Nga ILLO FOTO/Astoria- New York/
Shkencëtar i fushave eksperimentale, drejtues dhe organizator i suksesshëm i prodhimit të gjerë, analist i arritjeve shkencore, pedagog, prognozist i prodhimit dhe perspektivës së shkencës bujqësore – mjedisore. I tillë ishte Profesor Mentor Përmeti, i cili ndërroi jetë në Nju Jork, më 6 mars 2015. Aktiv dhe korrekt, në të tëra detyrat që iu ngarkuan në jetën profesionale dhe shoqërore, akademik Përmeti mbetet shembull për të gjithë brezat e fermerëve, specialistëve dhe shkencëtarëve të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, sot e në të ardhmen.
Gjatë luftës për çlirim, ai u aktivizua me armë në dorë kundër pushtuesit dhe, fill pas lufte, iu përkushtua arsimimit, duke u diplomuar agronom i lartë në Bullgari. Në punë e sipër, u vetëspecializua në disa degë të shkencës bujqësore, të drejtimit dhe të prodhimit të gjerë. Ia kushtoi jetën zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit.
Në Shqipëri funksionuan 18 institute kërkimore – shkencore, me personelin e nevojshëm dhe me bazën e duhur laboratorike – teknike. Në të gjitha rrethet funksionuan teknikume të arsimit të mesëm profesional, ku përgatitej i gjithë kontigjenti i mjeshtrave të prodhimit, për bujqësi, blegtori, mekanikë bujqësore, frutikulturë, peshkim e pylltari. Në tërë këtë proces të gjerë transformues, ka gjurmë të pashlyera dora e akademik Përmetit me kolegët e tij të punës dhe idealit. Ai shquhej për pasion, inteligjencë, erudicion të rrallë dhe, mbi të gjitha, për modesti e punë me ekipe të mëdha, me detyra gjithpërfshirëse.
I konsideronte shokë dhe të barabartë vartësit, por kur ata e tepronin në rrugën e vesit, tregohej i pamëshirshëm me gabimet, që vinin nga dembelizmi, egoizmi, hipokrizia dhe përvetësimi i punës së tjetrit. Nuk kam takuar një specialist, mjeshtër prodhimi, shkencëtar apo punëtor, që të ankohet për Mentorin, për arrogancë, fodullëk ose të dënimit pa të drejtë. Ai e peshonte punën dhe djersën e vartësve, me kandar floriri. Ishte shpirt demokrati, i pavarur. Respektonte me fanatizëm ligjet e shtetit dhe rregullat komunitare, duke u bërë avokat i denjë për njerëzit që dikush u mohonte të drejtat, i merrte nëpër këmbë ose i dënonte padrejtësisht.
Kishte besim tek shteti i fortë dhe i reformuar rrënjësisht. Kush ka pasur rast të bisedojë me Mentor Përmetin, për tema të mëdha apo edhe të dorës së dytë, ka vënë re se ai e ilustronte bisedën me shembuj të ngjashëm nga historia, gjeografia, luftërat, letërsia, arti, shkencat ekzakte, ato humanitare, me ngjarje nga kuvendet dhe logu i burrave, nga folklori, politika botërore, etj. Unë jam në moshë të shtyrë dhe një të dytë nuk kam hasur dhe as kam dëgjuar nga të tjerë, se në Shqipëri gjendet një burrë i këtij niveli të shpenguar në çdo lloj bisede, me burra, gra, të rinj dhe fëmijë të çdo niveli kulture, edukate dhe moshe. Kam pasur fatin ta njoh Mentor Përmetin dhe ndjehem i plotësuar, që jam student dhe nxënës i përjetshëm i tij.
