheqjes. Po ky qëndrim bardhë e zi vihet re edhe sot. Pse të mos përmendet Lenini për denoncimin e TFL? Ndërkohë që studiuesi L.Hasanaj ka mendimin se Shqipëria mbijeton për shkak të vektorëve sulmues nga të katër anët e Shqipërisë, për shkak të konflikteve që kanë me njëra – tjetrën palët ndërluftuese lakmues për këtë llomkë gjeostrategjike, për një hise Shqipëri, sadoqë… dhe rezultantja, vektori kryesor është mbijetesa. Ky “ ligj” – shprehet ai, – ka shekuj që vepron në Shqipëri dhe ky vend do të mbijetojë. Shqipëria nuk hpërbëhet, por do kohë të bëhet. Janë vektorët e jashtëm që e mbajnë këtë Status Quo. Ata kanë interesat e tyre
Variante të tjera folklorike për këngët e gjetura në librin e Zeqirajt
Një varianti tjetër i tekstit që na sjell R. Zeqiraj me librin e tij e gjetëm në Brataj përsëri tek bartësi Haki Ahmet Kamaj, 87 vjeç moshatar, që krijimin e xha Matos, na e sjell siç ai e mban mend, siçia ka treguar i ati dhe që vetë xha Hakiu e ka kënduar kur ishte i ri. Po e japim variantin, duke respektuar parimin fonetik: “Nuk e bëjmë kabull nà/ Të jemi për nën – ë botë,/ Nuk e bëjmë si atà,/ Agallarët – ë me kokë/ Shitën vatan’ edhe gra/ Të ndierit në Evropë./ S’ini ju, po jemi nà/ Dërc, u qoft’, o kaninjotë!/ Seç u ngre Beu e tha: “Për ne Italia rroftë,/ Me makarona na mba/ Si nevej dhe risiljotë./ Thërret zonja: “o agà/ Ç’i bë’ pul’ e detit zoqtë…”. (Beu në këngë nënkupton Eqerem bej Vlorën). Kjo është një këngë e krijuar dhe kënduar nga krijuesi popullor dhe luftëtari i Njëzetës Mato Hasani, dhe shquhet për notat realiste e për ndjenjat e krenarisë së shqiptarit. Urrejtja ndaj shërbëtorëve vendas, që kishin barkun plotë e shpirtin bosh, kur u bënë urë për të huajin, se s’kishin palcë kombëtare në karakter, bëhet vetëtimë kur ngjyhet në ironinë therëse të dufit të banorëve të këtyre anëve. Kënga thekson dy grupime njerëzore që kanë dallime thelbësore, që veçohen nga kontraste të forta: ne, të idealit kombëtar, pra patriotët, dhe ata, të interesave personale, pseudopatriotët tradhëtarët. Këtë tekst, me këtë variant na e konfirmojnë, ndër të tjerë, edhe Llambro Hysi nga Kallarati i krahinës së Kurveleshit, me arsim të lartë, 65 vjeç, edhe Hiqmet Gjondeda nga Tërbaçi i krahinës së Mesaplikut, me arsim të lartë, 72 vjeç. Këtë këngë edhe ne e mbajmë mend, se qysh kur isha i vogël, e këndonin më të mëdhejtë: herë kokë më kokë në një brinjë a gërxh ku ndodheshin, herë këmbëkryq në odat e shtruara të miqve pasdarkeve e herë në valle te sheshi i Fshatit, nga ku ata më dukeshin se dinin shumë gjëra të mënçura, që s’do t’i mësoja kurrë e më ngjanin lisa të gjatë e të përcëlluar.
