Lezhë-Policitë e Shqipërisë e Kosovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi/
– Policia e Kosovës do të dërgojë në Shqipëri disa zyrtarë policorë të cilët do të merren me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në disa qytete, si në Durrës, Lezhë dhe në Shkodër/
LEZHË- PRISHTINË,, 27 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Policia e Shtetit të Shqipërisë dhe Policia e Republikës së Kosovës nënshkruan memorandum bashkëpunimi.
Komunikata e dërguar thekson se, me qëllim të vazhdimit të avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve përmes planifikimeve dhe zbatimit të masave të përbashkëta policore, sot, gjatë një takimi të mbajtur në Lezhë, Shqipëri, Naim Rexha, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe Rebani Jaupi, Zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, nënshkruan një memorandum për bashkëpunim gjatë sezonit turistik 2016 në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e bashkëpunimit sa më cilësor policor në trajnime të avancuara në procesin e shkëmbimit të praktikave policore në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e kriminalitetit, veçanërisht në format komplekse të krimit të organizuar, krimit me elemente ndërkombëtare si dhe veprave tjera penale.
Si rezultat i kësaj marrëveshje bashkëpunimi Policia e Kosovës do të dërgojë në Shqipëri disa zyrtarë policorë të cilët do të merren me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në disa qytete, si në Durrës, Lezhë dhe në Shkodër.
Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy zëvendësdrejtorët, Rexha dhe Jaupi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të dy policive, jo vetëm në fushën e rendit publik, por edhe të policimit rrugor si dhe në format tjera të luftimit të kriminalitetit./b.j/