Shteti komunist shqiptar, më saktë drejtuesit kryesorë të tij, ia njihnin meritat dhe zotësinë intelektuale, akademikut të madh, por nuk donin që ai të vlerësohej me të tërë bagazhin intelektual dhe kryesisht donin të errësohej figura e tij njerëzore. E krijuan shkakun për ta dënuar. Disa studentë dhe tre pedagogë, i vendosën fletërrufe. Nga kjo e emëruan kryespecialist në fermën e Lushnjës. Pozicioni i punës ishte i tillë, që nuk mund të përballohej nga një specialist, që ishte ndarë nga praktika e prodhimit të gjerë. Ferma ishte nga më të mëdhatë në Evropë. Menaxhonte 14 mijë ha tokë, ose 14 ferma të nivelit mesatar. Përveç prodhimit bujqësor, ferma kishte detyrë parësore të furnizimit të Tiranës me prodhime blegtore e perime, artikuj, që lidheshin me furnizimin ditor të popullatës, që mund të bëheshin shkak diskreditimi të politikës së partisë në pushtet.
Në Lushnjë u miqësua shumë me njerëzit dhe u bë më lushnjar se vendasit. Unë, si specialist, kisha më shumë nevojë për ndihmën e kryespecialistit, prandaj i ndenja shumë afër. U miqësuam me një besim të ndërsjellë të pazakontë. Jeta vërtetoi se dhe ai kishte nevojë për punën time si kryezooteknik. E justifikuam me punë e besnikëri miqësinë që lindi në ato kohë të trazuara. Këtë miqësi tonën, pa interes material, e ndau vetëm data e kobshme e vdekjes së Mentorit.
Vitin e dytë pas ardhjes së Mentorit në fermë dhe në vijim, prodhimi bujqësor, blegtoral, perimor, vreshti, investimet, patën një rritje të pa parë. Të njëjtin përmirësim patën dhe treguesit financiarë. U ulën të tëra kostot e prodhimit. Bilanci vjetor rezultoi me fitim, mbi planifikimin. Ky bum ekonomiko- financiar, nuk ishte spontan dhe as i veçuar. Në tërë vitet që pasuan, deri në ndryshimin e sistemeve, ferma e Lushnjës ishte një ekonomi e madhe prodhimi, ku zbatoheshin tërë rekomandimet shkencore të kohës. Toka, bimët dhe kafshët zhvilloheshin me një harmoni të pandërprerë, që garantonin rritje prodhimi progresivisht. Shkenca e kryeagronom Mentorit, ishte bërë metodë e përditshmërisë së punëve në terren. Jo vetëm kaq. Shkenca e Mentorit, kishte dhënë atë që pritej, në gjithë ekonomitë bujqësore të Shqipërisë. Farat e zgjedhura dhe të prodhuara në vend, bënë revolucionin e plotë të prodhimit, në drithëra, pambuk, luledielli, fasule e foragjere.
Mentori u transferua në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës dhe me vonë në Tiranë, në Komitetin e Shkencës.
Kur do ikja në Amerikë, u takova me Mentorin, më 15 qershor 1995. Ndenjëm 4 orë, në një lokal afër Librit Universitar. Ishte shpallur akademik dhe punonte ne Akademinë e Shkencave. Ishte shumë i mërzitur, nga fakti se specialistët po largoheshin nga vendi, por më vonë, u detyrua të largohej dhe ai vetë. Brengosej me disa zhvillime te Qeverisë Demokratike, që krijoi konfuzion të paparë, në investimet bujqësore, në pronën, në ndarjen e tokës së fermave për frymë, si dhe në zhvillimin spontan e shumë konfuz të bujqësisë kapitaliste. E takova edhe në Amerikë, në shtëpinë e vajzës së tij, Mira, e cila i shërbeu me devocion të lartë, për mëse një dekadë, që ai ndenji i mbërthyer në karrocën e invalidit.