Xha Hakiu i Bratit mban mend dhe një këngë që i ka treguar i ati, të cilën e paskej ngritur dhe kënduar Nase Beni nga Vunoi, i njohur nga historia si trim, i njohur nga folklori si krijues edhe këngëtar, me të cilin mateshin biblilat e Këndrevicës dhe Çikës. Na duket sikur është ditar në vargje i luftës për Kotën: “ Nata e pesë qershorit/ Allaturka, ora tre,/ Ndizet gjaku’ arbërorit,/ Ndizet e bëhet rrufe./ Zigur Lelua na thotë:/ “Djema, hidhuni mbi ta!? O burra, brenda në Kotë,/ Ta dinë kush jemi nà,/ Ta marrë vesh një botë, që s’para bëjmë shaka/ Çave para si flamur,/ Kapedan, more Zigur!”. Dhe një këngë tjetër për Kotën dhe Zigurin na tregon plaku: “Ranë komitat në Kotë,/ Komita në Kotë ra./ U vra Ziguri në portë,/ Zigur Lelua ç’u vra,/ Rrufe djemt’ e cmokthinjotë/ se ç’u bëtë lakëra ”. Dhe një tjetër për Selam Musain, i cili zuri një top nga gryka: “Nuk harrohet Kota urrë, / Kur mbi tela shkonim ne,/ Edhe kur Selam Musai/ Shkrepte natën si rrufe,/ O Selam, zemër me çika,/ E zure topin nga gryka”. Është në tekst edhe një këngë e bolenasve të kurvelshit që përkuijtojën trimat vullnetarë, që dhanë jetën në luftën për Kotën, e cila nuk ka ndryshime nga një variant i ligjëruar nga Ruzhdi Bajrami, i cili nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga kënga e përvajshme, regjistruar ndër plakat e Bolenës: “Qaj Bolen’ e vure vajnë,/ Për ca trima që t’u vranë…”. Këngës që shënon në librin e tij R. Zeqiraj i kemi gjetur autorësinë. Ai është Ali Asllani, me poezinë e këngëzuar “Kush mban armë të ergjënda”[10]; është ai Asllan Aliu, siç e quan vjershëtori popullor Lefter Çipa, të cilin shoqëria “Përlindja Kombëtare” e kishte ngarkuar me hartimin e programit, kurse KMK, si “Kryetar të Katundarisë së Vlorës”(20.12. 1918 – 5. 11. 1920), që në kuptimin e sotëm do të thotë kryetar i Bashkisë së Vlorës. Poezia e tij e famshme “Vlora – Vlora” fitoi popullaritet dhe u bë himn e kushtrim në luftën për dëbimin e okupatorit dhe për këto kontribute u izolua prej pushtuesve në ishullin e Sazanit. Një variant tjetër të saj e gjejmë edhe tek një botim i nivelit akademik, siç është Epika Historike, vëll. 3: “Tregon veterani ynë,/ Si u bë lufta në Vlorë,/ Kjo lufta me Italinë/ Me shtetin dyzet milionë./ Andej forca mbretërore,/ Andej kollonat në vijë,/ Këtej gurra popullore,/ Këtej një sa për njëmijë./ Andej armë dhe maqina, / Andej topat më të rëndë,/ Këtej spata dhe martina,/ Këtej burra e gra më këmbë./ Andej tela dhe llogore,/ Andej prozhektor’ për dritë,/ Këtej trimat dor’ për dore,/ Këtej sulmojnë pa frikë./ Andej art e oficera,/ Andej kurth e poshtërsira,/ Këtej gunat përmbi tela,/ Këtej zemërat e dlira;/ Andej ndryth padrejtësia,/ Andej ndryth vdekja mizore,/ Këtej atdhedashuria,/ Këtej vrulli për fitore./ Andej mbrohej borgjezia,/ Andej jeta e brengosur,/ Këtej sulej vegjëlia,/ Këtej guxim i pasosur./ Andej britma ‘mamam mia,/ Andej frika e shpagimit,/ Këtej buzëqesh liria,/ Këtej gëzim i çlirimit”[11]. Është e regjistruar në Vranisht -Vlorë, më 1986 nga mbledhësi dhe studiuesi i folklorit Bardhosh Gaçe. Është e vetmja këngë me gjatësi 32 vargje, ndryshe nga këngë te tjera që vijnë nga “Njëzeta” që pothuaj kanë një gjatësi vargu standart, zakonisht me 10 – 12 vargje. Kjo poezi poullore nga ndërtimi i saj artistik është me origjinë librore, por bën jetë në popull, këndohet dhe nga grupi lab i Vranishtit në raste grumbullimesh festive përkujtimore etj. Kujtesa vetiake kë këë kënëg e shënon qysh në vitet 1975, më tej në vitet 1980, kur shkonim në Vranisht nderoheshin me ceremoni festive përvetorët e LV. Kuptohet që është këngë e re dhe gjykojmë se tekstin e saj e ka bërë Maman Saliu, ardhur nga Tirana në Vranisht qysh në v. 1966. Xha Mamani ishte i biri i heroit të Luftës së Vlorës Sali Muratit, që populli për trimëritë e treguara e kishte pagëzuar Kapedan Sali Vranishti. Ndoshta tregimet e të atit, ndoshta të bashkëluftëtarëve të tij, kanë lënë gjurmë tek i biri, Maman Saliu që krijoi këtë këngë, e cila duket që është e re por jo nga ato të porositurat. Ajo bën jetë folkorike vetëm në komunitetin vranishnjot dhe në hapësira të kufizuara deri në Bolenë, Tërbaç e Kallarat. Edhe këtu kemi një përqasje strukture me këngën e xha Matos së Bratit “Nuk e bëjëm kabull nà”, kemi dy palë, dy blloqe, dy kampe. Te Mato Hasani kemi dy blloqe, dy palë, dy fronte, dy kampe brenda komunitetit, në planin e brendshëm, që përfshihet edhe në hartën etnografike të Shqipërisë: “ne dhe ata”, ne të idealit kombëtar, të interesave të mëdha, që e mbrojtën këtë tokë edhe me gjakun e tyre, dhe ata, bejlerët e interesave të vogla, që u shitën vetë e shitën vendin tek të huajit. Te kënga e Maman Saliut kemi po ashtu dy blloqe, dy kampe, dy palë, dy fronte: “ këtej dhe andej”, veçse shtrihen edhe në rrafshin e jashtëm, me dy raporte: patriotët luftëtarë këtej dhe andej pushtuesit italianë. Këngës së popullit, që di kë ka hero, kë ka cub, nuk ke çfarë t’i thuash. Një studiues në Vlorë na tha se kënga e xha Matos vjen si similituda naimjane “Kur dëgjon zëthin e s’ëmës…” ose “O malet e Shqipërisë…”. Është Naimi e të tjerë poetë që kanë pirë ujë të kulluar në gurrën popullore, që janë bërë aq të mirë artistikisht. Është Ali Asllani, bir i këtij populli, që mëson nga urtësia e shpirti artistik i popullit, ushqehet me këngët e tij dhe bëhet poet, luftëtar e këngëtor për të. Parë si raport i përgjithshëm të faktit historik të LV me trajtimin folkorik te kënga që morën në shqyrtim: “Andej forca mbretërore,/ Këtej një sa për njëmijë” vërejmë mobilizim forcash për mbrojtjen e troveje amtare – nga historia dhe mobilizim folklorik për ta përjetësuar ngjarjen – nga kënga. Na tërheq vëmendjen përdorimi i vargjeve klishe, mbartur nga këngët historike të periudhave të mëparshme. Na kujtohet një këngë e vjetër, e dëgjuar në Dukat: “Turqit topa dhe trompeta/ Rugjina gur’ e shigjeta”. Ndoshta këtu është burimi nga mund të heqim paralelet në ndërtimin e këngës në fjalë, shprehur në një trajtë tjetër: “Andej topa, mitraloza,/ këtej burra, gra në këmbë!”