Kur e takova në Amerikë, me kujtoi jetën në fermën, që ne i dhamë gjithçka kishim nga vetja. “Kemi bërë punë të mëdha në Lushnjë. Kur i kujtoj, me lehtësohen plagët e sëmundjes”, u tha atyre që ishin në atë bisedë. Ishte shumë i brengosur, që të gjitha qeveritë e tranzicionit, gjetën mënyrën, për t’iu shmangur përgjegjësive, lidhur me shkatërrimin e rrjetit inxhinierik të kullim- ujitjes. “Si ka mundësi, thoshte me zë të lartë, që për dy dekada, nuk rregulluan gjë nga katastrofa që krijuan me ndërgjegje të plotë. Me sa duket këta lloj qeveritarësh, nuk kanë ndërtuar asgjë vetë, në jetën e tyre. T’i shmangesh kësaj përgjegjësie, është tradhti”, shprehej ai.
Në jehonë të shqetësimeve të Profesorit dhe të gjithë opinionit të shëndoshë shoqëror, shkrova librin problemor “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion”, ku, veç të tjerave, kam nënvizuar mësimet e mëdha të Profesor Mentorit.
Bujqësia e sotme shqiptare, është shumë larg porosive dhe mësimeve të akademik Mentor Përmetit. Fusha më e rëndësishme e vendit kërcënohet nga përmbytjet dhe thatësia. Aktualisht më shumë se 200 mijë ha tokë kanë 25 vjet që nuk janë në qarkullim ekonomik. Recetat për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë, na i ka lënë të gatshme Mentor Përmeti. Heshtja e organeve shtetërore ndaj tokave të pashfrytëzuara është e pafalshme.
I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Profesor Mentorit, që e deshi me tërë fuqinë e shpirtit! Siç thotë populli ynë: “Iu bëftë varri dritë”!
NDAHET NGA JETA NE NEW YORK AKADEMIK MENTOR PËRMETI
Sherbimet funerale do te kryehen te Dielen me 8 Mars, nga ora 11-14.00 ne Shtepine Mortore qe ndodhet ne adresen:
Morton Funeral Home
663 Grandview
Ridgewood , NY 11 385.
Sipas amanetit të tij, trupi i Prof. Mentor Përmetit, do të prehet në Shqipëri.
Në datën 5 Mars 2015, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 94 vjeçare, Profesor Mentor Përmeti, ish antar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, drejtues i lartë në disa institucione të sistemit të bujqësisë.
Mentor Përmeti, lindi në Tiranë, më 20 dhjetor 1920. Ka mbaruar Gjimnazin e Tiranës, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Sofjes, Bullgari në degën e Agronomisë. Fillimisht ka punuar si seleksioner për bimët foragjere dhe më vonë ka punuar me seleksionimin e bimës së grurit. Në vitin 1991, në strukturën e mbjelljeve të grurit, kultivarët e krijuar nga prof. Përmeti, zinin gati 60 për qind të sipërfaqes së mbjelljeve në shkallë vëndi.
Profesor Mentor Përmeti, e nisi punën si bashkëpuntor shkencor në Stacionin e Kërkimeve Bujqësore, Laprakë në vitin 1951. Punoi në Ministrinë e Bujqësisë, deri edhe me detyrën e zëvëndësministrit . Në fundvitet ’50, drejtoi disa vite Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë, më vonë kreu detyrën e rektorit dhe pedagogut në ish Institutin e Lartë Shtetror të Bujësisë (sot Universiteti Bujqësor). Ka punuar disa vite në Ndërmarjen Bujqësore të Sukthit, në NB ”29 Nëntori ‘’ në Lushnjë. Nga viti 1978 deri në vitin 1981, punon për të dytën herë si drejtor i IKB Lushnjë. Më vonë punoi në Komitetin e Shkencës dhe Teknikës, në Institutin e Kërkimeve Biologjike, në Akademinë e Shkencave, etj. Kudo ku ka punuar, është dalluar për përkushtim, për njohuri të thella shkencore e praktike, i papërtuar dhe krijues, duke udhëhequr me shëmbullin personal. Kurdoherë ka qënë novator, dhe i papajtueshëm me mendimet konservatore.Të gjithë ata që kanë punuar me prof. Mentor Përmetin, ruajnë kujtimet më të mira për të si drejtues, si koleg dhe shok e mik besnik.