Shqipëria në rrjedhat e historisë dhe Lufta e Vlorës nga Muin Çami
Nëqoftëse themi që LV e kanë bërë Osmën Haxhiu me trimat shqiptarë, sepse ajo qe një luftë e mirëorganizuar dhe mirëdrejuar nga KKM me kryetar Osman Haxhiun, nëqoftëse themi që LV e kanë kënduar ata bilbila gjithë me Mato Hasanin në ballë të valles së suferinës, mendojmë se nuk mund të diskutohet që LV e kanë shkruar autoritetet e historiografisë shqiptare me Muin Çamin (1923 – ) në krye të tyre. Na duken si sinonime të njëri- tjetrit M. Çami dhe LV dhe me të drejtë historiani 90 vjeçar, studiuesi i LV, quhet ndyshe Profesori i Njëzetës. E ka kapur “prej brirësh” qysh në krye të herës këtë temë dhe e ka trajtuar në formë shteruese. I ka bërë një plugim të thellë kësaj ngjarjeje dhe jo vetëm një herë e u mbyll çështja, por si ai bujku i mirë që e lëron dhe mbjell tokën e bukës çdo vit, edhe historiani i njohur i kthehet e i rikthehet kësaj teme, si për herë të parë, por gjithmonë e më afër plotësimit. Ç’përfaqëson LV e zhvilluar 93 vjet më parë? Pse u detyruan shqiptarët të ngrinin armët kundër pushtuesve italianënë Vlorë? Si u bë e mundur fitorja e forcave vullnetare shqiptare përballë njësive të një ushtrie të rregullt, si ajo e Italisë? Në tërheqjen e forcave italiane nga pozita e rëndësishme gjeostrategjike e Vlorës ndikuan vetëm fitoret ushtarake apo dhe faktorë politikë? Cilët qenë këta faktorë? Me fitoren e v. 1920 u mënjanua një copëtim i ri i trojeve shqiptare. Si u arrit kjo mrekulli dhe për çfarë dëshmon LV? Cili është mendimi i historiografisë shqipare dhe asaj të huaj për këto probleme madhore të historisë së re të vendit tonë?
Përgjigjet sqaruese për këto pyetje dhe të tjera si këto, i kemi gjetur në librat studimet e prof. M. Çamit, historian me përvojë në fushën e vet. Autori nuk na bën thjesht historinë e zhvillimit të VL, por analizon në mënyrë kritike ato momente të Luftës Çlirimtare të 1920 – ës, që na japin mundësinë të përcaktojmë faktorët që shpunë në fitoren e sa. Studimet e tij kanë qenë për ne një piketë kryesore historike, ku u mbështetëm për ta parë këtë luftë epope nga optika e raportit histori – folklor në shumë këndvështrime. Ai trajton gjendjen politike dhe ushtarake në prag të Luftës, fitoret ushtarake, rëndësinë e tyre, ndikimin e forcave revolucionare italiane dhe faktorët e fitores. Sipas tij, në LV, si mishërim praktik i KKL, rolin vendimtar e luajti faktori i brendshëm kombëtar në rifitimin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së integritetit të tij territorial. Ky popull, me fitoren e LV, shpëtoi vendin nga një fund tepër tragjik, nga copëtimi i tretë i trojeve shqiptare, përpara të cilit ndodhej. Duhet të kujtojmë, thekson autori, se këto fitore që u mbështetën edhe nga Qeveria e dalë nga KKL, u arritën në një kohë kur gjykimi i komunitetit ndërkombëtar për aftësitë shtetformuese të popullit tonë ishte tepër negativ. Edhe ne jemi të këtij mendimi, aq më tepër kur argumenton edhe 4 faktorët e fitores. Kjo luftë e filluar nga popullsia e krahinës së pushtuar për të mbrojtur atdheun, kur vullneti politik i popullit shqiptar nuk e pranonte pushtimin dhe përsëriste me shkrim atë që një mijë herë kishte thënë me gojë, nuk e justifikonte Xhiolitin të tregonte gatishmërinë për të