Profesor Mentor Përmeti, ishte ndër tre ‘’Kandidatët e Shkencave të Bujqësisë”, të parë në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu ka qënë kryeredaktori i parë i ‘’Buletinit të Shkencave Bujqësore’’, me fillesë vitin 1962. Është bashkëautor në ‘’Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (Akademia e Shkencave, 1985). Në fushën e botimeve, është nga të parët për numrin e tyre, autor i mbi 40 tituj librash, broshurash, tekste mësimore, pa llogaritur artikujt shkencorë e problemorë në shtypin e kohës. Ka hartuar me dhjetra kumtesa e referate, të mbajtura brenda e jashtë vëndit. Duhet theksuar se ai ka drejtuar me kompetencë Konferencën Kombëtare të Shkencave të Bujqësisë në vitin 1975 dhe ka punuar për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botimi i vitit 2007. Ka udhhequr me dhjetra studentë në mbrojtje diplomash si dhe shumë specialitë të instutucioneve shkencore apo të prodhimit, për marjen e titujve shkencorë.
Profesor Mentor Përmeti, ka qënë antar i Akademisë së Shkencave, ishte ndër tre specialistët më të përgatitur e me meritokraci, krahas, profesorëve, Hysen Laçej e Teki Tartari. Ai ka dhënë ndihmesë e ka bashkpunuar edhe me Akademinë e Shkencave të Kosovës, dhe Akademitë e tjera në trevat shqiptare. shqiptar.
Kudo në Atdheun tonë gjen gjurëm të punës së tij shkencore, siç i gjen ato në çdo ferëm dhe në arsimin bujqësor shqiptar. Trashigimia e tij arsimore – shkencore do të mbetet në themel të zhvillimit të ardhshëm bujqësor- mjedisor të vëndit e rajonit.
Për punë të mirë, është dekoruar disa herë me medalje e Urdhra Pune si dhe me Urdhërin ‘’Mjeshtër i Madh’’ si dhe ‘’Qytetar Nderi i Përmetit’’.
Vitet e fundi të jetës së tij, i ka kaluar në emigracion, në Amerikë, bashkë me vajzën, Mirën, dhëndrin Gëzim Gjyrezi dhe me mbesën e nipin, etj, e ku asnjëherë nuk i kanë munguar dashuria dhe shërbimi, pas gjëndjes së rënduar me shëndetin.
Kujtimi i Profesor Mëntor Përmetit, do të mbetet i paharruar, në kujtesën e brezit me të cilin punoi, të kolegëve e tij, të bashkëpuntorëve shkencorë si dhe studentëve që e patën pranë. Po ashtu ai do të kujtohet edhe nga punonjësit e prodhimit bujqësor, nga fermerët, me të cilët ka ndarë kudo e kurdoherë gëzimet e shqetësimet. Profesor Mentor Përmeti, do të mbetet një mësues i madh. Nga jeta e puna e tij do të kenë çfarë të mësojnë edhe brezi i ri, sidomos ata që do të kenë fatin të vazhdojnë rrugën në fushën e bujqësisë. Sipas amanetit të tij, trupi i Prof. Mentor Përmetit, do të prehet në Shqipëri.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! I qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë ! U prehtë në paqe e qetësi!
Sherbimet funerale do te kryehen te Dielen me 8 Mars, nga ora 11-14.00 ne Funeral Home qe ndodhet ne adresen:
Morton Funeral Home
663 Grandview
Ridgewood , NY 11 385.
Sipas amanetit të tij, trupi i Prof. Mentor Përmetit, do të prehet në Shqipëri.
Telefoni i familjes: Tel 17187302407.