hequr dorë nga mandati dhe t’i nihte Shqipërisë pavarësinë e plotë, porse nuk ishte për heqjen dorë nga sovraniteti mbi Vlorën. “Vlora është një pikë strategjike që po pushtohet nga një fuqi jo mike e Italisë, mund të bëhet një rrezik i madh për vendin tonë. Shqipëria në gjendjen që është sot, – pohonte kryeministri italian – ndodhet në pamundësi të mbrojë Vlorën nga çfarëdo fuqi që ka disa pak forca detare. Shqipëria nuk ka as edhe një anije, as edhe një barkë, nuk ka mundësi të mbrojë pra pavarësinë e qytetit dhe të portit; pranda ne sot nuk kemi si ta lemë Vlorën pa pasur sigurinë që ajo nuk pushtohet nga ndonjë fuqi tjetër, e cila e shfrytëzon në dëmin tonë…Ne duke pushtuar Vlorën, garantojmë Shqipërinë nga një pushtim i përhershëm i Vlorës nga ndonjë fuqi tjetër”[12]. Kjo deklaratë, sipas gjykimit tonë, është fasada e “ofertës”, sepse dhe formalizmi i ka ca limite, nga që s’ka logjikë të pranojë pajtimin e respektimit të pavarësisë kombëtare me shkeljen e sovranitetit apo me dhunimin e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. KMK, i përbërë kryesisht nga paria e qytetit dhe e krahinës, me mjaft ndikim në qytetarët dhe fshatarët e krahinës së Vlorës (përfshi zonat e pushtuara), nuk pranoi pazare në kurriz të Atdheut, nuk mund të tregohej bujar me shenjtërinë e dheut të të parëve, nuk mund të lejonte të ndukej në dritë të diellit trupi i Mëmës Shqipëri dhe, për këtë kuvendim e gjykim kombëtar, fatmirësisht rezonoi me QT. Refuzimi kategorik i palës shqiptare i kërkesë së misionarit të Romës K. Aliotti, për të mos kundërshtuar praninë italiane në Vlorë, që ata të kishin një BUD në gjirin e Vlorës (në Pashaliman), që Italia të ruante dy pozita strategjike, njërën në Karaburun dhe tjetrën në Zvërnec[13], çoi në zgjatjen e bisedimeve për gati një muaj rresht, si dhe në zëvendësimin e misionarit Alioti me një person tjetër me gradë diplomatike më të lartë siç qe Gaetano Manzoni. Duke i shqyrtuar me syrin kritik situatat dhe rrethanat kontekstuale që çuan në fitoren e LV mund të themi se ato ishin një shumatore e elementëve të karakterit ushtarak, pra të armëve të luftërarëve shqiptarë me faktorë të tjerë politikë dhe diplomatikë. Për këtë përfundim na vjen në ndihmë klasifimimi që u bën prof. Çami katër faktorëve që, sipas tij, çuan në fitoren
*ALBERT HABAZAJ
Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
[1] BUDA, Aleks: Shkrime historike, vëll.4: Tiranë, Toena, 2000, f. 58 – 62
[2] ZEQIRAJ, R.: Lufta e Vlorës, Bot. i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, Seksioni për Përhapjen e Njohurive Tekniko – Shkencore, Tiranë, 1960, f. 5
[3] FESH, 3, vep. e cit., f. 2728
[4] ZEQIRAJ, Z.: Lufta e Vlorës, vep. e cit., f. 21
[5] FESH, 3, vep. e cit., f. 2995
[6] ZEQIRAJ, Z.: Lufta e Vlorës, vep. e cit., f. 28
[7] FJALOR i Gjuhës së Sotme Shqipe, bot i ASH, IGJL, Tiranë, 1980, f.707
[8] po aty; f. 47 – 48
[9] po aty; f. 53
[10] ASLLANI, Ali; Poezi të zgjedhura, Tiranë, Naim Frashëri, 1996, f. 29 – 32
[11] Epika Historike; vëll. 3: bot. i ASHRPSSH, IKP, Tiranë, 1990 [1989], f. 468 – 469
[12] SHTYPI Italian: Il popolo d’Italia, Corriere d’Italia, Avanti: 29. 06. 1920
[13] PASTORELLI, P. L’Albania nella politica estera italiana 1914 – 1920, Napoli, ed. Jovene, 1970, f. 378 – 379